SHBA dëshiron që kompanitë zvicerane të braktisin programet e tyre të diversitetit

Sipas raportimeve të mediave, disa kompani zvicerane që dëshirojnë të bëjnë biznes në Shtetet e Bashkuara do të marrin së shpejti një letër nga Ambasada e SHBA-së në Bernë, duke kërkuar që të braktisin programet e tyre të barazisë, përcjell albinfo.ch.

Kjo është në përputhje me qëndrimin e presidentit Trump për të refuzuar programet e synuara për avancimin e grave dhe pakicave.

Korporatat e mëdha zvicerane, si UBS, Roche dhe Novartis, thuhet se po heqin objektivat e tyre të barazisë dhe diversitetit nga dokumentet e disponueshme publikisht, në mënyrë që të mos zemërojnë administratën amerikane.

Qasja e ashpër e Trump tashmë po nxit kritika nga ligjvënësit zviceranë.

“Kompanitë zvicerane duhet të pajtohen me ligjin tonë, jo me rregulloret e SHBA-së, veçanërisht pasi objektivat e barazisë janë të sanksionuara në ligjin e Zvicrës”, tha deputetja Min Li Marti. “Bindja parandaluese nuk është në vend këtu.”

Trump shpall tarifa të reja për Zvicrën, reagim nga presidentja zvicerane

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të mërkurën se do të vendosen taksa doganore prej 31 për qind për mallrat e importuara në Shtetet e Bashkuara nga Zvicra. Kjo tarifë është 50 për qind më e lartë se ajo që synon Bashkimin Evropian (20 për qind), përcjell albinfo.ch.

Këto detyrime janë në përgjigje të tarifave prej 61 për qind të vendosura nga Zvicra për importet amerikane, tha Trump të mërkurën, ndërsa njoftoi një gamë gjithëpërfshirëse tarifash reciproke për mallrat nga jashtë.

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter u përgjigj në X (ish-Twitter) se Këshilli Federal “do të vendosë shpejt për hapat e ardhshëm”, duke shtuar se “interesat ekonomike afatgjata të vendit janë përparësia kryesore e qeverisë”.

https://x.com/keller_sutter/status/1907533622388601244?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1907533622388601244%7Ctwgr%5E46894f9fdefc8517c61d69ca325ce00b79637ea0%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.thelocal.ch%2F20250403%2Ftoday-in-switzerland-a-roundup-of-the-latest-news-on-thursday-185

Bashkëpunimi Kosovë – Austri për modernizimin e sektorit publik dhe zhvillimin e ekonomisë digjitale

Tema e digjitalizimit dhe inovacionit në administratën publike ishin në qendër të diskutimeve në “DigiDay Prishtina 2025: Zgjidhje Inovative për Administratën Publike Austri-Kosovë”, një ngjarje që mblodhi ekspertë të teknologjisë, përfaqësues qeveritarë dhe investitorë nga të dyja vendet, përcjell albinfo.at.

Konferenca, siç u tha, synon të ndihmojë në shkëmbimin e praktikave më të mira për modernizimin e sektorit publik dhe zhvillimin e ekonomisë digjitale.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të përballuar sfidat e transformimit digjital.

“Programi i sotëm do të trajtojë tema të ndryshme si siguria kibernetike, inteligjenca artificiale, strategjitë kombëtare të digjitalizimit, e-qeverisja dhe aftësitë digjitale. Administratat publike shpesh nuk kanë kapacitetet dhe kompetencat për të ndjekur zhvillimet e shpejta teknologjike dhe për të përshtatur kornizat ligjore me realitetet në ndryshim”, tha ai.

Schnetzer gjithashtu potencoi mundësitë për investime austriake në Kosovë.

“Jam i sigurt se ka shumë pika të përbashkëta dhe mundësi të mëdha për investitorët austriakë në sektorin e IT-së në Kosovë, me shoqërinë e saj të re, shumëgjuhëshe dhe të orientuar nga e ardhmja”, u shpreh ambasadori.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Ekonomisë së Kosovës, Getoar Mjeku, prezantoi vizionin e Qeverisë për një administratë më efikase dhe një ekonomi digjitale të avancuar.

“Ne duam që Kosova të bëhet një vend modern në aspektin digjital, me një administratë publike efikase që shfrytëzon teknologjinë moderne. Vetëm disa ditë më parë, qeveria shtoi një grup të ri shërbimesh në portalin e-Kosova, që u mundëson qytetarëve të aksesojnë shërbimet digjitale në internet”, tha ai, raporton EO.

Sipas Mjekut, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në përmirësimin e infrastrukturës digjitale.

“Sot kemi një normë të penetrimit të lidhshmërisë në internetin broadband prej 99.8%, duke na vendosur mes kampionëve botërorë”, shtoi ai.

Ndërkohë, Wilhelm Nest, këshilltar dhe drejtor i “Advantage Austria” në Kosovë, krahasoi përvojën e Austrisë në e-Qeverisje me vendet e tjera evropiane.

“Që nga viti 1997, e-Qeverisja nuk është më një fjalë e modës në Austri, por një realitet. Në Gjermani, përdorimi i shërbimeve të e-Qeverisjes është 56%, në Zvicër 60%, ndërsa në Austri arrin në 70%”, tha Nest.

Ai vuri në dukje suksesin e kompanive austriake në këtë fushë.

“Kompanitë austriake të teknologjisë së informacionit dhe sektori i konsulencës janë ndër shtytësit më të rëndësishëm të PBB-së sonë dhe, me një kuotë eksporti prej 30%, janë një histori suksesi në eksport”, tha Nesti.

Qeveria ia ndan 75 mijë euro Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për promovim të vendit

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, gjatë së cilës janë marrë dy vendime nga kabineti qeveritar.

Fillimisht është miratuar vendimi për të mbështetur procesin e nisur nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca për trajtimin e përhapjes dhe përdorimit të papërgjegjshëm të aftësive komerciale për ndërhyrje kibernetike – i njohur si “Procesi Pall Mall”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Po ashtu, janë ndarë 75,000 euro për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, me qëllim të promovimit të vendit.

Oda Ekonomike Amerikane kërkon heqjen e tarifës për mallrat nga SHBA-ja

Pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e një tarife bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheqë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se vendosja e tarifës nga SHBA-ja do të ndikojë në aftësinë e eksportuesve kosovarë dhe do të ulë përparësinë konkurruese të produkteve të Kosovës në tregun amerikan.

“Po që se Kosova lëviz përpara në mënyrë të njëanshme me ndërmarrjen e një mase preferenciale tregtare, duke tërhequr në tërësi tarifën doganore për produktet amerikane, mund të shpresojmë që i njëjti hap do të pasohet dhe do të hiqet nga administrata amerikane”, tha Zeka për REL.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nëse do të shqyrtohet kjo kërkesë dhe cilat janë mundësitë për tërheqjen e kësaj tarife, por nga këto institucione ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkaq, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka pritur me shqetësim vendimin e presidentit amerikan për vendosjen e tarifës bazë prej 10 për qind.

“Ky vendim pritet ta godasë edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejt SHBA-së ka pasur ulje përgjatë muajve të fundit”, thuhet në njoftimin për media të kësaj dhome.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’iu dalë në ndihmë bizneseve që preken nga ky vendim.

Organizatat ekonomike në Kosovë thonë se nga viti 2019 ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave vlera e tyre në vitin 2019 ishte 3 milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë euro.

Kosova ngritët për 2 pozita në FIFA, Shqipëria bie një

Kosova është ngritur për dy pozita në renditjen më të fundit të FIFA-s, të publikuar të enjten.

Dardanët tashmë renditen në pozitën e 97-të, pas fitoreve në dy ndeshjet e play-off-it të Ligës së Kombeve kundër Islandës, transmeton albinfo.ch.

Ky sukses e ka ndihmuar ekipin tonë të bëjë një tjetër ngritje të rëndësishme në renditjen botërore, pasi në muajin nëntor Kosova renditej e 99-ta.

Pozita e 97-të është renditja më e mirë që Kosova e ka arritur që prej pranimit në FIFA dhe UEFA, në maj të vitit 2016.

Shqipëria ka zbritur një vend në renditjen e FIFA-s, pas dy sfidave të para të vitit 2025 kundër Anglisë dhe Andorrës në eliminatoret e Kupës së Botës.

Kuqezinjtë u mundën 2:0 në “Wembley” dhe fituan 3:0 në “Arenën Kombëtare”, ndërsa këto rezultate janë pasqyruar në përditësimin e klasifikimit botëror, ku kuqezinjtë mbajnë vendin e 66-të.

Shqipëria e mbylli vitin e shkuar një pozicion më lart, ndërsa renditjen më të mirë e shënoi në tetor të vitit 2023, kur mbante vendin e 59-të.

Presidentja Osmani niset drejt Bullgarisë, përfaqëson Kosovën në procesin Aqaba

Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II, dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, ka udhëtuar për në Bullgari për ta përfaqësuar Kosovën krahas liderëve të tjerë në Takimin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, i cili do të mbahet në Sofje, përcjell albinfo.ch.

Sipas Presidencës, Osmani do të mbajë fjalim në hapje të Samitit, si dhe do të zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrës. Gjatë këtyre takimeve do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.

Ky takim organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

“Presidentja Osmani do të theksojë angazhimin e suksesshëm të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët strategjikë. Në këtë kuadër, ajo do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për sigurinë rajonale dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj të sigurisë, në përputhje me standardet euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Këto janë partitë që i çregjistroi KQZ-ja sot

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi rekomandimin e Zyrës për çregjistrimin e dy partive politike: Partisë Republikane për Ndryshime dhe Shpresës Demokrate, për shkak të mospërmbushjes së obligimeve, përcjell albinfo.ch.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se Shpresa Demokrate dhe Partia Republikane për Ndryshime nuk kanë dorëzuar raportet vjetore financiare në Zyrë, as pas afatit shtesë prej 15 ditësh.

“Duke u bazuar në nenin 18, paragrafi 1.2 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme si dhe në Rregullën nr. 01/2024 mbi Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike, neni 6, partia politike e regjistruar duhet të dorëzojë formularin për vazhdimin e regjistrimit të saj, në formë elektronike ose në formë fizike të nënshkruar, jo më vonë se 31 marsi i vitit kalendarik. Meqenëse data 31 mars 2025 ishte festë zyrtare (dita e hënë), sipas nënparagrafit 4 të nenit 81 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, afati për dorëzimin e formularit të regjistrimit është shtyrë deri më 01 prill 2025.

Dy partitë politike kanë qenë të pezulluara për shkak të mosdorëzimit të raportit vjetor financiar për vitin 2024. Prandaj, duke u bazuar në paragrafin 17 të nenit 15 të Rregullores nr. 06/2024 për Menaxhimin dhe Mbikëqyrjen Financiare të Subjekteve Politike dhe sipas vendimit të KQZ-së të datës 19.03.2025, partitë “Shpresa Demokrate” (me nr. vendimi 01/748-2025) dhe “Partia Republikane për Ndryshime” (me nr. vendimi 01/748-2025) nuk kanë dorëzuar raportin vjetor financiar në Zyrë, as edhe pas afatit shtesë prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh. Kur bëhet fjalë për diçka të rëndësishme, Zyra ka komunikim të vazhdueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për çregjistrim të partive politike”, tha Buzhala.

“Mendoj që subjektet politike që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend e as nuk kanë përfaqësues, Zyra duhet të ketë komunikim më ndryshe me këta. Duke qenë e nevojshme që subjektet të funksionojnë, do të votoj kundër çregjistrimit të këtyre subjekteve politike. Duhet të ndërrohet qasja”, tha Selmanaj.

“Me tank, kundër patriarkatit”, gruaja që prodhoi autoblindën e parë shqiptare

Arjeta Puca është gruaja që vitin e kaluar qe bërë subjekt i mjaft titujve afirmativë, jo vetëm në mediat shqiptare. Ajo e kishte merituar këtë: ishte shqiptarja e parë që kishte konstruktuar dhe prodhuar një “tank shqiptar”, ose një autoblindë ushtarake, të cilës i kishte vënë emrin simbolik dhe me peshë, “Shota”, shkruan albinfo.ch.

Televizioni i njohur gjerman MDR i ka kushtuar një kronikë dhe një artikull “Shotës”, të cilin po e japim me shkurtime.

Në Shqipëri, gratë konsiderohen veçanërisht të pafavorizuara. Traditat patriarkale formësojnë realitetin e jetës së tyre dhe dhuna në familje është e përhapur. Por tani, nga të gjithë njerëzit, një grua po ndërton automjetin e parë ushtarak shqiptar. Shembulli i saj tregon se si gratë e afirmojnë veten në një shoqëri të dominuar nga meshkujt dhe se si ato mund të jenë të suksesshme në të ashtuquajturat “punë mashkullore”.

Makina e parë ushtarake në Shqipëri është prodhuar nga një grua

“Gjithmonë kam dashur të bëj diçka të madhe”, thotë 38-vjeçarja Arjeta Puca. Dhe kjo është ajo që Arjeta tashmë ka bërë: në sallën e fabrikës së saj në periferi të Tiranës ka një mjet ushtarak të blinduar tetëtonësh për një ekuipazh deri në dhjetë persona. Automjeti mban emrin e një luftëtareje shqiptare që kishte luftuar për pavarësinë e vendit në fillim të shekullit të 20-të: “SHOTA” është shkruar me shkronja të mëdha në grilën e radiatorit të makinës.

Për të hapur derën e shoferit, inxhinierja e IT-së duhet të shtypë fort të dy gishtat e mëdhenj në bllokimin e butonit. Gjurmët e fundit të manikyrit të bardhë shkëlqejnë në thonjtë e saj. Ajo ka prezantuar prototipin në qershor 2024 në panairin më të madh në botë të mbrojtjes dhe armatimeve në Paris.

“Shota” ende nuk është shitur. Nëse kjo do të ndryshojë, Puca dhe kompania e saj TIMAK do të bëhen femra e para prodhuese të automjeteve ushtarake në përgjithësi, transmeton albinfo.ch. Ajo tashmë është një nga femrat e pakta në industrinë e automobilave dhe jo vetëm në Shqipëri.

Që kur themeloi një kompani për përpunimin e automjeteve speciale shtatë vjet më parë, asaj i është dashur t’i dëshmojë aftësitë e saj vazhdimisht. “Në takime, fillimisht pyetjet teknike kryesisht shkonin për kolegët e mi meshkuj. Vetëm kur ata e kuptuan se isha e vetmja që përgjigjesha, kjo ndryshoi.”

Barazia e gruas, vetëm në letër

Arjeta, si inxhinier, jo vetëm që punon në një industri të dominuar nga meshkujt, por edhe në një shoqëri veçanërisht patriarkale. Megjithëse gratë në Shqipëri janë ligjërisht të barabarta, ato mbeten të pafavorizuara në shumë fusha. Sipas Entit Shqiptar të Statistikave, rreth gjysma e të gjitha grave në vend përjetojnë dhunë me bazë gjinore në një moment të jetës së tyre. Për krahasim: Sipas Ministrisë Federale për Çështjet Familjare, në Gjermani është rreth një e treta e të gjitha grave.

Për t’u shprehur disi troç, mund të thuhet: Ndërsa shumë gra në Shqipëri duhet të luftojnë me modelet tradicionale dhe dhunën, Puca tani po ndërton makina të blinduara – dhe duke e bërë këtë, po u hap rrugën grave të tjera, transmeton albinfo.ch. Ndër njëzet punonjësit e saj, shumica janë femra: “Dua të tregoj se disa sektorë nuk duhet të jenë patjetër fushë e burrave. Gratë duhet të shohin se ato mund të jenë gjithashtu të suksesshme në industrinë e automobilave dhe të mbrojtjes.”

Përqindja e lartë e grave është bërë marka tregtare e kompanisë së saj. Në gotat në zyrë janë thëniet si: “Disa gra i frikësohen zjarrit, të tjerat e duan.” Kjo e fundit ndoshta përfshin edhe vetë Pucën, e cila zotëron fuqi në dukje të pashtershme. Mjete të shumta speciale për zjarrfikësit dhe policinë kanë dalë nga fabrika vitet e fundit. Në shtator 2024, kompania dorëzoi 65 ambulanca në Ukrainë.

Ajo mori guximin të provonte gjëra të reja, duke u mbështetur nga prindërit e saj. Kur Shqipëria u zhyt në kaos pas rënies së regjimit stalinist në vitin 1991, familja u largua nga vendi dhe emigroi në Turqi. Babai i saj arriti mjaft atje me shumë punë të palodhur – ai filloi si inxhinier hidraulik dhe më vonë themeloi një fabrikë për automjete dëbore, përcjell albinfo.ch. Vajza Puca kishte mall për Shqipërinë dhe u kthye në moshën 30-vjeçare në një atdhe që mezi e njihte.

Suksesin e vet ajo ia detyron edhe mbështetjes familjare dhe përvojës profesionale ndërkombëtare. Babai e merrte Arjetën e vogël në punë të shtunave, kur ajo ishte fëmijë, i mësonte bazat e teknologjisë dhe i mundësoi studimet në Turqi. Më pas ajo punoi në Bosch në Gjermani dhe Japoni.

Fakti që është pikërisht një grua, nga të gjithë njerëzit, që po ndërton mjetin e parë ushtarak shqiptar është më shumë se thjesht një histori suksesi sipërmarrës. Është një shenjë ndryshimi – edhe nëse rruga është ende e gjatë. Në çdo rast, këshilla e Pucës për të rejat është: “Ndiqni ëndrrat tuaja, sado absurde të duken për të tjerët.”

Hiqet flamuri i Kosovës nga Kongresi i UEFA-s në Beograd

Para pak orësh, Federata e Futbollit të Serbisë ka reaguar të enjten, duke thënë se ka hequr simbolet e Kosovës në Kongresin e 49-të të UEFA-s që po mbahet në Beograd, përcjell albinfo.ch.

Heqja e simboleve të shtetit të Kosovës është konfirmuar edhe nga fotot që ka publikuar agjencia “Associated Press”. Kosova tani po përfaqësohet me logon e Federatës së Futbollit.

Gjatë ditës së djeshme, janë publikuar foto e video nga Qendra e Kongresit “Sava” ku po mbahet ngjarja e UEFA-s, ku shihej kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi duke prekur flamurin e Kosovës. Videoja u bë virale në rrjetet sociale.

https://x.com/FootballKosovo/status/1907665686408687716?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1907665686408687716%7Ctwgr%5E541f75b9a2249f2fdbc81d520a37988d1bb73c08%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.koha.net%2Ffutboll%2Ffederata-e-serbise-thote-se-ka-hequr-flamurin-e-kosoves-nga-kongresi-i-uefa-s

Në reagim të enjten, Federata e Serbisë e ka akuzuar Ademin se u përpoq ta shfrytëzonte ngjarjen për interesa jofutbollistike. Tutje, ata bënë të ditur se kanë hequr të gjitha simbolet që përfaqësojnë Kosovën.

“Në Beograd sot po mbahet Kongresi i 49-të i UEFA-s, një nga ngjarjet më të mëdha në vendin tonë. Organizator i Kongresit është UEFA, ndërsa Federata e Futbollit e Serbisë është mikpritëse e figurave më të rëndësishme të futbollit në Evropë dhe në botë. Një hije u hodh mbi organizimin e jashtëzakonshëm, të cilën një pjesëmarrës i Kongresit u përpoq ta shfrytëzonte për interesa jofutbollistike. Ne reaguam së bashku, shpejt dhe me vendosmëri, dhe me përgjegjësi të plotë informojmë opinionin se në Kongresin e UEFA-s sot në Beograd nuk ka asnjë simbol dhe as flamur që përfaqëson të ashtuquajturën Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre.

Federata e Serbisë u kërkoi falje qytetarëve “të cilët u lënduan nga lëshimi i organizatorit, i cili u korrigjua menjëherë”.

“I kërkojmë falje secilit prej qytetarëve tanë dhe çdo pjesëtari të kombit tonë, veçanërisht popullit tonë në Kosovë dhe Metohi, të cilët u shqetësuan dhe u lënduan nga lëshimi i organizatorit, i cili u korrigjua menjëherë me përgjigjen tonë”, vijon reagimi i tyre.

Paradoksi në fakt është se në fjalimin hapës, presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin, foli se si futbolli evropian po i bashkon popujt dhe po thyen kufijtë e vërtetë, duke përmendur Evropianin U21 që do të organizohet nga Shqipëria dhe Serbia.

Gjatë ditës së djeshme, janë publikuar foto e video nga Qendra e Kongresit “Sava”, ku po mbahet ngjarja e UEFA-s, ku shihej kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duke prekur flamurin e Kosovës. Videoja u bë virale në rrjetet sociale.

Presidentja Osmani: Nuk përzihem në koalicione

Data 15 prill pritet të jetë datë vendimtare nëse partia fituese Vetëvendosje do të arrijë të propozoj dhe ta zgjedh kryetarin e Kuvendit për konstituimin e këtij institucioni që i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ndonëse deri më tash VV-ja nuk e ka bërë të ditur emrin e kandidatit të saj për kryeparlamentar,  RTV21 merr vesh nga burimet brenda VV-së se në këtë parti është duke u diskutuar emri i Saranda Bogujevcit si zëvendësim i Glauk Konjufcës nëse ky i fundit tërhiqet nga kandidatura. Presidentja Vjosa Osmani e cila e ka thirrur seancën konstituive tha se partitë politike kanë kohë të mjaftueshme për kalkulimet e tyre, përcjell albinfo.ch. 

”Kjo varët terësisht nga deputetet e Kuvend të Kosovës. Si presidente përgjegjësitë e mia kushtetuese janë që ta thërras këtë seancë konstituive. Besoj se që nga dita e certifikimit të rezultateve e deri në momentin kur mbahet seanca konstituive ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë  diskutimet e nevojshme. Unë iu uroj sukses partive politike, i uroj sukses Kuvendit që ai proces të shkoj sa më mirë dhe që konstituimi  të kryhet po me atë datë’’, tha Osmani.

Presidentja Osmani bëri thirrje që të mos ketë zvarritje të krijimit të institucioneve të Kuvendit dhe të Qeverisë.

‘’ ‘Është më rëndësi për qytetarët e Kosovës, ju po i shihni zhvillimet gjeopolitike, nuk është që globi na pret neve kështu që është më rëndësi sa më parë që të jetë e mundur, brenda afateve kushtetuese të kemi qeverinë e Republikës, së pari konsitutimin e Kuvendin që është hap i parë e pastaj qeverinë e Republikës së Kosovës. Një kuvend funksional që e kryen edhe punën e mbikëqyrjes në raport me qeverinë, sepse Kosova ka shumë punë për të bërë, prandaj edhe njëherë unë dua të u uroj suksese deputetëve të Kuvendit të Kosovës’’, tha Presidentja Osmani.

Deklarata e presidentes Osmani për krijimin e institucioneve vjen pasi edhe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, tha se krijimi sa më shpejtë i tyre është esenciale.

“E mirëpres progresin pozitiv që keni arritur në procesin zgjedhor në shkurt dhe shpresoj që do të vazhdohet se shpejti për të formuar qeverinë e re që është esenciale në këto momente sfiduese”, deklaroi Lammy.

Por, mungesa e bisedimeve midis partive politike për krijimin e institucioneve ka shtuar zërat se mund të ketë zvarritje në formimin sidomos të Qeverisë së re. Presidentja Osmani tha se ajo nuk përzihet në bisedimet e partive politike për çështjen e koalicioneve. Thumboi presidentet e kaluar për përfshirje të tillë.

‘‘Siç e dini si presidente nuk kam të drejtë vote, dhe pavarësisht që në të kaluarën mund të ketë pasur president që janë përzier në çështje të koalicioneve unë i konsideroj ato çështje partiake që sipas Kushtetutës nuk janë detyrë e imja, por jam besimplotë që institucionet përkatëse përkatësisht deputetët e Kuvendit të Kosovës do të bëjnë çmos që kjo të jetë seancë e suksesshme’’, tha Osmani.

Ndërkohë, avokati Ardian Bajraktari sqaron afatet kushtetuese pas caktimit të seancës konstituive nga presidentja Osmani.

Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit PDK-ja e ka lënë të hapur mundësinë e mbështetjes së kandidatit të VV-së për këtë post. Kandidati për kryeministër nga PDK Bedri Hamza ka thënë se kjo parti nuk e bllokon konstituimin e Kuvendit duke e ditur se në bazë të interpretimit kushtetuese partisë fituese pra Vetëvendosjes i takon propozimi.

Ndahet nga jeta ikona e kinematografisë, Margarita Xhepa

Margarita Xhepa, lindi më 2 prill 1934, teksa një ditë më parë festoi ditëlindjen. Gjatë karrierës së saj, ajo ka realizuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.

Ikona shqiptare e kinematografisë është konsideruar si një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, që startuan më ’60 dhe vijuan ndër vite.

Në vitin 2003, Xhepa u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, një vlerësim për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë. Ajo gjithashtu mbante titullin “Artiste e Popullit” dhe kishte lënë një ndikim të thellë në çdo brez që ka ndjekur punën e saj.

Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën” etj.

Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit.

Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).

Në një karrierë që përfshinte mbi 7 dekada, Margarita Xhepa mbeti gjithmonë besnike pasionit të saj për teatrin dhe filmin, duke u bërë një shembull për brezat e rinj të artistëve.

Duda Balje nuk ia jep konfirmimin Kurtit nëse do ta mbështesë për mandat të tretë

Pas takimit, Duda Balje nga Bashkimi Social Demokrat (SDU) ka thënë se nuk ia ka dhënë konfirmimin kryeministrit në detyrë Albin Kurti nëse do ta mbështesë për mandat të tretë.

Sipas saj, kryeministri nuk konfirmoi nëse do t’i plotësojë kërkesat e boshnjakëve, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka lënë të hapur mundësinë e pajtimit në takimet e ardhshme para seancës konstituive që pritet të mbahet më 15 prill.

“Sot u takova me kryeministrin, i parashtrova kërkesat që kemi si boshnjakë, nuk kemi marrë konfirmim dhe nuk kemi dhënë konfirmim. Është takimi i parë. Jemi në fazën e bisedimeve”, ka thënë ajo të enjten pas takimit me Kurtit.

Kërkesat e Baljes janë krijimi i një komune boshnjake, reforma në arsim dhe tretmani i barabartë me të gjitha partitë e tjera që kanë nga një deputet.

Balje ka konfirmuar se ka biseduar edhe me partitë opozitare. Edhe për to, kërkesat janë të njëjta.

Kurti gjatë ditës së djeshme ka nisur konsultimet me pakicat për formimin e qeverisë së re. Votat pro ia kanë konfirmuar Emilija Rexhepi, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi. Të tre kishin post në qeverinë e kaluar dhe do të përfaqësohen me një deputet, aq sa ka edhe SDU-ja e Baljes.

Itali: Studentët nga universiteti “La Sapienza” bëjnë homazhe për shqiptaren e vrarë

Mësohet se qindra studentë dhe pedagogë iu përgjigjën thirrjes së Rektorës së Universitetit “La Sapienza”, Antonella Polimeni, për të kujtuar Ilaria Sulën, 22 vjeçaren me origjinë shqiptare të vrarë nga ish-i dashuri, përcjell albinfo.ch.

Në një atmosferë prekëse, të rinjtë u mblodhën në kampus, të bashkuar në një “heshtje të zhurmshme”, ndërprerë vetëm nga tingëllimat e çelësave – një simbol që tashmë është bërë pjesë e protestës kundër krimeve të femicidit.

Rektorja Polimeni, së bashku me studentët e Fakultetit të Statistikës, ku studionte Ilaria, vendosi një tufë me lule të bardha nën një pankartë që mbante portretin e saj. Ky gjest simbolik nënvizoi dhimbjen dhe zemërimin e komunitetit akademik për humbjen tragjike të një jete të re dhe të pafajshme.

Ngjarja shënoi jo vetëm një homazh për Ilarian, por edhe një thirrje të fuqishme për drejtësi dhe masa më të forta kundër dhunës ndaj grave.

Për emisionin ” Chi l’ha Visto?” (Kush e pa)? Flamur Sula, babai i Ilaria Sulës, tregoi për ish të dashurin e vajzës së tij, Samson. “Më tha se i vinte keq”, Madje më përqafoi”, shtoi ai.

Trupi i Ilaria Sulës studentes 22-vjeçare me origjinë shqiptare e zhdukur që prej 25 marsit në Romë në zonën Furio Camillo, u gjet mëngjesin e sotëm në një valixhe të mbyllur të hedhur në një shkëmb në rrugën provinciale 45B në shtrirjen midis Capranica dhe Guadagnolo. Kanë qenë disa vizitorë në një zonë pyjore në Poli, në brendësi të kryeqytetit, të cilët e kanë pikasur dhe kanë lajmëruar policinë.

Rrëfimi i Mark Antony Samsonit

Ish-i dashuri Mark Antony Samson, një student 23-vjeçar i Sapienzës nga një familje filipinase, por i lindur në Itali, vrau Ilaria Sulën ndoshta në të njëjtën mbrëmje që vajza u deklarua e zhdukur në shtëpinë e familjes së tij në Via Homs, në lagjen afrikane, ndërsa prindërit e tij ishin të pranishëm në shtëpi. Më pas e fshehu me shpejtësi në një valixhe shumë të vogël për të mbajtur të gjithë trupin e saj dhe e mori 40 km larg, duke e hedhur thikën në një kazan. Megjithatë, ai e ka mbajtur me vete telefonin e viktimës, duke fshirë rrjetet sociale të vajzës, por duke iu përgjigjur thatë disa mesazheve. Kur më në fund e hoqi qafe, duke e hedhur në një puset, shkoi personalisht në shtëpitë e studentëve të tjerë që jetonin me të për t’u bërë sikur e kërkonte. Dhe kur policia arriti tek ai pas një denoncimi nga shokët e dhomës, ai u rrëzua, duke pranuar pothuajse gjithçka: “Kërkoj falje”.

Forbes rendit Mihane Sadikun si sipërmarrëse profesioniste

Mihane Sadiku është një profesioniste e pasurive të paluajtshme me shumë përvojë, me bazë në Bodrum, Turqi. Me mbi një dekadë përvojë në industri, shkruan Forbes, përcjell albinfo.ch.

Ajo e ka vendosur veten si një këshilltare e besuar për blerësit dhe shitësit. Mihane ka njohuri të gjera për tregun vendor të pasurive të paluajtshme, për ligjin e pronave, për menaxhimin e suksesshëm të investimeve në pronë personale dhe të kompanisë, dhe pasioni i saj për të ofruar shërbime të jashtëzakonshme i ka dhënë asaj reputacionin e një prej agjenteve më të mira në rajon.

Ajo është e përgatitur mirë në të gjitha aspektet e transaksioneve të pasurive të paluajtshme, duke përfshirë: vlerësimin e pronës, marketingun, negocimin dhe sigurimin e rezultatit të dëshiruar.

Mihane ndan kohë për të dëgjuar nevojat dhe objektivat e klientëve të saj dhe punon pa u lodhur për t’u siguruar që ato të përmbushen.

Klientët e saj vlerësojnë vëmendjen e saj ndaj detajeve, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin. Ajo është e njohur gjerësisht brenda industrisë për integritetin, ndershmërinë dhe përkushtimin e saj për të arritur qëllimet e klientëve të saj.

Para se të bëhej agjente imobiliare, Mihane ka punuar dhe jetuar në vende të ndryshme të botës dhe është përfshirë në biznese të ndryshme, ku ka zhvilluar aftësitë e saj të jashtëzakonshme. Ajo flet rrjedhshëm disa gjuhë, duke përfshirë anglisht, turqisht dhe shqip, dhe ka punuar me një gamë të ndryshme klientësh shumëkombëtarë.

Formimi i qeverisë, Duda Balje i shkon në zyrë Albin Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në kërkim të votave për të siguruar edhe një mandat tjetër në krye të ekzekutivit, përcjell albinfo.ch.

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje, tashmë ka shkuar në zyrën e Albin Kurtit, ku pritet të diskutohet rreth formimit të qeverisë së re.

Ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të kësaj partie, para pak çastesh është parë në oborrin e objektit të Qeverisë së Kosovës, ku edhe pritet të takohet me Kurtin.

Theksojmë se, ditë më parë, Duda Balje ka deklaruar se kërkesa për krijimin e një komune boshnjake mbetet prioritet për partinë e saj dhe është pjesë e diskutimeve për bashkëqeverisje.

“Po, patjetër. Nuk jam duke lëvizur prej vendimit që kemi marrë brenda partisë. Kërkesa është prej ditës së parë, edhe sot, edhe nesër. Në fakt, nuk është kusht, por është pjesë e marrëveshjes për qeveri”, ka thënë Balje.

Pa Listën Serbe, Kurtit i mbesin 11 deputetë të cilëve mund t’ua kërkojë votën.

Autorët shqiptarë përfaqësuan denjësisht Kosovën në Panairin e Librit në Leipzig

Biblioteka Kombëtare e Kosovës përfaqësoi vendin në Panairin e Librit në Leipzig (27–30 mars 2025), një nga ngjarjet më të mëdha të botës së librit në Gjermani, këtë vit nën moton “Fjalët lëvizin botët”, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të programit Leipzig Liest, u organizuan disa ngjarje letrare me autorë nga Kosova. Qerim Ondozi dhe Feride Berisha diskutuan mbi letërsinë shqipe dhe sfidat e përkthimit, ndërsa Ag Apolloni prezantoi librin e tij Red Riding Hood: Fairy Tale for Grown-Ups, duke trajtuar rolin e letërsisë në ruajtjen e kujtesës kolektive.

 

Një tjetër diskutim, i organizuar nga TRADUKI dhe Biblioteka Kombëtare, bëri bashkë Blerina Rogova Gaxhën dhe Jehona Kicajn për të debatuar mbi letërsinë kosovare në sfondin e migrimit dhe traumës së luftës..

Këto aktivitete ngjallën interes të madh te lexuesit dhe botuesit gjermanë, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja dhe prani më të madhe të letërsisë kosovare në skenën ndërkombëtare.

Ardon Jashari shihet si pasardhësi i Granit Xhakës te Zvicra

Sipas medias zvicerane, Ardon Jashari shihet si pasardhësi i Granit Xhakës te Përfaqësuesja e Zvicrës në futboll, përcjell albinfo.ch.

22-vjeçari është organizatori i lojës së skuadrës belge, Club Brugge.

“Mund të thuhet se lojtari 22-vjeçar organizon lojën e ekipit të tij në një mënyrë si Granit Xhaka. Luan fort me këmbën e majtë. Ai gjithashtu ka statistika pak a shumë identike me ato të Xhakës: tre gola dhe gjashtë asistime në sezonin 2024/2025”, shkruan “watson.ch”.

Vlen të theksohet se Jashari është duke u kërkuar nga Bologna, Roma, Manchester Unitedi, Tottenhami dhe Chelsea.

Rritet papunësia në Austri, afro 400,000 të papunë

Ngadalësimi i vazhdueshëm ekonomik po ushtron presion të vazhdueshëm mbi tregun austriak të punës, përcjell albinfo.at.

Sipas shifrave të publikuara sot, rreth 397,100 persona janë regjistruar si të papunë ose në trajnim në Shërbimin Publik të Punësimit (AMS) në fund të muajit mars.

Prej tyre, 316,300 ishin të papunë dhe rreth 80,700 merrnin pjesë në programet e trajnimit të AMS. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, numri i të papunëve dhe të kursantëve është rritur për 7.4 për qind ose 27,400 persona.

Norma e papunësisë në fund të muajit mars u rrit me 0.5 pikë përqindjeje, duke arritur në 7.4 për qind. Megjithatë, drejtori i AMS, Johannes Kopf, vuri në dukje se papunësia “nuk po rritet aq ndjeshëm sa mund të pritej, duke pasur parasysh situatën e tensionuar ekonomike”. Ai shtoi se “sektorët industrialë dhe të shitjes me pakicë vazhdojnë të jenë veçanërisht të prekur nga rënia ekonomike”.

Shifrat e papunësisë në Austri kanë qenë në rritje që nga prilli 2023. Instituti i Kërkimit Ekonomik (Wifo) dhe IHS presin një rimëkëmbje ekonomike duke filluar nga vera, megjithëse shifrat e papunësisë zakonisht përmirësohen vetëm pas një vonese pas një rritjeje.

Shkencëtarët zbulojnë një kombinim të fuqishëm që ul kolesterolin dhe presionin e gjakut

Dietat në zonat blu janë të pasura me ushqime bimore, ndërsa konsumimi i mishit është i kufizuar. Aktiviteti i rregullt fizik dhe lidhjet e forta familjare janë gjithashtu të rëndësishme për jetëgjatësinë.

Arrat dhe Shëndeti

Arrat janë të pasura me yndyrna të shëndetshme dhe lëndë ushqyese që mbështesin shëndetin e zemrës dhe trurit:

Yndyrnat e pangopura mbështesin shëndetin e zemrës.

Bajamet, fëstëkët dhe lajthitë ndihmojnë në rregullimin e kolesterolit.

Arrat braziliane janë të pasura me selen, që lidhet me uljen e rrezikut të kancerit.

Përfitimet Shëndetësore

Arrat përmirësojnë funksionin njohës, forcojnë imunitetin dhe ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit. Konsumimi i rregullt i një përzierje arrash është i lidhur me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe diabetin.

Sasia e Rekomanduar

Sasia e rekomanduar ditore është rreth 30 gram, që përkthehet në dy grushte arrash.

 

Trump ‘trondit’ Ballkanin, vendos tarifa edhe për Kosovën e vendet tjera të rajonit

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli një tarifë 10% për importet nga Kosovën, Shqipërinë e Malin e Zi.

Tarifa janë vendosue dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Serbia e cila është ndëshkuar më së shumti, me 37 për qind, Bosnje dhe Hercegovinës prej 35 për qind, ndërsa Maqedonisë së Veriut 33 për qind, transmeton albinfo.ch.

Në fjalimin e tij, Trump njoftoi gjithashtu tarifa më të larta për vendet me suficit tregtar me SHBA, duke përfshirë Kina dhe Bashkimin Evropian.

Kosova ka pasur një rritje të eksporteve në SHBA, që arritën mbi 131 milionë euro në vitin 2022.