Hapet klasa e re e gjuhës shqipe në Widnau, Kantonin e St. Gallenit

Në Widnau të Kantonit të St. Gallenit është hapur zyrtarisht pika e re e “Shkollës Shqipe”, nën kujdesin e LAPSH “Naim Frashëri”. Kjo shkollë i shtohet rrjetit të dhjetëra pikave mësimore të gjuhës amtare në këtë kanton, si në Rebstein, Buchs SG, Mels, Flums, Rorschach, Uznach, Rapperswil – Jona e të tjera.

Në javën e parë, klasës iu bashkuan me gëzim nxënësit Ajana, Liana, Jerina, Aulona, Leona, Lorenti, Shpati dhe Luani. Mësimin e drejton mësuesja Njomza Maliqi, e cila theksoi rëndësinë e gjuhës amtare si “urë që i lidh fëmijët me rrënjët e tyre”.

Kontribut të veçantë për hapjen e kësaj pike dha edhe z. Vaxhid Sejdiu, bashkëkryetar i LAPSH-it në Zvicër, i cili u shpreh se “të humbasësh gjuhën amtare do të thotë të humbasësh një pjesë të shpirtit”.

Klasa e re në Widnau është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar tek brezat e rinj në diasporë. Mësimi zhvillohet çdo të martë nga ora 16:30 deri në 18:30 në “Schulhaus Gässeli”.

Ejani nxënës të dashur – shkolla shqipe në Widnau ju pret!

Bernë: Grabitet transportuesi i blinduar i parave nga dy persona të armatosur

Dy sulmues të panjohur kanë grabitur një makinë të blinduar në Renan, Kantoni i Bernës, të enjten. Ata kanë kërcënuar shoferin me një armë dhe kanë ikur duke marrë plaçkën me vete, sipas policisë kantonale të Bernës të shtunën, transmeton albinfo.ch.

Shoferi mbeti i padëmtuar.

Incidenti ndodhi pak pas mesditës në rrugën kryesore pranë varrezave. Sipas raportit, shoferi i një automjeti të zi bllokoi shoferin e furgonit dhe e kërcënoi atë me një armë zjarri, shkruan sda.ch. Në të njëjtën kohë, një person tjetër hipi në makinën e blinduar dhe i urdhëroi shoferit të ndiqte automjetin e zi, u raportua më tej.

Të dy automjetet ndaluan në afërsi të pyllit. Sipas raportit, dy autorët, të veshur tërësisht me të zeza dhe me maska, e detyruan shoferin të dorëzonte sendet e tij me vlerë, përcjell albinfo.ch. Më pas ata ikën në drejtim të panjohur.

Një kërkim i menjëhershëm nuk pati sukses. Policia po kërkon dëshmitarë.

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër, një rrëfim suksesi

Bizneset e shqiptarëve në Zvicër përbëjnë tashmë prej kohësh një segment të rëndësishëm në jetën afariste të Zvicrës, në përgjithësi. Shpirti ndërmarrës i shqiptarëve të këtushëm ka gjetur në Zvicër terrenin e përshtatshëm për tu zhvilluar harmonishëm dhe për të arritur majat në shumë sektorë të ekonomisë zvicerane.

Për të krijuar një lidhje në mes të bizneseve shqiptare dhe për të promovuar e ndihmuar zhvillimin e tyre është krijuar edhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër (RRBDSH Zvicër).

Platforma mediale Albinfo.ch prezanton një profil të këtij rrjeti, përmes një bisede me kryetaren, zonjën Dr. Fatime Berisha Imeri.

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër (RRBDSH Zvicër) është themeluar në vitin 2012 me iniciativën e ndërmarrësit dhe filantropit të njohur, Fehmi Fetahi, i cili aktualisht mban funksionin e Presidentit të Bordit të Rrjetit”, shprehet znj. Berisha.

Ndërsa, duke folur për profilin dhe synimet e rrjetit ajo thotë se “Vizioni dhe misioni i RRBDSH-së është të veprojë si një organizatë gjithëpërfshirëse dhe urë lidhëse ndërmjet bizneseve shqiptare në Zvicër dhe më gjerë. Duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi, Rrjeti synon të intensifikojë edhe investimet e jashtme në vendet tona amë, duke mundësuar shkëmbim të përvojës dhe progresit në zhvillimin ekonomik”.

Rrjeti, aktiv në shumë sektorë të ekonomisë

Cilët janë sektorët ku vepron RRBDSH?

Rrjeti është aktiv në shumë fusha, e në radhë të parë në rrjetëzimin e ndërmarrësve, promovimin e bizneseve shqiptare, mbështetjen e kompanive start-up, ndërmjetësimin në partneritete të reja dhe bashkëpunimin institucional nëpërmes përfaqësimit në Odën Ekonomike të Kosovës”, thotë kryetarja e rrjetit.

Në këto 13 vite të veprimit, RRBDSH ka zhvilluar shumë aktivitete dhe ka ndërmarrë shumë nisma. Znj. Berisha me këtë rast përmend vetëm disa prej tyre, si: “Business Connection në Dietikon, Spreitenbach, takime B2B dhe takime me personalitete të njohura të biznesit dhe politikës”. Ajo gjithashtu shton se në të ardhmen këto aktivitete do të jenë edhe më të shpeshta.

“Rrjeti përbëhet nga një numër i konsiderueshëm anëtarësh që përfaqësojnë fusha të ndryshme biznesi – tregti, teknologji, gastronomi, ndërtimtari, shëndetësi etj.”, nënvizon znj. Berisha Imeri.

RRBDSH krahas aktivitetit të vet parësor, nxit edhe bizneset e reja të shqiptarëve të Zvicrës për tu aktivizuar në rrjet. Këtë e realizon përmes aktiviteteve të rrjetëzimit, pjesëmarrjes në evente Business Connection dhe takimeve B2B që krijojnë mundësi zhvillimi.

Sfida: Bashkimi i potencialit të bizneseve shqiptare

Ndërkohë, sfidë për rrjetin mbetet, sipas kryetares, bashkimi i potencialit të madh të bizneseve shqiptare në Zvicër, rritja e bashkëpunimit mes tyre dhe profesionalizimi i shërbimeve të Rrjetit

“Rrjetëzimi i qindra kompanive shqiptare, promovimi i investimeve në vendlindje dhe përfaqësimi i zërit të diasporës në fushën e ekonomisë, janë arritjet më të mëdha që ka realizuar RRBDSH”, konsideron ajo.

Rrjeti zhvillon bashkëpunime me organizata shqiptare dhe zvicerane, si dhe me institucione ndërkombëtare siç është Switzerland Global Enterprise, etj.

Nisur nga baza e krijuar dhe arritjet e deritashme, edhe e ardhmja e RRBDSH-së dhe roli i tij në zhvillimin ekonomik të  shoqërisë sonë qëndrojnë në  zgjerimin dhe profesionalizimin e kësaj organizate.

Ndërsa mesazhi që RRBDSH u dërgon bizneseve shqiptare në Zvicër është: Të gjitha bizneset shqiptare janë të mirëseardhura! Bashkimi dhe mbështetja e njëri-tjetrit sjellin zhvillim dhe progres më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.

Artikulli për Rrjetin është botuar edhe në magazinën print albinfo.ch, e cila në këtë numër i ka kushtuar fokus të veçantë organizatave shqiptare në Zvicër.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Video nga disa nga aktivitetet e Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër

albinfo.ch

albinfo.ch

Ambasada e Kosovës, pritje për Ambasadën e Portugalisë, vendit mysafir të “Kino Kosova”

Në kuadrin e aktiviteteve të festivalit “Kino Kosova” që po mbahet në Bernë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër ka organizuar një pritje për stafin diplomatik të Ambasadës së Portugalisë në Zvicër. Në pritjen që u mbajt në ambientet e kinemasë “Rex”, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve zvicerane, pjesëtarë të Korit Diplomatik të akredituar në Bernë, etj.

Shkas për këtë pritje ishte pjesëmarrja e Portugalisë si vend mysafir në “Kino Kosova”, shkruan albinfo.ch, partner medial i festivalit. Ambasada e Kosovës në këtë rast në cilësinë e nikoqires, ka nderuar vendin mik, Portugalinë.

Duke ju drejtuar të pranishmëve, Ambasadori i Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi ka shprehur kënaqësinë e tij për aktivitetin që i ka mbledhur ata së bashku. “Një mirëseardhje e veçantë për kolegët tanë të dashur nga Ambasada Portugeze. Si Ambasador Kosovar ishte një bekim i vërtetë të zbarkojmë në Bernë dhe të zbulojmë se ekziston një Festival Filmi me Emrin “KinoKosova”. Falënderoj diasporën tonë punëtore dhe entuziaste që ka vënë në jetë këtë eveniment. Dhe duke folur për diasporën, jam i lumtur që vendi mysafir i KinoKosova këtë vit është Portugalia. Sepse të dy diasporat tona janë vendi ynë i përbashkët këtu në Zvicër, ku ato janë ndër më të mëdhatë në vend”, ka thënë tutje ambasadori i Kosovës.

“Dua të falënderoj veçanërisht të gjithë organizatorët e KinoKosova-s, në veçanti themeluesin e saj, Sabo, i cili, i frymëzuar nga festivali i njohur i filmave dokumentarë, DokuFest nga qyteti i tij i lindjes, Prizreni, inicioi këtë festival filmi në Bernë.

Si ambasador, jam i lumtur që vendi im e ka mbështetur këtë festival filmi që nga edicioni i parë. Dua të falënderoj gjithashtu ekipet e të dy ambasadave tona, të cilat punuan pa u lodhur për realizimin e këtij eventi”, ka thënë në fund të fjalës së tij, ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi.

Publikut në sallë i është drejtuar me një përshëndetje edhe ambasadorja e Portugalisë në Zvicër, zonja Anna Maria Fernandes Marques Pereira. Ajo ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e përbashkët të dy vendeve në një festival filmi si ky “Kino Kosova” në Bernë dhe ka falënderuar organizatorët për mundësinë e ofruar. Gjithashtu ambasadorja ka falënderuar homologun e saj, z. Latifi për pritjen e ngrohtë të rezervuar në këtë mbrëmje dedikuar kulturës, filmit dhe miqësisë.

Në kuadër të mbrëmjes janë shfaqur edhe filma nga Kosova dhe nga Portugalia, në mes të të cilëve ai “Rrugëve” i Samir Karahodës dhe “Moving Garden” i regjisores portugeze nês Lima (Setúbal), shkruan albinfo.ch.

Karahoda, i pranishëm në këtë ngjarje ka folur për filmin dhe u është përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve lidhur me filmin e tij dhe kinematografinë në Kosovë.

Në një apero të shtruar nga Ambasada e Kosovës në Bernë, të ftuarit kanë pasur rastin të njihen, të bisedojnë dhe shkëmbejnë mendime, pranë gotave të verës kosovare dhe portugeze.

albinfo.ch

Më shumë foto nga Rromir Imami albinfo.ch : FOTO

Veteranët ia mësyjnë Hagës për protestën e nesërme

Në portin Durrës-Bari, shumë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë nisur për në Hagë, atje ku ditën e nesërme do të mbahet protestë.

Bëhet e ditur se veteranët përshkojnë rrugën përmes Durrësit dhe linjën Bari në Itali, për të shmangur kalimet përmes Serbisë dhe Malit të Zi, ku mund të hasen pengesa gjatë udhëtimit.

Protesta, që do të mbahet të dielën e 14 shtatorit pritet të mbledhë shumë qytetarë nga diaspora, por edhe nga të gjitha trojet shqiptare.

Granit Xhaka i jep frymë të re Sunderlandit

Sunderland, dikur qytet krenar industrial, sot përballet me papunësi, varfëri dhe pamje të zymta nëpër lagje ku dyqanet e mbyllura dhe mbeturinat tregojnë realitetin e vështirë. Por futbolli, pasioni kryesor i banorëve, ka sjellë një rreze shprese falë një emri të madh – Granit Xhaka.

Gazeta zvicerane Blick në një reportazh të së shtunës shkruan se ardhja e kapitenit të Zvicrës ka ringjallur klubin dhe vetë qytetin. Për shtatë vjet Sunderlandi ishte zhytur në ligat e ulëta të futbollit anglez, por tashmë është rikthyer në elitë. Sipas mediumit helvetik, jeta në qytet lidhet ngushtë me fatin e skuadrës: kur ekipi është mirë, funksionon edhe qyteti.

Xhaka, me mbi 225 paraqitje në Premier League, sjell më shumë përvojë sesa gjithë pjesa tjetër e skuadrës së bashku. Shokët e tij e përshkruajnë si lider që kontrollon lojën, komunikon vazhdimisht dhe i jep siguri grupit. “Ai është lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne brenda dhe jashtë fushës”, ka thënë mesfushori Enzo Le Fee.

Edhe trajneri Regis Le Bris e vlerëson kapitenin, duke kujtuar një moment pas humbjes me Burnley, kur Xhaka mbajti fjalim për t’i dhënë kurajë një ekipi të ri në ndërtim: “Ai është model për t’u ndjekur. Tregon se procesi i të mësuarit nuk përfundon kurrë”.

Mesfushori kosovar me origjinë u transferua për rreth 15 milionë euro, ndërsa paga e tij javore arrin 140 mijë funte. Ai është vendosur në rajonin e Newcastle, rivalit të madh të Sunderlandit, dhe në stërvitje udhëton me një Mercedes luksoz të pajisur madje me televizor e PlayStation.

Megjithëse Xhaka paralajmëron muaj të vështirë për skuadrën që lufton për mbijetesë, tifozët nuk e ndalin këngën e tyre të dashurisë për klubin: “Nuk mund të mos bie në dashuri me ty”. Për ta, ardhja e tij është më shumë se një transferim – është një ringjallje shprese për Sunderlandin.

Osmani e dekoron Barduanin me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Në përfundim të mandatit të komandantit italian të KFOR-it, Enrico Barduani, presidentja Vjosa Osmani e ka dekoruar atë me Medaljen Presidenciale Ushtarake, përcjell albinfo.ch.

Presidenca tha se medaljen Osmani ia dha Barduanit javën që shkoi dhe se ajo shërben si simbol i mirënjohjes së popullit të Kosovës dhe i përkushtimit të pandërprerë të NATO-s për paqe dhe siguri afatgjate.

“Gjatë mandatit të tij në krye të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani ka dhënë kontribut të çmuar për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe në rajon. Në shenjë falënderimi për këtë shërbim të vyer, javën që shkoi, Presidentja Osmani e dekoroi atë me Medaljen Presidenciale Ushtarake, një simbol i mirënjohjes së popullit tonë dhe i përkushtimit të pandërprerë të NATO-s për paqe dhe siguri afatgjate”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani dhe komandanti Barduani patën edhe një darkë pune para disa ditësh.

AARC: Pezullimi i dialogut nga SHBA-të është alarmuese, presidentja e Kosovës duhet të veprojë me guxim dhe pa vonesë

Ambasada amerikane në Prishtinë të premten ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës strategjik me Kosovën për shkak të deklaratave dhe veprimeve të Qeverisë Kurti, përcjell albinfo.ch.

E lidhur me këtë ka reaguar sot Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC), duke shprehur shqetësimin e thellë.

“Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) shpreh shqetësimin e tij më të thellë në lidhje me pezullimin e Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Ky zhvillim duhet të shërbejë si një thirrje për veprim të menjëhershëm për udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës”, thuhet në reagim.

“Prej kohësh, AARC ka paralajmëruar për një erozion në partneritetin Kosovë-SHBA. Marrëdhëniet diplomatike janë në pikën më të ulët historike dhe pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, thuhet tutje.

Sipas tyre, para së gjithash, Kushtetuta dhe rendi kushtetues i Kosovës duhet të respektohen dhe udhëheqësit politikë duhet të veprojnë pa vonesë për të konstituuar institucionet sipas zgjedhjeve të fundit ose për të arritur një konsensus të shpejtë që do të hapte rrugën për zgjedhje të reja.

AARC tutje thekson se pezullimi i Dialogut Strategjik nuk duhet të përdoret nga asnjë forcë politike për përfitime afatshkurtra, ndërsa qeveritë ndryshojnë, por koston përfundimtare e mban Kosova dhe populli i saj.

“Pamundësia dhe mosgatishmëria për t’u angazhuar në dialog ka krijuar polarizim ekstrem në Kosovë. Edhe çështjet që janë përcaktuar dhe zgjidhur qartë nga Kushtetuta janë shndërruar pa nevojë në mosmarrëveshje ligjore dhe kushtetuese.

Patriotizmi dhe dashuria për Kosovën nuk i përkasin asnjë individi apo partie politike të vetme. Përkundrazi, qeveritë – qofshin ato që veprojnë në cilësinë ‘qeveri në detyrë’ apo si të plotfuqishme – dhe partitë politike kanë detyrimin të udhëheqin me përgjegjësi dhe të krijojnë një mjedis për dialog politik.

Çështjet e sovranitetit, detyrimeve ndërkombëtare, pavarësisë dhe interesave të tjera jetësore shtetërore i përkasin të gjithë popullit të Kosovës, jo vetëm një partie apo qeverie”, thekson Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane.

AARC thekson se shpirti pro-amerikan i popullit të Kosovës nuk duhet të manipulohet ose keqpërdoret kurrë dhe sipas tyre është e qartë që asnjë popull nuk është më pro-amerikan sesa qytetarët e Kosovës.

“Në këtë drejtim, Presidentja e Kosovës duhet të veprojë me guxim dhe pa vonesë, duke përdorur autoritetin e saj kushtetues – duke përfshirë mundësinë e udhëheqjes së vendit drejt zgjedhjeve të reja nëse është e nevojshme.

Ajo gjithashtu duhet të angazhohet drejtpërdrejt me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe me autoritetet në Uashington, D.C., për të kuptuar arsyet e vërteta pas pezullimit të Dialogut Strategjik dhe për të komunikuar në mënyrë transparente me publikun”, thuhet në reagim.

“Në të njëjtën kohë, duhet të theksojmë padrejtësinë e thellë të situatës aktuale: ndërsa Kosova qortohet ashpër, Serbia – lidershipi i së cilës është rreshtuar hapur me Rusinë dhe Kinën, dhe e cila sponsorizon paqëndrueshmërinë rajonale, duke përfshirë edhe inkursionet paraushtarake në Kosovë – shpërblehet me vizita të nivelit të lartë me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së dhe diskutime për partneritet strategjik.

Megjithatë, ky realitet nuk e liron Kosovën nga përgjegjësitë e saj. Për të parafrazuar një parabolë ballkanike: ‘vrasja e lopës së fqinjit nuk të jep më shumë qumësht’. Kosova duhet të shikojë brenda vetes, të ndërmarrë veprime korrigjuese dhe të demonstrojë pjekurinë e institucioneve dhe lidershipit të saj politik”, thuhet tutje.

“Aktet për të ushtruar sovranitetin janë të sakta në parim, por në praktikë, nuk ka sovranitet për Kosovën pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Në çdo hap që ndërmerr, Kosova duhet të marrë në konsideratë me kujdes interesat e aleatëve të saj, para së gjithash ato të Shteteve të Bashkuara.

Për më tepër, si qeveria aktuale ashtu edhe çdo qeveri e ardhshme duhet të krijojnë urgjentisht mekanizma dhe kanale lobimi në Uashington, D.C. Kjo punë nuk mund të vonohet. Kosova nuk duhet të ndëshkohet në favor të Serbisë – veçanërisht në një kohë kur Serbia udhëhiqet nga një ish-ministër nga regjimi i Millosheviqit, i cili e ka bërë të qartë qëllimin e tij kryesor për të afruar Serbinë me Rusinë dhe Kinën.

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane u kërkon institucioneve dhe udhëheqjes politike të Kosovës të përballen me këtë moment krize, të veprojnë me unitet dhe përgjegjësi dhe të sigurojnë që partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të mbetet i fortë, efektiv dhe i orientuar drejt së ardhmes”, thuhet tutje.

BE kritikon mbylljen e zyrave të strukturave paralele serbe

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për mbylljen e zyrave të strukturave paralele të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, përcjell albinfo.ch.

Bëhet fjalë për zyrën e të ashtuquajturit fond i sigurimeve të pensioneve dhe atë të fondit të sigurimeve shëndetësore.

Sipas një komunikate nga Zyra për Shtyp e BE-së, kjo përbën një tjetër veprim të pakoordinuar nga qeveria në detyrë e Kosovës dhe është në kundërshtim me detyrimet dhe angazhimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se statusi i tyre duhet të zgjidhet në përputhje me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, marrëveshjet e arritura në të dhe ligjet e Kosovës. Jeta e qytetarëve të zakonshëm, kryesisht e atyre serbë të Kosovës, por edhe të komuniteteve të tjera në Kosovë, ndikohet negativisht nga veprime të tilla. BE-ja i bën thirrje qeverisë në largim të Kosovës dhe institucioneve përkatëse të Kosovës që të përmbahen nga veprime të tilla provokuese dhe dëmtuese dhe të kërkojnë konsultime me komunitetin vendas të serbëve të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

I arrestuari për krime lufte dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, të premten kanë arrestuar personin me inicialet R.D, nën dyshimin për krime lufte gjatë luftës në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Policia e Kosovës në raportin e sotëm ka thënë se ai dyshohet se kreu krime lufte kundër popullatës civile në komunën e Vushtrrisë në vitin 1999 dhe se ai ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë.

Policia tha se ai dyshohet se veprën e ka kryer në grup si zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP-i serb.

“Komuna Vushtrri 22.05.1999. Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, më 12.09.2025 pas një pune operative, është ndaluar i dyshuari mashkull kosovar, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë. Vepra penale është kryer gjatë periudhës kohore 22 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP serb, ka marrë pjesë në privimin nga jeta-vrasjen e 71 civilëve shqiptarë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha sot policia në raportin 24-orësh.

Prokuroria Speciale dje tha se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin në fuqi.

Itali: Shqiptari 30-vjeçar, pronar i restorantit, arrestohet për drogë: i gjetën 516 gramë heroinë

Policia italiane në Bari ka goditur një rrjet shpërndarjeje të lëndëve narkotike, ku mes të arrestuarve është edhe një 30-vjeçar shqiptar, pronar dhe menaxher i një restoranti të njohur në zonën Cozze të Mola di Barit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Njësia Antidrogë në ambientet e lokalit, të ndodhur në ‘SS Adriatica 103’, u sekuestruan 516 gramë heroinë, të fshehura poshtë një lavamani. Zbulimi u bë falë ndërhyrjes së qenit antidrogë.

Hetimet kishin identifikuar më herët restorantin si një pikë kyçe të furnizimit të tregtarëve të drogës në provincën e Barit. Substanca ishte e ndarë në bllok të ngurtë me ngjyrë kafe dhe analizat konfirmuan se bëhej fjalë për heroinë të pastër.

30-vjeçari, banues në Bari, jetonte në një banesë me kontratë qiraje të skaduar. Ai u arrestua për posedim me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe u dërgua në paraburgim, në dispozicion të gjyqtarit hetues.

Ndërkohë, si masë administrative, shefi i Policisë së Barit ka urdhëruar pezullimin për 15 ditë të aktivitetit të restorantit.

Kur ndryshon ora në tetor 2025?

Edhe pse duket si një formalitet i zakonshëm, ndryshimi i orës ka ndikim të dukshëm në jetën e përditshme. Nga gjumi dhe përqendrimi, te humori dhe produktiviteti, trupi reagon ndaj prishjes së ritmit natyral. Për shumë njerëz, një orë “më shumë gjumë” nuk kompenson efektet e lodhjes, nervozizmit dhe rënies së energjisë, përcjell albinfo.ch.

Në Evropë, kjo praktikë zbatohet dy herë në vit, pranverë dhe vjeshtë, me arsyetimin se drita e ditës shfrytëzohet më mirë. Megjithatë, eksperienca tregon se për fëmijët dhe të moshuarit përshtatja është më e vështirë, dhe ndryshimi shpesh sjell më shumë shqetësime sesa përfitime.

Kur ndodh ndryshimi në vitin 2025?

Më 26 tetor, të dielën në ora 03:00 të mëngjesit, akrepat do të kthehen një orë pas, në 02:00. Praktikisht fitojmë një orë më shumë gjumë, por humbim një pjesë të dritës së ditës, dhe efektet në organizëm mund të jenë të dukshme – lodhje, rënie të përqendrimit dhe ndjesia se dita është më e shkurtër.

Ekspertët paralajmërojnë se këto efekte nuk duhen nënvlerësuar dhe këshillojnë të përgatitemi gradualisht për këtë tranzicion, për të lehtësuar ndikimin në trup dhe ritmet tona biologjike.

“Döngü” – Filmi që pasqyron sfidat e emigrantëve kosovarë në Turqi

Filmi “Döngü”, bashkëprodhim midis Turqisë dhe Kosovës, trajton emigracionin, punën e pasiguruar dhe shfrytëzimin e heshtur të punëtorëve. Rrëfimi fokusohet te Lena, një kujdestare kosovare, dhe Sevim, një pastruese turke, që përballen me vështirësi dhe dilema morale gjatë punës. Pas një aksidenti të Lenës në vendin e punës, situata nxjerr në pah mungesën e sigurimeve dhe vështirësitë me të cilat përballen emigrantët, duke reflektuar realitetin e mijëra kosovarëve që punojnë jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Filmi, i regjisorit turk Erkan Tahhuşoğlu, u dha premierë rajonale në kuadër të edicionit të 17-të të festivalit “PriFest” në Prishtinë, ku aktoret kosovare Ftesa Hazrolli dhe Shpresa Hashimi u bashkuan me kastën turke. Hazrolli tha për KOHËN se roli i Lenës është kompleks dhe pasqyron sfidat e emigrantëve kosovarë në Turqi, duke përfshirë edhe dialogë në gjuhën shqipe.

Producentët e filmit janë Gazmend Nela, İris Tahhuşoğlu, Selda Taskin dhe Ragip Türk, ndërsa kolonën zanore e ka përkujdesur Idil Ataç. Filmi ka marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe ka fituar çmime për skenarin dhe rolet kryesore, duke përfshirë edhe çmimet në Ankara, Frankfurt, Adana dhe Bosfor.

Regjisori Tahhuşoğlu shpjegon se motivimi i filmit lidhet me njohjen e së drejtës së punëtorëve dhe reflektimin e kushteve të tyre jo vetëm në Turqi, por edhe në Evropë. Për publikun kosovar, “Döngü” nuk është vetëm një rrëfim artistik, por edhe një pasqyrë reale e emigracionit dhe sfidave që vijnë me të.

Shqipëria hap katër kapituj të rinj negociatash për anëtarësim në BE më 16 shtator

Bëhet e ditur se Shqipëria do të hapë katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 16 shtator, në një takim të thirrur nga Presidenca daneze e BE-së. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale, përcjell albinfo.ch. 

Referuar Ramës, hapja e këtyre kapitujve do të zhvillohet në praninë e ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Katër kapitujt e rinj i shtohen 24 kapitujve të hapur më parë, duke e çuar në 28 numrin total të kapitujve të hapur brenda vetëm 11 muajve – ritëm që kryeministri e cilësoi si “rekord absolut” në procesin e negociatave.

Kapitujt e rinj përfshijnë fusha të Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme, të cilat lidhen me sektorë jetikë si transporti, energjia, rrjetet transevropiane dhe mjedisi.

“U vendos edhe një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”, u shpreh Rama.

Shqipëria hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE në tetor të vitit 2024. Kjo ndodhi pas një pritjeje të gjatë, pasi vendi kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2014.

Tirana duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE. Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli kërkohet miratimi i të gjithë vendeve anëtare të bllokut evropian.

Migracioni dhe konfliktet identitare, tema bosht të festivalit “Kino Kosova”

Festivali i filmit “Kino Kosova” ka pasur dje ditën e tretë të tij, të përmbushur me projeksione filmash të disa zhanreve, me panele debati dhe me muzikë. Gjithçka të lë përshtypjen e një aktiviteti të konsoliduar kulturor dhe që përmbush standarde të një festivali serioz filmi, për çfarë duhen falënderuar organizatorët.

Një panel debati me temën “Boshllëku i Audiencës…” është mbajtur në programin e pasdites, ku pjesëmarrësit kanë trajtuar boshllëqet kulturore në ekran. Paneli ka shqyrtuar qasjen: Se si shpërndarja, gjuha dhe madje edhe vendndodhja përcaktojnë se kush mund të shohë cilat histori dhe çfarë mund të bëjnë festivalet për ta bërë kinemanë më gjithëpërfshirëse dhe demokratike, shkruan albinfo.ch.

Në programin e pasdites është shfaqur filmi artistik i metrazhit të gjatë “Unwanted” (I padëshiruar), i regjisorit shqiptar nga Holanda, Edon Rizvanolli. Në vitin 1998, ai realizoi filmin e tij të parë të shkurtër, Blownaway, i ndjekur nga dokumentari fitues i çmimeve Shuffle – Politics, Bullshit and Rock ‘n’ Roll, rreth skenës alternative të muzikës në Prishtinë. Që nga viti 2007, ai jeton në Amsterdam dhe punon si aktor, regjisor dhe montazhier filmash. Unwanted është debutimi i tij në film artistik, me premierën botërore në Karlovy Vary.

Syzheu i filmit: Adoleshenti Alban jeton në Amsterdam me nënën e tij Zana. Ajo iku nga Kosova gjatë Luftës Ballkanike. Kur Albani fillon të dalë me Anën e ndjeshme, asnjëri prej tyre nuk dyshon se plagët dhe hijet e vjetra nga e kaluara do të dalin në sipërfaqe.

Pastaj në programin e mbrëmjes janë zhvilluar dy aktivitete paralele: shfaqja e pesë filmave të shkurtër, nga Kosova, Zvicra etj. në një sallë alternative dhe ngjarja në kinemanë Rex ku Ambasada e Kosovës ka pritur stafin e Ambasadës së Portugalisë, në Bernë, me ç`rast janë shfaqur edhe disa filma të dy vendeve përkatëse.

Tema e filmave të shfaqur në programin kryesor, ka ndjekur vazhdën e asaj që e dallon konceptin e këtij festivali: Problemi  i migracionit, kompleksi me identitetet, etnike, gjinore dhe të ngjashme. Pas shfaqjes së disa prej filmave, është zhvilluar edhe bisedë me autorët respektivë të tyre.

“Wie lange bleibt Ihr noch?” (Sa gjatë do të qëndroni?) ishte filmi i parë në këtë cikël. Në filmin e tyre të shkurtër, regjisorët e rinj nga Gjermania Arnit Likaj dhe Jasmin Rai eksplorojnë përvojat dhe ndjenjat e tyre të të qenit të zënë midis dy kulturave. Ata kanë një sfond migrimi dhe nuk ndihen plotësisht si në shtëpi as në Gjermani dhe as në vendin e prindërve të tyre.

Në film, ata punojnë me tekste të shkruara dhe të folura vetë në gjuhët e tyre amtare, ndërsa përshkruajnë procesin e përpunimit të patateve, ku ata punojnë, në një fabrikë, në Gjermani. Ky film i shkurtër është filmi i tyre i parë.

Arnit Likaj pastaj u është përgjigjur pyetjeve të moderatores, Aleksandra Hiltmann, rreth temës së përshkruar në film. Ai ka vënë theksin tek dualiteti i identiteteve që vjen si pasojë e jetës në mërgim dhe mbajtjes së lidhjes me atdheun e vet ose të prindërve.

Një film tjetër i shfaqur mbrëmë ishte  “She Asked Me Where I Was From” (Ajo më pyeti nga isha) me regjisore Aulona Fetahajn. Një film personal për jetën e (fëmijëve të) refugjatëve në një epokë dixhitale.

Aulona Fetahaj ka studiuar filmin në Universitetin Sint-Lukas në Bruksel. Ajo kërkon një gjuhë kinematografike për shtëpinë dhe zhvendosjen, duke eksploruar rolin që luajnë kujtimet në (rikrijimin) e identiteteve.

“Unsere Name ist Ausländer (Emri ynë është i huaj) ishte filmi i radhës, i regjisores së re zvicerane me prejardhje kurdë nga Turqia, Seline Besill.

Hêlîn, Selin, Firat dhe Serhat janë vëllezër e motra që u rritën në një fshat në Zvicrën qendrore. Përmes rrëfimeve në veten e parë ata evokojnë kujtimet e fëmijërisë së tyre në Zvicër që i përshkon përvoja negative e ndeshjes me paragjykime ndaj tyre, si të huaj.

“Dandelion” (Luleradhiqe) është një film i regjisores suedeze-shqiptare Fiona Obertinca që trajton temën e identiteteve gjinore.

Në Los Angeles të viteve 1970, adoleshentja rebele queer Margaret përjashtohet përsëri nga një familje kujdestare dhe e gjen veten në shoqërinë e një punonjëseje sociale misterioze të ngarkuar me detyrën për t’i gjetur asaj një shtëpi të re para agimit…

Vetë Fiona është një refugjate nga Kosova dhe bija e një nëne beqare me katër fëmijë, ajo tregon histori për gra komplekse, rezistente me zemër dhe humor. Filmi i saj i shkurtër SHPËTIMI fitoi një çmim në Festivalin Pixel. Dandelion fitoi çmime në Brooklyn dhe Palm Springs, ndër të tjera. Ajo është diplomuar në Konservatorin e Institutit Amerikan të Filmit dhe jep mësim skenari në Universitetin Northwestern.

Në programin e natës (nga ora 22.00) është shfaqur filmi artistik i metrazhit të gjatë “Gülizar”, që është koproduksioni i parë në mes të Kosovës dhe Turqisë.

Sot vazhdon programi me shfaqje filmash, debat dhe në përmbyllje vjen koncerti i këngëtares së re e të suksesshme nga Kosova, Agona Shporta me kuintetin e saj, e cila prezanton albumin “Hape portën”.

Platforma mediale albinfo.ch është partner medial i festivalit “Kino Kosova”.

 

 

Eksporti i verërave zvicerane në rritje, kërkesa vjen nga Amerika, Evropa dhe Azia

Tregu ndërkombëtar po tërheq gjithnjë e më shumë prodhues verërash zviceranë, të cilët po synojnë të sjellin produktet e tyre cilësore jashtë kufijve të vendit. Një nga shembujt më të dukshëm është bashkëpunimi mes Fredi Torres dhe Michaël Hock, i cili ka nisur që nga viti 2020. Në një lartësi mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit, ata kanë krijuar një partneritet për të ndërtuar një prani ndërkombëtare për verërat e tyre, përcjell albinfo.ch.

“Njerëzit shpesh befasohen kur mësojnë se Zvicra prodhon verë. Ishte pikërisht kjo kuriozitet që më shtyu të ndërmarr hapin drejt eksportit,” shpjegon Torres. Hock shton se aktualisht vetëm 2% e prodhimit të tyre shkon jashtë vendit, por ata tashmë kanë shitur 5,000 shishe në Shtetet e Bashkuara, Belgjikë dhe Francë, me çmime midis 55 dhe 120 frangave për shishe. Përveç eksportit, Torres organizon edhe evente ndërkombëtare për të promovuar verërat zvicerane.

Sipas të dhënave të fundit, 1,043,582 litra verë u eksportuan në vitin 2024, që përbën më pak se 2% të prodhimit kombëtar. Mbretëria e Bashkuar është konsumatori kryesor, ndërsa Franca preferon verërat e kuqe dhe Gjermania ato të bardha. Jasmin Schmid, menaxher i eksportit në Swiss Wine Promotion, thekson se promovimi jashtë vendit ndikon edhe në shitjet brenda Zvicrës: “Shumë prodhues po shohin mundësinë e rritjes së të ardhurave duke eksportuar dhe duke rritur njohjen e markës.”

Interesi për verërat zvicerane nuk kufizohet vetëm në Evropë. Michaël Schlegel dhe Nicolas Kiss kanë marrë një licencë zyrtare për shitje me pakicë në Kanada dhe tashmë 20% e prodhimit të tyre shitet jashtë vendit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Singapor, Danimarkë dhe Angli. Ata punojnë me rreth 65-70 prodhues në 16-17 kantone, duke përfshirë edhe verërat cuvée me çmime të përballueshme.

Një pionier në tregun ndërkombëtar është Vera Gantenbein nga Graubünden, e cila eksporton verërat e saj që nga viti 1984. Pinot Noir, Chardonnay dhe Riesling e saj shiten për çmime që arrijnë deri në 82 franga për shishe dhe 40% e prodhimit shitet jashtë vendit. Andreas Hütwohl, menaxher i kantinës, thotë: “Kërkesa është shumë më e lartë; ne mund të shesim gjithçka jashtë vendit, por synojmë të ruajmë ekuilibrin midis klientëve zviceranë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.”

Rritja e eksporteve dhe promovimi i verërave zvicerane në botë duket se po krijon një precedent për vitet e ardhshme, duke e bërë Zvicrën një aktor të rëndësishëm në industrinë globale të verërave.

Kosovë, sot nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të sivjetme do të fillojë sot dhe do të vazhdojë deri me datën e zgjedhjeve, më 12 tetor, siç ka vendosur Komisioni Qendror Zgjedhor.

Shumica e partive kanë paralajmëruar hapjen e fushatave sot në kryeqytet, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e mbajti mbrëmë para se të nisë fushata zyrtarisht.

Partia e parë që e nis fushatën është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, në Prishtinë.

Pas AAK-së, nga ora 14:00, Nisma do të hapë fushatën për zgjedhjet lokale 2025 në Klan Arena, në Prishtinë.

Ndërsa, nga ora 18:00 fushatën zgjedhore e nis Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Dhe krejt në fund në sheshin “Skënderbeu”, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të nisë fushatën e saj në orën 19:00.

Për prishjen e praktikës nga Lëvizja Vetëvendosje për fushatën e mbajtur mbrëmë jashtë periudhës zyrtare të caktuar për fushatë u kritikua për shmangie të mbikëqyrjes nga institucionet përkatëse meqë periudha e parafushatës është e parregulluar ligjërisht.

Eugen Cakolli nga KDI tha se kjo do të thotë se “për çfarëdo që ndodh në aktivitetet e parafushatës, as KQZ-ja e as PZAP-ja nuk kanë kompetencë të mbikëqyrin, e rrjedhimisht as të shqiptojnë gjoba apo sanksione – madje as në rast të përdorimit të gjuhës nxitëse/së urrejtjes, apo të shpenzimeve të pakontrolluara”.

Fillon shpërndarja e librave shqip për nxënësit e diasporës në Gjermani

Në Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Mynih ka nisur shpërndarja e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit e Bavarisë, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2025/26, transmeton albinfo.ch.

Edhe këtë vit, nxënësit nga klasa I deri në IX do të pajisen me libra të botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën, të ndarë sipas dy niveleve mësimore. Shpërndarja do të vazhdojë edhe për mësuesit që kanë bërë porosi nga landët Baden-Württemberg, Rheinland-Pfalz dhe Saarland.

Në njoftim është shprehur mirënjohje e veçantë për LAPSH Bavari dhe mësuesit e përkushtuar kudo në Gjermani, të cilët mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqipe në diasporë.

Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut

Në një deklaratë për media, Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është një rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.ë, përcjell albinfo.ch.

“Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se ky veprim synon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë.

Kupchan thekson gjithashtu rëndësinë e kompromisit dhe të negociatave me mirëbesim midis të gjitha partive politike në Kosovë, për të rivendosur stabilitetin dhe për të ecur përpara.

“… kjo tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme, për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë”, thotë Kupchan.

https://www.evropaelire.org/a/frustrimi-i-shba-se-me-kurtin-%C3%A7oi-ne-pezullimin-e-dialogut/33529053.html?fbclid=IwZnRzaAMx_ExleHRuA2FlbQIxMQABHkCXrAzyD3hzZRpCpx_tx5vfW_ThDdN3dFOflFwGtkvzUS98-meDL1unqj85_aem_D41DLoGJglFtj4Xu6K97uw

Dy shqiptarë arrestohen në Itali me dhjetëra doza droge

Dy të rinj shqiptarë, të ardhur në Itali me vizë turistike, janë arrestuar nga karabinierët në Terni, pasi u kapën me sasi të konsiderueshme droge të gatshme për shitje, transmeton albinfo.ch.

Një 22-vjeçar me precedentë penalë u ndalua në Viale Centurini duke drejtuar një fuoristradë të marrë me qira. Gjatë kontrollit, policia gjeti 23 pako me kokainë, tre me kanabis dhe rreth 1 mijë euro para të gatshme. Ai rezultoi pozitiv edhe në testin e drogës dhe u akuzua për drejtim mjeti nën ndikimin e substancave narkotike. Gjykata i ndaloi qëndrimin në Terni dhe i hoqi lejen e drejtimit.

Pak më herët, në Via del Centenario, u ndalua një 19-vjeçar shqiptar, tek i cili u gjetën 37 pako me kokainë. Edhe ai u arrestua për posedim me qëllim shitje.

Operacioni çoi në prangosjen e dy të rinjve dhe sekuestrimin e dhjetëra dozave droge të destinuara për tregun lokal./Albinfo.ch

Arsyeja pse SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar nisjen e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar si të rrezikuar nga veprimet dhe deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi se qëndrimet e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe tensionet e krijuara kanë minuar stabilitetin politik dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

Kurtit i ishte bërë thirrje më herët nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, që të ndalë retorikën ndaj institucioneve të drejtësisë. Ai dhe eksponentë të LVV-së kanë akuzuar Kushtetuesen për njëanshmëri, pas vendimit për të bllokuar përkohësisht konstituimin e Kuvendit deri më 30 shtator.

Vendimi i SHBA-së ka nxitur reagime të forta. Presidentja Vjosa Osmani e quajti zhvillimin “shqetësues” dhe theksoi se miqësia me Uashingtonin mbetet themel i shtetësisë së Kosovës. Opozita e ka cilësuar pezullimin si dëmin më të madh diplomatik në 25 vitet e fundit dhe ka kërkuar rrëzimin e qeverisë aktuale.

Edhe organizata të shoqërisë civile e kanë parë këtë si sinjal alarmi për të ardhmen e Kosovës, ndërsa Oda Ekonomike Amerikane e vlerësoi si pengesë për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit.

Dialogu strategjik ishte planifikuar të niste këtë vit, duke përfshirë fusha nga mbrojtja te energjia dhe ekonomia. Deri më tani, në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje të tillë me SHBA-në.

Rriten çmimet e qirave të apartamenteve në Maqedoninë Veriore

Në Shkup, Tetovë, Shtip dhe Manastir, çmimet e qirave të apartamenteve po rriten dukshëm, veçanërisht në zonat qendrore të këtyre qyteteve.

Grupi i Agjencive të Pasurive të Patundshme pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut informoi se në disa pjesë të Shkupit çmimet këtë vit janë rritur me 10 deri në 15 përqind.

Kërkesa për prona mbetet e qëndrueshme, duke bërë që çmimi të shkojë lart për shkak të ofertës së kufizuar në zonat urbane të preferuara, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Tani pritet që qeveria të zbulojë masa lehtësuese për ata që duan të blejnë një apartament për herë të parë. Një prej masave të propozuara është ruajtja e normës preferenciale të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) prej 5 për qind për ndërtesa banimi të reja. Enti Shtetëror i Statistikës raportoi se gjatë korrikut janë lëshuar 401 leje ndërtimi, prej të cilave 228 për ndërtesa shumëkatëshe, çka tregon se po ndërtohet, por jo mjaftueshëm për të lehtësuar problemin.

Kjo situatë nuk po pasqyrohet vetëm në qendra qytetesh; disa lagje periferike në Shkup, si Çairi, Saraji dhe Gazi Baba, po regjistrojnë gjithashtu rritje çmimesh qiraje, shpesh për shkak të preferencës së qytetarëve që studiojnë apo punojnë, dhe si rrjedhojë kërkojnë apartamente afër universiteteve ose shërbimeve.

Oferta e apartamenteve cilësore mbetet e kufizuar, duke rritur kostot. Investitorët dhe blerësit e rinj po përballen me çmime që shpesh janë jashtë mundësive të tyre, prandaj shumë të rinj zgjedhin qiradhënien për një periudhë të gjatë në vend që të blejnë pronën e tyre.

Sipas të dhënave të fundit, kthimi i investimit nga dhënia me qira e një apartamenti është rreth 4.8 për qind në vit, shifër që profesionistët e pasurive të paluajtshme e konsiderojnë të ulët. Ata vënë në dukje se investimi nuk kompensohet shpejt. Në tremujorin e parë të vitit u raportuan të dhëna për rreth 640 kontrata qiraje apartamentesh me një vlerë totale prej afërsisht 160,000 eurosh, ndërsa qiratë mesatare ishin rreth 250 euro në muaj. Për kontratat që përfshinin shtëpi private, numri ishte më i ulët, me rreth 256 kontrata dhe vlerë prej 79,000 eurosh.

Autorët e studimit dhe agjencitë pohojnë se inflacioni, rritja e kostove të ndërtimit, urbanizimi i shpejtë dhe ndërtesat e reja që nuk mbulojnë nevojat e qytetarëve, janë faktorët kryesorë që po nxisin këto rritje çmimesh. Qytetarët presin masa konkrete si kushte të favorshme kreditimi, TVSH të reduktuar për blerjen e banesës së parë dhe legjislacion që lehtëson procesin për ata që ende nuk zotërojnë një apartament.