Dita e 17 marsit ishte tragjike për kryeqytetin austriak ku si pasojë e shembjes së konstrukteve të betonit(plloça e betonit) të disa ballkoneve humbën jetën katër punëtorë, ndër ta: tre shtetas nga Kosova dhe një qytetar nga Novi Pazari. I vetmi që ka shpëtuar nga kjo ngjarje tragjike ishte një shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
Edhe pse kanë kaluar afër një javë nga ky rast, ende nuk ka qenë i ditur për opinionin identiteti i tij. Platforma mediale shqiptare në Austri, albinfo.at, ka arritur të siguroj edhe emrin e të lënduarit.
Shqiptari i lënduar është Nazmi Muharremi, 45 vjeç nga fshati Mateç, komuna e Kumanovës. Prej shumë vitesh banues në Vjenë bashkë më familjen e tij.
Albinfo.at ka vizituar sot spitalin „Unfallkrankenhaus“ në Meidling (Bezirku 12) në Vjenë, aty ku Nazmiu po merr trajtimet intensive mjekësore.
Pasi sipas rregullores së spitalit nuk na u lejua hyrja në spital për të vizituar të lënduarin Nazmiun, para derës së spitalit takuam vëllain e tij, Elmazin, bashkë më disa familjarë të tjerë. Elmazi ishte dëshmitar i kësaj ngjarje dhe njeherit “heroi” i vetëm i cili duke mos kursyer vetën, arriti që nga rrënojat ta nxjerr vëllain e tij dhe t’ia shpëton jetën.
I tronditur ende nga ngjarja që kishte parë më sy, Elmazi tregon që gjendja shëndetësore e Nazmiut është stabile. “Gjendja shëndetësore e Nazmiut është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Është i lënduar në mushkëri, brinjë dhe në njërin krah. Lëndimet tjera trupore janë më të vogla. Vetëdijen e ka të plotë dhe çdo ditë duket se shëndeti i tij është duke u përmirësuar”, tha fillimisht ai.
Sipas Elmazit, pallati ku ishin duke punuar është ndërtim i vjetër dhe është duke u rinovuar. Apartamentet nuk kishin ballkone. Me renovimin e ri, është planifikuar të ndërtohen ballkone për secilin apartament në pjesën e brendshme të pallatit, pra në pjesën e oborrit.
Plani ishte të betonohen gjashtë ballkone të atij pallati për gjashtë apartamente. Prej kompanisë kontraktuese iu është thënë që të fillohet ndërtimi i ballkoneve nga kati i epërm dhe të vazhdohet më katet pasuese të poshtë. Gjithnjë siç rrëfen Elmazi, atë ditë ata i kanë betonuar tre ballkone dhe ishin duke punuar në ballkonin e katërt.

“Ndihmomë o vëlla se vdiqa”
Si dëshmitar i gjithë ngjarjes tragjike, Elmazi tregon për gjithë tmerrin që ka parë me sy dhe si arriti të shpëtoi të gjallë vëllain e tij, Nazmiun.
„ Në ato momente unë isha poshtë tek dera e hyrjes së pallatit. Papritmas kam dëgjuar britma të mëdha të kolegëve. Kam shikuar se çfarë ndodhi, dhe kam parë që i gjithë konstruksioni i ballkoneve duke përfshirë betonin, drunjtë, hekura dhe gjithçka tjetër ka rënë në tokë. Nën gjithë ato rrënoja ishin edhe vëllai im e katër kolegët e punës. Nuk dëgjohej asnjë zë më. I shokuar kam vrapuar sipër shkallëve duke bërtitur emrin e vëllait me shpresën që mos rastësisht është diku lartë. Pasi nuk e gjeta, kam rënë sërish poshtë në oborr të rrënojat. Unë vazhdoja të thërrisja emrin e vëllait dhe befasisht kam parë në një gërmadhë helmetën e punës. Kur jam afruar, kam dëgjuar një zë që thërriste: „ Ndihmomë o vëlla se vdiqa“. Aty e kam kuptuar se është Nazmiu. Nuk më ka interesuar fare rreziku i jetës sime dhe kam marr menjëherë për t’i larguar rrënojat. Kur kam gjetur trupin e tij, kam parë që lidhëza e kapelës së xhaketës që kishte veshur, iu kishte lidh të fyti. Merrte frymë vetëm me një pjesë të vogël të gojës. Kam arrit më ia këput lidhësen dhe ngadalë bashkë me një koleg boshnjak, më ka ndihmuar që ta nxjerrim të gjallë jashtë gërmadhave. Në gjithë trupin ishte i gjakosur dhe i lënduar. Disa brinjë i kishte të thyer, dorën e palëvizshme, por fatmirësisht arriti ta normalizoj frymëmarrjen“, rrëfen Elmazi gjithë rastin tragjik. Ai thotë se i gjithë aksioni i tij për të shpëtuar të vëllain ka zgjatur afërisht 8-10 minuta.
„Bashkë me kolegun kemi tentuar të hymë në gërmadha për të nxjerr edhe trupat e tjerë të tragjedisë, por në ato momente kanë ardh policia dhe emergjenca dhe nuk na kanë lejuar të afrohej askush tjetër derisa kanë intervenuar njësitë e shpëtimit“, thotë 49 vjeçari, Elmaz Muharremi.

Pas gjithë kësaj tragjedie, kush është fajtori?
Një pyetje e vazhdueshme që bëhet, është për të gjetur fajtorin e gjithë kësaj tragjedie. Për këtë, Elmazi shprehet: „Unë nuk e di se kush fajtori, sepse këtë do ta dëshmojnë ekspertet e kësaj fushe. Për bindjen time, gabimi ishte te kompania kontraktuese e cila na ka urdhëruar që ballkonet të betonohen duke filluar nga kati i epërme. Pesha e rëndë e betoneve pa i dhënë kohë për me u forcuar dhe duke punuar me shpejtësi për të kursyer punëtorët, kohën dhe mjetet e punës, ka bërë që betonet mos ta kenë forcën e nevojshme dhe si pasojë, e gjithë konstruksioni i ballkoneve është shembur“, thotë ai për albinfo.at, duke shtuar se, dëshmitari kryesor i cili ka parë nga lartë gjithë ngjarjen e tragjedisë është drejtuesi i vinçit si dhe kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në vinç.
I mllefosur me institucionet maqedonase, Elmazi thotë se nuk kanë pasur asnjë mbështetje qoftë edhe morale për këtë aksident. „Nuk kemi pasur as edhe një telefonatë, as nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Austri dhe as nga ndonjë politikan shqiptar nga Maqedonia. Kur vjen koha e zgjedhjeve kërkojnë nga diaspora të mbushin autobusët për të shkuar me votuar, ndërsa kur vjen momenti për mbështetje, as që e çajnë kokën për qytetarët e tyre në mërgim“.
Pas gjithë kësaj ngjarje tragjike, Elmazi ndihet i lumtur që ka arrit të shpëtojë vëllain e tij, por me lot në sy, ai shprehu ngushëllimet për familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. „Vëllai shpëtoj por humba katër shokë të mi. Ngushëllime ma të sinqerta për familjet, miqtë dhe të afërmit e tyre. Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi qe të gjejmë forcën për të përballuar bashkërisht humbjen e tyre“, theksoi ndër të tjera, Elmaz Muharremi.

Ngjarja tragjike e Vjenës ka tronditur opinionin e gjerë austriak dhe komunitetin shqiptar në Austri. Hetimet e autoriteteve shtetërore austriake janë duke vazhduar për të nxjerr një raport të detajuar rreth këtij aksidenti të tmerrshëm dhe vdekjeprurës.