SBB ndërpret dy lidhje nga Gjermania në Bazel

Për shkak të vonesave të vazhdueshme nga Gjermania, dy trena ndërkombëtarë, EC 7 dhe EC 9, do të ndalojnë udhëtimin e tyre në Bazel duke filluar nga e martë. Kompania SBB ka njoftuar se do të ofrojë trena zëvendësues për udhëtimin e mëtejshëm drejt destinacioneve zvicerane, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Treni EC 7, që nis nga Hamburg-Altona drejt Interlaken Ost, dhe EC 9, që nis nga Dortmund Hauptbahnhof për në Zurich HB, nuk do të kalojnë më kufirin me Zvicrën. Sipas SBB-së, ndryshimi vjen si pasojë e vonesave të mëdha që kanë ndodhur në mënyrë të përsëritur në këto linja.

Për pasojë, pasagjerët që udhëtojnë nga Gjermania për në destinacionet zvicerane do të duhet të zbresin në stacionin Basel SBB dhe të marrin trenat zëvendësues për në Zurich HB ose Interlaken Ost.

“Kjo masë është zbatuar tashmë në të kaluarën në rast të vonesave të mëdha,” thuhet në njoftimin për shtyp të kompanisë.

Ndërkohë, trenat e kthimit, EC 6 (nga Interlaken Ost për në Dortmund) dhe EC 8 (nga Zurich HB për në Hamburg), nuk preken nga ndryshimi dhe do të vazhdojnë të operojnë normalisht përtej kufirit, transmeton albinfo.ch.

Sulmojnë pikërisht shtëpinë e një polici: Kosovari thotë se ishte “vetëm ndihmës”

Ka ndodhur pak para Krishtlindjeve të vitit të kaluar. Dy burra takohen në një klub shqiptar përtej kufirit, në Gjermani. Ata vendosin të futen me forcë në një shtëpi. Merren vesh që mallrat e vjedhura t`i ndajnë në mënyrë të barabartë.
Të nesërmen ata i hyjnë aksionit.

Në një ndërtesë në zonën e Lenzburgut, ata hapin me forcë derën e një kopshti dimëror dhe më pas përpiqen të hyjnë me forcë në dhomën e ndenjes, transmeton albinfo.ch. Polici që jeton në atë shtëpi zgjohet, i ndjek dhe kap njërin nga të dytë. Sipas aktakuzës, personi i kapur mbante në dorë një kaçavidë të madhe, duke e rrotulluar atë dhe duke bërtitur: “Do të të vras!”. Polici ja del ta kapë burrin dhe – pasi të dy kanë rënë përtokë – ta pengojë atë të arratiset.

Të hënën pasdite, të dy personat, sulmuesi dhe i sulmuari përballen me njëri-tjetrin në sallën e gjyqit. Polici përshkruan se në mbrëmjen e përmendur, ai po  flinte pas një turni të hershëm të punës, shkruan Aargauer Zeitung. Pak para orës 18 të mbrëmjes ai dëgjoi zhurma trokitjesh. Pasi është ngritur në këmbë ai ka parë dy figura të veshura me rroba të errëta, me vegla në dorë.

Kur e kanë vënë re, ata kanë ikur me vrap – ndërsa ai, i veshur me pantallona sportive dhe zbathur, ka vrapuar pas tyre nëpër lëndinën me dëborë.

Ai kishte bërtitur: “Ndalo, policia!” disa herë. Kështu, ai arriti të mbante njërin burrë, le ta quajmë Lorik, derisa fqinji dhe policia erdhën për të ndihmuar, përcjell albinfo.ch. Në gjithë këtë rrëmujë, polici ka pësuar gërvishtje të ndryshme dhe ka thyer gishtin e madh të këmbës. “Nuk mund të them saktësisht se si”, u përgjigj ai në një pyetje nga presidentja e trupit gjykues.

Borxhet e krijuara në kazino në Kosovë

I akuzuari vjen në gjykatë direkt nga burgu i qarkut dhe shoqërohet nga dy oficerë policie. Ai akuzohet për tentativë vjedhjeje, dëmtim prone, hyrje pa leje, dëmtim të thjeshtë trupor nga pakujdesia, si dhe dhunë e kërcënime ndaj autoriteteve dhe zyrtarëve.

“Loriku” është rritur në Kosovë. 31-vjeçari thotë se është vënë nën presion atje. Ai kishte krijuar borxhe në një kazino ndaj disa personave të cilët më pas kërkonin kthimin e borxheve me ineteresa të larta. Për këtë arsye, ai kishte udhëtuar për në Gjermani për të fituar para. Por ai nuk mundi të punonte. Ai më tutje thotë se partnerja e tij në Kosovë është shtatzënë dhe fëmija i tyre do të lindë së shpejti, transmeton albinfo.ch. Ai ishte shumë i stresuar, tha Loriku.

Burri i panjohur në klubin shqiptar i kishte thënë se donte ta ndihmonte.

Loriku mohon çdo përfshirje në vjedhje, duke thënë se nuk ka as njohuritë dhe as përvojën për ta bërë këtë. Përkundrazi, ai ishte frikësuar kur polici po qëndronte pas tij. Ai (polici) e kishte ngufatur dhe ky ishte përpjekur t’ia largonte dorën. Nuk kishte ndërmend të lëndonte askënd dhe i vjen keq që personi tjetër kishte shkaktuar vjedhjen me thyerje, thotë Loriku në deklaratën e tij përfundimtare.

Avokatja mbrojtëse argumenton gjithashtu se klienti i saj kishte vetëm rolin e asistentit në këtë përpjekje sulm9. Ai qe instrumentalizuar nga burri tjetër, i panjohur. Mungonin të gjithë elementët për bashkëfajësi. Klienti i saj ishte jashtë pronës së sulmuar. Kur u kap nga polici, ai pati një refleks ikjeje dhe u panikua. Ai ndihej i sulmuar dhe i kërcënuar dhe donte të mbronte veten.

Pas një shqyrtimi të shkurtër, gjykata i ka dhënë të pandehurit dënimin me tetë muaj burgim me kusht. Kosovari gjithashtu do të dëbohet nga vendi për tetë vjet, transmeton albinfo.ch. Ai duhet të paguajë shpenzimet ligjore dhe tarifën e prokurorisë prej rreth 3,500 frangash, shpenzimet e avokatit të tij dhe 500 franga dëmshpërblim.

Gjykata i përshkroi deklaratat e policit si “të rrepta”, konsistente dhe të kuptueshme, ndërsa ato të të akuzuarit ishin të paqarta, konfuze dhe të pakuptueshme – shkurt: jo të besueshme. I akuzuari kishte dashur të fitonte para dhe për të ishte e qartë se po kryente një seri vjedhjesh me thyerje.

Policia e Kosovës identifikon kundërvajtjet rrugore përmes dronit

Policia e Kosovës ka nisur një praktikë të re për identifikimin e kundërvajtjeve në trafik, duke përdorur teknologjinë e dronëve për të monitoruar mosrespektimin e shenjave të trafikut. Gjobat për shkelësit do të dërgohen direkt në adresën e pronarit të automjetit, përcjell albinfo.ch.

Kjo masë vjen si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Policisë për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe uljen e numrit të aksidenteve rrugore. Sipas njoftimit zyrtar, përdorimi i dronëve do të mundësojë identifikimin më efikas të kundërvajtjeve, veçanërisht në zonat ku kontrollet fizike janë më të vështira për t’u zbatuar.

“Respektoni rregullat e trafikut dhe kontribuoni në sigurinë rrugore. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në thirrjen e Policisë drejtuar qytetarëve.

 

Elina Duni merr Çmimin Zviceran të Xhazit 2025

Elina Duni, e lindur në Shqipëri, do të nderohet me Çmimin Zviceran të Xhazit në Festivalin e Xhazit Ascona të këtij viti. Më 28 qershor, ajo do të japë një koncert në Ascona dhe do të marrë çmimin paraprakisht, përcjell albinfo.ch.

Duni ka nënshkruar kontratë me shtëpinë diskografike të njohur ECM dhe ka marrë Çmimin Zviceran të Muzikës në vitin 2017. Ajo u nderua për aftësinë e saj për të “krijuar një gjuhë muzikore poetike dhe emocionale që kombinon me ndjeshmëri xhazin dhe muzikën tradicionale të atdheut të saj”, shkruajnë organizatorët në një deklaratë të martën, raporton sunshine.ch.

Duni lindi në vitin 1981 në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në një familje artistësh. Në moshën pesëvjeçare, ajo filloi të performonte për radion dhe televizionin shqiptar. Pas rënies së regjimit komunist, ajo u zhvendos në Gjenevë me nënën e saj. Atje studioi piano klasike përpara se të përqendrohej te xhazi. Kjo u pasua nga studimet në Universitetin e Arteve në Bernë, ku u fokusua në kompozim dhe improvizim.

Së bashku me pianistin Colin Vallon, kontrabasistin Patrice Moret dhe bateristin Norbert Pfammatter, ajo themeloi Kuartetin Elina Duni, i cili kombinon xhazin me tingujt sugjestivë të folklorit ballkanik.

Në ECM, ajo ka publikuar albume si “Matanë Malit” (2012) dhe “Dallëndyshe” (2015). Elina Duni regjistroi këngën “Partir” në vitin 2018, pas një viti bashkëpunimi me kitaristin Rob Luft. Kjo u pasua nga “Lost Ships” (2020) dhe “A Time To Remember” (2023), të dyja me Rob Luft dhe flugelhornistin Matthieu Michel, përcjell albinfo.ch.

Çmimi Zviceran i Xhazit jepet që nga viti 2007. Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi janë, ndër të tjerë, Orkestra Zvicerane e Xhazit, Christoph Grab dhe Othella Dallas. Këtë vit, Festivali i Xhazit Ascona zhvillohet nga 25 qershori deri më 5 korrik.

 

Tri kosovare marrin mirënjohje për reagimin e guximshëm pas sulmit me thikë në Siegen

Verën e kaluar, katër persona në Siegen rrezikuan jetën për të ndaluar një grua të dyshuar për tentativë vrasjeje të shumëfishtë, transmeton albinfo.ch. Gjashtë persona u plagosën në sulmin me thikë në një autobus gjatë festivalit të qytetit të Siegenit.

Një grua 32-vjeçare, e cila po udhëtonte drejt vendit të festës, akuzohet se sulmoi papritur pasagjerët e tjerë me thikë. Tri gra me origjinë nga Kosova dhe një shtetas sirian u përpoqën ta ndalonin.

Ata tani janë nderuar për guximin e tyre civil. Në zyrën e distriktit të Siegenit, administratori Andreas Müller iu dorëzoi shpëtimtarëve certifikata për angazhimin e tyre, shkruan wdr.de: “Me veprimet e tyre, ata jo vetëm që janë modele të vërteta për t’u ndjekur, por në të njëjtën kohë kanë rrezikuar jetën për të parandaluar pasoja edhe më të këqija.”

Në rastin e sulmit, njëra nga gratë kosovare mbrojti fëmijën e saj, i cili ishte ulur në një karrocë foshnje. Dy gratë e tjera dhe burri e ndihmuan atë dhe mposhtën 32-vjeçaren, e cila tashmë kishte goditur pasagjerë të tjerë pa dallim. Tre nga të plagosurit ishin në gjendje kritike.

Policia u njoftua dhe arriti ta arrestonte gruan në vendngjarje.

“Është e paimagjinueshme çfarë dramatikash ndodhën në autobus. Pavarësisht dinamikës, ju të gjithë morët vendimin e përbashkët për të ndihmuar qeniet njerëzore. Për këtë, dua t’ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë,” u shpreh administratori i qarkut, Andreas Müller.

Tri gratë dhe burri që morën mirënjohje kërkuan të mbeten anonimë; prandaj as emrat e as fotot e tyre nuk janë publikuar.

Vendimi kundër sulmueses së dyshuar pritet të mërkurën. Ajo përballet me dënim me burgim të përjetshëm.

Ndërprerja e energjisë elektrike në Spanjë, reagon kryeministri

Kryeministri spanjoll ka thënë se ndërprerja e energjisë elektrike e djeshme nuk është shkaktuar nga Spanja, që gjeneron një sasi të madhe energjie nëpërmjet burimeve të rinovueshme, ndërsa thekson se mundësia e një sulmi terrorist nuk është e përjashtuar.

Pedro Sanchez u tha gazetarëve se teknikët po përpiqen ende të përcaktojnë shkakun e ndërprerjes së energjisë elektrike. Rezultatet e hetimeve të tyre do të përdoren për të përforcuar sistemin, shtoi ai.

“Ajo që ndodhi dje nuk mund të ndodhë më kurrë,” u shpreh ai.

Ndërsa një vlerësim paraprak nga operatori spanjoll i rrjetit elektrik, REE, ka përjashtuar një sulm kibernetik, Sanchez tha se autoritetet e sigurisë kibernetike të vendit po hetojnë mundësinë e tillë.

U prek edhe Groenlanda

Zonat e largëta të Groenlandës kanë humbur aksesin në shërbimet bazë satelitore, duke përfshirë internetin dhe komunikimet telefonike, tha grupi i telekomunikacionit të ishullit Arktik, duke shtuar se do të hetojë nëse kjo lidhje ka të bëjë me ndërprerjen masive të energjisë elektrike në Spanjë.

Kompania e telekomunikacionit në Groenlandë, Tussass, tha në një deklaratë se kishte humbur lidhjen me pajisjet satelitore të vendosura në Maspalomas, Spanjë, të cilat siguronin ofrimin e shërbimeve telefonike, internetit dhe radiotelevizive.

“Aktualisht nuk kemi asnjë kontakt me pajisjet tona në Maspalomas, Spanjë, nga të cilat varemi shumë për të furnizuar klientët tanë në zonën satelitore,” tha Tussass, shkruan TCH, përcjell albinfo.ch.

Zonat e prekura ishin disa vendbanime të largëta; ende nuk dihet sa njerëz janë prekur nga ndërprerja e shërbimit.

Mbrëmjen e djeshme, furnizimi me energji elektrike filloi të rikthehet në disa pjesë të Gadishullit Iberik pas ndërprerjes që përfshiu shumicën e Spanjës dhe Portugalisë.

Çmimi i rrymës për bizneset pritet të rritet deri në 30 për qind

Bëhet e ditur se çmimi i energjisë për bizneset e mëdha pritet të shtrenjtohet deri në 30 për qind, paralajmërojnë përfaqësuesit e disa kompanive të licencuara për furnizimin me energji elektrike në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Këto kompani aktualisht kanë shtuar përpjekjet për sigurimin e energjisë, në prag të nisjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.

Çfarë do të thotë liberalizimi i tregut të energjisë?

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes së konsumatorëve. Ndërsa në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike, të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha — konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro — të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.

Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

70 mijë votues nga diaspora deri më tani kanë votuar për zgjedhjet në Shqipëri

Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për shtyp u shpreh se deri tani 70 mijë emigrantë kanë kthyer fletët me votat e tyre për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, nga mbi 345 mijë pjesëmarrës të regjistruar për këtë proces.

Ky numër i korrespondon shifrës 30 % të pjesëmarrjes deri tani, teksa u pohua problematika se ende nuk kanë përfunduar në duart e diasporës — nga kompania postare — mbi 30 mijë zarfe me fletët e votimit, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

“Janë mbi 70 mijë votues që e kanë kthyer fletën e votimit nga mbi 245 mijë të regjistruar. Presim ardhjen e fletëve të tjera të votimit. Presim që kompania postare të shpërndajë të gjitha fletët e votimit, zarfet. Kanë mbetur edhe 30 mijë fletë votimi e pak për t’u shpërndarë, ka gati edhe dy javë kohë dhe presim që të shpërndahen”, tha Celibashi.

Kurti bën homazhe në Zhazhë e viziton Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Zhazhë, në kujtim dhe nderim të civilëve shqiptarë të vrarë në masakrën e Zhazhës, përcjell albinfo.ch

Kujtojmë se, 26 vjet më parë, forcat policore ekzekutuan civilë shqiptarë të pambrojtur dhe të paarmatosur, në mesin e tyre edhe një të mitur, Fidan Pecin, i cili ishte vetëm 16 vjeç. Kryeministri Kurti dhe ministri Peci, të shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit, vendosën lule të freskëta te lapidari i ngritur në nderim të viktimave civile dhe katër dëshmorëve të kësaj zone, të rënë në luftën çlirimtare.

Pas homazheve në Zhazhë, ata vazhduan për në fshatin Boletin, në Komunën e Zveçanit, ku vizituan Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit dhe vendosën lule të freskëta mbi varrin e heroit Isa Boletini.

Zvicra ekstradon në Gjermani një 19-vjeçar që po planifikonte të kryente sulm terrorist

Një i ri u arrestua në Zvicër nën dyshimin se po planifikonte një sulm ndaj një sinagoge në qytetin lindor gjerman, Halle, transmeton albinfo.ch.

Sipas zyrës së prokurorit publik të Halle-s, ende nuk ishte përcaktuar një datë specifike për projektin, të motivuar nga ekstremistët.

Ai u ekstradua te autoritetet gjermane.

Sipas zyrës së prokurorit publik të Halle-s, thuhet se burri i ka njoftuar vazhdimisht planet e sulmit në një grup bisedash në Telegram. Në shkurt, thuhet se ai ka blerë një armë të gjatë për të zbatuar planet e tij. Gjatë arrestimit, përveç pajisjeve të komunikimit elektronik, analiza e të cilave është ende duke vazhduar, u sekuestrua edhe një armë e gjatë funksionale.

Sipas zyrës së prokurorit publik, 19-vjeçari jetonte në shtetin gjerman të Saksonisë-Anhalt përpara se të qëndronte në Zvicër. Albinfo.ch

A mund të goditet edhe Zvicra nga një ndërprerje masive e energjisë?

Një ndërprerje e gjerë e energjisë elektrike la miliona njerëz në Spanjë, Portugali dhe në disa pjesë të Francës pa energji elektrike më 28 prill.

Teorikisht, është e mundur, sipas Petr Korba, profesor i Sistemeve të Energjisë Elektrike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW).

Megjithatë, realisht, një skenar i tillë është gati i pamundur dhe gjeografia luan një rol të madh.

“Zvicra shtrihet në zemër të sistemit evropian të energjisë dhe ajo që ndodhi në Spanjë dhe Portugali zakonisht ndodh në periferi të saj”, tha ai.

Ekspertë të tjerë pajtohen me vlerësimin e Korba-s.

“Vetëm në nivelin e rrjetit të shpërndarjes, një ndërprerje e energjisë në të gjithë vendin do të ishte praktikisht e pamundur”, tha Daniel Brand, kreu i Operacioneve të Rrjetit në BKW, shpërndarësi më i madh i energjisë elektrike në Zvicër.

Kjo për shkak se janë në vend mekanizma të ndryshëm mbrojtës për të kufizuar dëmet e mundshme dhe “mirëmbajtja dhe modernizimi intensiv” janë duke u zhvilluar.

Një ndërprerje në të gjithë vendin, si ajo që ndodhi në Spanjë dhe Portugali, do të tregonte një problem në nivelin e rrjetit me tension shumë të lartë, ose përndryshe një ndërprerje masive të prodhimit të energjisë elektrike, theksoi Brand. /Albinfo.ch

 

Po sikur Shaqiri, Schär dhe Sommer të rikthehen në ekipin kombëtar të Zvicrës?

Gazeta zvicerane TDG.ch i ka kushtuar një artikull sot rikthimit të mundshëm të tre sportistëve që nuk janë më në mesin e ekipit kombëtar të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Shaqiri, Schär dhe Sommer u tërhoqën nga futbolli ndërkombëtar pas Euro 2024. Që atëherë ata kanë shkëlqyer në nivel klubesh dhe po konsiderohen si shtyllat kryesore në ekipet ku luajnë.

Zvicra e Yakinit, e cila nuk ka bindur askënd përveç në Kampionatin Europian të Gjermanisë, duhet urgjentisht të gjejë zgjidhje me rikthimin e disa “duarve të vjetra”, shkruan tutje gazeta zvicerane.

Kualifikimet për Kupën e Botës 2026 fillojnë në shtator. Gazeta shtron pyetjen se a po i bëjnë vetes këto pyetje ASF-ja, Pierluigi Tami dhe Murat Yakin?

“Shaqiri është një gjeni si asnjë tjetër në Zvicër. Ai është në formë të shkëlqyer. Me këmbën e majtë, ai mund të bëjë gjithçka për të bërë asistimet më të suksesshme që rezultojnë me gola”. /Albinfo.ch

Punonjësit e OKB-së në Gjenevë planifikojnë një protestë masive më 1 maj

Duke pasur parasysh shkurtimet e buxhetit të SHBA-së, të cilat tashmë kanë çuar në humbje vendesh pune — dhe priten më shumë në të ardhmen — “një mobilizim i paparë” i punonjësve të OKB-së po zhvillohet aktualisht në Gjenevë, përcjell albinfo.ch.

Më 1 maj, stafi i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet në orën 12:30 në Place des Nations, para selisë administrative të OKB-së, “për të denoncuar valët historike të shkurtimeve të buxhetit dhe vendeve të punës që kërcënojnë drejtpërdrejt misionet thelbësore të sistemit të OKB-së,” tha Ian Richards, president i sindikatës së punonjësve.

Pasaporta zvicerane është ‘dokumenti më i bukur i identitetit në botë’

Të paktën, ky është vlerësimi i dizajnit të pasaportës në mediat sociale, ku “miliona përdorues të internetit po flasin me entuziazëm” për dizajnin e ndërlikuar të pasaportës, përcjell albinfo.ch.

“Fotot e pasaportës shfaqen rregullisht në blogje dizajni dhe faqe lajmesh. Postimet në Instagram pëlqehen qindra mijëra herë dhe marrin komente të shumta komplimentesh,” sipas mediave zvicerane.

“Dizajni i pasaportës, i frymëzuar nga peizazhet zvicerane, konsiderohet ‘dokumenti më i bukur i identitetit në botë’, aq sa është krahasuar me një vepër arti. Mbi të gjitha, është mënyra se si ndryshon pamja e saj nën dritën UV që po gjeneron entuziazëm.”

A ju lejohet ushtarëve zviceranë të mbajnë armë në shtëpi?

Kujtojmë se që nga viti 2007 ushtarëve zviceranë nuk u lejohet më të mbajnë plumba për armët e tyre të shërbimit në shtëpi, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, deputetët e Partisë Popullore Zvicerane (SVP), Walter Gartmann dhe Werner Salzmann, paraqitën dy mocione në parlament, duke kërkuar kthimin e kësaj praktike, edhe pse një përpjekje e tillë dështoi tashmë në vitin 2022.

Sipas Salzmann, kjo masë do të lejonte trupat të mobilizoheshin shpejt, veçanërisht në rast sulmi.

Masa ka mbështetjen e Shoqatës së Shoqërive Ushtarake Zvicerane, por kriminologët argumentojnë se, nëse kjo masë zbatohet, incidenca e vrasjeve dhe vetëvrasjeve mund të rritet.

Mocionet do të debatohen në një seancë të ardhshme parlamentare.

Kredi me franga, shtëpi në Francë, pronarët mund të ankohen

Punëtorët ndërkufitarë që blenë një shtëpi në Francë, pasi morën një hua në franga zvicerane, mund të bëjnë një pretendim për çdo humbje, për shkak të ndryshimeve të kursit të monedhës.

Një gjykatë në Paris ka vendosur se pronarët e shtëpive nuk ishin paralajmëruar mjaftueshëm për rreziqet e mundshme – ose madje u tha se nuk kishte rrezik.

Por, kjo nuk është e vërtetë, transmeton albinfo.ch.

Kredia në franga zvicerane konvertohet menjëherë në euro për të paguar shtëpinë.

Nëse pronari dëshiron të shesë shtëpinë përpara se të shlyhet kredia, ai duhet ta kthejë atë në franga.

Por, euro është dobësuar ndjeshëm ndaj frangut në 15 vitet e fundit, që do të thotë se mund të ketë një vrimë të madhe financiare për të mbushur – edhe pas shitjes së shtëpisë.

Avokatët mendojnë se dhjetëra mijëra pronarë shtëpish në Francën fqinje do të jenë në gjendje të bëjnë një kërkesë kundër bankave të tyre.

‘Mashtrimet nga mjeshtrit’ në Zvicër

Me rikthimin e motit më të ngrohtë, mund të jetë koha për një rinovim pranveror të shtëpisë apo banesës sonë.

Megjithatë, Federata e Sipërmarrësve Vaud po paralajmëron për “mashtrime”.

Ka pasur disa raste të punëtorëve që janë shfaqur në dyert e përparme, duke ofruar rilyerje ose riparime.

Por punëtorët zakonisht janë të paregjistruar, punimet e tyre janë të dobëta, dhe ju do të paguani shumë.

Një i moshuar pagoi më shumë se 32,000 CHF për një rilyerje të thjeshtë, transmeton albinfo.ch.

Federata thotë se tashmë ka pasur disa raportime për mashtrime në tentativë – kryesisht nga veriu i Vaud-it.

Policia zvicerane thotë se duhet të pranoni punë vetëm nga ata që tashmë kanë caktuar një takim.

Parashikohet verë e ngrohtë në Zvicër

Jemi në një verë të nxehtë, sipas një prej parashikuesve më të këqij të motit ndonjëherë.

Në Cyrih, Böögg-it tradicional — burrë dëbore i mbushur me eksploziv në majë të një zjarri — iu deshën 26 minuta për t’u shpërthyer, transmeton albinfo.ch.

Sipas legjendës, sa më shpejt të shpërthejë koka, aq më e ngrohtë është vera.

26 minuta është mjaft e arsyeshme — ka marrë deri në një orë në të kaluarën — por dihet që Böögg gabon shumicën e kohës.

Origjina e Böögg-it shtrihet qindra vjet më parë dhe është e lidhur me fillimin e pranverës.

Gala e 50-të e “Çmimeve Chaplin” në Nju Jork, Dua Lipa shkëlqen me paraqitjen e saj

Gala e Çmimeve Chaplin është eventi kryesor vjetor i mbledhjes së fondeve në Film at Lincoln Center, përcjell albinfo.ch. 


Të ardhurat shkojnë për programet e organizatës jofitimprurëse, duke përfshirë seri filmash, iniciativa edukative dhe evente të rëndësishme si Festivali i Filmit në Nju Jork dhe New Directors/New Films.

Eventi në Nju Jork vjen pasi Dua shkroi në Instagram të hënën e kaluar për të treguar disa fotografi nga pushimet e saj të Pashkëve me të fejuarin Callum Tuner në Shqipëri.

Këngëtarja 29-vjeçare Dua Lipa  tërhoqi vëmendjen me një fustan të zi transparent prej rrjete, i cili kishte pjesë të prera, ndërsa pozoi pas mbërritjes.

Dua Lipa dukej tejet sensacionale teksa mori pjesë në Galan e 50-të të Çmimeve Chaplin në Nju Jork të hënën në mbrëmje. Këngëtarja 29-vjeçare tërhoqi vëmendjen me një fustan të zi transparent prej rrjete, i cili kishte pjesë të prera, ndërsa pozoi pas mbërritjes.

Ajo kishte veshur taka të zeza me shkëlqim dhe e aksesoi pamjen e saj në mënyrë perfekte me një gjerdan të madh ari. Krijuesja e hitit ‘One Kiss’ i mbante flokët e saj të errëta me onde të lirshme mbi supe.

PSG-ja interesohet për Ardon Jasharin

Klubi futbollistik PSG po punon për edicionin e ardhshëm, ndërsa Ardon Jashari është një nga lojtarët që trajneri Luis Enrique i dëshiron në skuadër. Kështu ka raportuar “footenfrance.fr”, përcjell albinfo.ch.

“Maxim De Cuyper nuk është lojtari i vetëm i Club Brugget që ka rënë në sy të Luis Campos. Ardon Jashari është lojtari tjetër që figuron në listën e drejtorit sportiv të PSG-së”, shkruan sajti francez.

Vlen të theksohet se Jashari iu bashkua Brugget verën e vitit të kaluar për 6 milionë euro nga Luzerni. 22-vjeçari po kalon formë të mirë këtë edicion. Është titullar i padiskutueshëm te skuadra belge. Ai është lojtar elegant, luan me këmbë të majtë dhe ka teknikë të shkëlqyer me top. Krijon edhe hapësira të mëdha në fushë, ndërsa shquhet edhe për organizim të mirë të lojës. Është krahasuar me Granit Xhakën.

Jashari me klubin belg ka kontratë deri në verën e vitit 2029. Vlera e tij në tregun e transferimeve është 25 milionë euro.

Krasniqi: LVV-ja po tallet me qytetarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar LVV-në për tallje me qytetarët dhe me verdiktin e tyre.

“U shpreh keqardhje të gjithë qytetarëve për këtë tallje që po iu bëhet verdiktit të tyre nga ana e partisë së parë, e cila na mblodhi për të tetën herë në Kuvend dhe sillet me të njëjtin mentalitet,” është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se dëshiron t’u japë tri mesazhe.

“Dëshiroj t’u japë tri mesazhe: e para, demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim; e dyta, institucionet janë të popullit, jo të asnjë partie politike të veçantë; dhe e treta, duhet ta kuptojmë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe monizmit ka përfunduar,” ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se sa më parë që LVV-ja t’i kuptojë këto çështje, aq më mirë do të jetë për vendin.

Krasniqi ka theksuar se LVV-së i takon ta propozojë kandidaten për kryetare, por nuk mund të marrë votat me zor.

11 faktet që dëshmojnë se populli i Kosovës është më miqësor në Ballkan

The Geographic Lens ka renditur 11 faktet që dëshmojnë se populli i Kosovës është më miqësor në Ballkan, transmeton albinfo.ch.

1. Kultura e mikpritjes së thellë (Besa):
Në Kosovë, ekziston një traditë e fortë e quajtur Besa, një kod i lashtë shqiptar nderi që do të thotë për të mbrojtur dhe pritur ngrohtësisht mysafirët pavarësisht gjithçkaje.

2. Empatia e lindur nga Vështirësia:
Pas durimit të luftës dhe shtypjes, populli i Kosovës ka zhvilluar një ndjenjë të thellë dhembshurie ndaj të tjerëve.

3. Popullsi shumë e re:
Rreth gjysma e popullsisë së Kosovës është nën moshën 30 vjeçare, duke krijuar një mjedis social të gjallë, të hapur dhe të afrueshëm.

4. Mirëseardhje e ngrohtë për vizitorët:
Turistët shpesh përmendin se kosovarët ofrojnë ndihmë lirisht – edhe para se të pyesni – nëse keni humbur apo thjesht shikoni përreth.

5. Buzëqeshje konstante:
Është e zakonshme të përshëndetesh me buzëqeshje në rrugë, tregje dhe kafene, madje edhe nga njerëz të panjohur.

6. Përulësia pavarësisht vështirësive:
Edhe pse Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë ekonomikisht, populli i saj është modest, bujar, dhe jo materialist.

7. Vlerësimi i lidhjeve njerëzore:
Lidhjet e forta familjare dhe komunitare nënkuptojnë se kosovarët u japin përparësi marrëdhënieve personale para pasurisë materiale.

8. Bujaria ekstreme:
Në fshatra dhe qytete të vogla, nuk është e pazakontë që vendasit të ftojnë udhëtarët në shtëpitë e tyre për një vakt ose kafe pa pritur asgjë në këmbim.

9. Hapja ndaj kulturave të tjera:
Historia multietnike dhe multi-fetare e Kosovës ka nxitur një frymë tolerance dhe respekti për dallimet.

10. Dashuria për biseda domethënëse:
Kosovarët shpesh pyesin për historinë tuaj, vendin tuaj dhe përvojat tuaja – jo vetëm nga kurioziteti, por nga interesi i mirëfilltë.

11. Krenari Kombëtare pozitive:
Dashuria e tyre për Kosovën i frymëzon të shfaqin më të mirën e vendit të tyre tek të jashtmit, duke kombinuar atdhedashurinë me mirësinë dhe respektin.