Zvicër: Aksidentohet vetura e ushtrisë, disa të lënduar

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Uttigen, kantoni i Bernës, ku u përfshi një automjet luftarak këmbësorie. Zyra për Media e Forcave të Armatosura të Zvicrës konfirmoi incidentin dhe raportoi se ka pasur lëndime, por fatmirësisht asnjë viktimë, përcjell albinfo.ch.

Sipas informacioneve të ofruara nga një lexues, transportuesi i blinduar i personelit, që kishte ardhur nga Jaberg, ka rënë në lumin Aare, duke u futur me makinë përpara një shtëpie të vogël. Dëshmitarët përshkruan se automjeti ra pothuajse vertikalisht.

Policia kantonale e Bernës e ka referuar çështjen Departamentit Federal të Brendshëm për hetime të mëtejshme. Një helikopter Rega ishte gjithashtu i pranishëm në vendngjarje për të ndihmuar në rastin e emergjencës.

Forcat e Armatosura Zvicerane po monitorojnë situatën dhe po ofrojnë mbështetjen e nevojshme.

Kufizimet financiare nga Trump, OKB në Gjenevë shkurton 250 vende pune

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), një agjenci e OKB-së, njoftoi se do të reduktojë fuqinë punëtore me 250 vende pune në selinë e saj në Gjenevë, për shkak të “shkurtimeve të paprecedentë” prej 30 për qind në donacionet e parashikuara për këtë vit. Kjo situatë është e lidhur ngushtë me një reduktim të ndjeshëm të projekteve të financuara nga Shtetet e Bashkuara në mbarë botën, përcjell albinfo.ch.

Në një njoftim për media, IOM theksoi se këto masa janë të nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e ndihmës humanitare për migrantët dhe komunitetet e cenueshme. “Këto vendime do të kenë një ndikim të thellë te kolegët tanë që i kanë kushtuar shumë vite misionit të IOM-it dhe që tani do të humbasin punën e tyre,” u shpreh organizata, shkruan 20minuten.

IOM do të vazhdojë të mbrojë çështjen e migrimit dhe zhvendosjes në qendër të debateve politike globale, duke theksuar se “bota nuk mund të përballojë të shikojë larg ndërsa nevojat rriten dhe burimet pakësohen”.

Kurti: Marrëveshja për alenacën ushtarake, e rëndësishme edhe për paqen në rajon

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hap të rëndësishëm për sigurinë deklaratën për aleancë ushtarake midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Urime të gjithëve! Hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake, të nënshkruar sot në Tiranë ndërmjet ministrit tonë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anušić”, ka shkruar Kurti në Facebook, përcjell albinfo.ch.

Ky dokument përfshin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, operacione të përbashkëta ushtarake dhe trajnime të përbashkëta.

Këto janë parashikimet për rritjen ekonomike në Zvicër

Ministria e Financave në Zvicër shkurtoi parashikimet e saj të rritjes për vitin 2025 dhe 2026 të martën, duke përmendur një klimë globale të “pasigurisë së konsiderueshme”, përcjell albinfo.ch.

Ministria rishikoi projeksionin e saj për vitin 2025 – të cilin e kishte ulur tashmë me 0.1 pikë përqindjeje në dhjetor – nga 1.5 për qind në 1.4 për qind.

Gjithashtu, uli pritshmëritë për vitin 2026 me 0.1 pikë përqindjeje, duke parashikuar një rritje prej 1.6 për qind.

“Kjo do të thotë se ekonomia zvicerane do të vazhdojë të rritet nën mesataren e saj historike për dy vjet të tjera,” tha ministria në faqen e saj të internetit.

“Pasiguria që rrethon politikën ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare dhe pasojat e saj makroekonomike mbetet jashtëzakonisht e lartë.

Parashikimi aktual supozon se nuk do të ketë një luftë të përshkallëzuar tregtare globale, pavarësisht se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdimisht kërcënon dhe aplikon tarifa të reja ndëshkuese ndaj aleatëve dhe partnerëve tregtarë, duke provokuar taksa hakmarrëse.”

Ministria pranoi se “skenarët më ekstremë mbeten të mundshëm”.

Grupi i ekspertëve të ministrisë pret që ekonomia amerikane “të humbasë vrullin” në tremujorin e parë, ndërsa ekonomitë evropiane kanë bërë një “fillim modest të vitit”.

Ministria nuk i ndryshoi pritshmëritë e saj për inflacionin për vitin 2025, duke e lënë në 0.3 për qind, por uli paksa parashikimet për vitin 2026 nga 0.7 në 0.6 për qind.

SHBA po shqyrton me kujdes mundësin e financave në një universitet të lartë zviceran

Pas shkurtimit të financimit të organizatave të OKB-së në Gjenevë, administrata Trump mund të shkurtojë gjithashtu projektet kërkimore të financuara nga SHBA, që kryhen në Institutin Federal Politeknik (ETH) në Cyrih, përcjell albinfo.ch.

Ashtu si punonjësit e organizatave ndërkombëtare dhe të Organizatës Evropiane për Kërkime Bërthamore (CERN) në Gjenevë, ETH gjithashtu duhet t’i përgjigjet një pyetësori që vlerëson qëndrimet politike të universitetit dhe të ekipeve kërkimore.

Për të mbrojtur shkencëtarët e përfshirë, universiteti refuzon të zbulojë se cili prej projekteve të tij është nën vëzhgimin e administratës Trump.

Në fakt, sipas raportimeve të mediave, “askush në komunitetin e kërkimit zviceran nuk dëshiron të komentojë mbi pyetësorët amerikanë”.

Për deputeten Simone de Montmollin, e cila kryeson Komitetin për Shkencën, Arsimin dhe Kulturën, Zvicra nuk duhet të pranojë “kufizimet e Shteteve të Bashkuara për lirinë e kërkimit”.

Numri i shmangies së tarifave në Zvicër është rritur

Zviceranët mund të kenë një reputacion për ndershmëri, por më shumë se një milion njerëz u regjistruan në regjistrin kombëtar të shmangies së tarifave të transportit publik në Zvicër në fund të vitit 2024 – numri më i lartë në katër vitet e fundit, përcjell albinfo.ch.

Kjo është përkthyer në humbje financiare prej 200 milionë frangash në vit, sipas SwissPass Alliance.

Udhëtarët e kapur pa një biletë të vlefshme regjistrohen automatikisht në regjistrin kombëtar të shmangies së tarifave. Nëse nuk kryejnë një vepër tjetër për dy vjet, emri i tyre fshihet.

Përndryshe, gjobat për shkelje të përsëritura rriten ndjeshëm dhe mund të çojnë në një kallëzim penal.

Iftari i bashkimit: “ Xhamia Shqiptare Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste së bashku në sofrën e Iftarit

Në mbrëmjen e 15 marsit 2025, në sallën e Kishës në Schwamendingen – Cyrih, nën organizimin e “Xhamisë Shtëpia e Paqes”, u shtrua një iftar i përbashkët me rreth 320 persona.

Në një botë shpesh të ndarë nga ndasitë fetare dhe kulturore, ngjarje si Iftari i Bashkimit, i organizuar nga “Xhamia Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste, janë shembuj të fuqishëm të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

Ky iftar, që u mbajt më 15 mars 2025, shënoi një moment të veçantë, ku komuniteti i të gjitha besimeve hodhi një hap të rëndësishëm përpara në ndërtimin e një shoqërie më të bashkuar dhe më respektuese ndaj diversitetit.

Pjesëmarrësit, të mbledhur në një atmosferë ngazëllyese dhe paqësore, shijuan jo vetëm ushqimin e përbashkët, por edhe vlerat e respektit dhe harmonisë, që janë thelbësore për një shoqëri të qëndrueshme.

Pfarrer Christoph Baltensweiler – prifti i Kishës Reformiste, përshëndeti të pranishmit në një ngjarje të veçantë – iftarin e përbashkët, një moment që simbolizon bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare. Ai u shpreh i gëzuar që pati mundësinë të merrte pjesë në këtë ngjarje, duke falënderuar të gjithë për ftesën e ngrohtë.

“Jemi të gjithë mysafirë! Ju jeni këtu me ne dhe ne jemi me ju! Së bashku, do të përjetojmë momentin e ndarjes së agjërimit, dhe kjo më mbush me gëzim”, tha ai.

Baltensweiler theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar dhe vlerat e respektit reciprok që karakterizojnë jetën në Schwamendingen.

“Ekziston një traditë e bukur dhe e gjatë, që njerëzit të ecin së bashku, të dëgjojnë njëri-tjetrin, të respektojnë njëri-tjetrin dhe të punojnë për paqen. Paqja në botën tonë bëhet gjithnjë e më e rëndësishme… dhe këtu, në vogël, ajo fillon”, theksoi ai.

Ai e cilësoi këtë mbrëmje si një mundësi për të përjetuar së bashku momentin e ndarjes së agjërimit dhe reflektimin në kohën e agjërimit, që është një periudhë e qetë dhe besimi për besimtarët e krishterë dhe myslimanë.

Në përfundim, ai shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin me “Shtëpinë e Paqes”, një bashkëpunim që i dha mundësinë të përjetonte për herë të parë një lidhje ndërfetare të tillë. Ai uroi të pranishmit për një mbrëmje të qetë dhe të lumtur dhe theksoi se paqja në botën tonë është gjithnjë e më e rëndësishme, duke nisur nga ky komunitet i vogël që ka krijuar këtë traditë të bukur dhe të vlefshme të bashkëjetesës.

Më pas, fjalën e mori Imam Fahredini Bunjaku, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke e konsideruar këtë iftar më shumë se një ngjarje sociale, por një simbol të tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore, veçanërisht në një periudhë kur ndarjet shpesh ndodhin në shoqëri.

Ai theksoi se kjo ngjarje ndërfetare është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

Imami Fahredin Bunjaku – Xhamia Shtëpia e Paqes: “ Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes me përshëndetjen më të bukur: Es-selamu alejkum – Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju. Ju uroj të gjithëve mirëseardhjen e përzemërt në këtë iftar të përbashkët. Më gëzon jashtëzakonisht shumë që jeni mbledhur kaq shumë sonte për të marrë pjesë në këtë ngjarje të veçantë së bashku me ne. Kjo mbrëmje është më shumë se thjesht një iftar i përbashkët – ajo është një shenjë e rëndësishme e tolerancës dhe një simbol i bashkëjetesës paqësore në Zvicër. Sidomos në kohë kur dallimet shpesh dalin në pah, kjo ngjarje ndërfetare na kujton sa i vlefshëm është dialogu i respektueshëm dhe bashkëpunimi mes nesh.

Në përfundim, imami Bunjaku shprehu kënaqësinë e tij që ishte pjesë e këtij eventi dhe shprehu shpresën se ngjarje të tilla do të vazhdojnë të ndihmojnë në forcimin e harmonisë dhe njohjes ndërmjet të gjithëve. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëjetesës dhe respektit për diversitetin si vlera themelore për një shoqëri të qëndrueshme.

Vigan Berisha Konsuli i Republikës së Kosvës në Cyrih: “Është një kënaqësi e veçantë të jem sonte, me ftesën e nderuar të hoxhës Bunjaku, mes komunitetit shqiptar në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit. Kombi ynë ka dëshmuar ndër shekuj harmoninë dhe tolerancën ndërfetare, një vlerë e çmuar që na bashkon dhe na bën më të fortë. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të investojmë për ta forcuar edhe më tej këtë harmoni. Pavarësisht besimeve të ndryshme, ne jemi një komb, të lidhur nga gjuha, kultura dhe traditat tona të pasura.”

Claudio Schärli- “Stadtpolizei Zürich Brückenbauer ( Policia e qytetit të Cyrihut, ndërtuesi i urave): “Shkëmbimi dhe komunikimi ndërkulturor janë më të rëndësishëm se kurrë. Si një ndihmës i policisë, unë trajnoj dhe këshilloj rregullisht persona me  origjinë migrimi. Për më tepër, ne jemi një pikë kontaktimi, këshillimi dhe mbështetjeje për të gjitha institucionet dhe shoqatat fetare dhe kulturore në qytetin e Cyrihut. Pjesëmarrja në iftarin e sotëm është një nder dhe një pjesë tjetër e rëndësishme e bashkëpunimit ndërkulturor.”

Barbara Fotsch Kryetare e bordit të shkollës në Schwamendingen: Fillimisht u gëzova shumë për ftesën, sepse mendoj se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm dhe kemi pasur tashmë përvoja shumë të mira me “Shtëpinë e Paqes”, sepse temat që lidhen me besimin shfaqen edhe në shkollë dhe ne duhet të gjejmë vazhdimisht zgjidhje për to. Prania e tolerancës ndërfetare. Mendoj se kjo varet shumë nga konteksti në të cilin e shikojmë. Mund të flas diçka nga konteksti shkollor. Besoj se kemi arritur shumë në këtë drejtim gjatë viteve të fundit. Këto tema janë prezentë dhe herë pas here mund të jenë sfiduese, por në përgjithësi besoj se kemi arritur të zhvillojmë një bashkëjetesë të mirë mes nesh. Gjithashtu, mendoj se feja nuk duhet të jetë një temë kaq e madhe në shkollë.

Fatime Bunjaku- Studente  e Mësuesisë- moderatorja e programit: “Organizimi në ‘Xhaminë e Paqes’ ka nisur që para Ramazanit. Sallën për iftar e kemi rezervuar një vit më parë, ndërsa përgatitjet për ushqimet kanë filluar dy javë më parë, që t’i kemi gati dhe të mos e kemi stresuese në fund. Bukën e kanë përgatitur gratë e xhamisë, të cilat janë shumë aktive dhe tregojnë një angazhim dhe përkushtim të madh. Logjistika ka qenë e përbashkët. Për mua, toleranca ndërfetare është shumë e rëndësishme. Zvicra është një shtet me kultura të ndryshme, dhe këtu, toleranca është edhe më e rëndësishme. Besoj se mund të jetojmë paqësisht të gjithë bashkë, duke respektuar njëri-tjetrin, pavarësisht feve, kulturave ose kombeve nga vijmë.”

Pjesëmarrësit e ngjarjes, pas fjalimit të tij, kishin mundësinë të merrnin pjesë në ritualet e faljes së namazit, përfshirë namazin e akshamit dhe teravisë, duke shijuar një atmosferë harmonike dhe të bashkuar.

Programi i ngjarjes përfshiu një fjalim përshëndetës nga Pfarrer Christoph Baltensweiler, i cili u pasua nga imami Fahredin Bunjaku. Në orën 18:38, thirrja e ezanit shpalli momentin për të prishur agjërimin, ndërsa pas ngrënies, të pranishmit morën pjesë në namazin e akshamit. Imami Fahredin Bunjaku përshëndeti besimtarët me një fjalë të shkurtër dhe një ligjëratë më të gjatë. Për ata që nuk morën pjesë në lutje, një bufe me ëmbëlsira ishte e hapur në hapësirën e jashtme.

Pas namazit të akshamit, në orën 20:21, i gjithë komuniteti i pranishëm bashkë u angazhua në namazin e teravisë, ndërsa ngjarja përfundoi rreth orës 22:00.

Ky “Iftar i Bashkimit” ishte më shumë se një ngjarje fetare; ishte një mundësi për të forcuar lidhjet ndërmjet komunitetesh të ndryshme dhe për të ndarë mesazhin e bashkëjetesës dhe unitetit. Toleranca ndërfetare dhe respekti për diversitetin janë vlera që duhet të kultivohen dhe mbështeten çdo ditë, dhe ky iftar na dha mundësinë të shohim se si mund të bashkëjetojmë paqësisht dhe të respektojmë njëri-tjetrin, pavarësisht fesë, kulturës ose origjinës sonë.

Fotograf Rromir Imami

Nuk do të lejohen të sjellin prindërit e tyre jashtë BE/EFTA për të jetuar në Zvicër

Këshilli Kombëtar ndoqi shembullin e Këshillit të Shteteve të hënën dhe hodhi poshtë projektligjin që synonte të eliminonte diskriminimin me të cilin përballen zviceranët – kryesisht qytetarë të natyralizuar – në lidhje me bashkimin familjar me prindërit nga vendet e treta, përcjell albinfo.ch.

Kjo do të thotë që, në të ardhmen, qytetarët zviceranë mund të aplikojnë për një leje hyrjeje për bashkëshortin ose partnerin e tyre të regjistruar jashtë BE/EFTA (Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn), si dhe për fëmijët e tyre nën moshën 18 vjeç, por ata nuk mund t’i sjellin prindërit e tyre për të jetuar në Zvicër.

Ky vendim prek kryesisht shtetasit zviceranë të natyralizuar (shpesh me shtetësi të dyfishtë), të cilët mund të dëshirojnë që prindërit e tyre nga vendet e treta të jetojnë me ta në Zvicër.

Kushtet e bashkimit familjar janë më pak të rrepta për anëtarët e familjes së shtetasve zviceranë që vijnë nga shtetet e BE/EFTA – atyre u lejohet të sjellin bashkëshortin ose partnerin e regjistruar, çdo fëmijë dhe nipër nën moshën 18 vjeç, si dhe prindërit dhe gjyshërit e tyre në ngarkim.

Qorrolli: Janë manipuluar votat me postë nga diaspora

Në një deklaratë për media, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka kritikuar sot Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për manipulim të votave nga diaspora, duke pohuar se këtë e ka pranuar edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, përcjell albinfo.ch.

**“Ish-kryeministri Hoti e pranoi sot hapur dhe pa asnjë shybe: LDK i ka manipuluar votat me postë nga diaspora! Një inxhiniering politik i paskrupullt nga Abdixhiku për të ngritur disa kandidatë dhe për të fundosur të tjerët. Vullneti i qytetarëve u ble dhe u shit si plaçkë pazari!

Tani PZAP-i ka plus një provë, të thënë troç nga një ish-kryeministër: votat e manipuluara të LDK-së DUHEN ANULUAR një orë e më parë”**, ka pohuar ai.

Po ashtu, Qorrolli ka shtuar: “Ky është një PUÇ politik i Abdixhikut dhe i sojnikëve të mbështetur prej tij.”

Ndryshe, sot, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një reagim të bërë në profilin e tij në Facebook, ka falënderuar votuesit e tyre, megjithatë ka shtuar se rezultati për LDK-në nuk është i kënaqshëm.

Hoti ka shkruar se për interes të vendit dhe të LDK-së, është e domosdoshme të reflektojnë mbi këtë rezultat zgjedhor dhe këto zhvillime, si politikisht ashtu edhe ligjërisht.

Po ashtu, ai ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me votat nga diaspora.

**“Përveç rezultatit të dobët në zgjedhje, një shqetësim tjetër është paraqitur me votat e diasporës.

Në votimin në ambasada, një parti politike (LVV) është votuar në mënyrë të tepërt dhe joproporcionale krahasuar me votimin në Kosovë.

Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë.

Të dy këto dukuri, kur analizohet komuna për komuna, duket qartë se nuk janë aspak të natyrshme.

Ky fenomen ka krijuar pasiguri në gjithë procesin zgjedhor. Përtej kësaj, në rastin e LDK-së, është lënduar kohezioni i brendshëm i strukturave të partisë, si dhe është cenuar besimi i votuesit tradicional të LDK-së dhe integriteti që ka pasur shtëpia jonë politike për 35 vite”**, ka shkruar sot Hoti.

Avdullah Hoti kërkon lidership të ri në LDK

Avdullah Hoti kërkon lidership të ri në LDK

Kjo pasi ai haptas ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatin zgjedhor.

Po ashtu, ish-kryeministri i Kosovës ka renditur disa arsye pse duhet të ndodhë kjo.

“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, tha Hoti.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja.”

“LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë.

LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve, të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë.”

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është renditur e treta.

LDK ka marrë 171,357 vota, apo 18.27 për qind.

Ndërkohë, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, e ka quajtur “kërkesë qesharake” deklarimin e zyrtarit të kësaj partie, Avdullah Hoti, për ndërrimin e lidershipit të partisë.

Ajo ka deklaruar se strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë Lumir Abdixhikut si kryetar i partisë, duke shtuar se ai “e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes”, shkruan Koha.

“Si nënkryetare e LDK-së, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12% dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, ka thënë ajo të martën.

Çka do të thotë marrëveshja për aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë?

Sot, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën Trilateral për Aleancë Ushtarake.

Kjo ujdi synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe të rrisë bashkëpunimin ushtarak në rajon.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në Shqipëri, ku ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, me nderime të larta ushtarake, priti homologët e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci, dhe nga Kroacia, Ivan Anušić.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.

**“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona, që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta, janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e rajonit.

Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, shkëmbimin e personelit, trajnimin dhe edukimin. Një ndër pikat kyçe të këtij dokumenti është se Kroacia dhe Shqipëria do të angazhohen në vazhdimësi për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj të integrimit euroatlantik.

Ky dokument hap rrugë për bashkëpunim, veçanërisht për t’u përballur me rreziqet moderne që kërcënojnë sigurinë rajonale, si kërcënimet hibride dhe të tjera. Gjithashtu, hap rrugë që edhe vende të tjera t’i bashkohen kësaj përpjekjeje tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe më shumë siguri”**, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta.

**“Deklarata përkthen jo vetëm një vullnet politik, por gjithashtu disa prioritete që ne ndajmë së bashku. Kryesisht, ka të bëjë me rëndësinë që vendet tona i japin ringritjes së industrisë ushtarake dhe nevojën që në këtë shtyllë të sigurisë kombëtare vendet tona të bashkëpunojnë edhe më thellë dhe më gjerë.

Pika e dytë ka të bëjë me bashkëpunimin që forcat tona të armatosura do të bëjnë, qoftë në stërvitje apo në zhvillimin e kapaciteteve. Kosova dhe Shqipëria kanë çfarë të mësojnë nga një aleat i vyer si Kroacia. Kjo deklaratë çel sirtarin e një bashkëpunimi më të thelluar dhe kemi marrë interes edhe nga aleatë të tjerë që t’i bashkohen kësaj iniciative”**, tha ai.

E ndërsa ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, tha se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt.

**“Për shkak të gjeopolitikës, duam të kemi bashkëpunim në rajonin tonë, duke pasur parasysh rreziqet që janë prezente dhe situatat që po ndodhin në Evropë, duke iu referuar edhe Ukrainës. Jemi duke menduar edhe për të kaluarën tonë, e cila nuk është shumë e largët.

Një informacion që kemi nga e kaluara na jep mundësi për t’u menduar, prandaj kemi marrë vendimin që të kemi një bashkëpunim ndërmjet tre shteteve. Ky bashkëpunim do të bazohet sidomos në ndihmën për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve që kemi firmosur deri tani.

Këto tani duam t’i fuqizojmë dhe të ndajmë eksperiencën e shtetit tonë, Kroacisë, si pjesë e NATO-s dhe BE-së”**, theksoi Anušić.

Kjo marrëveshje trilaterale u konsiderua si e para e këtij lloji në rajon.

Mungesa e Thaçit në varrimin e babait, reagime të shumta

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ndodhet në paraburgim në Hagë, nuk do të mund të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të atit të tij, përcjell albinfo.ch.

Kjo iu pamundësua nga Gjykata Speciale, e cila nuk i dha leje të përkohshme për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij.

Haxhi Thaçi, pas një sëmundjeje, vdiq më 17 mars dhe do të varroset në Burojë këtë të martë në orën 15:00.

Organizatat e Veteranëve të Luftës së UҪK-së këtë vendim e kanë cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut dhe kanë kërkuar reagim nga institucionet ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe faktori politik në Kosovë e Shqipëri.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur të padrejtë dhe të papranueshëm refuzimin e kërkesës nga Dhomat e Specializuara.

“Ajo që po ndodh sot nuk ka lidhje me drejtësi, por me diskriminim. Nuk është ligj, por arbitraritet”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka nisur një letër në drejtim të Gjykatës Speciale, ku kërkon të rishqyrtohet vendimi në mënyrë që të mos shkelen të drejtat e Hashim Thaçit.

Kundër refuzimit të kërkesës së ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara ka dalë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Një turp i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturpshëm, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!”, ka shkruar Rama.

Këtë shkrim të Ramës, në rrjetet sociale, e ka shpërndarë edhe Richard Grenell, i dërguari për misione të posaçme i presidentit amerikan.

Hashim Thaçi, më 13 mars, me leje të përkohshme, vizitoi të atin e sëmurë në spital. Ai ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzën për krime lufte dhe së fundmi edhe për pengim të drejtësisë.

Gazeta gjermane publikon recension për librin e Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998-1999”

Gazeta më e madhe gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka thurur lavde në recensionin e saj për librin e Shkëlzen Gashit mbi krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, transmeton albinfo.ch.

Në versionin e saj të shtypur, publiku në Gjermani sot do ta ketë në duar recensionin e librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të shkruar nga autori Shkëlzen Gashi.

“Shkoni te Klintoni” titullohet recensioni që gazeta më e madhe gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), i ka bërë librit të historianit Gashi, i cili ka rikonstruktuar me përpikëri masakrat e luftës në Kosovë.

Vetë autori Gashi ka shkruar në Facebook për botimin e recensionit, ku ka ndarë edhe pjesë të shkruara nga FAZ-i.

“…Shkëlzen Gashi, në librin e tij ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’, paraqet atë që ndodhi në vendlindjen e tij gjatë luftës. Puna e tij e hulumtuar me kujdes, e botuar në një vëllim tregjuhësh (shqip, serbisht dhe anglisht), është më shumë një vepër referimi sesa një rrëfim i njëtrajtshëm historik. Me saktësi të madhe, Gashi në 83 kapituj përshkruan po aq masakra sa ndodhën në Kosovë mes shkurtit 1998 dhe korrikut 1999… Gashi, i cili nuk heziton asnjëherë të sfidojë tendencat nacionaliste edhe në vendin e tij, punon me rigorozitet…”, shkruan gazeta gjermane.

Kujtojmë se në shtator të vitit 2024, publicisti Shkëlzen Gashi ka botuar librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ku janë përfshirë 83 masakra të kryera nga forcat serbe kundër civilëve, kryesisht shqiptarë, nga data 28 shkurt 1998 deri më 23 korrik 1999. /Albinfo.ch

Një hap më afër suksesit: swissalbs lidh studentët dhe liderët e industrisë

Më 13 mars 2025, “swissalbs” organizoi një ngjarje frymëzuese në Universitetin e St. Gallen, duke mbledhur bashkë rreth 100 pjesëmarrës për temën: “Studentët takohen me liderët e industrisë”. Eventi shërbeu si një mundësi unike për studentët që të lidhen me profesionistë të njohur nga fusha të ndryshme dhe të marrin këshilla të çmuara për zhvillimin e karrierës së tyre.

“Një komb nuk është ajo çfarë ka qenë, por ajo çfarë do të jetë.” – Me këto fjalë inspiruese, moderatorja Nora Demiri hapi ngjarjen, duke nënvizuar rëndësinë e një vizioni të përbashkët dhe angazhimit për të ardhmen.

Komuniteti ynë, i bashkuar nga objektiva dhe aspirata të përbashkëta, ka si thelb programin tonë të mentorimit: mbështetje reciproke dhe suksese të përbashkëta!

Nora Demiri, Project Lead Mentoring Program:

Në prezantimin e saj, ajo u shpreh: “Studentët takohen me liderët e industrisë” është shumë më tepër se thjesht një portal mentorimi – është një çështje zemre.

“E di nga përvoja ime personale sa e vështirë është të orientohesh në botën profesionale pa kontakte. Do të kisha dëshiruar që një platformë e tillë të kishte ekzistuar atëherë. Prandaj, dua t’u ofroj këtë mundësi të tjerëve. Gjatë studimeve të mia, kam punuar në industrinë e sigurimeve. Në atë kohë, do të kisha dëshiruar të kisha dikë që të më udhëzonte dhe të më ndihmonte të orientohesha në botën profesionale. Në të njëjtën kohë, më mungonin kontaktet dhe qasja te njerëzit kyç të industrisë.

Megjithatë, e dija që komuniteti ynë përfshin shumë persona të suksesshëm. Pas përfundimit të studimeve, analizova programet e shoqatave të studentëve shqiptarë në Zvicër dhe vura re një mungesë të madhe: pothuajse nuk kishte struktura që i lidhin studentët drejtpërdrejt me profesionistë nga komuniteti ynë në mënyrë strategjike. Kështu lindi ideja për të krijuar një program mentorimi për studentët shqiptarë në mbarë Zvicrën.

“Me swissalbs kemi krijuar një platformë mentorimi ku studentët mund të regjistrohen dhe të zgjedhin një mentor të përshtatshëm nga fusha të ndryshme. Kjo platformë është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e studentëve shqiptarë në St. Gallen, Basel, Bern, Fribourg dhe Luzern, të cilat kanë kontribuar aktivisht në ndërtimin dhe formësimin e saj. Qëllimi ynë i përbashkët është të krijojmë një platformë të qëndrueshme, nga e cila mund të përfitojnë si studentët, ashtu edhe profesionistët në të gjithë Zvicrën.”

Panelistët, liderë të industrisë, ndanë përvojat e tyre profesionale dhe udhëzuan studentët mbi aspektet kyçe të zhvillimit të karrierës dhe elementët më të rëndësishëm për të cilët duhet të përqendrohen në tregun e punës. Ky takim u ofroi të rinjve mundësinë të marrin perspektiva të vlefshme nga eksperienca e profesionistëve të suksesshëm dhe të nisin rrugëtimin e tyre drejt një të ardhmeje të suksesshme.

Dzevrija Zendeli – Managing Associate, Walder Wyss Ltd.:

“Përshtatja me praktikën në studime”

“Studentët nuk duhet vetëm të shkojnë në universitet, por duhet të bëjnë praktika që herët për t’u njohur me praktikën. Studentët duhet që, që në fillim, të nisin punën dhe të marrin eksperiencë e praktikë. Praktika është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos kur zgjedh rrugën e studimeve akademike, sepse ka shumë teori, por nuk e di se si është praktika dhe nëse do ta pëlqesh. Dhe nëse shkon më herët në këto praktika, e ke më të lehtë, sepse më herët mund të vendosësh se cilin drejtim do të specializohesh, çfarë të përshtatet dhe çfarë nuk të përshtatet. Kjo është ajo që do t’i rekomandoja çdo studenti.”

 

Perparim Limani, PD Dr. med. Dr. sc. nat., FEBS, FACS – Kryemjek, Spitali Universitar i Cyrihut:

“Qëndrueshmëria dhe kujdesi për veten”

“Suksesi nuk nënkupton vetëm performancë, por gjithashtu aftësinë për të menaxhuar stresin. Komunikimi i hapur, vetë-reflektimi dhe kufijtë e qartë janë të domosdoshëm për të qëndruar të shëndetshëm dhe efikas në afatgjatë. Rekomandimi im për studentët është si ky takim ynë, ku të gjithë ishim shqiptarë, por, meqë ishim në Zvicër, flisnim në gjuhën gjermane. Duhet të jenë më të integruar, të bëjnë rrjetëzim dhe të diskutojnë me të tjerët, duke eksploruar opsione të ndryshme për vendimet që duhet të marrin. Në fushën time, në mjekësi, rrjetëzimi është thelbësor, sidomos për pacientët shqiptarë që preferojnë mjekë shqiptarë. Ne kemi Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, por si mjekë shqiptarë kemi edhe lidhje me vendlindjen. Personalisht, shkoj çdo vit në Kongresin e Kirurgëve në Kosovë. Ky do të jetë viti i katërt që aty kemi studentët tanë, të cilët i kam shumë përzemër. Të rinjtë duhet të krijojnë rrjete mes veti për mundësi më të mira, dhe ne që kemi prejardhjen nga vendet tona shqiptare, së bashku bëhemi më të fortë.”


Arben Gojani – Agjent i Përgjithshëm dhe Pronar, Allianz Suisse:

“Qëndrueshmëria si recetë për sukses”

“Kombi ynë historikisht nuk është frikësuar kurrë  dhe kjo duket edhe te brezi i ri në Zvicër. Ne si aleancë kemi rreth katër mijë punëtorë në të gjithë Zvicrën dhe jemi shumë ndërkombëtarë. Pra, për çdo student që ka interes të bëjë diçka më shumë, varësisht nga drejtimi që zgjedh, ka mundësi të vijë tek ne. Unë mund t’i ndihmoj studentët duke i treguar cilat janë praktikat për të pasur sukses në biznes pas studimeve dhe cilat janë shkathtësitë e nevojshme për të krijuar një profil profesional të suksesshëm. Një punë duhet të jetë diçka që e bën me dëshirë, jo vetëm për status, por për të arritur sukses dhe kënaqësi në karrierë.”

 

Liridona Makica – CEO, Spitex Dona : “Durimi është i rëndësishëm, përshtatshmëria dhe saktësia janë të rëndësishme – por në kujdesin shëndetësor, mbi të gjitha, nevojitet durim. Ata që duan të jenë të suksesshëm afatgjatë, duhet të durojnë sfidat dhe të qëndrojnë të përkushtuar.. Ne kemi të njëjtën kulturë dhe biznesi nuk do të thotë vetëm që unë që merrem me përkujdesje (Spitex) kemi kompetenca dhe empati për të ndihmuar studentët. Rruga ime nuk ka qenë aq e lehtë dhe as të tjerët nuk e kanë pasur të lehtë. Ju sugjeroj të mos dorëzoheni, sepse keni mundësi dhe ju pret një ardhme e mirë.”

 

Arben Sabani – Menaxher Ekzekutiv, Hitachi Energy : “Guximi për Mundësitë: „Karriera ka ngritje dhe rënie – ajo që ka rëndësi është të shfrytëzosh mundësitë, edhe nëse nuk ke të gjitha aftësitë. Siç përmenda edhe më herët, studentët mund të punojnë edhe më herët gjatë studimeve. Edhe pas studimeve ka mundësi të ndryshme për të filluar programe trajnuese, të cilat janë shumë të mira për vetëzhvillim. Ka mundësi të shkosh në kompanitë që të pëlqejnë dhe të kesh dy-tre profile të ndryshme, dhe aty ku e gjen veten më shumë, mund të vendosesh pas një viti e gjysmë.”

 

Leureta Hyseni- moderatore: “Për mua  Programi i mentorimit është mundësi e shkëlqyer për të mësuar nga ekspertë, për të marrë njohuri nga industria dhe për të forcuar komunitetin tonë. Shkëmbimi i drejtpërdrejtë me profesionistë është frymëzues për ata që janë në fillim të karrierës. Programi gjithashtu krijon mundësi për ndërlidhje ndërmjet brezave dhe grupeve profesionale, ndihmon në krijimin e marrëdhënieve afatgjata dhe na mbështet në zhvillimin profesional.”

 

Delvina Morina – Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Lucernit:
„Ky takim mu duk shumë i dobishëm dhe pjesëmarrësit në panel ishin personalitete interesante dhe të duhura që na ndihmojnë të orientojmë rrugën pas studimeve, jo vetëm si punëtorë, por edhe si liderë për komunitetin tonë shqiptar në Zvicër.”

 

Erza Zenuni – Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Bernës:
„Kam mbaruar Fakultetin e Drejtësisë dhe tani jam në fazën e praktikës për t’u profilizuar si avokate. Për mua ky eveniment ishte shumë interesant. Ishte një mundësi shumë e mirë për të parë profile të ndryshme profesionale, të cilët me shembujt e tyre na inspirojnë. Ky event ishte mjaft i dobishëm dhe shpresoj se edhe në të ardhmen do të organizohen takime të tilla.”

Mentorët ndajnë përvojën e tyre, ndihmojnë studentët dhe zgjerojnë rrjetin e tyre profesional. Për shumë prej tyre, mentorimi është një mënyrë për të dhënë mbrapsht atë që dikur kanë marrë vetë.

Arbela Statovci – Mentore e Komunikimit, swissalbs:
„Fillimisht, ne si swissalbs kemi rrjetëzimin brenda komunitetit tonë. Rrjetëzimi fillon qëkur je i ri, qëkur je student. Varet nga hapat që ndërmerr në karrierë dhe ndihma që merr për mentorim, dikush që ka kaluar atë rrugëtim. Vazhdon me zgjedhjen e drejtimit të fakultetit dhe pastaj, pas përfundimit të tij, me hapin e parë. Ne si organizatë kemi hapur një platformë mentorimi, ku profesionistët janë në njërën anë dhe studentët në tjetrën. Kur hyn në faqen tonë, gjen mentorët në fushat e caktuara. Për shembull, unë jam në fushën e komunikimit, kështu që dikush që studion shkencat e komunikimit mund të kërkojë ndihmë për prezantim dhe PR, dhe unë e ndihmoj që të zhvillojë karrierën dhe vetëbesimin profesional. Një inxhinier mund të ndihmojë një student të inxhinierisë, një jurist mund të ndihmojë një student të juridikut dhe kështu me radhë. Të gjitha këto shërbime janë pa pagesë dhe ne i ofrojmë në bazë vullnetarizmi.”

 

Sysret Kastrati- swissalbs :„ Duhet të lidhet praktika me teorinë sa më herët. Studentët duhet të shkojnë në kompani për një praktikë sa më të mirë dhe ta mësojnë sa më shpejt, që të jenë të përgatitur për të dhe me këtë lidhen edhe kontaktet. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në moshën studentore është vështirë të bësh rrjetëzim, por kjo është një mënyrë që të bën të dukshëm në ekonomi dhe të lidh me njerëzit.”

 

Fatjon Lala – Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Bazelit:„Eventi sot ishte shumë interesant. Ishim bashkëorganizatorë me shoqatat e tjera të studentëve shqiptarë në Zvicër. Kam përfunduar studimet për Shkencat Kompjuterike dhe aktualisht punoj si Alumni. Pjesa më interesante e takimit ishte rrjetëzimi, që besoj se është shumë i rëndësishëm për studentët. Po ashtu, është e rëndësishme për të gjithë ata që janë të rinj në profesion, pasi i ndihmon të kenë një karrierë, pavarësisht aftësive personale. Megjithatë, është e rëndësishme të dish ku i shfaq këto aftësi.”

Në përmbyllje të ngjarjes, kryesuesi i organizatës swissalbs, Përparim Avdili, duke iu dhuruar një dhuratë simbolike panelistëve, iu drejtua të pranishmëve me një mesazh frymëzues dhe motivues, duke theksuar se “Mundësitë më të mira vijnë kur e ke guximin t’i shfrytëzosh.”

Ai inkurajoi studentët që të mos ngurojnë, por të aplikojnë për të marrë mbështetje nga mentorët dhe theksoi rëndësinë e rrjetëzimit si një nga elementet kyçe të zhvillimit personal dhe suksesit në karrierë.

“Kjo iniciativë është e veçantë dhe ofron mundësi të reja dhe të strukturuara për një rrjetëzim strategjik dhe mbështetje të fokusuar. Ne, si organizatë, jemi shumë krenarë që kemi krijuar një platformë që jo vetëm frymëzon, por gjithashtu ka një ndikim të qëndrueshëm në jetën e studentëve. Me padurim mirëpresim të na bashkohen shumë studentë të motivuar në ngjarjet tona të ardhshme! Gjithashtu, synojmë të zgjerojmë më tej platformën e mentorimit, të përfshijmë edhe më shumë profesionistë si mentorë dhe, në planin afatgjatë, të krijojmë partneritete me kompani. Objektivi ynë është të ndërtojmë një platformë të fortë dhe të qëndrueshme që e bën më të lehtë kalimin e studentëve në botën profesionale.”

Në përmbyllje të ngjarjes, të pranishmit patën mundësinë të shijonin një apéro, ku mund të vazhdonin rrjetëzimin dhe të ndanin më shumë mendime dhe ide për mundësitë e ardhshme profesionale dhe bashkëpunime të reja.

Mbështetësit e këtij takimi ishin @Walder Wyss, si dhe shoqatat e studentëve shqiptarë nga  Baseli, Berni, Luzern dhe Fribourg, për bashkëpunimin e fortë.

Tifozët “Kuq e Zi” lihen pa bileta, reagojnë ashpër: Hakmarrje tipike nga ana e FSHF-së, në këto 21 vite

Tifozët “Kuq e Zi” kanë njoftuar se kanë mbetur pa bileta për herë të parë që nga krijimi i tyre.

Kjo pasi Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka bërë prenotimet, me arsyen se kërkon më shumë gjithëpërfshirje në stadium, transmeton albinfo.ch.

Rinor Qyqalla, përfaqësuesi i Tifozëve Kuq e Zi (TKZ) në Gjermani, ka bërë të ditur për platformën Albinfo.ch se tifozët nuk kanë bileta të rezervuara për ta dhe se, për herë të parë pas 21 vitesh veprimtari të Tifozëve Kuq e Zi, janë lënë pa bileta. Arsyetimi nga FSHF ka qenë se duan gjithëpërfshirje.

“Vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të mos na dhënë më bileta të pararezervuara, si grupi më i madh dhe më i përhershëm i përkrahësve të Kombëtares, është një goditje e rëndë që prek jo vetëm veprimtarinë tonë si TKZ, por edhe një çështje parimore të drejtësisë dhe transparencës”, shprehet Qyqalla.

Mbështetësit kuqezinj pretendojnë se kjo është një hakmarrje, pasi dolën haptazi kundër organizimit të Evropianit U-21 me Serbinë.

“Për më tepër, ne e shohim këtë vendim si një hakmarrje të drejtpërdrejtë për qëndrimin tonë kritik ndaj kampionatit të përbashkët me Serbinë dhe si një përpjekje për të na heshtur. Arsyeja e pretenduar për ‘gjithëpërfshirje’ po përdoret nga FSHF-ja për të na përjashtuar, ndërkohë që çmimet e larta të biletave e bëjnë të pamundur për tifozët e zakonshëm të marrin pjesë në ndeshje.

Ne dëshirojmë ta bëjmë këtë çështje publike dhe të tregojmë se si do të vazhdojmë të përkrahim Kombëtaren, me ose pa mbështetjen e FSHF-së. Për Albinfo-n, kjo është një temë me interes të madh, sepse prek lirinë e mendimit dhe të drejtën e përkrahësve më besnikë për të qenë pranë Kombëtares. Jemi të gatshëm t’ju ofrojmë të gjitha informacionet e nevojshme dhe do të vlerësonim jashtëzakonisht shumë nëse do të na jepnit një platformë për të paraqitur pikëpamjet tona”, shprehet Rinor Qyqalla, përfaqësues i Tifozëve Kuq e Zi në Gjermani. /Albinfo.ch

DW: Gjermania do të futet në borxhe të reja, po pse?

Gjermania dëshiron të investojë qindra miliarda euro më shumë në mbrojtjen kombëtare dhe rindërtimin e infrastrukturës së rrënuar. Bundestagu do ta votojë këtë më 18 mars.

Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Bundestagut gjerman: të martën (18 mars), parlamenti do të votojë një projektligj që do të lejojë futjen e paparë më parë në borxhe për sektorin ushtarak, për infrastrukturën civile dhe për mbrojtjen e klimës në vitet e ardhshme.

Përveç kësaj, 16 shtetet federale do të mund të marrin hua brenda kufijve të caktuar në të ardhmen. Më parë kjo nuk është lejuar.

Projektligji vjen nga CDU/CSU dhe SPD, të cilët duan të formojnë një qeveri të re federale pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani, si dhe nga Friedrich Merz (CDU), i cili dëshiron të bëhet kancelar. Por për të arritur një shumicë në parlament, këto tri parti kanë nevojë për të Gjelbrit, të cilët do të jenë në opozitë në të ardhmen, përcjell albinfo.ch

Pasi të katër partitë arritën një marrëveshje në negociatat e vështira, Komisioni i Buxhetit i Bundestagut vendosi të dielën (16 mars) të rekomandojë që parlamenti të miratojë projektligjin. Kjo është planifikuar në detaje:

Ligji Themelor (Kushtetuta Gjermane – red.) përcakton se shteti mund të shpenzojë vetëm aq para sa merr. Ndërsa “frena e borxhit” zbatohet rreptësisht për 16 shtetet federale, qeveria federale edhe tani ka mundësi të marrë borxhe brenda një kufiri të caktuar – deri në 0.35 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB), ose prodhimit vjetor ekonomik.

1. “Çfarëdo që është e nevojshme” për shpenzimet ushtarake

Për akordimet e nevojshme për mbrojtjen e vendit praktikisht hiqet frena e borxhit. Në projekt-dokumentin që do të votohet nga Bundestagu thuhet se fondet për Bundeswehr-in, por edhe “shpenzimet federale për mbrojtjen civile dhe mbrojtjen e popullsisë, si dhe për shërbimet e inteligjencës, për mbrojtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe për ndihmën ndaj shteteve të sulmuara në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, në të ardhmen mund të financohen edhe nëpërmjet kredive.

Këtu përfshihet ndihma ushtarake për Ukrainën, e cila është planifikuar të arrijë në katër miliardë euro për vitin 2025, e të cilës ndoshta së shpejti do t’i shtohen edhe tre miliardë euro të tjera.

Rregullorja e re zbatohet për të gjitha kostot që tejkalojnë një për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB). Bazuar në prodhimin ekonomik të arritur në vitin 2024, një për qind e PBB-së i përgjigjet një shume prej rreth 43 miliardë euro.

Çdo gjë mbi atë shumë nuk do t’i nënshtrohet më kufijve të kredimarrjes në të ardhmen. Kreu i CDU-së dhe kancelari i ardhshëm gjerman, Friedrich Merz, e përshkroi rëndësinë e këtij dekreti me fjalët: “Çfarëdo që të nevojitet!”

2. Kredi për landet

Ndalimi i rreptë i huamarrjes nga landet duhet të zbutet dhe të përshtatet me nivelin federal. Të gjitha landet së bashku më pas do të lejohen të marrin hua deri në 0.35 për qind të PBB-së. Shpërndarja e këtyre shumave do të rregullohet nga një ligj federal që ende nuk është hartuar.

Një problem është se landet do të duhet të implementojnë rregullat e reja. Por për këtë ka mosdakordime në parlamentet e landeve. Një mënyrë për të bërë të mundur ndryshimet do të ishte ndryshimi i Kushtetutës, që njëkohësisht do të shfuqizonte aktet e landeve. Por kjo do të ishte një ndërhyrje serioze në federalizmin e Gjermanisë.

Gjermania ka probleme të mëdha me infrastrukturën. Gjendja në rrugë, ura dhe hekurudha është përkeqësuar për dekada pa i kushtuar vëmendje mirëmbajtjes së tyre. Ekziston edhe nevoja për modernizim në furnizimin me energji dhe ujë, telekomunikacion, shkolla, universitete dhe spitale. Vendi ka mbetur mbrapa edhe sa i përket digjitalizimit. Transformimi dhe zgjerimi i infrastrukturës energjetike neutrale ndaj klimës është larg nga përfundimi.

3. Ndryshimi i Ligjit Bazë për investimet

Neni 143h i Ligjit Bazë u ndryshua për të përcaktuar se 500 miliardë euro borxh mund të krijohen për investime në infrastrukturë gjatë dymbëdhjetë viteve të ardhshme. Shuma do të ndahet: landet do të përdorin 100 miliardë euro për infrastrukturën e tyre, ndërsa qeveria federale ka në dispozicion 300 miliardë euro. 100 miliardë euro të mbetura janë të destinuara për mbrojtjen e klimës. Projektligji flet për “investime shtesë për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2045”.

4. Pasojat financiare të huamarrjes

Ekonomistët paralajmërojnë pasoja të rënda për tregjet financiare nëse Gjermania merr borxh të ri të madh në vlerë prej gati një bilion euro. Lars Feld, profesor në Institutin Walter Eucken në Freiburg, supozon se borxhi kombëtar gjerman do të rritet nga niveli aktual prej rreth 62 për qind në 90 për qind të prodhimit vjetor ekonomik brenda dhjetë vjetëve.

Kjo do të rezultonte në shpenzime shtesë të interesit midis 250 dhe 400 miliardë euro, në varësi të lëvizjes së normave të interesit për obligacionet e qeverisë, tha Feld në një seancë të Komitetit të Buxhetit në Bundestag. Tregjet ndërkombëtare të obligacioneve tashmë janë bërë nervoze.

Veronika Grimm, profesoreshë në Universitetin Teknik të Nurembergut, sheh “një sfidë për stabilitetin në Evropë”. Ajo e tha këtë edhe në mbledhjen e Komisionit për Buxhet. Nëse normat e interesit për obligacionet e qeverisë gjermane rriten, kjo do të bëjë që normat e interesit për vendet tashmë me borxhe të larta, si Italia dhe Spanja, të rriten në nivele që këto vende mezi mund t’i mbulojnë. Grimm paralajmëroi se kjo do të rriste sërish “vulnerabilitetin në eurozonë”. /DW

Artisti i ri nga Prishtina, Akil Dashevci, ftohet në ngjarje prestigjioze ndërkombëtare

Artisti i ri nga Prishtina, Akil Dashevci, ka marrë një ftesë prestigjioze nga “PAKS Gallery” dhe “MAMAG Museum” për të ekspozuar veprat e tij në disa prej ngjarjeve më të mëdha artistike botërore, transmeton albinfo.ch.

Këto përfshijnë Festivalin e Filmit në Kanë, Art Basel Week dhe Carrousel du Louvre, duke e vendosur Dashevcin në qendër të vëmendjes së artdashësve dhe koleksionistëve ndërkombëtarë.

“Kuratorët tanë, që kanë parë veprat tuaja të artit, i gjejnë ato shumë mbresëlënëse”, thuhet në ftesën e dërguar nga organizatorët. /Albinfo.ch

Rama: Në 2027-ën i japim fund negociatave dhe bëhemi anëtar të BE-së

Së fundmi, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deri në vitin 2027, Shqipëria përfundon negociatat me Bashkimin Evropian dhe më pas bëhet anëtare e familjes evropiane, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, shqiptarët duhet t’i japin atij edhe një mandat tjetër qeverisës në zgjedhjet e 11 majit.

Duke folur në rubrikën ‘Sy më sy’, Rama renditi disa nga përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nëse vendi bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

“Pasaporta evropiane na bën qytetarë të dorës së parë, sepse nuk ka më kufi për ne. Nuk hyjmë më në radhë për të shkuar te polici, nuk na pyet njeri sa do të rrimë, as kur futemi, mund të rrimë sa të duam, mund të kërkojmë punë sa të duam.

Nëse kemi nevojë për një shërbim shëndetësor, e marrim njësoj si ata që janë shtetas të atij vendi, rimbursohemi njësoj si ata.

Nëse jemi studentë, jemi studentë evropianë dhe jo të huaj siç jemi sot, që do të thotë se nuk kemi tarifa ekstra, nuk kemi kuota të veçanta e kështu me radhë.

Pra, pasaporta e BE-së na jep mundësinë që Shqipëria të bëhet sa Bashkimi Evropian dhe BE të bëhet sa Shqipëria. Është e gjitha një Shqipëri e madhe, ku ne lëvizim dhe jemi në Francë si francezët, në Gjermani si gjermanët, siç janë ata kur shkojnë te njëri-tjetri”, u shpreh Rama.

Ai vuri në dukje se me pasaportën evropiane, shqiptarët do të trajtohen me dinjitet.

Sipas tij, nëse Partia Socialiste fiton zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, atëherë nuk do të humbet asnjë minutë kohë për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027 dhe për t’u bërë më pas anëtarë të Bashkimit Evropian.

“Është dinjiteti, me dinjitet të barabartë. Nuk na sheh njeri nga poshtë lart, nuk na trajtojnë: ‘Hajt se këta janë shqiptarë.’ Pasaportën mund ta marrim nëse bëhemi më 11 maj.

Nëse bëhemi bashkë më 11 maj, marrim një mandat të fuqishëm për të përmbyllur negociatat, pa humbur asnjë minutë kohë, pa asnjë luhatje, pa asnjë diskutim të brendshëm: ‘E lagu, se lagu. Jo, se fitoi ky, po shiko se duhet edhe ai.’ Dhe minutë për minutë, orë për orë, ditë për ditë, në 2027-n i japim fund negociatave dhe atëherë jemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Të gjithë me pasaportën e BE-së janë zotërues të hapësirës evropiane”, tha Rama.

Lulzim Fejzullahi, fiton ulëse në Odën Ekonomike në Austrinë e Epërme

Lulzim Fejzullahi, djaloshi nga Klina, i cili udhëheq disa biznese hoteliere në Ebensee dhe Gmunden, Austri, është zgjedhur përfaqësues i partisë SPÖ në Odën Ekonomike Austriake në Austrinë e Epërme. Për të fituar ulëse në Odën Ekonomike Austriake, këto ditë janë mbajtur zgjedhje në mbarë Austrinë. Në Austrinë e Epërme, sipas mediave austriake, kanë votuar rreth 90 mijë sipërmarrës, shkruan albinfo.at.

Si anëtar i Odës Ekonomike Austriake, Lulzimi do të ketë mundësinë të kontribuojë në zhvillimin e politikave ekonomike, të lidhet me sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe të forcojë partneritetet mes Austrisë dhe Kosovës. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe investuese, si dhe për promovimin e mundësive të reja për bizneset shqiptare që dëshirojnë të investojnë në tregun austriak.

Lulzim Fejzullahi, për disa vite, ka qenë edhe asamblist në komunën e Ebensee nga radhët e partisë SPÖ.

Nënshkruhet memorandum trilateral Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci

Bëhet e ditur se, me nderime të larta ushtarake, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka pritur homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci. Qëllimi i kësaj pritjeje ishte i një rëndësie të veçantë, përcjell albinfo.ch.

Në Tiranë është nënshkruar një memorandum trilateral në fushën e mbrojtjes. Ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Kroacisë kanë vendosur firmat e tyre për bashkëpunim në Tiranën zyrtare.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se synimi i këtij bashkëpunimi nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin. Sipas tij, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nuk do të lejojnë që askush të destabilizojë rajonin.

“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin. Ne u tregojmë që jemi së bashku dhe nuk do të lejojmë që askush të destabilizojë rajonin. Falënderoj ministrin e Shqipërisë dhe të Kroacisë për këtë nismë. Vlerësoj se kjo marrëveshje është e para trilaterale në rajon. Edhe një herë, kjo marrëveshje është deklaratë, është mesazh për çdo vend që ka për qëllim destabilizimin. Ne jemi bashkë dhe presim që të bashkohen edhe vende të tjera”, ka theksuar Maqedonci.

Ky memorandum i nënshkruar ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike, si dhe ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik dhe mbrojtjen rajonale.

Fillojnë homazhet për Haxhi Thaçin në Skenderaj

Sot, familja Thaçi nga Buroja ka hapur dyert për homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ndërroi jetë më 16 mars.

Në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, ku po mbahen homazhet, që nga orët e para të mëngjesit kanë ardhur shumë qytetarë për të nderuar të ndjerin dhe për të shprehur ngushëllime familjes.

Në këtë ceremoni janë të pranishëm edhe familjarët e afërt, përfshirë bashkëshorten, djalin dhe nënën e të ndjerit.

Homazhet do të vazhdojnë deri në orën 12:00, pas së cilës do të mbahet mbledhja komemorative, ndërsa varrimi i Haxhi Thaçit do të bëhet në orën 15:00, në varrezat e fshatit Burojë, Skenderaj.

Ai vdiq disa ditë pasi u vizitua nga i biri, nën masa të rrepta sigurie të Gjykatës Speciale.

Që nga ngritja e aktakuzës nga Haga, Hashim Thaçi ka ardhur tri herë në Kosovë për shkak të sëmundjes së prindërve. Vizitën e fundit e bëri të enjten, duke qëndruar tre orë me babain e sëmurë, pas disa refuzimesh nga Haga.

Haxhi Thaçi, i cili vuante nga një sëmundje e gjatë, së fundmi ishte i shtrirë në QKUK për trajtim.

Manifestimi i 30-vjetorit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Lozanës

Është bërë manifestimi i 30-vjetorit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Universiteteve të Lozanës (AEAUL), ditën e shtunë, më 15 mars, një moment i veçantë për të bashkuar komunitetin shqiptar dhe për të festuar këtë ngjarje të rëndësishme, përcjell albinfo.ch.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë pati kënaqësinë të marrë pjesë në manifestimin e 30-vjetorit të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë (AEAUL).

“Në këtë aktivitet mori pjesë këshilltarja e ambasadës, znj. Monika Zguro, e cila përshëndeti dhe uroi organizatorët dhe studentët për arritjet dhe sukseset e tyre të vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Po ashtu, e pranishme ishte edhe konsullja nga Konsullata e Kosovës në Gjenevë, znj. Diana Cakolli. Gjithashtu, në aktivitet ishin të pranishëm drejtues të shoqatave, studentë, përfaqësues kantonalë të Lozanës, si dhe aktivistë të tjerë”, thuhet në postimin e ambasadës.