Von der Leyen: Ka ardhur koha të angazhohemi seriozisht për paqe

“Ka ardhur koha të angazhohemi seriozisht për paqe”, u shpreh presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Tiranë, përcjell albinfo.ch.

Nga tryeza e bisedimeve, von der Leyen i shprehu mbështetjen presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa tha se BE është e vendosur të mbrojë sovranitetin e Ukrainës.

“E di që ndryshimet që po kalojmë janë historike. Sot Europa është zgjuar dhe ne e dimë që duhet të ecim para, na duhet të ndërtojmë këtë qëndresë tonën dhe të zgjerojmë rrjetin e partneriteteve. Jemi mësuar që kur ka kriza të mëdha, Europa është ajo që jep përgjigje të mëdha. Europa ka dalë prej krizave më e madhe dhe më e fortë. Europa është bashkuar më shumë në këtë pikë kthese të historisë. Kjo është arsyeja pse edhe Komuniteti Politik është krijuar për të sjellë paqe në kontinent, ndërkohë që Rusia e ka lënë Europën. Fakti që jemi ulur me ju Volodymyr, tregon vendosmërinë tonë për të ruajtur sovranitetin e Ukrainës. Gjatë rrugës, shumica e vendeve të KPE kanë mbështetur sanksionet kundër Rusisë”.

Presidentja e KE-së foli për sanksione të reja ndaj Rusisë, kryesisht ndaj gazsjellësit rus.

“Të ardhurat e gazit në Rusi janë ulur me 18%, inflacioni është në rritje. Jemi gati të bëjmë më shumë për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave. Që të jemi të qartë, ne duam paqe. Po punojmë për sanksione të reja, Nord Stream apo Flota Hije. Ka ardhur koha të angazhohemi seriozisht për paqe”

Merz : Të vazhdojmë t’i japim mbështetje të fortë ushtarake Ukrainës

Kancelari gjerman Friedrich Merz mbajti fjalën në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë këtë të premte, përcjell albinfo.ch.

“Jam i kënaqur që jam këtu dhe kam nderin që të jem me ju për herë të parë në këtë grup të shquar udhëheqësish, pres bashkëpunimin tonë të ngushtë jo vetëm se na duhet shumë por jemi të gatshëm, dua të fokusohem në disa çështje, kemi një sfidë që nuk është parë në këtë 10-vjeçar në Ukrainë, nuk është një luftë kundër këtij vendi, ne ishim në Kiev, e bëmë këtë jo vetëm në emrin tonë, por edhe në tuajin për të treguar vendosmërinë, jemi të vendosur që duhet të vazhdojmë t’i japim mbështetje të fortë ushtarake Ukrainës, këtij vendi që gjendet në vështirësi, përpjekjet tona kanë treguar sukses të vogël diplomatik”, tha Merz.

Macron: Evropa përballet me sfida historike, por qëndron e bashkuar për paqen

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë fjalës së tij në Samitin e Komuniteti Politik Evropain në Tiranë theksoi rëndësinë e momentit historik dhe sfidave me të cilat përballet sot kontinenti evropian, përcjell albinfo.ch.

Në një kohë të trazuar për Evropën, ai theksoi mbështetjen e plotë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus dhe rëndësinë e një armëpushimi të qëndrueshëm, duke nënvizuar se “trysnia e evropianëve do ta bëjë këtë të mundur”.

“Kam kënaqësi që ju shoh të gjithëve këtu me rastin e Samitit të 6 të Komuniteti Politik Evorpian, i pari që zhvillohet në Ballkan. Faleminderit që na kujton se pas ëndrrës evropiane nuk është vetëm gjeorgrafia, por mitologjia, historia, rrugëtimi që kemi bërë. Jemi këtu sot në kohëra kur jetët e vendeve tona dhe situtata e kontinentit tonë i sjell paksa seriozitet këtij takimi duke pasur parasysh se sa e lartë është steka. Kjo na jep shansin e një kontinenti më të gjerë, që të përballemi me sfida dhe ta bëjmë këtë të gjithë së bashku. Pikë së pari është lufta e Rusisë së Ukrainës dhe Zelensky e di se jemi në krah të tij. Kemi krijuar koalicionin e të vullnetshëmve dhe është shumë e rëndësishem që të mbështet Ukraina dhe armëpushimi. Orët e fundit duhet thënë që Rusia nuk e do këtë armëpushim por trysnia e evropianëve do ta bëjë këtë të mundur. Duhet të këmbëngulim që të sigurojmë një paqe të qëndrueshmë në Ukrainë. Komuniteti Politik Evropian mundëson që t’i sjellim sigurinë njerëzve tanë kur vjen puna në luftën kundër trafikut të drogave. Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është thelbësore. Kemi nisur të diskutojmë këtë çështje dhe do të doja që të ndërtonim një koalicion shtetesh, organizatash ndërkombëtare për të luftuar trafikun, pastrimin e parave dhe korrupsionin. Kjo është thelbësore dhe njerëzit po na presin, i gjithë ky trafikim është i ndërlidhur dhe do të na duhet shumë bashkëpunim. Pika e tretë. Ka kërcënime që po minojnë demokracitë tona dhe natyrisht këto krijojnë manipulime gjatë zgjedhjeve. Ka ndërhyrje të huaja konstante dhe këto po minojnë demokracitë tona. Ne kemi nisur një nismë për të rritur bashkëpunimin tonë”, tha Macron.

Erdogan, mesazh nga Tirana: Armët të heshin dhe paqja të vendoset

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ndërtuar një vizion të ri për kontinentin, përcjell albinfo.ch.

Duke falënderuar Kryeministrin Edi Rama për mikpritjen, Erdoğan u shpreh se ka një potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim në fusha strategjike si industria e mbrojtjes, energjia, tregjet digjitale dhe mineralet kritike.

Ai kërkoi përfshirjen e aleatëve jashtë BE-së në përpjekjet evropiane për mbrojtjen dhe sigurinë, duke theksuar se “nëse përçahemi, bëhemi më të dobët; nëse qëndrojmë bashkë, jemi më të fortë”. Presidenti turk kërkoi gjithashtu rishikimin e kufizimeve të Shengenit dhe vuri në dukje rolin kyç të Turqisë në transformimin energjetik dhe sigurinë e zinxhirëve të furnizimit.

Në përfundim, ai theksoi nevojën për paqe të menjëhershme në Ukrainë, duke deklaruar: “Jemi në një moment kritik ku armët duhet të heshtin dhe paqja të vendoset.”

“Të nderuar krerë shtetesh dhe qeverish ju përshëndes me respekt personalisht dhe në emër të vendit tim. Jam shumë i kënaqur që gjendem sërish këtu. Falenderoj kryeministrin, mikun tim të dashur Edi Rama. Jemi mbledhur të diskutojmë një vizion të ri që do të ripërckatojnë kontinentin tonë. Është e rëndësishme që ne të veprojmë të bashkuar. Ka një potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim në fusha si industria e mbrojtjes, energjia, tregjet digjitale dhe lëndët minerale kritike. Janë shumë fusha ku ne mund të bashkëpunojmë. Në këto kohë kritike, përpjekjet e BE për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes janë të dobishme këto përpjekje duhe të përfshijnë edhe atleatë që nuk janë pjesë e BE-së. Në fakt me këtë lloj ideje do të ishte në interes më të mirë të sigurisë evropiane. Shumë luftra në të shkuarën na kanë treguar se në pika kritike si mbrojtja dhe siguria nëse përçahemi bëhemi më të dobët dhe nëse qëndrojmë bashkë jemi më të fortë. Praktikat e shengenit që kufizjnë lëvizshmërinë e njerëzve tanë duhe të rishikohen. Si një vend me infrastrukturën energjitike më të zhvilluar Turqia luan një rol të rëndësishëm në Evropë në proceset e transofrmit të energjisë. Hapat që kemi ndërmarrë ofrojnë mundësi për të gjithë rajonin. E gjendur në zemër të korridoreve të transprotit Truqia jep një rol domethënës për ruajtjen e zinxhirëve të furnizmit të Evropës. Jemi në një moment kritik që armët të heshin dhe paqja të vendoset në Ukrainë”, tha ai.

Rama: Nder i jashtëzakonshëm për Shqipërinë që t’ju mirëpresë!

Takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian po zhvillohet këtë të premte, (16 maj) në Sheshin Skënderbej në Tiranë, përcjell albinfo.ch.

I organizuar bashkërisht nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ky aktivitet ka mbledhur udhëheqës nga e gjithë Evropa.

Në një konferencë të përbashkët, Kryeministri Edi Rama tha se është nder i jashtëzakonshëm për Shqipërinë që të mirëpresë liderat ndërkombëtar.

“Është një nder i jashtëzakonshëm për vendin tim që t’ju mirëpres të gjithëve në këtë shtëpi që është bërë enkas. Jeni të rrethuar nga imagjinata e fëmijëve shqiptarë për Evropën. Ëndrrat e fëmijëve nuk mbahen peng kurrë. Keni ardhur në një moment domethënës, ku kemi mësuar ta shohim të shkuarën me sytë e të ardhmes. Mbërritja juaj vijon me zgjedhjet. Është kaq kënaqësi që fushata u përmbyll me këto fjalë. Evropa fitoi me 52%. Ka nga ata që mendojnë se duhet të isha shkarkuar që s’ja dola ta fusja Shqipërinë në BE shumë më parë,” tha Rama.

Presidentja Osmani nga Tirana: Zëri i Kosovës është i pranishëm aty ku vendoset për të ardhmen e Evropës

Sot, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se pjesëmarrja e saj në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Tiranë, është dëshmi se Kosova është faktor i rëndësishëm në skenën politike evropiane, përcjell albinfo.ch.

“Sot në Tiranë filloi Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian. Pjesëmarrja jonë e gjashtë në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribuues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit tonë,” ka shkruar Osmani.

Ajo theksoi se Kosova është pjesë aktive e diskutimeve që prekin sigurinë, paqen dhe zhvillimin e rajonit e më gjerë në Evropë.

Osmani ka ndarë foto duke u përshëndetur me liderën evropianë.

Liderët evropianë në Samitin e Komunitetit Europian në Tiranë

Sot, kryeministri Edi Rama, në Samitin e Komunitetit Politik Europian, është pozicionuar krah Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentit francez, Emanuel Macron .

Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian nisi sot punimet në Tiranë nën logon “New Europe in a new world”, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.

Mikpritësi i Samitit, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë gjatë ditës takime dypalëshe me personalitetet pjesëmarrëse, në mjediset e dedikuara, duke nisur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte e më pas me Kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez; Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Princin Sovran të Monakos Albertin II; Kancelarin e Austrisë Christian Stocker; Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan; Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni; Presidentin e Qipros Nikos Christodoulides; Kryeministrin e Holandës Dick Schoof; Kryeministrin e Belgjikës Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.

Pjesë e ngjarjeve të ditës do të jenë edhe ceremonia e mirëseardhjes në Samit, si dhe performanca të ndryshme artistike, promovuese të traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare.

Samiti do të vijojë përgjatë ditës me seancat plenare dhe tryezat e diskutimeve.

Momentet pikante gjatë pritjes së liderëve nga Rama në Tiranë

Sot, kryeministri Edi Rama ka pritur liderët europianë për Samitin e Komunitetit Politik Europian i cili mbahet për herë të parë në vendin ditën e sotme nën logon “New Europe in a new world”, përcjell albinfo.ch. 

Pritja e liderëve të kontinentit u shoqërua nga një disa grupe valltarësh të cilët përformonin nën ritmet e muzikës tradicionale shqiptare.

Ndryshe nga samitet e tjera të organizuara në Tiranë, kësaj radhe moti nuk mbajti, por kjo nuk e ndaloi pritjen të pushtohej nga rrezatimi i liderëve.

Dy orë pritje gjatë kalimit në tapetin e kuq u shoqëruan edhe nga momente epike.

Liderët do t’i drejtohen më pas ambienteve të ndërtuara enkas për këtë samit pas monumentit të Skënderbeut.

Pjesa ballore e këtij ambienti është veshur me vizatime të nxënësve shqiptarë se si ata e perceptojnë Europën.

Fillimisht, liderët do të mblidhen në një seancë plenare dedikuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Europës.

Më pas, do të zhvillohen tri tryeza të nivelit të lartë mbi temat: siguria e Evropës dhe qëndrueshmëria demokratike; konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike përfshi sfidat e lëvizshmërisë si dhe fuqizimi i të rinjve.

Programi i plotë:

Programi i samitit nis në orën 10:00 me mbërritjen e delegacioneve dhe deklaratat për media, pasuar nga ceremonia zyrtare e hapjes në orën 11:00 dhe fotografia familjare në orën 11:30.

Më pas, do të zhvillohen sesioni i parë plenar, një drekë zyrtare dhe tryeza tematike. Pasdite do të ketë takime dypalëshe mes krerëve të delegacioneve dhe një sesion përmbyllës plenar.

Ngjarja do të mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 18:30 nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryeministri i Danimarkës, vendi pritës i samitit të ardhshëm.

Kosovari mohon akuzën për tejkalim shpejtësie: “Ka qenë vëllai im binjak”

Një burrë në Aargau po përballet me akuza penale për tejkalim masiv të shpejtësisë gjatë ngarjes së veturës. Ai pretendon, siç me sa duket bën shpesh, se faji është te vëllai i tij binjak. Ai ka ngarë makinë me gati 40 kilometra në orë më shpejt se sa është e lejuar, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, ai mohon se e ka drejtuar vetë makinën dhe pretendon se mund të ketë qenë vëllai i tij binjak ose kushëriri i tij që jeton në Kosovë.

Zyra e prokurorit publik të Aargaut po zhvillon procedurë penale kundër personit të përmendur për shkelje të rënda të rregullave të trafikut. Për të kontrolluar nëse ai ishte realisht në makinë, ajo ia ka besuar analizën e fotove të kamerave të shpejtësisë një instituti mjeko-ligjor, shkruan gazeta Aargauer Zeitung. Por cilësia e fotove ishte shumë e dobët. Kështu që të dyshuarit iu desh të shkonte në institutin e mjekësisë ligjore për të bërë imazhe krahasuese për një mendim eksperti.

Dhe, ai vërtet e bëri këtë. Por përkundër kësaj, e kundërshtoi raportin e ekspertit. Siç mund të shihet nga dosjet e Dhomës së Apelit të Gjykatës së Lartë, ai e konsideron thirrjen në institutin e mjekësisë ligjore si shkelje të të drejtave të tij themelore.

Ai pretendon se ishte paraqitur tashmë për një intervistë në polici dhe i ishte dashur të dorëzonte dokumentacion fotografik, përcjell albinfo.ch. Duke pasur parasysh sjelljen e dyshuar kriminale, një paraqitje e mëtejshme në institut do të kishte qenë joproporcionale.

Meqenëse raporti i institutit nuk është dorëzuar ende dhe imazhet po kështu nuk janë vlerësuar ende, Gjykata e Lartë po shqyrton të apelojë lëndën.

Siç shkruan Gjykata e Lartë, kundërshtimet e tij janë të pabazuara. Hetimet e urdhëruara ishin të përshtatshme dhe të nevojshme për të verifikuar se kush ishte në makinë. Nuk ka mjete më pranueshme për verifikimin e identitetit dhe kjo përbën vetëm një shkelje të vogël të të drejtave themelore. Duke pasur parasysh shpejtësinë e madhe, kjo ndërhyrje është padyshim e arsyeshme.

Prokurori publik theksoi se kjo nuk është hera e parë që i përmenduri është përpjekur t’i shmanget përgjegjësisë penale duke përmendur vëllain e tij binjak si autor të mundshëm të krimeve. Siç tregojnë dosjet, disa procedura penale janë ose kanë qenë në pritje kundër personit të përmendur.

Prokurori publik deklaroi se ky “mashtrim i dyfishtë” duhet të ndalet dhe i akuzuari duhet të mbahet përgjegjës. Ankesa e të akuzuarit shërben vetëm për të vonuar procedurat, transmeton albinfo.ch. Nëse ai ka në të vërtetë një vëlla binjak, nuk është e qartë nga dosjet.

Shpenzimet e procedurës së apelit, që arrijnë në total 1.037 CHF, do të mbulohen nga i pandehuri.

Votat e Diasporës, mbeten edhe 49,448 zarfe të panumëruara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të marrë sot vendim për votat e diasporës së Greqisë, e cila ka krijuar probleme në procesin e numërimit, përcjell albinfo.ch.

Për këtë arsye, KQZ ka revokuar të gjithë vëzhguesit nga Parku Olimpik, me përjashtim të medias dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.

Në vendimin e ditës së djeshme (15 maj), KQZ thotë se ka anuluar akreditimin e të gjithë vëzhguesve në vendin e numërimit (Parku Olimpik) me përjashtim të atyre ndërkombëtarë.

(Organizatat e shoqërisë civile, duhet të riparaqesin kërkesën për akreditimin e vëzhguesve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmes Portalit të Vëzhguesve, jo më vonë se ora 12:00 e datës 16 maj.

Kërkesat për akreditimin e vëzhguesve nga partitë politike pranë KQZ, duhet të paraqiten jo më vonë se ora 24:00”, thuhet në vendimin e KQZ.

Kallas në Tiranë: Presim normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se presin normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka paralajmëruar që pas disa javësh do ta vizitojë Kosovën, e po ashtu do të shkojë edhe në Beograd, për vendosur në tavolinë planin e saj për një rinisje të bisedimeve kosovaro-serbe që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

“Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesit e ri për dialogun Kosovë-Serbi, presim normalizim të marrëdhënieve sigurisht”, është shprehur Kallas, kur është pyetur për procesin e dialogut. 

Kallas këto komete i ka bërë para nisjes së Samitit të Komunitetit Politike në Tiranë.

Gjermania heq të dërguarin për Ballkanin Perëndimor

Së fundmi, me një vendim të kabinetit, qeveria e re federale në Gjermani ka vendosur të shfuqizojë disa poste të dërguarish të posaçëm, përfshirë edhe postin për Ballkanin Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Ky post ishte krijuar në vitin 2022 nga ministrja e atëhershme e Jashtme, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), për të mbështetur me intensitet procesin e afrimit të rajonit me Bashkimin Evropian.

Ministria e Jashtme Gjermane i tha DW se ky vendim është pjesë e një premtimi qendror të qeverisë së re: shkurtimi dhe thjeshtimi i strukturave shtetërore. “Detyrat që më parë i përkisnin dërguarit të posaçëm do të kalojnë në sektorët përkatës të ministrisë dhe bashkëpunimi me vendet e rajonit do të vazhdojë të jetë i ngushtë dhe i thelluar, ndërsa Procesi i Berlinit dhe mbështetja për anëtarësimin në BE do të mbeten prioritete të qarta.”

Rol ndërmjetësues në Ballkanin Perëndimor

Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit), i cili e mbajti këtë post deri tani, ka qenë një figurë shumë aktive në politikën gjermane për Ballkanin Perëndimor. Ai udhëtonte rregullisht në rajon, merrte pjesë në samite dhe ndërmjetësonte mes qeverive. Veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit, Sarrazin pati një rol kyç në arritjen e marrëveshjeve për mobilitetin në kuadër të këtij procesi. Në qeverinë e mëparshme tripartiake, Ballkani Perëndimor gëzonte një rëndësi të veçantë.

Në marrëveshjen e re të koalicionit mes socialdemokratëve dhe demokristianëve, rajoni përmendet shumë pak. Edhe pse me ministrin e Jashtëm Johann Wadephul dhe ministrin e Evropës Gunther Krichbaum, Gjermania ka në krye të diplomacisë dy njohës të Ballkanit Perëndimor, rajoni nuk arriti të gjente vend as në fjalimin e kancelarit Merz dhe as në atë të ministrit të jashtëm Wadephul, gjatë prezantimit të prioriteteve të tyre qeveritare të mërkurën, më 14 maj, në Bundestag.

Me këngë e valle tradicionale, kryeministri Rama pret në shesh liderët pjesëmarrës në Samit

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ndodhet në sheshin “Skënderbej” për të mirëpritur liderët e vendeve evropiane, të cilët do të marrin pjesë në Samit ditën e sotme.

Edhe pse moti nuk është i favorshëm, nuk kanë munguar këngët dhe vallet tradicionale në shesh.

Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane janë mbledhur ditën e sotme për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës.

Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Në samit, i cili mbahet nën moton “Evropa e re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.

Samiti, ku gjithashtu marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit.

Tema të tjera që pritet të diskutohen në këtë samit përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe emigracionin. Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

Zbardhet Thethi, rikthehen reshjet e dëborës

Rikthehen reshjet e borës në aksin Bogë-Theth në Shkodër, të pazakonta për këtë periudhë të vitit kur data shënon 16 maj, përcjell albinfo.ch.

Aktualisht nga moti i përkeqësuar në 24 orët e fundit ka një shtresë të hollë bore dhe për momentin rruga është e kalueshme për automjetet.

Aktualisht rruga e Thethit vijon që të jetë pa mirëmbajtje për shkak të ankimimit që kanë bërë firmat ndaj njëra-tjetrës. Në orët në vazhdim në rast se bora ngrihet duke u kthyer në akull mund të sjellë vështirësi për automjetet që lëvizin në atë aks.

Përveç borës, në disa pjesë rruga e Thethit ka edhe rënie gurësh.

Video – https://www.instagram.com/reel/DJtRvIhhQk2/?igsh=MWxmcjV2aHVjMTExcg==

Bora mbulon disa fshatra të Kosovës në mes të pranverës

Në mesin e muajit maj, reshje bore janë shënuar sot në bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit, përcjell albinfo.ch.

Pamjet nga terreni tregojnë shtresa bore mbi tokë, ndonëse pranvera është në kulmin e saj.

Reshjet e borës në këtë periudhë janë të pazakonta për këtë rajon, por jo të paprecedentë në lartësitë malore, ku temperaturat vazhdojnë të jenë më të ulëta, veçmas  ato të Dukagjinit. 

Ndërkohë, moti i paqëndrueshëm ka përfshirë disa zona malore të Kosovës, duke sjellë reshje të shiut dhe borës.

https://www.facebook.com/share/v/193eUjQzeu/?mibextid=wwXIfr

Hapet klasa e gjuhës shqipe në Oberriet të Kantonit të St. Gallenit

Përpjekjet tona për të hapur sa më shumë pika shkollore, në mënyrë që fëmijët shqiptarë në Zvicër ta kenë më afër mësimin në gjuhën amtare, janë pjesë e misionit tonë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Pavarësisht nëse jemi në fillim apo në fund të vitit shkollor, për ne kjo ka pak rëndësi, sepse misioni ynë vazhdon pandalshëm: t’i shërbejmë gjuhës shqipe dhe atdheut tonë.

Hapja e një pike të re shkollore është gjithmonë një lajm i rëndësishëm, sepse mësimi i gjuhës amtare në mërgatë ka një vlerë të veçantë. Këtë javë, një lajm i tillë gëzoi disa prej fëmijëve shqiptarë në Oberriet të kantonit të St. Gallenit, ku u hap zyrtarisht pika shkollore shqipe. Ajo hapi dyert për fëmijët shqiptarë të kësaj qyteze, duke krijuar një hapësirë të re për mësim dhe përjetim kulturor në gjuhën e nënës.

Me të drejtë, poeti ynë kombëtar Filip Shiroka thoshte: “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet.”

 

Nxënësit e Shkollës Shqipe në Oberriet të Kantonit të St. Gallenit, gjatë një ore mësimore me mësuesen Albulena Hasani

 

Mësimi nis zyrtarisht në klasën e re shqipe në Oberriet

Pas disa takimeve e përpjekjeve me prindërit shqiptarë, të enjten u zhvillua ora e parë mësimore në pikën e re shkollore në Oberriet, duke iu mundësuar fëmijëve shqiptarë të këtij vendbanimi të mësojnë rregullisht në gjuhën shqipe. Nxënësit Maliki, Besoni, Arbëri, Leonisi, Lyesi, Darisi, Leani, Ilani, Diari, Aniku, Alina, Ledioni, Dioni, Dionisi dhe të tjerë që pritet t’u bashkohen në ditët në vijim, u shfaqën të entuziazmuar që më në fund do të mësonin në gjuhën e tyre amtare.

Me këtë rast, ftojmë prindërit shqiptarë të kësaj zone që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe në Oberriet. Mësimi zhvillohet çdo të enjte, nga ora 16:00 deri në 18:00.

Nxenesit-e-Shkolles-Shqipe-ne-Oberriet-te-Kantonit-te-St.-Gallenit-gjate-nje-ore-mesimore-me-mesuesen-Albulena-Hasani.jpg.webp

Klasa që “flet” shqip dhe përhap buzëqeshje shqip

Klasa e shkollës shqipe në Oberriet tashmë ka filluar të “flasë” shqip, të “gëzohet” shqip dhe të përjetojë buzëqeshjet e fëmijëve që, përmes shkronjave të shqipes, mësojnë gjuhën e të parëve të tyre.

Zvicra është shndërruar në një model të përkushtimit të mërgatës, falë veprimtarëve të palodhur si z. Vaxhid Sejdiu. Në bashkëpunim me prindërit e kësaj qyteze dhe mësuesen Albulena Hasani, ata arritën të shtojnë edhe një klasë të re në rrjetin e pikave shkollore shqipe. Kjo dëshmon se aty ku ka përkushtim, nuk mungojnë as rezultatet.

“Shkolla Shqipe” në Zvicër është krenare për punën e palodhur të prof. Vaxhid Sejdiut, i cili vazhdimisht dëshmon se është një promotor i denjë i vlerave kombëtare dhe në shërbim të arsimit në gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe në duart e këtyre vogëlushëve është dhurata më e bukur e vitit shkollor.

Gjuha shqipe, dhurata më e bukur për këta fëmijë

Mësuesja Albulena Hasani u shpërndau nxënësve edhe librat mësimorë, të cilët janë falas dhe sigurohen nga institucionet tona. Ky është një rezultat i punës së përbashkët dhe i angazhimit vullnetar të veprimtarëve që sakrifikojnë kohë dhe mjete materiale, sepse edhe organizimi i takimeve dhe konsultimeve me prindërit ka koston e vet.

Në katër-pesë vitet e fundit jemi dëshmitarë të hapjes së dhjetëra pikave shkollore në mbi njëzet kantone të Zvicrës, një rrugëtim që dëshmon përkushtim të jashtëzakonshëm atdhetar dhe sakrificë.

Shembulli i prof. Vaxhidit është një frymëzim për të gjithë ata që angazhohen në emër të arsimit dhe veprimtarisë kombëtare. Siç ka shkruar edhe akademiku Idriz Ajeti: “Gjuha nuk është vetëm thesari i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare.”

Sektori për Informim
Shkolla Shqipe në Zvicër

Performanca mahnitëse e Gjon’s Tears në mbrëmjen e dytë të Eurovision 2025

Artisti shqiptar Gjon’s Tears dhuroj një super performnacë në mbrëmjen e dytë të Eurovision 2025, i cili ishte mysfair special i këtij edicioni pas triumfit më të hershëm në këtë festival, shkruan albinfo.ch.

Tashmë i konsideruar si përfaqësuesi i Zvicrës,  ai mori pjesë si i ftuar special mbrëmë në gjysmëfinalen e dytë të Festivalit të Këngës Eurovision 2025, ku përveç ngjyrave të zërit të tij që këmbuan në sallën e madhe të Bazelit, ai dhuroj edhe një paraqitje skenike me zjarrin nga pallto e tij në sfondin e errësirës. /Albinfo.ch

 

I riu nga Kosova zgjedhet lojtari më i mirë i klubit italian Udineze

Quhet Nart Halimi dhe ka një talent të jashtëzakonshëm në fushën e gjelbërt që e bën të dallohet nga lojtarët e tjerë në klubin e tij si dhe me kundërshtarët, transmeton albinfo.ch.

Së fundmi, klubi futbollistik italian Udineze ka zgjedhur pikërisht Nart Halimin si lojtari më i mirë në Turnirin e fundit që u mbajt në Itali.

Vlen të theksohet se ai rrjedh nga nje familje kosovare nga Dobratini i Podujevës.

22-vjeçarja nga Kosova në listën e ngushtë për çmimin global “Cybersecurity Woman of the Year 2025”

Dredhza Braina nga Prishtina ka arritur të kapërcejë kufijtë dhe të bëhet një nga emrat më premtues në fushën globale të sigurisë kibernetike, transmeton albinfo.ch.

Ajo është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz Cybersecurity Woman of the Year Awards 2025, organizuar nga United Cybersecurity Alliance.

Ky vlerësim shënon një arritje historike, jo vetëm për Dredhzën personalisht, por edhe për përfaqësimin e Kosovës në një skenë ku konkurrenca është ndërkombëtare dhe niveli jashtëzakonisht i lartë.

Me pasion, përkushtim dhe një kuriozitet të pashuar për teknologjinë dhe mbrojtjen digjitale, Dredhza është bërë një zë i fuqishëm në një fushë që tradicionalisht ka qenë e dominuar nga figura më të rritura dhe me vite përvojë.

“Ky moment është shumë i rëndësishëm për mua. Është një vlerësim i pasionit, përkushtimit dhe qëllimit që më shtyn çdo ditë në rrugën time në fushën e sigurisë kibernetike,” ka deklaruar ajo në një postim ku ndan emocionin e përzgjedhjes në listën e ngushtë për këtë garë.

Për Dredhzën, siguria kibernetike është më shumë se profesion. Është një mision dhe mënyrë jetese për të kontribuar në një botë më të sigurt digjitale.

Ajo falënderoi organizatorët, Carmen Marsh dhe ekipin e Cybersecurity Woman of the Year, për njohjen e punës dhe kontributit të saj në këtë fushë kaq strategjike.

Me këtë sukses, Dredhza Braina jo vetëm që ngre më lart emrin e saj, por frymëzon të gjithë brezin e ri të profesionistëve shqiptarë, veçanërisht vajzat e reja, që ëndërrojnë të lënë gjurmë në teknologji dhe inovacion.

Rezultatet përfundimtare të çmimit priten në muajt në vijim, por për Dredhzën, ky është veçse fillimi i një rruge të jashtëzakonshme.

Ndryshe, Dredhza e ka përfunduar Fakultetin e Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin e kaluar, ajo ka qenë dy herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka prezantuar punën e saj para ekspertëve të fushës.

Për momentin, 22-vjeçarja nga Prishtina punon si eksperte e sigurisë kibernetike në specializimin Threat Researcher në një kompani amerikane. /albinfo.ch

Çfarë ndodh me trupin tuaj kur flini më pak se gjashtë orë?

Gjumi është shumë më tepër sesa një pushim nga dita. Është një domosdoshmëri për trupin dhe mendjen. Por çfarë ndodh nëse e lini veten pa të paktën 6 orë gjumë në natë? Shkenca ka disa përgjigje jo shumë të këndshme.

1. Trupi dehidrohet më lehtë

Në mungesë të gjumit, trupi e ka më të vështirë të ruajë ekuilibrin e lëngjeve. Kjo shpesh sjell lodhje të shpeshtë dhe ndjesi tharjeje. Nëse flini pak, sigurohuni të konsumoni më shumë ujë gjatë ditës.

2. Rreziku për shtim në peshë rritet

Kur nuk flini mjaftueshëm, balanca hormonale që kontrollon urinë dhe ngopjen prishet. Leptina (që na tregon kur jemi të ngopur) bie, ndërsa ghrelina (që na shton oreksin) rritet. Rezultati? Dëshirë më e madhe për ushqim dhe shtim i mundshëm në peshë.

3. Lëkura juaj plaket më shpejt

Gjumi i pamjaftueshëm dëmton rigjenerimin e qelizave të lëkurës. Me kalimin e kohës, kjo shfaqet në formën e rrudhave dhe lëkurës më të lodhur, pra plakje e parakohshme.

4. Kujtesa dhe përqendrimi dobësohen

Gjatë gjumit, truri përpunon informacionin dhe forcon kujtimet. Pa mjaftueshëm orë pushimi, kjo aftësi dëmtohet. Studimet tregojnë se vigjilenca dhe përqendrimi mund të bien deri në 32 për qind.

5. Zemra vihet në rrezik

Mungesa e gjumit është e lidhur ngushtë me presion të lartë të gjakut dhe inflamacion kronik. Nëse zgjat për një kohë të gjatë, rreziku për sëmundje të zemrës rritet ndjeshëm.

Studim: Orari i gjatë i punës ndikon negativisht në tru

Një studim i fundit nga Koreja e Jugut ka zbuluar se orët e gjata në punë nuk ndikojnë vetëm në trup, por lënë gjurmë të dukshme edhe në tru. Hulumtimi, i realizuar nga universitetet Chung-Ang dhe Yonsei, analizoi 110 punonjës të shëndetësisë, duke i ndarë në dy grupe: ata që punonin të paktën 52 orë në javë dhe ata me një orar standard.

Rezultatet ishin shqetësuese. Tek personat që punonin më shumë se zakonisht, studiuesit zbuluan ndryshime në strukturën e rajoneve të trurit që kontrollojnë mendimin dhe emocionet, një efekt i lodhjes së vazhdueshme dhe stresit të akumuluar.

Profesor Yun-Jul Choi, bashkautor i studimit, vëren se megjithëse truri ka potencial për t’u rikuperuar, ai ka nevojë për kohë dhe eliminimin e faktorëve stresues për t’u kthyer në gjendjen e tij të natyrshme.

Ky studim përforcon zbulimet e mëparshme që lidhin orët e zgjatura të punës me probleme serioze shëndetësore. Eksperti i shëndetit publik Frank Pega e quan këtë një dëshmi të re të rëndësishme, e cila duhet të shërbejë si alarm për qeveritë, punëdhënësit dhe vetë punëtorët.

Studiuesit nga Koreja theksojnë se, ndonëse studimi është në përmasa të vogla, ai mbështetet në matje të thella neurologjike dhe tregon drejtpërdrejt ndikimin rrënjësor të mbingarkesës në shëndetin mendor. Prandaj, ata i bëjnë thirrje institucioneve të mos injorojnë pasojat që mund të sjellin orët e tepërta të punës

Maqedoni: 457 viktima në aksidente trafiku gjatë tre viteve të fundit

Sipas një raporti të Revizionit për sigurinë rrugore, në periudhën 2022–2024 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 31.176 aksidente trafiku, ku kanë humbur jetën 457 persona.

Vlerësimi tregon se masat e ndërmarra nga autoritetet kompetente nuk kanë qenë të mjaftueshme për të arritur objektivat e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë në Trafikun Rrugor (2015–2020), përcjell albinfo.ch.

Pavarësisht aktiviteteve institucionale, efektiviteti në uljen e numrit të viktimave mbetet i ulët. Raporti rekomandon krijimin e një sistemi për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të masave të zbatuara.