Tematike
Dhe, Zoti “dëgjoi” lutjet: dërgoi baletin nga Prishtina
Shfaqjet që Baleti i Kosovës po i jep tri net me radhë në Cyrih kanë përjetuar një pritje të jashtëzakonshme nga publiku i këtushëm
© albinfo.ch – Duartrokitje frenetike
Kohë më e përshtatshme për një shfaqje baleti kosovar në Zvicër vështirë se mund të imagjinohej. Në një sfond të zymtë ku imazhi i kosovarëve ka prekur dyshemenë, një eveniment si ky, i prezantimit të Kosovës përmes një segmenti krejt tjetër, baletit, vjen si një “përgjigje nga Zoti”. Atij që edhe i drejtohet shfaqja me “lutjen” “O Zot (“Oh my God”), që mban në titullin e saj.
Pjesa e baletit “Oh my God”, me muzikën e kompozitorit gjerman Christian Meyer dhe me koreografinë e mjeshtrit holandez me qëndrim në Zvicër Artur Kuggeleyn, kishte rreth tre muaj që ishte planifikuar të merrte pjesë në festivalin tradicional “Zürcher Theaterspektakel” të Cyrihut.
Trupa e Baletit të Kosovës, me këtë pjesëmarrje do të bënte hapin e saj të parë në një skenë ndërkombëtare – një rast i jashtëzakonshëm për një trupë krejtësisht të re në moshë, si kjo e Prishtinës, me mesatare më pak se 20 vjeçare. Ardhja e tyre në Cyrih, në Zvicër, përbën mbase shpërthimin më me fat të izolimit kulturor e politik në të cilin po jeton Kosova.
© albinfo.ch – Artistët përshëndeten ngrohtësisht nga publiku
Vetë shfaqjet që Baleti i Kosovës po i jep tri net me radhë në Cyrih kanë përjetuar një pritje të jashtëzakonshme nga publiku i këtushëm: biletat, mbi 2000 sosh, për skenën e improvizuar mbi liqen, janë shitur paraprakisht dhe për to ka kërkesa të shumta deri në mbyllje të dyerve.
Një publik i kultivuar, mbi 90 për qind zviceran, në trupën kosovare ka parë entuziazmin, energjinë rinore dhe pasionin për artin, i tillë çfarë nuk haset në trupat me përvojë dhe që kanë krijuar rutinë.
Pikërisht elani, që të rinjtë e një vendi si Kosova, të shkëputur padrejtësisht nga kontaktet fizike me botën e artit, e kanë me bollëk, kishte gjetur shprehjen në konceptin artistik të koreografit Kuggeleyn. Në shfaqjet e tij, ky koreograf kërkon lëvizje ritmike, të koordinuara, të lodhshme dhe të përsëritura deri në trans.
© albinfo.ch – nga shfaqja
Balerinat dhe balerinët e rinj të Kosovës kanë shkëlqyer me bukurinë dhe elegancën e lëvizjeve por edhe me disiplinën e pashoqe me të cilën janë paraqitur në skenë. Prandaj, publiku me kërkesa të mëdha i Cyrihut i ka shpërblyer ata në secilën shfaqje me duartrokitje frenetike disaminutëshe dhe me rikthim në skenë.
Kuggeleyn: Arti i Kosovës ka çfarë të ofrojë, duhet vetëm menaxhim më i mirë
“Shfaqja ime është një klithje”, thotë Kuggeleyn. Ai e ka realizuar këtë balet edhe me një trupë meksikane dhe pastaj edhe në Shkup. Në trupën prej 18 të rinjve nga Kosova ai ka gjetur balerinë dhe balerina shumë të motivuar. Këta balerinë, me energjinë e tyre të pabesueshme, kanë bërë që “klithma” të dëgjohej edhe në kryeqytetin e Kosovës, të prekur nga lufta dhe varfëria.
Duket se në kontekstin kosovar dhe ballkanik klithja “O Zot” që del nga kjo pjesë baleti është më kuptimplotë dhe këtu duhet parë ndoshta edhe interesimin që, siç kanë shkruar mediet, ka ngjallur kjo shfaqje kur është dhënë në Prishtinë.
© albinfo.ch – Drejtori i Baletit të Kosovës Ahmet Brahimaj, koreografi i shfaqjes Arthur Kuggeleyn dhe konsullja e Kosovës, Dhurata Selimi
Ndryshe, Kuggeleyn si koreograf dhe Meuer si autor muzike, me baletin “O my God” eksperimentojnë duke marrë në trajtim tema universale që kanë të bëjnë me kërkimin e kuptimit të jetës dhe gjetjen e një force çudibërëse, e cila do të nxirrte njeriun nga kaosi ku është futur.
Pjesëmarrja e baletit kosovar në festivalin prestigjioz të Cyrihut ka qenë, fryt në radhë të parë i angazhimit të drejtpërdrejtë të koreografit Kuggeleyn, i cili ka qenë pjesëmarrës i këtij festivali edhe herë tjera. Ai, siç thotë për albinfo.ch, ka dashur që në një skenë ndërkombëtare të sjellë një energji të re, një pasion dhe dedikim total për artin. Dhe, këtë e ka gjetur te trupa e re e Prishtinës, e etshme për hapje kundrejt botës së madhe të artit.
Kuggeleyn me këtë rast nuk lë pa përmendur se, edhe në këto kushte izolimi, arti i krijuar nga kosovarët mund të depërtojë në botë, por për këtë nevojitet punë më profesionale e menaxherëve. “Unë me profesion nuk jam menaxher por kësaj radhe kam kryer edhe këtë punë, që t`ia mundësoj kësaj trupe të mrekullueshme paraqitjen në skenën ndërkombëtare”, ka thënë koreografi holandez.
Organizatorët e festivalit kanë siguruar për të gjithë pjesëmarrësit udhëtimin, vendosjen dhe qëndrimin në Zvicër.
Shfaqjet e baletit të Kosovës në Zvicër i ka mbështetur edhe DEZA (Drejtoria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim).
– Brahimaj: Papërgjegjësi dhe mungesë e koordinimit të institucioneve kosovare
© albinfo.ch – Artistët së bashku me stafin e Konsullatës së Kosovës në Cyrih
Trupa e baletit të teatrit Kombëtar të Kosovës është pritur dje në Konsullatën e Kosovës në Cyrih. Konsullja Dhurata Selimi me këtë rast ka shprehur kënaqësinë e saj që po i jepej rasti të priste në përfaqësinë e Kosovës këtë grup të rinjsh dhe të rejash që identifikohen me kulturën dhe artin kosovar. “Sepse, Kosova, pavarësisht problemeve, krijon edhe art, kulturë dhe këtë e tregojnë më së miri këta artistë me veprën e tyre që po e shfaqin këto ditë në Zvicër”, ka thënë znj. Selimi.
© albinfo.ch – Disa nga balerinat dhe balerinët para afishes, te porta e skenës mbi liqen, ku jepen shfaqjet
Udhëheqësi i trupës së Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, nuk ka kursyer kritikat ndaj institucioneve të Kosovës. Ato në këtë rast, sipas tij, kanë dështuar që të trajtojnë ashtu siç e meriton, përfaqësimin e baletit të Kosovës në një eveniment si ky.
“Është për çdo kritikë moskoordinimi në mes të institucioneve. Ne e kemi prej tre muajsh konfirmimin për pjesëmarrje në festival, ndërsa përfaqësia kosovare në Zvicër nuk ka pasur as informatën më të vogël rreth kësaj. Kjo vërehet edhe në mungesën e publikut shqiptar në shfaqjet tona”, ka thënë Brahimaj.
Ndërsa zëvendëskonsulli dr. Sali Sefa ka pranuar se institucionet kosovare u kanë shumë borxh artistëve, sidomos atyre që kanë me çfarë të na prezantojnë edhe jashtë vendit.
E-Diaspora
-
Mbi 50 mijë aplikime nga diaspora për votim, prijnë votuesit nga Gjermania dhe Zvicra Mbi 50 mijë qytetarë nga diaspora kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit... -
Cyrihu duartroket filmin e Ibër Dearit “Krejt e thirrin Rexhën” -
Akademik Fehmi Agani u kujtua si “truri i rezistencës civile” të viteve `90 -
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës
Jeta në Austri
-
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet Këtë javë, në Vjenë do të zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e edicionit të 70-të të Eurovisionit.... -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë













