Eurovizion: 1000 artistë, me letër të hapur për pjesëmarrjen e Izraelit

Më shumë se një mijë artistë jnë shprehur kundër bojkotit të Konkursit të Këngës në Eurovision, që shumë artistë të tjerë e kanë paralajmëruar për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Ata kanë nënshkruar një letër të hapur duke kundërshtuar qartë thirrje të tilla.

Apeli u iniciua nga organizata “Komiteti Krijues për Paqe” dhe u nënshkrua nga yje të Hollivudit si Helen Mirren, Liev Schreiber, Amy Schumer, Mila Kunis, Selma Blair dhe Jennifer Jason Leigh, si dhe nga muzikantë si bashkëthemeluesi i Kiss, Gene Simmons.

Në letër, nënshkruesit shprehin zhgënjimin e tyre ndaj thirrjeve për bojkot nga industria e argëtimit.

Sarnen (Obwalden): I burgosuri vdes pas zjarrit në qeli

Të hënën pasdite, një zjarr shpërtheu në një qeli në burgun pranë stacionit të policisë në Sarnen. Një i burgosur pësoi lëndime kërcënuese për jetën dhe u dërgua në spital, ku më vonë vdiq, transmeon albinfo.ch.

Autoritetet refuzuan të jepnin detaje të mëtejshme rreth rrethanave të zjarrit, duke përmendur hetimin në vazhdim.

Burgu ndodhet pranë stacionit të policisë në Foribach, shkruan srf.ch. Kjo ndërtesë dhe një tjetër u evakuuan si masë paraprake, njoftoi zyra e prokurorit publik të Obwalden.

Brigada e zjarrfikësve arriti ta vinte shpejt zjarrin nën kontroll dhe ta shuante atë. Nuk pati persona të tjerë të lënduar.

Syrigana: Opera e Petrit Halilajt në përmbyllje të ekspozitës së tij në Berlin

Për të përfunduar ekspozitën e tij “Petrit Halilaj. Një Opera Jashtë Kohës” (deri më 31 maj 2026), artisti, së bashku me Orkestrën Filarmonike të Kosovës, prezanton operën e tij “Syrigana” në një version koncerti në Hamburger Bahnhof.

Vepra u shfaq për herë të parë në natyrë në peizazhin e Kosovës në qershor 2025 dhe tani do të interpretohet në muze si një pjesë koncerti me njëmbëdhjetë muzikantë, dy soprano dhe grupin muzikor  “Don’t Listen to Your Neighbors”, të dirigjuar nga Marco Crispo, në mes të ekspozitës, trnsmeton albinfo.ch.

Vendi mitik Syrigana, një fshat mbi 3,000 vjeç pranë fshatit të lindjes së Halilajt, Runik, formon pikën fillestare konceptuale të operës. Vendi arkeologjik njëherësh vend mitesh lokale bëhet skena për një histori dashurie epike dhe të çuditshme: Në pesë akte, opera rrëfen mbërritjen e Dhelprës dhe Gjelit, të dëbuar nga Parajsa, të cilët arrijnë në vend me helikopter nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, shkruan smb.museum.de.

Versioni instalues ​​i operës, i cili është shfaqur në kuadër të ekspozitës personale të Halilajt në Hamburger Bahnhof që nga shtatori i vitit 2025, tani do të aktivizohet në një formë të re, ëndërrimtare në mbylljen e ekspozitës.

Ndërsa opera origjinale u realizua si një prodhim skenik, këtu ajo shpaloset si një ndërveprim elementësh të ndryshëm: Filarmonia e Kosovës interpreton partiturën, sopranot Nina Guo dhe Urta Haziraj i japin zërat e tyre rrëfimit, dhe kukullat, të luajtura nga Keumbyul Lim, Hanik Soleimani dhe Carlo Silvester Duer, e sjellin historinë në jetë në miniaturë, përcjell lbinfo.ch.

Eventi është kuruar nga Catherine Nichols, kuratore në Hamburger Bahnhof – Galeria Kombëtare e Artit Bashkëkohor.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Hamburger Bahnhof International Companions e. V. dhe Ambasada Italiane në Berlin.

Donjeta Sadiku nuk mundi të fitojë medalje në Kupën Botërore

Boksierja e njohur kosovare, Donjeta Sadiku ka mbetur pa medalje në Kupën Botërore që është duke u mbajtur në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Ajo sot pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2 nga boksierja polake Aneta Elżbieta Rygielska, në një meç të fortë dhe të baraspeshuar në tri raunde, duke mos arritur të sigurojë kalimin tutje, që njëherësh do t’ia siguronte së paku medaljen e bronztë, nhofton rtk.live.

Raundi i parë i takoi boksieres polake, ndërsa në raundin e dytë Donjeta Sadiku reagoi fuqishëm, duke treguar ritëm më të lartë dhe duke e fituar këtë pjesë 3:2. Në këtë raund, kundërshtarja e saj mori edhe një vërejtje publike nga gjyqtari i ringut. Në raundin e tretë, gjyqtarët e vlerësuan 3:2 në favor të Rygielskës, në një periudhë ku Sadiku u paraqit aktive dhe kërkoi vazhdimisht iniciativën me goditje të pastra.

Në fund, me vendim të ndarë të gjyqtarëve 3:2, fitorja iu dha boksieres polake.

Kupa Botërore e Boksit ka rëndësi të veçantë në kalendarin ndërkombëtar, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen dhe procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”.

“The Guestkeepers” sjell mikpritjen kosovare në Zvicër: një fundjavë kulturore e pasur me dialog dhe interaktivitet

Projektin “The Guestkeepers – Miqtë e Vizitorëve- ku çdo vizitor bëhet mik”, një iniciativë e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe e implementuar nga ABSM – Qendra Edukative dhe Këshillimore, e njohën këtë fundjavë pjesëmarrësit e diasporës shqiptare në Zvicër. Projekti synon të trajnojë të rinjtë si “ambasadorë të mikpritjes”, duke integruar trashëgiminë kulturore dhe turizmin modern, dhe duke vendosur standarde profesionale për shërbimet turistike përmes platformës “Kosova INN”.

Gjatë datave 27–29 mars 2026, tri qytete kryesore të Zvicrës – Gjeneva, Bernë dhe Cyrih – u bënë skena të një fundjave kulturore të pasur me prezantime, pyetje, diskutime dhe sugjerime nga një audiencë shumë interaktive. Publiku nuk ishte thjesht dëgjues, por partner aktiv në dialogun për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Kosovës.

Një projekt që e kthen mikpritjen në profesion

Në thelb të kësaj fundjave ishte projekti “The Guestkeepers”, i cili synon të trajnojë të rinjtë në Kosovë si “ambasadorë të mikpritjes”, duke i pajisur ata me aftësi profesionale për të ofruar përvoja autentike për vizitorët.

Ky projekt ndërthur elemente të trashëgimisë kulturore, zejeve tradicionale dhe turizmit modern, duke synuar që Kosova të pozicionohet si një destinacion unik dhe i qëndrueshëm në hartën turistike ndërkombëtare.

Përmes platformës “Kosova INN”, projekti synon gjithashtu të vendosë standarde të reja cilësie në sektorin e mikpritjes, duke krijuar një rrjet të strukturuar të ofruesve të shërbimeve turistike.

Gjeneva: Hapja institucionale e një iniciative me vizion

Aktivitetet nisën në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë, ku u bë prezantimi i parë zyrtar i projektit para diasporës. Konsullja znj. Floreta Kabashi e përshëndeti publikun dhe përgëzoi organizatorët për projektin, duke theksuar rëndësinë e promovimit të Kosovës përmes diasporës dhe turizmit kulturor.

Krenare Rizvanolli-Sina dhe Nazmi Jakurti u ndalën tek vizioni i projektit: të trajnojë të rinjtë si ambasadorë të mikpritjes, të lidhë turizmin me trashëgiminë kulturore dhe të krijojë standarde profesionale përmes platformës “Kosova INN”. Reagimet e publikut ishin të menjëhershme – levdata dhe duartrokitje për çdo ide inovative, dhe diskutime të gjalla për mënyra konkrete për të realizuar projektin.

Në këtë takim u theksua rëndësia e përfshirjes së diasporës në promovimin e Kosovës si destinacion turistik dhe roli i saj si urë lidhëse ndërmjet vendit dhe botës.

Atmosfera institucionale e aktivitetit i dha projektit një dimension të qartë diplomatik dhe strategjik.

Bernë: Ndërthurja e kulturës me turizmin

Ndalesa e dytë në Bernë solli një nga momentet më të rëndësishme të fundjavës, ku projekti u prezantua në kuadër të një mbrëmjeje kulturore të mbushur me publik.

Pas promovimit të një libri, vëmendja u zhvendos tek projekti “The Guestkeepers- Miqt e vizitorëve”, i cili u prezantua nga Krenare Rizvanolli dhe Nazmi Jakurti.

Gjatë prezantimit, u theksua se projekti synon jo vetëm zhvillimin e turizmit, por edhe krijimin e një identiteti të ri të mikpritjes kosovare – një identitet që bazohet në profesionalizëm, autenticitet dhe përvojë të personalizuar për vizitorët.

Pjesëmarrësit shfaqën interes të madh, duke u përfshirë në diskutime aktive dhe duke ndarë ide e sugjerime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të projektit.

Sugjerimet vërshuan nga çdo cep i sallës: disa ofruan ide për programet e trajnimit, të tjerë për mënyra promovimi tek turistët, dhe të gjithë u shprehën me levdata për iniciativën. Pjesëmarrësit ndiheshin pjesë e projektit – një ndjenjë e veçantë bashkëpunimi që e bëri Bernin qendër interaktiviteti dhe dialogu.

Projekti dëshmoi qartë se kultura dhe turizmi mund të funksionojnë si dy shtylla të ndërlidhura në promovimin e një vendi.

Cyrih: Konsolidimi i vizionit dhe bashkëpunimit

Fundjava u përmbyll në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, ku projekti u prezantua para një audience të angazhuar dhe të interesuar. Konsulli i Përgjithshëm z.Vigan Berisha përgëzoi organizatorët dhe vuri në pah rëndësinë e projektit për promovimin e Kosovës dhe përfshirjen e diasporës.

Në këtë prezantim u theksuan objektivat afatgjata të projektit, përfshirë:

  • profesionalizimin e sektorit të mikpritjes
  • krijimin e standardeve të qëndrueshme në turizëm
  • përfshirjen aktive të diasporës në promovimin e Kosovës

Diskutimet e hapura me pjesëmarrësit sollën perspektiva të reja dhe ide konkrete, duke e bërë këtë event një pikë të rëndësishme reflektimi dhe zhvillimi.

Diaspora si faktor kyç në zhvillim

Një nga elementet më të spikatura të kësaj fundjave kulturore ishte angazhimi i diasporës shqiptare në Zvicër.

Në të tri qytetet u vu re një interes i madh për projektin, si dhe një gatishmëri për të kontribuar në forma të ndryshme – qoftë përmes promovimit, bashkëpunimit apo investimit në sektorin e turizmit.

Interaktivitet i publikut, pyetjet, sugjerimet dhe levdatat e vazhdueshme, tregojnë se mikpritja kosovare ka potencial të jashtëzakonshëm për të lidhur njerëzit, për të ndërtuar komunitete dhe për të promovuar Kosovën në botë. Fundjava nuk ishte thjesht një ngjarje – ishte një përvojë e përbashkët, një histori që po shkruhet live dhe ku çdo pjesëmarrës lë gjurmë.

Ky angazhim dëshmon se diaspora mbetet një faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës.

Një hap drejt promovimit ndërkombëtar të Kosovës

Fundjava kulturore në Zvicër nuk ishte vetëm një seri prezantimesh, por një përpjekje e mirëorganizuar për të ndërtuar një narrativë të re për Kosovën – atë të një vendi me potencial të madh turistik, me kulturë të pasur dhe me njerëz të gatshëm për të mirëpritur botën.

Projekti “The Guestkeepers” vjen si një hap konkret në këtë drejtim, duke ofruar një model inovativ që e kthen mikpritjen nga një traditë në një profesion dhe nga një vlerë kulturore në një aset ekonomik.

Tri eventet në Gjenevë, Bern dhe Cyrih dëshmuan se kur kultura, turizmi dhe diaspora bashkohen, krijohen mundësi të reja për zhvillim dhe promovim ndërkombëtar.

“The Guestkeepers – Miqtë e Vizitorëve ” nuk është vetëm një projekt – është një vizion për të ardhmen e turizmit në Kosovë, ku çdo vizitor nuk mbetet thjesht turist, por bëhet mik.

 

Benjamin Netanyahu diagnostikohet me kancer

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është diagnostikuar me kancer të prostatës.

Lajmin e ka konfirmuar vetë ai, teksa ka publikuar rezultatet e ekzaminimit të tij vjetor mjekësor.

Netanyahu, ka deklaruar se e vonoi publikimin e raportit të tij vjetor mjekësor, i cili zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer për herë të parë, me dy muaj në mënyrë që të mos përdorej si propagandë nga Irani.

Duke cituar burime të brendshme, CNN ka raportuar se kanceri u diagnostikua disa muaj më parë, transmeton albinfo.ch.

A po mbetet Zvicra prapa në transformimin e saj digjital?

Përdorimi i përditshëm i teknologjive digjitale është një shenjë e një shoqërie të zhvilluar dhe me vizion. Si po shkon Zvicra në këtë drejtim?

Në një anketë të kohëve të fundit, u hulumtua se cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen në Zvicër.

Një nga të anketuarit shkroi: “Pyes veten kur Zvicra do të përshtatet me të qenit digjital”, duke thënë se ende ka shumë punë fizike me dokumente në vend.

A është Zvicra vërtet e prapambetur në aspektin e aftësive digjitale të popullsisë së saj?

Në përgjithësi është e vërtetë që shumë zviceranë, veçanërisht brezi i vjetër, janë të lidhur me traditat dhe mund të mos e kenë ndjekur revolucionin digjital me ritëm të shpejtë që ka pushtuar pjesën më të madhe të botës në dekadën e fundit aq me zell sa homologët e tyre më të rinj, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, të thuash se të gjithë të moshuarit janë të sfiduar nga teknologjia nuk është e vërtetë.

Një studim i kryer në Zvicër në vitin 2025 zbuloi se 88 përqind e njerëzve midis moshës 65 dhe 74 vjeç kanë të paktën aftësitë themelore digjitale.

Studimi zbuloi gjithashtu se gjithnjë e më shumë të moshuar (33 përqind) po marrin informacionin e tyre nga pajisjet digjitale si telefonat inteligjentë, tabletët dhe kompjuterët sesa nga mediat tradicionale si televizioni (30 përqind), shtypi i shtypur (22 përqind) dhe radioja (15 përqind).

Brenda popullsisë së përgjithshme – domethënë, njerëzve të të gjitha moshave – shkalla e digjitalizimit është gjithashtu e lartë në krahasimin ndërkombëtar.

Renditja Botërore e Konkurrueshmërisë Digjitale IMD 2025, e cila mat kapacitetin e 69 kombeve për të adoptuar teknologjitë digjitale, e emëroi Zvicrën si vendin më të zgjuar digjitalisht në botë.

Një nga mënyrat se si kjo zgjuarsi manifestohet është e dukshme nga Raporti i Indeksit të IA-së 2026.

Ai zbuloi se Zvicra regjistroi 110.5 studiues dhe zhvillues të IA-së për 100,000 banorë në vitin 2025, duke e vendosur atë në vendin e parë në botë për sa i përket dendësisë së ekspertëve të IA-së.

Kudo në vend, mënyrat e vjetra të të bërit të gjërave po zhduken dhe të rejat po marrin përsipër.

Për shembull, vetëm pak vite më parë, kishte shumë vende ku udhëtarët mund të blinin bileta letre për transportin publik. Por tani, janë në dispozicion vetëm opsione elektronike, siç është aplikacioni SBB.

Por ndoshta shembulli më i mirë i “transformimit të gjerë digjital” të Zvicrës (siç e quajti qeveria) është karta e re e identitetit elektronik (e-ID).

Këshilli Federal tha se kjo kartë “do t’u mundësojë përdoruesve të identifikohen digjitalisht në një mënyrë të sigurt, të shpejtë dhe të pakomplikuar” dhe të kenë lehtësisht akses në një gamë të gjerë shërbimesh dhe procedurash – të cilat më parë kryheshin manualisht – në internet.

Nestlé njofton shkurtime deri në 180 vende pune në Francë

Gjigandi i ushqimit Nestlé po planifikon të shkurtojë deri në 180 vende pune mbështetëse në Francë. Zyra qendrore në Issy-les-Moulineaux (Hauts-de-Seine) dhe dy qendra kërkimore në Tours (Indre-et-Loire) dhe Lisieux (Calvados) do të preken, deklaroi kompania.

Këto projekte janë pjesë e planit të shpallur në tetor 2025 nga drejtori i ri ekzekutiv Philipp Navratil, i cili parashikon shkurtimin e 16,000 vendeve të punës në të gjithë botën për të ulur kostot e përgjithshme me më shumë se 1 miliard euro nga viti 2027.

Në një treg agro-ushqimor nën presion dhe të karakterizuar nga humbja e fuqisë blerëse, rritja e kostove të prodhimit dhe rritja e konkurrencës, Nestlé France planifikon në veçanti të përdorë më shumë shërbimet e përbashkëta të grupit dhe të thjeshtojë strukturën e saj, duke përfshirë qendrat e saj të kërkimit dhe zhvillimit në Tours dhe Lisieux, tha ajo në një deklaratë, transmeton albinfo.ch.

Këto plane mund të çojnë në humbjen e 180 vendeve të punës në Francë, shton teksti. Duke marrë parasysh vendet e lira të punës, punësimet e reja dhe transferimet vullnetare të brendshme, ndikimi aktual social mund të reduktohet në 75 deri në 100 vende pune, tha Nestlé. Plani do të zbatohet gradualisht nga viti 2027.

Kompania punëson gjithsej 9,000 persona në Francë në trembëdhjetë fabrika, katër qendra kërkimore dhe zhvillimi dhe një seli qendrore të korporatës. Kompania më e madhe ushqimore në botë punëson rreth 270,000 persona në mbi 180 vende. Kompania, e cila u themelua nga Heinrich Nestle, një asistent farmacisti nga Frankfurti, ka selinë qendrore në Vevey në kantonin Vaud në Zvicrën perëndimore.

Kriza e kerozinës: A do të anulohen fluturimet masivisht para festave të ardhshme?

Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar, furnizimi me kerozinë është ndërprerë. Fluturimet e para janë anuluar tashmë. Sa më gjatë të zgjasë lufta në Iran, aq më shumë sektori ajror i ndjen efektet në të gjithë botën.

Situata në sektorin ajror është e tensionuar. Disa linja ajrore kanë filluar të përmirësojnë oraret e tyre të fluturimeve. Javën e kaluar, Edelweiss njoftoi anulimin e udhëtimeve të saj për në Denver dhe Seattle në Shtetet e Bashkuara, pjesërisht për shkak të çmimit të lartë të karburantit.

Ky është një shembull tipik se sa shpejt linjat ajrore reagojnë dhe përshtatin shërbimet e tyre. Edhe pse kerozina është ende e disponueshme, çmimi është rritur për shkak të mungesës së stoqeve.

Siç qëndrojnë gjërat, priten ndërprerje të reja, por në numër të kufizuar. Parashikimi i zhvillimeve të ardhshme nuk është i lehtë, veçanërisht sepse aktorët kryesorë shprehin mendime të ndryshme.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, për shembull, paralajmëron se kerozina mund të jetë e rrallë deri në fund të majit, shkruan RTS. Në të njëjtën kohë, disa linja ajrore janë më pak alarmuese, duke pretenduar se furnizimet janë aktualisht të siguruara, transmeton albinfo.ch.

Bileta avioni më të shtrenjta

Rritja e çmimeve të karburantit nuk çon mekanikisht në një rritje të çmimeve të biletave. Kompanitë ajrore po përballen me dilemën e konkurrencës.

Nëse njëra prej tyre rrit ndjeshëm çmimet e saj, kompanitë e tjera mund të mos e përballojnë. Më e shtrenjtë se të tjerat, kompania në fjalë do të humbiste klientë. Kjo është arsyeja pse, deri më tani, nuk ka pasur ende një rritje të përgjithshme dhe masive të çmimeve të biletave. Por efektet e para tashmë po ndihen.

Çrregullimet që lidhen me konfliktin në Iran do të kishin rritur koston e fluturimeve të gjata nga Evropa me më shumë se 100 dollarë për pasagjer dhe me gati 35 dollarë për pasagjer për fluturimet brenda kontinentit, një rritje që normalisht duhet të ketë ndikim në çmimet e biletave, njoftoi organizata Transport & Environment (T&E).

Udhëheqësit e kompanive ajrore si Lufthansa, Ryanair dhe Air France-KLM kishin treguar në mars se ndoshta do ta kalonin rritjen e kostove të karburantit në çmimet e biletave, dhe për këtë arsye te konsumatorët, nëse Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e mbyllur për një afat më të gjatë.

Gjendja e rezervave të kerozinës në Evropë dhe Zvicër

Deri më sot, nuk ka informacion të plotë mbi sasitë e kerozinës që janë ende të disponueshme në vendet evropiane. Disa qeveri po punojnë aktualisht për të bërë një vlerësim të kësaj, gjë që së shpejti duhet ta bëjë më të qartë.

Zvicra ka rezerva të detyrueshme që zakonisht mund të garantojnë një furnizim prej rreth tre muajsh. Konfederata vendos nëse do t’i lirojë apo jo këto rezerva. Një zëdhënës i Zyrës Federale për Furnizim Ekonomik (OFAE) të vendit pranoi të martën se rezervat ishin aktualisht nën nivelet e kërkuara, duke arritur në 72 ditë në vend të 90.

Edhe nëse konflikti midis Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit do të mbaronte, do të duheshin disa javë, ose edhe muaj, që furnizimet të ktheheshin në normalitet. Një cisternë i duhen pesë deri në gjashtë javë për të arritur në Evropë.

Dhjetëra rafineri në Lindjen e Mesme janë gjithashtu të dëmtuara dhe duhet të riparohen para se të mund të prodhojnë sasitë e tyre të zakonshme të kerozinës. Sipas disa ekspertëve, rindërtimi mund të zgjasë me vite.

Prill jashtëzakonisht i thatë përfshin Zvicrën, paralajmëron MeteoSwiss

Zvicra po përjeton një prill jashtëzakonisht të thatë, sipas shërbimit kombëtar të motit. Ndërsa i gjithë vendi është prekur, deficiti i reshjeve është veçanërisht i theksuar në disa rajone.

Ky prill po duket të jetë më i thati që nga fillimi i regjistrimeve, tha Zyra Federale e Meteorologjisë dhe Klimatologjisë (MeteoSwiss) për agjencinë e lajmeve Keystone-ATS të premten.

Deri më 23 prill, vetëm rreth një e treta e reshjeve mesatare për periudhën referuese 1991-2020 kishin rënë në të gjithë vendin. Në disa zona, deficiti është shumë më i madh: rajoni perëndimor i Plateau, kantoni Valais dhe pjesë të kantonit Ticino kanë marrë pak më shumë se 15% të reshjeve të tyre të zakonshme të prillit.

Shumë stacione meteorologjike kanë regjistruar vetëm 10 milimetra shi që nga fillimi i muajit. Në kushte normale, Plateau zakonisht merr 70-100 milimetra në prill, ndërsa ana jugore e Alpeve regjistron 100-200 milimetra. Reshje të konsiderueshme shiu u vunë re vetëm më 12 dhe 13 prill.

Pritet pak përmirësim para fundit të muajit. Parashikimet e MeteoSwiss nuk tregojnë reshje të konsiderueshme, dhe indeksi i thatësirës pritet të mbetet i lartë deri në fillim të majit. Një ndryshim i kushteve pritet gjatë gjysmës së parë të muajit, transmeton albinfo.ch.

Rreziku i zjarreve në pyje

Mungesa e zgjatur e shiut ka rritur gjithashtu rrezikun e zjarreve në pyje. Niveli i rrezikut konsiderohet i konsiderueshëm deri i lartë në pjesën më të madhe të kantonit Graubünden, dhe i konsiderueshëm në Ticino. Disa komuna në Graubünden kanë vendosur tashmë ndalime zjarri.

Rezervat e ujit në digat hidroelektrike janë prekur gjithashtu. Sipas Zyrës Federale të Energjisë, rezervuarët aktualisht janë të mbushur me një mesatare prej 12% në të gjithë vendin, shumë nën normat sezonale. Nivelet janë 9% në Ticino, 8% në Valais dhe 11% në Graubünden.

Fermerët janë gjithashtu të shqetësuar, megjithëse situata nuk konsiderohet ende kritike, tha Unioni i Fermerëve Zviceranë. Për momentin, mungesa e shiut nuk pritet të ndikojë në të korrat.

Aksident zinxhir në autostradën A1, një person humb jetën, disa të tjerë të lënduar

Një aksident i rëndë zinxhir ka ndodhur të premten në mëngjes në autostradën A1 motorway në drejtim të Bern, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Touring Club Schweiz (TCS), aksidenti ka ndodhur mes Oftringen dhe nyjës rrugore Härkingen dhe ka përfshirë disa automjete.

Si pasojë e përplasjes, qarkullimi në këtë segment është ngadalësuar ndjeshëm dhe rruga është ngushtuar në vetëm një korsi. Udhëtarët duhet të llogarisin një vonesë prej rreth 20 minutash.

Kantonspolizei Solothurn konfirmoi se në aksident janë përfshirë gjithsej katër automjete. Një person ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit./Albinfo.ch

Zvicër: Shoqata e Policëve kundër iniciativës “Jo 10 milionë”

Shoqata Ombrellë e Policëve në Zvicër ka dalë kundër iniciativës së krahut të djathtë kundër imigracionit, e njohur si “Jo 10 milionë”, e cila pritet të hidhet në referendum më 14 qershor, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë të publikuar të enjten, Shoqata e Policëve (VSPB) paralajmëroi se miratimi i kësaj iniciative mund të rrezikojë bashkëpunimin ndërkombëtar policor mes Zvicrës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas kësaj organizate, një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit ndërkufitar.

Për këtë arsye, VSPB ka bërë thirrje të qartë për të votuar kundër kësaj nisme në referendumin e ardhshëm.

Shoqata e policëve është ndër institucionet dhe organizatat e fundit që i bashkohet një liste të gjatë partish politike dhe grupesh të ndryshme që kanë ngritur alarmin për pasojat e mundshme të kësaj mase./Albinfo.ch

Zvicër: Alpinisti 30-vjeçar humb jetën pas rënies 200 metra nga mali

Një alpinist 30-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në kantonin e Fribourg. Ngjarja ndodhi gjatë zbritjes nga maja e Dent de Lys, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të policisë kantonale, aksidenti ndodhi të enjten rreth orës 16:00. Dy alpinistë po lëviznin nga zona e Les Paccots, përmes majës Dent de Lys, në drejtim të Sciernes d’Albeuves.

Gjatë zbritjes nga maja, njëri prej tyre u aksidentua dhe ra rreth 200 metra në humnerë.

Shërbimi ajror i shpëtimit Rega ndërhyri në vendngjarje, por 30-vjeçari nga kantoni Vaud mundi vetëm të nxirrej pa shenja jete.

Prokuroria ka hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa shkaqet e rënies mbeten ende të paqarta. Viktima ishte në shoqërinë e një 28-vjeçari nga kantoni Fribourg në momentin e ngjarjes./Albinfo.ch

BE mund ta detyrojë Zvicrën të paguajë miliona për punëtorët ndërkufitarë të papunë

Pas debateve të gjata, Bashkimi Evropian ka arritur më në fund një marrëveshje për një reformë sociale që pritet të ndryshojë mënyrën se si paguhen përfitimet për punëtorët ndërkufitarë të papunë, përcjell albinfo.ch.

Sipas rregullave të reja, në të ardhmen këta punëtorë nuk do të marrin më përfitimet e papunësisë në vendin ku jetojnë – siç ka ndodhur deri më tani – por në vendin ku kanë punuar për herë të fundit.

Ky ndryshim mund të ketë ndikim të madh për Zvicrën, e cila ka një numër të lartë punëtorësh ndërkufitarë. Vetëm në vitin 2025, mbi 410 mijë persona kanë udhëtuar çdo ditë nga vendet fqinje për të punuar në Zvicër.

Për shkak të këtij numri të madh, Zvicra mund të përballet me detyrimin për të paguar shuma të konsiderueshme për përfitimet e papunësisë së këtyre punëtorëve. Megjithatë, shifra e saktë e kostos që mund t’i ngarkohet vendit ende nuk është bërë e ditur./Albinfo.ch

Xherdan Shaqiri lëndohet në stërvitje, mungon ndaj FC Sion

Kapiteni i FC Basel, Xherdan Shaqiri, ka pësuar lëndim gjatë stërvitjes së zhvilluar të martën, më 21 prill 2026, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të klubit, Shaqiri ka pësuar një dëmtim të lehtë strukturor muskulor në pjesën e pasme të kofshës së djathtë, duke bërë që ai të mos jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme në shtëpi ndaj FC Sion.

FC Basel ka bërë të ditur se mungesa e tij mund të zgjasë disa javë, varësisht nga rikuperimi dhe gjendja fizike e lojtarit.

Shaqiri është një nga figurat kryesore të skuadrës dhe mungesa e tij pritet të ndihet në ndeshjet e ardhshme./Albinfo.ch 

Humb jetën në aksident trafiku në Gjermani një 30-vjeçar nga Kosova

Një 30-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Viktima, B.F, nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të rënda të marra në aksidentin që ndodhi të enjten.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe familja nga Prishtina, e cila ka shprehur dhimbje të madhe për humbjen e të dashurit të tyre.

Në një njoftim të publikuar në rrjete sociale, familjarët kanë bërë të ditur se B.F. do të kujtohet për mirësinë dhe respektin ndaj të gjithëve, ndërsa detajet për ceremoninë mortore pritet të bëhen të ditura në ditët në vijim.

“B.F. do të kujtohet gjithmonë për zemrën e tij të madhe, mirësinë dhe respektin ndaj të gjithëve”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook./Albinfo.ch

Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë

Një nga veprat më të fuqishme të teatrit evropian, “Vojçeku”, nga Georg Büchner, në adaptimin e Jack Thorne, vjen për publikun në Vjenë, nga Teatri i qytetit “Hadi Shehu” – Gjakovë, shkruan albinfo.at

Nën regjinë e Zana Hoxhës, kjo shfaqje sjell një rrëfim tronditës për njeriun në kufijtë e tij mes varfërisë, presionit dhe shpërbërjes shpirtërore.

Sipas njoftimit të grupit organizativ “Ká-grup”, shfaqja do të jepet më 2704.2026 në “Akzent Theater” në Vjenë, duke filluar nga ora 19:00.

“’Vojçek’ është një udhëtim shpirtëror dhe psikologjik që shqyrton kufijtë e vuajtjes njerëzore, tensionet e brendshme dhe marrëdhëniet e shkatërruara nga shqetësimet e jetës.” thuhet në njoftim.

Në shfaqje luajnë: Bujar Ahmeti, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Aurita Agushi, Arbies Komoni, Altina Kusari, Eden Kastrati.

Shfaqja është realizuar nga teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë, në partneritet me Qendrën për Art dhe Komunitet “Artpolis.

📍 Akzent Theater, Vjenë

🗓 27 Prill 2026

🕖 Ora 19:00

🎟 Hyrja: Freie Spende (rezervimi: [email protected])

Ftesë për lexim letrar dhe diskutim me autoret Jehona Kicaj dhe Elona Beqiraj

Është bërë thirrje për pjesëmarrje në një lexim letrar dhe diskutim me dy autoret Jehona Kicaj dhe Elona Beqiraj, të cilat përmes veprave të tyre trajtojnë me ndjeshmëri temat e luftës, kujtesës dhe ndikimit të saj në shoqëri, transmeton albinfo.ch.

Edhe kur lufta nuk përjetohet drejtpërdrejt, gjurmët e saj mbeten të pranishme në historitë familjare, në kujtime, por edhe në heshtjet që bartin brezat njëri pas tjetrit. Pikërisht ndërmjet kujtesës dhe harresës lindin rrëfime të pathëna, të cilat vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si e kuptojmë veten dhe botën përreth.

Në këtë aktivitet, autorët do të sjellin perspektivën e tyre mbi luftën në Kosovë, një kapitull që edhe pse ka përfunduar para më shumë se 25 vitesh, vazhdon të jetojë në përvojat personale dhe identitetin kolektiv të shoqërisë sonë.

Ngjarja synon të hapë hapësirë për reflektim, dialog dhe kujtesë përmes letërsisë, duke sjellë një diskutim të rëndësishëm mbi temat që ende prekin thellë shoqërinë kosovare./Albinfo.ch

Për më shumë të dhëna klikoni në linkun në vijim:

https://www.flucht-vertreibung-versoehnung.de/de/veranstaltung/e-mit-jehona-kicaj-und-und-wir-kamen-jeden-sommer-mit-elona-beqiraj

Albian Hajdari rinovon me Hoffenheim, kontratë e re deri në vitin 2031

Futbollisti shqiptar Albian Hajdari ka rinovuar kontratën me klubin gjerman Hoffenheim, duke zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2031, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, Hajdari në marrëveshjen e re do të përfitojë edhe rritje të pagës, çka tregon besimin e klubit ndaj tij dhe rolin që pritet të ketë në të ardhmen.

Po ashtu, bëhet e ditur se kontrata e re nuk përmban klauzolë largimi, duke e bërë edhe më të vështirë transferimin e tij pa marrëveshje direkte me Hoffenheim.

Ky rinovim konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e Hajdarit dhe një sinjal i qartë për stabilitetin e tij në Bundesligë./Albinfo.ch

Sot shpallet aktgjykimi për tre të akuzuarit në rastin “Banjska”

Sot, më 24 prill, do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve për rastin “Banjska”, Vlladimir Toliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, përcjell albinfo.ch.

Shpallja e vendimit vjen pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi terrorist në Banjskë, që ndodhi më 24 shtator 2023.

Javën e kaluar, prokurori i rastit, Naim Abazi, kishte kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit. Ndërkohë, Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq i kanë mohuar akuzat me të cilat ngarkohen.

Përveç tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ngriti aktakuzë në mungesë edhe ndaj 42 personave të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Millan Radoiçiq, i cilësuar si kryeterrorist, i cili ende nuk është kapur nga organet e drejtësisë.

Prokuroria kishte kërkuar më herët gjykim në mungesë edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, por kërkesa ishte hedhur poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, duke u cilësuar si e pabazë.

Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktakuzës, ata dyshohen se përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe ta bashkojnë me Serbinë.

Në sulmin e shtatorit 2023 u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan edhe disa zyrtarë të tjerë. Në përleshje mbetën të vrarë edhe tre sulmues, ndërsa pjesa tjetër u largua pasi qëndroi për disa orë në Manastirin e Banjskës.

Millan Radoiçiq më pas kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin.

Serbia ende nuk ka dorëzuar të dyshuarit e këtij rasti, përfshirë edhe Radoiçiqin, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare./Albinfo.ch

Nisin homazhet në nderim të akademik Rexhep Qosja

Në hollin e Kuvendi i Kosovës sot do të organizohen homazhe përkujtimore dhe do të hapet Libri i Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, homazhet do të mbahen nga ora 08:45, ku do të bëhen edhe shënime në Librin e Zisë.

Ndërkohë, është shpallur edhe një ditë zie shtetërore për të nderuar figurën dhe kontributin e akademikut Qosja, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.

Përditësim

Kanë nisur homazhet përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja.

Nën përkujdesjen e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, po mbahet homazh përkujtimor, ndërsa është hapur edhe Libri i Zisë për të gjithë qytetarët që duan të shprehin respektin dhe ngushëllimet e tyre./Albinfo.ch

Melisa Ibrahimi shpallet Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë

Pianistja e re nga Mitrovica, Melisa Ibrahimi, ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të muzikës klasike, duke u shpallur “Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë”, transmeton albinfo.ch.

 

Melisa Ibrahimi

 

Ajo është nderuar gjithashtu me çmimin prestigjioz “Award of Supreme Excellence” nga organizata World Piano Association Spain, një vlerësim që dëshmon talentin dhe përkushtimin e saj në muzikën klasike.

Ky sukses konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për karrierën e saj personale, por edhe për promovimin e kulturës dhe talentit kosovar në skenën globale.

Përmes punës së saj artistike dhe pasionit ndaj muzikës, Melisa Ibrahimi po kontribuon në forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Spanjës, duke përfaqësuar vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch