Thethi i Shqipërisë ‘pushtohet’ nga turistë të huaj

Thethi është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara turistike si për vizitorët vendas ashtu edhe për ata të huaj. Ky fshat malor ndodhet në veri të Shqipërisë, në zemër të Alpeve Shqiptare, dhe është pjesë e Parkut Kombëtar Theth.

Kryeministri Edi Rama publikoi disa fotografi nga një prej atraksioneve natyrore më të njohura të zonës, Syri i Kaltër. Në foto shfaqen turistë vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë këtë pikë gjatë ditëve të fundit të muajit maj e fillimit të qershorit, përcjell albinfo.ch.

Parku Kombëtar i Thethit është një prej zonave më të vizituara gjatë gjithë vitit. Pikat kryesore të interesit për turistët përfshijnë:

Syrin e Kaltër

Vaskat natyrore në Ndërlysë

Ujëvarën dhe kanionin e Grunasit

Shpellën e Arapit

Shtigjet malore si ai Theth-Valbonë dhe Shtegu i Bjeshkëve të NamunaThethi rrethohet nga tre male me lartësi mbi 2,500 metra: Radohima, Sheniku dhe Papluku. Zona ofron jo vetëm bukuri natyrore, por edhe pasuri kulturore dhe historike, që e bëjnë një pikë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.

Inteligjenca artificiale përbën një kërcënim më të madh për punët që mbahen nga gratë

Sipas një raporti të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), mbi një të tretën e vendeve të punës në vendet e pasura janë të ekspozuara ndaj inteligjencës artificiale gjeneruese. Ato vende pune që zakonisht mbahen nga gratë mund të preken deri në tre herë më shumë.

Në shkallë globale, një e katërta e vendeve të punës janë potencialisht në rrezik nga automatizimi ose transformimi i thellë për shkak të rritjes së përdorimit të inteligjencës artificiale (IA), thuhet në deklaratën e organizatës me seli në Gjenevë, publikuar të martën e kaluar.

Megjithatë, dallimet në teknologji, infrastrukturë dhe madhësia e sektorit terciar krijojnë diferenca të mëdha midis vendeve, ku kjo përqindje arrin deri në 34% në vendet me të ardhura të larta.

“Theksojmë se kjo ekspozim nuk do të thotë automatizim i menjëhershëm i një profesioni të tërë, por më tepër që një pjesë e madhe e detyrave aktuale mund të realizohen me anë të kësaj teknologjie”, thuhet në raportin e ILO-s, transmeton albinfo.ch.

Organizata u bën thirrje autoriteteve, punëdhënësve dhe sindikatave të zbatojnë politika proaktive për integrimin e IA-së me qëllim përmirësimin e cilësisë së punës në sektorët më të ekspozuar.

Kërcënimi i teknologjisë seksiste

Në këtë kontekst, profesionet që tradicionalisht mbahen nga gratë janë më të rrezikuara  sidomos në vendet e zhvilluara, paralajmëron agjencia e OKB-së. Kjo sepse gratë janë ende më të përfaqësuara statistikisht në punët administrative apo zyrtare, si sekretaria. Sipas raportit, afro 10% e vendeve të punës që zakonisht mbahen nga gratë janë të ekspozuara ndaj automatizimit, krahasuar me vetëm 3.5% për burrat.

“Bëhet fjalë për punë të sektorit terciar, me pak përgjegjësi, ku shkrimi dhe përmbledhja e teksteve janë thelbësore  pra të gjitha format e punës sekretariale,” shpjegon Isabelle Collet, profesoreshë e shkencave të edukimit në Universitetin e Gjenevës.

 

 

Riola Xhemaili, shqiptarja që përfaqëson Zvicrën në Evropian

Mesfushorja 21-vjeçare, me prejardhje shqiptare dhe e lindur në Solothurn të Zvicrës, është pjesë e ekipit gjerman Freiburg dhe një ndër shtyllat e ekipit kombëtar zviceran. E konsideruar si një nga talentet më premtuese të futbollit evropian, Riola tashmë ka kaluar kufijtë e një ylli në rritje. Ajo e përfaqëson Zvicrën në Kampionatin Evropian, me ambicie të qarta për të krijuar histori.

Për Riolën, pjesëmarrja në një Kampionat Evropian nuk është vetëm një sfidë sportive, por edhe një ndjenjë e veçantë për faktin se turneu zhvillohet në Zvicër. Se si po e përjeton ajo këtë arritje, futbollistja tregon vet për albinfo.ch.

 

(KEYSTONE/Laurent Gillieron)

“Është shumë, shumë speciale për mua, sepse Europianët dhe Botërorët janë ngjarjet më të mëdha ku një futbollist mund të luajë”, thotë ajo.

Nga Zvicra në Bundesligë: Sfida dhe rritja profesionale

Me vetëm 15 vjeç, Riola u largua nga familja për të ndjekur ëndrrën e saj në futbollin gjerman. Ajo kujton kalimin nga kampionati zviceran në Bundesligë si një hap të madh dhe sfidues: “Në Gjermani gjithçka është shumë më e madhe. Ka më shumë konkurrencë, më shumë cilësi  teknike, fizike, taktike.”

Të qenët aq larg familjes në një moshë aq delikate ishte e vështirë për Riolën. Ajo thotë se në fillim ndjehet e vetmuar, deri sa pas pak kohe filloi të integrohej me shoqërinë dhe jetën e re që po e priste.

“U largova nga familja që në moshën 15-vjeçare. Kam kaluar pak kohë me ta që prej atëherë dhe shpesh kam qenë e vetme. Tani jam në Holandë, në një vend ku nuk njihja askënd dhe nuk e flisja gjuhën, por jam përshtatur. Mendoj që është shumë e rëndësishme të integrohesh dhe të përpiqesh të ndihesh mirë aty ku je. Nuk jam nga ato që ankohen. Jam mirënjohëse për shëndetin tim dhe të familjes sime  kjo më jep motivim çdo ditë“, thotë ajo.

Futbollistja nuk ndalë as mirënjohjen për familjen e saj që vazhdon t´i qëndrojë afër në secilin hap.

“Ata janë gjithmonë aty  në momentet e vështira dhe të bukura. Flas çdo ditë me mamanë dhe babanë tim. Për mua ata janë miqtë më të mirë”, rrëfen ajo.

(KEYSTONE/Urs Flueeler)

Një ëndërr që bëhet realitet: Euro 2025 “në shtëpi”

Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian është ëndërr e çdo sportisti. Për Riola Xhemailin, kjo përfaqëson një kulm të karrierës së saj: “Në aspektin e karrierës, kjo do të ishte diçka shumë, shumë e veçantë për mua. Kampionatet Evropiane dhe Botërore janë ngjarjet më të mëdha ku një sportist mund të marrë pjesë”.

Ky kampionat, që këtë vit zhvillohet në Zvicër, e bën gjithçka edhe më emocionuese për të. Kombëtarja zvicerane e femrave synon ta kalojë fazën e grupeve dhe të shkojë sa më larg që të jetë e mundur. Me përparësinë e një turneu të zhvilluar në shtëpi, Riola ka besim dhe dëshirë për të arritur rezultate të mëdha: “Synimi është që të kalojmë fazën e grupeve, ngjashëm si te ekipi i meshkujve – të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. E kemi luksin që kampionati zhvillohet në shtëpi, në Zvicër, prandaj dëshirojmë të arrijmë sa më shumë“, ka shtuar ajo.

Të luash për një vend që përfaqëson edhe shtëpinë tënde shpirtërore dhe emocionale është një ndjesi unike. Riola e përshkruan me emocion të thellë përjetimin e këtij kampionati përballë publikut vendas: “Është një ndjenjë shumë e veçantë. E gjithë familja ime do të jetë aty. Është një ndjesi krejtësisht ndryshe të luash në vendin tënd. Diçka e rrallë në karrierën e një lojtareje, dhe në rastin tim ndoshta është e mundur. Do të ishte ndër momentet më të mëdha të karrierës sime.”

Për vajzat që ëndërrojnë të ndjekin hapat e saj, Riola ka një mesazh të qartë: “Mos u dorëzoni kurrë. Sot është e mundur për vajzat të jenë profesioniste, të jetojnë nga futbolli dhe të jenë të suksesshme“, thotë ajo.

Përvoja e lojës për FC Basel, ekipin e meshkujve!

E rritur në Solothurn, ajo përfaqësoi ngjyrat e qytetit të saj për katër vjet, derisa u ftua nga FC Basel  jo për ekipin e femrave, por për atë të meshkujve. Në një mjedis ku paragjykimet ishin të mëdha, ajo e fitoi vendin me talent dhe lidership, duke marrë shiritin e kapitenes pas vetëm tri ndeshjesh. Viti 2022 shënoi një pikë kthese të madhe për të: çmime ndërkombëtare, përfshirë edhe Trofeun e Talentit nga “Mundo Deportivo”, ishin dëshmi e një ylli në ngritje.

 

 

 

 

Franca ndalon pirjen e duhanit në plazhe, parqe dhe afër shkollave për të mbrojtur fëmijët

Qeveria franceze njofton se nga korriku do të ndalohet pirja e duhanit në vende publike si plazhet, parqet dhe zonat pranë shkollave. Kjo masë synon të mbrojë fëmijët nga dëmet e duhanit dhe të përforcojë një mjedis më të pastër për ta.

Ndalimi nuk do të përfshijë tarracat e jashtme të kafeneve dhe nuk do të aplikohet për cigaret elektronike.

“Ku ka fëmijë, duhani duhet të zhduket,” deklaroi Catherine Vautrin, Ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes, gjatë një interviste për gazetën Ouest France.

Nga 1 korriku, pirja e duhanit do të ndalohet në plazhe, parqe, kopshtet publike, zonat e shkollave, stacionet e autobusëve dhe objektet sportive në të gjithë Francën. Kjo për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe komunitetit në përgjithësi.

Sipas Ministres Vautrin, pirja e duhanit shkakton rreth 200 vdekje në ditë në Francë, edhe pse numri i duhanpirësve është në nivelin më të ulët historik.

Vitin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar miratoi një ndalim të ngjashëm, ndërsa disa rajone në Spanjë dhe Suedi kanë marrë masa të ngjashme për të kufizuar pirjen e duhanit në hapësira publike.

A është i lënduar Zhegrova? Franco Foda jep detaje për yllin e Kosovës

Kosova po përgatitet për dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, ku kundërshtarë do të jenë kombëtaret e Armenisë dhe Komorosit. Të dyja sfidat do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Selektori i ekipit, gjermani Franco Foda, dha informacione rreth gjendjes së futbollistit të Lille, Edon Zhegrova, i cili aktualisht është jashtë aktiv për shkak të një dëmtimi.

“Kam qenë në kontakt me Zhegrovën. Ai ka kaluar një operacion dhe momentalisht ndodhet në periudhën e rikuperimit. Për sezonin e ri të kualifikimeve, pritet të jetë i gatshëm për të luajtur,” tha Foda, përcjell albinfo.ch.

Ndeshja e parë ndaj Armenisë është planifikuar për më 6 qershor, ndërsa ajo me Komorosit do të zhvillohet më 9 qershor.

Baseli fiton Kupën e Zvicrës, shënon Shaqiri

Baseli fiton edhe Kupën e Zvicrës. Në finalen e zhvilluar ndaj Bielit ka fituar bindshëm 1:4, për të fituar trofeun e dytë në këtë edicion, raporton albinfo.ch.

Kur rezultati ishte 1:1, Xherdan Shaqiri shënoi nga penalltia për 1:2, ndërsa më pas kampionët e Zvicrës shënuan edhe dy gola për të triumfuar në fund dhe për të realizuar suksesin e dyfishtë të futbollit zviceran.

Xherdan Shaqiri, Albian Ajeti dhe Leon Avdullahu luajtën për 90 minuta për Baselin.

Greqia ashpërson qëndrimin ndaj emigracionit të paligjshëm

Në një vendim që pritet të ndikojë mijëra emigrantë të parregullt që jetojnë në Greqi, qeveria greke ka lajmëruar një seri masash të reja më të forta për të frenuar emigracionin ilegal. Ministri i Migracionit, Makis Voridis, njoftoi eliminimin e një praktike të gjatë, që u lejonte emigrantëve të padokumentuar të aplikonin për leje qëndrimi pas shtatë vitesh qëndrimi në vend.

“Askush që ndodhet në mënyrë të paligjshme në territorin grek nuk do të ketë më mundësinë të legalizohet,” deklaroi Voridis, duke theksuar se abuzimet me këtë dispozitë kishin arritur përmasa të papranueshme. Sipas të dhënave zyrtare, çdo vit në vend hyjnë rreth 55 deri në 65 mijë persona në mënyrë të jashtëligjshme,  dhe vetëm gjysmës prej tyre u miratohet kërkesa për azil.

Projektligji i ri, që tashmë ka kaluar fazën e miratimit nga kabineti dhe pritet të shqyrtohet në Parlament në muajin qershor, parashikon dënime me burg deri në pesë vjet për emigrantët që kapen duke hyrë apo qëndruar ilegalisht. Një tjetër masë e fortë është zgjatja e periudhës së paraburgimit para deportimit nga 18 muaj në dy vjet.

Statistikat e vitit 2024 flasin për 74 mijë arrestime të migrantëve pa dokumente në Greqi, por vetëm 2,500 janë dëbuar me sukses. Ministri shpjegoi se shumë prej tyre përdorin identitete të rreme për të zvarritur procesin e kthimit.

E megjithatë, qeveria nuk e mohon nevojën për emigracion të rregullt. Për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore dhe për të plotësuar kërkesat e tregut, rreth 200 mijë punëtorë të huaj janë të nevojshëm sipas Bankës së Greqisë. Për këtë arsye, autoritetet do të prezantojnë rregullore të reja për të inkurajuar emigracionin e ligjshëm deri në korrik.

Mega-hack trondit 184 milionë përdorues: Ndryshoni menjëherë fjalëkalimet tuaja në këto rrjete sociale

Nëse keni llogari në Apple, Facebook apo Google, duhet të ndryshoni menjëherë fjalëkalimin tuaj. Një mega-hack ka prekur 184 milionë përdorues në mbarë botën, përfshirë edhe qeveri dhe shërbime shtetërore.

Çfarë ndodhi?

Një sulm kibernetik ka zbuluar një bazë të dhënash me më shumë se 184 milionë llogari të përdoruesve nga Apple, PayPal, Google, Facebook dhe platforma të tjera të njohura. Kjo bazë përmban emra përdoruesish dhe fjalëkalime, si dhe të dhëna hyrjeje në shërbime qeveritare nga të paktën 29 vende.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Jeremiah Fowler, zbuloi këtë bazë të dhënash në fillim të Majit. Ai tha se koleksioni i të dhënave është 47 gigabit i madh dhe përshkruan këtë zbulim si “më i çuditshmi në karrierën e tij” dhe “lista ideale për kriminelët kibernetikë.”, transmeton albinfo.ch.

Shërbimet e prekura

Në mesin e shërbimeve të prekura janë Apple, Amazon, Discord, Facebook, Google, Instagram, Microsoft, PayPal, Snapchat,  X, WordPress dhe Yahoo. Po ashtu janë përfshirë llogari nga portale qeveritare, banka dhe kompani financiare nga shumë vende.

Çfarë duhet të bëjnë përdoruesit?

Ekspertët e sigurisë rekomandojnë me forcë që të gjithë përdoruesit e këtyre platformave të ndryshojnë menjëherë fjalëkalimet dhe të monitorojnë llogaritë e tyre për ndonjë aktivitet të dyshimtë. Kjo përfshin kontrollimin e emaileve, aplikacioneve bankare dhe profileve në rrjetet sociale për ndonjë ndryshim të papritur.

Zvicër: Temperaturat arritën 30 gradë për herë të parë në 2025

Në Zvicër dje temperaturat kaluan 30 gradë për herë të parë këtë vit. Në Basel – Binningen, temperaturat arritën në 30.2 gradë për të qenë të saktë.

Sipas Meteonews, temperatura është arritur në orën 15:00, transmeton albinfo.ch.

Në disa stacione monitorimi si Beznau (AG), Visp (VS), Leibstadt (AG), Chur (GR) ose Gösgen (AG) temperaturat arritën pothuajse 30 gradë. Në shumë zona të Zvicrës gjermanishtfolëse merkuri u ngrit mbi 28 gradë.

Pse Vatikani ende nuk e njeh Kosovën?

Pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe emërimit të një delegati apostolik për vendin, Vatikani vazhdon të mos e njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës.

Sipas Radios Evropa e Lirë, arsyet kryesore lidhen me ndjeshmëritë ndërfetarë. Selia e Shenjtë përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira me Kishën Ortodokse, sidomos me atë Serbe dhe Ruse, të cilat e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Një njohje zyrtare do të rrezikonte këto raporte, duke vështirësuar përpjekjet e Vatikanit për dialog ndërkishtar (ekumenik), përcjell albinfo.ch.

Një tjetër arsye është statusi ndërkombëtar i Kosovës. Vatikani e ndërlidh njohjen me progresin në dialogun Kosovë-Serbi dhe me përfshirjen e Kosovës në organizata globale si OKB-ja.

Sipas analistëve dhe ish-diplomatëve të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, Selia e Shenjtë “e njeh realitetin”, por zgjedh të mos e formalizojë atë për arsye strategjike dhe fetare.

Katër ditë pas rrëshqitjes në Blatten mali vazhdon të lëvizë, gjendja mbetet e pasigurt

Katër ditë pas shkëputjes së akullnajës Birch, mali në zonën e Blatten (Valais) vazhdon të jetë në lëvizje. Rrëshqitjet në Klein Nesthorn nuk janë ndalur dhe sipas autoriteteve gjithçka që rrëshqet ndalet në vendin ku më parë ndodhej akullnaja.

Situata aktuale në terren

Liqeni pas konit të rrënojave ka pësuar një rënie të lehtë të nivelit gjatë ditës së diel. Lumenjtë, si Lonza, vazhdojnë të jenë me nivele të larta; megjithatë uji është më pak i ndotur se ditët e kaluara. Gjeologët ende nuk kanë ngritur një alarm të ri.

“Kur rreziku kalon nga niveli 10 në 9, nuk mund të ndihemi të lehtësuar; lehtësimi vjen kur arrihet niveli 2 ose 3,” tha gjeologu kantonal i Valais, Raphaël Mayoraz.

Interesim i jashtëzakonshëm për biletat e ndeshjes Shqipëri-Serbi, FSHF garanton proces të ndershëm

Federata Shqiptare e Futbollit është e përkushtuar që të sigurojë një proces të ndershëm, të hapur dhe të barabartë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e atmosferës elektrizuese në “Arenën Kombëtare”, më 7 qershor, për përballjen shumë të pritur mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Procesi i aplikimit për bileta u hap më 15 maj dhe qëndroi aktiv deri më 30 maj, në orën 20:00. Çdokush, brenda apo jashtë Shqipërisë, pati mundësinë të aplikojë për deri në katër bileta. Ky hap është bërë për të siguruar akses të barabartë për të gjithë tifozët shqiptarë, kudo që ndodhen, përcjell albinfo.ch.

Nga data 31 maj deri më 2 qershor, zhvillohet shorti elektronik  një metodë e drejtë dhe transparente që përzgjedh në mënyrë të rastësishme aplikuesit fitues. Ata që do të përzgjidhen do të marrin një email zyrtar me një link personal për të vazhduar blerjen e biletave.

Me më shumë se 200 mijë aplikime të regjistruara, interesi për këtë ndeshje ka tejkaluar çdo parashikim. Për këtë arsye, janë vendosur masa të forta sigurie dhe verifikimi për të eliminuar aplikime të dyfishta, llogari të rreme apo tentative për spekulim.

Çdo biletë do të mbajë emrin dhe mbiemrin e blerësit. Në hyrje të stadiumit, Policia e Shtetit do të verifikojë identitetin e çdo personi përmes dokumentit të identifikimit, në mënyrë që biletat të mos keqpërdoren apo të kalojnë në duar të tjera.

Kjo mënyrë organizimi sipas FSHF ka si qëllim të ndalojë praktikat abuzuese  si blerjen masive nga platformat ndërkombëtare apo shitjen e paligjshme nga tregtarët informalë. FSHF është e vendosur të mbrojë tifozët dhe të garantojë që çdo biletë të përfundojë në duart e atyre që me të vërtetë duan të jenë në stadium.

Ky është i njëjti model që përdoret nga UEFA për ndeshjet më të mëdha në Europë  nga finalet e Champions League, te Europa dhe Conference League apo Europianët. Edhe atje, përballë kërkesës së madhe, përdoret shorti elektronik si mënyra më e drejtë për përzgjedhjen e tifozëve.

Shoferi 26-vjeçar kapet me shpejtësi 263 km/h në Deisswil

Siç njoftoi policia kantonale e Bernës të shtunën, shoferi po udhëtonte në A6 nga Lätti në drejtim të Schönbühl, në orën 3:20 të mëngjesit, në Deisswil. Policia kantonale kreu një kontroll shpejtësie. Pas matjes, drejtuesi i mjetit u ndalua nga policët dhe u dërgua për hetime të mëtejshme, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën ditë, një patrullë e policisë kantonale të Graubünden ndaloi një shofer me shpejtësi në tunelin e San Bernardino. Shoferi 53-vjeçar italian u kap me shpejtësi 158 km/h. Kufiri i shpejtësisë në tunelin e San Bernardino është 80 km/h. Menjëherë i’u hoq patenta e huaj. Ai gjithashtu u urdhërua të paguante një depozitë prej 5 500 CHF. Do të raportohet në prokurorinë publike të Graubünden.

Pendarovski: Shqiptarët mbajnë entuziazmin për anëtarësimin e Maqedonisë në BE

Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka paralajmëruar se vendi mund të përfundojë në një situatë të ngjashme me bllokimin e gjatë që përjetoi pas vetos në Samitin e NATO-s në Bukuresht, duke përballur një tjetër dekadë të humbur në pritje të integrimit evropian.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Pendarovski tha se mosveprimi aktual dhe refuzimi për të përmbushur kushtet që kërkon Bashkimi Evropian do të çojë drejt një gjendjeje stagnimi të ngjashme me bllokimin që zgjati një dekadë për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë. “Do të zgjohet shoqëria dhe do të thotë: prisni, a do të presim edhe 10-15 vjet derisa të firmosni atë që kërkon Europa?” tha ai, përcjell albinfo.ch.

Por ai vuri në dukje se tashmë nuk ka më entuziazëm shoqëror për integrimin evropian.

“Sipas sondazhit të fundit të Eurobarometrit, besimi në BE ka rënë në 54%. Dhe kjo shifër është mbajtur lart vetëm falë shqiptarëve. Nëse pyet vetëm maqedonasit etnikë, mbështetja është vetëm rreth 30%, një nivel që e gjejmë vetëm në Serbi,” theksoi Pendarovski.

Sipas tij, pas dekadash zhgënjimi dhe vështirësish ekonomike, qytetarët janë të “anestezuar” përballë retorikës boshe të klasës politike. “Nuk po them se kjo do të sjellë ndonjë krizë sigurie, por do të jetë një sinjal se si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët do të fillojnë të largohen përgjithmonë nga Maqedonia në numra edhe më të mëdhenj,” paralajmëroi ai.

Katastrofa në Blatten ndez debat të ri politik në Zvicër

Pas rrëshqitjes së tokës që tronditi Blattenin në kantonin Valais, Zvicra ndodhet përballë jo vetëm një tragjedie natyrore, por edhe një vale të re diskutimesh politike për mënyrën se si shteti duhet të përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari Kombëtar i Valais, Christophe Clivaz (Partia e Gjelbër), paralajmëron një mocion që do të paraqitet në sesionin veror të Parlamentit që nis nesër. Ai kërkon që Barazimi Fiskal Kombëtar (NFA),  skema që ndan burimet financiare ndërmjet kantoneve  të marrë parasysh rreziqet nga fatkeqësitë natyrore. Kjo do të thotë që rajonet më të ekspozuara ndaj rrëzimeve të shkëmbinjve, zjarreve në pyje apo thatësirave, të përfitojnë më shumë fonde.

“Banorët e maleve janë të parët që përballen me pasojat e ndryshimeve klimatike”, thekson Clivaz për Blick, duke argumentuar se sistemi aktual nuk reflekton më realitetin e rrezikut.

Megjithëse nuk ka ende një konfirmim shkencor për rolin e drejtpërdrejtë të ngrohjes globale në rrëshqitjen në Blatten, Clivaz shprehet: “Ka shumë të ngjarë që klima të ketë luajtur rol, edhe nëse nuk është faktori i vetëm.” Ai shpreson se momenti pas katastrofës mund të krijojë një hapësirë të favorshme për të ndërtuar një shumicë parlamentare në mbështetje të reformës, transmeton albinfo.ch.

Kundër këtij propozimi del organizata liberale Avenir Suisse, e cila, që pas stuhive shkatërrimtare të një viti më parë në Valais dhe Ticino, ka propozuar që Zvicra duhet të mendojë për braktisjen e vendbanimeve shumë të ekspozuara. Sipas saj, ruajtja e infrastrukturës në zona të rrezikuara mund të bëhet ekonomikisht e paarsyeshme nëse ndikimet klimatike intensifikohen.

Ndërkohë, Partia Popullore Zvicerane (SVP) propozon një zgjidhje më të menjëhershme dhe populiste: ngrirjen e gjysmës së fondeve të ndihmës për zhvillim ndërkombëtar për të financuar rindërtimin e Blatten. Presidenti i SVP-së, Marcel Dettling, argumenton se buxheti për ndihmë ndërkombëtare është rritur trefish në tri dekadat e fundit dhe tani ka ardhur koha që ndihma të orientohet kah popullsia vendase në nevojë.

Ky propozim pritet të ndezë debate të forta për prioritetet e politikës së jashtme zvicerane në kohë krizash të brendshme. Edhe nëse nuk arrin të marrë shumicën, SVP ka arritur të vendosë në rend të ditës një temë të ndjeshme për opinionin publik, transmeton albinfo.ch.

Një zë i urtë, një grua e fortë: Shyhrete Rexhaj, në mbrojtje të shëndetit mendor të komunitetit shqiptar në Zvicër

Në një botë ku shëndeti mendor shpesh qëndron nën hijen e paragjykimeve, Shyhrete Rexhaj ecën me hapa të vendosur për ta sjellë atë në dritë. Grua shqiptare, me rrënjë të thella kulturore dhe një zemër të madhe, ajo ka ndërtuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm në Zvicër si profesioniste, si pedagoge, si kërkuese, por mbi të gjitha si njeri që dëgjon dhe ndien

Ishte viti 2003, kur gjatë një praktike klinike në psikiatri, ajo ndjeu për herë të parë thirrjen e kësaj fushe delikate. Ballafaqimi me të rinj që përballeshin me varësi ndaj alkoolit e preku thellë. “Ata më mësuan të vlerësoj momentet e vogla, hapat e vegjël drejt shërimit”, thotë ajo me një butësi që bart peshë të jetuar

Prej asaj dite, ajo nuk e ka ndalur më rrugën e saj. Ka qenë afër të rinjve, grave, familjeve të përballura me dhimbje të heshtura, trauma që s’kanë gjetur fjalë, dhunë që është fshehur pas dyerve të mbyllura, depresione që janë mbuluar me heshtje e turp. Ajo i ka dëgjuar të gjitha. Dhe nuk i ka gjykuar kurrë. Përkundrazi, ka ndërtuar ura, ka ofruar besim, ka sjellë dritë.

Shyhrete Rexhaj është aktualisht profesoreshë HES ordinaire dhe drejton Laboratorin e Kërkimit dhe Mësimdhënies në Shëndet Mendor e Psikiatri, pranë Institutit Haute École de la Santé La Source – HES-SO. Ajo është një zë i çmuar jo vetëm për shkencën, por për gjithë komunitetin shqiptar. Ajo ka zhvilluar edhe programe konkrete si “Së Bashku”, për të ndihmuar të afërmit e personave me sëmundje mendore  sepse, siç thotë ajo, “vuajtja nuk është vetëm e atij që sëmuret, por edhe e atyre që qëndrojnë pranë”.

Shyhretja flet hapur për barrierat që hasin shqiptarët në Zvicër për të kërkuar ndihmë psikologjike: gjuha, paragjykimet, mungesa e informacionit, turp  dhe nganjëherë, statusi i pasigurt që i lë në një boshllëk të dhimbshëm. Por ajo ka besim. E sheh ndryshimin. Brezat e rinj janë më të hapur, më të vetëdijshëm, më të guximshëm për të folur, për të kërkuar ndihmë.

Për të, çdo takim me një të ri që vendos të mos e fshehë dhimbjen, është një fitore. Çdo grua që kërkon ndihmë është një dritë shprese. Çdo familje që mëson të dëgjojë, është një hap drejt shërimit kolektiv.

Mesazhi i saj për të rinjtë shqiptarë në Zvicër është i thjeshtë, por i fuqishëm: :Të jenë krenarë për rrënjët që kanë, t’i marrin me vete për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Shëndeti mendor nuk është turp. Është pjesë e jetës. Dhe për të jetuar plotësisht, duhet ta pranojmë dhe të përkujdesemi për të  për veten tonë dhe për njëri-tjetrin”.

Austri – Gjermani: Zemërim për bllokimet e trafikut të shkaktuara nga kontrollet kufitare

Për më shumë se tre javë, kontrollet e shtuara kufitare në kufirin e jashtëm të Gjermanisë në Salzburg po shkaktojnë bllokime trafiku që shtrihen për kilometra të tëra. Kontrollet, të cilat janë rikthyer jo vetëm në Walserberg, por edhe në pikat kufitare të Lofer dhe Freilassing, po krijojnë vonesa të mëdha dhe vështirësi për udhëtarët dhe bizneset lokale, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Pronari i një restoranti lokal, Tobias Brandstätter, tregon se vonesat janë bërë një problem serioz: “Klientët e mi po vonohen deri në një orë e gjysmë. Kjo është një ngarkesë e madhe për ne.”

Ankesa të ngjashme vijnë edhe nga tregtarët vendas. Josef Rehrl shprehet i pakënaqur me situatën: “Duket sikur po kaloj nëpër një plantacion të kontrolluar. Brenda dhjetë kilometrave ka pesë pika kalimi kufitar që nuk kontrollohen, por ne duhet të përballemi me bllokime të gjata.”

Bizneset lokale kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të arsyeshme, në mënyrë që të mund të funksionojnë pa pengesa dhe të shmangin humbjet ekonomike që po sjellin këto masa kontrolli, transmeton albinfo.ch.

Avokatët praktikantë në Zvicrë ankohen për pagat dhe kushtet e vështira të punës

Në Zvicrën frëngjishtfolëse, avokatët praktikantë përballen me paga minimale dhe kushte të vështira gjatë periudhës së trajnimit dyvjeçar. Rreth 15 praktikantë nga kantonet frëngjishtfolëse kanë denoncuar për RTS-në se paguhen me rreth 1,500 deri 2,100 franga neto në muaj  shuma që nuk mjafton për jetesë, transmeton albinfo.ch.

Përveç pagave të ulëta, praktikantët ankohen për orët shtesë të papaguara dhe mungesën e mbikëqyrjes adekuate nga avokatët përgjegjës. Disa tregojnë se janë përballur edhe me trajtim jo profesional, përfshirë sharje dhe nënçmime në ambientin e punës.

Julie, një nga praktikantet, thotë: “Paguar vetëm 2,100 franga në muaj, nuk arrij të përballoj shpenzimet e mia, edhe pse kontribuoj shumë në firmën ku punoj.” Antoine, shton se shpesh praktikantët fajësohen për gabimet, ndonëse nuk marrin asnjë mbështetje, transmeton albinfo.ch.

Kushte të ngjashme përshkruan edhe Pierre, i cili thekson mungesën e trajtimit profesional nga mbikëqyrësit, dhe Caroline, që përjetoi ngacmime dhe komente për pamjen e saj nga kolegët.

Megjithëse disa shoqata profesionale kanë rekomandime për paga minimale, ato janë të ulëta dhe shpesh nuk përballojnë kostot e provimeve dhe të jetesës. Për më tepër, praktikantët shpesh frikësohen të flasin hapur për këto probleme për shkak të ndikimit që mund të ketë në karrierën e tyre, transmeton albinfo.ch.

Avdullahu: “Më pëlqen të bëj punët e pista”

Leon Avdullahut iu deshën më pak se 10 sekonda për t’iu përgjigjur 20 prej 24 pyetjeve në intervistën e tij për SRF. Kjo tregon se i riu është i përgatitur. Dhe ai luan si në fushë: më tepër në mbrojtje, transmeton albinfo.ch.

“Këtë qetësi e kam pasur gjithmonë, edhe në ekipet e të rinjve”, thotë Avdullahu. Ai aktualisht është duke impresionuar në FC Basel si lojtar i rregullt në mesfushë në numrin gjashtë. “Më pëlqen. Më pëlqen të bëj punët e pista.”

Në moshën vetëm 21-vjeçare, Avdullahu është një lojtar kyç në mesfushën e kampionëve të Zvicrës. Kjo zgjon dëshirën dhe ngjall automatikisht interes  edhe nga jashtë, thonë thashethemet. Avdullahu: “Nuk jam i shqetësuar për këtë. Unë jam në FCB dhe ndihem rehat në FCB.”

Ai aktualisht dëshiron të fokusohet vetëm në finalen e kupës të së dielës. Basel do të përballet me Bielin e ligës së ulët dhe ka potencialin për të kompletuar dyfishin.

Leoni ka prindër nga Kosova, derisa deri më tani ka luajtur për grupmoshat e Zvicrës deri në U21.

Zvicra propozon lehtësime në eksportin e armëve në sfondin e riarmatosjes globale

Bota po riarmatoset që nga lufta në Ukrainë, dhe kjo ka sjellë një valë kërkesa për industrinë zvicerane të armëve, veçanërisht në Evropë. Megjithatë, drejtori i shoqatës Swissmem paralajmëron se disa kompani armësh janë në krizë për shkak të rregulloreve aktuale shumë të rrepta për eksportin, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Qeveria federale e Zvicrës po propozon një “fleksibilizim” të Aktit të Materialeve të Luftës, i cili aktualisht ndalon eksportin e armëve dhe municioneve në vendet e përfshira në konflikte apo që shkelin të drejtat e njeriut. Sipas draftit të ri, eksportet do të lejohen në mënyrë më të gjerë drejt vendeve me status të veçantë si vendet e BE-së, SHBA-ja dhe Zelanda e Re, përveç rasteve të jashtëzakonshme që kërcënojnë interesat e politikës së jashtme ose sigurisë së Zvicrës.

Stefan Brupbacher, drejtori i Swissmem, thekson se ndryshimet janë urgjente për të shmangur zhvendosjen e kompanive jashtë vendit dhe për të ruajtur teknologjinë zvicerane të mbrojtjes. Ai argumenton se aktualisht Zvicra nuk konsiderohet një partner i besueshëm për furnizime ushtarake në rast konflikti dhe duhet të përshtasë shpejt kushtet e eksportit.

Nga ana tjetër, kritika vijnë nga e majta politike. Anëtarja e Këshillit të Shteteve nga SP, Franziska Roth, e konsideron propozimin të papranueshëm, duke e cilësuar atë si një kthim pas të ndryshimeve legjislative që kishin ndalur eksportet e armëve në vende me shkelje të të drejtave të njeriut. Ajo kërkon që rieksporti i armëve të lejohet për vendet që preken nga lufta agresive dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë Ukrainën, si dhe në rast të sulmeve ndaj vendeve anëtare të aleancave si NATO, transmeton albinfo.ch.

Hopp Schwiiz me Riola Xhemailin në EURO 2025

Nuk është aspak e lehtë të jesh futbolliste në Zvicër, veçanërisht kur ke prejardhje të huaj. Me gjithë barrierat dhe stereotipat se futbolli është vetëm për meshkuj, gjithnjë e më shumë futbolliste shqiptare po u drejtohen fushave të gjelbra për të realizuar ëndrrën e tyre, të bëhen profesioniste në futbollin zviceran.

Ëndrra e tyre po kthehet në realitet, jo vetëm duke fituar trofe në ligat e Zvicrës, por edhe duke synuar pjesëmarrjen në një kampionat madhështor që do të zhvillohet pikërisht “në shtëpinë” e tyre. Zvicra do të jetë nikoqire e EURO 2025 për femra, një nga ngjarjet më të mëdha sportive në Evropë, pas vendimit të UEFA-s për ta organizuar këtë turne në tetë qytete zvicerane.

Ky do të jetë një moment historik, ngjarja më e madhe sportive për gratë që është zhvilluar ndonjëherë në Zvicër. Në këtë rrugëtim janë edhe futbollistet shqiptaro-zvicerane, të cilat po e realizojnë këtë ëndërr bashkë me tifozët e tyre, që do t’i ndjekin nga afër në stadiumet e Gjenevës, Cyrihut, Bernës, Bazelit, Thunit, Lucernit, Sionit dhe St. Gallenit, duke krijuar atmosferë elektrizuese në mbarë vendin.

Rreth 720 mijë bileta janë në dispozicion për këtë kampionat, i cili do të transmetohet në të gjithë Evropën. Zvicra synon suksesin në shtëpi, ndërsa Anglia vjen si kampione në fuqi.

Në këtë Evropian mund të shohim dy futbolliste shqiptare të shquara: njëra përfaqëson Zvicrën, tjetra Suedinë. Njëra është një talent i ri premtues, tjetra është një emër me përvojë ndërkombëtare.

Riola Xhemaili, 22-vjeçarja shqiptaro-zvicerane, do të jetë pjesë e listës së përfaqësueses së Zvicrës për EURO 2025. E rritur në një familje sportistësh, Riola është një talente me të ardhme të ndritur  dhe një ftesë në këtë turne do të ishte realizimi i një ëndrre të madhe për të.

Ndërkohë, Kosovare Asllani, një nga lojtaret kryesore të Suedisë, vjen me përvojë të jashtëzakonshme në Lojëra Olimpike dhe Kampionate Botërore. Euro 2025 në Zvicër do të ishte një tjetër kapitull i paharrueshëm për të. Me një shqiponjë  tatuazh në trup, ajo kurrë nuk e ka harruar prejardhjen e saj shqiptare.

Nga 2 deri më 27 korrik 2025, Zvicra do të jetë në qendër të vëmendjes me spektakël futbolli, pasion dhe histori personale frymëzuese. Dhe është pikërisht vendi i duhur për të shkëlqyer!

Në prag të këtij kampionati historik, paltforma albinfo.ch ka realizuar intervista me futbolliste shqiptaro-zvicerane që luajnë në klube dhe liga të ndryshme në Zvicër  për të sjellë më afër zërin, përjetimet dhe ëndrrat e tyre.

 

 

Dy të vdekur në Francë gjatë festimeve për fitoren e PSG

Një natë festimesh për triumfin evropian të Paris Saint-Germain është kthyer në një tragjedi në disa qytete të Francës. Një djalë 17-vjeçar u qëllua për vdekje me thikë në Dax, në rajonin e Landes, gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, më 31 maj dhe 1 qershor. Ngjarja ndodhi gjatë atmosferës festive për fitoren e PSG-së, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse viktima apo autori ishin të përfshirë në festime si tifozë, shkruan Le Monde, transmeton albinfo.ch.

Sipas prokurorisë, autori i dyshuar është në arrati dhe ndaj tij është hapur një hetim për vrasje, i cili po ndiqet nga policia gjyqësore e Bayonne. Viktima ndërroi jetë në spitalin e Dax nga plagët e marra. Nuk raportohet për viktima të tjera në këtë ngjarje. Një njoftim për shtyp nga autoritetet pritet të publikohet gjatë së dielës.

Ndërkohë, edhe në qytete të tjera të Francës u shënuan incidente serioze gjatë mbrëmjes së festimeve. Në Paris, në lagjen e 15-të, një e re 20-vjeçare humbi jetën pasi u godit nga një makinë ndërsa udhëtonte me skuter.

Në Grenoble, një tjetër incident tronditi opinionin publik: një makinë doli nga kontrolli dhe goditi një turmë njerëzish që po festonin. Sipas prokurorisë, “tre ose katër persona”, të gjithë nga e njëjta familje, u plagosën, dy prej tyre rëndë. Shoferi i automjetit u dorëzua vetë në polici dhe rezultoi negativ për drogë dhe alkool. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim, transmeton albinfo.ch.

Në shkallë kombëtare, sipas Ministrisë së Brendshme, u arrestuan 559 persona,  491 prej tyre vetëm në Paris  ndërsa 320 raste përfunduan në ndalim nga policia. 22 efektivë të forcave të sigurisë u plagosën, përfshirë 18 në Paris. Po ashtu, shtatë zjarrfikës dhe 192 qytetarë mbetën të plagosur gjatë incidenteve.

Ministria raportoi gjithashtu për 692 zjarre të shkaktuara gjatë mbrëmjes, përfshirë 264 automjete të djegura. Situata ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e rendit gjatë festimeve sportive në Francë.

Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe për shmangien e dhunës në ngjarje të tilla që synojnë të bashkojnë, jo të ndajnë shoqërinë. Hetimet mbi incidentet e ndryshme vijojnë, transmeton albinfo.ch.