Arbër Bullakaj, është politikani zviceran me rrënjë shqiptare me praninë mbase më të madhe, prej shumë vitesh, në politikën zvicerane, atë lokale, regjionale dhe federale. Nga 27 prilli i këtij viti ai do të jetë deputet në Parlamentin e Zvicrës (National Rat ose Këshilli Kombëtar).
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në vitin 2023 ai ishte radhitur në vendin e parë në listën e pritjes, që i mundësonte zgjedhjen në rast të tërheqjes së ndonjë deputeti të zgjedhur. Dhe sot, me tërheqjen e deputetes Claudia Friedl, Arbri bëhet automatikisht deputet në nivelin kombëtar.
Kjo arritje e tij, që u shpall sot, është kurorëzim i një angazhimi të gjatë në kohë dhe konsistent në përmbajtje. Arber Bullakaj, pas Islam Alijajt, është shqiptari i dytë që fiton një vend në organin më të lartë legjislativ të Zvicrës. Të dytë vijnë nga Prtia Socialdemokrate (SP).
I lindur në vitin 1986 në Prizren, Arber Bullakaj jeton në Zvicër nga mosha e tij 8 vjeçare.
Me rastin e zgjedhjes së Bullkajt deputet, albinfo.ch i ka marrë një intervistë të shkurtër.
albinfo.ch: Jeni zgjedhur deputet në Keshillin Kombëtar (Parlamentin) të Zvicrës. Duke qenë se zgjedhjet ishin mbajtur në tetor të vitit 2023 ndërsa ju po zgjidheni tani, a mund të thuhet se ishte diçka që pritej apo erdhi si befasi?
Arber Bullakaj: Nuk jam befasuar plotësisht – ishim tashmë prej kohësh në kontakt dhe e dija se gjërat po merrnin formë. Por kur ndodh vërtet, kur fillon me të vërtetë, është gjithsesi një gëzim i madh. Ai moment kur një mundësi bëhet siguri – kjo është diçka e veçantë.
albinfo.ch: A mundt të na flisni për këtë zgjedhje, duke e vënë në raport me komunitetin e këtushëm shqiptar. A ka edhe ky komunitet merita per zgjedhjen tuaj?
Arber Bullakaj: Komuniteti shqiptar ka qenë për mua thelbësor gjatë fushatës elektorale. Një pjesë e madhe e punës vullnetare – shpërndarja e fletëpalosjeve, organizimi i eventeve, varja e posterave, përcaktimi i vendeve për postera – u krye nga njerëz me rrënjë shqiptare.
Albinfo.ch: Si do ta përkufizonit këtë arritje tuajën nga perspektiv e komunitetit të këtushëm shqiptar dhe a mund të presë ky komunitet (dhe të huajt tjerë) ndonje qasje të re ndaj tyre nga Bundeshausi?
Arber Bullakaj: Kjo nuk është rastësi, por shprehje e një lidhjeje të thellë. Suksesi im elektoral bazohet në një masë të rëndësishme në mbështetjen e komunitetit shqiptar – bashkë me të gjithë komunitetin e larmishëm migrant dhe natyrisht edhe me qytetarët vendas zviceranë.
Çfarë mund të presin këta njerëz nga unë në Bundeshaus: Pika e parë e rendit të ditës e sesionit tim të parë u përket pikërisht njerëzve pa pasaportë zvicerane. Do të flas për Iniciativën e Demokracisë – një iniciativë që unë vetë e kam nisur. Si iniciues dhe president themelues i shoqatës “Aktion Vierviertel”, e cila ka lançuar këtë iniciativë, kjo është një nga temat qendrore të angazhimit tim politik.
Unë jam angazhuar prej gati 20 vjetësh për njerëzit – edhe për ata që nuk mund të më votojnë, sepse nuk kanë pasaportë zvicerane. Kjo është për mua shumë e rëndësishme politikisht: nuk bëj politikë vetëm për elektoratin tim, por për të gjithë ata që jetojnë këtu. Kjo do të thotë konkretisht: qesje e drejtë dhe pa diskriminim në pjisjen me shtetësinë zvicerane, angazhim i vendosur kundër diskriminimit në të gjitha format e tij, dhe një qëndrim i qartë e konsekuent në çështjet e bashkimit familjar, të Ligjit për të Huajt dhe Integrimin, si dhe në të gjitha çështjet e shtetit të së drejtës që prekin jetën e njerëzve pa pasaportë zvicerane.






