“Fjalët më të përdorura të vitit” në Zvicër

Çdo dhjetor, studiuesit në Shkollën e Gjuhësisë së Aplikuar të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW) zgjedhin fjalë që mishërojnë zhvillimet kryesore shoqërore për vitin aktual.

Dhe meqenëse kjo është Zvicra, fjalët zgjidhen për secilën zonë gjuhësore, bazuar në ngjarjet ose diskurset kryesore që kanë qenë në trend në ato rajone të veçanta.

Në vitin 2025, për pjesën zvicerano-gjermane, Fjala e Vitit është ‘Frauen-Nati’ – domethënë, ekipi kombëtar zviceran i grave, transmeton albinfo.ch.

Në rajonet frëngjishtfolëse, është ‘genocid’ (gjenocid); në pjesët italiane, dazi (tarifa ose detyrime doganore) dhe në romansh – IA (IA – inteligjencë artificiale).

QKMK u bën thirrje mërgimtarëve që nesër të shmangin rrugën kah Kastrati i Kurshumlisë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë u ka bërë thirrje mërgimtarëve dhe qytetarëve që do të shfrytëzojnë rrugën kah Serbia të mërkurën (24 dhjetor) të gjejnë një rrugë tjetër për shkak të një proteste të paralajmëruar në fshatin Kastrat të Kurshumlisë.

Protesta pritet të nisë nga ora 11:50 deri në orën 15:50, transmeton albinfo.ch.

“Duke u bazuar në burimet e hapura-mediat online, më datë, 24 Dhjetor 2025, është paralajmëruar bllokadë e rrugës, nga banorët lokal në segmentin rrugor, në fshatin Kastrat të Kurshumlisë (SRB), nga ora 11.50 deri në ora 15.50. Ju inkurajojmë, që të shfrytëzoni rrugë tjera, me qëllim të evitimit të pengesave në rrugë”, thuhet në njoftim. “Për çdo informatë shtesë, ju lutem kontaktoni në numrat e QKMK-së +38345198000, +38345198606 dhe 080050095”.

Parisi inauguron teleferikun urban më të gjatë në Europë

Në periferi të juglindjes së Parisit është vënë zyrtarisht në funksion teleferiku urban më i gjatë në Europë, një projekt që u realizua rreth 17 vjet pas propozimit fillestar.

Linja e re, e para e këtij lloji në kryeqytetin francez, synon të lidhë zona periferike të izoluara dhe me mungesë infrastrukture me rrjetin ekzistues të metrosë, duke ofruar një alternativë të re dhe efikase transporti urban.

Teleferiku shtrihet në një gjatësi prej 4.5 kilometrash dhe përbëhet nga 105 kabina, secila me kapacitet prej 10 pasagjerësh. Sipas autoriteteve, sistemi pritet të transportojë deri në 11 mijë udhëtarë në ditë, duke kaluar mbi rrugët e Parisit.

Megjithëse mban rekordin evropian, teleferiku më i gjatë në botë mbetet ai që lidh qytetet La Paz dhe El Alto në Bolivi, me një gjatësi prej 32 kilometrash.

Koha e udhëtimit me teleferik, përfshirë ndalesat, do të jetë rreth 18 minuta, dukshëm më e shkurtër krahasuar me 40 minutat që nevojiten aktualisht me makinë ose autobus.

Për sa i përket kostos, shërbimi është projektuar të jetë i përballueshëm, pasi pasagjerët mund të përdorin kartë të rikarikueshme ose të blejnë bileta të ndara: 2.50 euro për Linjën 8 të metrosë dhe 2 euro për teleferikun.

Projekti, me një vlerë totale prej 138 milionë eurosh, është konsideruar një zgjidhje më ekonomike krahasuar me ndërtimin e linjave të reja të metrosë për lidhjen e këtyre zonave periferike.

 

Linja Bernina kufizon aksin për shkak të fluksit të turistëve

Hekurudha Rhaetiane (RhB) ka vendosur kufizime për hyrjen në linjën Bernina gjatë periudhës së Krishtlindjeve, për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të udhëtarëve.

Nga 26 dhjetori deri më 5 janar, hyrja në trenat e kësaj linje do të ndahet për udhëtarët me dhe pa rezervim vendi. Për pasagjerët që mbërrijnë, do të krijohen korridore daljeje të veçanta. Përveç kësaj, janë shtuar 600 vende shtesë në secilin drejtim, si dhe do të qarkullojë një tren ekstra.

Sipas RhB, këto masa janë të nevojshme për të parandaluar mbipopullimin dhe për të siguruar sigurinë. Numri i pasagjerëve për kilometër është rritur me 71% në tre vitet e fundit.

Linja Bernina mbetet një nga atraksionet më të njohura turistike në Zvicër, falë panoramave spektakolare malore dhe akullnajave.

Shqipëri: Protestuesi merr flakë para Kryeministrisë, i shpërtheu molotovi tek këmbët

Flakët e kanë përfshirë një protestues gjatë protestës që u zhvillua sot nga opozita para Kryeministrisë në Tiranë.

Ai i është afruar një molotovi të hedhur përpara Kryeministrisë, i cili më pas ka shpërthyer, raporton tch, përcjell Albinfo.ch.

Pas kësaj ngjarjeje ai është ndihmuar nga të tjerë të pranishëm në protestë.

Nuk dihet gjendja e tij shëndetësore dhe nëse ka probleme./Albinfo.ch/

Qendrat e azilit si strehim falas gjatë eventeve të mëdha: A po keqpërdoret sistemi në Zvicër?

Një raport i ri ngre shqetësimin se qendrat federale të azilit në Zvicër po keqpërdoren si strehim falas, veçanërisht gjatë fundjavave dhe ngjarjeve të mëdha si Street Parade apo koncertet e Taylor Swift në Cyrih.

Sipas një analize të realizuar nga zyra kërkimore Ecoplan, numri i aplikimeve për azil rritet ndjeshëm në këto periudha. Raporti sugjeron se disa persona paraqesin kërkesa për azil vetëm për të kaluar natën në qendrat e azilit, duke u larguar sërish pas përfundimit të eventeve.

Rritje e ndjeshme gjatë eventeve të mëdha

Të dhënat tregojnë se gjatë fundjavëve verore në Qendrën Federale të Azilit në Cyrih regjistroheshin deri në 15 kërkesa për azil. Gjatë Street Parade, ky numër u rrit deri në 75 aplikime. Një rritje e ngjashme u shënua edhe gjatë koncerteve të Taylor Swift. Shumica e aplikuesve, sipas raportit, vinin nga vendet e Afrikës së Veriut.

Shifrat e përgjithshme të azilit

Deri në fund të nëntorit 2025, në Zvicër janë regjistruar 23.767 kërkesa për azil, që përfaqëson një rënie prej 8.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2024, rreth 4.500 kërkesa u cilësuan si të pabazuara, ndërsa 2.337 persona e braktisën procedurën e azilit pas aplikimit, veçanërisht në rastet kur transferoheshin nga një kanton në tjetrin.

Masat për të frenuar abuzimin

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) ka nisur masa për të parandaluar këtë fenomen. Sipas zëdhënësit Samuel Wyss, janë futur procedura të përshpejtuara 24-orëshe për azilkërkuesit nga Afrika e Veriut, si dhe regjistrimi i gjurmëve të gishtërinjve edhe gjatë natës dhe fundjavave. Kjo do të thotë se askush nuk mund të qëndrojë në një qendër federale azili pa u identifikuar zyrtarisht.

Po ashtu, pas një marrëveshjeje mes autoriteteve federale, kantoneve dhe komunave, pritet të futet edhe një fazë paraprake verifikimi, për të vlerësuar nëse ekzistojnë kushtet minimale për paraqitjen e një kërkese për azil, përpara se ajo të regjistrohet zyrtarisht.

Autoritetet theksojnë se qëllimi i këtyre masave nuk është kufizimi i të drejtës për azil, por mbrojtja e sistemit nga keqpërdorimet dhe garantimi i ndihmës për ata që kanë realisht nevojë.

 

SBB rrit tarifat për sendet e humbura nga viti 2026: Kthimi i celularëve dhe biçikletave do të kushtojë më shumë

Nga 1 janari 2026, Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) do të aplikojnë tarifa të reja për kthimin e sendeve të humbura në transportin publik. Arsyeja kryesore, sipas SBB-së, është se tarifat aktuale nuk mbulojnë më kostot operative, ndërsa numri i objekteve të gjetura është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Sipas rregulloreve të reja, tarifa standarde për marrjen e një sendi të humbur do të jetë 20 franga zvicerane për udhëtarët pa abonim. Pajisjet elektronike dhe sendet e mëdha do të kenë tarifa edhe më të larta.

Tarifa të veçanta për pajisjet elektronike dhe sendet e mëdha

Kushdo që humbet një pajisje elektronike – si telefon celular, laptop apo tablet – ose sende të mëdha si biçikleta, skuterë elektrikë apo karroca, do të duhet të paguajë 25 franga, nëse nuk posedon abonim.

Zbritja për mbajtësit e kartës Half-Fare do të hiqet plotësisht, ndërsa mbajtësit e kartës GA do të vazhdojnë të përfitojnë lehtësime. Ata do të paguajnë 15 franga për kthimin e pajisjeve elektronike ose sendeve të mëdha. Nëse kërkohet ndryshimi i stacionit të marrjes, aplikohet një tarifë shtesë prej 10 frangash për artikull.

Pse po rriten tarifat?

SBB sqaron se tarifat aktuale kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2008 dhe tashmë nuk janë më të qëndrueshme financiarisht. Vetëm gjatë vitit 2024, në zyrat e sendeve të humbura janë dorëzuar rreth 130 mijë objekte, krahasuar me 123 mijë një vit më parë.

Sipas kompanisë, pajisjet elektronike kërkojnë procedura shtesë identifikimi, si verifikimi i numrave serikë dhe kontaktimi i operatorëve telefonikë, ndërsa sendet e mëdha shkaktojnë kosto më të larta transporti dhe magazinimi.

Qëllimi i masës

SBB thekson se tarifat e reja synojnë frenimin e rritjes së kostove, edhe pse as këto nuk pritet t’i mbulojnë plotësisht shpenzimet reale të shërbimit.

 

Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve

Fehmi Mahalla, i lindur më 1981 në Ferizaj dhe i rritur në Lozanë që nga viti 1990, është një nga figurat më të spikatura shqiptare në sportin e karatesë, si garues dhe si trajner i disa prej emrave më të suksesshëm të gjeneratave të fundit. Rruga e tij nisi herët, nën udhëheqjen e babait të tij, Fahri Mahalla, në klubin e karatesë “Dardania Lausanne”, aty ku formoi disiplinën, teknikën dhe karakterin që e shoqërojnë edhe sot.

Sukseset si garues – një karrierë e kulluar prej kampioni

Fehmi Mahalla është pjesë e historisë së karatesë zvicerane, me rezultate që pak sportistë në Evropë mund t’i arrijnë:

Kampion i Evropës për seniorë, kategorisë së rëndë – Tenerife, 2005

Kampion i Lojërave Frankofone (2005–2007)

Fitues 3 herë i turneut më prestigjioz botëror, Open d’Paris, në kategorinë e rëndë dhe absolute

14 herë Kampion Shtetëror i Zvicrës

Pjesë e Përfaqësueses së Zvicrës për afro 20 vite

Ai luftoi për Zvicrën në një kohë kur Kosova ende nuk mund të përfaqësohej si shtet në arenën ndërkombëtare. Në këtë cilësi, Mahalla jo vetëm shënoi rezultate të jashtëzakonshme, por mbeti edhe shembull i dinjitetit dhe profesionalizmit në diasporë.

Fehmi Mahalla – trajner i kampionëve

Pas karrierës si sportist elitar, Mahalla u bë trajner i kërkuar në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri, duke u kthyer në arkitekt të sukseseve ndërkombëtare të dhjetëra sportistëve.

Këta janë kampionët që ka kalitur Fehmi Mahalla:

 

Alvin Karaqi – Kampion i Lojërave Olimpike Evropiane, nënkampion i Evropës dhe Mesdheut, fitues i Premier League (Përfaqësues i Shqipërisë)

Orges Arifi – 2x Nënkampion i Evropës (Për Shqipërinë)

Kujtim Bajrami – 2x Nënkampion i Evropës, vendi i tretë në Botëror (Për Zvicrën)

Herolind Nishevci – Vendi i tretë në Kampionatin Botëror (Për Kosovën)

Në rolin e trajnerit të përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë, ai ka kontribuar në ngritjen e këtyre dy ekipeve në nivele historike. Me Shqipërinë ka arritur dy medalje të argjendta evropiane, ndërsa me Kosovën rezultatin e jashtëzakonshëm të vendit të tretë në Evropë dhe Botë.

“Shpërblimi më i madh për një trajner është medalja e nxënësit”

Në rrëfimin e tij, Fehmi Mahalla e përshkruan suksesin me një thjeshtësi karakteristike: “Kënaqësia më e madhe nuk është vetëm medalja ime, por ajo e garuesit. Aty shpërblehet puna e trajnerit”.

Për të rinjtë, ai ka një mesazh të qartë: “Shpëtimi është te disiplina dhe te puna. Vetëm punë, punë dhe njerëz të duhur përreth. Vetëm kështu ecet përpara”.

Sfida dhe e ardhmja

Mahalla pranon se angazhimet profesionale në Zvicër e kufizojnë praninë e tij të përditshme në stërvitje, por synimi mbetet i pandryshuar: të jetë pranë garuesve që kanë potencial të shndërrohen në kampionë evropianë dhe botërorë.

“Në Zvicër niveli i të rinjve shqiptarë në karate ka rënë paksa, ndërsa Kosova dhe Shqipëria po shënojnë rritje dhe rezultate të jashtëzakonshme në skenën ndërkombëtare. Kjo më jep motivim të vazhdueshëm për të kontribuar aty ku talenti shqiptar po del në pah fuqishëm”, thekson Mahalla.

Lidh tri hapësira shqiptare, përmes sportit

Fehmi Mahalla mishëron modelin e sportistit dhe trajnerit të diasporës: i përkushtuar, punëtor, me standarde të larta dhe me një sens të fortë përgjegjësie ndaj të rinjve shqiptarë. Sukseset e tij në Zvicër dhe ndikimi i tij në Shqipëri e Kosovë e bëjnë figurë shembullore – një histori suksesi që lidh tri hapësira shqiptare përmes sportit.

 

Një vit i shkëlqyer për arin me një vit 2026 të favorshëm përpara

Viti 2025 ishte një vit i shkëlqyer për arin. Metali i verdhë fitoi më shumë se 60%, duke përditësuar vazhdimisht rekordet e tij.

Të hënën, për herë të parë në histori, është tejkaluar çmimi prej 4400 dollarësh (3488 CHF) për ons (domethënë kilogrami është rreth 113,000 CHF). Dhe sipas ekspertëve, të gjithë përbërësit janë aty që edhe viti 2026 të jetë i favorshëm.

Një nga faktorët kryesorë pas nivelit të lartë të çmimeve është dhe mbetet pasiguria globale. Këto variojnë nga pasojat e politikës doganore të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, të cilat janë ende të vështira për t’u vlerësuar, deri te konfliktet e shumta gjeopolitike, veçanërisht lufta në Ukrainë.

Në kohë si këto, ari është pasuria më e sigurt kur bëhet fjalë për mbrojtjen e një portofoli dhe ruajtjen e vlerës së tij. Një qasje që për më tepër tejkalon shekujt, duke sugjeruar se asgjë nuk ka ndryshuar: në Romën e lashtë një ons ari bënte të mundur blerjen e një tunike elegante, sot me të njëjtën sasi mund të blini një kostum elegant.

Por bankat qendrore janë gjithashtu një faktor i rëndësishëm. Meqenëse dollari amerikan është monedha referuese në botë, ai ka qenë prej kohësh monedha rezervë “par excellence”, shkruan swissinfo. Megjithatë, kohët e fundit, një trend ka fituar vrull midis bankave qendrore të vendeve në zhvillim: shkëputja nga supremacia e dollarit. Ari shërben si zëvendësim.

Sipas llogaritjeve nga ekspertët e kompanisë së investimeve VanEck, që nga viti 2022 bankat qendrore në të gjithë botën janë blerës neto të arit dhe ruajnë më shumë se 1,000 ton në vit. Edhe në vitin 2025 ky trend vazhdoi, me rreth 700 ton tashmë në fund të tetorit, sipas prodhuesit të arit Heraeus. Këto blerje janë një mbështetje e madhe për çmimin e metalit, transmeton albinfo.ch.

Sidomos në Kinë, braktisja e dollarit është pjesë e strategjisë dhe blerjet aktuale mund të jenë edhe më të larta se shifrat zyrtare, spekulon Arthur Jurus, drejtor investimesh i bankës private Oddo BHF Suisse. Sipas Commerzbank, megjithatë, rezervat e arit të bankave qendrore nuk ka gjasa të rriten pafundësisht. Në fakt, rezervat tradicionalisht kanë për qëllim të sigurojnë tregtinë e jashtme dhe t’u ofrojnë importuesve valutë të huaj të mjaftueshme për të paguar mallrat e tyre: kjo është vështirë e mundur me arin.

Pastaj është politika monetare: normat e ulëta të interesit barazohen me një çmim më të lartë të arit. Në të vërtetë, normat e ulëta reale të interesit e bëjnë metalin e çmuar, i cili në vetvete nuk gjeneron asnjë të ardhur, më tërheqës. Dhe në vitin 2026, normat e interesit pritet të vazhdojnë të bien, të paktën në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë kontekst, kryetari i ri i Rezervës Federale do të luajë një rol vendimtar. Pasardhësi më i mundshëm i Jerome Powell është Kevin Hassett, një mbështetës besnik i Trump dhe për këtë arsye një garantues i uljeve të kostos së parasë të kërkuara vazhdimisht nga presidenti amerikan. Deri në fund të mandatit të Powell në maj, situata e normave të interesit mund të mbetet ende e qetë.

IG Markets ofron një arsye tjetër për trendet aktuale, megjithëse një më pak themelore. Në SHBA së shpejti do të ketë zgjedhje afatmesme dhe, sipas statistikave, vite të tilla janë të mira për arin, shpjegon Christian Henke, analisti kryesor i tregut. Në periudha të tilla, luhatshmëria rritet, aksionet janë më pak të kërkuara dhe investitorët kërkojnë strehë të sigurta.

Por sa e pasur do të jetë në të vërtetë bufeja e arit në vitin 2026? Henrik Marx, kreu i shitjeve në Heraeus Precious Metals, supozon një diapazon çmimesh midis 3,500 dhe 5,000 dollarëve për ons. Ekspertë të tjerë parashikojnë gjithashtu rritje të mëtejshme të çmimeve, ndoshta pas një pauze, duke pasur parasysh nivelet mjaft të larta.

Vlerësimet variojnë nga 4500 dollarë në Oddo BHF në 4950 dollarë në Deutsche Bank. Në të njëjtën kohë, shumë ekspertë e lënë derën hapur: nëse, për shembull, lufta në Ukrainë do të mbaronte ose ngjarje të tjera do të ulnin dëshirën për siguri, një korrigjim i fortë nuk mund të përjashtohet.

Cilat do të jenë kursimet dhe shpenzimet shtesë të familjeve në vitin 2026?

Viti 2026 paraqitet nën një sfond pozitiv dhe negativ. Pensionistët do të përfitojnë të ardhura shtesë falë pensionit të 13-të AHV, por kontributet e sigurimeve shëndetësore do të mbeten një barrë e konsiderueshme, duke u rritur ende krahasuar me vitet e kaluara.

Pensioni i 13-të AHV

Reforma kryesore legjislative e vitit të ardhshëm ka të bëjë me pensionistët. Në dhjetor 2026, pagesa e 13-të e pensionit të pleqërisë dhe të mbijetuarve (AHV) do të bëhet për herë të parë.

Për beqarët në pension, ky pension i 13-të përfaqëson një të ardhur shtesë midis 1260 dhe 2520 frangave zvicerane. Shuma e tij korrespondon me një të dymbëdhjetën e pensioneve të paguara gjatë vitit. Llogaritja është më komplekse për çiftet e martuara.

Energjia elektrike po bëhet më e lirë

Çmimi i energjisë elektrike pritet të bjerë me një mesatare prej 4% në vitin 2026. Një familje tipike do të paguajë 27.7 cent për kilovat orë vitin e ardhshëm, një kursim mesatar prej 58 frangash për vitin.

Ky është viti i tretë radhazi i rënies së çmimeve të energjisë elektrike, pas rritjes së ndjeshme në fillim të luftës në Ukrainë. Edhe pse kursimet mund të duken modeste, ato grumbullohen me kalimin e viteve.

Çdo verë, kompanitë e energjisë elektrike i paraqesin tarifat e tyre të reja autoriteteve për shqyrtim. Çmimet e reja hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit pasardhës.

Rënie e të ardhurave për fotovoltaikët

Ndërsa familjet mund të presin rënien e çmimeve të energjisë elektrike, operatorët e instalimeve fotovoltaike do të marrin të ardhura dukshëm më të ulëta.

Sipas vlerësimeve të Shoqatës së Prodhuesve të Pavarur të Energjisë (VESE), norma e blerjes për energjinë elektrike diellore pritet të ulet me pothuajse 25% – një rënie e konsiderueshme e të ardhurave që lidhen me injektimin e kësaj energjie elektrike në rrjet, me një shpërblim mesatar prej rreth 9.6 centësh për kWh për instalimet deri në 30 kW.

Kjo rënie është për shkak të Ligjit të ri të Energjisë, i cili hyn në fuqi më 1 janar. Ai harmonizon normat e blerjes në të gjithë Zvicrën. Prandaj, pronarët e instalimeve diellore do të marrin më pak para, veçanërisht në verë, një periudhë me energji elektrike të tepërt.

Primet e sigurimit shëndetësor rriten

Sa i përket kostove shëndetësore, barra mbi mbajtësit e policave do të rritet më tej vitin e ardhshëm. Primet do të rriten mesatarisht me 4.4%. Primi mesatar mujor tani do të arrijë në 393 franga zvicerane për person.

Anketat tregojnë se kostoja e lartë e kujdesit shëndetësor është shqetësimi kryesor i zviceranëve.

Një model i ri çmimesh zbatohet edhe për konsultat mjekësore. Sistemi i vjetër Tarmed zëvendësohet nga struktura e re tarifore Tardoc. Ky ndryshim ka të bëjë me shërbimet mjekësore ambulatore.

Sipas shërbimit të krahasimit Comparis, ky evolucion mund të çojë në një rritje ose ulje të faturave për pacientët, varësisht nga trajtimi dhe modeli i sigurimit.

Norma interesi më të ulëta për kreditë e pasurive të paluajtshme dhe konsumatore

Ata që dëshirojnë të hyjnë në borxh po përfitojnë nga konteksti aktual. Këtë vit, Banka Kombëtare Zvicerane e ka ulur normën e saj të politikës në 0%, dhe normat e interesit në përgjithësi po bien. Prandaj, paratë janë të lira. Ky është një lajm i mirë për të gjithë pronarët e shtëpive që duhet të rinovojnë kredinë e tyre të shtëpisë vitin e ardhshëm, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Kreditë konsumatore janë bërë gjithashtu më të përballueshme. Më shumë se katër miliardë franga zvicerane në kredi të reja konsumatore kontraktohen çdo vit në Zvicër.

Normat më të ulëta të interesit të tregut nënkuptojnë se qeveria federale do të ulë normën maksimale të interesit për kreditë konsumatore me një pikë përqindjeje që nga 1 janari 2026. Nga kjo datë, kjo normë maksimale do të jetë 10%.

Qiramarrësit në përgjithësi përfitojnë nga ky mjedis me normë të ulët interesi. Norma e politikës pritet të mbetet e pandryshuar vitin e ardhshëm dhe inflacioni është gjithashtu i ulët. Prandaj, shumica e familjeve mund të presin që qiraja e qirasë së tyre aktuale të mbetet e qëndrueshme; një rritje e përgjithshme e qirave nuk duhet të pritet.

Pse Zvicra po i shtrëngon kontrollet në kufijtë e saj?

Si pjesë e zonës Shengen “pa kufij”, në kufijtë zviceranë kryhen vetëm kontrolle sporadike dhe të rastësishme. Por kjo qasje e butë pritet të ndryshojë.

Në mocione identike, të dy dhomat e Parlamentit – Këshilli Kombëtar dhe Këshilli i Shteteve – i kanë bërë thirrje Këshillit Federal të intensifikojë kontrollet në kufijtë zviceranë, me qëllim gjetjen dhe dëbimin e vazhdueshëm të personave pa leje qëndrimi, si dhe frenimin e krimit ndërkufitar.

Në përgjigje, Zyra Federale për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (BAZG) po vendos 300 punonjës shtesë në kufijtë e Zvicrës.

“Kjo do të sigurojë një prani dhe mbikëqyrje minimalisht të shtuar në vendet që lidhen me migracionin, tha qeveria.

Ajo shtoi se fokusi fillestar i kësaj mase të re “do të jetë në kufirin jugor” – domethënë, në pikat e kontrollit përgjatë kufirit me Italinë, përmes të cilave shumica e migrantëve përpiqen të hyjnë në Zvicër, shkruan thelocal, përcjell albinfo.ch.

A do ta ngadalësojnë këto kontrolle më sistematike trafikun turistik, si dhe rrjedhën e punëtorëve ndërkufitarë në Zvicër?

Sipas autoriteteve federale, kontrollet e shtuara, veçanërisht në kufirin jugor, do të kenë në mënyrë të pashmangshme pasoja negative për trafikun kufitar në tërësi.

Megjithatë, pavarësisht kontrolleve të intensifikuara, “trafiku ndërkufitar i pasagjerëve dhe tregtisë, i cili është kaq i rëndësishëm për Zvicrën, duhet të ruhet sa më shumë që të jetë e mundur”, thanë ata.

Trump me masa të ashpra kundër emigracionit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përgatitet për një goditje më agresive ndaj emigracionit në vitin 2026 me miliarda dollarë fonde të reja, duke përfshirë edhe bastisjen e më shumë vendeve të punës, sipas “Reuters”.

Trump tashmë ka dërguar agjentë të emigracionit në qytetet kryesore të SHBA-së, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa agjentët federalë këtë vit kryen disa bastisje të profilit të lartë në biznese, ata kryesisht shmangën bastisjen e fermave, fabrikave dhe bizneseve të tjera që janë ekonomikisht të rëndësishme, por të njohura për punësimin e emigrantëve pa status ligjor.

ICE dhe Patrulla Kufitare do të marrin 170 miliardë dollarë fonde shtesë deri në shtator 2029 – një rritje e fondeve mbi buxhetet e tyre vjetore ekzistuese prej rreth 19 miliardë dollarësh – pasi Kongresi i kontrolluar nga republikanët miratoi një paketë masive shpenzimesh në korrik.

Zyrtarët e administratës thanë se po planifikojnë të punësojnë mijëra agjentë të tjerë, të hapin qendra të reja paraburgimi, të marrin më shumë emigrantë në burgjet lokale dhe të bashkëpunojnë me kompani të jashtme për të gjurmuar njerëzit pa status ligjor.

Planet e zgjeruara të deportimit vijnë pavarësisht shenjave në rritje të reagimeve negative politike përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Miami, një nga qytetet më të prekura nga masat e rrepta të Trump – për shkak të popullsisë së madhe emigrante, zgjodhi kryetarin e parë demokrat në gati tre dekada javën e kaluar, në atë që kryetari i zgjedhur e quajti, pjesërisht, një përgjigje ndaj presidentit amerikan.

Zgjedhje dhe sondazhe të tjera lokale kanë sugjeruar shqetësim në rritje midis votuesve të kujdesshëm ndaj taktikave agresive të emigracionit.

Mbështetja ndaj Trump për politikën e emigracionit ra nga 50% në mars, përpara se ai të niste masa të rrepta në disa qytete të mëdha të SHBA-së, në 41% në mesin e dhjetorit.

Fokusi i administratës në vendet e punës gjatë vitit të ardhshëm mund të gjenerojë shumë më tepër arrestime dhe të ndikojë në ekonominë amerikane dhe pronarët e bizneseve me prirje republikane.

Zëvendësimi i emigrantëve të arrestuar gjatë bastisjeve në vendet e punës mund të çojë në kosto më të larta të punës, duke minuar luftën e Trump kundër inflacionit, të cilën analistët presin të jetë një çështje e madhe në zgjedhjet e nëntorit që po monitorohen nga afër, duke përcaktuar kontrollin e Kongresit.

Shumica e shqiptarëve në diasporë janë të rinj

Mosha e 2,2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është mjaft e re sipas të dhënave nga Ces Hub i Bashkimit Evropian.

Shumica e vendeve të BE zhvilloi censet e popullsisë më 2021, nga të cilat u evidentua popullata e emigrantëve sipas vendeve të origjinës dhe mosha e saj.

Në total 70% e shqiptarëve që jetojnë në BE janë deri në 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç), me grup-moshën 30–49 vjeç që dominon fort, me 40.7% të totalit. Kjo peshë është pothuajse identike si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni nuk është më një fenomen i kufizuar kryesisht te meshkujt, por ka marrë një karakter familjar dhe më të balancuar gjinor, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Sakaq, struktura e popullsisë rezidente në Shqipëri është dukshëm më e plakur. Brenda vendit, pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa grup-moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur.

Përkundrazi në emigracion, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa moshat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme (0.3%), çka tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht një emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.

Edhe grup-mosha nën 15 vjeç ka një peshë të konsiderueshme në diasporë me 19%, çka tregon praninë e familjeve emigrante dhe një proces më të qëndrueshëm vendosjeje jashtë vendit. Ndërsa në Shqipëri rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.

Në terma ekonomikë dhe demografikë, grafiku konfirmon se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të vjetër.

Ndërsa jashtë vendit shqiptarët janë kryesisht në moshat që kontribuojnë në rritje ekonomike, brenda vendit barra mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financave publike është në rritje.

Sipas të dhënave të fundit nga Cens Hub emigrimi në dekadën e fundit shënonte 56 % meshkuj në Gjermani, 53 % në Greqi dhe 51 % meshkuj në Itali. Shtetas shqiptarë që jetojnë në Evropë figurojnë të jenë të një moshe të re, edhe në raport me strukturën e popullsisë së vendeve pritëse.

Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ai është i dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, me largimin e një mase të madhe banorësh nga trevat shqiptare. Akoma vazhdon të mbetet veprues dhe të japë impaktet e tij domethënëse, si në aspektet demografike, po ashtu edhe në ato sociale dhe ekonomike të vendit.

Migros: Punëtorët e larguar nga puna mbeten pa dhurata të Krishtlindjeve

Punonjësit e Migros që janë larguar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen para fundit të tetorit nuk do të përfitojnë dhuratën e Krishtlindjeve, pavarësisht se kompania po shënon 100-vjetorin e themelimit të saj. Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi dhe zhgënjim mes ish-punëtorëve.

Me rastin e jubileut, Migros ka vendosur t’u dhurojë punonjësve aktivë një kupon dhurate me vlerë deri në 300 franga zvicerane, në varësi të nivelit të punësimit. Megjithatë, ata që janë pushuar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen para datës 31 tetor mbeten jashtë kësaj skeme, edhe nëse janë ende në periudhën e njoftimit.

Një punonjës i Migros, i identifikuar si T., ka deklaruar për median zvicerane 20 Minuten se, ndonëse është punonjës afatgjatë dhe vazhdon të punojë gjatë periudhës së njoftimit, nuk ka marrë asnjë dhuratë. “Kjo tregon sa pak vlerësohen punonjësit. Një dhuratë është një falënderim për punën e bërë ndër vite”, shprehet ai.

Sipas tij, vendimi prek edhe punëtorët e larguar për shkak të shkurtimeve të stafit. “Nuk është faji i tyre që Migros po shkurton vende pune”, thekson ai, duke e cilësuar situatën si një tjetër goditje për moralin e punonjësve.

Kritika nga ekspertët e burimeve njerëzore

Vendimi është kritikuar edhe nga ekspertë të fushës së punësimit. Ursula Bergundthal, eksperte e burimeve njerëzore, vlerëson se në çështjet që lidhen me mirënjohjen për punën e kryer, punonjësit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. “Sidomos në kohë mungese të fuqisë punëtore, përjashtimi i ish-punonjësve nga dhuratat nuk është një qasje e menduar mirë”, shprehet ajo.

Sipas saj, ky veprim mund të ndikojë negativisht edhe te punonjësit aktualë, të cilët mund të ndihen të pasigurt për mënyrën se si do të trajtohen në rast largimi nga kompania.

Qëndrimi i Migros

Zëdhënësja e Federatës së Kooperativave Migros, Prisca Huguenin-dit-Lenoir, ka deklaruar se vendosja e një date përfundimtare është e nevojshme për arsye administrative dhe organizative. Ajo thekson se kjo praktikë nuk është e re dhe se çdo njësi e Migros e zbaton në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, Migros nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të punonjësve që mbeten pa dhuratë këtë vit.

Vendimi vjen në një periudhë të ndjeshme për Migros, e cila muajt e fundit është përballur me shitjen e disa filialeve dhe me valë shkurtimesh të stafit, duke shtuar pasigurinë dhe pakënaqësinë mes punonjësve.

 

Mbi 41 mijë migrantë kaluan La Manshin gjatë vitit 2025

Më shumë se 41 mijë migrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit me mjete të vogla lundruese gjatë vitit 2025, sipas të dhënave më të fundit zyrtare.

Vetëm gjatë natës mes së premtes dhe të shtunës, rreth 803 persona u nisën nga veriu i Francës drejt Britanisë së Madhe, duke përdorur 13 gomone dhe duke marrë përsipër një udhëtim të rrezikshëm në kushte të vështira detare.

Me këto kalime, numri i përgjithshëm i migrantëve që kanë përshkuar La Manshin këtë vit ka arritur në 41 455. Kalimet e së shtunës përfaqësojnë shifrën më të lartë ditore që nga 8 tetori, kur në një ditë të vetme u regjistruan 1 075 mbërritje.

Po ashtu, bëhet fjalë për numrin më të madh të migrantëve të regjistruar në një ditë gjatë muajit dhjetor, bazuar në statistikat që nga viti 2018. Dhjetori konsiderohet zakonisht një periudhë më e qetë për kalimet në La Mansh, për shkak të temperaturave të ulëta, dukshmërisë së kufizuar dhe motit të paqëndrueshëm, që e bën udhëtimin veçanërisht të rrezikshëm.

Rekordi i mëparshëm i mbërritjeve në muajin dhjetor ishte shënuar në vitin 2024, me 3 254 persona. Deri tani, gjatë dhjetorit të këtij viti, janë regjistruar rreth 2 163 mbërritje.

Ndërkohë, Gjermania ka miratuar këtë javë një ligj të ri që parashikon dënime deri në 10 vjet burg për trafikantët e qenieve njerëzore që tentojnë të organizojnë kalime të migrantëve drejt Britanisë së Madhe. Ligji pritet të hyjë në fuqi para përfundimit të vitit dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe shkëmbimin e informacionit mes autoriteteve gjermane dhe britanike.

Në të njëjtën kohë, autoritetet franceze kanë paralajmëruar masa të reja, duke planifikuar ndalimin e mjeteve të vogla lundruese në det, përpara se ato të marrin migrantë që synojnë të kalojnë drejt Britanisë së Madhe.

 

Kriminelë kibernetikë shantazhojnë bizneset zvicerane me vlerësime të rreme negative

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Zvicër po përballen me një formë të re shantazhi online, ku kriminelë kibernetikë përdorin vlerësime negative të rreme në Google Maps për të kërkuar para në këmbim të “pastrimit” të reputacionit digjital.

Sipas një hetimi të njësisë së të dhënave të transmetuesit publik zviceran SRF, pas një vale komentesh përçmuese dhe vlerësimesh me një yll, pronarët e bizneseve kontaktohen përmes WhatsApp-it dhe u kërkohet të paguajnë shuma që variojnë nga 100 deri në 200 franga zvicerane për heqjen e tyre.

Google Maps është kthyer në një mjet kyç për klientët që kërkojnë restorante, dentistë apo shërbime të ndryshme, duke e bërë vlerësimin online vendimtar për suksesin e një biznesi. Pikërisht këtë varësi po e shfrytëzojnë rrjetet e zhvatjes.

Një nga viktimat është Max Minin, pronar i një punishteje riparimi në kantonin Solothurn. Brenda pak minutash, në profilin e tij u shfaqën disa vlerësime negative nga llogari të dyshimta, të shkruara në anglisht. Edhe pse fillimisht arriti t’i raportojë dhe t’i largojë komentet, një pjesë e tyre u rikthyen disa ditë më vonë, duke mbetur aktive pa mundësi raportimi të dytë.

Hetimet e SRF kanë zbuluar se këto llogari të rreme lidhen me një rrjet ndërkombëtar zhvatjeje, me origjinë të dyshuar në Pakistan. Të njëjtat profile kanë lënë komente negative edhe për biznese në vende të tjera evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara.

Sipas ish-hetueses amerikane Kay Dean, e cila sot drejton kanalin “Fake Review Watch”, këto rrjete janë pjesë e organizatave që shesin vlerësime të rreme pozitive dhe negative në Google Maps, duke përdorur profile fiktive dhe inteligjencë artificiale për gjenerimin automatik të komenteve.

Dean thekson se platformat e vlerësimeve, përfshirë Google, kanë krijuar një mjedis tepër të lirshëm, ku mashtrimi shpesh mbetet i pandëshkuar, ndërsa bizneset e ndershme dëmtohen.

Nga ana e saj, Google ka deklaruar se përdor algoritme dhe ekipe njerëzore për të identifikuar përmbajtje mashtruese, se heq vlerësime dhe profile të rreme dhe se ndërmerr veprime ligjore kundër rrjeteve kriminale.

Autoritetet dhe ekspertët këshillojnë bizneset që, në rast se përballen me këtë formë shantazhi:

të mos reagojnë ndaj kërkesave për pagesë

të bllokojnë menjëherë kontaktet e dyshimta

të mos kryejnë asnjë pagesë

të raportojnë vlerësimet te Google

të dokumentojnë çdo rast me pamje ekrani dhe prova komunikimi

Fenomeni po merr përmasa shqetësuese, ndërsa bizneset e vogla mbeten më të ekspozuara ndaj këtyre sulmeve digjitale, të cilat po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë besimin e konsumatorëve te vlerësimet online.

 

Blerjet online për dhuratat e Krishtlindjeve mbeten të pandryshuara, por tregtarët shprehin shqetësim

Pothuajse një e treta e dhuratave të Krishtlindjeve në Zvicër vazhdojnë të porositen në internet, një trend që mbetet i qëndrueshëm prej disa vitesh, por që vazhdon të shqetësojë shitësit me pakicë, veçanërisht në qytetet e mëdha.

Sipas një studimi të Federatës Zvicerane të Tregtisë me Pakicë, rreth 37 për qind e dhuratave festive këtë sezon janë blerë online. Edhe pse kjo shifër nuk ka shënuar rritje gjatë tre viteve të fundit, për tregtarët lokalë situata mbetet alarmante, transmeton albinfo.ch.

“Për një dyqanxhi, nuk mjafton të ketë klientë vetëm një muaj në vit. Qëndrueshmëria varet nga prania e tyre gjatë gjithë vitit”, shprehet Claudio Bocchia, anëtar i kolektivit të tregtarëve të Lozanës “Stop! Jemi të ngopur”. Sipas tij, një nga problemet kryesore është aksesueshmëria e dobët e dyqaneve me makinë, çka i shtyn konsumatorët drejt blerjeve online.

Masa për të gjallëruar qendrën e qytetit

Për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, Qyteti i Lozanës ka ndërmarrë një iniciativë gjatë muajit dhjetor, duke investuar afro gjysmë milioni franga. Masat përfshinë transport publik falas si dhe lehtësira parkimi për tre të shtuna radhazi, me synim nxitjen e blerjeve në dyqanet fizike të qytetit.

Rënie e bizneseve lokale

Sipas të dhënave të publikuara nga gazeta Le Temps, Lozana ka humbur 11 për qind të bizneseve të saj që nga viti 2011, ndërkohë që mesatarja e rënies për gjithë kantonin e Vaud është rreth 4 për qind.

Kryetari i bashkisë së Lozanës, Grégoire Junod, thotë se nevojiten masa të shumëanshme: “Duhet të veprojmë në promovim, aksesueshmëri dhe mbështetje të ngjarjeve e iniciativave që vetë tregtarët mund t’i zhvillojnë”.

Edhe pse në muajt e fundit është zhvilluar një dialog më konstruktiv mes autoriteteve dhe përfaqësuesve të tregtarëve, interesat mbeten të ndërlikuara. “Nuk jemi naivë, zgjedhjet komunale janë vitin e ardhshëm, por këto masa kërkojnë muaj diskutimesh dhe pune për të arritur kompromis”, thekson Anne-Lise Noz, presidente e Shoqërisë Kooperative të Tregtarëve të Lozanës.

 

Si mund ta shfrytëzojë Kosova momentin gjeopolitik për t’u afruar me NATO-n?

Anëtarësimi në NATO është më shumë se një dëshirë politike për Kosovën – është nevojë urgjente. Ky është pozicioni që mbajnë jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe disa aleatë të rëndësishëm, në kohën kur paralajmërimet për rrezikun në rritje nga Rusia nuk ndalen.

NATO-ja premton se angazhimi i saj për stabilitetin e rajonit do të mbetet i palëkundur, por a mjafton kjo për një vend që ndodhet në vijën e parë të sfidave strategjike?

Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmon se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim i Republikës, por thekson se rruga drejt këtij objektivi “varet edhe nga rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike”.

Zyrtarët nuk i dhanë një përgjigje të drejtpërdrejtë Radios Evropa e Lirë nëse ka plane për një aplikim formal për anëtarësim, por vunë në pah angazhimin e vazhdueshëm të vendit në këtë drejtim.

“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s. Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe këtij kuadri bashkëpunimi, për arsye politike.

Në NATO-n 32-anëtarëshe janë katër vende – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shumicën e aleatëve, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë mbetet kusht kyç për çdo hap përpara drejt anëtarësimit.

Serbia, nga perspektiva e Kosovës, përbën rrezikun kryesor të sigurisë, ndërsa Rusia shihet si aktori që e ushqen dhe e shfrytëzon këtë tension për të zgjeruar ndikimin e saj destabilizues në Ballkan.

Ndaj, zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, sipas presidentes Vjosa Osmani.

“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani në një intervistë për Politico-n.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin më 11 dhjetor, duke paralajmëruar se aleatët e Aleancës janë shënjestra e radhës e Rusisë.

“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë, dhe Evropa duhet të jetë e përgatitur”, sipas tij.

Qysh prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, para gati katër vjetësh, Kosova ka kërkuar disa herë anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë aleancë nëse ka plane për të thelluar angazhimin me Kosovën, përtej misionit paqeruajtës KFOR, apo nëse po shqyrtohen mekanizma që do t’i ofronin Kosovës garanci më të fuqishme sigurie.

Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës thuhet vetëm se “Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e tij është i palëkundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ketë vakum të sigurisë”.

Ndërsa pranoi se shtetet autoritare, si Rusia, përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, zëdhënësi i NATO-s nënvizoi gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar dialogun me Serbinë si thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

NATO-ja u zgjerua për herë të fundit vitin e kaluar me Suedinë. Pushtimi rus i Ukrainës e nxiti atë dhe Finlandën një vit më herët t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak dhe të kërkonin siguri kolektive.

Këtë javë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi është i gatshëm të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë. Pavarësisht kësaj, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë – anëtaret e së cilës janë të detyruara ta mbrojnë njëra-tjetrën – ka qenë gjithmonë thuajse i pamundur, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.

Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kosova ndoshta mund të përfitojë nga kjo situatë, sepse NATO-ja nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se Rusia ka të drejtë vetoje mbi vendimmarrjen e saj.

“NATO-ja është krenuar gjithmonë me autonominë e vendimeve të saj. Dhe, nëse për momentin i duhet të heqë dorë nga anëtarësimi i Ukrainës, ajo mund të dëshirojë ta kompensojë këtë duke u zgjeruar drejt dy vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor – Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës – për të treguar se dyert e Aleancës mbeten të hapura”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Neni 10 i Traktatit të NATO-s përcakton kushtet e zgjerimit, duke theksuar se anëtarësimi u ofrohet të gjitha shteteve evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës dhe kanë kapacitetin të kontribuojnë në sigurinë e Atlantikut të Veriut.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili ka marrë pjesë në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, argumenton se Kosova ka përparuar në aspektin ushtarak, por vë në pah pengesat në funksionimin e brendshëm të shtetit. Për pjesën më të madhe të këtij viti, Kosova ka qenë me qeveri në detyrë dhe pa kuvend funksional.

Mediu nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke përmendur edhe përvojën e Shqipërisë, ku pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrim të përbashkët gjatë procesit të anëtarësimit.

“Pa këtë, është e pamundur të avancohet në NATO. NATO-ja nuk është vetëm një dëshirë. Është një proces i angazhimeve politike, institucionale, juridike, i luftës kundër krimit, kundër korrupsionit… Kjo është paketa politike. E, pastaj, vjen reforma në forca të armatosura, ku Kosova nuk ka ecur me hapa të ngadaltë, por me hapa pozitivë”, thotë Mediu për Exposenë.

Sipas Mediut, integrimi i Kosovës në NATO nuk vjen vetëm duke u pozicionuar kundër Serbisë apo Rusisë – ai kërkon ofertë konkrete strategjike ndaj aleatëve, veçanërisht SHBA-së.

Marrëdhëniet me SHBA-në, thotë ai, nuk mund të merren si të mirëqena; duhet të jetë e qartë se çfarë ofron Kosova dhe faktori shqiptar në rajon në këmbim.

Ai sheh zgjidhje në integrim gradual de facto: bashkëpunim ushtarak rajonal dhe kapacitete të përbashkëta operative.

“Kjo do të ishte një platformë shumë pozitive për ta përshpejtuar procesin. Nëse Kosova do të përfshihej me vendet tjera të NATO-s në rajonin e Ballkanit, në krijimin e niveleve të përbashkëta operacionale, që kanë të bëjnë me forca të gatshme për të vepruar, me vëzhgimin e hapësirës ajrore, detare, tokësore etj., Kosova, de facto, do të ishte e kyçur në një marrëdhënie me NATO-n”, thotë Mediu.

Në të njëjtën linjë, Shea thotë se Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, me të cilat tashmë ka partneritet në fushën e mbrojtjes, për të demonstruar kontributin e saj në stabilitetin rajonal.

Paralelisht, sipas tij, vendi duhet t’i avancojë reformat e brendshme dhe angazhimin diplomatik.

“Mendoj se, së pari, duhet të kemi një marrëdhënie më të mirë pune mes Qeverisë së Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara dhe fuqive kryesore evropiane. Të flasim hapur, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të lehta gjatë viteve të fundit, dhe Kurti është përballuar me kritika të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe disa aleatë evropianë. Gjendja e brendshme në Kosovë, me bllokadat në Parlament, dështimin për të zgjedhur kryetar, dhe fakti që tani kemi sërish zgjedhje më 28 dhjetor, ka ndikuar gjithashtu që jostabiliteti politik të mos shkojë në favor të Kosovës”, thotë Shea.

Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte kryesisht përfitime politike, pasi KFOR-i e mbron vendin me vite tashmë. Anëtarësimi do t’i siguronte njohje të plotë, vend në tryezën e NATO-s, kredibilitet ndërkombëtar dhe rol më të fuqishëm në sigurinë rajonale dhe evropiane.

Megjithatë, Shea paralajmëron se çdo reduktim apo ripozicionim i forcave amerikane në Evropë do ta detyronte kontinentin të merrte më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, përfshirë edhe Kosovën.

Këtë vjeshtë, SHBA-ja ka njoftuar për një reduktim të forcave rotative amerikane në Rumani. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Departamentin amerikan të Mbrojtjes më 31 tetor dhe më 16 dhjetor nëse këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim në pozicionimin ushtarak të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka marrë përgjigje.

Në fillim të këtij muaji, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesi republikan, Keith Self, e përshkroi rajonin si një “shkrepëse” dhe theksoi se udhëheqja e SHBA-së duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit atje.

“Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar mbrojtje ushtarake dhe politike. Kosova është veçanërisht e ekspozuar pa anëtarësim në NATO – proces që mbetet i bllokuar për shkak të refuzimit të Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për ta njohur pavarësinë e saj”, tha Self.

Edhe pse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, vendet mosnjohëse nuk kanë lëvizur, por ngjashëm as Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të madh, përveçse nga një cikël i rregullt zgjedhor në fillim të vitit në një tjetër të parakohshëm tani në fund.

E, nga këndvështrimi i sigurisë, ky ritëm mund të shihet si një shembull i kuptimit të vonuar të urgjencës strategjike./REL

Pritet rritje e çmimeve të ilaçeve në Zvicër

Drejtori ekzekutiv i Roche, Thomas Schinecker, ka ushtruar presion mbi kompaninë për të rritur çmimet e barnave të reja në Zvicër. Kreu i kompanisë farmaceutike përshkroi pasojat nëse Zvicra nuk i rrit këto çmime.

“Pastaj, për fat të keq, ndoshta do të ketë vonesa të mëtejshme në futjen e barnave të reja,” tha Schinecker në një intervistë me gazetën SonntagsZeitung të dielën, transmeton albinfo.ch.

Zvicra ka më shumë për të fituar dhe më shumë për të humbur, tha ai. Vetëm të ardhurat tatimore të industrisë farmaceutike janë më të larta se ato që shpenzohen për barnat inovative në Zvicër, tha ai.

Nëse Zvicra nuk ndjek sistemin e referencës amerikane dhe nuk rrit çmimet për barnat e reja në përputhje me rrethanat, Roche do të jetë në gjendje të investojë më pak në kërkime të përparuara, sipas Schinecker. Kjo për shkak se grupi do të gjeneronte më pak xhiro. Si rezultat, Roche do të paguante “më pak taksa dhe do të krijonte më pak vende pune”.

Rreth 4,200 njerëz marrin pjesë në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë

Për Notin tradicional të Krishtlindjeve në Gjenevë, Coupe de Noël, këtë fundjavë, rreth 4,200 notarë do të notojnë në liqen, i cili është pothuajse 9°C. 3,700 pjesëmarrësit e parë, filluan të shtunën.

Për herë të parë, notarët olimpikë do të marrin pjesë në ngjarjen më të vjetër sportive të kantonit, Coupe de Noël de Genève të 87-të. Charlotte Bonnet dhe Jeremy Desplanches janë patronët e këtij edicioni dhe do të marrin pjesë vetë të dielën, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Të shtunën, Liqeni i Gjenevës kishte një temperaturë prej 8.71°C. Në brigjet e Kopshtit Anglez, pjesëmarrësit notuan në valë prej rreth 25 personash, disa prej tyre me kostume origjinale dhe të sigurta për zhytje. Disa notuan 100 metrat e përcaktuar të veshur si kërpudha, gjela deti ose piratë.

Noti i Krishtlindjeve në Gjenevë u prezantua në vitin 1934 dhe u shpall pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të Zvicrës nga UNESCO në vitin 2023.

Pritje të gjata nëpër pika kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë në Kosovë

Pritje të gjata në pika të ndryshme kufitare janë regjistruar për mërgimtarët që kanë marrë rrugët tokësore për në Kosovë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se pritjet më të gjata janë te Dheu i Bardhë, deri në 40 minuta, transmeton albinfo.ch.

Përveç hyrjes në Kosovë, pritje kanë raportuar bashkëatdhetarët edhe në kufirin Kroaci-Serbi, deri në tetë orë.

Ndërkohë, në rrjete sociale kanë qarkulluar pamje, ku shihej policia kroate lejoi kalimin vetëm të makinave me targa kroate dhe serbe, duke mbajtur të bllokuar mërgimtarët shqiptarë mbi 12 orë. Si reagim, mërgimtarët bllokuan autostradën për të gjithë, dhe vetëm pas kësaj nisën zhbllokimet.

 

Dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën në aksidentin Beograd-Nish

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Beograd – Nish, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën dy persona, shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Bëhet e ditur se aksidenti ndodhi pranë daljeve të Umçarit, pasi vetura me targa gjermane, për arsye ende të paqarta, doli nga rruga. Raportohet se shoferi humbi kontrollin mbi mjetin, përplasi gardhin mbrojtës dhe shenjën rrugore pranë autostradës, përcjell albinfo.ch.

Tutje, u njoftua se nga makina e aksidentuar u nxorën trupat e një burri dhe një gruaje, të cilët u konfirmuan se janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.