Në 2024-ën, popullsia e Kosovës u zvogëlua për afro 18 mijë banorë

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka publikuar disa të dhëna zyrtare, në bazë të të cilave, popullsia rezidente e Kosovës ka shënuar një rënie të konsiderueshme gjatë vitit 2024 me një zvogëlim prej 17,525 banorësh.

Sipas të dhënave, ndonëse vendi ka pasur një rritje natyrore të popullsisë prej 10,888 banorësh, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) ishte negativ, në vlerën -28,413 banorë, transmeton albinfo.ch.

Raportohet se kjo rënie u ndikua nga emigrimi i 37,451 personave nga Kosova dhe imigrimi i vetëm 9,038 banorëve gjatë të njëjtës periudhë.

Në fund të vitit 2024, popullsia e vlerësuar e Kosovës ishte 1,585,590 banorë rezidentë.

Brienz mbyllet përsëri

Fshati Brienz në Graubünden është mbyllur përsëri për banorët e tij.

Një rrëzim masiv shkëmbinjsh në qershor të dy viteve më parë do të thotë se fshati nuk është banuar që atëherë, por kohët e fundit pronarëve të shtëpive dhe fermerëve u është lejuar të kthehen gjatë ditës për të kontrolluar shtëpitë e tyre dhe për të kultivuar tokën e tyre.

Por dje ata u urdhëruan të largoheshin përsëri, pasi rreth gjysmë milioni metra kub shkëmb në shpatin e malit duket se janë në lëvizje, përcjell albinfo.ch.

Gjeologët tani po përpiqen të përcaktojnë shkallën e rrezikut.

Zviceranët duan ushtri të fortë dhe lidhje më të ngushta me NATO-n

Popullsia zvicerane është në favor të shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe lidhjeve më të ngushta me NATO-n. Këto janë gjetjet e studimit “Security 2025” i publikuar nga Akademia Ushtarake Zvicerane (ACAMIL) dhe Qendra për Studime të Sigurisë (CSS) në institutin federal të teknologjisë ETH Cyrih.

Këtë vit, 81% (krahasuar me 80% në 2024) nga 2091 personat e anketuar janë po aq pesimistë për situatën politike globale sa ishin në vitin 2024, tha ministria e mbrojtjes në një deklaratë për shtyp, transmeton albinfo.ch.

Pjesëmarrësit në studim janë gjithashtu më pak optimistë se vitin e kaluar për të ardhmen e Zvicrës (69% në 2025 krahasuar me 79% në 2024).

Ndër të pyeturit, 80% e konsiderojnë ushtrinë si të nevojshme apo edhe të domosdoshme, ndërsa 90% janë në favor të një ushtrie “shumë të trajnuar” dhe 74% e një ushtrie “të pajisur plotësisht”.

Një shumicë e vogël e popullsisë (53%) është në favor të lidhjeve më të ngushta me NATO-n dhe 32% e të anketuarve janë në favor të anëtarësimit të Zvicrës në këtë organizatë.

Migrimi i parregullt në Zvicër përgjysmohet nga viti në vit

Migrimi i parregullt në Zvicër është ulur ndjeshëm. Shifrat nga janari deri në maj tregojnë se janë regjistruar vetëm gjysma e qëndrimeve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në vitin 2024, nga janari deri në fund të majit janë regjistruar 10,776 qëndrime të paligjshme në Zvicër. Në vitin aktual janë 5,396, sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (FOCBS). Të martën, zyra publikoi shifrat më të fundit për muajin maj 2025.

Këto ishin më të larta se në muajin e kaluar, por më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas FOCBS. Gjithsej 1,467 qëndrime të paligjshme janë regjistruar në maj 2025. Në vitin 2024, shifra ishte 1,814. Rënia më e madhe e arrestimeve ishte në janar 2025 me 1,165, që ishte 2,222 persona më pak se një vit më parë, transmeton albinfo.ch.

Shumica e arrestimeve u bënë në Ticino, ku ishin më të larta se në prill, shkruan swissinfo. Sipas raportit, shtetasit turq ishin më të përfaqësuar në mesin e emigrantëve që hynë ilegalisht në Zvicër në maj.

Në fushën e aktiviteteve të dyshuara të kontrabandës, shifrat e majit prej 23 rastesh ishin më të larta se në prill me dhjetë raste dhe afërsisht në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. I njëjti model mund të shihet edhe në dorëzimet tek autoritetet e huaja. Në maj 2025, 251 persona iu dorëzuan autoriteteve të huaja. Shifra ishte 187 në prill 2025 dhe më e lartë në maj 2024 me 407 persona.

Raportohet për më shumë se 450 të vrarë në Iran që nga e premtja

Organizata jofitimprurëse “Aktivistët për të Drejtat e Njeriut në Iran” (HRANA) ka qenë duke ndjekur nga afër numrin e viktimave që nga fillimi i bombardimeve izraelite në Republikën Islamike të Iranit, raporton BBC. Sipas HRANA-s, 224 civilë janë vrarë dhe 188 janë plagosur.

Gjithashtu, janë vrarë 109 pjesëtarë të ushtrisë dhe 123 janë plagosur. Përveç kësaj, 119 persona të tjerë janë vrarë dhe 335 janë plagosur, por ende nuk janë identifikuar. Kjo e çon numrin total të viktimave, sipas HRANA-s, në 452 të vrarë dhe 646 të plagosur.

Mediet shtetërore iraniane kanë qenë të heshtura në lidhje me numrin e të vdekurve deri tani, duke dhënë shumë pak të dhëna zyrtare nga qeveria.

Kufizimet në vend e bëjnë të vështirë që gazetarët të punojnë në mënyrë të rregullt atje, gjë që e bën të vështirë verifikimin e saktë të numrit real të viktimave të konfliktit deri tani.

KQZ: Organizojmë zgjedhje vetëm pasi të jenë shpallur nga presidentja

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i tha RTV21 se Komisioni aktualisht po bën përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tetor, por nuk e përjashtoi mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, por, “pasi të jetë shpallur nga presidentja e vendit”c pëecjell albingo.ch.

“Zhvillimet politike KQZ nuk i komenton dhe sa i takon KQZ-së ne organizojmë një proces zgjedhor pasi ai të jetë shpallur nga institucioni përkatës siç është presidenti.

“Të them të drejtën KQZ nuk është se ka diskutuar për përflitjet nëpër media ose opinione të ndryshme që shfaqen më media për një proces të ri zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe natyrisht në këtë drejtim as nuk ka diskutuar për një proces të ri zgjedhor apo impaktin që mund të ketë. E gjith puna e KQZ-së në këtë kohë është e orientuar në organizimin e zgjedhjeve lokale që kërkon shumë angazhim meqenëse janë dy lloje të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe kuvendeve komunale. Së shpejti do të hapet edhe periudha e aplikimit të subjekteve politike për certifikim dhe për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet lokale numri i kandidatëve është shumë fish më i lartë dhe ka specifika dhe një ngarkesë në organizim dhe e gjithë puna e KQZ-së është e orientuar në këtë drejtim”, tha Elezi.

Agjencia e OKB-së për refugjatët shkurton stafin në Gjenevë

Agjencia e OKB-së për refugjatët tha të hënën se do të shkurtojë 3,500 vende pune  duke shkurtuar gati një të tretën e kostove të fuqisë punëtore  për shkak të mungesës së fondeve, dhe do të zvogëlojë shkallën e ndihmës së saj në të gjithë botën, përcjell albinfo.ch.

Shefi i agjencisë, Filippo Grandi, tha se UNHCR do të përqendrohet “në aktivitetet që kanë ndikimin më të madh për refugjatët”, ndërsa do të përmirësojë selinë e saj në Gjenevë dhe zyrat rajonale.

Agjencia tha se i është dashur të mbyllë ose zvogëlojë zyrat në të gjithë botën dhe të zbatojë një shkurtim prej gati 50 përqind të pozicioneve të larta në Gjenevë dhe në selitë rajonale.

“Në total, afërsisht 3,500 pozicione stafi do të ndërpriten”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër, qindra punëtorë të përkohshëm janë detyruar të largohen nga organizata për shkak të mungesës së fondeve.

“Në përgjithësi, UNHCR vlerëson një ulje globale të kostove të personelit prej rreth 30 përqind”, tha agjencia.

Ajo tha se programet që variojnë nga ndihma financiare për familjet në nevojë, shëndetësia, arsimi dhe uji dhe kanalizimet tashmë janë prekur nga shkurtimet.

Osmani u prit me nderime ushtarake në Hungari

Presidentja Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake nga homologu i saj në Hungari, presidenti Sulyok, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka falënderuar për këtë pritje, duke e cilësuar vizitën si të rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.

Faleminderit për pritjen me nderime ushtarake në Budapest, President Sulyok! Një vizitë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidentja Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake nga homologu i saj në Hungari, presidenti Sulyok.

Ajo ka falënderuar për këtë pritje, duke e cilësuar vizitën si të rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.

“Faleminderit për pritjen me nderime ushtarake në Budapest, President Sulyok! Një vizitë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Pesë shqiptarë largohen në mënyrë të sigurt nga Izraeli

Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri, ka njoftuar ministri i jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, përmes një postimi në Facebook, përcjell albinfo.ch.

Ai u shpreh tutje se ky operacion u bë i mundur falë angazhimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim të ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro.

“Falënderojmë autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë”, shkroi ndër tjerash Hasani.

Rrëshqitja e tokës në Blatten shkaktoi dëme me vlerë 320 milionë franga

Rrëshqitja masive e tokës që fshiu pjesën më të madhe të fshatit zviceran Blatten në maj shkaktoi dëme me vlerë 320 milionë franga, sipas një vlerësimi nga një shoqatë e kompanive zvicerane të sigurimeve (ASA), përcjell albinfo.ch.

Rrëzimi dramatik i akullnajës Birch të Zvicrës, e cila fshiu një fshat, ishte një katastrofë e paparë.

Shumica e dëmeve (260 milionë CHF) kishin të bënin me dëme në ndërtesa dhe pronë personale të shkaktuara ose nga vetë rrëshqitja e tokës ose nga përmbytjet pasuese.

Akullnaja Birch u shemb në fund të majit, duke dërguar rrëshirë, akull dhe baltë që ranë me shpejtësi në luginën Lotschental në rajonin jugor Valais të Zvicrës.

Fatkeqësia shkatërroi pjesën më të madhe të Blatten, e cila kishte qenë shtëpia e 300 njerëzve dhe u evakuua javën e kaluar për shkak të rrezikut të afërt.

Londër: Janina Oseku fiton çmimin e parë për “Miss Diaspora 2025”

Vajzat shqiptare shquhen për bukurinë dhe elegancën e tyre dhe jo vetëm.

 Emrave të suksesshëm të modës i shtohet edhe Janina Oseku 17 vjeçe e cila së fundmi ka “rrëmbyer” kurorën e më të bukurës në konkursin e bukurisë 2025.

Bëhet e ditur de ne Londër u mbajt gara “Miss Diaspora 2025” ku shqiptarja Janina Oseku  e fitoj çmimin e parë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Janina Oseku është vajza shqiptare me origjinë nga Gjakova, e lindur dhe rritur në Stockholm të Suedisë.

Vlen të theksohet se nëna e saj është Shkipe Bunjaku e cila mban gradën nëntogere në ushtrinë suedeze, ishte pjesëtare e KFOR-it me mision në Kosovë gjatë vitit 1999-2001 dhe tanimë gëzon vlerësim si veterane në Suedi, ndërkohë, babai i saj është Frashër Oseku,  veteran  i UÇK-së në Koshare. /Albinfo.ch

 

Zvicra renditet si ‘vendi më konkurrues’ në botë

Pasi humbi titullin ndaj rivalëve nordikë dhe aziatikë në vitet e fundit, Zvicra është kurorëzuar përsëri si vendi më konkurrues në botë, raporton Swiss Info, përcjell albinfo.ch.

Zvicra i shtyu Singaporin dhe Hong Kongun në vendin e dytë dhe të tretë në Renditjen e fundit të Konkurrueshmërisë Botërore, sipas studimit vjetor nga shkolla e biznesit IMD me seli në Lozanë.

Renditja krahason ekonomitë e 67 vendeve anembanë botës.

Milot Rashica kërkohet në Itali

Futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, mund të luajë edicionin e ardhshëm në Serie A të Italisë.

Interesim për sulmuesin e Kosovës ka shprehur Genoa, kanë njoftuar mediat turke, transmeton albinfo.ch.

Rashica është pjesë e Beshiktashit, ndërsa ka kontratë deri në qershor të vitit 2027. Klubit nga Stambolli 28-vjeçari iu bashkua nga Norwichi anglez.

Ai karrierë ka bërë edhe te Galatasray, Werder Bremeni, Vitesse dhe në Kosovë te Vushtrria.

Rashica vlerësohet 7.5 milionë euro në tregun e transferimeve.

Genoa ishte e 13-ta në edicionin e kaluar të kampionatit italian.

Roli i Trump në konfliktin Izrael-Iran

Sulmi i Izraelit ndaj Iranit ishte biseduar me Uashingtonin. “Nuk ka ndonjë të papritur”, njoftoi reporteri i Fox News, Bret Baier pas një bisede me presidentin e SHBA-së Donald Trump të premten e kaluar (13.06.2025). Nuk ka pjesëmarrje aktive, thekson qeveria e SHBA-së. Por SHBA, partneri më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm ushtarakisht i Izraelit, as nuk e ka ndaluar ofensivën kundër Iranit.

Trump vazhdimisht në fushatën elektorale ka theksuar, se nuk dëshiron që ta involvojë SHBA-në në koflikte ushtarake në botë. Në fjalimin e tij ditën e marrjes së postit në janar 2025 Trump e shpalli veten si presidenti i ri i SHBA-së që “sjell paqen”: Fuqia e SHBA-së, sipas tij, “do t’u japë fund të gjitha luftrave dhe do të sjellë një frymë të re të harmonisë” në botë. Në maj 2025 Trump në Arabinë Saudite u shpreh për një epokë të re të paqes, që po nis në Lindjen e Mesme.

Trump dhe bisedimet për programin bërthamor me Iranin

Nga ky qëndrim paqësor nuk ka mbetur asnjë shenjë pas sulmitIzraelit ndaj Iranit. Në televizionin e SHBA-së ABC, Trump i quajti sulmet si “ekselente”. Në platformën e tij Truth Social ai shkruan, që nga fillimi i bisedimeve të reja për programin bërthamor me Iranin i kam ofruar qeverisë në Teheran vazhdimisht shansin për një marrëveshje të re. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë një sulm është në prag, që mund të jetë më keq nga sa mund ta përfytyrojnë ata. Përfaqësuesit e vijës së fortë në Iran, që janë shprehur kundër marrëveshjes, tani “kanë vdekur të gjithë”, shkruan Trump në postimin e tij. “E mund të bëhet edhe më keq!”

Tym i zi nga ndërtesat në Teheran

Delegacionet nga të dyja vendet që nga prilli janë takuar disa herë me qëllim për të negociuar një marrëveshje bërthamore, prej nga SHBA-ja u shkëput gjatë mandatit të parë të Trumpit më 2018. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje ishte të pengonte Iranin në ndërtimin e bombës atomike. Gjatë sulmeve të para të Izraelit krahas objektivave ushtarake dhe civile në shënjestër ishte kryesisht infrastruktura nukleare e Iranit.

Politologu britaniko-izryelit Daniel Levy është president i Institutit Studimor US/Middle East Project. Ai thotë, se Izraeli me gjasë i ka futur në mendje Trumpit idenë, se një goditje ushtarake kundër Iranit mund t’i avanconte bisedimet mes Ushingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor. Nuk është e rastësishme, që Netanjahu e nisi pikërisht tani ofensivën ushtarake. “Një motiv kryesor për Natanjahun ka qenë, që një sukses në bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Iranit,]me gjasë do kishte bërë që amerikanët ta pengonin atë”, thotë Levy në intervistë për DW, transmeton albinfo.ch.

Por Trump vendosi të mos i japë sinjalin e kuq të stopit Netanjahun lidhur me sulmin ndaj Iranit, shkruan William F. Wechsler, drejtor për programet për Lindjen e Mesme në Atlantic Council, një thin-tank në SHBA. Pra nuk ka ndonjë apel për të mos sulmuar. “Mund të ketë ndodhur që udhëheqja në Izrael mungesën e një drite të kuqe nga SHBA-ja ta ketë interpretuar praktikisht si dritë jeshile”, shkruan Wechsler.

Trump midis dy karrigeve

Në maj Trump shkarkoi këshilltarin e tij të sigurisë Michael Waltz. Ai padashje kishte ftuar një gazetar në një Messenger-Chat, ku anëtarët e qeverisë diskutonin plane ushtarake. Por nga hulumtimet e Washington Post ishte një faktor tjetër vendimtar për shkarkimin e Waltz: Këshilltari i Trumpit kishte shkëmbyer intensivisht biseda me kryeministrin izraelit për opcionet e mundshme ushtarake kundër Iranit  kjo përpara vizitës së Netanjahut në Shtëpinë e Bardhë. Gazeta shkruan, se Waltz ka dashur ta fusë politikën e SHBA-së në një shteg, që Trump e refuzon.

Ç‘qëndrim ka pra komandanti suprem amerikan në këtë konflikt: A i refuzon ai veprimet ushtarake kundër Iranit apo ato janë një arsye për të festuar për të? Sipas mendimit të ekspertit Ley presidenti i SHBA-së ndjek një kurs zik-zak në këtë çështje, sepse baza e tij MAGA (“Make America Great Again”) është e përçarë, kur bëhet fjalë për misione ushtarake në Lindjen e Mesme.

“Ka një çarje në botën e MAGA”, thotë Levy. Nga njëra anë është fraksioni, që mbështet plotësisht moton e Trumpit “America first”. Për këtë grup interesat e SHBA-së janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ky grup nuk do aspak që SHBA të involvohet në ndonjë konflikt të largët, i cili nuk ka të bëjë direkt me SHBA-në. Nga ana tjetër ndër mbështetësit e Trumpit janë edhe hebrejtë konservatorë amerikan. Për ta është vendimtare, që Izraeli pa asnjë mëdyshje të mbështetet  në rast nevoje edhe ushtarakisht. Levy këtë e konsideron të rrezikshme. “Sepse shtrohet pyetja, nëse bota do të shohë një Amerikë, që lejon një aleat të devijojë duke e lënë atë të involvohet në një konflikt ushtarak”, thotë Levy. “Ky nuk është një mesazh i mirë që përcillet jashtë vendit.”

Xhaka i ka thënë “Po” Milanit, transferimit më afër

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka i ka dhënë tashmë miratimin e tij kuqezinjve dhe tani misioni i Igli Tares do të jetë të bindë Bayer Leverkusen që ta lëshojë. Drejtori i ri sportiv i Milanit pritet të kontaktojë së shpejti me gjermanët për të tentuar të bëjë një ofensivë për të siguruar kartonin e lojtarit, transmeton albinfo.ch.

Një operacion që Milani nuk dëshiron të rëndojë shumë financiarisht, duke qenë se Xhaka është 32 vjeç dhe ka një vlerësim rreth 12 milionë euro.

Megjithatë, Leverkusen ka një kontratë të nënshkruar me të deri në vitin 2028 dhe nuk do të shesë një tjetër titullar, ndaj Tare do të duhet të tregojë aftësi për t’i bindur.

Ndërkohë, Luka Modric tashmë mund të konsiderohet lojtar i Milanit.

Vizitat mjekësore janë shtyrë për pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube që po zhvillohet në SHBA, pasi ylli kroat dëshiron të përqendrohet vetëm në dhënien e një triumfi tjetër Real Madridit përpara se të largohet përgjithmonë.

Megjithatë, nuk ka asnjë rrezik që operacioni të dështojë, pasi edhe pse mungon firma, Modriq dhe Milani i kanë premtuar njëri-tjetrit se do të jenë bashkë sezonin e ardhshëm.

Presidentja Osmani në vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të Presidentit Sulyok

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Hungari, me ftesë të Presidentit hungarez, Tamás Sulyok.

Vizita do të nisë me një ceremoni zyrtare me nderime ushtarake, të organizuar në sheshin Kossuth Lajos në Budapest, pas së cilës të dy presidentët do të zhvillojnë një takim tête-à-tête, pasuar nga një takim ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve. Në kuadër të vizitës, Presidenti Sulyok do të shtrojë drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial Sándor.

Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Hungari, do të pritet gjithashtu nga László Kövér, kryetar i Parlamentit të Hungarisë.

Në kuadër të agjendës, Presidentja Osmani po ashtu do t’i drejtohet studentëve dhe profesorëve të Universitetit Eötvös Loránd me një ligjëratë dhe diskutim me temën “Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane: Bashkëpunimi rajonal, angazhimi global dhe rruga përpara”, ku do të shpalosë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, përfshirë integrimin euroatlantik.

Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me oda ekonomike në Hungari.

Cyrihu renditet ndër qytetet më të mira për të jetuar në botë

Cyrihu është renditur në vendin e tret në Indeksin Global të Jetueshmërisë për vitin 2025 të EIU-së (Economist Intelligence Unit), transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë Kopenhageni ka marrë vendin e parë duke i dhënë fund dominimit trevjeçar të Vjenës. Kopenhageni arriti pikë të plota, 100, për qëndrueshmëri, arsim dhe infrastrukturë, duke u ngjitur nga vendi i dytë në atë të parin si qyteti më komod për të jetuar në botë. Indeksi i EIU-së vlerëson 173 qytete në mbarë botën në bazë të 30 treguesve, të kategorizuar në qëndrueshmëri, kujdes shëndetësor, kulturë dhe mjedis, arsim dhe infrastrukturë.

Pikët mesatare për këtë vit mbeten të pandryshuara nga viti i kaluar, në 76.1 nga 100.

Megjithatë, rezultatet e këtij viti pasqyrojnë një rënie të vazhdueshme në qëndrueshmërinë globale, të nxitur nga konflikte gjeopolitike në rritje dhe trazira civile.

Qytetet në Evropën Perëndimore dhe Azinë e zhvilluar vazhdojnë të dominojnë pjesën e sipërme të renditjes. Melbourne u rendit i katërti, ndërsa Sydney dhe Adelaide gjithashtu u futën në dhjetëshen më të mirë. Qytete të tjera kryesuese janë të shpërndara në Japoni, Zelandë të Re dhe Kanada. Megjithatë, disa qytete të Evropës Perëndimore figurojnë gjithashtu në listën e lëvizjeve më të mëdha në rënie për vitin 2025. Të gjitha qytetet e përfshira në Mbretërinë e Bashkuar (Londra, Manchester dhe Edinburgu) kanë rënë në renditje, si pasojë e trazirave të gjera dhe rritjes së numrit të të pastrehëve. Dy qytete kanadeze (Calgary dhe Toronto) janë gjithashtu në mesin e atyre që kanë rënë, pasi janë ulur pikët për kujdesin shëndetësor për të katër qytetet kanadeze në indeksin tonë. Megjithatë, qytetet e Amerikës së Veriut mbeten vende shumë të kërkuara për të jetuar, me të gjitha 21 qytetet që raportojnë në nivelin më të lartë të jetueshmërisë (të përcaktuar si një pikë prej 80 ose më shumë).

Në një aspekt më pozitiv, pikët për kujdesin shëndetësor, arsim dhe infrastrukturë kanë parë përmirësime të lehta mesatare. Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut regjistroi rritjet më të mëdha në jetueshmërinë e përgjithshme, kryesisht falë përparimeve në kujdesin shëndetësor dhe arsim në qytete të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Edhe Galatasaray ka në shënjestër Granit Xhakën

Mesfushori i njohur shqiptar, Granit Xhaka, ndodhet sërish në qendër të vëmendjes në këtë merkato verore. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Bayer Leverkusen, ku fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, disa klube të mëdha evropiane kanë shprehur interes konkret për ta afruar atë, përcjell albinfo.ch.

Përveç Ac Milan, një tjetër klub që ka hyrë në garë është Galatasaray, i cili besohet të ketë bërë një ofertë zyrtare për Xhakën. Megjithatë, Bayer Leverkusen e ka refuzuar këtë ofertë, duke e bërë të qartë se lojtari është pjesë e pandashme e projektit të tyre. Xhaka ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2028 dhe është konsideruar shtyllë e sistemit të trajnerit Xabi Alonso.

Gjatë një eventi në qytetin e tij të lindjes, Basel, Xhaka ndezi spekulimet pas një deklarate emocionale: “Një Xhaka largohet, por një tjetër shumë shpejt do të jetë këtu”. Edhe pse tifozët u entuziazmuan për një rikthim të mundshëm, drejtuesit e FC Basel kanë sqaruar se aktualisht nuk ka bisedime konkrete. Megjithatë, një rikthim sentimental në fund të karrierës mbetet mundësi reale.

Pavarësisht ofertave, qëndrimi në Leverkusen shihet si skenari më realist për momentin. Xhaka ka pasur një sezon të shkëlqyer dhe mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës gjermane. Vetëm një ofertë e madhe ekonomike mund ta detyrojë klubin të ndryshojë qëndrim.

Kuvendi nuk konstituohet as për të 33–tën herë

Kuvendi i Kosovës as për tentimit e 33-të nuk ka arritur të konstituohet.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të përfundojnë konsituimin e organit ligjvënës edhe në përpjekjen e 33-të. 

Seanca ka vazhduar me pikën e rendit të ditës të përcaktuar nga kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, formimi i komisionit parlamentar për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. 

Për të 25-tën herë, ka dështuar themelimi i këtij komisioni, pasi përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

Në sallë kanë qenë të pranishëm 91 deputetë, për formimin e Komisionit kanë votuar 51 deputetë, kundër një e nuk ka pasur asnjë abstenim.

Vazhdimi i radhës është caktuar për të enjten në orën 10:00. 

Shpërthime në Teheran, iranianët braktisin shtëpitë

Mediat në Iran kanë raportuar se ka pasur shpërthime të rënda nga ajri në Teheran gjatë orëve të hershme të mëngjesit të së martës, përcjell albinfo.ch.

E “The Guardian” ka publikuar fotografi që tregojnë kolona të gjata të veturave duke u larguar menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje që të evakuohen nga kryeqyteti “sa më herët”.

Gjatë natës, Irani lansoi dy valë raketash si përgjigje ndaj sulmeve të Izraelit, duke lëshuar alarmet në disa pjesë të shtetit hebre.

Sulmet ishin më pak intensive se një natë më herët, dhe nuk është raportuar për dëme direkte.

Duke folur për mediat, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se shteti i tij i ka dëmtuar dukshëm programet bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit  por se “u duhet ende më shumë kohë”.

E orë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u largua më herët nga samiti i G7-s. Liderët e shtatë shteteve më të fuqishme kanë bërë thirrje për depërshkallëzim në Lindje të Mesme, përfshirë një armëpushim në Gaza.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje banorëve të Teheranit të largohen nga kryeqyteti iranian disa orë pasi Izraeli lëshoi një urdhër për evakuimin e banorëve të një pjese të madhe të Teheranit.

“Irani duhet ta kishte nënshkruar marrëveshjen që unë u thashë ta nënshkruanin. Çfarë turpi dhe humbjeje jete njerëzore. Thënë thjesht, Irani nuk mund të ketë armë bërthamore E. E kam thënë vazhdimisht! Të gjithë duhet të largohen menjëherë nga Teherani”, shkroi Trump në rrjetin e tij social “Truth”.

Washingtoni dhe Teherani ishin në mes të bisedimeve bërthamore kur Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit të premten.

Sot përpjekja e 33-të për konstituim të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në një tentativë tjetër për konstituim. Tashmë janë bërë dy muaj që kur kanë nisur hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, deri tash kanë dështuar 32 vazhdime të saj.

Kjo do të jetë seanca e 33-të çdo 48 orë që nga 15 prilli. Procesi ka ngecur te zgjedhja e Kryeparlamentarit, përcjell albinfo.ch.

Ngërçi nisi qysh në seancën e parë kur u formua komisioni i përkohshëm për verifikim të mandateve, por raporti nuk kaloi pasi që deputetë të partive që kishin qenë në opozitë s’e votuan. Ata s’pajtoheshin me mënyrën e dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar që ishin zgjedhur deputetë. Ky raport nuk kaloi as në seancën e dytë, duke kaluar tek në seancën e tretë kur deputetët edhe bënë betimin dhe Albulena Haxhiu u propozua nga VV për kryeparlamentare.

Kjo nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare, as në këtë seancë dhe as në pesë tjerat që pasuan, e ku u propozua sërish nga partia e parë.

Vanesa Limani emërohet drejtore në Zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Nju-Jorkut

Në një nga qytetet më të mëdha të botës, një emër shqiptar po spikat në administratën e Nju-Jorkut, përcjell albinfo.ch.

Vanesa me origjinë nga Prishtina ka ndërtuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga momenti që mbërriti si adoleshente në Staten Island, e deri te roli i saj si Drejtoreshë e Borough-t në Zyrën e Kryetarit të Bashkisë së NYC.

Në këtë intervistë për Bussinessmag, ajo ndan me ne sfidat personale dhe profesionale, rrugëtimin deri tek pozitat drejtuese, ndikimin e kulturës shqiptare në lidershipin e saj dhe vizionin për fuqizimin e diasporës shqiptare në politikë dhe shoqëri.

Sot, ajo është bërë zëri i shumë komuniteteve në Staten Island  përfshirë dhe komunitetin shqiptar  dhe një shembull frymëzimi për gjithë rininë në diasporë.

Fjalët e Senatores amerikane, Jessica Scarcella-Spanton flasin shumë për ndikimin e saj: “Jam mirënjohëse për gjithçka që Vanesa Limani ka bërë për zyrën tonë dhe për Staten Island si Drejtore. Puna dhe kujdesi i saj kanë lënë një ndikim shumë pozitiv. Të uroj më të mirat në këtë kapitull të ri  të dua dhe jam shumë krenare për ty! Vanesa, suksesi yt nuk është vetëm i yti  është një pasqyrim i mundit të prindërve të tu, i kulturës sonë, dhe i gjithë komunitetit që të mbështet me zemër. Je dëshmi se shqiptaria ecën përpara me dije, punë dhe dinjitet”, shprehet Jessica Scarcella-Spanton.