Rama: S’do të ketë pagë nën 500 Euro

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi sot se nga janari 2026 në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro.

Në episodin e 6-të të sezonit 5 të podkastit “Flasim”, në rubrikën “Shënimet e javës” kryeministri Rama tha se “lajmi për pensionet është pasuar nga rritja e pagave, një rritje e konsiderueshme edhe ajo e shtrirë në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha e diktuar nga rritja e premtuar e pagës minimale”.

“Nga janari i vitit që po troket kur paga minimale në sektorin publik dhe atë privat, kur ligji që do të kalojmë në parlament i buxhetit 2026 do të sanksionojë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro”, theksoi Rama, transmeton albinfo.ch.

Për vitin 2026 paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë, duke arritur në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, për t’u rritur më tej në 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.

Kostoja totale e rritjes së pagave dhe indeksimit parashikohet rreth 10 miliardë lekë dhe do të përfshijë mbi 144 mijë punonjës në të gjitha nivelet e administratës.

Sonte festë në Tiranë për ndeshjen Shqipëri-Angli

Shqipëria do të përballet sonte me Anglinë. Ndeshja nis në orën 18:00 dhe është e fundit për të dyja përfaqësueset në Grupin K.

Anglia e ka siguruar vendin e parë prej muajit tetor, ndërsa synon t’i mbyllë kualifikueset pa pësuar gol. Ndërkohë kuqezinjtë do të luajnë në “play off” si vend i dytë, transmeton albinfo.ch.

Kjo ndeshje megjithatë ka rëndësinë e saj. Shqipëria kërkon pikë të rëndësishme, që do të siguroheshin me një rezultat pozitiv ndaj Anglisë.

Ekziston mundësia që Shqipëria të jetë në vazon e dytë në shortin e “play off”. Dhe që kjo të ndodhë, duhet marrë parasysh çdo skenar. Si ai i renditjes së FIFA-s.

Yakin: Presim ndeshje të vështirë në Prishtinë

Te Zvicra po bëhen gati për paraqitje të re në Kupën e Botës, por biletën e Botërorit 2026 duhet ta konfirmojnë të martën në Prishtinë.

Kosovës i duhet fitorja 6:0 ndaj Zvicrës për ta kaluar në tabelë.

Ky rezultat duket pak i mundshëm.

“Kur një ekip si Kosova merr kaq shumë pikë, atëherë është absolutisht e merituar. Te Kosova kanë bërë punë të mirë në vitet e fundit. Është mëkat, natyrisht, që nuk e kemi siguruar kualifikimin sonte. Ne kemi ekip solid. Presim ndeshje të vështirë ndaj Kosovës. Por nuk do të fokusohemi në mbrojtje. Do ta shijojmë këtë fitore dhe më pas do të punojmë për të fituar tri pikë në Kosovë”, ka thënë përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, pas fitores ndaj Suedisë, transmeton albinfo.ch.

Partia e Qendrës synon edhe një vend në Këshillin Federal

Partia e Qendrës (Die Mite, ish CVP) synon të bëhet forca e tretë më e fortë në zgjedhjet e vitit 2027 dhe të fitojë një vend të dytë në Këshillin Federal. Ky është qëllimi i presidentit të partisë, Philipp Matthias Bregy.

Të kujtojmë: kjo parti tani ka vetëm një anëtar në Qeverinë e vendit ndërsa tri partitë tjera të mëdha kanë, SVP, SP dhe FDP sipas “formulës magjike”, nga dy vende, shkruan albinfo.ch.

“Vendi ynë ka nevojë për më shumë për Qendrën, përfshirë këtu edhe Këshilli Federal. Ne duam një vend të dytë në vitin 2027” deklaroi Bregy në asamblenë e delegatëve të partisë së tij në Grenchen, Solothurn, raporton srf.ch.

Partia Qendra tashmë mban grupin e tretë më të madh parlamentar në Parlamentin Federal. Tani, ajo duhet të bëhet edhe partia e tretë më e madhe për sa i përket mbështetjes së votuesve.

As e majta dhe as e djathta nuk duhet të kenë shumicën absolute në Këshillin Federal, vazhdoi Bregy. Nuk duhet të ketë blloqe që “thjesht shtyjnë përpara çështjet bazuar në ideologji”.

Doktoraturë Nderi për ish presidentin e Zvicrës, Alain Berset

Ish-Këshilltari Federal dhe ish presidenti, Alain Berset ka marrë një doktoraturë nderi nga Fakulteti i Matematikës dhe Shkencave Natyrore në Universitetin e Fribourg-ut.

Berset i cili është sekretar i përgjithshëm aktual i Këshillit të Evropës u nderua për lidhjet e tij të ngushta me shkencat natyrore dhe mjekësinë gjatë pandemisë, siç u njoftua nga Universiteti i Fribourgut, transmeton albinfo.ch.

Ish-Ministri i Shëndetësisë, Berset, ka nxitur bashkëpunim të fortë dhe konstruktiv midis politikës dhe kërkimit, deklaroi universiteti në arsyetimin e tij. Fakulteti gjithashtu theksoi rolin e tij si ndërmjetës midis shkencës, politikës dhe shoqërisë, përmes të cilit ai forcoi dialogun dhe promovoi vendimmarrjen e bazuar në prova.

Një doktoraturë nderi nga Fakulteti i Arteve dhe Shkencave Humane iu dha ambasadorit Jacques Pitteloud. 63-vjeçari nga Valisi, ish-kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës, është aktualisht ambasadori i Zvicrës në Belgjikë dhe kreu i Misionit Zviceran në NATO.

I ulet dënimi zviceranit për tentativë blerjeje eksplozivësh

Gjykata Federale Penale në Bellinzona ka dënuar një 27-vjeçar nga Bazeli me 36 muaj burg për përpjekje për të blerë eksplozivë. Një pjesë e këtij dënimi rrjedh nga një dënim i mëparshëm në të cilin ai qe dënuar me kusht.

Në nëntor të vitit 2023, Gjykata Federale Penale pati dënuar 27-vjeçarin zviceran me 84 muaj burg, duke marrë parasysh një dënim të mëparshëm me kusht. I pandehuri u shpall fajtor për përdorim eksplozivësh me qëllim kriminal, shkaktim dëmesh të rënda pronësore dhe përpjekje për të blerë dhe transportuar eksplozivë.

Gjykata Supreme Federale më vonë e rrëzoi pjesërisht këtë dënim, duke gjetur se përfshirja e tij nuk ishte provuar mjaftueshëm.

Gjykata Federale Penale tani e ka ulur dënimin duke e ulur peshën e veprës penale në përpjekje për blerje eksplozivësh. I dënuari ka kaluar tashmë më shumë se tre vitet e caktuara në burg.

Meqenëse i riu kishte kaluar tashmë 1,036 ditë në burg deri në kohën kur u dha vendimi më 7 korrik 2025, ai duhet të jetë liruar deri tani. Vendimi nuk është ende ligjërisht i detyrueshëm dhe mund të apelohet në Gjykatën Federale Supreme.

AAK nuk ka votë për Glauk Konjufcën

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, ka njoftuar se në mbledhjen e kryesisë së partisë është vendosur që “rrugëdalja e vetme nga situata aktuale në vend janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”.

Xhemaili deklaroi se të gjitha idetë dhe propozimet alternative duhej të paraqiteshin fillimisht brenda strukturave të partisë, dhe se kjo vlen edhe për Besnik Krasniqin, i cili ka munguar në mbledhjen e Kryesisë, transmeton albinfo.ch.

Tutje, ai po ashtu ka sqaruar se nuk ka asnjë mundësi për koalicion me Vetëvendosjen, si dhe se AAK-ja nuk do të japë votë për Glauk Konjufcën apo për askënd tjetër nga radhët e VV-së.

Aksident në Thurgau, autobusi humbet kontrollin, dy të lënduar

Një aksident ndodhi të premten pasdite në hyrjen Arbon Süd të rrugës A23, ku një autobus i Postës doli nga rruga dhe u ndal te barriera mbrojtëse. Shoferi 60-vjeçar, sipas policisë kantonale të Thurgaut, dyshohet të ketë pësuar një problem shëndetsor që e shkaktoi humbjen e kontrollit, përcjell albinfo.ch.

Incidenti ndodhi rreth orës 14:15, ndërsa autobusi po hynte në drejtim të St. Gallenit. Shoferi u dërgua në spital për kontroll, ndërsa një nga rreth 20 pasagjerët u lëndua lehtë, por mori ndihmë në vendngjarje.

Dëmet materiale vlerësohen në disa mijëra franga. Gjatë hetimeve, hyrja Arbon Süd u mbyll përkohësisht.

https://www.blick.ch/schweiz/ostschweiz/thurgau/unfall-in-roggwil-tg-postauto-geraet-neben-fahrbahn-chauffeur-und-passagier-verletzt-id21423057.html

Kosova sfidon sonte Slloveninë për ëndrrën e Botërorit

Sot, Kombëtarja e Kosovës zhvillon ndeshjen e parafundit të Grupit B në udhëtim te Sllovenia, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Stozhicë” të Lubjanës, nga ora 20:45.

Për Kosovën, një rezultat pozitiv ka rëndësi të madhe, pasi një barazim do të sigurojë pozitën e dytë dhe pjesëmarrjen në ‘play-off’ për Botërorin. Trajneri Franco Foda ka të gjithë lojtarët në dispozicion, përveç portierit Arijanet Muriç, i cili mungon për shkak të kartonëve.

UEFA ka caktuar treshen franceze të gjyqtarëve: Clément Turpin kryesor dhe Nicolas Danos e Benjamin Pages si anësorë.

Dje, Foda theksoi se ndeshja do të vendoset nga detaje të vogla dhe vlerësoi Slloveninë si një skuadër të fortë, me lojtarë cilësorë si Sesko. Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës është në formë të mirë dhe se Amir Rahmani, pavarësisht ngarkesës së fundit me Napolin, mund të luajë rol të rëndësishëm.

Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë

Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë vit, shoqata “17 Shkurti”, në Baden të Austrisë ka organizuar një manifestimin për nder të Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, shkruan albinfo.at.

Në këtë manifestim pritet të mblidhen numër i madh i bashkatdhetarëve tanë në Austri si dhe miq austriakë.

“Festë e madhe në Baden

Shoqëria kulturore artistike “17 SHKURTI” , ju fton në koncertin e saj madhështor kushtuar 113 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Këngë, valle dhe krenari kombëtare. Tre breza bashkë në skenë. Ju mirëpresim!”, ka shkruar në njoftimin e tij, organizatori Tahir Turkaj, përcjell albinfo.at.

Manefistimi do të moderohet nga Dorentina Nuredini dhe Edona Durmishi, ndërkohë të pranishmit do t’i argëtoj këngëtari i njohur, Yll Demaj.

Koncerti do të mbahet ditën e shtunë, (15.11.2025) duke filluar nga ora 16:00 në Waltersdorfstraße 40, 2500 Baden.

Familja e Steve Jobs vinte nga Zvicra

Rezulton se bashkëthemeluesi i Apple, Steve Jobs, kishte rrënjë zvicerane.

Hulumtime të reja kanë gjurmuar prejardhjen e tij në fshatin Neuenhof në kantonin e Aargau. Në mesin e viteve 1800, paraardhësit e tij – familja Schibli – emigruan në Shtetet e Bashkuara me ndihmë financiare nga autoritetet lokale.

Me të mbërritur në Amerikë, emri i tyre ndryshoi në Jobs, dhe breza më vonë, një nga pasardhësit e tyre do të revolucionarizonte teknologjinë moderne.

Ka pasur thashetheme të pakonfirmuara se familja e Jobs vinte nga Zvicra në të kaluarën, por tani një hetim i plotë dhe i detajuar e ka vërtetuar këtë.

Nga një fshat modest bujqësor zviceran në Silicon Valley – një udhëtim i jashtëzakonshëm familjar që ndryshoi botën në kuptimin e plotë të fjalës.

Zvicër: Më pak vizita në aktivitetet kulturore, më shumë në festivale

Më pak njerëz në Zvicër kanë vizituar muzetë, koncertet ose kinematë sesa para pandemisë. Pjesëmarrja në koncerte dhe kinema ka rënë në veçanti ndjeshëm, pas periudhës së pandemisë. Zyra Federale e Statistikave raporton se vetëm monumentet dhe bibliotekat kanë qenë në gjendje të ruanin numrin e vizitorëve.

Shumë aktivitete janë zhvendosur tashmë në ambiente private.

Festivalet e mëdha të qyteteve dhe fshatrave po humbasin audiencën, veçanërisht midis të rinjve. Nga ana tjetër bumi i festivaleve përbën një përjashtim të qartë: në vitin 2024, 52 për qind e popullsisë ka marrë pjesë në një festival – një rekord i ri.

Në të njëjtën kohë, 79 për qind do të donin më shumë përvoja kulturore. Megjithatë, mungesa e kohës dhe kostoja e lartë i pengojnë shumë njerëz të dalin më shpesh.

Përballjet e mundshme të kuqezinjve në “Play-off”

Fitorja ndaj Andorrës jo vetëm i dha Shqipërisë tre pikë të arta, por e futi kuqezinjtë direkt në librat e historisë.

Skuadra e Sylvinhos është tashmë kombëtarja e parë evropiane që siguron matematikisht pjesëmarrjen në play-off-in e Kupës së Botës 2026, duke vulosur vendin e dytë në Grupin K pa pritur ndeshjen e fundit.

Tani, vëmendja është tërësisht te marsi dhe te shorti që do të përcaktojë rivalët e Shqipërisë në rrugën drejt Botërorit, transmeton albinfo.ch.

Ajo që pritet të zbardhet në ditët e ardhshme është vazoja ku do të pozicionohet Kombëtarja në short – mes vazos së dytë dhe asaj të tretë. Gjithçka varet nga renditja e re e FIFA-s për skuadrat e kualifikuara.

Për Shqipërinë, vazoja e dytë do të ishte një avantazh i madh, pasi mundëson që ndeshja e parë e play-off-it të luhet në shtëpi, përballë një rivali të vazos së tretë. Aktualisht, lëvizjet e rezultateve në Evropë – sidomos fakti që Islanda ka kaluar Ukrainën – kanë sjellë një ndryshim të përkohshëm të panoramës së vazove.

Në këtë moment, duke marrë parasysh renditjen aktuale, kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në play-off do të ishin: Maqedonia e Veriut, Islanda, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova.

Natyrisht, gjithçka mund të ndryshojë me ndeshjet e mbetura, por nëse situata mbetet kështu, kuqezinjtë do ta nisin play-off-in në “shtëpi”.

Vazot e mundshme të Play-off-it

VAZO 1: Itali, Turqi, Poloni, Hungari

VAZO 2: Skoci, Çeki, Sllovaki, Shqipëri

VAZO 3: Maqedoni e Veriut, Islandë, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë

VAZO 4: Uells, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut

Zvicër: Lindjet arritën nivelin më të ulët historik

Shkalla e lindshmërisë në Zvicër ka arritur një nivel historik të ulët. Shifrat e reja nga Zyra Federale e Statistikave tregojnë se gratë kishin një mesatare prej vetëm 1.29 fëmijësh në vitin 2024 – niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Sipas Tribune de Genève, nuk janë vetëm çiftet që presin më gjatë para se të kenë fëmijë, kryesisht për shkak të presionit të karrierës, por edhe 10% e 20- deri në 29-vjeçarëve nuk duan kurrë fëmijë në mënyrë aktive.

Krahasuar me Evropën, Zvicra renditet ndër vendet me shkallët më të ulëta të lindshmërisë, së bashku me Spanjën dhe Italinë – duke ngritur shqetësime afatgjata në lidhje me plakjen dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Vaud: Qeveria emëron Metihe Mehmetin, Drejtoreshë të Përgjithshme të Tatimeve

Nga 1 marsi i vitit të ardhshëm, Metihe Mehmeti, 42 vjeçe, do të marrë detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, në Kantonin e Vaud.

Aktualisht Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e Autoritetit Gjyqësor të Kantonit të Gjenevës, Mehmeti ka mbi 15 vjet përvojë në tatime, menaxhim strategjik dhe qeverisje publike, teksa më parë ka shërbyer për më shumë se pesë vjet si Drejtoreshë e Auditimeve Tatimore për administratën tatimore të Gjenevës.

Pozicionin paraprak e mori pas më shumë se katër vjetësh në një rol menaxhues brenda Shërbimit të Shkëmbimit të Informacionit Tatimor në Departamentin Federal të Financave në Bernë. Ajo gjithashtu punoi si specialiste e taksave në një firmë të madhe ligjore, thuhet në njoftimin zyrtar nga État de Vaud, transmeton albinfo.ch.

Me një sfond të dyfishtë akademik, Metihe Mehmeti ka një diplomë Master në të Drejtë Ekonomike, një diplomë Bachelor në Drejtësi dhe një diplomë Bachelor në Administrim Biznesi (HEC), të gjitha nga Universiteti i Gjenevës. Këshilli i Shtetit(Qeveria e Kantonit) u impresionua nga formimi profesional i saj dhe njohuritë e gjera të institucioneve, taksimit dhe menaxhimit teksa bëhet e ditur se aplikimi i saj u përzgjodh pas një procesi rigoroz rekrutimi.

Hajdari për aktakuzën për rezervat shtetërore: Prokuroria Speciale ka tendencë politike ndaj Qeverisë Kurti

Ministrja në detyrë e Tregëtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka folur për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.

Në konferencë, ajo ka deklaruar se në çdo situatë, krizë ekonomike, luftë apo gjendje tjera, shteti duhet të garantojë që qytetarët kanë qasje në produkte ushqimore bazë.

“Vetëm për gjatë qeverisjes sonë, rezervat shtetërore kanë shënuar rritje më shumë së ndonjëherë, kjo është për ndryshim nga qeveritë e kaluara, kur rezervat shtetërore ishin të vjedhur. Çdo veprim i Prokurorisë nuk qëndron. Tendencë politike ndaj Qeverisë Kurti. Pohim në dobi politike, i palejueshëm dhe i pamoralshëm”, tha ajo, deklaron albinfo.ch.

Sipas saj, Prokuroria ka mbledhur jashtëligjshëm provat, duke thënë se po trajtojnë njëanshëm çështjen.

“Kemi vepruar në urgjencë për të gjetur një shtet që do të lejonte eksportin për produkte bazë, kontratat që janë nënshkruar ishin jetike për qytetarët. Në një kontratë, ka arritur sasia me pak se është nënshkruar, dhe ne kemi bërë padi ndaj kësaj kompanie”, u shpreh ajo, teksa tha se kanë paditur edhe një kompani, dhe se paratë do t’i kthehen shtetit.

“Do të luftojë deri në fund për të dëshmuar pafajësinë time”, theksoi ajo.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Të pandehurit Rozeta Hajdari, I.L. dhe H.G. akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.

Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit R.M, i cili akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës regjistron 386 mijë pasagjerë në tetor

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka mbyllur muajin tetor me një rritje prej 8.75%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas njoftimit nga ANP, gjatë këtij muaji u regjistruan 386,957 pasagjerë, ndërsa u raportua se përveç rritjes së numrit të udhëtarëve, aeroporti raportoi edhe 2,747 fluturime, transmeton albinfo.ch.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ shënoi edhe një muaj tjetër të suksesshëm, duke mirëpritur 386,957 pasagjerë gjatë tetorit 2025, një rritje prej 8.75% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Me 2,747 fluturime, vazhdojmë të forcojmë pozitën tonë si një qendër e rëndësishme rajonale”, thuhet në njoftim.

KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera

Bëhet e ditur se më shumë se 9 mijë e 800 pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që i takojnë zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 1 komunave, janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, për Ekonomia Online ka thënë se jo të gjitha nga to e kanë marrë aprovimin e KQZ-së.

Ai tregon se rreth 2 mijë e 570 janë refuzuar dhe nuk do të përfshihen në numërim, pasi në shumicën prej tyre, në 2 mijë e 500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument unik që votuesit e pranojnë nga KQZ kur të regjistrohen.

“Deri të premten, në orën 10:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjellur në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9,800, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7,240, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,570. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi për Ekonomia Online.

Sipas tij, më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellur në Kosovë.

Po sipas KQZ-së, në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikohen të dhënat për çdo komunë për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Kosova drejt Lubjanës, synon fitore ndaj Sllovenisë

Kombëtarja e Kosovës udhëton sot drejt Lubjanës për sfidën vendimtare të së shtunës kundër Sllovenisë, në kualifikimet për Botërorin 2026. Përzgjedhësi Franco Foda ka vijuar të punojë intens me ekipin, duke theksuar aspektet taktike, tranzicionet dhe organizimin mes reparteve, përcjell albinfo.ch.

Atmosfera në kamp është pozitive, ndërsa lojtarët janë në gjendje të shkëlqyer fizike. Mbrojtësit Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni theksuan se Kosova hyn vetëm për fitore, duke e konsideruar sfidën një mundësi historike për t’u afruar me ëndrrën e Botërorit.

Para nisjes, Kosova do të zhvillojë një seancë të fundit të lehtë stërvitore, duke u përgatitur maksimalisht për duelin e rëndësishëm në stadiumin “Stozhice”.

Portugali: Kosova shpalosi potencialin digjital në Panairin “Web Summit 2025”

Dhjetë kompani kosovare të sektorit të TIK-ut u përfaqësuan këtë javë në Panairin “Web Summit 2025”, i cili u mbajt nga 10–13 nëntor në Lisbonë të Portugalisë, transmeton albinfo.ch.

Pjesëmarrja e tyre u mundësua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes KIESA-s, duke u krijuar mundësi kompanive të prezantojnë produkte dhe zgjidhje inovative në një nga ngjarjet më të mëdha globale të teknologjisë.

Kompanitë pjesëmarrëse ishin: Global CT Digital Kosovo, Kubit Solution, Innovation Academy, Saint Pearl, Appbites, Kreahub, Shkolla Digjitale, Pretera, TDS Consulting dhe Bambus.

Shtandin e Kosovës e vizitoi edhe Ambasadorja e Kosovës në Portugali, Edona Maloku Berdyna, e cila u ofroi mbështetje përfaqësuesve të kompanive dhe theksoi rëndësinë e prezencës së Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në “Web Summit 2025” shënoi një hap të rëndësishëm për promovimin e ekosistemit digjital të Kosovës dhe për krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim me partnerë dhe investitorë globalë.

Chair Airlines certifikohet për siguri dhe bëhet anëtare e IATA-s

Mësohet se kompania e fluturimeve, Chair Airlines ka arritur dy suksese të rëndësishme.

E para është se kjo kompania zvicerane tani është zyrtarisht Iosa-certifikuar, që do të thotë se plotëson standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë në aviacion, dhe së dyti është bërë pjesë e IATA-s, rrjetit global me mbi 300 linja ajrore, transmeton albinfo.ch.

Referuar kompanisë, certifikimi Iosa dëshmon përkushtimin e Chair Airlines ndaj sigurisë, cilësisë dhe përmirësimit të vazhdueshëm. Me hyrjen në IATA, kompania fiton qasje në standarde ndërkombëtare, resurset e industrisë dhe një rrjet të fuqishëm bashkëpunimi dhe inovacioni.

Chair Airlines u themelua në vitin 2019 dhe shërben kryesisht destinacione turistike në Evropë dhe Afrikën e Veriut. Ajo është veçanërisht e njohur për linjat drejt Ballkanit, duke përfshirë Prishtinën, Shkupin dhe Ohri. Verën e ardhshme do të nisë edhe fluturimet drejt Vlorës, ndërsa në vitin 2026 do t’i shtohet destinacioni Patras në Greqi.

Aktualisht kompania operon me katër avionë të tipit Airbus A319 dhe A320. Historia e Chair Airlines lidhet me Germania Flug, e cila u themelua në vitin 2014. Pas problemeve financiare të kompanisë mëmë gjermane në vitin 2019, Leyla Ibrahimi-Salahi, drejtore e Air Prishtina, e bleu dhe e riemëroi në Chair Airlines.

Vlen të theksohet se Chair ka fluturime të rregullta edhe Prishtinën. /Albinfo.ch

Brooklyn: Shqiptari nga Kosova humb jetën duke u përpjekur të ndalojë një grabitës

Raportohet se një 41-vjeçar shqiptar, Burim Havolli nga Kosova, humbi tragjikisht jetën në Brooklyn, Nju Jork, pasi u përpoq të ndalonte një person që po vidhte pako në hollin e ndërtesës ku punonte si mbikëqyrës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se e gjitha ndodhi të mërkurën në mëngjes në Ocean Avenue, në zonën Flatbush.

Policia u thirr rreth orës 08:00 dhe gjeti 41-vjeçarin me lëndime të rënda në kokë. Ai u dërgua menjëherë në spitalin Kings County, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Fqinjët thanë se Havolli u sulmua teksa tentonte të ndalonte grabitësin e pakove. Banorët e zonës u shprehën të tronditur, duke theksuar se lagja po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.

Familjarët e viktimës e përshkruan Burimin si një njeri punëtor dhe të respektuar, i cili humbi jetën duke bërë detyrën e tij.

Policia po heton motivin e sulmit. Një person i interesuar është marrë në pyetje, por ende nuk janë ngritur akuza.