Presidenti Begaj nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Gjilanit

Presidenti i Shqipërisë, z. Bajram Begaj, gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Gjilanit, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve.

Mirëpritje në Vali Ranch Resort nga z. Fehmi Fetahi

Pas ceremonisë zyrtare, Presidenti Begaj u mirëprit ngrohtësisht në Vali Ranch Resort nga pronari i resortit, z. Fehmi Fetahi, ku u zhvillua një bisedë miqësore në nder të vizitës së tij.

Osmani takon Erdoganin: Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë

Presidentja e Kosovës ka vlerësuar lartë kontributin e presidentit turk për Kosovën.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ai është një mik i madh i Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Presidenti Erdoğan është një lider që i qëndroi gjithmonë pranë Kosovës, në çdo sfidë dhe në çdo sukses. Ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët. Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi – janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, ka shkruar Osmani.

Kosovë, protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Në Kosovë po mbahet protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike me 15 për qind, sa ishte propozuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, përcjell albinfo.ch.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” është mbledhur një numër i madh qytetarësh për të kundërshtuar këtë propozim, i cili sot ishte në rend dite për t’u votuar në mbledhjen e Bordit të ZRrE-së.

Me pankarta në duar si “Mbro familjen tënde – protesto”, “Qytetarët nuk janë bankomat”, “Nuk paguajmë për dështimet tua” etj., protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj kërkesës së kompanive energjetike për rritjen e tarifave të rrymës.

Helikopteri bie në lumë, vdes shefi i Siemens, gruaja e tij dhe 3 fëmijët

Presidenti dhe CEO i Siemens Spanjë, Agustin Escobar, ka humbur jetën tragjikisht së bashku me familjen e tij kur helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua në lumin Hudson në Nju Jork, mbrëmjen e së enjtes, përcjell albinfo.ch.

Një tjetër detaj shton edhe më shumë peshën e tragjedisë që ndodhi në Nju Jork me familjen prej pesë anëtarësh të drejtorit ekzekutiv të Siemens Spanjë, Agustin Escobar, të zhdukur nga rrëzimi i helikopterit me të cilin po udhëtonin, raportojnë mediat spanjolle.

Siç raportohet nga El Diario, Escobar, gruaja e tij dhe tre fëmijët e tyre, 4, 5 dhe 11 vjeç, udhëtuan për në Nju Jork për të festuar ditëlindjen e njërit prej fëmijëve.

https://x.com/PhilHollowayEsq/status/1910450938063794447?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1910450938063794447%7Ctwgr%5E574291e36cf2677934da01d5e65ad2cb4d515897%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2025%2F04%2F11%2Ffluturimi-fatal-i-ceo-se-siemens-dhe-familjes-se-tij-detaje-te-reja-nga-rrezimi-tragjik-i-helikopterit-ne-nju-jork%2F

Familja Escobar kishte mbërritur nga Barcelona në Nju Jork pak orë para fluturimit tragjik, duke zgjedhur të bënte një nga turet ajrore të zgjedhura nga turistët që vizitonin metropolin amerikan, rreth Statujës së Lirisë dhe deri në Urën George Washington.

https://x.com/nexta_tv/status/1910627044469137693?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1910627044469137693%7Ctwgr%5E2a5ca4fc55c52a32a6491e19123e096e4333be29%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2025%2F04%2F11%2Ffluturimi-fatal-i-ceo-se-siemens-dhe-familjes-se-tij-detaje-te-reja-nga-rrezimi-tragjik-i-helikopterit-ne-nju-jork%2F

Zvicra do t’i bashkohet programeve të BE-së

Zvicra do t’i bashkohet sërish disa programeve të rëndësishme të Bashkimit Evropian pas arritjes së një marrëveshjeje me Brukselin, transmeton albinfo.ch.

Pas votimit të vitit 2014 që kërkonte kufizimin e imigracionit – në kundërshtim me parimin e Lirisë së Lëvizjes së BE-së – Zvicra ishte pezulluar nga programet si Erasmus, që lehtëson shkëmbimin e studentëve, dhe Horizon, partneriteti shkencor më i madh evropian.

Marrëveshja e re përfshin gjithashtu pjesëmarrjen e Zvicrës në grupin për energjinë atomike, Euratom, në projektin ndërkombëtar për reaktorin eksperimental të shkrirjes ITAR, si dhe në programet Digital Europe dhe EU4Health.

Si pjesë e marrëveshjes, Zvicra do të kontribuojë financiarisht në fondet e BE-së.

Anëtarësimi i plotë në këto programe pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Zvicër: A duhet tatimpaguesit të marrin një zbritje?

Ka thirrje që taksapaguesit të përfitojnë nga një zbritje, pasi shumica e kantoneve në Zvicër kanë raportuar një tepricë tatimore këtë vit, transmeton albinfo.ch.

Gjeneva kryeson listën me mbi gjysmë miliard franga shtesë, ndërsa Zug dhe Lucerni kanë përfituar nga një tepricë prej rreth 300 milionë frangash secili. Po ashtu, Cyrihu dhe Aargau kanë rreth 150 milionë franga të tepërta.

Qendra e mendimit “Avenir Suisse” propozon që këto fonde t’u kthehen qytetarëve në formë zbritjeje. Megjithatë, ata nuk këshillojnë ulje të qëndrueshme të taksave, pasi situata financiare mund të ndryshojë vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Konferenca e Qeverive Kantonale u bën thirrje autoriteteve për kujdes, duke theksuar se këto janë përfitime të papritura dhe se kostot publike po rriten, ndërsa shumë kantone janë ende në borxhe.

Kantonet që ndodhen në vështirësi financiare përfshijnë Vaudin, i cili është “në të kuqe” me 369 milionë franga, Ticinon me 72 milionë franga dhe Sankt Gallenin me një deficit prej 243 milionë frangash.

Léman Express mund të shtrihet në Nantua të Francës

Një studim fizibiliteti është nisur për të shqyrtuar mundësinë e shtrirjes së trenave Léman Express në Bellegarde dhe Nantua, në Francën fqinje.

Studimi po financohet nga 12 bashki franceze, transmeton albinfo.ch.

Treni do të përdorë linjën ekzistuese TGV që lidh Gjenevën me Parisin. Aktualisht ka vetëm 12 shërbime në ditë, duke lënë mjaft hapësirë për një shërbim tjetër.

Kjo do të nënkuptojë që disa stacione të papërdorura do të rihapen, ndërsa do të ndërtohen edhe të reja.

Shpresohet që trenat e rinj të fillojnë të funksionojnë deri në vitin 2035. I gjithë projekti do të financohet nga qeveria franceze.

Zyrtarisht shtrenjtohet energjia elektrike në Kosovë

Mësohet se sot Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar të hyrat maksimale të lejuara për operatorët e energjisë, çka nënkupton edhe një shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, përcjell albinfo.ch.

Referuar vendimit të marrë gjatë mbledhjes publike, shifrat janë të përafërta me ato që ishin parashikuar në propozim. Rritja e çmimit pritet të jetë rreth 15 për qind. Ndërkohë, sipas raportimit të Radios Evropa e Lirë, çmimi i rrymës mund të rritet deri në 16 për qind.

ZRRE-ja ka bërë të ditur se do të dalë me një komunikatë zyrtare në ditët në vijim për të saktësuar përqindjen e saktë të rritjes.

Vrasje e dyfishtë në Zvicër, kosovari dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe më pas veten

Dyshohet se një shtetas i Kosovës ka vrarë bashkëshorten e tij, po ashtu me origjinë nga Kosova, në një fshat të Zvicrës, e më pas ka kryer vetëvrasje, transmeton albinfo.ch.

Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari mësohet të jetë nga Malisheva dhe ka qëlluar me armë zjarri ndaj viktimës, e cila gjithashtu është nga një fshat i Malishevës.

Referuar mediave zvicerane, përkatësisht “La Liberté”, mësohet se fillimisht i dyshuari ka qëlluar me armë edhe jashtë shtëpisë, përpara se të hynte brenda, ku më pas objekti është përfshirë nga zjarri.

Në shtëpi janë gjetur dy trupa të pajetë, dhe dyshohet se njëri prej tyre është i autorit të ngjarjes. Sipas policisë zvicerane, i dyshuari është 42 vjeç, ndërsa viktima është 38 vjeçe. Çifti ka lënë pas katër fëmijë.

Mediat në Zvicër raportojnë se rasti është ende i dyshimtë dhe viktimat nuk janë identifikuar zyrtarisht. Sipas burimeve mediatike, çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme në marrëdhënien e tyre, përfshirë ndarje dhe bashkime të shpeshta.

E ndjera thuhet se e kishte denoncuar më parë bashkëshortin për dhunë në familje, dhe ai kishte qëndruar në paraburgim për një muaj. Sapo kishte dalë nga burgu, dyshohet se ka ndodhur tragjedia.

Sipas raportimit të “La Liberté”, ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes në fshatin Epagny të kantonit Fribourg. Dy persona u gjetën pa shenja jete në rrënojat e një shtëpie që ishte përfshirë nga zjarri. Policia theksoi se njëri nga trupat mund të jetë i autorit të të shtënave.

“Megjithatë, rrethanat e sakta të kësaj ngjarjeje tragjike, në këtë fazë, mbeten të papërcaktuara”, thuhet në deklaratën e policisë kantonale të Fribourgut të enjten mbrëma.

Policia u njoftua për një incident të shtënash rreth orës 09:15, nga një person që ndodhej pranë shtëpisë. Sipas hetimeve paraprake, një burrë, i armatosur me një armë të gjatë, hyri në shtëpi. Më pas, objekti u përfshi nga flakët.

Zjarrfikësit arritën ta vendosnin zjarrin nën kontroll rreth mesditës. Trupi i parë i pajetë u gjet në orët e pasdites, bashkë me një armë zjarri, ndërsa trupi i dytë u zbulua në mbrëmje.

Hetimet po vazhdojnë nga Zyra e Prokurorit Publik të kantonit Fribourg, ndërkohë që identifikimi zyrtar i viktimave është ende në proces dhe shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje.

26 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot mbushen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën e realizoi së bashku me shokët.

Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë Ushtarake – drejtimi i komunikacionit – në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkolla e mesme. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë, mbetën të shpërndara në revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak, dhe në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik. Me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-Armatën Jugosllave, ku punonte si oficer. Në vitin 1998, pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve, përcjell albinfo.ch.

Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani, në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe bashkëshorten.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe i pari që shkuli gurin – piramidën kufitare – në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht, duke mos vdekur kurrë. Njihej me emrin konspirativ “Katana”.

Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan, përpara Teatrit Kombëtar, i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit – Katanës. Ai është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000.

Agimi la pas vetes tre pasardhës: djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.


Osmani me ftesë të Erdoganit merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të homologut të saj turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, përcjell albinfo.ch.

Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon të adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst global të polarizuar, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

Presidentja Osmani, në kuadër të Forumit, do të marrë pjesë në një bashkëbisedim mbi temën qendrore të këtij edicioni – rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se, gjatë punimeve të Forumit, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë që mbledh së bashku liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.


Në Shqipëri sot fillon zyrtarisht fushata zgjedhore

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” mbajnë një tubim në sheshin “Nënë Tereza”. Figura qendrore e kësaj fushate pritet të jetë Chris Lacivita, strateg politik amerikan, i cili do të drejtojë nga afër këtë garë për PD-në.

Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, Partia Socialiste zhvillon sot takime në të 12 qarqet e vendit me gratë – një kategori që PS e konsideron themel të mbështetjes elektorale dhe njëkohësisht pjesë të rëndësishme të përfaqësimit politik. Fushata zyrtare e PS pritet të hapet më 12 prill, në orën 12:00, si simbolikë ndaj 12 yjeve të Bashkimit Evropian – destinacion që socialistët e vendosin në qendër të programit të tyre me sloganin: “Shqipëria 2030 në BE”, përcjell albinfo.ch.

Edhe Lulzim Basha do të çelë fushatën më 12 prill, një orë përpara socialistëve, nën logon e koalicionit euroatlantik, duke synuar të mbajë një profil të pavarur nga fraksioni Berisha.

Në këtë garë, secili koalicion paraqet 186 kandidatë për deputetë, sipas formulës së re zgjedhore: 140 nga lista e hapur dhe 46 nga lista e mbyllur.

Sot ZRRE-ja vendos për çmimin e rrymës, qytetarët protestojnë

Nën moton “Asnjë cent më shumë”, sot mbahet protesta e radhës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, përcjell albinfo.ch.

Protesta fillon nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në të njëjtën ditë kur edhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pritet të marrë vendimin përfundimtar për çmimin e ri të energjisë elektrike.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj proteste, duke kundërshtuar paralajmërimin për një rritje prej 15% të çmimit të rrymës nga ZRrE.

“Rritja e çmimit të energjisë nuk prek vetëm faturën, por edhe bukën, vajin, qumështin – çdo aspekt të jetës sonë të përditshme,” thuhet në njoftimin e grupit organizues në Facebook.

Kujtojmë se edhe më 5 prill u mbajt një protestë e ngjashme në sheshin “Skënderbeu”, ku morën pjesë qindra qytetarë.

Ndaj këtij vendimi pati reaguar edhe Presidenca, e cila përmes një deklarate kishte theksuar se rritja e çmimit të rrymës do të ketë efekt zinxhir.

Zgjedhjet në Shqipëri: Ka nisur dërgimi i fletëve të votimit në Diasporë

Tashmë dihet se për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, shqiptarët me banim jashtë vendit do të mund të votojnë përmes postës për zgjedhjet parlamentare, përcjell albinfo.ch.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjen e 245,808 zarfeve me fletët e votimit, të cilat do të nisen drejt votuesve shqiptarë në diasporë në 85 shtete të botës.

Procesi i dërgimit të zarfeve ka nisur dhe do të vazhdojë deri më 17 prill, me qëllim që të sigurohet mbërritja në kohë e materialeve zgjedhore te votuesit e regjistruar jashtë vendit.

Përpunimi dhe paketimi i materialeve zgjedhore po realizohet në Parkun Olimpik në Tiranë, ku administrata e KQZ-së është organizuar në grupe pune që po ndjekin me përpikmëri çdo hap të procesit.

Fillimisht bëhet verifikimi i fletëve të votimit, dhe më pas ato vulosen nga KQZ-ja për t’u dhënë fuqinë juridike. Më pas, çdo fletë vendoset në një zarf të posaçëm, së bashku me materialet shoqëruese, dhe dorëzohet te kompania postare që do ta dërgojë në adresën e qytetarëve të regjistruar.

Zarfeve u është kushtuar rëndësi maksimale në aspektin e sigurisë dhe korrektësisë, ndërsa shpërndarja po bëhet në përputhje me qarqet zgjedhore, sipas regjistrimit të votuesve nga diaspora.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mundësuar ndjekjen live të të gjithë procesit të përgatitjes dhe paketimit të fletëve të votimit përmes kanalit zyrtar të KQZ-së në Facebook, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë e këtij procesi historik.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së diasporës në jetën demokratike të vendit, duke u dhënë mundësi mijëra qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese të votës.

Shaqiri me fanellën e Baselit ëndërron të luajë në Ligën e Kampionëve

Nisur nga një kujtim i shkurtër i 14 prillit të vitit 2021, Xherdan Shaqiri ka luajtur për herë të fundit në Ligën e Kampionëve në atë datë. Në ndeshjen e dytë çerekfinale kundër Real Madridit (0:0), si lojtar i Liverpool-it, u aktivizua në minutën e 82-të, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se në total, ish-futbollisti i Zvicrës ka luajtur 36 ndeshje në Ligën e Kampionëve, duke shënuar tre gola dhe dhënë shtatë asistime. Dhe ndoshta do të ketë më shumë ndeshje, gola e asistime.

Futbollisti shqiptar ka fituar dy herë trofeun e Ligës së Kampionëve. Titullin e parë e fitoi me Bayernin në vitin 2013. Me gjigantin gjerman fitoi gjithashtu Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube. Po të njëjtat trofe i fitoi edhe me Liverpool-in në vitin 2019. Me të dy ekipet, Bayernin dhe Liverpool-in, ka fituar edhe titullin e kampionit në kampionatet respektive.

Shaqiri e ka fituar Bundesligën tri herë: në vitet 2013, 2014 dhe 2015, ndërsa Premier Leaguen e fitoi në sezonin 2019/2020.

Trofetë nuk mungojnë as me Baselin. Gjatë viteve të para të karrierës me këtë skuadër, ai fitoi titullin në vitet 2010, 2011 dhe 2012, si dhe dy Kupa të Zvicrës.

33-vjeçari po luan sërish për Baselin – skuadrën ku e nisi karrierën e tij – dhe po dëshmon se ende është në formë. Këtë sezon ai ka luajtur 27 ndeshje në Superligën e Zvicrës, duke shënuar 11 gola dhe dhënë 14 asistime. Pjesërisht falë kontributit të Shaqirit, Baseli është në krye të tabelës pas 31 xhirove, me një epërsi prej katër pikësh ndaj Servette-s dhe pesë pikë më shumë se Young Boys.

“Kemi ende disa pengesa për të kaluar”, ka thënë Shaqiri, i cili nuk dëshiron ende të flasë për titullin. Megjithatë, ëndrrat gjithmonë lejohen – dhe këtë e pohon edhe “Messi i Alpeve”. “Të gjithë ne ëndërrojmë për netët e Ligës së Kampionëve sërish. Dhe po japim gjithçka për ta arritur këtë synim”, ka deklaruar ai për “Blue Sport”.

Pengesa e radhës e Baselit në rrugën drejt titullit është Zurichu. Klasikja e Zvicrës do të zhvillohet në stadiumin “Letzigrund” të shtunën mbrëma.

Konsullata e Kosovës në Mynih mirëpriti Vjosën si akademikja më e re në Gjermani

Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih, Konsulli i Përgjithshëm, Afrim Nura, mirëpriti Dr. Vjosa Blakaj, e cila më 26 mars 2025 u promovua me sukses si Doktore e Shkencave të Matematikës në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM), transmeton albinfo.ch.

Siç ka raportuar albinfo.ch disa ditë më parë, Blakaj ka ndjekur një rrugë të shkëlqyer akademike që nga studimet bachelor në Universitetin e Prishtinës, deri te studimet master dhe doktoratë në Mynih, duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm në një fushë tejet sfiduese, me fokus në teorinë e informacionit kuantik dhe fizikën matematike. Kjo ishte edhe tema e disertacionit të saj: “Transcendental Tools in Quantum Information Theory”.

“Ky sukses është jo vetëm një arritje personale, por edhe një kontribut i çmuar në promovimin e imazhit të Kosovës në botë. Urime të përzemërta Dr. Vjosa Blakaj – shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë shqiptarë në Kosovë dhe diasporë”, tha konsulli Afrim Nura.


Bern: U dëgjuan thirrje kundër Kosovës, UEFA gjobit Zvezdën

Bëhet e ditur se Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s e ka dënuar me 54 mijë e 250 euro klubin Cërvena Zvezda, për shkak të shkeljeve të shumta nga tifozët serbë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve kundër Young Boys-it, e luajtur në Bernë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se këtë ndeshje e fitoi klubi zviceran Young Boys me rezultatin 1:0, ndërsa në stadium është parë edhe flamuri i Serbisë mbi hartën e Kosovës – një simbol që UEFA e konsideron të papranueshëm. Po ashtu, janë dëgjuar thirrje në kor “Serbia, Kosovo” në tribunën ku ishin të vendosur ultrasit e Cërvena Zvezdës, të ashtuquajturit “Delije”.

Për sjellje raciste të tifozëve, UEFA ka ndarë një gjobë prej 20 mijë euro ndaj Cërvena Zvezdës dhe i ka ndaluar klubit serb të shesë bileta për tifozët e tij në ndeshjen e parë në udhëtim në garat e UEFA-s. Gjithashtu, me 6.750 euro është dënuar për ndezjen e fishekzjarrëve, ndërsa me 27 mijë e 500 euro për shfaqjen e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.

Për thirrjet kundër Kosovës dhe incidentet e tjera në stadiume, UEFA ka gjobitur vazhdimisht Federatën e Futbollit të Serbisë dhe klubet serbe.

Franca sinjalizon njohjen e shtetit palestinez brenda pak muajsh

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Parisi mund të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në muajt e ardhshëm, një vendim që pritet të konkretizohet gjatë një konference të Kombeve të Bashkuara në qershor.

Gjatë një interviste për televizionin France 5, Macron u shpreh se Franca po ecën drejt njohjes së Palestinës si shtet sovran, duke theksuar se kjo nismë është pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të avancuar zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë në muajt e ardhshëm,” deklaroi Macron.

Ai bëri të ditur se synon të bashkëorganizojë konferencën në Nju Jork së bashku me Arabinë Saudite, ku njohja e shtetit palestinez do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit. Presidenti francez nënvizoi se ky hap nuk është vetëm një veprim i drejtë nga pikëpamja politike dhe morale, por edhe pjesë e një qasjeje të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë që mbështesin të drejtat e popullit palestinez.

“Kjo do të na lejojë të jemi të qartë në luftën kundër atyre që mohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, siç është rasti me Iranin,” shtoi Macron, duke theksuar se Franca do të vijojë të angazhohet për sigurinë kolektive në rajon, përcjell albinfo.ch.

Franca ka mbështetur tradicionalisht zgjidhjen me dy shtete dhe ka ruajtur këtë qëndrim edhe pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023, kur Hamasi ndërmori një sulm të rëndë ndaj Izraelit.

Nëse realizohet, njohja zyrtare e Palestinës nga Franca do të përbënte një kthesë të rëndësishme në diplomacinë franceze dhe do të kishte pasoja të ndjeshme në arenën ndërkombëtare, duke shkaktuar gjithashtu reagime të ashpra nga Izraeli, i cili kundërshton çdo hap të tillë, duke e cilësuar si të parakohshëm dhe të njëanshëm.

OBSH bën thirrje për veprim të menjëhershëm kundër shpërthimit global të fruthit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për përhapjen e fruthit në 58 shtete të botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ku dy fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e virusit.

Në një deklaratë zyrtare nga selia e saj në Gjenevë, OBSH theksoi rëndësinë jetike të vaksinimit, duke e përshkruar vaksinën kundër fruthit si “jashtëzakonisht të sigurt dhe efektive”. Agjencia u bëri thirrje vendeve anëtare të intensifikojnë përpjekjet për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, përcjell albinfo.ch.

Kate O’Brien, drejtoreshë e departamentit të vaksinimit në OBSH, e cilësoi fruthin si një nga viruset më ngjitëse në botë, duke bërë apel për vaksinim masiv si mënyrën më të mirë për të frenuar shpërthimet. Ajo shmangu komentet ndaj kritikave të presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., i cili njihet për qëndrimet e tij skeptike ndaj vaksinave.

Kennedy është vënë në qendër të kritikave për menaxhimin e dobët të situatës, sidomos në Teksas, ku janë shënuar qindra raste me fruth dhe ku shpërthimi vazhdon të përhapet me ritme alarmante.

O’Brien shtoi se, ndonëse SHBA-të po punojnë për të kontrolluar situatën, përpjekjet aktuale nuk janë të mjaftueshme. Ajo theksoi gjithashtu se rënia e nivelit të vaksinimit – pjesërisht si pasojë e pengesave të krijuara nga pandemia e COVID-19 – ka ndikuar ndjeshëm në rikthimin e fruthit.

“Vaksina kundër fruthit është një nga vaksinat më të sigurta dhe më efektive që kemi,” theksoi O’Brien, duke apeluar për ndërgjegjësim dhe veprim të shpejtë si nga institucionet ashtu edhe nga individët, për të ndaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje potencialisht vdekjeprurëse.

 

Çfarë moti do të mbajë në Zvicër gjatë Pashkëve?

Me shumë diell dhe temperatura të buta, Zvicra po shfaq anën e saj pranverore – por duke filluar nga e diela, parashikohen reshje shiu. Edhe gjatë Pashkëve, moti pritet të jetë i ndryshueshëm.

Deri të shtunën: mot i mrekullueshëm

E enjtja dhe e premtja do të sjellin shumë diell në mbarë Zvicrën. Temperaturat do të variojnë nga 16 deri në 21 gradë Celsius. Veçanërisht në Valais, termometri mund të arrijë deri në 21 gradë.

E shtuna: pluhur saharian dhe temperatura të larta

Të shtunën pritet të mbërrijë pluhuri saharian, ndërsa mbi Zvicër do të shfaqen re të lehta. Temperaturat do të ngjiten deri në 24 gradë në disa rajone.

Nga e diela: mot i paqëndrueshëm me reshje

Të dielën moti do të ndryshojë ndjeshëm. Një sistem presioni të ulët do të zëvendësojë stabilitetin aktual, duke sjellë më shumë re dhe reshje lokale. Veçanërisht në jug të Zvicrës, parashikohen reshje më të shumta, ndërsa në rajonet e tjera pritet mot i alternuar mes reshjeve dhe intervaleve të thata me diell.

Parashikimi për Pashkë

Gjatë Pashkëve parashikohet mot i paqëndrueshëm me reshje të herëpashershme. Megjithatë, nuk pritet shi i vazhdueshëm – do të ketë periudha të thata dhe momente me diell, ideale për një gjueti vezësh në natyrë. Temperaturat do të bien në 15 deri në 18 gradë të hënën e Pashkëve.

Raporti që nxjerr në pah gjendjen alarmante në burgjet e Maqedonisë së Veriut

Kushtet në institucionet ndëshkuese-korrektuese në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë të mjerueshme, thuhet në raportin e fundit të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR). Mbingarkesa nëpër qeli, mungesa e kushteve higjienike, lagështira, mungesa e stafit mjekësor dhe investimet e pamjaftueshme në infrastrukturë janë disa prej çështjeve më të theksuara që ngre raporti.

Situata më alarmante vërehet në Burgun e Idrizovës – institucioni më i madh ndëshkues në vend – ku mbipopullimi dhe gjendja e rënduar e objekteve përbëjnë problemin kryesor. Megjithatë, gjendja nuk është më e mirë as në burgjet e tjera të vendit, përcjell albinfo.ch.

“Reparti i pranimit dhe ambulanca në Idrizovë janë në kushte më se të papranueshme: qeli me vrima, mure të ndotura dhe të dëmtuara, mbeturina dhe dyshekë të papastër,” thekson raporti. Ndërkohë, në Burgun e Shkupit, të paraburgosurit detyrohen të konsumojnë ushqim dhe të kryejnë nevojat elementare fiziologjike në të njëjtat hapësira. Në Burgun e Kumanovës, problemi kryesor lidhet me mungesën e ujit të pijshëm – një e drejtë themelore për çdo individ.

Përveç kushteve të rënda fizike, sistemi përballet edhe me mungesë të theksuar të stafit mjekësor dhe të policisë së burgjeve.

“Nuk ka kujdes të plotë shëndetësor për personat e privuar nga liria për shkak të mungesës së personelit mjekësor. Numri i pamjaftueshëm i oficerëve të policisë ka çuar në rritjen e kostove për orët shtesë, ndërsa paditë e paraqitura nga vetë punonjësit për punë jashtë orarit dhe për kompensime të tjera kanë shkaktuar rritje të konsiderueshme të shpenzimeve gjyqësore,” thekson Enti.

Financat e pamjaftueshme dhe mungesa e veprimeve konkrete nga institucionet përkatëse kanë penguar përmirësimin e situatës. Në përfundimet e raportit, theksohet se masat aktuale nuk janë të mjaftueshme për të adresuar problemet sistemike. Për këtë qëllim, ESHR ka propozuar një paketë prej 26 masash, të cilat kërkojnë zbatim urgjent, kryesisht nga ana e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Tarifa e Trump ndaj Kinës është 145%

Norma e tarifës së SHBA-së për importet kineze tani arrin në 145 për qind, duke pasqyruar intensifikimin e tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Ky informacion është konfirmuar nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNBC, i cili theksoi se ky nivel i tarifave përbën një masë të re për të mbrojtur interesat ekonomike të SHBA-së dhe për të adresuar praktikat që administrata amerikane i konsideron të padrejta dhe të dëmshme për industrinë amerikane.

Në kuadër të kësaj strategjie, dekreti i fundit ekzekutiv i presidentit amerikan, Donald Trump, ka rritur tarifat ndaj produkteve kineze nga 84 në 125 për qind, përcjell albinfo.ch.

Kjo tarifë e re prej 125 për qind, e shpallur dje nga Trumpi, shtohet mbi një taksë ekzistuese prej 20 për qind që ishte tashmë në fuqi.