Patentë shoferët e mërgatës: Pse Policia e Kosovës nuk mund t’i konfiskojë?

Avokati Petrit Lladrovci, në emisionin “Ora Shtatë”, foli rreth rregullave në komunikacion, kjo më shumë për t’i vetëdijesuar mërgimtarët, përcjell albinfo.ch.

Ai shpjegon se nëse mërgimtarët drejtojnë makinën me shpejtësi të lartë, por që kanë patentë shofer të huaj, sipas avokatit, Policia e Kosovës nuk mundet t’ua konfiskojë atë, por vetëm mundet t’ua ndalojë vozitjen në Kosovë.

Lladrovci shton se nëse bëjnë pagesë të dyfishtë, pra gjobën, personat me patentë shofer të huaj mund ta kalojnë dënimin me ndalim të vozitjes së automjeteve.

Lladrovci thotë se të gjitha këto janë rregulla të shkruara në rregulloren e Policisë së Kosovës.

 

Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin “Banjska”

Duke filluar nga ora 09:30, në Pallatin e Drejtësisë do të vazhdojë seanca gjyqësore për rastin “Banjska”, përcjell albinfo.ch.

Referuar njoftimit, seanca mbahet ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Deri më tani kanë dhënë dëshmi disa zyrtarë policorë që ishin pjesëmarrës në kundërsulmin në Banjskë të Zveçanit.

Më 11 shtator të 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në krye me kriminelin Milan Radoiiciq, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Milan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Më 18, 21, 22 dhe 24 korrik janë caktuar seancat për vazhdimin e gjykimit në këtë rast.

Byreku shqiptar në festivalin 2025 në Illinois

Mbi 800 veta u mblodhën në rrethinën e Chicagos për Festivalin e Byrekut 2025 — një eveniment i organizuar nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (AACI), që këtë vit dyfishoi pjesëmarrjen dhe mori edhe një vlerësim zyrtar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcjell albinfo.ch.

Themeluar në vitin 1998, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois është organizata ombrellë për të gjithë Shqiptarët në Illinois. Bordi i kësaj organizate është i strukturuar me nga dy përfaqësues nga secila prej gjashtë trevave prej nga vijnë Shqiptarët — diçka që, siç thotë kryetari i bordit Edon Shaqiri, është shtylla e fortë e lidhjes së gjerë që ka komuniteti. “Kur secili ka vend në tavolinë, çdo cep i kulturës sonë është i përfaqësuar,” tha Shaqiri. “Prandaj sheh byrek këtu nga çdo anë.”

Ajo që e bën Festivalin e Byrekut të veçantë është se bashkon Shqiptarët nga të gjitha trevat — dhe nga çdo brez. Gjyshe e gjyshër, prindër e fëmijë, të gjithë gjetën diçka që u kujtoi vendlindjen dhe diçka të re, qoftë një shije që ua solli ndërmend fëmijërinë, apo një këngë që i çoi në valle.

Dhe kishte çfarë të shihje — nëse arrije me kohë. Radhët për ushqim ishin të gjata, dhe byreku, i përgatitur nga kuzhinierë që përfaqësonin çdo krahinë të Shqipërisë e Kosovës, iku shpejt. Vendi i parë këtë vit shkoi për Emine Jakupin nga Gjilani, Kosovë. Gjatë intervistës, Jakupi ishte pranë nënës së saj, që i kishte trashëguar recetën fituese — një moment që preku shumë njerëz. Vendi i dytë shkoi për Edisa Combin nga Fieri, ndërsa i treti për Migerta Radhimën nga Vlora.

Përveç byrekut, në skarë piqeshin qebapa, kishte pizza për fëmijët dhe tavolina të mbushura me ëmbëlsira Shqiptare të shtëpisë. Muzika nga çdo cep i Shqipërisë — me DJ Besin — mbajti turmën në valle edhe pasi pjatat ishin boshatisur.

As fëmijët nuk mbetën pas. Dafina Rexhepi, drejtoresha e rinisë në Komunitet, u kujdes që të kishte lojëra dhe aktivitete që mbajtën familjet deri në fund të ditës.

Këtë vit festivali nuk mori vetëm një përshëndetje nga Kryeministri Edi Rama — u përmend edhe nga Ministri Taulant Balla, gazetari Blendi Fevziu dhe nga Mrizi i Zanave, restoranti i njohur-agroturistik në Shqipëri. I gjithë eventi u mundësua falë mbështetjes së bizneseve shqiptaro-amerikane që dolën sponsorë. Eventi vazhdoi të jetë krejtësisht falas për komunitetin dhe shumë familje dhuruan nga vetja për të mbajtur Festivalin e Byrekut gjallë e në rritje.

Për shumë familje Shqiptare të zonës, momenti më i bukur ishte i thjeshtë: ushqimi i mirë, muzikë argetuese dhe një festival që tregon sa unik është ky komunitet — i bashkuar përtej trevave, brezave dhe nga një byrek i thjeshtë, që zhdukej më shpejt se sa doli nga furra.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois (“AACI” ose “Komuniteti”) u themelua në vitin 1998 me misionin për të bashkuar dhe përfaqësuar diasporën Shqiptare në gjithë shtetin e Illinois-it. Përmes aktiviteteve kulturore, edukimit dhe angazhimit në komunitet, AACI vijon të ruajë trashëgiminë tonë kombëtare dhe të ndërtojë ura lidhëse mes brezave. Për më shumë informacion ose për t’u bërë pjesë, vizitoni www.aaciusa.org

Orion Jucja përfundon me sukses programin prestigjioz Hubert H. Humphrey në SHBA

Orion Jucja ka përfunduar me sukses programin prestigjioz Hubert H. Humphrey në fushën e shëndetit publik, në Universitetin Virginia Commonwealth në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan albinfo.ch.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ai pati mundësinë të mësojë dhe të përvetësojë praktikat më të mira ndërkombëtare në trajtimin e varësisë nga substancat, një fushë me rëndësi kritike në ruajtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sigurisë komunitare. Eksperienca e tij përfshiu qasjet më moderne për frenimin e përhapjes së drogave të paligjshme, si dhe bashkëpunimin me institucione amerikane që punojnë në këtë drejtim.

Përmes këtij formimi, Orion Jucja synon që të kontribuojë në mënyrë aktive në përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta në vendin e tij, duke sjellë një përvojë të vlefshme ndërkombëtare në terren.

Ambasada amerikane theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Orioni bashkëpunoi me ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetit dhe Institutit Kombëtar të Abuzimit me Drogën, Divizioni për Terapitë dhe Pasojat Mjekësore, duke mësuar praktikat më të mira në trajtimin e varësisë, që do të ndihmojë në frenimin e përhapjes së drogave të paligjshme dhe në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta”. /Albinfo.ch

Anglia kualifikohet në gjysmëfinale pas penalltive

Anglia do të përballet me Italinë në gjysmëfinale të Evropianit të Femrave që po zhvillohet në Zvicër.

Edhe pse ishte duke humbur nga Suedia, 0:2, anglezet u rikthyen dhe barazuan shifrat në 2:2, derisa pas penalltive siguruan gjysmëfinalen, shkruan albinfo.ch.

Golin e parë për suedezet e shënoi kapitenia Kosovare Asllani.

Ky ishte goli i dytë për Kosovaren në këtë kampionat, derisa ka edhe tri asistime.

Kosovarja luajti deri në minutën e 77-të, kurse anglezet shënuan në minutën e 79 dhe 81.

Të premten zhvillohet çerekfinalja e tretë ndërmjet Zvicrës dhe Spanjës nga ora 21:00.

 

 

Pse është rritur çmimi i kafesë në vitin 2025?

Çmimi i kafesë në vitin 2025 ka shënuar rritje të ndjeshme, me arabicën që është rritur me mbi 25% dhe robustën me mbi 10%. Kjo situatë vjen si rezultat i disa faktorëve kryesorë:

Ndryshimet klimatike: Thatësirat dhe kushtet ekstreme të motit, sidomos në Brazil dhe Vietnam, kanë ulur ndjeshëm prodhimin për shkak të fenomenit El Niño.

Inflacioni global: Kostot e rritura për transportin, energjinë dhe fuqinë punëtore kanë ndikuar në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke e bërë prodhimin dhe shpërndarjen më të shtrenjtë.

Kërkesa e lartë: Në vende ku kafeja është pjesë e përditshmërisë (si Italia, Kroacia, Serbia), kërkesa nuk është ulur, duke shtuar presion mbi furnizimin.

Taksat e larta: Në disa vende, si Kroacia, taksat mbi kafenë arrijnë deri në 30% të çmimit final, çka e bën produktin edhe më të shtrenjtë për konsumatorin.

Probleme sociale dhe mungesë fuqie punëtore: Në Amerikën Latine dhe Afrikë, migrimi dhe kushtet e vështira të punës po ndikojnë negativisht në kapacitetin prodhues.

 

 

Pse Coca-Cola ndryshoi recetën për tregun në SHBA?

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Coca-Cola ka pranuar të ndryshojë prodhimin në SHBA duke përdorur “sheqer kallami të vërtetë” dhe jo më shurup misri me fruktozë të lartë (HFCS). Ai e bëri këtë njoftim në rrjetin e tij Truth Social, duke shkruar:

“Kam biseduar me Coca-Cola që të përdorin sheqer kallami të vërtetë në Coke në SHBA dhe ata ranë dakord. Dua të falënderoj të gjithë tek Coca-Cola. Do të jetë një vendim shumë i mirë nga ana e tyre, do ta shihni. Është thjesht më mirë!”

Në Evropë, Coca-Cola përdor zakonisht saharozë (sheqer normal), ndërsa në SHBA përdoret HFCS, i cili u përhap në vitet ’70 falë subvencioneve qeveritare për prodhuesit e misrit dhe tarifave të larta ndaj sheqerit të kallamit.

Çfarë ndryshon për shëndetin?

HFCS dhe saharoza kanë struktura të ndryshme kimike, por studimet klinike të vitit 2022 nuk kanë gjetur dallime të mëdha në shtimin në peshë apo në shëndetin e zemrës midis tyre. E vetmja diferencë: HFCS rriti një tregues inflamacioni te disa përdorues.

Coca-Cola me sheqer kallami tashmë gjendet në SHBA si import nga Meksika dhe shumë konsumatorë e preferojnë për shijen më të mirë.

Ndikimi te fermerët e misrit

Ky ndryshim pritet të godasë prodhuesit amerikanë të misrit, sidomos në “Corn Belt”, një rajon me shumë votues pro-Trump.

 

 

Argjendi arrin çmimin më të lartë në 14 vjet

Çmimi i argjendit ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2011, duke kapur vlerën mbi 39 dollarë për ons, me një rritje prej 1.9% në ditë dhe 35% që nga fillimi i vitit, më shumë se rritja e arit për të njëjtën periudhë.

Shkaqet kryesore të rritjes:

Tregjet e pasigurta: Investitorët po kërkojnë alternativa ndaj arit pas vendimit të presidentit amerikan për tarifë 30% ndaj BE-së dhe Meksikës.

Kërkesë e lartë dhe furnizim i kufizuar: Veçanërisht në tregun fizik të Londrës, ku argjendi ruhet në fondet e tregtimit dhe nuk është i disponueshëm për blerje të menjëhershme.

Rritje e interesit: Norma e huazimit të argjendit është rritur ndjeshëm, duke reflektuar mungesën e ofertës në treg.

Sipas Bloomberg, fondet e tregtimit të mbështetura në metal kanë shtuar 2,570 ton argjend që nga shkurti. Aktualisht, duhen rreth 86 ons argjend për të blerë një ons ar, krahasuar me mesataren historike prej 80 ons.

 

 

Fshati shqiptar në garë për “Fshatrat më të Mirë Turistikë në Botë”

Me shtigje të shënuara, male madhështore dhe një komunitet që ruan me përkushtim traditat, Rabdishti është shndërruar në një qendër të vogël për turizmin e qëndrueshëm në zonën e Dibrës.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë në bashkëpunim me GIZ Shqipëri ka vendosur ta përzgjedhë si një nga 6 përfaqësuesit e Shqipërisë në nismën globale “Fshatrat më të Mirë Turistikë në Botë” nga UNWTO.

Një fshat ku çdo gur mbart një histori dhe çdo mik pritet si i shtëpisë. Në Rabdisht, jeta rrjedh e qetë, por hapat e rinj të turizmit po krijojnë një rrugë të re  një rrugë që nuk harron rrënjët, raporton ATSH, transmeton albinfo.ch.

Fshati Rabdishtit në Dibër, së fundi është kthyer në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për agroturizmet e reja që po shtojnë ofertën turistike të zonës.

Rabdishti është një nga fshatrat ku institucionet e linjës në bashkëpunim me donatorët, kanë punuar për ndërtimin e një modeli turizmi rural të bazuar te komuniteti.

Fshati Rabdisht është një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri. I ndodhur në një peizazh malor, i ndërtuar më shtëpi tradicionale me gurë, çatitë prej rrase guri, si dhe rrugët me kalldrëm i japin pamje të veçantë dhe unike duke u njohur “fshati i gurtë”.

Rabdishti shtrihet në majën e Luginës së Shërimit e cila ka marrë emrin e saj nga vetitë kuruese të burimeve termale të Peshkopisë dhe nga pjesa malore e kullotës së bjeshkës së Rabdishtit dhe malit me të njëjtin emër të vargmalit Deshat-Korab.

Vizitorët e shumtë që frekuentojnë këtë fshat pëlqejnë jetën tipike të fshatit, bujtinat tradicionale në Rabdisht, ku mikpritja dhe gatimet tradicionale shijohen si askund në rajonin e Dibrës.

Spitalet gjermane përgatiten për skenarë lufte

Autoritetet gjermane kanë hartuar një plan gjithëpërfshirës emergjence për spitalet në Berlin, për t’u përgatitur ndaj skenarëve të mundshëm lufte. Sipas mediave lokale, plani është rezultat i një bashkëpunimi dyvjeçar mes Ministrisë së Shëndetësisë të Berlinit, ushtrisë gjermane dhe 12 spitaleve të kryeqytetit. Për arsye sigurie, ai mbetet i klasifikuar.

Plani i emergjencës adreson situata kritike si sulmet ushtarake në zonën metropolitane, kërcënimet hibride, fatkeqësitë natyrore dhe shembjen e infrastrukturës. Mes prioriteteve të tij janë: sigurimi i shërbimeve spitalore gjatë konflikteve, shpërndarja e pacientëve në raste emergjente, garantimi i furnizimeve mjekësore, medikamenteve dhe energjisë rezervë, përcjell albinfo.ch.

Ky plan i ri mbrojtjeje civile vjen në një kohë tensionesh të larta në Evropë për shkak të luftës në Ukrainë. Së fundmi, udhëheqësit ushtarakë dhe të inteligjencës gjermane kanë paralajmëruar se Rusia mund të sfidojë gatishmërinë mbrojtëse të NATO-s dhe potencialisht të sulmojë një vend anëtar brenda katër viteve të ardhshme.

Sipas tyre, Rusia po shton forcat dhe kapacitetet konvencionale dhe deri në fund të dekadës, ushtria ruse mund të jetë e gatshme për një sulm të mundshëm ndaj NATO-s.

Një adoleshent shkakton frikë në avion pasi tha se kishte bombë në xhep

Një djalë 16-vjeçar shkaktoi kaos në një avion të kompanisë “Spirit Airlines” të hënën pasdite, pasi deklaroi me shaka se mbante një bombë. Incidenti ndodhi në fluturimin nga Fort Lauderdale drejt Kansas City.

Pasi dëgjuan fjalët e tij, stjuardesat dhe disa pasagjerë u alarmuan dhe e raportuan menjëherë si kërcënim serioz. Për siguri, aeroplani u lëviz në një zonë të veçantë të aeroportit, ndërsa forcat e rendit dhe zyrtarët e Qarkut Broward u ngjitën në bord për të arrestuar të miturin. Pas kontrolleve rezultoi se nuk kishte asnjë lloj bombe dhe pasagjerët u zbarkuan përkohësisht. Fluturimi u nis me vonesë për në Missouri.

Djali ndodhej në Florida për pushime me miqtë, por pas arrestimit u dërgua në qendrën e paraburgimit për të mitur dhe doli para gjykatës të martën. Babai i tij, Phillip Schmidt, iu drejtua gjykatës përmes video-lidhjes nga vendi i punës, duke i kërkuar gjyqtares të tregonte mëshirë për të birin.

“Besoj që ai thjesht po sillej si një fëmijë i papjekur, jo si një kriminel,” tha ai. Ndërkohë, avokati mbrojtës pranoi se klienti i tij kishte përdorur shprehjen “kam një bombë në xhep”, por theksoi se autoritetet nuk treguan saktë se ku dhe kur e kishte thënë këtë.

Gjykatësja Stacy Ross bëri të ditur se kompania “Spirit Airlines” ka kërkuar dëmshpërblim prej 50 mijë dollarësh për shkak të incidentit dhe vonesave të shkaktuara. Adoleshenti tani përballet me akuza për lajmërim të rremë për bombë si dhe për dëmtim pronësie mbi vlerën e 1 000 dollarëve.

Zvicra identifikon 130 viktima të mundshme të trafikut të qenieve njerëzore

Zyra Federale e Policisë në Zvicër ka identifikuar 130 viktima të mundshme të trafikut të qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual në vend. Ky rezultat u arrit falë pjesëmarrjes së Zvicrës këtë vit në ditët e përbashkëta të veprimeve evropiane “OP CHAIN”, të udhëhequra nga Europol.

Falë koordinimit në nivel kombëtar, Zyra Federale e Policisë (Fedpol) zhvilloi operacione në zona problematike në 11 kantone dhe u përqendrua në viktimat dhe autorët e krimeve në Rumani.

Dy policë rumunë gjithashtu ofruan mbështetje në terren. Fedpol kontrolloi 457 persona, inspektoi 148 vende dhe realizoi 32 kontrolle policore.

Mobilizimi në kantonin Valais

Policia kantonale e Valais-it bëri me dije në një komunikatë për shtyp të enjten se mori pjesë aktive në këto veprime. Ata mobilizuan 250 punonjës nga autoritetet kantonale dhe komunale. Në kanton u inspektuan shtatë sallone, ku nuk u gjetën prova që të dyshohej për trafikim të qenieve njerëzore.

Shkencëtarët në Kinë trajtojnë me sukses diabetin e tipit 1 me qeliza burimore

Për herë të parë, shkencëtarët kinezë kanë trajtuar me sukses diabetin e tipit 1 tek një grua 25-vjeçare duke përdorur terapi eksperimentale me qeliza burimore. Ata morën qeliza dhjamore nga vetë pacientja, i rikthyen në gjendje pluripotente dhe i programuan të ktheheshin në qeliza që prodhojnë insulinë, njësoj si qelizat beta të pankreasit.

Këto qeliza u transplantuan nën muskujt abdominalë. Brenda 75 ditësh, ajo filloi të prodhonte insulinë vetë dhe ka qëndruar pa injeksione për më shumë se një vit.

Metoda ul rrezikun e refuzimit sepse përdoren qeliza nga vetë pacienti. Megjithatë, terapia mbetet eksperimentale dhe është testuar deri tani vetëm tek tre pacientë, duke u konsideruar një hap premtues drejt një kure të mundshme për diabetin e tipit 1.

 

Donald Trump diagnostikohet me një sëmundje

Donald Trump është diagnostikuar me insuficiencë kronike venoze, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten. Ky lajm vjen pasi presidenti amerikan 79-vjeçar raportoi “ënjtje të lehtë në pjesën e poshtme të këmbëve”.

Kontrollet “e gjera” zbuluan këtë problem, i cili është një grumbullim i gjakut në këmbët e poshtme. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përshkroi këtë gjendje si “beninje dhe të zakonshme, veçanërisht tek personat mbi moshën 70 vjeç”.

Ajo shtoi se nuk janë gjetur shenja të “trombozës së thellë venoze apo sëmundjeve arteriale”.

Britania e Madhe ul moshën e votimit në 16 vjeç

Kjo reformë ishte një nga zotimet kryesore të Partisë Laburiste gjatë fushatës zgjedhore, e cila synon të forcojë përkrahjen sidomos mes të rinjve ,një grup që ka treguar shenja të largimit në sondazhet e fundit.

Sipas planit të qeverisë, ndryshimi do të hyjë në fuqi në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të planifikuara për vitin 2029.

Masa do të unifikojë rregullat në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke e përafruar kuadrin kombëtar me atë të Skocisë dhe Uellsit, ku 16-vjeçarët kanë të drejtë vote në zgjedhjet lokale prej disa vitesh.

Ky është ndryshimi më i rëndësishëm në fushën e të drejtës së votës që nga viti 1969, kur qeveria laburiste e Harold Wilson uli moshën ligjore të votimit nga 21 në 18 vjeç.

Projektligji u prezantua sot në parlament nga Rushanara Ali, ministre për Demokracinë, të Drejtat dhe Strehimin.

“Në moshën 16 vjeç, të rinjtë në vendin tonë mund të punojnë, të paguajnë taksa dhe madje t’i bashkohen ushtrisë. Është e drejtë që të kenë edhe të drejtën e votës”, u shpreh Ali.

 

 

Mosmarrëveshje për çmimet, Roche tërheq nga tregu në Zvicër barin për trajtimin e kancerit

Të kapur në mes të një përplasjeje midis Roche dhe Konfederatës Zvicerane, pacientët zviceranë me kancer po mbeten pa trajtim. Gjigandi farmaceutik ka vendosur të tërheqë nga tregu barnën e tij Lunsumio, duke e konsideruar të pamjaftueshëm çmimin që ofrojnë autoritetet.

Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) qëndron e vendosur. Ajo kërkon më shumë prova mbi efektivitetin e barnës Lunsumio, duke frikësuar se një lehtësim mund të inkurajojë prodhues të tjerë të bëjnë kërkesa të ngjashme për çmimet, raporton të enjten gazeta gjermane Tamedia.

Roche, nga ana e saj, mban përgjegjësinë te FOPH, duke thënë se efektet pozitive të vëzhguara deri më tani duhet të jenë të mjaftueshme për të justifikuar rimbursimin. Kjo pasi barna në fjalë është pjesë e një projekti pilot që parashikon rimbursim përpara se të publikohen të dhënat klinike të plota, transmeton albinfo.ch.

Një trajtim inovativ

E ftuar të enjten në programin RTS Forum, Carmen de Ramon Ortiz, hematologe në Spitalet Universitare të Gjenevës, mbrojti vlerën e Lunsumio, një barnë që ajo përshkruan për pacientët e saj. Ajo është e destinuar për trajtimin e limfomës folikulare, një kancer i nyjeve limfatike, një sëmundje e sistemit imunitar që prek rreth 500 raste të reja në Zvicër çdo vit, shpjegoi ajo.

“Është një kancer që rritet ngadalë. Jo të gjithë pacientët do të kërkojnë trajtim, dhe shumë pak do të kenë nevojë për më shumë se dy trajtime të ndryshme. Por rreth 20 për qind kërkojnë kujdes më të avancuar,” sqaron specialistja.

Carmen de Ramon Ortiz thekson gjithashtu inovacionin që përfaqëson: “Këto janë antitrupa specifikë, trajtime shumë inovative të imuno-terapisë që stimulojnë sistemin imunitar. Ato japin norma shumë të larta të remisionit në këtë lloj pacientësh.”

Një kosto e lartë

Sipas Swissmedic, një dozë e Lunsumio kërkon 60 miligramë, ose dy fiola që secila kushton më shumë se 7 000 franga. E pyetur për këtë çmim, Carmen de Ramon Ortiz shpjegoi se si mjeke, nuk i takon asaj të gjykojë çmimin. “Por mund t’ju them që është një medikament shumë efektiv,” shtoi ajo.

Edhe pse të dhënat e disponueshme janë ende nga studimet faza II, dhe për këtë arsye janë eksplorative, ato tregojnë, sipas Carmen de Ramon Ortiz, një përfitim të vërtetë. Ajo vë në dukje gjithashtu se në onkologji shpesh duhen vite për të pasur rezultatet e plota të studimeve faza III, ndërkohë që disa pacientë do të mund të përfitonin tashmë.

Pasojat për pacientët

Ajo është e shqetësuar për heqjen e barnës nga lista e specialiteteve të rimbursueshme. “Fillimisht menduam se do të ishte e mundur të negociohej me kompanitë e sigurimeve në baza rast pas rasti, siç ndodh zakonisht në onkologji. […] Por kjo mundësi është mbyllur gjithashtu,” vë në dukje ajo.

Konkretisht, kjo do të thotë që për të marrë barnën tani do të duhet të përdoret një program i aksesit të drejtpërdrejtë me Roche. Por kjo do të jetë shumë më e kufizuar. Si rezultat, shumë pacientë që përfitonin prej saj deri më 1 korrik nuk do të kenë më qasje.

“Nuk është një sëmundje shumë e përhapur, por ka ende shumë pacientë që përfitojnë prej saj,” thekson Carmen de Ramon Ortiz. “Për mua, është thelbësore që ajo të rikthehet në treg,” shton specialistja.

500 franga në muaj – kaq fitojnë lojtaret e ekipit tonë kombëtar

Gati 576 milionë franga zvicerane deri në vitin 2027: Kontrata e re e Cristiano Ronaldos me Al-Nassr në Arabinë Saudite e bën 40-vjeçarin absolutisht më të paguarin, së bashku me bonuset e avionit, stafit dhe golat. Shifra të tilla janë diçka që yjet e futbollit të femrave vetëm mund t’i ëndërrojnë, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Le të shohim disa shembuj, së pari, yllin e lënduar të Gjermanisë, Giulia Gwinn. Ajo ka qenë nën kontratë me FC Bayern Munich që nga viti 2019 dhe tashmë ka fituar disa tituj, përfshirë katër kampionate gjermane. Paga e saj vjetore me ekipin e Munihut vlerësohet deri në 150 mijë franga zvicerane. Thuhet se ajo fiton një shumë gjashtëshifrore përmes partneriteteve reklamuese.

Kjo e bën Gwinn një nga lojtaret më të paguara në Bundesligë, pas koleges së saj të klubit, Lena Oberdorf (paga vjetore e vlerësuar: 240 mijë CHF), ku ka një hendek të madh në paga në divizionin e femrave. Një anketë e “Sportschau” e vitit 2023 tregoi se 34 përqind e lojtareve të anketuara merrnin një pagë bruto mujore prej 500 CHF ose më pak, dhe 24 përqind nuk merrnin asnjë pagë. Lojtaret në Superligën e Femrave në Angli, liga më e mirë e futbollit të femrave në botë, kanë një pagë mesatare vjetore prej rreth 50 mijë CHF, transmeton tutje albinfo.ch.

Dhe cila është situata në ekipin kombëtar? Lojtaret që luajnë në Zvicër jetojnë në greminë e skajit të rrugës. Nuk është çudi, pra, që shumë lojtare të kombëtares e ndërmarrin nisjen e një udhëtimi jashtë vendit në moshë të re. Nëse nuk do ta bënin këtë, ëndrra e tyre për t’u bërë futbolliste profesioniste pothuajse me siguri do të mbetej e parealizueshme. Noemi Ivelj, e cila po transferohet te Eintracht Frankfurt pas Kampionatit Evropian, kohët e fundit fitonte 500 franga në muaj në GC. Ajo e zbuloi këtë për CH Media.

Asi i kombëtares, Sandrine Mauron, me përvojë të gjatë, tha: “Tek Servette, fitoja 3 000 franga në muaj, dhe kjo nuk mjafton për të mbijetuar.” Mauron tani po zhvendoset jashtë vendit me një kontratë profesionale me kohë të plotë. Coumba Sow, kapitene e FC Basel, është një nga përjashtimet e rralla në ligën zvicerane që mund të jetojë me pagën e saj: “Nëse i menaxhoj mirë paratë e mia, mund të lë mënjanë edhe disa. Por nuk do të pasurohem prej tyre.”

Lojtaret e kombëtares zvicerane që jetojnë jashtë vendit natyrisht fitojnë më shumë. Kapitenia Lia Wälti, për shembull: “Nuk do të jap asnjë shifër. Ajo që mund të them është se mund të jetoj mirë, të lë mënjanë disa para dhe po shkoj shumë mirë financiarisht.” Ose, sigurisht, Alisha Lehmann. Paga e saj vjetore te Juventus vlerësohet në rreth 200 mijë franga zvicerane. Të ardhurat nga reklamat i shtohen kësaj. Sipas analizave, ajo thuhet se merr 250 mijë franga zvicerane për postim në Instagram me reklama.

20 Minutes intervistoi Jasmina Čović, themeluese e Agjencisë së Futbollit të Grave, një nga agjencitë kryesore të konsulencës në botë në futbollin e grave. E pyetur për hendekun në paga midis futbollit të meshkujve dhe grave, ajo tha: “Hendeku po ngushtohet çdo vit. Tashmë ka lojtare që fitojnë një pagë prej një milion eurosh. Ato janë ende përjashtim, por trendi tregon se gjërat po vazhdojnë të rriten ndjeshëm.”

Čović shpjegon se strukturat e pagave në futbollin e femrave kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit. “Po shohim një rritje graduale të pagave. Klubet e divizionit të dytë në veçanti mund të paguajnë paga të mira si në Gjermani ashtu edhe jashtë vendit, si në Itali, Spanjë dhe Angli”, thotë ajo. “Tre ligat kryesore në fakt fitojnë paga shumë të mira. Megjithatë, ka ende raste të izoluara ku lojtaret luajnë për një mesatare prej 1 000 eurosh.”

Po në lidhje me pagat ndonjëherë jashtëzakonisht të ulëta në Zvicër? “Zvicra është një vend i shtrenjtë dhe, meqenëse pagat janë relativisht të ulëta, thjesht nuk është e mundur që shumë lojtare të huaja të sigurojnë jetesën prej saj”, thotë Čović, e cila e sheh Zvicrën si një vend që zhvillon talente. “Ne duhet të vazhdojmë të përqendrohemi në këtë. Trajnimin e talenteve më të mira dhe profesionalizimin e kushteve për ta.”

 

Jashari, gjithnjë e më larg nga Club Brugge

Futbollisti shqiptar që luan për Zvicrën, Ardon Jashari ka dhënë një tjetër shenjë se gjasat janë të vogla që ai të mbetet pjesë e Club Brugget edhe për edicionin e ri.

Ai nuk ishte pjesë e fotografisë zyrtare të Club Brugget për sezonin e ri 2025/2026.

Jashari dëshiron kalimin te Milani, transmeton albinfo.ch.

Mediumet belge dhe ato italiane kanë raportuar se Milani nuk e ka ndërmend të rrisë ofertën për Jasharin.

Te klubin kuqezi mendojnë se oferta e fundit prej 32.5 milionë euro, plus 5.5 milionë euro bonuse, është e mjaftueshme për klubin belg.

Jashari nuk ka stërvitur ende me pjesën tjetër të fituesit të Kupës së Belgjikës.

Ai deri tash ka stërvitur individualisht. 22-vjeçari, Jashari, iu bashkua Club Brugget në verën e vitit të kaluar, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2029.

Prizreni mirëpret diasporën me parkim falas në oborret e shkollave

Bashkatdhetarët që po kthehen për pushime verore në vendlindje janë mirëpritur me një lehtësi të veçantë nga Komuna e Prizrenit. Për të lehtësuar lëvizjen dhe parkimin gjatë qëndrimit të tyre, oborret e pesë shkollave në qytet do të shfrytëzohen si hapësira parkimi falas për të gjithë mërgimtarët dhe familjet e tyre, transmeton albinfo.ch.

Shkollat që janë vënë në dispozicion janë:

“Lidhja e Prizrenit”

“Gjon Buzuku”

“Dëshmorët e Zhurit”

“Emin Duraku”

“Motrat Qiriazi”

Autoritetet komunale kanë theksuar se kjo është një “dhuratë e vogël, por me zemër të madhe”, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës.

“Prizreni është gjithmonë shtëpia juaj. Këto hapësira do të jenë në shërbimin tuaj gjatë gjithë pushimeve verore,” thuhet në njoftimin e komunës.

.

 

Reuters raporton për vendbanimin më të vjetër liqenor në Europë që ndodhet në Shqipëri

Arkeologët që po punojnë në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri besojnë se kanë zbuluar vendbanimin më të vjetër të ndërtuar ndonjëherë në një liqen europian, duke gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetarësh dhe bujqish që kanë jetuar aty deri në 8 000 vite më parë.

Ekipi, i përbërë nga arkeologë zviceranë dhe shqiptarë, kalon orë të tëra çdo ditë rreth tre metra nën ujë, duke nxjerrë me kujdes shtylla druri që dikur mbështesnin shtëpitë. Ata po mbledhin gjithashtu eshtra të kafshëve të egra dhe të zbutura, objekte prej bakri dhe enë qeramike me gdhendje të detajuara.

Albert Hafner nga Universiteti i Bernës tha se vendbanime të ngjashme janë gjetur në rajone alpine dhe mesdhetare, por ato të fshatit Lin janë rreth 500 vjet më të vjetra, duke u datuar ndërmjet 6 000 dhe 8 000 viteve më parë.

“Për shkak se ndodhet nën ujë, materiali organik është ruajtur shumë mirë, dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë hanin këta njerëz, çfarë mbillnin,” tha Hafner.

Studime të shumta tregojnë se Liqeni i Ohrit, i ndarë mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është liqeni më i vjetër në Europë, me mbi një milion vjet ekzistencë.

Mosha e gjetjeve është përcaktuar përmes datimit me radiokarbon dhe dendrokronologjisë, që mat unazat vjetore të rritjes në pemë. Deri tani janë mbledhur mbi një mijë mostra druri nga vendi që besohet se ka strehuar disa qindra njerëz. Sipërfaqja e përgjithshme mund të jetë rreth gjashtë hektarë, por pas gjashtë vitesh punë është zbuluar vetëm 1 për qind e saj.

Hafner tha se gjetjet tregojnë se banorët e liqenit ndihmuan në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë në pjesë të tjera të Europës.

“Ata ende merreshin me gjueti dhe mbledhje bimësh, por ushqimi i qëndrueshëm vinte nga bujqësia,” shtoi ai.

Arkeologu shqiptar, Adrian Anastasi, tha se mund të duhen dekada për të eksploruar plotësisht zonën.

“Mënyra si jetonin, ushqeheshin, gjuanin, peshkonin dhe arkitektura që përdornin për të ndërtuar vendbanimin na tregon se ata ishin shumë të zgjuar për kohën e tyre,” tha Anastasi.

 

Asllani, titullare ndaj Anglisë, e vazhdon rekordin te Suedia

Kosovare Asllani është titullare për Suedinë në ndeshjen çerekfinale ndaj Anglisë.

Asllani është kapitene e Suedisë, shkruan albinfo.ch.

Futbollistja shqiptare do të vazhdojë rekordin e jashtëzakonshëm, duke u paraqitur në ndeshjen e 22-të si titullare në Kampionate Evropiane.

Ajo luan standard që nga viti 2009 për Suedinë në Evropiane.

Ditë më parë është shprehur se nuk i frikësohen Anglisë, edhe pse kanë respekt të madh.

https://www.uefa.com/womenseuro/video/029b-1e403672b7a5-fc0625a5d280-1000–kosovare-asllani-on-tough-and-physical-england-test/