Pavarësisht dallimeve politike, zviceranët ndajnë pesë vlera kryesore

Një studim i ri nga Universiteti i Cyrihut nxjerr në pah një realitet që shpesh anashkalohet në diskursin politik zviceran: pavarësisht dallimeve midis partive politike, pesë parime kryesore vazhdojnë të gjenerojnë konsensus në të gjitha segmentet e popullsisë.

Ato janë:

Një model ekonomik i suksesshëm

Një Zvicër neutrale por e hapur

Respekti, debati konstruktiv dhe kërkimi i kompromisit që janë pjesë e politikës zvicerane

Bukuria natyrore e Zvicrës dhe nevoja për ta mbrojtur atë

Solidariteti, drejtësia dhe një angazhim për veprim humanitar

Pse është paraqitur Rozeta Hajdari në Prokurorinë Speciale?

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, po raportohet se është paraqitur për t’u intervistuar, sërish në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe sipas informacioneve të para, rasti lidhet me rezervat shtetërore.

Kujtojmë se kjo çështje u bë kryelajm në muajin gusht të vitit 2023, kur u raportua për keqpërdorimin e rezervave, për çka disa persona përfunduan në pranga të Policisë, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të ministrisë së Hajdarit.

Tetë muaj më vonë, në prill të vitit të kaluar, Hajdari ishte ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo ishte mbrojtur në heshtje.

Gjermani: Studentët e Juridikut nga Universiteti i Prishtinës zënë vendin e 6-të në botë

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u renditur në vendin e 6-të në botë në garën prestigjioze juridike “Nuremberg Moot Court 2025”, transmeton albinfo.ch.

Rundet finale të garës u mbajtën nga 23 deri më 26 korrik 2025, në sallën historike Nr. 600 të Gjykatës së Nurembergut në Gjermani – vendin ku janë gjykuar figurat kryesore të regjimit nazist pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga 140 ekipe pjesëmarrëse në fazën e parë të garës (shkrimi i memorandumeve), vetëm 40 ekipenga universitete prestigjioze ndërkombëtare u kualifikuan për rundet me gojë. Në mesin e tyre, edhe ekipi i Universitetit të Prishtinës, i cili jo vetëm që u kualifikua, por arriti të renditet në Top 6-shen botërore – një arritje që reflekton përgatitjen e thellë dhe cilësinë akademike të studentëve kosovarë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare.

Ekipi i Fakultetit Juridik ishte i përbërë nga studentet: Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu, të cilat u përfaqësuan me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë. Mentorimi i tyre u bë nga Nisa Ferati, e cila shoqëroi ekipin në Nuremberg, si dhe nga Ass. Besnik Beqaj dhe Argjira Asllani – pjesë e ekipit të mëhershëm të kësaj gare. Mbështetje të vazhdueshme ofroi edhe Prof. Avni Puka, dekan i Fakultetit Juridik të UP-së.

Ky rezultat tregon se Fakulteti Juridik i UP-së ka ndërtuar një traditë të qëndrueshme përfaqësimi në forume ndërkombëtare dhe po formon një gjeneratë të re juristësh të përgatitur për sfidat globale.

“Nuremberg Moot Court” është një prej garave më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e drejtësisë ndërkombëtare penale dhe që nga viti 2022 është pjesë e përhershme e programit të Fakultetit Juridik, e financuar nga buxheti i dedikuar për gara ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Itali: 22-vjeçar shqiptar kapet me 12 doza kokainë

Raportohet se një 22-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi u kap duke kryer manovra të dyshimta me makinën e tij në rrugët e qytetit. Pasi u ndalua nga autoritetet, efektivët kryen një kontroll të imtësishëm në automjet, ku nën levën e frenave të dorës zbuluan 12 qese me kokainë të ndara në doza të vogla, përcjell albinfo.ch.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe 350 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e drogës. I riu kishte gjithashtu dy telefona celularë, në të cilët u zbuluan biseda me persona që dyshohet se ishin blerës të lëndës narkotike.

Hetimet zbuluan gjithashtu se 22-vjeçari qëndronte në mënyrë të paligjshme në territorin italian. Ai tashmë përballet me akuza për trafik droge dhe qëndrim ilegal në Itali.

Zvicra, partnere e qëndrueshme në menaxhimin e ujërave në Kosovë

Zvicra mbetet një partner i hershëm dhe i përkushtuar në promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore në Kosovë. Në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë, patëm kënaqësinë të merrnim pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit për Skemën e Granteve të Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC), pjesë e IWRM-K.

Ky ngjarje e rëndësishme thekson angazhimin tonë të vazhdueshëm për forcimin e rolit të shoqërisë civile në mbrojtjen e burimeve ujore të Kosovës. Përmes kësaj skeme grantesh, OSHC-të e përzgjedhura do të zbatojnë iniciativa inovative, të drejtuara nga komuniteti, që synojnë të rrisin mbrojtjen e ujit, të rrisin ndërgjegjësimin publik dhe të promovojnë praktikat e përdorimit të qëndrueshëm të ujit.

Ne i përgëzojmë ngrohtësisht të gjitha organizatat e përzgjedhura dhe presim me padurim kontributet domethënëse që ato do të japin në dobi të komuniteteve dhe mjedisit.

Presidentja Osmani pret mërgatën në një pritje tradicionale në Presidencë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, do të mirëpresë bashkatdhetarët në një pritje tradicionale të organizuar me rastin e ardhjes së mërgatës në vendlindje gjatë muajve të verës, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja do të mbahet sot, të enjten, më 31 korrik 2025, duke filluar nga ora 19:00, në oborrin e Presidencës së Republikës së Kosovës.

Kjo pritje tashmë është bërë një traditë vjetore, ku Presidentja shpreh mirënjohjen dhe respektin ndaj mërgatës për rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe diplomatik të vendit. Pritja synon të forcojë lidhjet ndërmjet institucioneve dhe bashkatdhetarëve që jetojnë e veprojnë jashtë vendit.

Rreziqet dhe problemet nga akulloret e skaduara

Me ardhjen e ditëve të ngrohta, akulloret rikthehen si një zgjedhje e preferuar për shumë njerëz.

Megjithatë, është e rëndësishme të keni kujdes.

Rreziku më i madh që vjen nga konsumimi i akulloreve të vjetëruara apo të paketuar keq është helmimi ushqimor.

Data e skadencës nuk duhet të jetë kriteri i vetëm që përdorni për të vendosur nëse një akullore është e sigurt për t’u ngrënë.

Duhet të kontrolloni gjithashtu nëse paketa është hapur, fryrë ose nëse akullorja është ruajtur në kushte të përshtatshme.

Sipas AgroWeb akulloret e vjetëruara janë më të ndjeshme ndaj baktereve të dëmshme.

Bakteret kanë tendencë të zhvillohen në ushqime që përmbajnë proteina, si vezët, mishi, peshku dhe produktet e qumështit.

Edhe pse ngrirja e ngadalëson rritjen e tyre, ajo nuk i shkatërron plotësisht.

Nëse një akullore është lënë e hapur në frigorifer, ajo mund të kthehet në një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e baktereve.

Kur nxirret nga frigoriferi, bakteret fillojnë të shumohen shpejt, duke rritur rrezikun e helmimit.

Këshillohet që të mos konsumoni akullore me paketim të dëmtuar, pasi kjo mund të jetë e rrezikshme.

Sigurohuni që akullorja të jetë plotësisht e ngrirë dhe jo e shkrirë pjesërisht, dhe që frigoriferi të jetë në temperaturë të ulët dhe të qëndrueshme.

Akulloret e paprekura dhe të ruajtura në minus 17 gradë Celsius mund të konsumohen me siguri brenda 2-3 muajsh.

Nëse dëshironi ta ruani më gjatë, është mirë ta mbështillni me karton ose qese plastike me vakum për të ruajtur cilësinë.

Si të dalloni një akullore jo cilësore

Një akullore e prishur mund të mos ketë shije të keqe menjëherë, por mund të ketë kristale akulli në sipërfaqe ose në pjesën e poshtme të paketës.

Akulloret janë burim i yndyrnave të shëndetshme, kalciumit, enzimave, vitaminave dhe mineraleve — por vetëm nëse bëhen me përbërës cilësorë, si qumësht, vezë dhe ëmbëlsues natyralë.

Akullorja më e mirë është ajo e bërë në shtëpi, ku receta është e thjeshtë dhe përfshin përbërës si qumësht, vezë, sheqer, vanilje dhe fruta ose arra sipas dëshirës.

Akt vandal në Prizren, dëmtohet shtatorja e Skënderbeut

Pas përdhosjes së flamurit kombëtar në Suharekë, një tjetër akt vandal ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Këtë herë, në shënjestër ka qenë shtatorja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prizren, e cila është dëmtuar nga persona të panjohur.

Sipas raportimeve, përkrenarja dhe shpata e shtatores janë lyer me ngjyrë ari, veprim ky që është cilësuar si një provokim i hapur dhe fyes ndaj simbolikës kombëtare.

Shoqata “Trojet e Arbrit” ka reaguar menjëherë, duke e quajtur këtë akt si një “sulm të qëllimshëm dhe të shëmtuar ndaj figurës më të ndritur të historisë shqiptare”. Kryetari i shoqatës, Nue Oroshi, përmes një reagimi në Facebook, i ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të veprojnë urgjentisht për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët.

“Ky është një akt i papranueshëm, një provokim që prek jo vetëm figurën e Skënderbeut, por edhe dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare,” deklaroi Oroshi.

Ndërkohë, Policia Rajonale e Prizrenit njoftoi se ka nisur verifikimet në terren dhe se po bashkëpunon me Prokurorinë për hapat e mëtejmë. Sipas autoriteteve, zona ku ndodhet shtatorja është nën mbikëqyrjen e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Shtatorja e Skënderbeut, e vendosur në rrethrrotullimin e rrugës “Hasan Prishtina” në Prizren më 28 nëntor 2020, është një prej monumenteve më të rëndësishme të qytetit dhe bart vlera të thella historike dhe patriotike për gjithë shqiptarët.

Gjykata Komerciale e Kosovës pezullon vendimin e ZRrE-së për tregun e lirë të energjisë

Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), i cili parashihte kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Vendimi u bë i njohur nga avokatja Blinera Osmani, e cila njoftoi se më 29 korrik 2025, gjykata nxori aktgjykimin KA.nr.301/25, duke anuluar disa pika të vendimit të ZRrE-së dhe pezulluar zbatimin e tyre deri në një vendim përfundimtar.

Kjo do të thotë se bizneset që ishin në proces të daljes në tregun e lirë do të kthehen përsëri në tregun universal, ku furnizimi me energji bëhet me tarifa të rregulluara dhe të garantuara, siç ishte para 1 qershorit 2025.

Avokatja Osmani bëri thirrje që ZRrE dhe operatorët e tjerë të respektojnë menjëherë këtë vendim gjyqësor.

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl viziton djemtë e heroit të Kosovës

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka takuar Adri dhe Nuri Bugarin, djemtë e heroit të Kosovës, Abdullah Bugari, në kompaninë e tyre në Austri.

Gjatë takimit, ata diskutuan për sfidat dhe mundësitë në biznes, duke përfshirë digjitalizimin, mungesën e fuqisë punëtore dhe rëndësinë e një Europe të bashkuar dhe të fuqishme.

Adri Bugari e përshkroi takimin si një dialog frymëzues me një politikan që dëgjon dhe mbështet bizneset si i tyre. Ai falënderoi Mandlin për mbështetjen e tij.

Deri në fund të vitit, gjysma e refugjatëve me statusin S duhet të jenë të punësuar

Refugjatët nga Ukraina që gëzojnë statusin e mbrojtjes S në Zvicër do të duhet të përfshihen më shumë në tregun e punës. Deri në fund të vitit, synohet që çdo i dyti person me këtë status të jetë i punësuar. Megjithatë, kantonet janë në ritme të ndryshme  dhe rezultatet ndryshojnë ndjeshëm, transmeton albinfo.ch.

Çfarë është statusi S?

Ky status u aktivizua për herë të parë në mars të vitit 2022, si reagim ndaj luftës në Ukrainë. Ai u mundëson refugjatëve të punojnë menjëherë, të bashkojnë familjen, të udhëtojnë lirshëm dhe të fusin fëmijët në shkollë.

Faktorët që ndikojnë në integrimin në tregun e punës:

1. Situata ekonomike në kanton:

Kantonet me ekonomi të larmishme dhe me mundësi për punë të thjeshta kanë përparësi.

Shembull: Thurgau ka një rrjet të fortë ekonomik dhe është ndër më të mirët,  ka integruar tashmë 41% të personave të punësueshëm me status S.

2. Vendndodhja gjeografike:

Aargau, pavarësisht se ka numër të madh refugjatësh, ka një normë punësimi 43%, pjesërisht sepse shumë punëkërkues punësohen në kantone fqinj, si Zürich.

3. Organizimi i brendshëm i kantoneve:

Në kantonin Basel-Landschaft, integrimi është më i ngadalshëm (vetëm 31%) për shkak të strukturës së decentralizuar,  ku çdo komunë punon në mënyrë të pavarur. Kjo solli diferenca të mëdha nga një komunë në tjetrën.

Romandia mbetet prapa

Në Zvicrën frëngjishtfolëse, integrimi është më i ngadalshëm. Një nga arsyet është natyra shumë e specializuar e tregut të punës dhe konkurrenca me punëtorët ndërkufitarë.

E ardhmja e statusit S është e paqartë

Statusi S është i vlefshëm deri në vitin 2026, por pritet që Këshilli Federal ta zgjasë. Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me refugjatët nëse ky status hiqet.

Punonjësit e turizmit shprehin pakënaqësi për sezonin aktual

Çarshia e Ohrit këto ditë shfaqet me mbeturina kudo, përveç në bregun e liqenit. Të rinjtë nga e gjithë Maqedonia që kanë ardhur për koncertet e shumta në qytet, nuk tregojnë kujdes të mjaftueshëm ndaj pastërtisë, duke lënë pas mbetje ushqimesh dhe pije deri në orët e para të mëngjesit. Fundjava tjetër pritet të jetë kulminacioni i sezonit, për shkak të koncerteve të disa prej yjeve më të njohur muzikorë botërorë dhe ballkanikë, që do të sjellin një valë vizitorësh, raporton alsat transmeton albinfo.ch

Megjithatë, punonjësit në sektorin e turizmit shprehen të zhgënjyer, duke theksuar se sezoni është më i dobët krahasuar me vitet e kaluara, sidomos në muajt qershor dhe korrik.

“Së fundmi, frekuentimi i plazheve ka rënë ndjeshëm dhe tani Ohri po bëhet kryesisht një destinacion fundjavash. Gjatë fundjavave, kur organizohen evente, numri i vizitorëve arrin në 200-300, por në ditët e javës ai bie në vetëm 20-30 persona. Nuk dua të bëj vetëm krahasime me sezonin e kaluar, pasi që pas pandemisë në vitin 2021, kemi parë një ndryshim të rëndësishëm në modelin e vizitorëve,” tha Lubisha Arsiq, nga Ohri.

Situata aktuale lidhet kryesisht me fuqinë e ulët blerëse të turistëve dhe fushatat negative ndaj Ohrit. Edhe pronarët e anijeve turistike raportojnë për ulje të konsiderueshme të punës gjatë këtij viti.

“Jemi të pakënaqur, sepse numri i turistëve ka rënë që nga sezoni i kaluar për shkak të rritjes së çmimeve. Kemi pritur mbi 500,000 vizitorë, por çmimet e larta kanë frenuar turistët vendas dhe të huaj. Shumica e mysafirëve vijnë nga Serbia, Kroacia dhe vendet fqinje, por shumë prenotime janë anuluar kohët e fundit. Megjithatë, mbajmë shpresë për një sezon më të mirë,” tha Ahmed Bajraktar, varkëtar.

“Ky sezon është dukshëm më i dobët se ai i vitit të kaluar. Shpresojmë që numri i turistëve të rritet në javët në vijim. Disa ankesa lidhen edhe me çmimet, por presim që situata të përmirësohet shpejt,” shtoi Tashe Ristanoski, gjithashtu varkëtar.

Këtë verë ka pasur më shumë mysafirë nga Polonia, Holanda, Turqia, Anglia dhe Gjermania, ndërsa turmat në qytet përbëhen kryesisht nga qytetarët me apartamente në Ohër, numri i të cilëve kap shifrën mbi 20,000.

 

Zvicër: Pas kritikave po rinegociohet financimi i programeve të skriningut

Shumë kantone në Zvicër kanë programe të veçanta për skriningun e kancerit të gjirit për gratë mbi 50 vjeç. Por me hyrjen në fuqi të tarifave të reja në vitin 2026, këto programe janë në rrezik. Organizata Swiss Cancer Screening po zhvillon negociata me kompanitë e sigurimeve shëndetësore për të gjetur zgjidhje. Më poshtë janë pyetjet dhe përgjigjet kryesore nga redaktorja e brendshme e SRF, Noëmi Ackermann.

Pse u ul tarifa për skriningun e kancerit të gjirit?

Tarifa e re për mjekët në shërbimet ambulatore  e përbërë nga Tardoc dhe tarifat fikse  hyn në fuqi më 1 janar 2026. Kjo tarifë është rezultat i negociatave të gjata dhe synon forcimin e kujdesit parësor. Megjithatë, disa tarifa janë ulur, përfshirë edhe ato për mamografitë, çka po rrezikon vazhdimin e programeve ekzistuese të skriningut dhe ka shkaktuar kritika të shumta.

Cili është statusi i takimit të fundit?

Organizata Swiss Cancer Screening, që koordinon të gjitha programet e skriningut në Zvicër, është pjesë e takimit të sotëm. Marrin pjesë gjithashtu Prio Swiss (shoqata e siguruesve shëndetësorë) dhe përfaqësues të blerësve të shërbimeve mjekësore si Tarifsuisse, HSK dhe CSS. Detajet e negociatave mbeten konfidenciale për momentin. Prio Swiss deklaroi: “Negociatat do të marrin kohë dhe përfundimi i tyre do të bëhet publik; diskutimet ndërkohë mbeten të brendshme.”

Cilat janë opsionet e mundshme?

Shoqata Zvicerane e Mjekëve (FMH) thekson se tarifat e reja vlejnë vetëm për mamografitë jashtë programeve kantonale. Nëse këto tarifa nuk janë të qëndrueshme financiarisht, shoqatat profesionale mund të kërkojnë rishikim vjetor. Swiss Cancer Screening ka konsultuar organizatën e tarifave dhe planifikon të dorëzojë një kërkesë për kompensime shtesë. Ndërkohë, Prio Swiss sugjeron që radiologët të rinegociojnë kontratat e tyre me ligat e kancerit dhe kantonet.

 

Shefi i Komandës së Operacioneve viziton trupat zvicerane në Kosovë

Nga 30 korriku deri më 2 gusht 2025, Komandanti i Korpusit Laurent Michaud, Shefi i Komandës së Operacioneve, do të vizitojë personelin ushtarak zviceran të vendosur me SWISSCOY në Forcën e Kosovës (KFOR) dhe Forcën e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai do të shoqërohet nga Këshilltari Kombëtar Heinz Theiler (SZ), transmeton albinfo.ch.

Gjatë kësaj vizite në trupa, Shefi i Komandës së Operacioneve do të informohet rreth situatës aktuale të sigurisë në zonën operative dhe elementëve të ndryshëm të vendosur aktualisht, në veçanti oficerëve zviceranë të vendosur në shtabet ndërkombëtare të KFOR-it. Komandanti i Korpusit Laurent Michaud do të zhvillojë gjithashtu diskutime me ambasadorët zviceranë në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe me komandantët e KFOR-it dhe EUFOR-it, thuhet në një njoftim nga Ministria zvicerane e Mbrojtjes.

Shefi i Komandës së Operacioneve po shfrytëzon gjithashtu festimet e Ditës Kombëtare të Zvicrës për të falënderuar burrat dhe gratë e të dy kontingjenteve që po ofrojnë vullnetarisht misionet e tyre për kontributin e tyre të rëndësishëm dhe mbështetës për sigurinë dhe paqen në Ballkan dhe Evropë.

Përshëndetja politike do të mbahet nga Këshilltari Kombëtar Heinz Theiler.

Nga njëra anë, këto misione jashtë vendit kontribuojnë në sigurinë brenda kornizës së KFOR-it dhe EUFOR-it, dhe nga ana tjetër, ato u mundësojnë Forcave të Armatosura Zvicerane të aplikojnë procese dhe pajisje në një mjedis operativ, duke forcuar ndjeshëm ndërveprimin e trupave dhe personelit të tyre, përcjell albinfo.ch. Si rezultat, kjo i mundëson Ushtrisë të fitojë përvojë të paçmuar për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të saj.

Biletat e avionëve po shtrenjtohen: Inteligjenca artificiale vendos çmimin sipas profilit të udhëtarit

Çmimet e biletave të avionëve pritet të rriten ndjeshëm, pasi kompania amerikane Delta Air Lines ka nisur përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) për të përcaktuar çmimet në mënyrë individuale për çdo udhëtar.

Sistemi i ri analizon të dhënat personale të udhëtarëve,  përfshirë të ardhurat, zakonet e shpenzimit dhe qëllimin e udhëtimit – për të llogaritur se sa është dikush i gatshëm të paguajë për një biletë. Deri në fund të vitit, 20% e biletave do të kenë çmime të personalizuara për secilin klient.

Sipas ekspertes së etikës dixhitale, Sarah Spiekermann, ky është një zhvillim shqetësues:

“Nëse dikush udhëton për arsye personale të rëndësishme, si për të takuar partnerin apo familjen, IA e identifikon këtë dhe ngre çmimin sepse dihet që ai person do ta blejë gjithsesi biletën.”

Ekspertja shton se konsumatorët nuk kanë asnjë mënyrë reale për t’u mbrojtur, pasi identifikohen përmes gjurmëve dixhitale, edhe kur përdorin mënyra të ndryshme për të shmangur ndjekjen online.

Ky model i ri çmimesh shihet si ekonomikisht i leverdishëm për kompanitë, por etikisht i padrejtë për konsumatorët, sidomos për ata me të ardhura të ulëta që udhëtojnë nga nevoja dhe jo për luks.

Me biçikletë nga Zvicra në Çegran: Mërgimtari Senad Mamudi përshkon mijëra kilometra për të vizituar vendlindjen

Një histori e pazakontë vjen nga diaspora shqiptare: Senad Mamudi, 38-vjeçar me origjinë nga fshati Çegran i Gostivarit, ka përfunduar një udhëtim të gjatë dhe sfidues me biçikletë nga Zvicra në Maqedoninë e Veriut, transmeton albinfo.ch.

I nisur nga qyteti Wald në Zvicër, ku jeton dhe punon prej vitesh, Mamudi përshkoi mbi 1,400 kilometra përmes disa shteteve evropiane, duke mbërritur në fshatin e tij të lindjes pas tetë ditësh udhëtim intensiv. Gjatë gjithë rrugëtimit, ai përballoi temperatura të larta, terrene të ndryshme dhe lodhje të vazhdueshme,  të gjitha për një qëllim simbolik: të arrinte në vendlindje me biçikletë, si një formë e veçantë përkushtimi ndaj origjinës.

“Ky udhëtim ishte një sfidë fizike, por mbi të gjitha emocionale. Ishte mënyra ime për t’i treguar vetes dhe të tjerëve se dashuria për vendlindjen nuk njeh kufij,” deklaroi Mamudi pas mbërritjes në Çegran.

Senadi u prit ngrohtësisht nga familja dhe banorët e fshatit, të cilët e vlerësuan iniciativën e tij si një akt të rrallë dashurie dhe përkushtimi ndaj vendit të origjinës. Ai shpreson që udhëtimi i tij të frymëzojë edhe të rinjtë e tjerë në diasporë që të ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre kulturore, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, kjo histori ka tërhequr vëmendjen brenda dhe jashtë vendit, duke u shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale si shembull frymëzues i lidhjes shpirtërore me atdheun.

 

Pesëmbëdhjetë vende perëndimore bëjnë thirrje për njohjen e Palestinës

Franca dhe 14 vende të tjera, përfshirë Kanadanë dhe Australinë, i bënë thirrje vendeve të botës të shprehin vullnetin për të njohur shtetin e Palestinës, deklaroi të mërkurën ministri francez i Punëve të Jashtme.

“Në Nju Jork, së bashku me 14 vende të tjera, Franca nisi një thirrje kolektive: shprehim dëshirën për të njohur shtetin e Palestinës dhe i ftojmë ata që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen nismës”, shkroi Jean-Noël Barrot në rrjetin X, një ditë pas kësaj “Thirrjeje të Nju Jorkut”, e cila u bë në përfundim të një konference ministrore në OKB për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Përveç Francës, dy anëtarë të G20, Kanadaja dhe Australia, janë pjesë e thirrjes. Shtetet e tjera nënshkruese janë: Andorra, Finlanda, Islanda, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Zelanda e Re, Norvegjia, Portugalia, San Marino, Sllovenia dhe Spanja.

 

Raporti: Çmimet e banesave në Zvicër vazhdojnë të rriten

Zvicra po përjeton një rritje të vazhdueshme të çmimeve të banesave, duke thelluar më tej sfidat për blerësit potencialë dhe familjet që kërkojnë strehim të përballueshëm. Sipas të dhënave më të fundit nga Zyra Federale e Statistikave, në tremujorin e dytë të vitit 2025, çmimi i pronësisë rezidenciale u rrit me 1.9 për qind krahasuar me tremujorin e parë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, inflacioni vjetor në sektorin e banesave ka arritur në 5 për qind, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Segmenti i shtëpive njëfamiljare shënoi një rritje më të moderuar prej 1.5 për qind, por në zonat rurale kjo rritje ishte më e theksuar, duke arritur në 3.4 për qind. Ndërkohë, çmimet e apartamenteve janë rritur në të gjitha llojet e komuniteteve, me një rritje prej 3 për qind në zonat rurale dhe 2.2 për qind në përgjithësi.

Kompania e vlerësimit të pasurive të paluajtshme Realadvisor publikoi gjithashtu statistika të reja që konfirmojnë këtë trend. Sipas tyre, apartamentet janë shtrenjtuar me 1.2 për qind, ndërsa shtëpitë njëfamiljare me 1 për qind. Këto rritje i atribuohen kryesisht normave të ulëta të interesit për kreditë hipotekare.

Në aspektin rajonal, qytetet që kanë përjetuar rritjet më të mëdha të çmimeve janë Zug dhe Lucern, me një rritje prej 2.4 për qind në segmentin e apartamenteve, të ndjekura nga Sion me 2 për qind. Për shtëpitë, Sion kryeson me një rritje prej 2.3 për qind, ndërsa Zug dhe Lausanne regjistrojnë rritje prej 1.6 për qind.

Megjithatë, sfida më e madhe për tregun e banesave mbetet mungesa e ofertës. Sipas Realadvisor, numri i lejeve të ndërtimit ka rënë me 13 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e parë. Ky hendek mes ofertës dhe kërkesës po thellohet, duke intensifikuar më tej presionin mbi çmimet në afat të shkurtër dhe të mesëm, raporton albinfo.ch.

Thatësirë rekord në Evropë, 52% e tokave të prekura në fillim të korrikut

Më shumë se 52% e tokave në Evropë dhe rajonin e Mesdheut ishin të prekura nga thatësira në fillim të korrikut, sipas të dhënave më të fundit nga Observatori Evropian i Thatësirës (EDO). Kjo përfaqëson shkallën më të lartë të thatësirës të regjistruar për periudhën 1-10 korrik që nga fillimi i vëzhgimeve në vitin 2012, duke kaluar me 21 pikë përqindjeje mesataren e viteve 2012–2024, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, niveli i thatësirës ka shënuar një ulje të lehtë krahasuar me fundin e qershorit, kur u arrit rekordi absolut me 55.5% të territorit të Evropës dhe brigjeve të Mesdheut të prekur.

Treguesi i thatësirës i bazuar në satelit i Observatorit Evropian të Kopernikut kombinon reshjet, lagështinë e tokës dhe gjendjen e bimësisë, dhe ndahet në tre nivele: monitorim, paralajmërim dhe alarm.

Evropa Lindore është zona më e goditur. Në Kosovë, Serbi dhe Bullgari, gati 100% e tokës është prekur nga thatësira, ndërsa mbi një e treta ndodhet në nivel alarmi. Në Bullgari, ndërprerjet e furnizimit me ujë kanë prekur mbi 156,000 persona deri në mesin e korrikut, për shkak të mungesës së theksuar të burimeve ujore, transmeton albinfo.ch.

Në Hungari, pothuajse gjysma e territorit (47%) ishte në nivel paralajmërimi në fillim të korrikut, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 21% në fund të qershorit.

Në Evropën Perëndimore, situata paraqitet më e përzier. Në Mbretërinë e Bashkuar, 18% e tokave ndodhen në paralajmërim, një rritje prej më shumë se 6 pikë përqindjeje nga fundi i qershorit. Në Francë, 12% e territorit, kryesisht në pjesën perëndimore, është gjithashtu në nivel paralajmërimi, ndërsa dy të tretat e tokave franceze ndihen të prekur nga thatësira.

Në anën tjetër, Spanja dhe Portugalia kanë mbetur relativisht të paprekura nga thatësira, me përqindje shumë të ulëta prej 6% dhe 1%.

Në Mesdheun Lindor, thatësira mbetet shqetësuese, sidomos në Armeni, ku janë prekur 95% e tokave. Në Turqi, ku 77% e territorit po përballet me thatësirë, era e fortë ka shkaktuar dhjetëra zjarre që kanë dëmtuar sipërfaqe të mëdha, transmeton albinfo.ch.

Spanja destinacioni më i popullarizuar për pasagjerët e Swiss në 2024

Spanja rezultoi destinacioni më i preferuar i pasagjerëve të Swiss Air në vitin 2024, me 3.1 milion nisje nga aeroportet e Zvicrës, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO). Në vend të dytë renditet Britania e Madhe me 2.89 milion pasagjerë të nisur, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Në vijim janë destinacionet e tjera më të njohura ajrore në mesin e pasagjerëve zviceranë: Gjermania me 1.5 milion, Portugalia 1.49 milion, Franca 1.36 milion dhe Italia 1.35 milion. Në total, 79% e fluturimeve drejt dhe nga Zvicra ishin drejt vendeve evropiane.

FSO vë në dukje se aeroporti i nisjes ka ndikim të madh në zgjedhjen e destinacionit. Për shembull, nga Cyrihu fluturuan katër herë më shumë pasagjerë drejt Gjermanisë sesa drejt Francës, ndërsa nga Gjeneva tendenca ishte e kundërt.

Sa i përket destinacioneve jashtë Evropës, 8% e pasagjerëve udhëtuan drejt Azisë, një përqindje e barabartë drejt Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Jugore, 5% drejt Afrikës dhe 0.4% drejt Oqeanisë, transmeton albinfo.ch.

Korriku mbetet muaji më i ngarkuar me 2.6 milion nisje, ndërsa janari dhe nëntori regjistrojnë më pak fluturime, me rreth 1.5 milion pasagjerë secili.

Sipas FSO-së, destinacione dimërore si Cape Town në Afrikën e Jugut dhe Phuket në Tajlandë janë veçanërisht të kërkuara gjatë dimrit, ndërsa ishujt mesdhetarë si Majorka në Spanjë dhe Kreta në Greqi janë më të preferuar nga prilli deri në tetor.

Në total, në vitin 2024, 24 milion pasagjerë nisën fluturimin nga aeroportet zvicerane, pak më pak se rekordi prej 25 milionësh të vitit 2019, para pandemisë Covid-19, transmeton albinfo.ch

Në orët e para të ditës, Cyrihu u shkund nga tërmeti

Një tërmet me magnitudë rreth 3.1 ballë sipas shkallës Rihter goditi zonën pranë Affoltern am Albis në kantonin e Cyrihut të mërkurën në orët e para të mëngjesit, njoftoi Shërbimi Sizmologjik Zviceran (SED) i ETH Zurich, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Tërmeti ndodhi në orën 3:42 të mëngjesit dhe, sipas SED, dridhja mund të jetë ndjerë me forcë pranë epiqendrës së tij. Megjithatë, pritet që dëmet të jenë minimale, pasi një tërmet me këtë magnitudë zakonisht nuk shkakton dëme serioze.

Në Zvicër dhe rajonet përreth regjistrohen mesatarisht tre deri në katër tërmete në ditë, ose rreth 1,000 deri në 1,500 dridhje në vit. Vetëm të hënën e kaluar, një tërmet tjetër me magnitudë 3 ballë u ndje pranë Rheinfelden. Rreth 10 deri në 20 tërmete me magnitudë prej 2.5 ballë e më shumë ndihen çdo vit nga popullsia në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Brienz: 25 familje shqyrtojnë largimin për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut

Njëzet e pesë familje nga fshati malor Brienz (kantoni Graubünden) po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së përhershme, pas rrezikut të vazhdueshëm nga një rrëshqitje e madhe dheu që ka kërcënuar zonën që nga nëntori i kaluar. Kjo lëvizje mund të përbëjë zhvendosjen parandaluese më të madhe ndonjëherë të ndërmarrë në Zvicër për shkak të një fatkeqësie natyrore ende të pandodhur, raporton albinfo.ch.

Rreth 1.2 milionë metra kub shkëmb kërcënojnë fshatin, i cili mbetet i evakuuar që prej nëntorit 2024. Deri më tani, banorët lejohen të hyjnë në shtëpitë e tyre vetëm në orare të kufizuara ditore dhe nën masa të rrepta sigurie.

Sipas Roland Tremp, kryetar i grupit të punës për zhvendosjen, gjithnjë e më shumë banorë po heqin dorë nga shpresa për rikthim dhe po kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme jashtë Brienzit. Por procesi i zhvendosjes është i ndërlikuar: ligji aktual kërkon që për të marrë ndihmë financiare nga shteti, shtëpitë ekzistuese duhet më parë të shemben  një kusht që banorët e konsiderojnë “drastik” dhe emocionalisht të rëndë.

Në mungesë të dëmeve aktuale fizike nga rrëshqitja, ndihma financiare konsiderohet masë parandaluese dhe nuk jepet paraprakisht. Për të kapërcyer këtë pengesë, autoritetet kantonale të Graubünden kanë ofruar një kredi ndërmjetëse që do t’u mundësojë familjeve të planifikojnë ndërtimin ose zhvendosjen para shembjes së shtëpive të tyre, raporton albinfo.ch.

Banorët kanë afat deri më 30 shtator për të dorëzuar kërkesën për strehim të ri. Tremp thekson se vendimet individuale do të kenë ndikim të madh edhe në planifikimin urban dhe infrastrukturor: “Nëse largohen 25 familje, impakti është krejtësisht ndryshe sesa nëse mbeten vetëm pesë”.

Zhvendosja e mundshme do të transformojë tërësisht Brienzin  jo vetëm në pamje, por edhe në funksionalitet. Rrjetet e ujit, kanalizimeve, rrugëve dhe energjisë janë të dizajnuara për një komunitet më të madh dhe kërkojnë investime të konsiderueshme që vënë në vështirësi një komunë kaq të vogël.

Një ndërtesë që me gjasë do t’i mbijetojë kësaj situate është kisha e fshatit, e ndërtuar në vitin 1519 dhe e mbrojtur si trashëgimi kulturore. Nëse Brienz braktiset përfundimisht, kisha mund të mbetet simboli i vetëm i fshatit të dikurshëm.

Sipas Tremp, përvoja e Brienzit mund të shërbejë si model për komunat e tjera që mund të përballen me rreziqe të ngjashme natyrore në të ardhmen. Por për rreth 80 banorët e evakuuar, përparësi mbeten siguria, strehimi dhe e ardhmja e familjeve të tyre, raporton albinfo.ch.