Migrantët në Cyrih do të duhet të nënshkruajnë një kontratë integrimi në të ardhmen

Në një mocion të paraqitur në Parlamentin Kantonal, disa parti kërkojnë që refugjatët që vijnë në Cyrih të detyrohen të nënshkruajnë një kontratë integrimi, përcjell albinfo.ch.

Kontrata do t’u kërkonte këtyre migrantëve të angazhohen ndaj parimeve themelore të shoqërisë zvicerane, siç janë të drejtat e barabarta të burrave e grave, si dhe parimi që ligji mbizotëron mbi fenë.

Për më tepër, mësimi i gjermanishtës do të ishte i detyrueshëm.

Marrëveshje të tilla integrimi janë tashmë të parashikuara në Aktin për të Huajt dhe përdoren kur jepen ose zgjaten lejet e qëndrimit.

Sanksionet për mosrespektimin e rregullave ende nuk janë përcaktuar, por humbjet financiare ose tërheqja e së drejtës së qëndrimit janë të mundshme.

 

Presidentja Osmani takon diplomaten amerikane

Sot, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, përcjell albinfo.ch.

Osmani dhe Prattipati, në takim, diskutuan zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe ecurinë e formimit të institucioneve të reja.

“Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në fushat me interes të përbashkët, në veçanti fushën e mbrojtjes, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Frutat dhe perimet e shitura në Zvicër dyshohet se janë të kontaminuara

Gjurmë aditivësh, të përdorur zakonisht në prodhimin e gomave, janë zbuluar në të gjitha kategoritë e frutave dhe perimeve që konsumohen më shpesh në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Kjo del nga një studim i përbashkët i Institutit Politeknik Federal të Lozanës (EPFL) dhe Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarisë (FSVO).

Rezultatet tregojnë se këto ushqime janë të ekspozuara ndaj kimikateve, që vijnë nga përdorimi i gomave në rrugë.

Gomat përmbajnë aditivë për t’i siguruar kapjen, elasticitetin dhe forcën, toksiciteti i të cilëve ende nuk dihet me siguri.

Këto grimca përhapen në atmosferë, depozitohen në tokë ose mbahen nga ujërat e kullimit.

Frutat dhe perimet thithin grimcat, të cilat më pas kalojnë te njeriu përmes konsumit të ushqimit.

Shkencëtarët nuk janë ende të vetëdijshëm për pasojat afatgjata të këtij ekspozimi në shëndetin e njeriut.

Ulet aeroplani i parë në Aeroportin e Vlorës

Aeroporti i Vlorës të enjten ka nisur funksionimin, teksa një aeroplan është ulur për herë të parë. Bëhet fjalë për fluturimin e parë certifikues, shkruan A2, përcjell albinfo.ch.

Të pranishëm në ceremoni janë kryeministri Edi Rama dhe zv. ministrja Belinda Balluku.

“Shumë urime dhe me këmbë të mbarë të gjithë punonjësve të rinj të aeroportit të Vlorës. Falenderoj edhe grupin e ardhur nga Kosova. Shpreh besimin se kjo shqiponjë dykrenare që është krijuar me dy grupet, do e ngrejë shumë lart emrin e këtij aeroporti. Falenderoj edhe ata që besuan e punuan për këtë projekt, që ishte tejet sfidues”, ka thënë Rama.

Ulet aeroplani i parë në Aeroportin e Vlorës

Ky është aeroporti i tretë në Shqipëri, pas Rinasit dhe Kukësit. Teksa ai në Rinas vazhdon të jetë një prej aeroporteve më të ngarkuara në rajon, në Kukës është mbyllur për shkak se nuk ka fluturime.

Balluku: Ky aeroport brenda kësaj vere do të jetë operacional, kur e nisëm këtë projekt duke parë edhe studimet flitej 104 milionë euro, terminal 5 mijë metra katrorë, deri tani 140 milionë euro, terminali 17 metra katrorë i trefishuar nga çka ishte në studimin fillestar, për shkak të numrave të rritur që kemi në acviacionin civil. Në aeroportet do të jenë tre modele biznesi, do të jetë mirëmbajtja e avionëve, një sektor i ri i cili do të sjellë të ardhura shtesë, kargo e mirëfilltë. Do ngrihet akademia e aviacionit civil.

Munihu, qyteti më mikpritës për këmbësorët

Një shëtitje është një nga mënyrat më të mira për të njohur një qytet – për të zbuluar atraksione, për të përjetuar atmosferën lokale dhe për të shijuar ritmin e jetës urbane. Një studim i ri, i publikuar nga “Daily Mail” dhe realizuar nga platforma Compare the Market, ka zbuluar qytetet më të përshtatshme dhe më pak të përshtatshme në botë për këmbësorët.

Munihu, qyteti më mikpritës për këmbësorët

Në krye të listës ndodhet Munihu në Gjermani, i cilësuar si qyteti më i mirë për të ecur në këmbë. Sipas studimit, 86% e popullsisë jeton brenda një kilometri nga një zonë pa makina, ndërsa 85% kanë akses të shpejtë në shërbime shëndetësore dhe arsimore. Qyteti bavarez ofron gjithashtu një përvojë të shkëlqyer për turistët, pasi shumë prej atraksioneve të tij ndodhen në distanca të arritshme në këmbë, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Milano dhe Varshava ndjekin

Në vend të dytë renditet Milano në Itali – i njohur për modën, kulturën dhe kafenë e mirë – me 80% të popullsisë që jeton pranë shërbimeve themelore, si shëndetësia dhe arsimi. Po ashtu, qyteti ka një rrjet të gjerë korsish biçikletash dhe zonash të përshtatshme për ecje.

Varshava, kryeqyteti i Polonisë, zë vendin e tretë. Përmasat kompakte të qytetit dhe prania e zonave pa makina, si Parku i njohur Łazienki, e bëjnë atë ideal për këmbësorët.

Top 5 plotësohet nga Helsinki dhe Parisi

Në vendin e katërt renditet Helsinki, ku 85% e popullsisë jeton pranë zonave pa makina. Parisi, një nga qytetet më të vizituara në botë, renditet i pesti, me të njëjtin përqindje popullsie që ka qasje të lehtë në shërbime bazë.

Patra, ndër qytetet më të këqija në botë për këmbësorët

Ndërsa disa qytete shkëlqejnë për infrastrukturën miqësore ndaj këmbësorëve, të tjera lënë për të dëshiruar. Në fund të listës ndodhet Johanesburgu në Afrikën e Jugut, i ndjekur nga një emër surprizues: Patra, qyteti i tretë më i madh në Greqi.

Sipas studimit, Patra është qyteti i dytë më pak i arritshëm për këmbësorët në botë, për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme, si rrugët ose shtigjet për këmbësorët. “Ashtu si në Kajro, mungojnë rrugë të dizajnuara posaçërisht për ecje në zonat jashtë qendrës”, thekson raporti.

Në vijim të listës së qyteteve më të pafavorshme për këmbësorët renditen dy qytete nga Teksasi, SHBA: Dallas dhe Hjuston, ndërsa Manila, kryeqyteti i Filipineve, mbyll pesëshe më të keqe.

Ky studim nënvizon rëndësinë e infrastrukturës urbane për mirëqenien dhe jetesën aktive të qytetarëve, si dhe ofron një udhëzues të vlefshëm për turistët që dëshirojnë të zbulojnë qytetet nëpërmjet ecjes.

Si po ndikon Inteligjenca Artificiale në punë

Punonjësit e zyrës po i drejtohen inteligjencës artificiale kur nuk duan të pyesin kolegët e tyre, sipas raportit të ri të Microsoft.

Kompania anketoi 31,000 punonjës në 31 shtete për të pyetur se si po përshtaten me inteligjencën artificiale në punë. Ndërsa më shumë njerëz po i drejtohen teknologjisë për aftësitë e saj unike, shumë prej tyre po e përdorin për të shmangur ndërveprimin njerëzor.

Shtatëmbëdhjetë përqind e të anketuarve thanë se përdorin inteligjencën artificiale nga frika e gjykimit dhe ngaqë kërkojnë komunikim më privat. Një tjetër 16% raportoi se e përdorin atë për të shmangur tensionet e punës me një koleg. Pesëmbëdhjetë përqind përmendën kërkesat e kolegëve si një arsye për t’iu drejtuar teknologjisë, pasi kërkon më pak “mbështetje”. Dhe 8% thanë se përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë që të marrin të gjitha meritat për punën dhe të shmangin citimin e një kolegu, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Përgjigje të tjera më të njohura për përdorimin përfshinin 42% që e vlerësojnë inovacionin meqë është i disponueshëm 24/7, 30% që thonë se kryen detyra më shpejt se njerëzit dhe 28% që e pëlqejnë “rrjedhën e pafundme të ideve sipas kërkesës”.

Raporti vjen ndërsa Microsoft njoftoi një zgjerim të madh të mjeteve të inteligjencës artificiale. Lançimi pranveror i 365 Copilot Wave 2 ka të bëjë me “agjentë” të projektuar për të funksionuar si kolegë digjitalë, që mund të kryejnë detyra komplekse në vendin e punës përmes arsyetimit të thellë.

Microsoft ka thënë se dëshiron që teknologjia të shërbejë më shumë se thjesht si një mjet dhe të bëhet një bashkëpunëtor integral në punën e përditshme.

“Po shfaqet një plan i ri organizativ, që përzien inteligjencën e makinerive me gjykimin njerëzor, duke ndërtuar sisteme që operohen nga IA, por të udhëhequra nga njeriu. Ashtu si Revolucioni Industrial apo epoka e internetit, këtij transformimi do t’i duhen dekada për të arritur premtimin e tij të plotë dhe për të përfshirë ndryshime të gjera teknologjike, shoqërore dhe ekonomike,” thuhet në raport.

Vota e diasporës, 161 899 zarfe me fletëvotimi të mbërritura në KQZ

Procesi i votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit vijon, ndërsa deri sot në orën 10:30, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 161 899 zarfe me fletëvotimi, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave të publikuara nga KQZ janë 226 037 zarfe të marra nga zgjedhësit, ndërsa në total janë 245 935 zarfe të dërguara. Janë 19 898 zarfe me fletë votimi ende të patërhequra nga votuesit.

Numrin më të lartë të kthimeve e mban Italia me 68 302, ndjekur më pas nga Greqia më pas Gjermania. Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 37 236 zarfe, Fier 21 264, Durrës 18 030.

Çdo votë që mbërrin në Shqipëri në datën 11 maj, pas orës 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë.

Gjermania përkujton 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore

Gjermania përkujton sot 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë dhe rënien e diktaturës naziste me një ceremoni të veçantë në Dhomën e Ulët të parlamentit, Bundestag, përcjell albinfo.ch.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier do të mbajë sot një fjalim – duke folur për mësimet e përfundimit të konfliktit.

Steinmeier pritet të diskutojë manipulimin e historisë nga Rusia në lidhje me luftën e saj të vazhdueshme kundër Ukrainës, presionin mbi të drejtën ndërkombëtare, përfshirë edhe nga administrata Trump, dhe rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë dhe nacionalizmit në shumë demokraci perëndimore.

Presidentja e Bundestagut gjerman, Julia Klockner do të mbajë gjithashtu një fjalim gjatë ceremonisë, në të cilën do të marrin pjesë diplomatë të huaj me qendër në Berlin.

Ambasadorët nga Rusia dhe Bjellorusia nuk u ftuan për shkak të përfshirjes së qeverive të tyre në luftën kundër Ukrainës.

Ngjarja shënon tetë dekada që nga dorëzimi pa kushte i Gjermanisë naziste, i cili hyri në fuqi vonë më 8 maj 1945.

Lufta, e nisur nga regjimi i Adolf Hitlerit në vitin 1939, rezultoi në vdekjen e mbi 60 milionë njerëzve në të gjithë botën, shumica e të cilëve civilë.

Përkujtimet do të zhvillohen në kryeqytete, përfshirë Parisin dhe Otavën.

Moska do të mbajë paradën e saj vjetore të Ditës së Fitores nesër. Londra zhvilloi një paradë më të vogël në fillim të javës.

Luftërat në Azi-Paqësor vazhduan për disa muaj pas disfatës së Gjermanisë naziste. Japonia iu dorëzua forcave aleate, duke i dhënë fund armiqësive, më 2 shtator 1945.

Zvicër: Çfarë organizimi pritet të bëj Eurovision për Céline Dion

Thashethemet për rikthimin e madh të Céline Dion në Eurovision po shtohen, teksa raportet e fundit sugjerojnë se ekipi i prodhimit të konkursit të këtij viti është në negociata të avancuara me yllin ndërkombëtar kanadez, përcjell albinfo.ch.

Referuar gazetës zvicerane Le Matin, emri i Céline Dion është përfshirë dy herë në skenarin e shfaqjeve live të Eurovision 2025. Konkretisht, në gjysmëfinalen e parë më 13 maj është planifikuar një nderim i veçantë për këngëtaren që i dha Zvicrës fitoren në vitin 1988. Ndërkohë, në finalen e madhe më 17 maj, raportohet se është planifikuar një shfaqje dy-minutëshe me pjesëmarrjen e saj.

Yves Schifferle, producenti i Eurovision 2025, konfirmoi për Euro Trip Podcast se “diskutimet me ekipin e Dion” janë në zhvillim e sipër, por asgjë nuk është finalizuar ende. Ai shtoi se kontaktet kanë nisur prej disa javësh dhe janë ende aktive.

Céline Dion fitoi Eurovisionin në vitin 1988 duke përfaqësuar Zvicrën me këngën ikonike “Ne Partez Pas Sans Moi”, një moment që mbetet një nga më të paharrueshmit në historinë e festivalit.

Zvicra është vendi mikpritës këtë vit pas fitores së Nemo në vitin 2024 me këngën “The Code”, që grumbulloi 591 pikë (365 nga juritë dhe 226 nga televotimi). Kjo ishte fitorja e dytë e Zvicrës në historinë e Eurovisionit, pas një pritjeje prej 37 vitesh.

Konkursi i 69-të i Këngës në Eurovision do të mbahet në Bazel, më 13, 15 dhe 17 maj 2025.

Eurodeputeti Reuten: Hiqni masat ndaj Kosovës

Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, dje në Parlamentin Evropian ka bërë thirrje për heqjen e masave ndaj Kosovës dhe ka kërkuar nga Komisioni Europian që të përgatisë një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai tha se kjo mund të ndodhë edhe pa pranimin e Këshillit Evropian, i cili ka përgjegjësinë për këtë.

“Hiqni këto masa kufizuese, normalizoni marrëdhëniet ndërmjet të gjithë anëtarëve të BE-së dhe Kosovës, njihni atë dhe pranoni aplikimin. Dhe, edhe pa pranimin e Këshillit, Komisioni tashmë mund të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës,” tha ai.

Reuten shtoi se Kosova është një partner i BE-së, ndërsa akuzoi Këshillin e BE-së për bllokim të kërkesës së saj për anëtarësim.

“Kosova është një partner që ndan vlerat dhe këndvështrimin tonë gjeopolitik. Megjithatë, Këshilli i BE-së vazhdon të bllokojë pranimin e thjeshtë të kërkesës për anëtarësim të këtij partneri. Kështu e trajtoni një partner?”

PDK dhe AAK i përgjigjen propozimit të Abdixhikut, preferojnë “Qeveri të opozitës”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tashmë ka dy përgjigje zyrtare lidhur me qëndrimin e tij për krijimin e një qeverie të tranzicionit. Pro një takimi janë shprehur PDK dhe AAK, por që të dy këto parti kanë thënë se preferojnë më shumë një “qeveri të opozitës”. Eksponentë të Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar ashpër këtë propozim, duke u lëshuar edhe në sulme ndaj LDK’së, por komunikatë të lëshuar nga partia s’ka ende. Ngërçi po vazhdon. Dje dështoi edhe seanca e 12’të për konstituimin e Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

Pas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me qëndrim mbi propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e një qeverie tranzitore deri në zgjedhjen e presidentit të ri, vitin e ardhshëm.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kjo parti ka lëshuar komunikatë ku ka thënë se nuk do të shmangen nga asnjë takim që mund të çojë në zhbllokim të situatës, por preferenca e tyre është një qeveri e formuar nga partitë që derivonë ishin në opozitë.

Por, takimi thotë se duhet të thirret nga Presidentja,, duke shtuar se një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale.

“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, thuhet në komunikatë.

Aty theksohet nevoja që Kosova të konstituojë institucionet sa më parë.

“Njëkohësisht, PDK i bën thirrje koalicionit VV – GUXO – Alternativa që të mos abuzojë edhe më tej me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit, por, të pranojë realitetin politik dhe të reflektojë për të mos e mbajtur peng edhe më tutje shtetin për interesa të ngushta partiake”, thuhet tutje.

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën e Abdixhikut për takim ditën kur ai e bëri publik propozimin. Edhe ai, tha se angazhohet për “qeveri të opozitës”.

Mirëpo, dje para seancës deklaroi se ai nuk do të pranonte të marrte pjesë në një takim konsultativ për qeveri tranzicionale nëse në tavolinë është edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe. Nuk ndryshon qëndrimi sa i përket qeverisë së opozitës, por po ashtu nuk na pengon ftesa e LDK-së për konsulta”, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se do të pranonte takime bilaterale me LDK-në apo trilaterale me LDK-në dhe PDK-në.

Pas dështimit të seancës së djeshme, Hykmete Bajrami, tha se propozimi i LDK-së është “e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar procesin”.

Ajo deklaroi se nuk kanë vendosur kushte, duke shtuar se subjekt i diskutimit do të jetë edhe çështja e Kryetarit të Kuvendit.

“Nuk jemi të interesuar të kemi një qeveri me LVV-në. I kemi ftuar të gjithë, i mirëpresim të gjithë. Nuk kemi vendosur asnjë kusht sepse gjithçka do të jetë subjekt i diskutimit të përbashkët”, tha Bajrami.

LDK-ja sot dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave që u bënë deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se sot, e enjte, në orën 13:15, do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe disa ministrave në detyrë, të cilët janë betuar si deputetë të Kuvendit.

Sipas LDK-së, kallëzimi penal ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Partia thekson se, meqë Kurti dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive për t’u bërë deputetë, ata nuk kanë të drejtë të vazhdojnë ushtrimin e detyrës si pjesë e Qeverisë në detyrë.

LDK-ja e kishte paralajmëruar më herët këtë hap, duke e cilësuar veprimin e Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij si shkelje të ligjit dhe tejkalim të kompetencave.

Për tre muaj, mbi 2 milionë pasagjerë përmes aeroportit të Rinasit

Raportohet se mbi 2 milionë pasagjerë udhëtuan përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025, duke shënuar një rritje të ndjeshme të trafikut ajror, të udhëhequr kryesisht nga fluksi i vizitorëve të huaj që zgjedhin vendin si destinacion turistik, përcjell albinfo.ch.

Referuar raportit më të fundit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI Europe), Shqipëria është renditur sërish ndër vendet me performancën më të mirë në rajon, duke tejkaluar mesataren evropiane për rritjen e trafikut të pasagjerëve ajrorë në tremujorin e parë të këtij viti.

Rritje me 9.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, Shqipëria u pozicionua përkrah vendeve me tregje në zhvillim të shpejtë si Moldavia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Gjeorgjia. Këto rezultate të larta, sipas ACI, janë tregues i një rimëkëmbjeje të qëndrueshme të turizmit pas ndikimeve të pandemisë dhe krizave gjeopolitike në rajon.

“Aeroportet jashtë tregut të BE-së kanë tejkaluar mesataren evropiane me një rritje të trafikut prej 5.7%, ku Shqipëria shënoi +9.1%”, thuhet në raportin zyrtar të ACI. Përveç Shqipërisë, rritje të jashtëzakonshme regjistroi edhe Gjeorgjia me 85%, Izraeli me 60.4% dhe Moldavia me 56%.

Ky trend pozitiv i konfirmuar nga statistikat ndërkombëtare tregon një interes të shtuar për Shqipërinë si destinacion, si dhe një konsolidim të infrastrukturës ajrore që po përballet me kërkesë gjithnjë e më të lartë nga tregjet ndërkombëtare. Rritja e lëvizshmërisë ajrore përforcon edhe më tej rolin e Shqipërisë si një nyje e rëndësishme turistike në Ballkan dhe më gjerë.

Edicioni i dytë i ciklit “Kosova në Berlin 2025” vazhdoi me autoren Elona Beqiraj.

Autorja Beqiraj solli përpara audiencës një rrëfim të fuqishëm dhe autentik përmes veprës së saj letrare dhe poezisë me temën e punëtorëve të huaj (Gastarbeiter) në Gjermani, duke hapur një diskutim të rëndësishëm mbi artin, identitetin dhe përvojën kosovare, përcjell albinfo.ch.

Ky aktivitet i mbajtë në ambientet e Universitetit Humboldt në Berlin, si pjesë e projektit të përbashkët të Ambasadës së Republikës së Kosovës, Universitetit Humboldt dhe Südosteuropa-Gesellschaft e.V.

https://www.facebook.com/share/p/16NXiEqySe/?mibextid=wwXIfr

Si të zgjidhni mishin e freskët: Kujdes me ngjyrën dhe pamjen

Zgjedhja e mishit të freskët kërkon vëmendje të veçantë, veçanërisht kur bëhet fjalë për produkte të paketuar. Ekspertët këshillojnë konsumatorët që, përveç leximit të etiketës, t’i kushtojnë rëndësi të madhe edhe ngjyrës dhe strukturës së mishit.

Sipas Elisabeth Roesicke nga Qendra Bujqësore Gjermane, mishi cilësor për skarë duhet të përmbajë dhjamë intramuskular, i cili i jep shije dhe butësi. Prania e vijave të bardha që i ngjajnë venave është një tregues pozitiv.

Megjithatë, ka disa shenja që paralajmërojnë se mishi mund të mos jetë i freskët. Nëse mishi qëndron në një lëng të përgjakur brenda paketimit, kjo sugjeron se produkti është i vjetër. Po ashtu, ngjyra e mishit është një tregues kyç: viçi duhet të jetë me ngjyrë të kuqe të lehtë, pula duhet të jetë e çelët, ndërsa mishi i derrit duhet të jetë rozë e zbehtë. Çdo nuancë gri apo e errët është një shenjë për t’u shmangur.

Një metodë e thjeshtë për të testuar freskinë është edhe shtypja me gisht: nëse mishi nuk rikthehet në formën e tij të parë dhe mbetet i gropuar, atëherë nuk është i freskët. Gjithashtu, sipërfaqja e mishit duhet të jetë me shkëlqim, jo e errët apo e thatë.

Ekspertët rekomandojnë që blerësit të mos neglizhojnë këto tregues vizualë, të cilët shpesh vlejnë më shumë se data e skadencës në paketim.

 

Bill Gates parashikon: 2 ditë punë në javë, falë Inteligjencës Artificiale

Bill Gates parashikon një të ardhme të ndryshuar për botën e punës. Sipas tij, brenda dhjetë viteve, inteligjenca artificiale do të ketë një ndikim të tillë sa që shumica e punëve do t’i përfundojnë robotët dhe AI, duke e bërë të mundur që njerëzit të punojnë vetëm dy ditë në javë, ndërsa pjesa tjetër të jetë kohë për relaks dhe aktivitete të tjera.

Gates thekson se kjo mund të sjellë një periudhë të re, ku shoqëria duhet të rishikojë mënyrën si do të shpenzohet kjo kohë e lirë. Ai sugjeron se AI mund të mbushë boshllëqet në fusha si mjekësia dhe arsimi, duke ofruar shërbime më të besueshme dhe duke eliminuar problemet me mungesën e stafit.

Ky ndryshim do të sillte një “luks të bollëkut”, ku robotët do të marrin përsipër punët fizike, duke u dhënë mundësinë njerëzve të përqendrohen në aktivitete më të thella dhe diskutime për mënyrën si do të shpërndahen përfitimet nga një fundjavë pesë-ditore.

Zvicër. Gratë në punë, midis diskriminimit dhe suksesit

Në një galeri fotosh, gra nga e gjithë Zvicra tregojnë përvojat e tyre pozitive dhe negative me diskriminimin profesional – për shkak të të pasurit fëmijë.

Blogerja financiare zvicerane “Vorsorge Steffi” trajtoi në Instagram temën e “diskriminimit të nënave në vendin e punës”.

Pas publikimit, shumë gra e kontaktuan. Një përdoruese raportoi se u pushua nga puna ditën e parë të kthimit nga pushimi i lindjes.

Të tjera treguan se si disa menaxherë refuzojnë të punësojnë nëna ose pranojnë vetëm gra mbi 35 vjeç, me arsyetimin se nënat janë më pak fleksibël dhe fëmijët e tyre shpesh sëmuren.

 

 

1,000 dollarë për tu larguar nga SHBA, ja kush përfiton

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se do t’u paguante emigrantëve të paligjshëm 1,000 dollarë (880 euro) për t’u kthyer vullnetarisht në vendet e tyre të origjinës, në hapin e dukshëm të planeve të saj për të trajtuar këtë çështje.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) deklaroi në një njoftim për shtyp se do të paguante gjithashtu për ndihmën e udhëtimit dhe se njerëzit që përdorin një aplikacion të quajtur CBP Home për t’i thënë qeverisë se planifikojnë të kthehen në shtëpi do të “çprioritizohen” për ndalim dhe largim nga autoritetet e imigracionit. “Nëse jeni këtu ilegalisht, vetë-deportimi është mënyra më e mirë, më e sigurt dhe më efektive nga ana e kostos për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara për të shmangur arrestimin”, tha Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

“DHS tani po u ofron të huajve të paligjshëm ndihmë financiare për udhëtim dhe një pagesë për t’u kthyer në vendin e tyre përmes Aplikacionit CBP Home”, shtoi ajo. Aplikacioni është një version i ripërpunuar i atij të përdorur më parë nga administrata Biden për të lejuar gati 1 milion emigrantë të caktojnë takime për të hyrë në vend në mënyrë legjitime. DHS tha se kishte paguar tashmë një biletë avioni për një person për t’u kthyer në shtëpi në Honduras nga Çikago, duke shtuar se janë rezervuar më shumë bileta për këtë javë dhe javën tjetër.

Vetë-deportimi si vetëmbrojtje

Administrata Trump shpesh është përpjekur ta portretizojë vetë-deportimin si një mënyrë për njerëzit që aktualisht ndodhen në vend pa status ligjor për të siguruar që ata mund të kthehen në SHBA në një datë të ardhshme. Duke folur me gazetarët të hënën, vetë Trump tha se emigrantët që “vetë-deportohen” dhe largohen nga SHBA-ja mund të kenë një shans për t’u kthyer ligjërisht përfundimisht “nëse janë njerëz të mirë” dhe “e duan vendin tonë”. “Dhe nëse nuk janë, nuk do të jenë”, tha ai.

Megjithatë, organizatat për të drejtat e emigrantëve kanë kërkuar kujdes. Sipas Aaron Reichlen-Melnick, një bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Amerikan të Imigracionit, shpesh është më keq për njerëzit pa dokumente  veçanërisht ata që janë tashmë në procedurat e largimit  të largohen nga vendi në vend që të luftojnë çështjet e tyre në gjykatën e imigracionit.

Reichlen-Melnick paralajmëroi se emigrantët në procedurat e largimit që nuk paraqiten në gjykatë rrezikojnë të marrin automatikisht një urdhër dëbimi. Ai shpjegoi se largimi nga vendi zakonisht llogaritet si braktisje e një kërkese për lehtësim ose një kërkese për azil, duke shtuar se DHS nuk ka treguar ndonjë koordinim të ngushtë me gjykatat për të siguruar që njerëzit që largohen nga SHBA-ja të mos përballen me pasoja.

Në të vërtetë, administrata Trump e ka shoqëruar shtytjen e saj të vetë-deportimit me reklama televizive që kërcënojnë veprime kundër njerëzve që jetojnë ilegalisht në SHBA, të shoqëruara me postime në mediat sociale që tregojnë arrestime të zbatimit të imigracionit dhe emigrantë që dërgohen në një burg në El Salvador të njohur për kushte të vështira.

Probleme me deportimin masiv

Trump e bëri deportimin masiv të emigrantëve një pjesë qendrore të fushatës së tij presidenciale, por përpjekja mbetet e kushtueshme dhe kërkon shumë burime. Administrata e tij i ka kërkuar Kongresit një rritje masive të burimeve për agjencinë e Imigracionit dhe Doganave, e cila është përgjegjëse për kapjen e personave të synuar për largim nga vendi. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, kushton 17,121 dollarë (15,104 euro) për të arrestuar, ndaluar dhe larguar dikë nga SHBA-ja.

Vetë-deportimi është parë si tërheqës nga administrata Trump pasi nuk kërkon negociata të gjera qeveri-me-qeveri për të bërë që një vend të marrë mbrapsht qytetarët e tij. Por një numër vendesh ose refuzojnë të marrin mbrapsht qytetarët që kthehen nga zyrtarët amerikanë të zbatimit të ligjit për imigracionin ose e bëjnë këtë proces sfidues.

Një studim i vitit 2011 nga Instituti i Politikave të Migracionit dhe Instituti i Universitetit Evropian zbuloi se kishte rreth 128 skema të ngjashme  shpesh të referuara si programe “paguaj për të shkuar” në të gjithë botën. Por studimi zbuloi gjithashtu se me disa përjashtime, siç është një program për të kthyer njerëzit në vitet 1990 nga Gjermania në Bosnjë, këto programe kthimi vullnetar në përgjithësi dështuan të inkurajonin një numër të madh njerëzish të ktheheshin në shtëpi. Nuk është e qartë nëse këto programe rezultuan në emigrantët që morën pagesat që qëndruan në vendet e tyre të origjinës dhe nuk u përpoqën të emigronin përsëri.

Varshavë: Sulm me sëpatë në universitet, një grua humb jetën

Një ngjarje tronditëse ndodhi të mërkurën në mbrëmje në Universitetin e Varshavës, ku një burrë 22-vjeçar sulmoi disa persona me një sëpatë, duke shkaktuar vdekjen e një punonjëseje administrative dhe plagosjen e rëndë të një roje sigurie.

Sulmi ndodhi rreth orës 18:40 në ambientet e universitetit, ku 22 vjeçari polak goditi disa persona me sëpatë. Një punonjëse administrative humbi jetën, ndërsa një roje sigurie u plagos rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike në spital. Autori u arrestua nga policia menjëherë pas ngjarjes.

Sipas policisë polake, sulmuesi hyri në territorin e universitetit dhe kreu sulmin me sëpatë. Policia konfirmoi arrestimin e tij në vendngjarje. Sipas raportimeve të televizionit privat Polsat News, në vendngjarje është gjetur një sëpatë dhe, të paktën sipas thashethemeve, një kokë e prerë, megjithatë zëdhënësi i prokurorisë nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë detaj. Ai vetëm bëri me dije se viktima ishte një punonjëse administrative, ndërsa sulmuesi kishte hyrë edhe në një sallë leksionesh të universitetit.

60% e njerëzve besojnë se inteligjenca artificiale do të ndikojë pozitivisht në punësimin e tyre

Shumica e qytetarëve në nivel global presin që inteligjenca artificiale (IA) të sjellë mundësi të reja punësimi dhe përmirësim të produktivitetit, sipas një ankete të fundit të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Rreth 60% e të anketuarve besojnë se IA do të ndikojë pozitivisht në punësimin e tyre, duke krijuar profesione të reja që aktualisht nuk ekzistojnë. Anketa, e realizuar në 21 shtete dhe në 36 gjuhë, përfshiu mbi 21 mijë pjesëmarrës dhe përfaqëson 63% të popullsisë së botës.

Sipas raportit të UNDP-së “Një çështje zgjedhjeje: Njerëzit dhe mundësitë në epokën e inteligjencës artificiale”, ky optimizëm vjen në një kohë kur zhvillimi njerëzor po stagnon. Indeksi i Zhvillimit Njerëzor ka shënuar ngecje të pazakontë që nga pandemia, ndërsa krizat ekonomike, borxhet dhe ndryshimet strukturore në tregun e punës po e përkeqësojnë situatën.

Përveç pritshmërive për vende të reja pune, 64% e të anketuarve shprehën bindjen se IA do të përmirësojë produktivitetin, ndërsa vetëm 13% janë të shqetësuar për humbjen e vendit të punës.

Entuziazmi për përdorimin e IA është veçanërisht i lartë në vendet me zhvillim të ulët apo të mesëm, ku 70% e qytetarëve presin përfitime në sektorë si arsimi, shëndetësia dhe tregu i punës.

UNDP thekson se zhvillimi i teknologjisë duhet të udhëhiqet nga parimet e përqendruara te njeriu, duke nënvizuar se algoritmet janë mjete që varen nga drejtimi dhe vlerat e njerëzve.

Raporti përfundon me thirrjen që vendimmarrësit të hartojnë politika gjithëpërfshirëse për të siguruar që potenciali i inteligjencës artificiale të përdoret për të avancuar zhvillimin dhe mirëqenien globale.

 

Gjermania do të refuzojë migrantët pa dokumente në kufi

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, lëshoi të mërkurën një urdhër për të refuzuar migrantët pa dokumente, përfshirë azilkërkuesit, në kufijtë e vendit. Ky vendim u mor në ditën e parë të punës së qeverisë së re të koalicionit, e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz.

Dobrindt njoftoi se ka anuluar një urdhër të vitit 2015 që lejonte hyrjen e shtetasve të vendeve të treta pa dokumente, me qëllim që të reduktohet migrimi i paligjshëm, duke deklaruar se numri i migrantëve vazhdon të jetë shumë i lartë, raporton reuters pêrcjell albinfo.ch.

“Ky është një çështje qartësie, konsistence dhe kontrolli,” tha Dobrindt për gazetarët.

Gazeta gjermane Bild ishte e para që raportoi mbi këtë plan të mërkurën.

Refuzimi i azilkërkuesve në kufi është një çështje e debatueshme ligjërisht. Marrëveshja e koalicionit mes konservatorëve të Merz-it dhe Socialdemokratëve parashikon që një hap i tillë të bëhet në koordinim me vendet fqinje.

Dobrindt, anëtar i bllokut konservator të Merz-it, planifikon të dërgojë deri në 3,000 oficerë shtesë në kufi për të frenuar migracionin e parregullt, duke e çuar numrin e përgjithshëm të policëve kufitarë në rreth 14,000, sipas raportit të Bild.

Urdhri i vitit 2015 u dha gjatë qeverisjes së ish-kancelares Angela Merkel, mandati i së cilës u karakterizua nga pranimi i qindra mijëra azilkërkuesve, shumë prej të cilëve iknin nga lufta në Siri.

Përpara zgjedhjeve federale në shkurt, Merz premtoi masa të ashpra kundër migracionit, pas disa incidenteve të dhunshme ku ishin përfshirë migrantë dhe rritjes së mbështetjes për ekstremistët e djathtë.

Qeveria e tij tashmë ka rënë dakord për të refuzuar azilkërkues në kufi, për të mundësuar deportimet në Siri dhe për të pezulluar bashkimet familjare.