Kurti sot, Abdixhiku nesër: takime në Zvicër për të kërkuar votat e mërgatës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojnë takime elektorale me mërgatën shqiptare në Zvicër, në kuadër të fushatës për zgjedhjet  e parakohshme parlamentare, shkruan albinfo.ch.

Albin Kurti do të takohet sot, më 13 dhjetor 2025, me bashkatdhetarët në Cyrih. Sipas njoftimit, takimi do të mbahet në objektin Halle 622, në adresën Therese-Giehse-Strasse 10, CH-8050 Zürich, duke filluar nga ora 18:30. Në këtë tubim, Kurti pritet t’u drejtohet qytetarëve shqiptarë në Zvicër me thirrje për mbështetje elektorale.

Ndërkohë, Lumir Abdixhiku do të zhvillojë nesër, më 14 dhjetor 2025, një takim me mërgatën në Grenchen. Takimi është paralajmëruar të mbahet në Lindenstrasse 41, 2540 Grenchen, me fillim nga ora 15:30, nën sloganin “Takim me bashkatdhetarë – Zvicër”. Aktiviteti organizohet nga LDK-ja dhe synon mobilizimin e votës së diasporës.

Takimet në Zvicër zhvillohen në një kohë kur vota e mërgatës konsiderohet vendimtare në zgjedhjet në Kosovë. Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë rikujtuar më herët se organizimi i tubimeve zgjedhore në territorin e Gjermanisë nuk lejohet më pak se tre muaj para zgjedhjeve, çka ka bërë që aktivitetet elektorale të partive kosovare të fokusohen në vende të tjera evropiane, përfshirë Zvicrën.

.

17.5 vjet burg për vrasje në tentativë

Gjykata Federale Penale në Bellinzona ka dënuar një person 54-vjeçar të gjinisë mashkullore, me 17.5 vjet burg për vrasje në tentativë. Dënimi është pezulluar në favor të trajtimit spitalor, trasnmeton albinfo.ch.

Burri, nga kantoni Basel-Landschaft, kishte shpërthyer një granatë dore nën makinën e ish-të dashurës së tij në Lörrach, Gjermani, vitin e kaluar, raporton srf.ch.

Gruaja arriti të largohej nga makina pa lëndime para se makina të shpërthente në flakë.

I përmenduri u shpall fajtor edhe për vepra të tjera penale, duke përfshirë rrezikimin e sigurisë publike me eksplozivë dhe gazra toksikë me qëllim kriminal.

Pezullimi i një dënimi me burg në favor të trajtimit spitalor njihet në gjuhën laike si “paraburgim i lehtë”. Kjo ndodh sepse lirimi i personit të dënuar nuk ka një datë të paracaktuar përfundimi dhe varet nga suksesi i trajtimit.

Me këtë vendim, Gjykata Federale Penale në Bellinzona miratoi kërkesën e Zyrës së Prokurorit Federal.

Vendimi nuk është ende ligjërisht i detyrueshëm.

Kosova pranon emigrantë të dëbuar nga SHBA, pa lidhje me vendin

Kosova ka nisur të strehojë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët nuk kanë origjinë kosovare. Këtë e bëri të ditur të enjten në mbrëmje kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Sipas tij, autoritetet kosovare i janë përgjigjur pozitivisht një kërkese të administratës së presidentit amerikan Donald Trump, duke pranuar fillimisht 50 persona të larguar nga SHBA-ja.

Në një deklaratë për mediat e Kosovës, Kurti tha se bëhet fjalë për persona që autoritetet amerikane nuk kanë dashur t’i mbajnë më në territorin e tyre. Ai shtoi se deri tani në Kosovë kanë mbërritur vetëm një ose dy emigrantë.

Kurti nuk dha informacione mbi shtetet e origjinës së tyre, ndërsa institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë të ditur detaje për statusin ligjor, mënyrën e akomodimit apo kohëzgjatjen e qëndrimit të këtyre personave në vend.

Shqiptarët që shënuan vitin 2025 në Zvicër

Në përfundim të çdo viti është një traditë e bukur që të bëhen rekapitullime, bilance për të përmbledhur arritjet e shënuara gjatë atij viti. Ndërsa arritjet të shumtën lidhen me individë të suksesshëm, që kanë bërë dallimin në vitin përkatës, të shumtën janë ata, pra personat konkretë që zgjidhen Personalitete të Vitit. Këtë traditë po e kultivon tashmë prej disa vitesh edhe platforma mediale, Albinfo.ch. Dhe, duke qenë platforma më e madhe dhe e besueshme e mërgatës shqiptare (jo vetëm) të Zvicrës, Albinfo.ch ka një “kompetencë” të caktuar që ta bëjë këtë përzgjedhje. Për këtë flet fundja fakti se pothuajse të gjithë personalitetet kanë kaluar nëpër Albinfo.ch ose janë afirmuar edhe me ndihmën e saj.

Për vitin 2025, në mesin e shumë bashkatdhetarëve tanë që shënuan arritje në profesionin ose në fushëveprimin e tyre, redaksia jonë ka dalluar këta individë duke i “kurorëzuar” si Personalitete të Vitit.

Elina Duni, artistja që ndërthur xhazin me muzikën tradicionale të vendit të saj

Janë të rralla ato figura që arrijnë të harmonizojnë mjeshtërisht traditën, modernitetin dhe identitetin kulturor ashtu sikurse Elina Duni. Fitimi i çmimit Swiss Jazz Award 2025 e kurorëzon një rrugëtim të jashtëzakonshëm artistik, duke e vendosur atë në qendër të skenës zvicerane dhe evropiane të xhazit.

E lindur në Tiranë në vitin 1981, pas rënies së regjimit komunist, ajo, në moshën 10 vjeçare u zhvendos me nënën e saj në Gjenevë, ku pasi studioi pianon klasike, u  orientua drejt xhazit, gjuhës muzikore që do të bëhej boshti i identitetit të saj profesional.

Juria e Swiss Jazz Award e përshkroi Elina Dunin si një artiste “me talent të jashtëzakonshëm dhe me aftësinë për të krijuar një gjuhë muzikore poetike dhe emocionale, që ndërthur me delikatesë xhazin me muzikën tradicionale të vendlindjes së saj”. Më tej, juria theksonte se ajo “ka ditur të rinovojë gjuhën e xhazit dhe të frymëzojë një brez të tërë muzikantësh të rinj” – një vlerësim që i shtohet çmimit të saj të mëparshëm Swiss Music Prize 2017 dhe shumë vlerësimeve evropiane.

Në këtë kthesë të rëndësishme të karrierës, Elina Duni mbetet një artiste që e përdor muzikën si urë mes gjuhëve, historive, emocioneve dhe kulturave. Ajo vetë e përkufizon këtë mision artistik me thellësi.

Lorik Cana, imazhi që bashkon të gjithë shqiptarët

Lorik Cana njihet më së miri si një ikonë që e ktheu futbollin në një ngjarje familjare, sportisti që mbushte stadiumet përtej kapaciteteve, ai që e çoi Shqipërinë drejt UEFA Euro 2016 dhe lojtari që krijoi një ndjenjë të rrallë bashkimi kombëtar, ku të gjitha trojet shqiptare përfaqësoheshin në një skuadër, nën të njëjtën fanellë

Ai lindi në Prishtinë por karriera e tij nisi pikërisht këtu në Zvicër, në Lozanë, në klubin “Dardania” të udhëhequr nga i ati. Cana u rrit mes fanellave, fushës dhe disiplinës. Kulmi i rrugëtimit ishte padyshim pozita e kapitenit të Kombëtares. Përveç golave dhe depërtimit në skenën botërore, ai na dhuroi një krenari pothuajse mitike.

Sot, Lorik Cana përfaqëson një imazh me të cilin shqiptarët identifikohen anembanë botës.

Para se ta përfundonte karrierën aktive ai kishte vendosur të jepte një kontribut për shoqërinë dhe vendin. Dhe kështu filloi puna e fondacionit “Lorik Cana 5”, një fondacion që gërsheton botën e sportit me atë të kulturës.

Përmes aktiviteteve të fondacionit, Loriku mbetet po aq i pranishëm në media sa dikur, por sot vëmendja e tij ka marrë një drejtim tjetër.  Ndër projektet e fundit të fondacionit “Lorik Cana 5” është edhe një dokumentar i realizuar në bashkëpunim me regjisorin italian Alessandro Ferrantelli, me titull “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë”. Ky dokumentar është shfaqur tashmë në New York, Firence dhe Cyrih, duke i dhënë kështu Lorikut jo vetëm një lidhje më të thellë me atdheun dhe shqiptarët e tij.

Fehmi Mahalla, trajner i kampionëve

Fehmi Mahalla është pjesë e historisë së karatesë zvicerane, me rezultate që pak sportistë në Evropë mund t’i arrijnë: Kampion i Evropës për seniorë, kategorisë së rëndë – Tenerife, 2005; Kampion i Lojërave Frankofone (2005–2007); Fitues 3 herë i turneut më prestigjioz botëror, Open d’Paris, në kategorinë e rëndë dhe absolute; 14 herë Kampion Shtetëror i Zvicrës; Pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës për afro 20 vite

Ai luftoi për Zvicrën në një kohë kur Kosova ende nuk mund të përfaqësohej si shtet në arenën ndërkombëtare. Në këtë cilësi, Mahalla jo vetëm shënoi rezultate të jashtëzakonshme, por mbeti edhe shembull i dinjitetit dhe profesionalizmit në diasporë.

Pas karrierës si sportist elitar, Mahalla u bë trajner i kërkuar në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri, duke u kthyer në arkitekt të sukseseve ndërkombëtare të dhjetëra sportistëve.

Ndërsa në rolin e trajnerit të përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë, ai ka kontribuar në ngritjen e këtyre dy ekipeve në nivele historike. Me Shqipërinë ka arritur dy medalje të argjendta evropiane, ndërsa me Kosovën rezultatin e jashtëzakonshëm të vendit të tretë në Evropë dhe Botë.

Merita Pinta, një grua e fortë në krye të 100 bashkëpunëtorëve

Merita Pinta është tashmë një emër i përveçëm në komunitetin shqiptar të Zvicrës dhe jo vetëm kaq. Ajo, duke themeluar dhe drejtuar një kompani (Prima Pflege) me dy shtëpi për të moshuar, ku punëson rreth 100 persona, është një punëdhënëse e respektuar në rrethin ku jeton, e më gjerë.

Për këto dhe merita të tjera, platforma mediale e ka zgjedhur atë Personalitet të Vitit 2025 për fushën e shëndetësisë.

Krahas drejtimit të dy shtëpive për të moshuar që e bën prej afër 10 vitesh, ajo ka marrë së fundi edhe një vendim të rëndësishëm: Të hapë një repart të veçantë përkujdesjeje për të moshuarit shqiptarë.

“Vendimi për të hapur këtë repart erdhi si pasojë e një realiteti që e kam përjetuar nga afër gjatë viteve të punës sime. Shumë të moshuar nga komuniteti ynë në Zvicër, edhe pse marrin kujdesin e duhur profesional, shpesh përballen me një izolim emocional për shkak të barrierave gjuhësore, ndryshimeve kulturore dhe traditave të tyre. Ata kanë nevojë për një komunikim të ngrohtë, për njerëz që i kuptojnë dhe një mjedis ku gjuha, ushqimi, muzika, besimet dhe zakonet janë pjesë natyrale e jetës së përditshme”, thotë ajo, veç tjerash.

Dr. Përparim Limani, në krye të Klinikës së Kirurgjisë në Kantonsspital Aarau

Vargut të profesionistëve mjekësorë që po arrijnë majat e mjekësisë në Zvicër i është shtuar edhe Dr. Përparim Limani.

Nga 1 dhjetori 2025, PD Dr. med. Dr. sc. nat. Përparim Limani merr drejtimin e Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Viscerale në Kantonsspital Aarau, një prej qendrave më të rëndësishme kirurgjikale në Zvicër. Emërimi i tij përveç që paraqet një hap profesional, është edhe një moment që shënon edhe një standard të ri të pranisë shqiptare në mjekësinë zvicerane.

Me dy doktorata një në mjekësi dhe një në shkencat natyrore, me një karrierë të formuar në Spitalin Universitar të Cyrihut, në laboratorin HPB nën drejtimin e Prof. Pierre-Alain Clavien dhe me një fellowship në MD Anderson Cancer Center në Houston, Dr. Limani vjen në këtë rol me një bagazh të jashtëzakonshëm kërkimi dhe eksperience klinike. Ai ka publikuar studime në Nature Communications, Annals of Surgery, Clinical Cancer Research, dhe ka trajtuar pacientë në programet më të avancuara onkologjike dhe robotike të Zvicrës.

Musa Kamenica, një ish refugjat, kryeparlamentar i Lozanës

Musa Kamenica është prej kohësh një emër i njohur në komunitetin shqiptar të Lozanës, Vaudit dhe gjithë Zvicrës. Prej disa muajsh ai është zgjedhur në potin e kryetarit të Parlamentit të qytetit të Lozanës, njërit ndër 4 qytetet më të mëdha të Zvicrës, duke shënuar një arritje të madhe në politikën e vendit ku jeton.

Në vitin 1995, si 18 vjeçar së bashku me familjen ka migruar nga Kosova, gjegjësisht nga Ferizaj në Zvicër, në qytetin e Lozanës. Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Lozanës. Ka magjistruar po ashtu edhe në Institutin për studime europiane në Universitetin e Gjenevës.

Në vitin 2016 është zgjedhur për herë të parë asamblist në asamblenë (parlamentin) e qytetit të Lozanës. Këtë vit ai ka arritur të zgjidhet kryetar i kësaj asambleje ose Këshilli Bashkiak, që është posti më i lartë në pushtetin legjislativ të qytetit.

Më është dashur shumë punë, përkushtim dhe sakrificë për të arritur nivelin e bashkëpunëtorëve të mi, si në parti ashtu edhe në asamble. Nuk është e njëjtë të mbërrish në Zvicër në moshën 18-vjeçare, pa një rrjet të gjerë shoqëror, pa e njohur mjaftueshëm kontekstin lokal politik e shoqëror, ndërkohë që kolegët e  mi kanë lindur dhe janë rritur këtu, duke pasur familje të integruara prej kohësh në sistemin institucional dhe politik të qytetit. Për këtë arsye, rruga për të arritur në pozitën që mbaj sot ka kërkuar dyfish më shumë përpjekje, këmbëngulje dhe vullnet.

Adrian Bajrami, kthehet nga Benfika në Luzern dhe luan për Nati-n

Historia e Adrian Bajramit është rrëfimi i një brezi të ri futbollistësh që rriten mes dy kulturave dhe dinë ta ndërtojnë identitetin e tyre pa mohuar asgjë por duke zgjedhur vetë se ku duan të shkëlqejnë.

Ai e thekson shpesh: “Jam lindur dhe rritur në Zvicër, por jam dhe do të jem gjithmonë krenar që jam shqiptar”.

Në familjen Bajrami me prejardhje nga Struga e Maqedonisë, shqipja nuk është detyrim, por dashuri. Ky mjedis e formoi Adrianin si njeri, duke i dhënë një bosht të fortë vlerash: respekt për punën, sakrificën dhe mirënjohjen për familjen.
Karriera e tij nisi në Langenthal, më pas te Young Boys, ku kaloi vetëm një vit. Pikërisht aty u hap rruga drejt njërës prej akademive më të famshme në botë: SL Benfica, në Lisbonë të Portugalisë.

Në verën e vitit 2024, Bajrami vendosi të kthehej në Zvicër. Ai e përshkruan këtë hap si kthim në shtëpi, jo vetëm nga aspekti sportiv, por edhe ai emocional: “Ndihem shumë mirë të jem prapë pranë familjes që më ka munguar shumë kohë”. Adriani kishte luajtur për Zvicrën U18, më pas vendosi të përfaqësonte Shqipërinë në grupmosha dhe zhvilloi tri miqësore me Kombëtaren A.

Në vitin 2025, ai mori një vendim të vështirë: të rikthehej te Zvicra. Pas shpalljes së listës për eliminatoret e Botërorit, trajneri Murat Yakin e ftoi për herë të parë në Kombëtaren zvicerane.

 

 

 

 

 

 

 

Transporti publik zviceran do t’i nënshtrohet një riorganizimi historik

Në linjën Bazel-Olten, një nga projektet më të mëdha të zgjerimit do të hyjë në funksion me zgjatimin me katër binarë.

Në Cyrih, i gjithë rrjeti i tramvajit po ndryshon dhe trenat e rinj të natës midis Bernës dhe Winterthurit do të qarkullojnë gjatë fundjavave, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Zgjerimi me katër binarë në Liestal në linjën Bazel-Olten është projekti më i madh hekurudhor në Zvicrën veriore për 20 vjet dhe synon të përmirësojë saktësinë, njoftuan Hekurudhat Federale Zvicerane pas përfundimit të punimeve të ndërtimit në fund të nëntorit.

Karakteristikat e reja përfshijnë një shërbim gjysmë ore midis Biel/Bienne dhe Bazelit. Trenat do të qarkullojnë gjithashtu midis Bernës, Olten, Cyrihut dhe Winterthurit të premteve dhe të shtunave në mbrëmje.

Në Cyrih, rrjeti i tramvajit do të rimodelohet gjerësisht; disa linjave do t’u jepen itinerare të reja dhe operacionet në Bahnhofquai historike do të pezullohen plotësisht për një vit.

Rajonet turistike në Bernese Oberland, Graubünden, Zvicër Qendrore dhe Valais do të jenë më të ngarkuara dhe në Solothurn një koncept i ri autobusi premton të jetë një “hit i madh” për rajonin.

Votimi me postë nuk fillon sot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të sjelljes së fletëvotimeve nga Sllovenia, ku janë duke u shtypur, për të filluar me votimin jashtë Kosovës për votuesit që u regjistruan të votojnë përmes postës në zgjedhjet paralamentare të 28 dhjetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i tha portalit rtv21.tv se për shkak që këto janë zgjedhje të parakohshme që organizohen në periudhë të shkurtër kohore, votimi përmes postës nuk do të mund të fillojë sipas planifikimeve më 12 dhjetor, por të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që kjo të arrihet në fillim të javës së ardhshme, transmeton albinfo.ch.

“Aktualisht janë duke u shtypur fletëvotimet për votuesit jashtë Kosovës, që i takojnë votimit me postë – dhe planifikojmë që ato të sillen në Kosovë gjatë ditës së premte, 12 dhjetor. Pasi këto fletëvotime të arrijnë në Kosovë, shërbimi votues do të përgatit pakot e veçanta për çdo votues dhe përmes kontraktorit do t’i dërgojë në adresat e votuesve. Për shkak se jemi në zgjedhje të parakohshme, është e vështirë që periudha për votimin përmes postës të fillojë sipas planifikimeve me datë 12 dhjetor dhe të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që kjo të arrihet në fillim të javës së ardhshme”, tha Elezi.

Nga 77 mijë e 85 votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, pjesa më e madhe e tyre, 57 mijë e 829 prej tyre janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërkaq mbi 19 mijë e 260 të tjerë për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike.

Jodelimi zviceran i bashkohet listës së trashëgimisë kulturore botërore

Jodelimi u shtua në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s, në një takim në Nju Delhi.

“Si kënga emblematike e Zvicrës, jodelimi përfshin një larmi të gjerë shprehjesh artistike dhe është thellësisht i rrënjosur në popullsi”, tha ministria zvicerane e kulturës.

Jodeli transmetohet në familje, klube, shkolla muzikore ose thjesht midis këngëtarëve, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Më shumë se 12,000 jodelistë janë anëtarë të një prej 711 grupeve të Shoqatës Federale të Jodelimit të vendit.

“Si një teknikë karakteristike vokale, jodelimi alternon midis zërit të gjoksit dhe të kokës, duke përdorur rrokje pa kuptim që shpesh shoqërohen me dialekte lokale”, shpjegoi ministria e kulturës.

Jodelimi natyral përbëhet nga melodi pa tekst, ndërsa kënga e jodelimit kombinon vargje dhe refrene dhe shpesh prek natyrën dhe përvojat e përditshme, shtoi ajo.

“Qoftë solist, në grupe të vogla apo në kore — ndonjëherë i shoqëruar nga instrumente të tilla si fizarmonika — jodeli karakterizohet nga tingulli i tij i pasur dhe prania e tij në koncerte, festivale dhe konkurse, të cilat shpesh shoqërohen me veshjen e kostumeve rajonale.”

Lidhja me malet

Për Markus Eglin, drejtor kori i klubit Burgerturner-Jodler në Lucern, njohja nga UNESCO është një mënyrë e mirë për të mbështetur vazhdimin e jodelimit.

“Ky këndim është pjesë e kulturës sonë, e identitetit të Zvicrës”, tha ai së fundmi për AFP-në, duke shtuar se sipas traditës gojore, fillimisht ishte “një mjet komunikimi nga një mal në tjetrin”.

I veshur me veshje tradicionale dhe me një kapelë të ndjerë, 79-vjeçari Max Britschgi, anëtar i korit për gati 50 vjet, e pa atë si një festë të natyrës, duke shpjeguar se ndihej “i lidhur me malet” përmes jodelimit.

Tenori gjithashtu vlerëson “shoqërinë dhe lidhjen me të tjerët” që sjell këndimi së bashku.

Kalimi midis zërit të kraharorit dhe zërit më të lartë të kokës është aspekti “më i ndërlikuar”, sipas Yvonne Eichenberger, 35 vjeç, sopranos së korit.

“Kërkon kohë dhe praktikë”, tha ajo.

Diplomat dhe ‘yodelton’

Julien Vuilleumier, i cili këshilloi ministrinë zvicerane të kulturës për aplikimin në UNESCO, tha se origjina e jodelimit ishte e paqartë.

Megjithatë, “jodelimi siç e njohim sot u kodifikua në shekujt 19 dhe 20”, me “ndikime të kryqëzuara” nga Gjermania jugore dhe malet tirole të Austrisë dhe Italisë, i tha ai AFP-së përpara vendimit të UNESCO-s.

Shtrirja e jodelimit shtrihet përtej Zvicrës. Përmes valëve të emigrimit, ai është integruar në muzikën popullore amerikane, përfshirë muzikën country.

Ai po vazhdon të evoluojë, duke u zgjeruar në “forma më eksperimentale, në kufi me xhazin, popin dhe rockun”, shpjegoi Vuilleumier, duke theksuar “yodelton” – një krijim nga një artist zviceran që përzien jodelimin me ritmet reggaeton. Jodelim është edhe tani në arsimin e lartë, me një program masteri të themeluar në vitin 2018 në Universitetin e Shkencave dhe Arteve të Aplikuara të Lucernës.

Çdo ditë më shumë drejtues po vozisin pa patentë në Zvicër

Numri i personave që vozisin pa patentë po rritet gjithnjë e më shumë. Një studim i ri nga Gjermania tregon se gjithnjë e më shumë njerëz vozisin pa patentë të vlefshme. Po ashtu, numri i rasteve të vozitjes pa patentë po rritet edhe në Zvicër. Ja një përmbledhje.

Raporti është tronditës

Sipas një studimi të ri gjerman, gjithnjë e më shumë njerëz po vozisin makina pa patentë. Kirstin Zeidler nga Qendra Gjermane për Kërkimin e Aksidenteve të Sigurimeve (UDV) thekson për “Der Spiegel” se vozitja pa patentë nuk është një fenomen i izoluar. Raporte të tilla shfaqen herë pas here, por shumë njerëz ende e shohin problemin si një përjashtim. “Na habit sa i përhapur është realisht vozitja pa patentë.”

Drejtuesit me përvojë shpesh e bëjnë këtë shkelje

Shumica e drejtuesve që kapen duke vozitur pa patentë janë meshkuj me përvojë në drejtim. Analiza e statistikave zyrtare, sondazheve dhe intervistave me policë dhe prokurorë tregon qartë se drejtuesit me përvojë janë më shpesh në rrugë pa patentë të vlefshme. Rreth një e treta e të dënuarve në Gjermani janë midis 30 dhe 40 vjeç – më shumë se sa tregon përqindja e tyre në popullsi.

Rritja vërehet edhe në Zvicër

Po çfarë ndodh në Zvicër? Vozitja pa patentë është gjithashtu një problem këtu. “Statistikat tregojnë një rritje të lehtë të rasteve të vozitjes pa patentë të vlefshme,” sqaron Zyra Federale e Rrugëve (ASTRA) në përgjigje të pyetjes së Blick, transmeton albinfo.ch.

ASTRA ndan mes individëve që nuk posedojnë patentë për tipin përkatës të mjetit (“vozitje pa patentë”) dhe atyre që kanë vazhduar të vozisin pavarësisht revokimit ose ndalimit të patentës (“vozitje pavarësisht revokimit/ndalimit”). Patentat mund të revokohen, për shembull, në rast se drejtuesi kapet duke vozitur me shpejtësi të tepërt ose nën ndikimin e alkoolit.

1,768 raste vetëm vitin e kaluar

Në vitin 2024, 1,768 persona humbën patentat e tyre për shkak të vozitjes pa patentë për tipin përkatës të mjetit. Kjo do të thotë, për shembull, që dikush ka vetëm patentë për kategorinë A1 por vozit një motoçikletë më të madhe ose një makinë pasagjerësh. Motoçiklistët dhe drejtuesit e makinave përbënin grupin më të madh. Për krahasim, në 2022 pati gati 300 revokime më pak.

Numri i rasteve që përfshijnë revokimin e patentave të huaja gjithashtu po rritet. Në 2024, kjo shifër kaloi 1,000 raste.

Si është situata në aksidente

Vozitja pavarësisht pezullimit të përkohshëm të patentës gjithashtu po rritet lehtë: në 2024 pati 1,363 pezullime të përhershme, vetëm pak më pak se vitet e mëparshme. Ndërsa kjo shifër është më e ulët se për “vozitjen pa patentë,” trendi gjithashtu është në rritje.

Megjithatë, statistikat e aksidenteve tregojnë se aksidentet me dëmtime personale ku shkaku kryesor nuk ishte mungesa e patentës janë ende të rralla. Sidoqoftë, po shfaqet një rritje e lehtë edhe këtu, që përputhet me shifrat e përgjithshme.

Studimi gjerman gjithashtu supozon një numër të lartë të rasteve të papërfshira, sipas autorëve. Ata intervistuan mbi 7,000 persona mbi 16 vjeç nga grupe të ndryshme popullsie online. 13% pranuan se kanë vozitur pa patentë të paktën një herë – dhe 89% e tyre thanë se kurrë nuk janë ndaluar nga policia.

 

SBB hoqi vagonët e duhanpirjes 20 vjet më parë: ndikimi dhe sfidat që vazhdojnë

Dy dekada më parë, më 11 dhjetor 2005, Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB/CFF/FFS) hoqën përfundimisht vagonët e duhanpirjes nga trenat e tyre, një hap i rëndësishëm në luftën kundër konsumimit të duhanit në transportin publik. Vendimi erdhi në të njëjtën ditë me ndryshimin vjetor të orareve dhe u prit pozitivisht nga shumë udhëtarë, veçanërisht jo-duhanpirësit.

Nga gjysma e vendeve për duhanpirësit në zhdukjen e tyre totale

Para vitit 2000, gjysma e vendeve në trenat zviceranë ishin të rezervuara për duhanpirësit. SBB vuri re gradualisht se këto hapësira po bëheshin gjithnjë e më pak të kërkuara, ndaj në vitin 2000 filloi uljen e tyre. Deri në vitin 2005, përpara heqjes totale, vetëm 20% e vendeve ishin ende të destinuara për duhanpirës.

Stacionet pa duhan dhe rehatia e fituar

Lufta kundër duhanit vazhdoi edhe në stacionet hekurudhore. Që nga 1 qershori 2019, ato janë shpallur zyrtarisht zona pa duhan, me hapësira të posaçme të pajisura me kosha hiri dhe sinjalizime të qarta në platforma.

Sidoqoftë, disa udhëtarë ende nuk i respektojnë rregullat, duke pirë duhan jashtë zonave të caktuara, madje edhe nën strehët e platformave, shpjegon zëdhënësi i SBB-së, Frédéric Revaz.

Pastërti më e madhe, por mbeten sfidat mjedisore

Sipas SBB-së, ndalimi i duhanpirjes ka përmirësuar ndjeshëm pastërtinë dhe komoditetin në trena dhe stacione. Megjithatë, bishtat e cigareve mbeten një problem serioz mjedisor: çdo vit hidhen rreth 200 tonë bishta nëpër shina, të cilat kushtojnë afro 3 milionë franga zvicerane për t’u pastruar.

Cyrihu, kantoni me më së shumti makineri të bankomatave

Zvicra po vazhdon të pozicionohet si një nga shtetet më miqësore ndaj kriptomonedhave në Evropë dhe më gjerë. Përveç iniciativave si ajo e Luganos për integrimin e bitcoin-it në pagesat e përditshme, vendi shquhet edhe për zhvillimin e infrastrukturës së saj të kriptovalutave, transmeton albinfo.ch.

Referuar të dhënave të fundit, Zvicra renditet hyrë në top 10 vendet me numrin më të madh të ATM-ve të bitcoin-it në botë, duke u pozicionuar në vendin e tetë. Aktualisht, në të gjithë territorin zviceran funksionojnë 194 bankomata të bitcoin-it, që u mundësojnë qytetarëve blerjen apo shitjen e kriptomonedhave në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt.

Cyrihu, qendra kryesore e ATM-ve të bitcoin-it

Në nivel kantonal, Cyrihu udhëheq bindshëm me numrin më të madh të makinerive, duke numëruar 46 ATM bitcoin. Kjo nuk është e rastësishme, pasi Cyrihu është qendra financiare e Zvicrës dhe një nga qytetet kryesore europiane për fintech, blockchain dhe startup-e teknologjike.

Kantonet tjera si Zugo, Gjeneva dhe Ticino gjithashtu kanë shënuar rritje të konsiderueshme, falë qendrave inovative dhe interesit të lartë të tregut për kripto-shërbime.

Lugano, laborator i ekonomisë digjitale

Këto zhvillime kombëtare lidhen natyrshëm me iniciativën ambicioze të Luganos, ku rreth 350 biznesetashmë pranojnë pagesa me bitcoin. Me projektin “Plani B”, qyteti po synon të kthehet në një pol evropian të blockchain-it dhe pagesave digjitale, duke tërhequr vëmendjen e investitorëve dhe mediave ndërkombëtare.

Në McDonald’s, por edhe në dhjetëra lokale të tjera, pagesa me bitcoin është bërë realitet, megjithëse shumica e transaksioneve ende kryhen në franga zvicerane. Autoritetet e Luganos besojnë se infrastruktura e gjerë e ATM-ve bitcoin në Zvicër e përforcon këtë tranzicion drejt një ekonomie të re digjitale.

Skepticizmi dhe sfidat

Edhe pse Zvicra po bën hapa të mëdhenj në adoptimin e kriptomonedhave, skepticizmi mbetet i pranishëm. Ekonomistët paralajmërojnë për luhatshmërinë e çmimit të bitcoin-it dhe rreziqet e mundshme në rast të falimentimit të platformave digjitale ku mbahen portofolët elektronikë.

Disa banorë gjithashtu shprehen të rezervuar, duke preferuar stabilitetin e valutës tradicionale zvicerane.

E ardhmja: mes inovacionit dhe kujdesit

Megjithë debatet, një gjë është e qartë: Zvicra është duke ndërtuar një ekosistem të fuqishëm për kriptovalutat. Me një rrjet të gjerë ATM-sh, me qytete që eksperimentojnë me pagesa digjitale dhe me politika që nxisin inovacionin, vendi po vendos themelet për një ekonomi të së ardhmes, ku fiat-i dhe kripto do të bashkëjetojnë në mënyrë gjithnjë e më natyrale.

Gjashtë shtetas të Kosovës të arrestuar nga Serbia dhe një i rrëmbyer më 2025

Pikat kufitare të Kosovës me Serbinë janë shndërruar në çështje problematike për qytetarët e Republikës së Kosovës që i përdorin ato për transit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë këtij viti, MPJD-ja e Kosovës ka përsëritur disa herë thirrjen që shtetasit kosovarë të shmangin udhëtimin përmes territorit të Serbisë, duke vlerësuar se “Serbia nuk është më një territor, i cili ofron siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të shtetasve të Republikës së Kosovës, në veçanti ndaj shqiptarëve”.

Territori i këtij vendi shfrytëzohet sidomos nga shtetasit që duan të kalojnë në territor të BE-së, duke hyrë fillimisht nga Serbia në Hungari, si dhe anasjelltas nga diaspora që viziton Kosovën.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, vetëm gjatë vitit që po e lëmë pas, gjashtë qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet e Serbisë, ndërsa ka pasur edhe një rast rrëmbimi nga territori i Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shtetasit e Kosovës, të arrestuar në Serbi këtë vit.

Të arrestuarit, sipas autoriteteve serbe, dyshohen për “krime lufte” ose “vepra kundër rendit kushtetues të Serbisë”.

Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD

Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.

Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.

Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.

Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.

Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.

Më 14 gusht, autoritetet serbe kanë njoftuar se i kanë ndaluar edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata janë liruar.

Shifrat që nuk i di askush

Avokatët nga Kosova nuk mund t’i mbrojnë qytetarët e ndaluar në Serbi pa licenca serbe, por bashkëpunojnë me avokatë vendas.

Arianit Koci, i angazhuar në disa prej rasteve, thotë se shifrat zyrtare janë “relativisht të pasakta”.

“Ka raste kur biznesmenë të caktuar janë ndaluar – me pretendimet se kanë kryer krime të luftës – dhe më pas janë liruar. Por, ata kanë insistuar që të mos bëhen publike këto informata, për shkak se, sipas tyre, ata duhet të vazhdojnë të kalojnë nëpër Serbi”, thotë Koci për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend edhe rastin e një ish-polici që u ndalua për disa orë dhe u lirua pa u marrë vesh nga askush.

“Ka shumë raste të tilla”, thotë ai dhe shton se Serbia “i zvarrit qëllimisht procedurat”.

“Në rastin e Hazir Hazirit, dëshmitarët e kanë shfajësuar. Por, prokuroria tani kërkon ta kontrollojë telefonin e tij të vitit 2025 për një ngjarje të vitit 1999. Si është e mundur kjo?”, pyet ai.

Sipas tij, Haziri ka kaluar dhjetëra herë më parë nëpër territorin e Serbisë dhe nuk është ndaluar deri në shtatorin e sivjetmë.

“Qytetarët janë [dëm] kolateral. Gjithmonë pëson individi kur dy shtetet kanë probleme. Këtë mekanizëm, si duket, Serbia po e shfrytëzon në mënyrë brutale”, shton Koci.

Shqiptarët mbizotërojnë në punët fizike në Gjermani

Emigrantët nga Ballkani janë shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të tregut të punës në Gjermani. Sipas të dhënave të publikuara nga Bruegel, shqiptarët rezultojnë të jenë të përqendruar kryesisht në punë me aftësi të ulëta dhe të mesme, ndërsa janë ndër grupet me përfaqësimin më të vogël në punë të kualifikuara, përcjell albinfo.ch.

Raporti tregon se Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të personave të punësuar në profesione “helper” (ndihmës): 40.84% e shqiptarëve në Gjermani punojnë në punë fizike ose gjysmë-të kualifikuara, që përfshijnë logjistikën, shërbimet dhe industrinë bazë. Në krahasim, Bosnja ka 30.43% dhe Serbia 33.59%.

Një pjesë e madhe e shqiptarëve – 48.94% – punojnë si “skilled workers”, në profesione teknike dhe zanatçinj, si ndërtimi, mekanika, instalimet ose profile që kërkojnë arsim profesional. Edhe pse kjo tregon një nivel më të lartë formimi, pjesëmarrja në role të specializuara mbetet e ulët krahasuar me standardet e vendeve të BE-së.

Në kategoritë më të larta profesionale, përfaqësimi i shqiptarëve është i kufizuar: vetëm 4.54% punojnë si “specialistë”, ndërsa 5.53% si “ekspertë”, kategori që përfshijnë profesionistë me arsim të lartë, si inxhinierë, mjekë, infermierë të kualifikuar, IT ose ekspertë financiarë.

Në total, 89.78% e shqiptarëve në Gjermani janë të punësuar në dy kategoritë më të ulëta të aftësive — “helper” dhe “skilled worker”. Kjo e vendos Shqipërinë pas vendeve të tjera të Ballkanit, si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë përqindje më të larta të punëtorëve të kualifikuar dhe specialistëve.

Sipas raportit, ky profil i fuqisë punëtore shqiptare pasqyron një kërkesë të lartë të tregut gjerman për punë bazë, por edhe mungesën e një baze të gjerë profesionistësh të kualifikuar nga Shqipëria. Në plan afatgjatë, kjo situatë krijon sfida për tregun e punës në Shqipëri, duke rritur rrezikun e mungesës së profesionistëve në sektorë kyç, ndërsa për Gjermaninë nënkupton vazhdimin e varësisë nga emigracioni.

Hungaria refuzon të pranojë emigrantë, sfidon mekanizmin e solidaritetit të BE-së

Hungaria ka bërë të qartë se nuk do të zbatojë mekanizmin e solidaritetit të Bashkimit Evropian dhe nuk ka ndërmend të pranojë asnjë emigrant të vetëm, sipas deklaratave të një zyrtari të lartë qeveritar të raportuara nga mediat hungareze.

Gergely Gulyas, shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban, e përsëriti këtë qëndrim gjatë një konference për shtyp në Budapest, duke rikujtuar kundërshtimin e qeverisë së djathtë ndaj politikave migratore të BE-së.

Së fundmi, ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së ranë dakord për një mekanizëm solidariteti që parashikon shpërndarjen e emigrantëve midis vendeve anëtare. Shtetet që nuk duan të pranojnë refugjatë mund të ofrojnë ndihmë financiare ose materiale si alternativë. Plani pritet të hyjë në fuqi në qershor 2026.

Gulyas theksoi: “Ne nuk do ta zbatojmë paktin e migracionit” dhe shtoi se BE-ja nuk ka autoritet të vendosë se me kë duhet të jetojnë hungarezët. Ai kujtoi referendumit e vitit 2016, në të cilin votuesit refuzuan shpërndarjen e detyruar të emigrantëve, megjithëse pjesëmarrja nuk arriti 50% e nevojshme për të qenë e vlefshme.

Referendumi u zhvillua pas krizës së refugjatëve të vitit 2015, kur Hungaria ngriti tela me gjemba përgjatë kufijve me Serbinë dhe Kroacinë për të ndaluar migracionin. Kryeministri Orban ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me Komisionin Evropian për politikën e tij kufizuese të azilit.

Reagimi i Komisionit Evropian

Gjykata e Drejtësisë e BE-së gjobiti Hungarinë në 2024 për shkelje të ligjit evropian të azilit, duke vendosur një gjobë prej 200 milionë eurosh dhe 1 milion euro në ditë për mosrespektim. Gjykata vuri në dukje pezullimin e praktikës së azilit dhe ndalimin e paligjshëm të azilkërkuesve.

Komisioneri i BE-së për migracionin, Magnus Brunner, deklaroi për ZDF se pjesëmarrja e Hungarisë do të ishte e dobishme, pasi një sistem evropian i migracionit do të sillte përfitime për të gjitha vendet. Ai shtoi se çdo shtet që dëshiron të jetë pjesë e BE-së duhet të respektojë vendimet e tij.

Kurti: Të akuzuarit për sulmin në Iber-Lepenc ishin pjesë e strukturave ilegale serbe

Kryeministri në detyrë i Kosovës,  Albin Kurti, ka njoftuar përmes Facebook-ut se personat e akuzuar për sulmin në Iber-Lepenc ishin të lidhur me strukturat ilegale të Serbisë.

Ai thekson se integriteti territorial, sovraniteti i shtetit dhe sundimi i ligjit për të gjithë qytetarët janë vlera jetike për të cilat angazhohen pa pushim dhe për të cilat nuk do të ndalen kurrë.

Gjykata Federale mbështet ndalimin e debateve politike në shkollat e Vaudit, por me kufizime

Gjykata Supreme Federale ka refuzuar ankimimin e deputetëve dhe mësuesve kundër ndalimit të debateve politike në shkollat e kantonit Vaud.

Ky ndalim nuk është absolut. Ai vlen vetëm për debatet që lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet, si ato për kandidatë ose parti, gjatë 10 javëve para zgjedhjeve, me qëllim të shmangë ndikimin tek nxënësit gjatë fushatës. Debatet mbi çështje qytetare ose temat politike të përgjithshme mbeten të lejueshme.

Vendimi i Gjykatës Federale thekson se udhëzimi i autoriteteve arsimore është një dokument administrativ që sqarojnë shkollat mbi neutralitetin dhe ndalimin e propagandës, dhe nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të përgjithshme nga gjykatat. Vetëm një refuzim konkret i një shkollë për të lejuar një debat zgjedhor mund të apelohet.

Deputeti Yannick Maury, një nga kundërshtarët, kritikoi vendimin duke thënë se ai “dobëson mësimin e qytetarisë” dhe e bën të vështirë organizimin e debateve të kundërta në vitet me zgjedhje. Kundërshtarët planifikojnë të vazhdojnë betejën përmes mocioneve që kërkojnë rivendosjen e debateve në çdo kohë në shkolla.

 

Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja

Administrata amerikane nën Presidentin Donald Trump synon të shkëpusë Austrinë dhe tre shtete të tjera nga Bashkimi Evropian, sipas një raporti mediatik.

Siç raportoi platforma Defense One, duke cituar një version më të gjatë dhe të pabotuar më parë të strategjisë së re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, Austria, Hungaria, Italia dhe Polonia janë renditur si vende me të cilat Shtetet e Bashkuara “duhet të punojnë më ngushtë… me qëllim largimin e tyre nga (Bashkimi Evropian)”.

Gazetat Die Presse dhe Der Standard gjithashtu raportuan për dokumentin, transmeton albinfo.ch.

Bazuar në premisën se Evropa përballet me një “zhdukje qytetëruese” për shkak të politikave të saj të imigracionit dhe “censurës së shprehjes së lirë”, dokumenti strategjik propozon që Shtetet e Bashkuara të përqendrojnë marrëdhëniet e tyre në Evropë në një numër të kufizuar kombesh me qeveri dhe lëvizje me mendje të ngjashme – me sa duket të djathta.

Strategjia e sigurisë kombëtare e cituar vazhdon: “Dhe ne duhet të mbështesim partitë, lëvizjet, si dhe figurat intelektuale dhe kulturore që kërkojnë sovranitet dhe ruajtjen/rivendosjen e mënyrave tradicionale evropiane të jetesës… duke mbetur pro-amerikane”.

“Bëjeni Evropën përsëri të Madhe”

Sipas Defense One, administrata Trump dëshiron ta “bëjë Evropën përsëri të madhe”, ndërsa u bën thirrje anëtarëve evropianë të NATO-s të heqin dorë nga mbështetja ushtarake amerikane.

Strategjia e sigurisë së SHBA-së shkaktoi debat të nxehtë në Këshillin Kombëtar Austriak të mërkurën. NEOS përdori një seancë të posaçme për Evropën për të kritikuar ashpër FPÖ-në dhe atë që ata e përshkruan si “bashkëpunëtorë” të tjerë të Presidentit rus Vladimir Putin. Tani është momenti për të zgjedhur një Evropë më të fortë dhe më të sigurt në vetvete, tha Ministrja e Jashtme Beate Meinl-Reisinger (NEOS).

Udhëtimet më magjike me tren

Sezoni i dimrit në Evropë do të thotë peizazhe si kartolina, drita vezulluese, tregje festive dhe një ritëm më i qetë për të shijuar fundvitin.

Dhe pak gjë e fut njeriun më shpejt në atmosferën e festave sesa një udhëtim i ngadaltë, panoramik dhe i rehatshëm me tren. Këto linja të veçanta dimërore ofrojnë luks, aventurë dhe një mënyrë të ngadalësuar udhëtimi, shkruan Euronews, transmeton albinfo.ch.

Santa Claus Express

Një nga udhëtimet më magjike të fundvitit, ky tren finlandez nis çdo mbrëmje nga Helsinki dhe udhëton drejt veriut, përmes liqeneve të ngrira e pyjeve të mbuluar me borë, deri në Rovaniemi, brenda Rrethit Arktik.

Disa pasagjerë me fat mund të shohin edhe Dritat e Veriut, të cilat këtë vit janë më të dukshme falë aktivitetit të lartë diellor.

Në mëngjes, treni mbërrin në Lapland, “qytetin zyrtar të Santa Claus”, me ndalesa në Kolari dhe Kemijärvi. Udhëtarët mund të vizitojnë Santa Claus Village, të stampojnë pasaportën me vulën e Rrethit Arktik dhe të dërgojnë letra.

Espresso Monaco

Ky tren nate me tematikë festive lidh Romën me Mynihun gjatë dhjetorit, duke krijuar një mënyrë nostalgjike për të përjetuar tregjet e Krishtlindjes.

Në bord ofrohen dekorime, muzikë live dhe darka festive. Ndalesat përfshijnë Verona, Trento, Bolzano, Bressanone dhe Innsbruck, përpara se treni të mbërrijë në Mynih. Shërbimi ofrohet vetëm gjatë dy fundjavave të dhjetorit.

Bergen Railway

Një tjetër klasik dimëror, linja Bergensbanen e Norvegjisë udhëton rreth 500 km nga Oslo në Bergen, duke kaluar 180 tunele dhe disa nga lartësitë më mbresëlënëse të kontinentit.

Udhëtimi ofron pamje të magjishme: fusha me borë, ujëvara të ngrira, male të thepisura, fjorde të thella dhe fshatra përrallorë.

Pikat kryesore janë pllaja Hardangervidda, stacioni i lartë Finse dhe resorti i skijimit Geilo. Në Myrdal, udhëtarët mund të lidhen me linjën e famshme Flåm.

Golden Eagle Danube Express

Për dashamirësit e tregjeve të Krishtlindjes, ky tren luksoz është zgjedhja ideale. Itinerari dimëror mes Budapestit dhe Munihut përfshin Vjenën, Alpet austriake dhe Salzburgun.

Paketa përfshin dy netë në hotel me pesë yje, darka mirëseardhjeje, guida, degustime dhe aktivitete tradicionale si karroca me kuaj në Vjenë dhe koncert me këngë festive.

Një itinerar tjetër, Grand Alpine Express, kalon nëpër Austri, Slloveni, Zvicër dhe Italinë veriore, me ndalesa në Cyrih, St. Gotthard, Liqenin Como, Trieste, Lubljanë, Postojna dhe Venecia.

Glacier Express

Një nga udhëtimet hekurudhore më ikonike të Zvicrës, i quajtur “treni ekspres më i ngadaltë në botë”. Itinerari Zermatt–St. Moritz zgjat tetë orë dhe përshkon 91 tunele e 291 ura, me pamje të pabesueshme të Alpeve zvicerane, liqeneve akullnajore dhe kanioneve të thella.

Ndalesat kryesore përfshijnë Oberalp Pass, Rhine Gorge (i quajtur “Grand Canyon-i zviceran”) dhe viaduktin Landwasser, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Anulohet shërbimi i planifikuar i trenit të natës midis Zvicrës dhe Suedisë

Plani ambicioz i SBB-së për itinerarin 1,400 km të gjatë, i cili do të ndalonte në pesë qytete gjermane dhe pesë daneze midis Bazelit dhe Malmö-s, tani është prishur.

Që nga fillimi, projekti varej nga mbështetja financiare nga qeveria federale, e cila planifikonte të kontribuonte afërsisht 47 milionë franga (50 milionë euro) deri në vitin 2030 për trenin – me kusht miratimin parlamentar.

Megjithatë, më 9 dhjetor, deputetët e Këshillit Kombëtar – pas një veprimi të ngjashëm nga Këshilli i Shteteve – votuan për të tërhequr 10 milionë franga (10.6 milionë euro) nga buxheti federal i caktuar për këtë qëllim.

Pa këto para, operimi i trenit në këtë linjë nuk do të ishte ekonomikisht i qëndrueshëm për SBB-në, duke e shtyrë kompaninë të anulonte planin, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Shpenzime ‘të papranueshme’

Shumica e ngushtë e deputetëve që votuan kundër projektit argumentuan se ky tren nuk është një “prioritet strategjik” për Zvicrën dhe për këtë arsye është “e papranueshme që taksapaguesit ta paguajnë atë përmes taksave të tyre”.

“Kjo do të përbënte hedhjen e parave publike në kosh për të financuar një shërbim nga i cili Zvicra nuk do të nxjerrë praktikisht asnjë përfitim të prekshëm”, tha deputeti Yvan Pahud nga Partia Popullore Zvicerane.

Kolegu i tij, Didier Calame, shkoi edhe më tej në kritikat e tij ndaj trenit të planifikuar.

“A nuk mendoni se shpenzimi i 10 milionë frangave për të shkuar në Suedi për të parë biondet e bukura është shumë para për taksapaguesit?” pyeti ai.

‘E pakuptueshme dhe e papërgjegjshme’

Mbështetësit e linjës së planifikuar kritikuan menjëherë tërheqjen e fondeve nga parlamenti. Midis tyre, Shoqata e Transportit dhe Mjedisit (ATE), theksoi se trenat e natës luajnë një rol kyç në transportin ndërkombëtar, pasi ofrojnë një alternativë ‘më të gjelbër’ ndaj fluturimeve të shkurtra dhe të mesme, të cilat janë burime kryesore të emetimeve të dëmshme të CO2.

Një organizatë tjetër, actif-trafiC, e cila promovon politikat mjedisore për transportin publik, e quajti vendimin e Parlamentit “krejtësisht të pakuptueshëm dhe të papërgjegjshëm” në dritën e krizës klimatike.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Pa fonde federale, planet për trenin e ri tani janë prishur.

Megjithatë, actif-trafiC tha se do të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve në pranverë për “iniciativën e saj për transport publik efikas”, e cila synon të garantojë financimin qeveritar për shërbimet hekurudhore ndërkufitare dhe bileta të përballueshme.

Nëse keni blerë tashmë bileta për trenin Bazel-Malmö, mund t’i kërkoni SBB-së t’ju rimbursohen paratë.

Kush e solli lahutën para OKB-së në Gjenevë

Mirishahe Limani Hiler

Brahim Gjaferaj nga Rugova është një ndër të rinjtë e Kosovës që është larguar nga atdheu para tridhjetë viteve, por jo vetëm.

Ai në zemër të Gjenevës solli veshjet kombëtare të Rugovës, çiftelinë e sharkinë, solli motivet burimore të valleve të Rugovës.

Braha, siç e quajmë ne miqtë e tij, nuk e kishte harruar as lahutën e bjeshkëve krenare të Rugovës.

Gjithmonë Braha ishte i pranishëm aty ku kërkohej prezantimi i kulturës shqiptare.

Ai kultivoi për dekada e me shumë pasion trashëgiminë kulturore mu ashtu siq e kishte marrë nga të parët e tij.

Me Brahen njihemi prej më shumë se dy dekada. Ishte ndër të rinjtë më të përkushtuar në aktivitetet kulturore përderisa unë punoja si animatore sociokulturore në Universitetin popullor shqiptar e më pas në qendrën rinore Rinia Kontakt.

Gjithmonë i gatshëm në përkrahje të promovimit të vlerave kulturore shqiptare, Braha punonte punë të rënda si shumë mërgimtarë por, në mbrëmje dhe vikendeve, ai ishte ndër të parët që respektonte orarin e aktiviteteve, njeri motivues dhe me një diciplinë të rrallë. Madje nuk kursente as të ardhurat e tij financiare që i fitonte me shumë djersë kur kishim të realizonim projekte kulturore edhe jashtë kantonit të Gjenevës.

Një dashuri e madhe e përshkruante karakterin e tij djaloshar për etnomuzikologjinë shqiptare. Gjithmonë ishte këmbëngulës dhe mbronte me xhelozi melosin kombëtar.

Në vallet dhe meloditë e tij rugovase nuk lejonte ndërhyrje e modifikime. Idhnak në kuptimin pozitiv, Braha mbronte me shpirt trashëgiminë kulturore të vendlindjes së tij.

Ai e kishte shumë të qartë se Lahuta ishte simbol i kulturës shqiptare edhe kur disa të tjerë e cilësonin Brahën e Lahutën e tij « bjeshkatar të prapambetur »!

Braha gjithnjë ishte aty ku e kërkonte vendi për prezantimin e kulturës shqiptare ndonëse nuk i jepnin hapësirën që ai meritonte.

Braha e dinte mirë se Lahuta nuk ishte vetëm një vegël muzikore por ajo është kujtesë kolektive, epikë, identitet dhe frymëmarrje historike shqiptare.

Atyre që nuk e njihnin Lahutën, Braha ua sqaronte me një definicion teknikisht të thjesht: « Lahuta është një instrument kordofon me një tel të vetëm, i cili luhet me një hark të vogël (si tek violina).

Zakonisht është prej druri arre, thane apo panje, e zbukuruar me motive tradicionale, shpesh me kokën e një zogu, kalorësi apo kaprolli. Në vendlindjen time pothuajse të gjithë e kishim këtë vegël brenda kullave tona si pjesë e pandashme e thesarit malësor dhe ajo nuk guxohej të prekej pa leje».

Artisti i bjeshkëve të Rugovës në Gjenevë edhe më të rinjëve të lindur në mërgatë ua sqaronte me krenari se si « Lahuta ka qenë instrumenti shoqërues i këngeve epike që përdorej në këngët e kreshnikëve, në trimëritë dhe betejat historike, në këngët tek legjendat e maleve, kur u këndohej veprave të heronjve. »

Edhe në Gjenevë Braha ëndërronte, sa herë merrte Lahutën, në sytë e tij shfaqeshin bjeshkët e Rugovës. Ndonëse i ri në moshë, ai hynte e këndonte në petkun e lahutarit, që zakonisht ishte një burrë i moshuar që mbante gjallë historinë e brezave përmes këngës me një zë të lartë e të qëndrueshëm, ritëm të ngadaltë, intonacion të ngjashëm me recitimin epik.

Sot kur po flasim për Lahutën e cila po përjeton një rilindje si pjesë e traditës epike të këngëve kreshnike në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, Lahuta po përdoret edhe nga artistë bashkëkohorë, shfaqet në skenë dhe ekspozita, studiohet si pjesë e etnomuzikologjisë dhe ajo vazhdon të jetë një nga simbolet më të forta të identitetit shqiptar.

Duke e njohur mirë rolin e lahutës, që ishte simbol i burrërisë, nderit, besës, qëndresës,

dhe kujtesës së popullit, këtë vit Brahim Gjaferaj, në Ditën ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë më 30 gusht, e në përkujtim të të gjithë atyre që u kidnapuan e janë zhdukur me dhunë edhe gjatë luftës në Kosovë, në mënyrën më dinjitoze të mundshme, ai para Organizatës së Kombeve të Bashkuara ( OKB-së) në Gjenevë, ka hapur, me Lahutën e tij manifestimin përkujtimor « Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë « . Manifestim ky që ishte nderuar nga autoritetet gjenevase, komunitete të shumta që jetojnë në këtë kanton dhe me një pjesëmarrje të zëshme nga Republika e Kosovës të përfaqësuar nga Komisioni qeveritar për të zhdukurit me dhunë dhe Zyra për krime të rënda të luftës.

Para se të shkruhet historia, Brahimi thotë se lahuta përcjellë zërin e saj të shenjtë, duke e treguar historinë tonë aty ku jemi.

Le të vazhdojë të çmohen artistët e popullit dhe pasuria jonë kulturore kombëtare.

 

Bazeli mban primatin si tregu më i bukur i Krishtlindjeve në Zvicër

Zvicra ofron tregje të magjishme Krishtlindjesh, por Bazeli qëndron kryesor. CNN e renditi tregun e tij në listën e 22 më të bukurve në botë, duke e cilësuar si “më i madhi dhe ndoshta më i miri.” Ai shtrihet në Barfüsserplatz dhe Münsterplatz, me rreth 150 stenda që ofrojnë dekorime artizanale dhe delikatesa rajonale, përcjell albinfo.ch.Tregje të tjera kryesore:

Cyrih ka pesë tregje festive në qytet, me pemë të zbukuruara, dhurata dhe ushqime.

Bern: Sternenmarkt: 80 kabina druri, fondue, raclette dhe aktivitete për fëmijë.

Lausanne: Bô Noël: Tregje të shpërndara në vendet kryesore të qytetit, me blerje, ushqime dhe aktivitete festive.

Montreux Noël: Atraksione pranë liqenit dhe aktivitete speciale në Kalasë Chillon.

Lugano: Sheshi Piazza della Riforma ofron muzikë, dekorime dhe festë për Vitin e Ri.

Paralajmërim për partitë nga Ambasada Gjermane: Respektoni ligjin në diasporë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka dalë me një njoftim zyrtar drejtuar partive politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, të paralajmëruara për më 28 dhjetor, duke sqaruar rregullat që vlejnë për aktivitetet zgjedhore në territorin gjerman, transmeton albinfo.ch.

Në njoftim thuhet se, për shkak të pranisë së madhe të diasporës kosovare në Gjermani, nuk lejohen organizime të fushatës zgjedhore nga zyrtarë apo subjekte të huaja në territorin gjerman, në një periudhë më të shkurtër se tre muaj para ditës së zgjedhjeve.

“Duke pasur parasysh se kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, organizimet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se tre muaj para zgjedhjeve”, thuhet në reagimin zyrtar të ambasadës.

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë pritet të nisë më 17 dhjetor dhe të përfundojë më 27 dhjetor. Paralajmërimi i ambasadës synon të sigurojë respektimin e kuadrit ligjor të Gjermanisë dhe parimeve të neutralitetit në proceset zgjedhore, veçanërisht në raport me aktivitetet në diasporë.

Ky njoftim konsiderohet si një thirrje për transparencë, respektim të ligjit dhe shmangie të shkeljeve që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor jashtë territorit të Kosovës./Albinfo.ch

Mblidhet KQZ-ja, pritet certifikimi i kandidatëve dhe listës votuese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku një nga pikat kryesore pritet të jetë rekomandimi për certifikimin e kandidatëve të subjekteve politike të miratuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të KQZ-së, në rend dite është edhe certifikimi i listës së votuesve brenda dhe jashtë vendit, si dhe çështje të tjera të rëndësishme që lidhen me organizimin e procesit zgjedhor.

Po ashtu, pritet të shqyrtohen edhe rekomandimet për qendrat e votimit dhe numrin e vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ky është rendi i ditës, i plotë:

2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për certifikimin e kandidatëve të subjekteve politike që janë certifikuar për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 28.12.2025.

3. Këshillat e KQZ;

3.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore;

3.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Rekomandimit për qendrat e votimit dhe numrin e vendvotimeve në Përfaqësi Diplomatike

3.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i specifikimeve për materialet e posaçme për votuesit e verbër, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen me 28.12.2025.

3.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i numrit maksimal të votuesve në vendvotime të rregullta, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.

3.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i numrit të vendvotimeve në qendrat e votimit me kusht, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.

3.1.5. Certifikimi i Listës së Votuesve, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 28.12.2025.

3.1.6. Shqyrtimi dhe miratimi i ekzemplarit (pre print) të fletëvotimit si dhe numrit të fletëvotimeve që shtypen për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen me 28.12.2025.

3.1.7. Shqyrtimi dhe miratimi i procedurës se pranim – dorëzimit te materialeve zgjedhore nga KVV ne QKN

3.1.8. Shqyrtimi dhe miratimi i listës së QKN- së

3.1.9. Shqyrtimi i rekomandimit për ndërrim e lokacionit te qendrës se votimit 2201 ne Komunën e Shtimes

3.1.10. Shqyrtimi dhe miratimi i procedurës se votimit për persona me nevoja te veçanta (VPNV)

3.2. Këshilli për Çështje Ligjore;

3.2.1. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal sipas komunave (Ferizaj, Gjakove, Podujevë);

3.Të ndryshme.