A paguajnë të huajt më shumë taksa në Zvicër?

Nëse jeni i sapoardhur në Zvicër, ose jeni gati të transferoheni këtu, mund t’ju lindë pyetja nëse shtetasit e huaj tatohen me një normë më të lartë se zviceranët. Kjo është ajo që duhet të dini.

Së pari: në përgjithësi, njerëzit që jetojnë në Zvicër – duke përfshirë shtetasit e huaj – “gëzojnë disa nga normat më të ulëta të taksave në Evropë”, sipas qeverisë zvicerane.

Për shembull, në një analizë të normave tatimore të përpiluar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), një i rritur i vetëm në Zvicër paguan 11.5 përqind të pagës bruto në taksa. Në Evropë, vetëm banorët e Polonisë paguajnë më pak taksa.

Në fakt, është pikërisht kjo normë e ulët e taksave (më e ulët në disa kantone sesa në të tjera) që i nxit njerëzit e pasur të lënë vendet e tyre me taksa të larta dhe të vendosen në kantonet zvicerane me normat më të favorshme – për shembull, Zug dhe Schwyz.

Megjithatë, këto raste – së bashku me individët ultra të pasur nga vendet jashtë BE-së dhe EFTA-së (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni), të cilët “blejnë” rrugën e tyre në Zvicër duke negociuar taksimin e një shume të madhe – përbëjnë vetëm një përqindje shumë të vogël të popullsisë së huaj.

Për më shumë detaje: https://www.thelocal.ch/20250424/do-foreigners-pay-more-taxes-in-switzerland

Sveçla: Aksioni në Kaçanik po vazhdon, ka arrestime të reja

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se ka arrestime të reja që lidhen me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.

Ai theksoi se operacioni i Policisë së Kosovës në Kaçanik po vazhdon dhe numri i të arrestuarve nuk dihet, përcjell albinfo.ch.

“Tashmë është publike që ka arrestime të reja. Numri përfundimtar ende nuk dihet, për shkak se aksioni është duke vazhduar. Gjitha institucionet ligj-zbatuese janë të vendosura që të luftohet çfarëdo lloj ekstremizmi apo dhune, e cila dëmton institucionet dhe pjesëtarët e saj por po ashtu vetë popullin e saj”, ka thënë Sveçla.

Ai tha se Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetime, derisa u pyet se personat e arrestuar kanë qenë në liri ani pse me vepra penale.

“Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetime sa i përket kësaj informate, kur t’i kemi të dalurat nga këto hetime pastaj do të marrim masat e nevojshme”, shtoi ai.

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka filluar një operacion policor, në komunën e Kaçanikut.

Ky informacion është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Edhe në këtë rast pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha Kelani.

Më 1 prill, Muhamed Lika ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën ‘Idriz Seferi’, në Kaçanik rreth orës 23:00. Ai u transportua në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Haxhiu: Jemi të gatshëm të flasim për datën e zgjedhjeve

Në një deklaratë për media, e propozuara e LVV-së për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, ka thënë se, nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet, siç po ndodh që gjashtë herë, “atëherë është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, përcjell albinfo.ch.

“Duket që ka mungesë vullneti për t’u konstituar Kuvendi i Kosovës, por ne jemi shumë të gatshëm t’i presim partitë politike që të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, tha Haxhiu.

E pyetur nëse do të tërhiqej nga kandidatura për postin e kryeparlamentares pas dështimit për të katërtën herë sot, ajo tha se “Vetëvendosja e ka qëndrimin e qartë”.

Përfaqësuesit e LVV-së kanë insistuar në kandidaturën e Haxhiut, duke thënë se nuk u takon partive të tjera ta përcaktojnë propozimin e LVV-së.

Zvicra planifikon të krijojë një regjistër kombëtar të borxhit

Sistemi aktual i lejon debitorëve të fshehin borxhet e tyre, kur lëvizin nga një kanton në tjetrin, përcjell Albinfo.ch.

Prandaj Këshilli Kombëtar pritet të votojë pro bazës së të dhënave të centralizuara gjatë seancës verore të parlamentit, që do të zhvillohet nga 2 deri më 20 qershor.

Qëllimi i kësaj mase, nëse miratohet, është t’i japë fund këtyre praktikave, duke lejuar të gjithë ata që kanë nevojë të kontrollojnë gjendjen financiare të një individi ose kompanie — për shembull, institucionet kredituese ose pronarët — të hyjnë në regjistrin kombëtar.

Malajzia heq vizat për qytetarët e Kosovës

Me vendim të Qeverisë së Malajzisë, qytetarët e Republikës së Kosovës nga tani mund të udhëtojnë pa vizë në Malajzi për një periudhë që nuk e tejkalon qëndrimin prej tridhjetë (30) ditësh, përcjell albinfo.ch.

“Republika e Kosovës mirëpret këtë hap pozitiv dhe shpreh mirënjohjen ndaj institucioneve malajziane për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në shërbim të qytetarëve dhe për lidhjet bilaterale gjithnjë e më të fuqishme mes dy vendeve tona,” deklaroi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes së lirë dhe thellimit të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malajzisë.

Presidentja Osmani javën tjetër në Malajzi për hapjen e Ambasadës në Kuala Lumpur

Presidentja Vjosa Osmani, javën e ardhshme, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Malajzi, përcjell albinfo.ch.

Siç njofton vetë presidentja, në këtë vizitë do të bëhet edhe hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, si dhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ky hap i rëndësishëm, i kombinuar me inaugurimin e ambasadës sonë në Kuala Lumpur gjatë vizitës time javën e ardhshme, tregon se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë institucioneve malajziane për këtë vendim domethënës.

“Kjo vizitë do të shërbejë edhe për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Pres me padurim të angazhohem me udhëheqësit e Malajzisë javën e ardhshme, ndërsa punojmë së bashku për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe për të avancuar interesat e përbashkëta të popujve tanë”, ka thënë Osmani në një postim në X.

Drita Cacaj, kandidate për deputete në Këshillin e Vjenës

E njohur si një prej aktivisteve të hershme të komunitetit shqiptar në Vjenë, si dhe për angazhimin e saj prej dekadash në partinë ÖVP, Drita Cacaj është duke kandiduar për zgjedhjet për Këshillin Bashkiak të Vjenës, si dhe njëkohësisht për Këshillin e Qarkut të 5-të të Vjenës.

Zgjedhjet për Këshillin e Vjenës do të mbahen më 27 prill 2025 dhe, pas atyre nacionale, konsiderohen ndër më të rëndësishmet në Austri.

“Unë kandidoj në zgjedhjet parlamentare të Vjenës dhe për qarkun e 5-të (Bezirk 5). Megjithatë, për votimin në qarkun e 5-të mund të votojnë edhe ata që jetojnë në qarqet 1, 4 dhe 6 të Vjenës,” ka sqaruar ajo për albinfo.at.

Qëllimi i zonjës Cacaj, nëse fiton një vend në Këshillin Bashkiak të Vjenës, është të barazojë komunitetin shqiptar me komunitetet e tjera që jetojnë në Austri.

“Ne kemi një numër të madh bashkatdhetarësh që jetojnë këtu. Synimi kryesor është që të kemi përfaqësim dhe të drejta të barabarta me komunitetet e tjera në Austri, p.sh.: që gjuha shqipe të shkruhet në vendet e duhura si spitale, shkolla, vende publike etj. Të respektohen të drejtat e grave e të fëmijëve,” shprehet zonja Cacaj për albinfo.at.

Drita, siç tregon ajo, është mbështetëse e fuqishme e integrimit dhe shkollimit të shqiptarëve, duke synuar të përcjellë zërin e tyre në instancat përkatëse. “Kam qenë dhe do të jem zëri i komunitetit shqiptar në Austri. Motoja ime është puna, vullneti dhe gatishmëria pa u lodhur kurrë për vendet tona të prejardhjes. Ky motiv më frymëzon më së shumti,” përfundon ajo.

Drita, kishte garuar edhe në zgjedhjet e kaluara, por nuk arriti të fitoj numër të madh votash. Ajo ishte e zhgënjyer nga komuniteti ynë të cilët sipas saj nuk kanë dal për të votuar.

“Besoj dhe shpresoj se do ndryshoj situata në anën pozitive dhe të arrij të jem e zgjedhur nga populli im për të qenë pjesë e parlamentit të Këshillit të Vjenës”.

Për fund, Drita Cacaj ka kërkuar votën e shqiptarëve në mënyrë që mobilizimi  të rezultat.

Ajo ka premtuar se vota drejt Dritës do të sjell dëgjimin e zërave të shqiptarëve në diasporë.

 

Dështon për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit

Ka dështuar për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit të Kosovës.

Për të katërtën herë kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur që të sigurojë më shumë se 57 vota. 

Emri i saj është hedhur në votim pas propozimit që ka bërë deputeti Glauk Konjufca. 

“Emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës, ju kërkoj mirëkuptimin tuaj që ta zhbllokojmë situatën në të cilën kemi mbetur”, është shprehur Konjufca para procesit të votimit. 

Policia e Kosovës realizon aksion në Kaçanik: Detajet jepen pas operacionit

Bëhet e ditur se Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante  sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili po realizohet në komunën e Kaçanikut, përcjell albinfo.ch.

Këtë  për mediat e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai ka thënë se detajet e këtij aksioni do të bëhen më vonë pas përfundimit të aksionit të policisë.

“Edhe në këtë rast pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka deklaruar Kelani.

Edhe një tentim për konstituim të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sërish për ta vazhduar seancën e konstituimit të Kuvendit, të nisur më 15 prill, përcjell albinfo.ch.

Seanca nisi në orën 10:00, ndërkohë që konstituimi është bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetari të Kuvendit. 

Kjo pasi që partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë nuk e kanë përkrahur kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryeparlamentare. 

Propozimi i VV-së për Haxhiun kryeparlamentare është hedhur në votim tri herë dhe në të tria rastet ka dështuar. Të gjitha zhvillimet rreth seancës konstituive do të mund t’i lexoni këtu.

Ambasada e Kosovës në Londër shfaqi dokumentarin “Return to Kosovo”

Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar organizoi sonte shfaqjen e dokumentarit “Return to Kosovo”, një rrëfim thellësisht prekës mbi realitetin e hidhur të luftës në Kosovë, me fokus në masakrën e familjes Deliu nga Abria e Epërme dhe në të mbijetuarin e saj, Besnik Deliu, përcjell albinfo.ch.


Ngjarja mblodhi një numër të madh të anëtarëve të diasporës shqiptare, si dhe mysafirë të ftuar, të cilët, pas përfundimit të shfaqjes, patën mundësinë të bashkëbisedojnë me autorët e dokumentarit: gazetarët britanikë Julius Strauss dhe Vaughan Smith, si dhe me Leman Kamberi Muriqi, producente ekzekutive dhe përkthyese gjatë luftës në Kosovë.

Në emër të Ambasadës së Kosovës, diplomatja Valmira Thaçi Musa falënderoi organizatorët për këtë projekt të rëndësishëm dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, në nderim të një historie që dëshmon për qëndresën, dhimbjen dhe të vërtetën e popullit të Kosovës.

Si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në informimin e opinionit ndërkombëtar gjatë luftës së fundit në Kosovë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dekoruar Julius Strauss dhe Vaughan Smith, në shkurt të këtij viti, me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Dillan Barbatovci, kosovari i parë që u bë pjesë e Marinës Spanjolle

Bëhet e ditur se Dillan Barbatovci është kosovari i parë që është bërë pjesë e Marinës Spanjolle, përcjell albinfo.ch.

Tash e katër muaj, Barbatovci përfaqëson këtë elitë ushtarake, duke fituar profesionalizëm dhe strategji ushtarake më moderne.

Thuhet se ai gjithmonë ka pasur dëshirën, motivin dhe gatishmërinë për t’u bashkuar Forcave Ushtarake të Marinës Spanjolle.

Zyrtarët e lartë zviceranë në SHBA po bisedojnë me administratën Trump për të shmangur tarifat tregtare

Presidentja Karin Keller-Sutter dhe ministri i Ekonomisë Guy Parmelin mbërritën në Uashington të mërkurën, për të bindur administratën amerikane që t’i hiqte tarifat prej 31 për qind – dukshëm më të larta se ato ndaj Bashkimit Evropian (10 për qind) – që Donald Trump i pati vendosur mbi eksportet zvicerane në fillim të prillit, përpara se t’i pezullonte përkohësisht, përcjell albinfo.ch.

Gjatë vizitës treditore, delegacioni zviceran do të nxjerrë në pah investimet e konsiderueshme të Zvicrës në SHBA, duke përfshirë 50 miliardë dollarë të zotuar së fundmi nga gjiganti farmaceutik Roche – i cili do të krijojë 12 000 vende pune – përveç 23 miliardë dollarëve të caktuar nga Novartis për tregun amerikan.

Sulm me thikë në një shkollë në Francë, një i vdekur dhe tre të tjerë të plagosur

Në qytetin e Nantes, në Francën perëndimore, një nxënës shkolle mbeti dje viktimë e një sulmi me thikë.

Sulmi u regjistrua mesditën e sotme brenda shkollës, ndërsa tre nxënës të tjerë mbetën të plagosur, përcjell albinfo.ch.

Referuar policisë franceze, viktima është një nxënës i institucionit, ndërsa autori i dyshuar, një tjetër nxënës, u neutralizua nga mësuesit.

Zëdhënësi i policisë bëri të ditur se deri tani nuk ka asnjë shenjë që të tregojë për motiv terrorist pas sulmit, ndërsa hetimet për të zbuluar shkaqet kanë nisur.

Kanceri i mushkërive nuk fillon gjithmonë me kollë, simptomat e para që njerëzit i injorojnë

Sot, gjithçka i atribuohet stresit, mungesës së gjumit ose rraskapitjes së përgjithshme, përfshirë lodhjen. Megjithatë, nëse përjetoni lodhje të pashpjegueshme që zgjat për një kohë të gjatë, duhet t’i kushtoni vëmendje.

Lodhja kronike është një nga simptomat e kancerit të mushkërive që pacientët e raportojnë shpesh, veçanërisht në fazat e mëvonshme të sëmundjes.

Vështirësia në frymëmarrje e shkaktuar nga kanceri i mushkërive mund të çojë në një ndjenjë të theksuar lodhjeje, thekson Cancer Research UK.

Përveç kësaj, grumbullimi i lëngjeve në zgavrën e barkut mund ta vështirësojë edhe më shumë frymëmarrjen, gjë që e shton më tej lodhjen.

Simptoma të tjera të kancerit të mushkërive
Përveç lodhjes së pashpjegueshme, Shërbimi Kombëtar i Shëndetit Britanik rendit edhe simptomat e mëposhtme që mund të tregojnë kancerin e mushkërive:

  • Një kollë që nuk largohet pas tre javësh

  • Një kollë e vazhdueshme që përkeqësohet

  • Infeksione të përsëritura të frymëmarrjes

  • Kollitja me gjak

  • Dhimbje gjoksi gjatë frymëmarrjes ose kollës

  • Frymëmarrje e vazhdueshme

  • Humbje oreksi ose humbje peshe e pashpjegueshme

Simptomat më pak të njohura përfshijnë ndryshime në gishta si trashje e majave, vështirësi në gëlltitje dhe dhimbje gjatë gëlltitjes.

Kur të kërkoni ndihmë mjekësore?
Nëse vëreni ndonjë nga këto simptoma, është e rëndësishme të kërkoni kujdes mjekësor sa më shpejt të jetë e mundur. Diagnoza e hershme rrit shanset për trajtim të suksesshëm. Shumica e rasteve të kancerit të mushkërive lidhen me pirjen e duhanit, por edhe joduhanpirësit mund ta marrin këtë sëmundje. Lënia e duhanit në çdo kohë zvogëlon rrezikun; pas 12 vjetësh bie me më shumë se 50% dhe, pas 15 vjetësh, pothuajse arrin nivelin e jo-duhanpirësve, sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetit Britanik.

Përveç lënies së duhanit, një dietë e ekuilibruar dhe ushtrimet e rregullta gjithashtu ndihmojnë në uljen e rrezikut. Shërbimi Kombëtar i Shëndetit rekomandon 150 minuta aktivitet të moderuar në javë, si ecje ose çiklizëm, si dhe stërvitje për forcë dy herë në javë.

 

Kush do të trashëgojë pasurinë e Papa Françeskut?

Në ditët e fundit të jetës së tij, Papa Françesku zgjodhi të flasë jo përmes fjalëve, por përmes një gjesti të thellë dhe domethënës. Pa shumë zhurmë, ai dhuroi të gjitha kursimet personale – një shumë prej mbi 200 000 euro – për një qëllim që i kishte qëndruar gjithmonë pranë zemrës: të rinjtë e privuar nga liria.

Donacioni i tij shërbeu për të nisur ndërtimin e një fabrike makaronash në burgun për të mitur Casal del Marmo, në periferi të Romës. Ishte një investim në dinjitetin dhe të ardhmen e atyre që ndoshta shoqëria ka tentuar t’i harrojë.

Lajmi u bë i ditur nga ipeshkvi ndihmës i Romës, Imzot Benoni Ambarus, i njohur ndryshe si Don Ben, një nga njerëzit më të afërt të Papës. Ai kujtoi momentin kur i kërkoi ndihmë Papës dhe mori si përgjigje: “Financat e Kishës janë të shterura… por mos u shqetëso, unë kam diçka në llogarinë time,” përcjell albinfo.ch.

Shuma u transferua menjëherë, duke i hapur rrugën një projekti që synon t’u japë shpresë dhe një drejtim të ri shumë të rinjve që kanë gabuar, por që meritojnë një mundësi të dytë.

Pak ditë para se të ndërronte jetë, Papa vizitoi burgun Regina Coeli. I lodhur dhe i dobësuar, ai u shfaq aty për të dërguar edhe një herë mesazhin e tij të palëkundur: se të burgosurit janë ende pjesë e shoqërisë sonë dhe se ata kanë nevojë për përkujdesje e drejtësi.

“Ai ishte si një baba që po ndërronte jetë para syve të tyre,” tregoi Don Ben. “Ata më thanë se kishin ndjerë një humbje të thellë.”

Edhe Samuele Ciambriello, komisioner për të drejtat e të burgosurve në rajonin Kampania, e përkujtoi me emocione figurën e Papës: “Françesku nuk foli vetëm për burgjet – ai i bëri ato zemrën e misionit të tij. Ai hapi Dyert e Shenjta në burgun Rebibbia, e ktheu në një vend shenjtërie.”

Rituali i larjes së këmbëve, vizitat e panumërta në burgje dhe thirrjet e tij për mëshirë e dinjitet njerëzor ishin pjesë e një trashëgimie që shkon përtej fjalëve. Një trashëgimi që tashmë, shumëkush beson se duhet të nderohet me akte konkrete – si një amnisti ose lehtësim dënimesh në Vitin Jubilar.

Trajnimi i refugjatëve për t’u bërë asistentë mjekësorë në Ringgenberg

Nga gushti, refugjatët do të trajnohen si asistentë mjekësorë në strehimin kolektiv në Ringgenberg. Pas një projekti pilot të suksesshëm në Jura-në Bernese, një projekt i ngjashëm po fillon tani në rajonin e Oberlandit të Bernës.

Qëllimi i kantonit është të promovojë integrimin profesional të refugjatëve në sektorin e shëndetësisë dhe njëkohësisht të luftojë mungesën e punonjësve të kualifikuar, siç njoftuan Kanton i Bernës dhe Asyl Berner Oberland të enjten, transmeton albinfo.ch.

Kërkuesit e azilit mund të fitojnë një diplomë të njohur kombëtarisht për asistente mjekësore në një strukturë që ngjan me një internat. Varësisht nga niveli i tyre i gjuhës, trajnimet do të zgjasin nga njëmbëdhjetë deri në njëzet muaj. Kanton i Bernës bashkëpunon me institucione mjekësore lokale dhe qendrën e formimit profesional në Interlaken. Në total janë në dispozicion 60 vende për kursin.

Strehimi kolektiv në Ringgenberg do të akomodojë kryesisht pjesëmarrësit në kurs dhe familjet e tyre. Banorët aktualë të qendrës janë informuar për ndryshimin e mundshëm të përdorimit të objektit.

Sipas kantonit, ata tani janë në kërkim të apartamenteve në zonën përreth. Ata mbështeten nga Asyl Berner Oberland dhe vullnetarët, sipas deklaratës.

Në Bellelay, në Jura-në Bernese, 87 persona morën pjesë në një projekt pilot për trajnim si asistent mjekësor. Kanton i Bernës bëri një përfundim pozitiv në mes të prillit dhe njoftoi atëherë se një tjetër qendër do të hapet në Oberlandin e Bernës. Programi ka si synim kryesor refugjatët e njohur dhe ata që kanë marrë pranimin e përkohshëm.

Gazi është bërë më i lirë në kantonin Zug

Furnizuesi i ujit dhe energjisë WWZ, që ka selinë në Zug, do të ulë çmimet e gazit duke filluar nga 1 qershori. Tarifat do të jenë 1.2 cent më të lira për kilovat­orë për të gjitha grupet e konsumatorëve, njoftoi kompania të enjten, transmeton albinfo.ch.

Ky vendim justifikohet me situatën e stabilizuar të furnizimit me gaz dhe rënien e çmimeve të blerjes dhe të furnizimit në tregun ndërkombëtar.

Për një kohë të gjatë tregu i gazit ka qenë i pasigurt, por WWZ bën blerje të strukturuara gazi për disa vjet, duke ndihmuar në amortizimin e luhatjeve të çmimeve.

 

Krahasim: Fluturimet u bënë më të lira por çfarë u shtrenjtua?

Shumë gjëra janë bërë më të shtrenjta, por fluturimet jo – të paktën për momentin. Sipas indeksit të çmimeve të kohës së lirë nga Comparis, çmimet e biletave ajrore në mars 2025 ranë ndjeshëm krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Megjithatë, çmimet mbeten ende dukshëm më të larta se para pandemisë.

Fluturimet u bënë më të lira në mars 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Por kjo nuk përbën një trend afatgjatë, paralajmëron Comparis. Me afrimin e verës dhe rritjen e kërkesës, pritet që çmimet të rriten sërish.

Ndërkohë, shërbimet e transmetimit të serive dhe filmave janë bërë dukshëm më të shtrenjta. Indeksi i çmimeve tregon një rritje prej 0.8 % në mars 2025 për aktivitetet dhe produktet e kohës së lirë krahasuar me marsin e 2024-ës. Vetëm çmimet e shërbimeve të streaming janë rritur me 6.1 %, më shumë se çdo produkt tjetër në krahasim vjetor.

Gjithashtu janë rritur edhe çmimet për akomodimet shtesë, si kampingjet dhe shtëpitë me qira, me një inflacion prej 4.4 %. Vendin e tretë për rritjen më të madhe të çmimeve e zënë abonimet për gazeta dhe revista, transmeton albinfo.ch.

Por jo gjithçka është bërë më e shtrenjtë. Sipas ekspertit të mobilitetit të Comparis, Adi Kolecic, “linjat ajrore me kosto të ulët, si EasyJet, kanë rritur praninë e tyre në Aeroportin e Cyrihut, duke intensifikuar konkurrencën me kompanitë tradicionale. Kjo ka sjellë një ulje të ndjeshme të çmimeve.” Përveç kësaj, oferta e fluturimeve është rritur ndjeshëm që nga viti i kaluar, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, kjo tendencë nuk pritet të zgjasë. Kolecic parashikon që në muajt e verës çmimet do të rriten për shkak të kërkesës së lartë.

Edhe pse çmimet ranë krahasuar me vitin e kaluar, krahasuar me marsin e vitit 2019 – para pandemisë – fluturimet janë ende 24 % më të shtrenjta.

Langenthal: Shënohet 35 vjetori i pajtimit të madh shqiptar në Verrat e Llukës

Më 3 maj 2025 në Langenthal (BE), me organizim të Lidhjes Shqiptare në Botë shënohet 35 vjetori i Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve, gjegjësisht pika kulmore e tij, tubimi historik në Verrat e Llukës.

Aktiviteti evokon  këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së re të shqiptarëve, përmes xhirimeve të njërit nga “heronjtë e heshtur” që regjistroi shumë ngjarje të viteve `90 në Kosovë, kameramanit Murteza Kurti.

Koha: 03 maj, ora 18.30

Vendi: Bären Hotel, Langenthal (BE)

Dodik sfidon Bosnjën: Tentativa për arrest bllokohet nga trupat lokale

Tensionet kanë arritur pikën e vlimit në Bosnjë-Hercegovinë, pas një përpjekjeje dramatike për arrestimin e liderit të linjës së ashpër serbe, Milorad Dodik. Njësitë e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) janë përballur me rezistencë të armatosur nga policia lokale, e besnike ndaj Dodik, ndërsa përpiqeshin të hynin në një ndërtesë administrative në Sarajevën Lindore – në zemër të territorit të Republikës Srpska.

Sipas burimeve të gazetës boshnjake Klix.ba, përplasja ndodhi mbrëmjen e kaluar dhe për pak nuk përshkallëzoi në një konfrontim të hapur ndërmjet forcave shtetërore dhe atyre rajonale. Ky zhvillim shënon një pikë kthese shqetësuese në përplasjen e gjatë ndërmjet institucioneve qendrore të Bosnjë-Hercegovinës dhe qeverisë autonome të Republikës Srpska, transmeton albinfo.ch.

Dodik, së bashku me kryeministrin e RS Radovan Višković dhe kreun e parlamentit rajonal Nenad Stevandić, janë nën hetim nga Prokuroria e Shtetit për akuza të rënda mbi minimin e rendit kushtetues. Arrestet janë urdhëruar që në mars, por ekzekutimi i tyre ka rezultuar i pamundur për shkak të mbështetjes së thellë që Dodik gëzon në rajon.

Në një sfidë të hapur ndaj autoritetit të shtetit, legjislatura e RS ka miratuar ligje që mohojnë juridiksionin e gjykatave dhe prokurorisë qendrore në territorin e saj – një hap që shumë analistë e konsiderojnë si paralajmërim për ndarje të mundshme.

Dodik, i njohur për retorikën e tij nacionaliste dhe lidhjet e ngushta me Moskën, prej vitesh mbron idenë e shkëputjes së Republikës Srpska nga Bosnja, duke e vendosur vendin në një kurs gjithnjë e më të rrezikshëm për destabilizim.

Bosnjë-Hercegovina, që prej Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, funksionon si një shtet i ndarë në dy njësi autonome, por kjo ngjarje e fundit mund të tronditë themelet e brishta të këtij ekuilibri të pasluftës.