Historian dhe kolonel, kush është këshilltari i ri federal Martin Pfister?

Këshilltari Shtetëror i Zugut për Shëndetësinë, Martin Pfister, u zgjodh të mërkurën në Këshillin Federal, duke pasuar Viola Amherd. I njohur pak në Bernë, ky historian u përpoq të bëjë përshtypje përmes përvojës së tij si drejtues kantonal, prejardhjes së tij dhe gradës së kolonelit në ushtri.

Ai kishte shpallur kandidaturën e tij vetëm pak orë para afatit të caktuar nga Qendra. Ndërsa të gjithë e njohin adashin e tij, Gerhard Pfister, kryetarin e partisë, Martin Pfister konsiderohej një “i panjohur i madh”. Kështu u prezantua për mediat kandidati kryesor duke aluduar edhe për shtatin e tij të gjatë.

I martuar, baba i katër fëmijëve të rritur dhe gjysh i katër nipërve, Martin Pfister është 61 vjeç. Pas studimeve në Universitetin e Freiburgut, ky historian dhe gjermanist dha mësim atje, si dhe në shkollën e detyrueshme, përpara se të drejtonte organizatat ombrellë ekonomike, më pas të këshillonte OJQ-të si konsulent i pavarur.

Në kohën e tij të lirë, banori i Zug-it kënaqet me vrapim, ecje, lexim dhe vizita në vende kulturore. Leximi është veçanërisht i rëndësishëm për të: “Edhe një këshilltar federal duhet të jetë në gjendje të lexojë një libër” jashtë ngarkesës së tij të punës, këmbëngul ai.

Që kur mori detyrën, Martin Pfister ka folur shpesh për formimin e tij ushtarak si kolonel, edhe pse pasardhësi i Viola Amherd ka të ngjarë të marrë përsipër departamentin e saj të mbrojtjes (DDPS). Midis 2004 dhe 2012, ai komandoi një batalion shpëtimi në kantonet Zug, Uri, Schwyz, Graubünden dhe Ticino.

Kandidati kërkon më shumë burime për ushtrinë, pasi trupat nuk janë të pajisura mjaftueshëm. Ai gjithashtu dëshiron të shfrytëzojë më tej bashkëpunimin e Zvicrës me NATO-n pa anëtarësimin e Konfederatës.

Një aspekt tjetër që mund ta ketë ndihmuar atë në fushatën e tij: Zvicra Qendrore nuk ka pasur një përfaqësues në Këshillin Federal që nga Kaspar Villiger (FDP) i Lucernit, i cili u largua nga ekzekutivi në vitin 2003. Kantoni i Zugut, nga ana e tij, u përfaqësua për herë të fundit atje midis 1974 dhe 1982, nëpërmjet demokristianit Hans Hürliman.

Megjithatë, zgjedhja e një kandidati pa përvojë parlamentare në Këshillin Federal në Bernë është një dukuri e rrallë. Hera e fundit ishte në fund të vitit 2007, kur Eveline Widmer-Schlumpf u zgjodh në detyrën kryesore, duke zëvendësuar Christoph Blocher, i cili u rrëzua nga Parlamenti pas vetëm një mandati. Socialisti Beat Jans ishte Këshilltar Shtetëror në kohën e zgjedhjes së tij vitin e kaluar, por ai kishte mbajtur më parë një vend në Bernë.

Martin Pfister, i cili ka shërbyer si Ministër i Shëndetësisë për nëntë vjet në kantonin Zug, u rizgjodh në 2018 dhe 2022, duke marrë votën më të lartë nga pesë këshilltarët shtetërorë të Zug. Nga e majta në të djathtë, deputetët e Zug vlerësojnë shpirtin e tij punëtor dhe mjeshtërinë e çështjeve. Ai vlerësohet gjithashtu me aftësitë e tij të shkëlqyera të dëgjimit, efikasitetin dhe trajtimin e suksesshëm të pandemisë, duke frymëzuar besim në mes të një faze polarizuese./RTS

BE njofton kundërmasa ndaj tarifave doganore të SHBA

BE ka njoftuar një përgjigje të qartë ndaj tarifave doganore të SHBA për çelikun dhe aluminin që hynë në fuqi sot. Si hap i parë, dogana shtesë do të vendosen për importet e produkteve amerikane si uiski, motoçikleta, varka, xhinse dhe gjalpë kikiriku duke filluar nga prilli.

Këtë e bëri të ditur Komisioni Evropian në Bruksel. Kundërmasat e reja do të pasojnë nga mesi i prillit, pas konsultimit me shtetet anëtare të BE. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi: “Bashkimi Evropian duhet të veprojë për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset.” Kundërmasat që po ndërmerren janë të forta, por proporcionale.”

Politikania gjermane e kritikoi ashpër vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa doganore. “Këto tarifa prishin zinxhirët e furnizimit. Ato krijojnë pasiguri për ekonominë. Vendet e punës janë në rrezik. Çmimet do të rriten – në Evropë dhe në SHBA,” tha ajo.

Ursula von der Leyen theksoi gjithashtu se mbetet e gatshme të punojë me qeverinë amerikane për një zgjidhje të negociuar. “Ne besojmë fuqishëm se, në një botë të mbushur me pasiguri gjeopolitike dhe ekonomike, nuk është në interesin tonë të përbashkët të ngarkojmë ekonomitë tona me tarifa doganore”, deklaroi ajo. Ajo kishte udhëzuar Komisionerin e tregtisë Maroš Šefčovich që të rifillonte bisedimet me SHBA për të gjetur zgjidhje më të mira.

Tarifat e reja doganore shtesë të planifikuara të BE për produktet e SHBA fillimisht do t’u nënshtrohen konsultimeve me grupet e interesit. Shtetet anëtare do të ftohen më pas të miratojnë masat e propozuara. Masat pritet të hyjnë në fuqi më 13 prill.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte urdhëruar vendosjen e tarifave doganre prej 25% për importet e çelikut dhe aluminit. Sipas Komisionit Evropian, këto tarifa do të ndikojnë në eksportet e BE që arrijnë në 26 miliardë euro, që korrespondon me rreth pesë përqind të vëllimit total të eksporteve të mallrave të BE në SHBA.

“Bazuar në rrjedhat aktuale të importit kjo do të bëjë që importuesit nga SHBA të paguajnë deri gjashtë miliardë euro tarifa doganore shtesë”, u bë e ditur

SHBA e importojnë pjesën më të madhe të çelikut dhe aluminit nga Kanadaja. Trumpi fillimisht kishte deklaruar dje se tarifat ndaj Kanadasë do të dyfishoheshin në 50 për qind, por e tërhoqi këtë deklaratë vetëm disa orë më vonë. Në këmbim, qeveria kanadeze ndryshoi vendimin e saj për të rritur çmimin e eksporteve të energjisë elektrike në SHBA me 25%./DW

Maqedonci: Kemi konfirmim që ushtria amerikane do të vazhdojë praninë në kuadër të KFOR-it

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në konferencën për media, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci u pyet edhe për mundësinë e një reduktimi eventual të pranisë ushtarake të SHBA-së në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Maqedonci tha se Kosova vazhdon të ketë konfirmimin që ushtria amerikane do të jetë në kuadër të KFOR-it.

“Përveç prezencës ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it ne jemi të interesuar dhe po vazhdojmë që të diskutojmë me SHBA-në për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it, pra në aspektin bilaterial, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me FSK-në në Kosovë”, tha ai, duke përmendur këtu trajnime dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave për, siç tha, qëllimet e përbashkëta strategjike.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Uashingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Nga afër 100.000 trupa amerikane në Evropë, 600 prej tyre janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë./REL

Liberalizimi i tregut të energjisë: Bizneset përballen me rritje të kostos

Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Si pjesë e Ligjit për energjinë elektrike, kjo masë nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike.

Përfaqësuesit e tyre, por edhe afaristët paralajmërojnë se ky tranzicion, mund të shkaktojë çrregullime ekonomike dhe rritje të çmimeve të produkteve.

“Në momentin që neve na qesin nga furnizimi i rregullt në furnizim të parregulluar, unë besoj se rryma do të jetë mbi 70 për qind më shtrenjtë se aktualisht”, thotë Alajdin Fusha, përfaqësues i kompanisë “ABI SHPK”.

Kjo kompani, me bazë në Prizren, ka nën ombrellën e vet 13 kompani të ndryshme, që ofrojnë produkte ushqimore dhe shërbime të tjera, dhe punëson rreth 600 punëtorë.

Aktualisht, ajo paguan mbi 65 mijë euro në vit për faturat e energjisë së shpenzuar. Kostoja i është përgjysmuar që nga viti 2021, për shkak të investimeve në panele diellore.

Fusha thotë se me liberalizimin e tregut të energjisë, çmimi për kilovat nuk mund të pritet nën 15 centë, nga rreth 7 centë sa paguan kompania tash për tash.

Kjo, sipas tij, me doemos do të reflektojë edhe në koston e produkteve dhe shërbimeve.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.

Operatori për Furnizim me Energji – KESCO është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë.

Çmimin e produkteve të tij e përcakton ZRRE-ja.

Sipas ZRRE-së, në Kosovë janë të licencuara edhe 18 kompani të tjera.

“Ato mund të kryejnë aktivitetin e furnizimit dhe tregtimit me shumicë të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e këtij rregullatori për Radion Evropa e Lirë, por nuk specifikohet më shumë rreth tyre.

KESCO, në një njoftim të publikuar më 5 mars, bëri të ditur se me kërkesë të ZRRE-së, kompanitë komerciale me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet të zgjedhin furnizuesin me rrymë brenda 15 ditësh, pasi, nga data 1 qershor, nuk do të jenë më në listën e konsumatorëve me tarifa të rregulluara.

Ato do të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, thotë se ky ndryshim në furnizim, do të ketë pasoja të rënda për bizneset e mëdha, të cilat janë kryesisht prodhuese.

Sipas tij, çmimi i rrymës as tash nuk është i lirë.

“Dhe, shtrenjtimi i radhës do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendor. Gjithashtu, mund ta dëmtojë edhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë, bizneset aktive sipas numrit të punëtoreve ndahen në mikro, që kanë të punësuar nga 1 deri në 9 punëtorë; të vogla me nga 10 deri në 49 punëtorë; të mesme me nga 50 deri në 249 punëtorë dhe të mëdha me mbi 250 punëtorë.

Numri i dy kategorive të fundit arrin në rreth 17.300, sipas OEK-ut.

Rafuna thotë se OEK-u është interesuar për kompanitë tjera që përmend ZRRE-ja për furnizim, por, sipas tij, ato nuk funksionojnë si furnizues të rregullt.

“Institucionet nuk kanë krijuar kushte për një treg të hapur dhe konkurrues. Bizneset detyrohen të dalin në tregun e lirë, por pa pasur mundësi të negociojnë për një çmim më të lirë dhe energji më cilësore. Kjo mund të krijojë monopol nga KESCO-ja, e cila do t’i diktojë çmimet”, thotë Rafuna.

Ngjashëm shprehet edhe afaristi Fusha.

“Pas njoftimit të KESCO-s, jam interesuar për këtë çështje, por nuk ka kompani tjera që garantojnë ofertë të qëndrueshme. Në fund, sërish do të furnizohemi nga KESCO-ja, por me çmime shumë më të larta”, sipas tij.

Radio Evropa e Lirë pyeti KESCO-n se sa do të jenë çmimet për bizneset që hyjnë në tregun e liberalizuar dhe vazhdojnë të mbeten kliente të saj, por nuk mori përgjigje.

Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Arben Gjukaj, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë se një alternativë tjetër për furnizim me energji elektrike është që vetë kompanitë të pajisen me licenca për furnizim.

“Një kompani mund të aplikojë për licencë pranë ZRRE-së dhe, pasi t’i përmbushë kriteret teknike, mund të blejë energji nga tregu i brendshëm ose jashtë vendit. Po ashtu, mund të lidhë marrëveshje me kompani që prodhojnë energji nga burimet alternative, si panelet diellore”, shpjegon Gjukaj për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, 85 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë varet nga prodhimi i thëngjillit në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe rreth 20 për qind prodhohet nga burime të ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

Në përqindjen e fundit hyjnë edhe disa biznese që kanë investuar në burime të tilla, për t’i ulur kostot e energjisë.

Nga ZRRE-ja thonë se liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë qysh me Ligjin për energjinë elektrike, të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i të cilit është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Duke shpjeguar këtë ligj, ZRRE-ja thotë se të drejtën e furnizimit me shërbime të rregulluara, “e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë, që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se dhjetë milionë euro, ose jo më shumë së 50 punonjës”.

Realizimi i këtij procesi është shtyrë deri në mars të vitit 2021, me kërkesë të përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, të cilët, siç kujton Rafuna, kanë kërkuar të mos realizohet pa u krijuar kushtet e duhura.

Më pas, në vitin 2021, kur ka qenë edhe kulmi i pandemisë COVID-19, ZRRE-ja ka vlerësuar se nuk është koha e duhur që bizneset t’i nënshtrohen liberalizimit të tregut të energjisë, meqë shumë prej tyre ishin prekur nga kufizimet që kishte shkaktuar pandemia.

Tani, katër vjet më vonë, Rafuna dhe Fusha kërkojnë nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë sërish fillimin e këtij procesi, derisa të këtë më shumë furnizues me energji në treg dhe të krijohen mekanizma mbrojtës për kompanitë, në mënyrë që ato të mos detyrohen të paguajnë, siç shprehen, çmime të padrejta.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Qeverinë, edhe ZRRE-në se cilat janë gjasat që të shqyrtohet kjo kërkesë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria nuk u përgjigj, ndërsa ZRRE-ja theksoi se “liberalizimi i tregut energjetik është kërkesë ligjore” dhe nuk tregoi nëse mund të shqyrtohet kërkesa ose jo.

Ky institucion tha se ka licencuar kompani të mjaftueshme për furnizim me energji, ndërsa sa u përket mekanizmave mbrojtës, theksoi se do t’i monitorojë vetë marrëveshjet mes bizneseve dhe kompanive furnizuese.

“ZRRE-ja mund të ndërhyjë nëse ndodhin praktika të padrejta, siç është abuzimi me pozita dominuese nga furnizuesit”, thuhet në përgjigjen e rregullatorit për Radion Evropa e Lirë./REL

Dy xhudistët e Kosovës ngrihen në ranglistën botërore

Pas medaljeve që i fituan në Grand Prix në Austri, xhudistet Distria Krasniqi e Laura Fazliu janë ngritur në ranglistën botërore, përcjell albinfo.ch.

Distria është e dyta në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa ishte e treta. Kampionia olimpike, Diyora Keldiyorova e Uzbekistanit është e para.

Ndërkohë Laura Fazliu është ngritur prej pozitës së katërt në të tretën në kategorinë deri 63 kilogramë. Holandezja Joanne Van Lieshout dhe sllovenja Andreja Leshki janë më lart se Laura. Ajo e ka kaluar legjendën franceze, Clarisse Agbegnenou.

Ambasadori i BE-së: Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, vlerëson se dialogu Kosovë – Serbi i lehtësuar nga BE-ja mbetet rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm.

“Përballë sfidave gjeopolitike, qëndrimi në rrugën drejt BE-së është vendimtare. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm”, ka shkruar Orav në platformën “X”,përcjell albinfo.ch.

Rutte vizitoi Kosovën të martën dhe u takua me krerët e shtetit. Ai në konferencë për media tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise.

Zvicra të enjten publikon listën pa kapitenin Xhaka

Përzgjedhësi i Zvicrës në futboll, Murat Yakin, të enjten nga ora 14:00, do ta bëjë publike listën prej 26 lojtarësh për ndeshjet miqësore të këtij muaji, përcjell albinfo.ch.

Por Zvicrës për këto dy miqësore do t’i mungojë kapiteni Granit Xhaka si dhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Manuel Akanji. Xhaka ka marrë leje nga Yakin, pasi ylli i Leverkusenit dhe gruaja e tij Leonita janë gati të bëhen prindër për herë të tretë.

“Ka gjasa që Ardon Jashari të zë vendin e Xhakës në ndeshjet miqësore. I riu ka shkëlqyer me paraqitje me Bruggen. Për shkak të mënyrës së lojës, ai konsiderohet pasardhës i Xhakës si dhe lider i Zvicrës”, shkruan “bluewin.ch”.

Vlerësohet bashkëpunimi dixhital mes Francës dhe Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama në aktivitetin e javës franko-shqiptare për Inteligjencën Artificiale, Green AI, vlerësoj forcimin e bashkëpunimit dixhital mes Francës dhe Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri theksoi se “në këtë moment vendimtar për botën, Evropën dhe Shqipërinë, ndihemi shumë të inkurajuar që po e ndjekim këtë rrugëtim së bashku me Francën”. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ai vlerësoi se do të merren ide nga pala franceze për të avancuar inovacionin në vend.

“Krenar për atë që kemi bërë deri tani por teknologjia e re dhe mjetet e saj janë një bekim i madh i vendeve më pak të zhvilluara apo atyre në zhvillim sepse mund të na japin instrumentet për të bërë kapërcime të jashtëzakonshme para”, tha Rama.

“Reformimi i administratës publike, shndërrimi i të gjitha proceseve të ndërveprimit me shtetasit që në epokën pa teknologji do të ishin ndryshe dhe do të kishin kërkuar shekuj. Rrugëtimi ynë zë fill praktikisht nga zero kapacitete”, theksoi ai.

Ndërkohë, Rama tha se “sot kemi krijuar një platformë e cila në fakt ka hequr të gjitha zyrat e pritjes së kontaktit me qytetarët shqiptarë”.

“Qytetarët shqiptarë nuk kanë më pse të rrinë radhëve dhe të humbasin një sasi të jashtëzakonshme kohe, energjie por edhe bakshishi, për të marrë një leje, një licencë apo dokument që vërtetojnë nëse janë gjallë. Çdo gjë tani është në internet, numri i përdoruesve është i jashtëzakonshëm sepse shkon shumë përtej numrit të banorëve”, theksoi Rama.

Ky do të jetë stadiumi më i madh në botë

Manchester Unitedi ka zbuluar të martën planet për të ndërtuar stadiumin më të madh të futbollit në botë, përcjell albinfo.ch.

Arena me 100 mijë vende do ta kalonte “Wembleyn” si arena më të madhe në Mbretërinë e Bashkuar. 20 herë kampioni i Anglisë tha se do ta ndërtonte stadiumin në afërsi të stadiumit ikonik “Old Trafford”. Është raportuar se kështu Unitedi nuk do të ketë nevojë të zhvendoset diku tjetër gjatë procesit të ndërtimit të stadiumit të ri.

“Stadiumi aktual na ka shërbyer shkëlqyeshëm për 115 vjet, por ka mbetur prapa arenave më të mira në sportin botëror”, ka thënë njëri prej pronarëve Jim Ratcliffe.

“Duke ndërtuar pranë zonës ekzistuese, ne do të jemi në gjendje të ruajmë thelbin e Old Trafford, ndërsa krijojmë një stadium vërtetë të avancuar, që transformon përvojën e tifozëve tanë vetëm pak hapa larg nga shtëpia jonë historike”, ka shtuar Ratcliffe.

Unitedi nuk ka treguar se sa do të kushtojë stadiumi dhe se kur do të përfundojë ai. Arkitekti Norman Foster megjithatë ka treguar se punët do të zgjasin pesë vjet.

Miliarderi Ratcliffe pagoi 1,3 milioardë dollarë për 25 për qind të aksioneve të klubit vitin e kaluar, ndërsa ndërtimin e stadiumit të ri e ka prej prioriteteve.

Mundësia e rindërtimit të stadiumit aktual u shqyrtua, por është vendosur për stadium plotësisht të ri.

“Sot shënojmë fillimin e një udhëtimi tepër emocionues drejt ofrimit të atij që do të jetë stadiumi më i madh i futbollit në botë”, ka vazhduar Ratcliffe.

Të gjitha vendimet që Qeveria mori në mbledhjen e sotme

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka miratuar disa nisma.

Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Kornizë për bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Departamenti i Mbrojtjes.

Me këtë marrëveshje Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëria strategjike, si dhe ngritja e kapaciteteve strategjike ushtarake.

Po ashtu, ka emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Kryeinspektor Shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor me këtë përbërje:

Dr. Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Kryesues;
Dr. Ardita Baraku, Drejtore Ekzekutive në IKShPKS, anëtare;
Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, anëtar;
Haki Smajli, Udhëheqës i Divizionit të Burimeve Njerëzore në MSh, anëtar;

Rrahman Zahiti, ekspert i jashtëm, anëtar.

Gjithashtu ka miratuar Rregulloren për organizim të Brendshëm dhe Funksionimin e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në Zyrën e Kryeministrit.

Qeveria sot ka emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale me këtë përbërje:

Venera Çerkini, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kryesuese;
Fahrije Tërnava, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtare;
Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, anëtar;
Haki Smajli, zv. Udhëheqës i Divizioinit të Burimeve Njerëzore në Ministri të Shëndetësisë, anëtar;
Rrahman Zahiti, ekspert i jashtëm, anëtar.

Qeveria sot ka miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit: “Programi për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta II-IV ”. Shpronësimi i pronave të evidentuara për këtë projekt janë të rëndësishme meqenëse, projekti përfshin mbylljen e deponisë aktuale dhe realizimin e deponisë sanitare të re në Pejë, në zonën kadastrale Lutogllavë.

Po ashtu ka miratuar Strategjinë për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar 2025-2030 dhe Plani i Veprimit 2025-2027 . Përmes kësaj Strategjie parashihet arritja e këtyre objektiva strategjike:

Përmirësimi i cilësisë në shërbime sociale për persona me aftësi të kufizuar;
Avancimi i sistemit gjithëpërfshirës në arsimim dhe ngritjen profesionale të personave me aftësi të kufizuar; si dhe
Përmirësimi i qasjes për persona me aftësi të kufizuar.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se po ashtu ka miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndryshimin e Shtojcës I për të dhënat për ndarjen e Granteve të Përgjithshme, me qëllim të reflektimit të të dhënave të reja nga regjistrimi i popullsisë, të publikuara zyrtarisht nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2024.

Si dhe ka Aprovuar projektet kapitale në disa komuna, si projekte shumëvjeçare, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme që menaxhohet dhe administrohet nga AKP-ja, për nevoja të realizimit të projekteve “Varrezat e Fshatit” dhe “Fusha Sportive në Dobërçan”. Me miratimin e këtij vendimi konfirmohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për realizimin e projektit: Varrezat e Fshatit dhe Fusha Sportive në Dobërçan të Gjilanit.

Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e disa projekteve të Komunës së Hanit të Elezit. Me këtë Vendim konfirmohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për interes publik për realizimin e disa projekteve në Han të Elezit, si:

Rindërtimi i fushës së futbollit;
Rregullimi i pronësisë për fabrikën e ujit;
Ndërtimi i Qendrës për Kulturë dhe Rini; dhe
Zgjerimi i rrugës pranë Terminalit Doganor.

Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore, për nevoja të realizimit të projektit “Çerdhe e fëmijëve, hapësirë gjelbëruese dhe Infrastrukturë rrugore” në Gjilan.

Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar. Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK) ka ndërmarre veprimet e nevojshme në funksion të vendosjes së kontakteve me NSA (Nacional Security Authority) nga shteti i Sllovenisë – ku për rrjedhojë arrihet harmonizimi i vullnetit dhe gatishmëria nga të dyja palët, për të avancuar tutje arritjen e marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë. Arritja e marrëveshjes për siguri në fushën e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, është hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte:

Forcimi i Bashkëpunimit Dypalësh;
Sigurimi i Informacioneve të Klasifikuara;
Përmirësimi i Kapaciteteve Institucionale; dhe
Mbështetja për Integrim Euroatlantik.

Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare të partneritetit për “Menaxhimin e Granat-kontratës të Asistencës Teknike me Nr. 2024/453-962 në kuadër të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë nën IPA II (2021 – 2027)”. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është organizimi i një partneriteti dhe përcaktimi i përgjegjësive të partnereve për zbatimin e pjesës përkatëse të projektit.

Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare, përkatësisht Marrëveshjes së Partneritetit për Zbatimin e Prioritetit të Asistencës Teknike në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III Mali i Zi – Kosovë (2021 – 2027).

Miratuar Koncept dokumentin për Bujqësi Organike. Sektori i Bujqësisë Organike ka një rëndësi të veçantë për fermerët prodhues të kulturave bujqësore. Ky sektor kontribuon në zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme, duke pasur parasysh nevojën për të plotësuar kërkesat e popullatës për ushqim cilësor.

Miratuar Koncept dokumentin për Shëndetin e Bimëve. Opsioni i rekomanduar në këtë koncept-dokument është hartimi i kornizës së re legjislative. Me kornizën e re ligjore është propozuar të rregullohen aspektet kyçe që ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë bimore, sigurimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve bimore, dhe mbrojtjen e mjedisit.

Rialokuar 400 mijë euro me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e programit Masat preventive, intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme. Ky projekt është në kuadër të objektivave të Planit Zhvillimor Kombëtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Aprovuar Rregulloren për kushtet e bartjes së pronësisë së pronës publike dhe dhënia me qira e sendeve në pronësi publike. Gjatë mandatit tonë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për herë të parë, ka miratuar një ligj të tillë, me të cilin rregullohet prona publike, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale dhe subjekteve që ushtrojnë autorizime ose që administrojnë me pronën publike.

Aprovuar Rregulloren për mënyrën e mbajtjes së evidencës së sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme dhe e regjistrimit të sendeve në pronësi publike.

Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

Ndarë 1,308,320 euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mjetet ndahen sipas kërkesave të pranuara nga ministritë e linjës për projektet që kanë në menaxhim dhe zbatim.

Zhegrova kthehet në stërvitje pas lëndimit

Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, është kthyer në stërvitje te skuadra e Lillet pas një kohe të gjatë, përcjell albinfo.ch.

Në mëngjesin e së martës, Lille, ka postuar disa fotografi ku është parë Zhegrova duke stërvitur individualisht.

Lille në përshkrim ka shkruar “një tjetër lajm i mirë”.

Zhegrova, megjithatë, nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Borussia Dortmundit.

Lille do të presë Dortmundin të mërkurën nga ora 18:45, në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales së Ligës së Kampionëve. Takimi i parë përfundoi me rezultatin 1:1.

Zhegrova e ka zhvilluar ndeshjen e tij të fundit në kampionatin francez më 14 dhjetor, kundër Marseille-it.

Zeneli ftohet nga Suedia, Dardanët humbasin edhe një futbollist

Besfort Zeneli është ftuar nga Suedia. Ai kishte luajtur për Kosovën U21.

Besforti është vëllai i vogël i Arbër Zenelit. Arbëri për kohë të gjatë luajti për Kosovën. Por kohët e fundit nuk ftohet.

Zeneli 22-vjeçar është ftuar nga përfaqësuesja e Suedisë për ndeshjet e këtij muaji, përcjell albinfo.ch.

“Ai është një lojtar që e kemi ndjekur për një kohë të gjatë. Ai është paraqitur mirë në ndeshjet e Elfsborg në garat evropiane. Ai vetë ka dashur të luajë për Suedinë dhe është shumë i lumtur për këtë. Ai është një lojtar i guximshëm me topin. Është e qartë se niveli këtu është pak më ndryshe në krahasim me ekipin e klubit, por ne mezi presim ta shohim atë në mjedisin tonë”, ka thënë përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomasson për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Suedisë.

Më 22 mars, Suedia e luan miqësoren e parë kundër Luksemburgut, derisa tri ditë më vonë ndaj Irlandës së Veriut.

Zeneli luan në pozitën e mesfushorit qendror, ndërsa luan për skuadrën e Elfsborgut.

Milano: Arrestohet 33 vjeçari shqiptar, ishte pjesë e një organizate kriminale

Policia e Shtetit i ka publikuar pamjet nga operacioni i arrestimit të një 33-vjeçari, përcjell albinfo.ch.

K.N, dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal në Milano.

I njëjti thuhet se ka kryer vjedhje në Itali.

Burri nga Laçi ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Vjedhjes”, kryer në rrethana rënduese dhe si pjesë e një organizate kriminale.

“Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët në Itali, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi”.

“Jemi krenarë me Xhakën që luan për Zvicrën, pse të mërzitemi për Brrutin që luan për Shqipërinë”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se të gjithë futbollistët shqiptarë do ta kenë të hapur derën për të luajtur për Shqipërinë.

Së fundi, kapiteni i Kosovës U21, Etnik Brruti, ka lëvizur në drejtim të Shqipërisë, ndërsa për këtë kishte komente e vlerësime të shumta. Madje edhe fyerje ndaj lojtarit. Derisa në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë zgjedhur heshtjen, presidenti i FSHF-së ka paraqitur qëndrimin e tij.

Duka ka dhënë një intervistë për një podkast, kurse përgjigjet e tij janë paraqitur të mërkurën në sajtin zyrtar të FSHF-së. Ai fillimisht është pyetur për ndikimin e lojtarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në Kombëtaren e Shqipërisë, transmeton albinfo.ch.

“Kanë qenë gjithmonë vlerë e shtuar për ne, të gjithë futbollistët e diasporës. Kanë dhënë një kontribut të madh për Kombëtaren. Ne kemi hapur dyert e Kombëtares më herët se 2015, por pas 2015 në një numër më të madh. Ka pasur futbollistë me kualitet. Ka ndikuar pozitivisht dhe vijon të ndikojë pozitivisht. Ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë këtë politikë dhe të mbyllim derën për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Kombëtaren shqiptare. Ka shpesh diskutime, kritika, por ne do ta vazhdojmë këtë lloj politike, me derë të hapur për këdo që dëshiron të luajë dhe pa dyshim që e meriton të luajë”, ka thënë Duka.

Më pas është pyetur konkretisht për rastin e Brrutit, lojtarit të Malishevës.

“Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne”, ka vazhduar Duka të mbrojë qëndrimin e tij dhe duke paralajmëruar njëkohësisht kalimin te Shqipëria edhe të futbollistëve të tjerë cilësorë.

Për marrëdhënien me FFK-në, Duka ka thënë se është vëllazërore.

Në aspektin sportiv, Duka i kupton të gjithë tifozët e Kosovës që reaguan për largimin e Brrutit. E ka përmendur edhe kapitenin e Zvicrës, Granit Xhakën. Ka paralajmëruar se Brruti do të jetë me Kombëtaren A të Shqipërisë në ndeshjen ndaj Anglisë.

“Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse secili vendos për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë”.

Duka ka theksuar se qëllimi i Brrutit është të luajë për Shqipërinë e jo me pasaportë të Shqipërisë të sigurojë transferim në Rusi, siç janë bërë disa interpretime në Kosovë. Presidenti i FSHF-së ka pranuar se Brrutin nuk e ka parë asnjëherë dhe nuk e njeh.

“Nuk besoj se ka futbollistë që e kanë ëndërr të shkojnë në Rusi, por pa dyshim që nuk mund ta refuzojë një klub rus. Futbollistët kanë ëndërr të shkojnë në perëndim, në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë. Por nëse karriera i çon në Rusi, mund të luajnë dhe aty. Nuk është ai qëllimi, qëllimi i djalit është që i ka pëlqyer të luajë me Shqipërinë. Ka dhe një shans të madh, ne do jemi pjesë e Kampionatit Evropian U-21 2027. Nëse vazhdon karrierën mirë, do të luajë në finalet e këtij kampionati, në karrierë nuk të jepet shumë mundësia kur luan me ekipe relativisht të mesme apo të vogla. Çfarë i ofron Brruti Sylvinhos? Teknikisht nuk e njoh, vendosin trajnerët, drejtori teknik i FSHF-së. Nuk e kam parë ndonjëherë. Nuk kam formimin e duhur për ta njohur teknikisht”, ka theksuar Armand Duka.

Nga Kosova U21 si kapiten në të kaluarën në drejtim të Shqipërisë ishte larguar edhe Ardian Ismajli. Kapiten ishte edhe Edvin Kurtulush që iu bashkua Suedisë.

Më pas nisi një valë e re e largimeve. Arbër Hoxha, Mirlind Daku, Arbnor Muja ishin treshja e radhës për të cilët u diskutua shumë në Kosovë. Hoxha dhe Daku kanë shfaqur nivel më të lartë dhe ishin edhe pjesë e Evropianit të vitit të kaluar në Gjermani me Shqipërinë. Përveç tyre nga Kosova janë larguar për arsye të ndryshme edhe Adrion Pajaziti, Medon Berisha e Dion Berisha. Edhe këta janë vlerësuar me potencial për Kosovën A, por vendosën të largoheshin.

Lista e lojtarëve që më herët kanë luajtur te Kosova dhe janë larguar është e gjatë.

Zëvendësshefja e NATO-s nga Prishtina: Përkushtimi ynë për Ballkanin mbetet i fuqishëm

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka riafirmuar përkushtimin e Aleancës për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor gjatë vizitës së saj në Kosovë dhe takimit me stafin e Misionit të KFOR-it, përcjell albinfo.ch.

Ajo theksoi se NATO ka qenë e angazhuar për më shumë se 30 vjet në ruajtjen e sigurisë në rajon dhe se ky angazhim do të vazhdojë të mbetet i fuqishëm.

Në një postim në platformën X, Shekerinska nënvizoi rëndësinë e një Ballkani të sigurt për stabilitetin e përgjithshëm të zonës Euro-Atlantike.

“Ishte kënaqësi të takoja stafin e misionit tonë KFOR. NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon për 30 vjet dhe angazhimi ynë mbetet i palëkundur. Një Ballkan i sigurt do të thotë më shumë siguri për të gjithë zonën Euro-Atlantike”, ka shkruar ajo.

Maqedonci tregon pesë pikat e bashkëpunimit me SHBA-në në fushën e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar ato që i ka quajtur pikat kryesore të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, pasi të mërkurën Qeveria miratoi nismën për lidhje të Marrëveshje Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me SHBA-në, përcjell albinfo.ch.

Në konferencë për media, Maqedonci ka thënë se kjo marrëveshje parasheh thellim të bashkëpunimit dhe fuqizim në fushën e mbrojtjes në bashkëpunim me SHBA-në.

“Kjo marrëveshje parasheh pesë pika: Planifikimin dhe qeverisjen e mbrojtjes – pra SHBA-ja do të mbështesë planifikimin profesional të mbrojtjes dhe qeverisjes së mbrojtjes. Menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes, ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake – duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore dhe fushat e tjera për të cilat jemi duke tentuar t’i ndërtojmë në fazën e tretë të tranzicionit”, ka thënë Maqedonci.

Tutje, si pikë tjetër u përmend bashkëpunimi me qëllim angazhimin regjional dhe ndërkombëtar.

“Bashkë me SHBA-në do të ndërtojmë plane për anëtarësimin në NATO dhe iniciativat regjionale. Do të na mbështesin në aspektin teknik, procedural”, ka shtuar ai.

Pika e pestë, sipas Maqedoncit, është mbështetja në aspektin e implementimit të elementeve kyç të mbrojtjes, atë të qëndrueshmërisë strategjike.

“Do ndihmojë vendin për qëndrueshmëri kolektive edhe jashtë ushtrisë, te qytetarët”, ka deklaruar ai.

Ministri vlerësoi lart gatishmërinë e SHBA-në për këtë marrëveshje të rëndësishme për vendin tonë.

Maqedonci paralajmëroi gjatë javës së ardhshme një ngjarje të rëndësisë së madhe, një iniciativë regjionale me Shqipërinë – për të cilën ka thënë se është e para në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, sa i përket raketave Javelinë, ai ka thënë se janë duke u ekzekutuar pagesat dhe Kosova do t’i ketë me kohë ato.

“Jemi duke bërë përpjekje që një sasi ta kemi këtë vit. Edhe pse e kemi theksuar se FSK-ja nuk ka mungesë të sistemeve anti-tank”, ka shtuar Maqedonci.

Për fabrikën e municioneve, ai u shpreh se me shumë gjasë ajo do të ndërtohet në pjesën perëndimore të vendit.

Maqedonci ka thënë se NATO-ja dhe KFOR-i vazhdojnë të kenë qëndrim neutral për FSK-në duke komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, për mandat humanitar të Forcës së Sigurisë në Kosovë.

“Kjo s’na ka penguar të zhvillojmë kapacitetet ushtarake të vendit tonë. Do të vazhdojmë diskutimet me partnerët tanë që edhe NATO-ja si institucion në të ardhmen e afërt të njohë mandatin e ri të FSK-së”, ka thënë ai.

Maqedonci ka thënë se NATO-ja dhe KFOR-i vazhdojnë të kenë qëndrim neutral për FSK-në duke komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, për mandat humanitar të Forcës së Sigurisë në Kosovë.

Sa i përket trupave amerikane në Kosovë, Maqedonci ka thënë se ka ende konfirmim që ushtria amerikane do të jetë prezentë në kuadër të KFOR-it.

“Pos kësaj, jemi të interesuar dhe po vazhdojmë që të diskutojmë pikërisht me SHBA-në për prezencë ushtarake, edhe jashtë mandatit të KFOR-it, pra në aspektin bilateral, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me FSK-në në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Aeroporti i Gjenevës: Dështimi i IT bllokoi shumë fluturime

Një dështim masiv kompjuterik ka bllokuar aeroportin e Gjenevës pasditen e djeshme. Ndërprerja nuk ka ndikuar në kontrollin e trafikut ajror, por ka bllokuar sistemet e kontrollit, informacionin e nisjes dhe mbërritjes, si dhe renditjen e bagazheve.

Gjatë ndërprerjes, nisjet u anuluan dhe vetëm avionët që ishin tashmë në rrugë u lejuan të ulen, transmeton albinfo.ch.

Dështimi ka ndodhur pak para mesditës dhe ka zgjatur deri në orën 15:00. Aeroporti ka theksuar se nuk dyshon për një sulm kibernetik, por fajin e ka një dështim teknik të thjeshtë.

“Aeroporti ka njoftuar se shkaku i saktë i këtij problemi është ende në hetim.”

 

 

Rritet popullsia e Gjenevës

Popullsia e Gjenevës ka njohur një rritje të modeste vitin e kaluar, duke u shtuar me 5,900 njerëz të rinj. Rritja ka ardhur kryesisht nga emigracioni, por një pjesë e konsiderueshme e rritjes mund të lidhet me shkallën e ulët të vdekshmërisë vitin e kaluar, me vetëm 2,952 vdekje, që është më e ulëta që nga viti 1979.

Shumica e të sapoardhurve në kanton erdhën për arsye pune ose studimi, transmeton albinfo.ch.

Në total, në kanton jetojnë 220,000 persona, nga të cilët mbi 40% janë jo zviceranë. Gati 60% janë shtetas të Bashkimit Evropian ose EFTA-s, 13% janë shtetas të tjerë evropianë, 9% nga Amerika – si nga veriu ashtu edhe nga jugu – dhe 9% nga Afrika.

Rriten qiratë në Gjenevë

Një hulumtim nga Televizioni Francez Zviceran po zbulon se sa shumë rriten qiratë në Gjenevë sa herë që një pronë ndryshon pronar – edhe kur nuk është kryer asnjë rinovim.

Në shumë raste, qiraja mund të rritet deri në 50%. Në një rast ekstrem, qiraja është dyfishuar pa asnjë ndërhyrje në pronë, transmeton albinfo.ch.

Ligjet në Gjenevë u japin pronarëve të drejtën të rivendosin qiranë sa herë që një qiramarrës largohet.

Sipas të dhënave nga Zyra Kantonale e Statistikave, në shumicën dërrmuese të rasteve, qiratë rriten me të paktën 20% pas ndërrimit të qiramarrësit.

Martin Pfister zgjidhet në Këshillin Federal

Sot, në orën 09:30, deputetët e të dy dhomave të Parlamentit të Zvicrës votuan për ministrin e ri federal nga Partia e Qendrës (Die Mitte). Në këtë garë, Martin Pfister u zgjodh për të pasuar ministren e dorëhequr, Viola Amherd, përcjell albinfo.ch.

Pfister shijoi fitoren që në raundin e parë të votimit. Banori i Kantonit Zug mori 122 vota, por i mungoi vetëm një votë për t’u zgjedhur menjëherë. Rivali i tij, Markus Ritter, siguroi 105 nga 245 votat e vlefshme, ndërsa 18 vota shkuan për kandidatë të tjerë.

Në raundin e dytë, Pfister arriti të sigurojë zgjedhjen e tij me 134 nga 245 vota të vlefshme, duke kaluar shumicën absolute prej 123 votash. Konkurrenti i tij, Markus Ritter, mori 110 vota.

Me këtë rezultat, Martin Pfister bëhet anëtari më i ri i Këshillit Federal të Zvicrës.

 

Nga nesër, mbyllet zyrtarisht TikTok-u në Shqipëri

Nga data 13 mars 2025, TikTok nuk do të funksionojë në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e aksesit në TikTok në Shqipëri.

Nëpërmjet një e-mail të dërguar të gjitha subjekteve ISP (ofruesve të shërbimeve të internetit), AKEP ka kërkuar që ato të bllokojnë aksesin në TikTok deri më 13 mars.

Bllokimi është parashikuar të zgjasë 12 muaj ose deri në momentin që kompania TikTok do të marrë masa për rritjen e sigurisë dhe vendosjen e filtrave në këtë platformë të rrjeteve sociale.

Në shkresë shkruhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme: Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i DNS-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.

Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Vendimi i qeverisë

Në vendimin e qeverisë kërkohet ndërprerja e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta. Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë: a) operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës; b) operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve; c) shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm; ç) përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.”, thuhet në vendim.

Vendimi kërkon që Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, të marrë masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.

Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.

“Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK. Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.

Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqesë konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.”, thuhet në shkresën dërguar të gjitha subjekteve ISP./RTSH