Në Shkupi mblidhen liderët e BE-së dhe BP-së

Në Shkup janë mbledhur liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka publikuar fotografi nga pritja e tyre, duke thënë se “këtë rast do ta shfrytëzojë për të lobuar për interesat dhe politikat e Maqedonisë”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jenë ndër folësit kryesorë në samitin dyditor në Shkup.

Ngjarja bën bashkë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian për të diskutuar zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin.

Ky takim i nivelit të lartë synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik, të nxisë reformat dhe të përshpejtojë integrimin e vendeve të rajonit drejt Tregut të Përbashkët Rajonal, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.

Pjesa kryesore e samitit zhvillohet më 1 korrik në hotelin “Hilton Double Tree”, ku do të analizohen progresi dhe sfidat e Planit të Rritjes, si dhe do të shqyrtohen propozime për iniciativa të reja që synojnë fuqizimin ekonomik të rajonit përmes bashkëpunimit rajonal. Programi përfshin dy panele diskutimi dhe do të përmbyllet me një drekë zyrtare dhe një konferencë për shtyp.

Sot në Zubin Potok po vendoset gurthemeli i stacionit të ri policor

Sot me fillim nga ora 09:00 në Zubin Potok, po mbahet ceremonia solemne e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e stacionit të ri policor.

Njoftimi u bë ditën e djeshme nga Policia e Kosovës.

Investimi në fjalë është përpjekje për të përmirësuar sigurinë dhe praninë policore në këtë rajon.

“Ky stacion policor do të forcojë prezencën e Policisë në Zubin Potok dhe do të përmirësojë sigurinë për qytetarët,” thuhet ne njoftim.

Lajmi në përditësim…

Gjermani: Mërgimtari keqtrajton 17 vjeçaren nga Kosova

Mediat e Kosovës raportojnë për një rast të rëndë të dhunës në familje që është paraqitur në Policinë e Kosovës nga një e re nga fshati Shalë, e cila ka denoncuar të fejuarin për dhunë dhe keqtrajtim që dyshohet të ketë ndodhur në Gjermani, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se viktima K. SH., 17-vjeçare, është paraqitur më 30 qershor 2025, rreth orës 14:30, në Stacionin Policor, ku ka deklaruar se gjatë dy vizitave që kishte bërë tek i fejuari F. S., 18-vjeçar, në Gjermani, kishte përjetuar dhunë psikike dhe fizike.

Referuar deklaratës së saj, dhuna kishte nisur në muajin mars, kur kishte shkuar për herë të parë tek i fejuari, ndërsa përshkallëzimi kishte ndodhur më 19 maj, kur ishte keqtrajtuar fizikisht gjatë qëndrimit të dytë në shtëpinë e tij.

E mitura ka pranuar trajtim mjekësor pas kthimit në Kosovë, ndërsa me urdhër të Prokurorit Kujdestar për të Mitur është iniciuar rasti penal për veprën “Dhunë në familje” dhe hetimet janë në zhvillim.

Meqenëse i dyshuari nuk gjendet në Kosovë, autoritetet kanë urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme për sigurimin e pranisë së tij dhe për ta intervistuar lidhur me akuzat.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar me detaje të reja për këtë rast.

Londër: Shqiptarja zgjidhet nxënësja më e mirë për vitin 2025, ftohet nga pesë universitete botërore

Duket se sukseset e të rinjve shqiptarë jashtë vendit vijojnë të jenë një frymëzim i veçantë, shkruan albinfo.ch.

Një nga shembujt më të fundit është Nikol Nelo, një vajzë shqiptare që është shpallur nxënësja më e mirë e vitit 2025 në një nga institucionet më të njohura arsimore në Londër, “Shkolla e Ekonomisë”.

Përmes këtij vlerësimi të jashtëzakonshëm, ajo ka fituar një bursë të veçantë që i jep mundësinë të ndjekë studimet e larta në pesë nga universitetet më prestigjioze në botë.

Vlen të theksohet se ky privilegj u jepet vetëm nxënësve ekselentë, të cilët dallohen për përkushtimin, arritjet dhe potencialin e tyre akademik.

Rezultati i Nikolit nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi e talentit, punës së palodhur dhe përfaqësimit dinjitoz të rinisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Suksesi i saj është një motivim për gjithë të rinjtë që synojnë të arrijnë lartësitë e dijes dhe të ndikojnë pozitivisht në shoqëri. /albinfo.ch

Talenti nga diaspora ëndërron të luajë për Kosovën A

14-vjeçari Argjend Kosumi është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës, në grumbullimin që bëri me futbollistë të rinj nga Diaspora në Kampin Nacional në Hajvali.

Kosumi ka treguar përshtypjet rreth këtij kampi.

Ai tregoi që është kombinuar menjëherë me bashkëlojtarët, edhe përmes gjuhës gjermane nga vjen ai, raporton Klan Kosova, transmeton albinfo.ch.

Futbollisti 14-vjeçar tha se në të ardhmen pret që të marrë ftesë edhe nga Kombëtarja A e Kosovës, ndonëse thotë se ka një rrugëtim të gjatë deri aty.

Në këtë kamp janë përfshirë edhe lojtarë të grupmoshave U15, U16 dhe U17, ndërsa plani sipas FFK-së është të përfshihen në ekipet zinxhirë të Kombëtares së Kosovës.

Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar edhe këtë vit grumbullimin treditor me futbollistë nga Diaspora në Kampin Nacional në Hajvali.

Ky kamp përfshin lojtarë të grupmoshave U15, U16 dhe U17 dhe është pjesë e planit vjetor të punës për identifikimin dhe përfshirjen e talenteve të rinj në ekipet zinxhirë të Kombëtares së Kosovës.

Gjeneva lancon aplikacion për të mbrojtur punëtorët nga vapa ekstreme

Me ardhjen e temperaturave përvëluese, shumë punëtorë që punojnë në ambiente të hapura, si në kantierë ndërtimi, rrezikohen seriozisht nga vala e të nxehtit. Për këtë arsye, Gjeneva ka krijuar një aplikacion inovativ që ndihmon kompanitë të mbrojnë punëtorët gjatë orëve më të nxehta.

Në Gjenevë, punëtorët e ndërtimit marrin pushime 15-minutëshe çdo orë dhe kanë gjithmonë ujë të freskët pranë, si masë mbrojtëse ndaj vapës së madhe. Megjithatë, që nga vera e kaluar, kantoni ka lançuar aplikacionin MeteoAtWork, i cili u rekomandon kompanive masat që duhet të marrin në ditët me rrezik të lartë për shëndetin.

Ky aplikacion tregon nivelin e stresit termik në kohë reale dhe këshillon për oraret e punës apo pushimeve shtesë. Në disa raste ekstreme, rekomandohet edhe ndërprerja e punës për të ruajtur shëndetin e punëtorëve, transmeton albinfo.ch.

Aplikacioni është zhvilluar pas verës përvëluese të vitit 2023, në bashkëpunim me punëdhënësit, sindikatat dhe organet inspektuese. Megjithatë, sindikata Unia shprehet se shumë kompani ende nuk e përdorin aplikacionin dhe nuk ua kanë shpërndarë punëtorëve.

Përveç ndërtimit, MeteoAtWork synon edhe profesione të tjera që punojnë në diell të drejtpërdrejtë, si kopshtarët apo punëtorët e zhvendosjeve. Në qershor 2025, aplikacioni u përditësua me sektorë dhe aktivitete të reja profesionale.

Ndërkohë, vala e të nxehtit në Zvicër vazhdon, me temperatura që nuk priten të bien nën 20°C gjatë natës, madje as pas reshjeve të dendura. Meteorologët parashikojnë një situatë të ngjashme edhe për ditët në vijim.

Jashari i vendosur të kalojë në Milan

Ardon Jashari është i vendosur për kalimin te Milani, raportojnë mediat italiani.

Drejtori sportiv, Igli Tare ka insistuar për talentin shqiptar, që ka njoftuar Klub Brugge se nuk është i interesuar për ofertat e tjera.

Kuqezinjtë janë të gatshëm të ofrojnë 30 milionë euro plus bonuset. Në fillim dukej se klubi belg do të pranonte, megjithatë më pas rriti kërkesat.

Borusia Dortmund është futur së fundmi në garë për shërbimet e tij. Vetë Jashari po tregohet kyç për të penguar zhvillimet e tjera.

Samuele Ricci dhe Luka Modriq do të jenë pjesë e mesfushës në edicionin e ardhshëm. Në rast se Jashari konkretizohet, atëherë mund të konsiderohet arritje.

 

Plazhet më të qeta dhe magjepsëse në Shqipëri sipas medias italiane

Nëse po planifikoni të kaloni pushimet tuaja verore në bregdetin shqiptar, duhet të dini se ka plazhe që konsiderohen të vërteta perla të natyrës. Turistët po zbulojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë si një nga destinacionet më të preferuara të verës, falë detit të pastër kristal dhe plazheve të ndryshme për çdo preferencë.

Një avantazh tjetër është afërsia me Italinë, që e bën udhëtimin të lehtë, ndërsa gjuha italiane kuptohet gjerësisht.

Nëse doni të përjetoni qetësinë larg turmave, ja disa prej plazheve më të fshehura që “Si Viaggia” sugjeron për pushimet tuaja:

Gjipë: plazhi mes kanioneve
I vendosur në Rivierën Shqiptare, Plazhi i Gjipësë mbetet më pak i frekuentuar sesa Dhërmiu apo Ksamilit. Arsyeja është se për të arritur atje, duhet të ecni rreth 40 minuta nga vendparkimi më i afërt. Rruga është e mirë, por kërkon këpucë të përshtatshme. Rëra dhe gurët e vegjël të bardhë, të kombinuar me ujin e bruztë të kristaltë, krijojnë një pamje mahnitëse në fund të kanionit, larg çdo zhurme.

Livadh: qetësi në pjesën veriore
Livadhi është i njohur, por pjesa e tij veriore mbetet më e qetë, pasi atje nuk ka shumë resorte. Nëse largoheni nga zona qendrore e mbipopulluar dhe ecni drejt veriut, do të gjeni ambiente të paprekura dhe detin e pastër kristalor.

Akuariumi: plazhi i fshehur i aksesueshëm nga deti
Ky plazh i vogël, pranë Livadhit, quhet “Akuariumi” për shkak të ujërave jashtëzakonisht të tejdukshme. Më lehtë arrihet me varkë dhe mbetet një nga vendet më romantike për të shijuar lindjet dhe perëndimet e diellit.

Pasqyra: rërë që reflekton si pasqyrë
I vendosur mes Sarandës dhe Ksamilit, ky plazh merr emrin nga drita që reflektohet fuqishëm mbi rërën e bardhë, duke krijuar një ndriçim të veçantë. Nuk ka aq shumë vizitorë sa Ksamilit, por ofron pamje spektakolare të Korfuzit dhe perëndime dielli magjike.

Borshi: plazhi më i gjatë shqiptar
Me një vijë bregdetare prej rreth 7 kilometrash, Plazhi i Borshit ofron mundësi për t’u larguar nga turmat. Mjafton të ecni pak nga zona me bare dhe restorante për të gjetur qetësinë mes natyrës, ullishtave dhe detit ngjyrë safiri.

Shën Andrea: i mbrojtur brenda Parkut Karaburun-Sazan
Ky plazh i vogël ndodhet në zonën e mbrojtur të Karaburun-Sazan dhe arrihet më së miri me varkë nga Orikumi ose Vlora. Mjedisi i paprekur dhe deti i kthjellët e bëjnë ideal për ata që kërkojnë pushim të plotë në natyrë.

Krorëza: plazhi i artë i aksesueshëm vetëm nga deti
E njohur si një ndër plazhet më të izoluar, Krorëza ka rërë të artë dhe ujë të pastër kristal. Aksesueshme vetëm me varkë nga Porto Palermo, kjo zonë ofron qetësi absolute dhe natyrë të paprekur.

2800 hektarë të djegura nga zjarret në Shqipëri, dëmi ekonomik arrin 16.75 milionë euro

Këtë vit, zjarret në Shqipëri kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 2800 hektarësh pyje dhe kullota, duke shkaktuar një dëm ekonomik të vlerësuar në 16.75 milionë euro, sipas të dhënave të European Forest Fire Information System që monitoron zjarret në Europë.

Sasia më e madhe e zjarreve janë regjistruar në zonat përreth Vlorës dhe Lezhës. Megjithatë, dëmi ekonomik i këtij viti është dukshëm më i ulët krahasuar me vitin 2024, kur zjarret dogjën sipërfaqe të mëdha dhe dëmi ekonomik arriti në rreth 280 milionë euro, një vit që u konsiderua ndër më katastrofikët e dekadës së fundit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po punojnë intensivisht për të parandaluar dhe menaxhuar situatën, duke aktivizuar 64 automjete zjarrfikëse dhe dronë patrullues për monitorim të vazhdueshëm në terren.

Virusi Mpox mund të infektojë qelizat e trurit, zbulojnë studiuesit zviceranë

Një studim i ri nga Universiteti i Bernës tregon se virusi Mpox mund të infektojë edhe trurin e njeriut dhe të dëmtojë qelizat nervore.

Me rritjen globale të rasteve me Mpox, këto rezultate janë me rëndësi të madhe, sipas Universitetit të Bernës dhe Institutit të Virologjisë dhe Imunologjisë (IVI). Studimi tregon se virusi, i njohur më parë si lia e majmunëve, mund të shkaktojë vdekje të qelizave të trurit.

Çfarë tregoi studimi?

Nga analizat e realizuara me organoide të trurit (mini-tru laboratorik të rritur nga qeliza burimore njerëzore), u vu re se virusi Mpox shpërndahej nga një qelizë te tjetra, duke shkaktuar trashje të ngjashme me ato që vërehen te sëmundjet neurodegjenerative si Alzheimer. Këto trashje çojnë më pas në vdekjen e qelizave nervore.

Përdorimi i ilaçit antiviral tecovirimat rezultoi efektiv, pasi uli ndjeshëm ngarkesën virale në organoidet e trurit.

Fakte shtesë mbi Mpox:

  • Sëmundja zakonisht shfaqet me simptoma të ngjashme me gripin dhe puçrra në lëkurë.

  • Nga viti 1985 deri në 2021, rreth 3% e të infektuarve zhvilluan simptoma neurologjike si epilepsi apo encefalit; disa raste përfunduan me vdekje.

  • Shkalla reale e ndikimit të virusit në sistemin nervor qendror ende nuk kuptohet plotësisht.

Ismajli largohet nga Empoli, por mbetet në Itali

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli i ka dhënë fund aventurës me Empolin, por mbetet në Serie A.

Ismajli pritet të kalojë në Torino, raportojnë mediat italiane, përcjell albinfo.ch.

Transferimi i Ismajlit vjen në një moment kur Torino është në kërkim të stabilitetit në mbrojtje dhe shqiptari shihet si një zëvendësues i mundshëm për Saúl Coco, edhe nëse ky i fundit qëndron në klub.

Me përvojën e tij në elitën e futbollit italian dhe rolin lider që ka pasur te Empoli, Ismajli pritet të sjellë siguri dhe fizikalitet në mbrojtjen torineze.

Për klubin dhe tifozët e Torinos, ky është një përforcim me shumë peshë dhe një sinjal i qartë se objektivat për sezonin e ri janë ambicioze.

Klubi i Empolit ka falënderuar Ismajlin dhe disa futbollistë të tjerë, të cilëve ju ka përfunduar kontrata dhe nuk do të jenë pjesë e klubit për edicionin e ardhshëm që do të garojë në Serie B.

 

 

Aksidentet në transportin publik në Zvicër: Më shumë se dyfish i viktimave në 2024 krahasuar me vitin e kaluar

Në vitin 2024, 39 persona humbën jetën në aksidente që përfshinë transportin publik në Zvicër, më shumë se dyfishi i vitit të kaluar kur u raportuan 15 viktima.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, gjysma e viktimave ndodhën në aksidente me tramvajë, autobusë urbanë, rajonalë dhe postarë, ndërsa 19 persona vdiqën në transportin hekurudhor.

Shumica e të vdekurve ishin persona të tretë (34), kurse 3 ishin punonjës të kompanive të transportit dhe 2 pasagjerë. Vetëvrasjet nuk përfshihen në këto shifra. Megjithëse siguria në transportin publik është rritur ndjeshëm në 50 vitet e fundit, kjo rritje e fundit e viktimave shihet si prirje shqetësuese, transmeton albinfo.ch.

Në transportin e mallrave, performanca ra në nivelin më të ulët që nga 2009, me metalet dhe produktet metalike që mbetën grupi më i transportuar, të ndjekura nga ushqimet dhe produktet e naftës. Në hekurudhat speciale, si trenat me dhëmbëza apo teleferikët, nuk pati asnjë viktimë.

Rregullat në Gjermani për punën gjatë valëve të nxehtësisë

Me temperaturat që pritet të arrijnë mbi 30 gradë këtë javë në Gjermani, mund të pyesni veten se sa nxehtë është shumë për të shkuar në punë apo edhe për të punuar nga shtëpia? Ja çfarë duhet të dinë punonjësit.

Me temperaturat që pritet të rriten ndjeshëm në Gjermani në ditët në vijim, do të ndjeni sigurisht nxehtësinë në zyrën tuaj këtë javë.

Në Gjermani, shumë ndërtesa, përfshirë zyrat, nuk kanë ajër të kondicionuar. Dhe kur temperaturat rriten jashtë, ato mund të jenë edhe më të larta brenda. Punimi në temperatura të larta mund të ndikojë negativisht në shëndetin e punonjësve dhe në aftësinë e tyre për të kryer detyrat.

Kur temperaturat arrijnë nivele të caktuara, punëdhënësit në Gjermani kanë detyrimin ligjor të ndërmarrin masa për sigurinë e punonjësve. Kjo do të jetë rasti edhe këtë javë.

Më 1 korrik, temperaturat në Berlin pritet të arrijnë 35°C, dhe në të gjithë Gjermaninë, temperaturat do të mbeten mbi 30°C deri në mesjavë. Dhe nuk është vetëm Gjermania që do të përballet me nxehtësi ekstreme. Në Evropën Perëndimore dhe Jugore, temperaturat pritet të ngrihen në 30-35°C, transmeton albinfo.ch.

Ndryshimet klimatike po bëjnë që nxehtësia ekstreme të bëhet normale në Evropë dhe në botë, duke lënë punonjësit dhe punëdhënësit të shqetësuar për mënyrën e punës në këto kushte.

Hitzefrei – pushim për shkak të nxehtësisë

Kur nxehtësia bëhet e padurueshme, vendet e punës mund t’u japin punonjësve “Hitzefrei”, një ditë pushimi për shkak të nxehtësisë. Gjatë kësaj kohe, punonjësit mund të freskohen në liqen apo pishinë, në vend që të qëndrojnë gjithë ditën në zyrë duke u djersitur.

Shkollat gjithashtu mund të vendosin Hitzefrei kur bëhet shumë nxehtë për të zhvilluar mësim. Por vendimi i fundit i takon punëdhënësit ose shkollës, dhe nuk ka të drejtë ligjore për pushim për shkak të nxehtësisë.

Hitzefrei ka qenë temë debati politik në Gjermani. Partia e Majtë propozoi muajin e kaluar mbrojtje më të gjera për punonjësit gjatë temperaturave të larta. Sipas propozimit të tyre, orët e punës duhet të ulen me një të katërtën kur temperaturat kalojnë 26°C dhe me gjysmën kur kalojnë 30°C.

“Nuk mendoj se kushdo mund të punojë me përqendrim dhe në mënyrë efektive në zyrë kur temperatura është 30 gradë Celsius ose më shumë,” tha Jan van Aken për RND. Van Aken, një nga udhëheqësit e Partisë së Majtë, shkroi dokumentin për këtë propozim.

Të Gjelbrit mbështesin këtë propozim, ndërsa CDU/CSU dhe AfD janë kundër. CDU/CSU e ka quajtur propozimin jo realist, ndërsa AfD e cilësoi si populist.

“Çdo kush që mendon se nxehtësinë mund ta luftojë vetëm me kohë të lirë, nuk e kupton se si funksionon vendi ynë,” tha deputeti i Bundestagut, Marc Biadacz (CDU).

Punëdhënësit duhet të ndërmarrin masa kur nxehtësia rritet

Edhe nëse shefi juaj nuk shpall Hitzefrei, rregulloret gjermane të punës detyrojnë punëdhënësit të marrin masa për të mbrojtur punonjësit nga nxehtësia. Në çdo lloj vendi pune — zyre, magazinë apo dyqan — duhet të ketë masa për të zbutur efektet e nxehtësisë.

Nëse temperatura jashtë nuk kalon 26°C, edhe temperatura brenda nuk duhet të kalojë këtë nivel.

Nëse temperatura jashtë kalon 26°C, edhe temperatura brenda mund të rritet, por atëherë punëdhënësit duhet të ndërmarrin masa mbrojtëse. Këto masa përfshijnë përdorimin e perdeve, ventilatorëve, sistemet e ventilimit, lehtësimin e kodit të veshjes, sigurimin e ujit për pije ose ndryshimin e orarit të punës.

Sipas rregulloreve gjermane të punës, një dhomë me temperaturë mbi 35°C nuk është vend i përshtatshëm pune. Nëse puna duhet të vazhdojë në këto kushte, punëdhënësit duhet të sigurojnë masa të veçanta si rroba mbrojtëse, dush me ajër të ftohtë, pushime freskuese dhe ambiente alternative pune.

Regullat teknike për vendet e punës thonë: “Nëse temperatura e ajrit në dhomë kalon +35°C, dhoma nuk është e përshtatshme si vend pune pa masa teknike (p.sh. dush ajri industrial, spërkatje me ujë), masa organizative (p.sh. kohë për të ftohur trupin) ose pajisje mbrojtëse personale (p.sh. rroba mbrojtëse nga nxehtësia), siç është rasti kur punohet në ambiente të nxehta.”

Me fjalë të tjera: punëdhënësit duhet të organizojnë vendin e punës në mënyrë që të shmangen rreziqet për shëndetin. Sistemet e ajrit të kondicionuar, ventilatorët dhe perdeja mund të bëjnë ambientin më të përshtatshëm për klimën.

Punonjësit që punojnë jashtë duhet të qëndrojnë në hije dhe të pijnë mjaftueshëm ujë.

Gjatë nxehtësisë së qershorit 2019, disa punonjës jashtë në Gjermani u këshilluan të fillonin punën më herët në ditë. Për shembull, në Nordrhein-Westfalen, punëtorët e rrugëve që fillonin në 6:45 mund të fillonin në 4:45 për të përfunduar punën më herët dhe për të shmangur nxehtësinë më të madhe.

Çfarë duhet të bëjnë ata që punojnë nga shtëpia

Mbrojtja nga nxehtësia për punonjësit nuk përfshin ata që punojnë nga shtëpia. Punonjësit në distancë duhet të ndërmarrin masa për të mbajtur ambientin e tyre të punës në temperaturë të sigurt.

“Rregullat për sigurinë dhe shëndetin në punë që lidhen me temperaturën në dhomë nuk zbatohen këtu,” tha eksperti i ligjit të punës Meike Brecklinghaus për publikimin gjerman T3N. “Kjo sepse punëdhënësi nuk ka akses direkt në vendin e punës së punonjësit dhe nuk mund të ndërmarrë masa.”

Mënyrat për të mbajtur një apartament të freskët përfshijnë përdorimin e ventilatorëve, mbylljen e perdeve, dhe ventilimin e kryqëzuar, sidomos gjatë orëve më të freskëta të ditës. Nëse orari ju lejon, mund të punoni më shumë në mëngjes ose mbrëmje.

Gjithashtu mund të kërkoni një bibliotekë me ajër të kondicionuar apo një kafe ku mund të punoni me laptopin, nëse doni të dilni nga shtëpia.

Nëse keni ndërmarrë masa për të freskuar vendin e punës, por nxehtësia e bën të pamundur punën, duhet të flisni me shefin tuaj për zgjidhje të mundshme

Bie ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike në Zvicër

Konsumimi i qeseve plastike njëpërdorimshe dhe atyre të ripërdorshme ka pësuar një rënie të theksuar në sektorin tregtar zviceran, njofton Federata Zvicerane e Tregtisë me Pakicë.

Sipas të dhënave të publikuara më 30 qershor 2025, numri i qeseve plastike njëpërdorimshe të shpërndara në Zvicër ka rënë nga 417,781,000 në vitin 2016 në vetëm 51,121,067 vitin e kaluar, që përbën një ulje prej 88%. Po ashtu, konsumi i qeseve plastike të ripërdorshme ka rënë nga 48,846,092 në vitin 2020 në 16,214,871 në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej 65%.

Ky përmirësim i rëndësishëm i situatës i atribuohet marrëveshjeve të nënshkruara në vitet 2016 dhe 2019 mes Komunitetit të Interesit të Tregtisë dhe Federatës Zvicerane të Tregtisë me Pakicë, me qëllim uljen e konsumit të qeseve plastike njëpërdorimshe me 70-80% dhe të atyre të ripërdorshme me 35% deri në fund të vitit 2025, transmeton albinfo.ch.

Federata vëren se këto objektiva janë arritur me sukses dhe konsumimi i qeseve plastike është stabilizuar në nivele të ulëta falë fushatave të ndërgjegjësimit dhe mobilizimit të konsumatorëve.

Edhe pse detyrimi për pagesën e qeseve plastike mbetet në fuqi për të ruajtur arritjet e deritanishme, disa zinxhirë tregtarë si Aldi, C&A, Hornbach, Loeb, Lidl dhe Tchibo kanë ndërprerë plotësisht shpërndarjen e qeseve plastike, edhe në rastin e pagesës.

Për shkak të këtij suksesi të qëndrueshëm, Federata ka vendosur të heqë monitorimin vjetor të konsumit për të lehtësuar barrën administrative për kompanitë anëtare.

Sipas Federatës Zvicerane të Tregtisë me Pakicë, lajmet e fundit në disa media për mundësinë e heqjes së pagesës për qeset plastike janë thashetheme të pavërteta dhe rikthimi i qeseve falas nuk është aspak në diskutim.

Nis rekrutimi veror në Zvicër të rinjtë më pro ushtrisë se më parë

Sot ka nisur shkolla verore e rekrutëve në Zvicër, ku rreth 8,500 rekrutë dhe 2,400 oficerë kanë filluar trajnimet. Sipas Departamentit Federal të Mbrojtjes, 3.4% e pjesëmarrësve janë gra. Interesant është fakti se të rinjtë po tregohen gjithnjë e më shumë pro-ushtrisë.

Studimi i sigurisë 2025 i ETH Zurich tregon se 71% e të rinjve 18-34 vjeç e konsiderojnë ushtrinë të nevojshme, krahasuar me 60% para fillimit të luftës në Ukrainë, transmeton albinfo.ch. Ekspertët thonë se situatat e pasigurta globale po ndikojnë ndjeshëm tek perceptimi i tyre për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare.

 

 

Zvicër: Pesë vite pas rishikimit të ligjit për barazi pagash, rezultatet konsiderohen të pamjaftueshme

Pesë vite pasi kompanitë e mëdha zvicerane u detyruan të analizojnë pagat e tyre nga perspektiva e barazisë gjinore, rezultatet konsiderohen të dobëta. Kështu denoncoi koalicioni kundër diskriminimit në paga gjatë një aksioni simbolik të hënën në Bernë, ku u vendos një tortë e madhe simbolike përpara stacionit të trenit. Megjithatë, atmosfera ishte larg festimeve.

Një grup prej dhjetë grash folën publikisht, duke denoncuar pabarazitë e vazhdueshme në paga, sipas të dhënave të fundit nga Zyra Federale e Statistikave. Pagat e burrave mbeten mesatarisht 16% më të larta se ato të grave, dhe përqindja e pabarazive të pashpjegueshme është rritur vitet e fundit. Konkretisht, në 48% të rasteve, këto diferenca nuk mund të shpjegohen me përvojë, trajnim apo llojin e punës, transmeton albinfo.ch.

Një tjetër vëzhgim shqetësues është se më shumë se gjysma e kompanive të detyruara të kryejnë këto analiza nuk i zbatojnë detyrimet e tyre ligjore.

Thirrje për rishikim të Ligjit për Barazi

Koalicioni kundër diskriminimit në paga, i përbërë nga organizata feministe, sindikale dhe të shoqërisë civile, kërkon rishikimin e Ligjit për Barazi. Për të ilustruar kërkesat, secila pjesë e tortës simbolike përmbante një propozim konkret për ndryshimin e ligjit.

Sipas Valérie Borioli Sandoz, përgjegjëse për politikat e barazisë në sindikatën Travail Suisse, të gjitha kompanitë, pa përjashtim, duhet të jenë të detyruara të analizojnë pagat çdo katër vjet. Ajo thekson se një frekuencë e tillë është e domosdoshme për shkak të lëvizshmërisë së punonjësve, pasi rreth 15% e tyre ndërrojnë kompani çdo vit.

Kartat e reja të identitetit biometrik në Zvicër deri në fund të vitit 2026

Në Zvicër pritet të prezantohet karta e identitetit biometrik deri në fund të vitit 2026. Qëllimi i saj është të mundësojë udhëtimin e lirë të shtetasve zviceranë brenda Bashkimit Evropian.

Çfarë do të përmbajë karta e re?

Ashtu si pasaporta biometrike zvicerane, karta e re do të ketë një çip që ruan dy shenjat e gishtave dhe imazhin e fytyrës. Zyrtarët e Fedpol kanë deklaruar se janë duke punuar me partnerët kantonalë dhe federalë për zhvillimin e saj, transmeton albinfo.ch.

Sa e sigurt është?

Të dhënat biometrike kanë mbrojtje të shtuar. Ato mund të lexohen vetëm nëse karta paraqitet fizikisht, pra leximi në distancë nuk është i mundur. Përveç kësaj, Zvicra lejon akses në të dhënat e gjurmëve të gishtave vetëm për vendet që kanë të njëjtat standarde të mbrojtjes së të dhënave.

Udhëtimi në BE

Nga viti 2021, vendet e BE-së lëshojnë vetëm karta identiteti biometrike. Me prezantimin e kësaj karte, qytetarët zviceranë do të vazhdojnë të lëvizin lirshëm në BE. Nëse marrëveshja e re për Lëvizjen e Lirë hyn në fuqi në vitin 2027, kartat jo-biometrike të lëshuara deri në vitin 2028 do të jenë të vlefshme deri në skadencën e tyre (maksimumi 10 vjet për të rriturit). Pas vitit 2028, kartat jo-biometrike nuk do të lejohen më për udhëtime në BE.

Përdorimi në Zvicër

Do të jetë gjithmonë e mundur të pajiseni me kartë identiteti jo-biometrike për përdorim brenda Zvicrës, siç e parashikon ligji. Ndërkohë, pasaporta biometrike zvicerane mbetet një opsion i vlefshëm për udhëtime ndërkombëtare.

Punësimi i fëmijëve në industrinë e çokollatës nuk kufizohet vetëm te kakaoja

Organizata Ndërkombëtare e Punës raporton se, edhe pse numri i fëmijëve që punojnë globalisht ka rënë nga 160 milionë në vitin 2020 në 137.6 milionë në vitin 2024, 61% e tyre punojnë ende në bujqësi, kryesisht në Afrikën nën-Sahariane, transmeton albinfo.ch.

Industria e çokollatës ka qenë historikisht nën kritika për shfrytëzimin e fëmijëve në kultivimin e kakaos, por rreziqet nuk ndalen me kaq. Përbërës si sheqeri, arrat dhe vanilja lidhen gjithashtu me punën e fëmijëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Fakte kryesore:

  • 27% e shkeljeve të të drejtave të njeriut në zinxhirët ushqimorë lidhen me punën e fëmijëve në fermat e kakaos.

  • Nestlé investon rreth 37 milionë CHF në vit për kakao të qëndrueshme dhe planifikon ta trefishojë këtë shumë deri në vitin 2030.

  • Rreziqe për punë të fëmijëve janë zbuluar gjithashtu në sektorin e lajthive në Turqi dhe në prodhimin e vaniljes.

Një tjetër mutacion i Covid-19 po qarkullon në Evropë, me një simptomë të re dalluese

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një mutacion i ri i Covid-19 i quajtur Stratus (më parë i identifikuar si Xfg) po përhapet me shpejtësi nëpër shtete evropiane, duke zëvendësuar variantin Nimbus. Ky variant ka treguar aftësi më të madhe për t’u shmangur nga antitrupat.

Stratus ishte përhapur fillimisht në Indi gjatë stinës së pranverës dhe një nga shenjat më karakteristike të tij është ngjirja e zërit. Në ndryshim nga variantet e mëparshme, ku humbja e nuhatjes dhe shijes ishte shenjë e zakonshme, pacientët tani raportojnë kryesisht dhimbje fyti, kollë të thatë dhe zë të ngjirur.

Në Britaninë e Madhe, njerëzit e infektuar po ankohen për dhimbje të forta fyti dhe vështirësi në gëlltitje, përveç simptomave të tjera si ethet, lodhja, dhimbjet muskulore dhe bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes.

Sipas të dhënave, përqindja e rasteve me variantin Stratus në Evropë është rritur nga 10.6% në 16.7%, ndërsa në Azinë Juglindore ky variant përbën tashmë 68.7% të rasteve. OBSH-ja apelon për ndërmarrjen e masave të veçanta për të adresuar paqartësitë rreth ndikimit dhe shpërndarjes së këtij mutacioni.

 

Tragjike në Itali: Vajza 9 vjeçare nga Maqedonia humb jetën në lumë

Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunën italiane San Giacomo di Pederobba, pranë Trevisos, ku ditën e djeshme, rreth orës 16:00, ka humbur jetën një vajzë 9-vjeçare me prejardhje nga Maqedonia, raportoi “La Tribuna di Treviso”.

Vajza, A. Islam, banuese në Cavasso del Tomba, ishte në një ekskursion përgjatë lumit Piave së bashku me prindërit e saj, Ihmet dhe Nailën, si dhe me vëllain dhe motrën e saj më të vegjël.

Sipas informacioneve, ajo po luante mbi gurë bashkë me disa fëmijë të tjerë, kur papritur rrëshqiti dhe ra në lumë. Rryma e fortë e ujit e tërhoqi dhe vajza u zhduk para syve të familjes dhe dëshmitarëve, transmeton albinfo.ch.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë ekipet e zjarrfikësve, karabinierët dhe zhytësit. Pas një kërkimi të gjatë dhe të lodhshëm, rreth orës 18:30, zhytësit e njësisë së zjarrfikësve e gjetën trupin e vajzës të bllokuar mes gurëve në lumë.

Kryetari i komunës dhe zëvendësja e tij, thellësisht të prekur nga tragjedia, shprehën ngushëllime të sinqerta për familjen dhe theksuan se autoritetet lokale janë të gatshme të ofrojnë çdo ndihmë të mundshme për familjen në këto momente të vështira.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme njoftoi se në konsullatën e Maqedonisë në Venecia është dorëzuar njoftimi për këtë ngjarje tragjike që ndodhi më 29 qershor.

“Konsullata është në komunikim të rregullt me familjen e të ndjerës, me qëllim përfundimin e të gjitha procedurave të nevojshme administrative për transportimin e mbetjeve mortore në Republikën e Maqedonisë së Veriut,” thuhet në deklaratë.

Rritja e temperaturave rrit rrezikun e zjarreve në disa pjesë të Zvicrës

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është duke kryer një vlerësim rutinë strukturor të urës dhe një studim urbanistik të zonës përreth, duke pasur parasysh kohën e kaluar që nga përfundimi i rivitalizimit të Urës së Mitrovicës.

Nga BE-ja kanë bërë të ditur gjithashtu se autoritetet e Kosovës janë informuar paraprakisht lidhur me këtë.

“Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, por synon të sigurojë që çdo vendim në lidhje me të ardhmen e urës të bazohet në të dhëna teknike të rifreskuara, të sakta dhe objektive,” tha një zëdhënës i BE-së për Klankosova.tv, transmeton albinfo.ch.

Më tej, i bëhet thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar, përfshirë ndërtimin e urave në afërsi, ndërsa kërkohet që të gjitha marrëveshjet e dialogut, përfshirë edhe atë që ka të bëjë me urën, të zbatohen plotësisht.

BE: Autoritetet e Kosovës ishin në dijeni për testimet në Urën e Ibrit

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është duke kryer një vlerësim rutinë strukturor të urës dhe një studim urbanistik të zonës përreth, duke pasur parasysh kohën e kaluar që nga përfundimi i rivitalizimit të Urës së Mitrovicës.

Nga BE-ja kanë konfirmuar gjithashtu se autoritetet e Kosovës janë informuar paraprakisht lidhur me këtë.

“Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, por synon të sigurojë që çdo vendim në lidhje me të ardhmen e urës të bazohet në të dhëna teknike të rifreskuara, të sakta dhe objektive”, tha një zëdhënës i BE-së për Klankosova.tv, transmeton albinfo.ch.

Tutje, i bëhet thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar, përfshirë ndërtimin e urave në afërsi, ndërsa kërkohet që të gjitha marrëveshjet e dialogut, përfshirë edhe atë që ka të bëjë me urën, të zbatohen plotësisht.