Qeveria zvicerane së shpejti me një mocion që propozon uljen e kufirit të shpejtësisë në autostrada

Parlamenti së shpejti do të duhet të votojë një mocion që propozon uljen e kufirit të shpejtësisë për të parandaluar bllokimet e trafikut në autostradat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Por Këshilli Federal po argumenton se kufiri i propozuar i 100 km/orë (nga 120 km/h në fuqi në shumicën e pjesëve të autostradës) është i padobishëm sepse nuk do të sjellë përmirësime të mëdha në rrjedhën e trafikut.

Zyra Federale e Rrugëve tashmë e redukton kufirin e shpejtësisë në vende të caktuara herë pas here, por “shumë seksione të rrjetit rrugor kombëtar zviceran nuk paraqesin asnjë problem dhe për këtë arsye nuk është e nevojshme të vendoset një kufi i përgjithshëm i shpejtësisë prej 100 km/h për shkak të bllokimit të trafikut”, ka vendosur qeveria.

Shqipëria nuk figuron si një destinacion tërheqës për investimet gjermane

Raporti “Perspektiva e bizneseve gjermane në Europën Qendrore e Lindore 2025” nga KPMG ka analizuar perspektivat e investimeve gjermane në Evropën Qendrore dhe Lindore (CEE), duke vënë theksin në vendet kryesore të rajonit dhe sektorët me potencial të lartë zhvillimi, përcjell albinfo.ch.

Ai vlerëson se rajoni mbetet një destinacion strategjik për bizneset gjermane, për shkak të kostove konkurruese të punës, afërsisë me tregun e BE-së dhe rritjes së kërkesës së brendshme. Megjithatë, sfidat si mungesa e fuqisë punëtore, paqëndrueshmëria politike dhe vonesat në reformat institucionale vazhdojnë të jenë faktorë ndikues në tërheqjen e investimeve.

Ndonëse të anketuar ishin dhe sipërmarrjet gjermane që kanë aktivitet në Shqipëri, vendi ynë nuk figuron si një destinacion tërheqës për investimet gjermane. Serbia dhe Kroacia janë ndër vendet me më shumë interes për investitorët gjermanë në Ballkanin Perëndimor. Serbia ka regjistruar rritjen më të madhe të investimeve gjermane në dekadën e fundit, ndërsa Kroacia përfiton nga anëtarësimi në BE dhe stabiliteti ekonomik.

Vendet e tjera të Ballkanit, si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përmenden si tregje në zhvillim, por me sfida më të mëdha institucionale dhe ekonomike. Shqipëria është gjithashtu e përfshirë në analizën e përgjithshme, por nuk figuron ndër destinacionet kryesore të investimeve gjermane.

Raporti thekson se sektori i prodhimit, teknologjisë dhe energjisë së rinovueshme po tërheqin gjithnjë e më shumë investime në rajon. Ndërsa ekonomitë e CEE vazhdojnë të integrohen më thellë me Bashkimin Evropian, pritet që investimet e huaja të rriten, veçanërisht në ato vende që arrijnë të përmirësojnë stabilitetin politik dhe infrastrukturën ekonomike.

Në përfundim, raporti konkludon se rajoni mbetet një nga më të rëndësishmit për zgjerimin e biznesit gjerman, por suksesi afatgjatë do të varet nga aftësia e qeverive për të ofruar kushte më të mira për investitorët.

Sipas raportit, investimet gjermane në Europën Qendrore dhe Lindore (CEE) kanë vazhduar të rriten ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2022, stoku neto i investimeve direkte dhe indirekte gjermane në rajon arriti në 134.7 miliardë euro, duke e bërë CEE një destinacion kyç për kapitalin gjerman.

Në nivel kombëtar, Polonia është destinacioni kryesor për investimet gjermane, me 44.1 miliardë euro investime direkte, ndërsa Kosova ka nivelin më të ulët me vetëm 144 milionë euro. Ndërkohë, Serbia regjistroi rritjen më të madhe  të investimeve gjermane midis 2010 dhe 2022, me një rritje prej 176%, krahasuar me rritjen mesatare të rajonit prej 62%.

Tregtia ndërmjet Gjermanisë dhe rajonit të CEE vazhdon të jetë e rëndësishme. Volumi total i tregtisë dypalëshe pritet të arrijë në 519 miliardë euro në vitin 2024, duke tejkaluar tregtinë e kombinuar të Gjermanisë me SHBA-në dhe Kinën (504 miliardë euro) .

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Kroacia janë ndër destinacionet më të rëndësishme për investimet gjermane, me prani të fortë në sektorët e prodhimit, energjisë dhe logjistikës. Investimet në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri mbeten më të kufizuara, por po rriten gradualisht si pjesë e diversifikimit të zinxhirëve të furnizimit .

Serbia është vendi i Ballkanit Perëndimor që ka tërhequr më shumë investime gjermane në dekadën e fundit. Sipas raportit, Serbia ka regjistruar rritjen më të madhe përqindore të investimeve direkte gjermane, me një rritje prej 176% midis viteve 2010 dhe 2022 , Ky interes i lartë, sipas raportiit vjen falë kostove konkurruese të fuqisë punëtore, pozitës strategjike dhe lehtësirave për investitorët e huaj.

Serbia është destinacioni i gjashtë i investimeve gjermane në CEE, pas Polonisë, Hungarisë, Ukrainës, Hungarisë, Çekisë, ndërsa Bosnjë Hercegovina është në vend të dhjetë.

Shqipëria, pak investime gjermane

Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se stoku i investimeve gjermane në Shqipëri është 464 milionë euro, që përfaqëson prurjet e kapitalit gjerman pas viteve ’90. Gjermania renditet si investitori i nëntë më i madh i Shqipërisë, pas Hollandës, Zvicrës, Kanadasë, Italisë, Turqisë, Bullgarisë, Austrisë e Francës.

Sektorët ku Gjermania ka interes për të investuar në CEE

Në përgjithësi, raporti konfirmon se CEE mbetet një rajon prioritar për investimet gjermane, me fokus të veçantë në prodhim, teknologji dhe energjinë e rinovueshme. Prodhimi industrial dhe makineritë – Ky sektor mbetet një nga më të rëndësishmit për investimet gjermane, me një prani të fortë në vendet e CEE, veçanërisht në Poloni, Çeki, Hungari dhe Serbi

Automobilizmi – Industria e automobilave është një tjetër fushë kryesore investimesh, me Gjermaninë që ka fabrika dhe zinxhirë furnizimi në disa vende të CEE, përfshirë Hungarinë, Sllovakinë dhe Serbinë

Energjia e rinovueshme – Gjermania po zgjeron investimet në energji të pastër, veçanërisht në projektet e erës dhe diellore në rajon, duke synuar të shfrytëzojë potencialin e vendeve të CEE për të ulur varësinë nga energjia e importuar

Teknologjia e informacionit dhe telekomunikacioni – Me një rritje të konsiderueshme të qendrave të IT-së në rajon, veçanërisht në Poloni, Çeki dhe Rumania, investimet në këtë sektor janë në rritje, me kompanitë gjermane që kërkojnë të përfitojnë nga talentet e specializuara dhe kostot e ulëta

Transporti dhe logjistika – Pozicioni strategjik i vendeve të CEE e bën këtë sektor një pikë të rëndësishme për investimet gjermane, me Poloninë dhe Hungarinë si qendra kryesore të zinxhirëve të furnizimit europian

Agrobiznesi dhe përpunimi i ushqimeve – Gjermania ka interesa të mëdha në industrinë e ushqimit dhe bujqësisë në rajon, duke investuar në përpunimin e produkteve bujqësore dhe eksportet ushqimore .

Qeveria themelon Këshillin për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, përfshin edhe OVL-UÇK-në

Qeveria e Kosovës njoftoi se ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në këtë përbërje është ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si kryesues, Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt, nënkryesues, Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bashkim Jashari, komandant i FSK-së, Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë së Kosovës dhe një anëtar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje mbledhje elektronike, në të cilën ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë përbërje:

“Me këtë vendim, Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës ftohen ta dërgojnë nga një përfaqësues”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka deklaruar se nuk do të merr pjesë në asnjë aktivitet të organizuar nga Qeveria.

Ata e kanë quajtur “anti-UÇK” qeverisjen aktuale.

Sa para duhet për tu rimëkëmbur nga dëmet e luftës në Ukrainë

Kostoja e përllogaritur e rimëkëmbjes së ekonomisë së Ukrainës pas pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia ka arritur në 524 miliardë dollarë, gati trefishi i prodhimit të saj të pritshëm të 2024-tës, kanë ardhur në përfundim Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Ukrainës.

Një studim i ri nga institucionet përfshiu të dhëna nga nisja e pushtimit rus, tre vjet më parë, deri më 31 dhjetor 2024, përfshin një rritje prej 70 për qind të dëmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës nga sulmet ruse.

Ai shfaqi një rritje prej mbi 7 për qind nga përllogaritja e fundit prej 486 miliardë dollarësh, një vit më parë, teksa banimi, transporti, energjia, tregtia dhe arsimi u cilësuan sektorët më të prekur, raporton Reuters.

Studimi vlerëson dëmin e drejtpërdrejtë fizik ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës tjetër, ndikimin në jetën e njerëzve, dhe koston e “rindërtimit më të mirë”, thanë institucionet në një komunikatë të përbashkët për media, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po bën përpjekje për t’i dhënë fund luftës përmes bisedimeve të ndara me Rusinë dhe Ukrainën, dhe u ka thënë gazetarëve, gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, se një marrëveshje mund të arrihet brenda javësh.

“Vitin e kaluar, rimëkëmbja e Ukrainës ka vazhduar të rëndohet për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë”, ka thënë kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal.

Qeveria ukrainase ka ndarë 7.37 miliardë dollarë për të adresuar nevojat më me prioritet më 2025, me mbështetje nga donatorët, por vazhdon të ketë një boshllëk financimi prej gati 10 miliardë dollarësh, u tha në komunikatën e përbashkët të institucioneve.

Llogaritja e fundit, duke përdorur një metodologji universale për llogaritjen e dëmeve dhe nevojave, gjeti se dëmet e drejtpërdrejta nga sulmet ruse në Ukrainë janë rritur në 176 miliardë dollarë, nga 152 miliardë dollarë sa raportoheshin në shkurtin e 2024-tës.

Rreth 13 për qind e pasurive të banueshme të Ukrainës janë dëmtuar apo shkatërruar, duke prekur mbi 2.5 milionë familje.

Raporti përmendi një rritje prej 70 për qind të dëmeve në sektorin e energjisë që nga llogaritja e fundit, e bërë një vit më parë, përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e rrymës dhe të ngrohjes lokale.

Sektorit të banimit i nevojiten rreth 84 miliardë dollarë për rimëkëmbje, ndërsa atij të transportit gati 78 miliardë. Sektorit të energjisë dhe minierave i duhen rreth 68 miliardë, atij të tregtisë dhe industrisë mbi 64 miliardë, ndërsa sektorit të bujqësisë mbi 55 miliardë dollarë.

Vetëm kostoja e pastrimit dhe menaxhimit të rrënojave u vlerësua se kap vlerën e rreth 13 miliardë dollarëve, u tha në raport.

Çmimet e produkteve në Shqipëri, si krahasohen me vendet evropiane

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së ‘Agjencisë Evropiane të Statistikave’, në muajin Janar të vitit 2025 regjistrohet në 2.4%, duke konstatuar kështu një ulje krahasuar me dhjetorin e vitit 2024 ku inflacioni fiksohej në 2.5%.

Nga ana tjetër, inflacioni sipas ‘INSTAT’ për të njëjtën periudhë ishte 1.9%. Theksojmë se metodologjia e matjes është e njëjtë me të dy metodat por diferencat mes këtyre dy matjeve vijnë si rezultat i peshës që i jepet secilit grup të produkteve në llogaritjen e inflacionit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni mesatar në Evropë përllogaritet në 2.8% dhe Shqipëria shihet e pozicionuar larg këtij kufiri. Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Evropë përgjatë janarit të këtij viti janë Maqedonia e Veriut me 5.8%, Hungaria me 5.7%, Rumania me 5.5%, Kroacia dhe Serbia me 5% dhe 4.9% respektivisht, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa të njëjtat vende vazhdojnë të dominojnë listën e inflacionit më të lartë në Evropë, ka pasur një riorganizim të pozicioneve ku Hungaria ka kaluar përpara Rumanisë, ndërsa vendet e tjera kanë ruajtur nivelet e larta të inflacionit të vërejtura edhe në dhjetor të vitit 2024.

Nëse analizojmë rritjen e çmimeve sipas vendeve të rajonit, shifrat tregojnë se Shqipëria pozicionohet relativisht mirë krahasuar me disa nga fqinjët në rajon. Mali i Zi dhe Serbia janë dy vendet me normën më të lartë të inflacionit në Ballkanin Perëndimor. Konkretisht, rritja e çmimeve në këto shtete është 5.8% dhe 4.9%. Në të kundërt, Kosova regjistron normën më të ulët të inflacionit në janar të vitit aktual, me 1.5%.

Qëndrimet e ndryshme të Trump dhe Macron për luftën në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai francez Emmanuel Macron shfaqën dallime të mëdha të hënën në qasjen e tyre ndaj Ukrainës, duke nxjerrë në pah dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës mbi propozimin e zotit Trump për një marrëveshje të shpejtë armëpushimi me Rusinë.

Gjatë një dite bisedimesh, Presidentët Trump dhe Macron treguan një raport miqësor të bazuar në vite të marrëdhënieve të mira mes tyre.

Por Presidenti Macron e bëri të qartë se nuk ishte dakord me zotin Trump për disa çështje kyçe, ndërsa ata shënuan tre vjetorin e fillimit të sulmit të Rusisë në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, raporton Zëri i Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Presidenti Trump nuk pranoi t’i referohej presidentit rus Vladimir Putin si diktator, pasi e quajti Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy një diktator javën e kaluar. Presidenti Macron tha se është e qartë se Rusia “është agresore” në konflikt, një temë për të cilën Presidenti Trump ishte i lëkundur javën e kaluar.

“Presidenti Putin shkeli paqen”, tha zoti Macron në një konferencë të përbashkët për shtypin me Presidentin Trump.

Zoti Trump shprehu dëshirën për arritjen e një armëpushimi sa më shpejt që të jetë e mundur dhe tha se po përpiqej ta bënte të mundur arritjen e një armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë. Ai tha se mund të shkonte në Moskë për të takuar Putinin pasi të arrihej një marrëveshje armëpushimi.

Presidenti Macron, nga ana tjetër, kërkoi një qasje më të fortë, duke filluar me një armëpushim dhe më pas një marrëveshje paqeje që do të përfshinte garanci sigurie.

“Ne duam paqe, ai dëshiron paqe. Ne duam paqen e shpejtë, por nuk duam një marrëveshje që është e dobët”, tha zoti Macron për gazetarët.

Çdo marrëveshje paqeje, tha ai, duhet të “vlerësohet, kontrollohet dhe verifikohet”.

Të dy udhëheqësit ranë dakord, megjithatë, për dislokimin e forcave paqeruajtëse evropiane sapo të arrihet një marrëveshje paqeje. “Ata nuk do të ishin në vijën e parë të frontit. Ata nuk do të ishin pjesë e asnjë konflikti. Ata do të ishin aty për të garantuar respektimin e marrëveshjes së paqes”, tha Presidenti Macron më herët në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e Presidentit Trump.

Presidenti Trump tha se ai e pranon konceptin, ashtu si edhe Putini. “Po, ai do ta pranojë këtë”, tha Presidenti Trump për pozicionin e Putinit për një forcë paqeruajtëse. “Unë e bëra atë pyetje në mënyrë specifike. Ai nuk ka asnjë problem me këtë.”

Presidenti Macron, udhëheqësi i parë evropian që takohet me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, pas marrjes së detyrës një muaj më parë, i quajti diskutimet e tij me zoti Trump “një pikë kthese” në përpjekjen për një qasje më të unifikuar.

Zoti Macron po përpiqet të përfitojë nga një marrëdhënie e mirë me zotin Trump, që ai e ndërtoi gjatë mandateve të tyre të para presidenciale. Udhëheqësi francez ka arritur t’i menaxhojë me sukses marrëdhëniet me zotin Trumpin, i cili ka qenë i paparishikueshëm në përballjet me udhëheqësit botërorë, pa e zemëruar atë.

Në një moment gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë, zoti Macron preku krahun e zoti Trump dhe korrigjoi me kujdes pretendimin e presidentit amerikan se Evropa kishte dhënë të gjithë ndihmën e saj për Ukrainën në formë huaje.

Presidenti Trump tha se ka patur përparim në arritjen e një marrëveshjeje për mineralet e rralla me Ukrainën, si një mënyrë për të kompensuar koston e armatimit, që administrata e mëparshme e Presidentit Biden ia ka dhënë Ukrainës. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Presidenti Trump tha se marrëveshja ishte “shumë pranë”. Ai tha se mund të takohet me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy më vonë gjatë kësaj jave ose javën e ardhshme për ta nënshkruar atë.

“Ai mund të vijë këtë javë ose javën e ardhshme për të nënshkruar marrëveshjen, një gjë e mirë kjo” tha Presidentit Trump duke iu referuar zotit Zelenskiy. Ai shtoi se do të takohej gjithashtu me Presidentin rus Vladimir Putin në një moment të caktuar.

Zoti Macron tha se Evropa ishte e përgatitur për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën, përfshirë trupa paqeruajtëse, në rast të një armëpushimi.

Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë e dërgimit të trupave paqeruajtëse evropiane dhe tha se ai e kishte ngritur këtë çështje edhe me zotin Putin dhe ky i fundit kishte rënë dakord ta pranonte atë.

I pyetur nëse Ukraina duhet të jetë e gatshme t’i lëshojë territor Rusisë si pjesë e një marrëveshje të negociuar për t’i dhënë fund luftës, Presidenti Trump tha se: “do ta shohim” duke vënë në dukje se bisedimet sapo kishin filluar.

Presidenti Trump dhe ekipi i tij po negociojnë një marrëveshje për ndarjen e të ardhurave nga mineralet me Ukrainën për të rikuperuar disa nga paratë që administrata e mëparshme Biden i ka dërguar Kievit në formën e ndihmës në armatime me synimin për të zmbrapsur Rusinë.

Javën e kaluar zoti Zelenskiy hodhi poshtë kërkesat e SHBA-ve për 500 miliardë dollarë në pasuri minerale nga Ukraina për të shlyer Uashingtonin për ndihmën e dhënë gjatë kohës së luftës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk i kishin dhënë Kievit shumë më pak deri më tani dhe se marrëveshja nuk ofronte garanci specifike sigurie për Ukrainën.

Të enjten në Uashington do të vijë edhe Kryeministri britanik Keir Starmer, vizitë që vjen mes shqetësimesh në Evropë mbi qëndrimin e ashpër të Presidentit Trump ndaj Ukrainës.

Presidentja Osmani pret në takim ambasadorin suedez- nënshkruhet një marrëveshje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Ambasadorin e Suedisë në Kosovë,  Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe për bashkëpunimin në tejkalimin e sfidave të përbashkëta në kontinentin evropian.

Gjithashtu gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani, Ambasadori Westerlund, dhe drejtori ekzekutiv i Balkan Policy Research Group, Naim Rashiti, kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do t’i sigurojë Zyrës së Presidentes mbështetjen e shtetit suedez nëpërmjet ekspertizës profesionale nga fushëveprimtaria e institucionit të Presidencës.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani falënderoi Ambasadorin Westerlund për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë.

Ky Memorandum Bashkëpunimi shënon një tjetër hap konkret në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të politikave të bazuara në ekspertizë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Luka Lamaj, fitues i çmimeve Ndërkombëtare në Teknologjinë Mjekësore

Luka Lamaj, 24-vjeçari i ardhur nga Tirana në Kanada, ka arritur të bëhet një emër i njohur në botën e teknologjisë shëndetësore ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch. 

Si themelues i Docere Health, një platformë që përdor inteligjencën artificiale (AI) për të transformuar sistemin shëndetësor, ai ka arritur të fitojë disa çmime prestigjioze, duke përfshirë Çmimin Ndërkombëtar të Njohjes në Teknologjinë Shëndetësore për vitin 2025.

Inspirimi i Luka Lamaj dhe Themeloimi i Docere Health:

Historia e suksesit të Luka Lamaj ka filluar nga një përvojë personale që e ka shtyrë atë të ndihmojë profesionistët e shëndetit dhe të përmirësojë kujdesin ndaj pacientëve. Luka ka qenë i motivuar të krijojë një ndryshim në sistemin shëndetësor, pasi nëna e tij, një mjeke familjare, u detyrua të tërhiqej nga profesioni për shkak të lodhjes dhe stresit të përjetuar në punë. Mjaftoi kjo që ai të ndryshonte kursin e jetës dhe të fokusohej në zhvillimin e teknologjisë që ndihmon mjekët të përballen me stresin dhe ngarkesat e administratës.

Përmes Docere Health, Luka ka zhvilluar një platformë që përdor AI për të automatizuar detyrat administrative të mjekëve, përfshirë faturimin, menaxhimin e kutisë postare dhe dokumentacionin. Këto inxhinieri inovative kanë ndihmuar mjekët të fokusohen më shumë në kujdesin ndaj pacientëve, duke kontribuuar në përmirësimin e rezultateve shëndetësore dhe uljen e nivelit të lodhjes.

Disa prej arritjeve të platformës përfshijnë:

  • Automatizimi i faturimit që përshpejton dhe thjeshton procesin e pagesave për mjekët.
  • Menaxhimi i kutisë postare për të priorizuar çështjet urgjente dhe për të lehtësuar ngarkesën mendore të mjekëve.
  • Integrimi i sistemeve të mbështetjes për vendimet klinike që ofrojnë rekomandime të bazuara në prova për trajtimin e pacientëve.

Luka është gjithashtu një mbështetës i fuqishëm i përdorimit të teknologjisë në sistemin shëndetësor të Kanadasë, duke udhëhequr iniciativën Save Canadian Healthcare. Ai synon të sigurojë një angazhim nga qeveria për të miratuar propozime inovative që do të adresojnë sfidat sistematike dhe do të rrisin aksesin dhe cilësinë e kujdesit përmes mjeteve të avancuara të AI.

Transformimi i Kujdesit Shëndetësor dhe Filozofia e Luka Lamaj:

Luka beson se e ardhmja e kujdesit shëndetësor është në përdorimin proaktiv të teknologjisë, ku AI dhe të dhënat do të mundësojnë krijimin e një modeli të shëndetit që bazohet në parandalim dhe optimizimin e shëndetit, duke kaluar përtej kujdesit reaktiv. Ai fokusohet në “mjekësinë individualizuar”, një qasje që i jep mjekëve mundësinë të përdorin të dhëna të plota për të krijuar planifikime trajtimi të personalizuara dhe të përshtatura për çdo pacient.

Në një fushë kaq të komplikuar si shëndetësia, Luka u jep këshilla sipërmarrësve të rinj që të përqendrohen në transformimin sistematik të industrisë, duke përdorur teknologjinë dhe të dhënat si mjete për të zgjidhur probleme reale dhe për të krijuar ndryshime të qëndrueshme. Ai thekson rëndësinë e përgatitjes dhe përshtatshmërisë në çdo fazë të udhëtimit sipërmarrës.

Ramë Dardania nis një vit të ri me suksese ndërkombëtare

Piktori Ramë Dardania nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Gjenevë të Zvicrës, tashmë është emër i njohur në botën e artit edhe përtej kufijve të shtetit helvetik. Ai ka filluar vitin 2025 me këmbë të mbarë! E takuam sot dhe mësuam se ky vit është një vit emocionues për artistin Ramë Dardania. Me veprat e tij, përtej sfidave, Dardania vazhdon të lërë gjurmë në skenën artistike evropiane. Ngadalë por i sigurt me pjesëmarrje në disa nga galeritë dhe muzetë më prestigjioze, ai sjell artin e tij abstrakt, plot ndjenja dhe shprehje të thella artistike.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit do të jetë ekspozita në Muzeun Dan Gherbo në Mulhouse të Francës, ku Ramë Dardania është një nga dymbëdhjetë artistët e përzgjedhur për ekspozitat mujore. Përgjatë një muaji të tërë, Muzeu Dan Gherbo do të jetë i dedikuar vetëm për artin e Dardanisë, duke shfaqur interpretimin e ndjenjave përmes formave dhe ngjyrave në mënyrën unike që bën artisti ynë.

Po ashtu, një tjetër ngjarje e rëndësishëm do të jetë ekspozita në Galerie Ludmilla Moshek në Montreux të Zvicrës. Ky qytet që njihet botërisht jo vetëm për bukurinë e tij por edhe për Festivalin e xhazit me dimension të jashëzakonshëm ndërkombëtar, do të hapë dyertë e galerisë L. Moshek që nga data 10 prill 2025. Kjo ekspozitë njëmujore do të sjellë një koleksion unik të punimeve të Dardanisë, duke eksploruar fytyrat, emocionet dhe shikimet në një botë abstrakte.

Një nder i madh për artistin tonë, duke qenë se kjo galeri ka pritur ekspozita të artistëve të mëdhenj, përfshirë një të fundit dedikuar edhe mbesës së Charlie Chaplin, artistes Laura Chaplin.

Një tjetër arritje është edhe përfshirja e veprave të tij në galerinë « La galerie » që vitin e kaluar ka mirëpritur ekspozitën e tij, duke e bërë pjesë të përhershme të artistëve të saj. Në këtë hapësirë të rëndësishme, në « La galerie » që ndodhet në Qytetin e vjetër në Gjenevë, ai do të ndajë ekspozitën me artistët e njohur Richard Halimi dhe Enzo Yamagushi. Kjo galeri është e njohur për mbështetjen e artistëve të talentuar dhe për një audiencë cilësore që vlerëson artin në formatin e tij më të ndjerë dhe autentik.

Për Ramë Dardaninë, ky vit është më shumë se vetëm një seri ekspozitash – është një rrugëtim i vazhdueshëm për të shpërndarë artin e tij dhe për të frymëzuar. Me secilën vepër, ai sjell një histori të re, një emocion të ndjerë dhe një reflektim mbi identitetin dhe lëvizjen në artin modern. Ai po e jeton artin dhe po e ndan me botën, duke lënë një shenjë të veçantë në çdo hapësirë ekspozimi ku ai shfaqet.

Dardania nuk e harron Dardaninë, Kosovën e tij që e frymëzon çdo ditë.

Së shpejti në Gjenevë, artisti ynë do të jetë pjesë e një ekspozite kolektive që ka për temë dhunën seksuale mbi popullatën shqiptare të Kosovës gjatë periudhës së errët të luftës për liri.

Ramë Dardania, artisti ynë i vlerësiar kudo po i jep jetë artit dhe emër Dardanisë. Ne, i dëshirojmë shumë suksese. Me punë të përkushtuar dhe disiplinë dyert e sukseseve ai i hapë çdo vit.

Anna Di Lellio: Kosova e pagoi shtrenjtë lirinë

Albanologia dhe sociologia e njohur, Anna Di Lellio, mbajti sot një ligjëratë në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë, ku theksoi se rezistenca e minatorëve të Trepçës ishte një moment kyç në historinë e Kosovës, duke shënuar fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ligjërata, e cila mbante temën “The Oral Tradition in the 21st Century” (Tradita gojore në shekullin 21), shënoi gjithashtu rinisjen e programit “Leksione albanologjike” për vitin 2025.

Gjatë fjalës së saj, Di Lellio foli për librin e saj të fundit “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, ku përmes rrëfimeve të minatorëve ndriçon periudhën e represionit, grevave dhe largimeve masive nga puna gjatë viteve 1998-1999. Ajo vuri në dukje se sakrifica për pavarësinë e Kosovës kishte një çmim të lartë, me mijëra viktima, të zhdukur dhe gra e burra të dhunuar.

Di Lellio, e njohur për qasjen e saj në histori përmes dëshmive gojore, ndau detaje edhe për librin e saj të parë mbi Betejën e Kosovës, ku përmes dokumenteve historike u zbulua se Millosh Kopiq – një figurë e lidhur me këtë betejë – ishte shqiptar dhe jo serb.

Ajo gjithashtu foli për librin “Dimri i gjatë i vitit 1945”, i cili trajton masakrën e Tivarit, një nga episodet më të errëta të historisë shqiptare, duke u bazuar në rrëfimet e një të mbijetuari të kësaj tragjedie.

Kush është Anna Di Lellio?
Anna Di Lellio është doktore në sociologji dhe specialiste në studimet e historisë gojore. Ajo ligjëron në New York University (NYU) dhe në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo). Përveçse një akademike e shquar, ajo është edhe bashkëthemeluese e Iniciativës për Histori Gojore në Kosovë, duke dhënë një kontribut të çmuar në dokumentimin e historisë shqiptare.

Bristol: Festohet 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Dje u festua 17-vjetori i Pavarësisë në Bristol.

Zv. Shefi i Misionit, Vlorat Gashi, dhe diplomatja Valmira Thaçi Musa morën pjesë në organizimin e shkollës shqipe Trashëgimia në Bristol, përcjell albinfo.ch.

Një ditë e veçantë për komunitetin shqiptar, duke festuar me krenari dhe duke përcjellë vlerat tona te brezat e rinj.

https://www.facebook.com/share/p/15zigRA5tP/?mibextid=wwXIfr

Konsullata e Përgjithshme në Mynih feston 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në ambiente të konsullatës së bashku me shumë bashkatdhetarë, përfaqësues të shoqatave, ndërmarrës, veteranë, mjekë e studentë shënuam 17 Shkurtin- Ditën e Pavarësisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Konsulli i Përgjithshëm, Afrim Nura, në fjalën përshëndetëse përgëzoi për 17-vjetorin e Pavarësisë dhe përkujtoi sakrificën e brezave të tërë në rrugëtimin për liri e pavarësi. Ndërsa Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë, znj. Gentiana Mburimi përshëndeti dhe uroj të pranishmit, duke theksuar mirënjohjen dhe rëndësinë e përkrahjes dhe mbështetjes së ndërsjellë në realizimin e synimeve tona të përbashkëta.

Këtë festë madhështore dhe të veçantë e bëri pranija e Bacës Rifat Jashari.

Kjo mbrëmje u përcjell me tingujt e bukur muzikor nga bandi muzikor i përbërë nga Shpejtim Kafexholli, Lendrit Beqiraj dhe Nexhat Ismaili.

https://www.facebook.com/share/p/15TtRTwpD1/?mibextid=wwXIfr

Jehon kënga e vallja shqipe në Toronto

Në Toronto u mbajt ceremonia festive me rastin e 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme  e Republikës së Kosovë në Toronto dhe Shoqata Shqiptaro – Kanadeze e Torontos, përcjell albinfo.ch.

Të pranishëm ishin Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, z. Adriatik Kryeziu, dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo. Po ashtu, morën pjesë edhe shumë prijës të shoqatave, aktivistë, udhëheqës biznesesh, studentë dhe qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare.

Fjalë përshëndetëse e falënderime të përzemërta u dëgjuan nga Konsulli i Përgjithshëm z. Kadri Dakaj dhe nga Kryetarja e Shoqatës Shqiptaro – Kanadeze e Toronto-s znj, Irena Breznica.

Berlin: Kryeministri Kurti në mbështetje të filmit shqiptar në festivalin e filmit “Berlinale”

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se mbrëmë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në festivalin Award Ceremony në Berlin, transmeton albinfo.ch.

Ajeti, në një postim në Instagram, bëri të ditur se në këtë festival merr pjesë edhe filmi i Alban Muja, “Mua besojë më shpëtoi portreti“.

“Mbrëmë në Award Ceremony në #Berlinale me Kryeministrin Kurti, Drejtoren e Qendrës Kinematografike të Kosovës Blerta Zeqiri dhe Alban Muja artistin tonë të njohur, filmi i të cilit “Mua besojë më shpëtoi portreti“ është pjesë e këtij festivali. #berlinale2025 #berlinale2025edition”, ka shkruar Ajeti.

 

https://www.facebook.com/share/p/19WeX2R21d/?mibextid=wwXIfr

Arrestohen gjashtë persona në veri, i rrahën tre policë

Raportohet se gjashtë persona janë arrestuar në rrugën “Kral Petri” në Mitrovicë të Veriut pasi i kanë rrahur tre zyrtarë policorë në orët e para të së martës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, të arrestuarit N.N. 24-vjeçar, N.N., 26-vjeçar, A.B. 28-vjeçar, A.B. 30-vjeçar, I.R. 24-vjeçar dhe B.D. 19-vjeçar, fillimisht thuhet se i kanë ofenduar tre policët e më pas i kanë sulmuar. Të dyshuarit kanë qenë nën ndikim të alkoolit.

Zyrtarët policorë kanë pranuar trajtim mjekësor, derisa rrahja ka ndodhur para kafenesë “Tre sheshirat”.

Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Duke u treguar profesionale në kryerjen e detyrave, policia ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ku të dyshuarit pasi janë arrestuar janë sjellë në stacion policor ku ju është bërë matja me alkool test dhe të njëjtit kanë rezultuar se janë nën ndikim të alkoolit si më lartë, gjithashtu të gjithë të dyshuarit kanë pranuar trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

Faton Rekathati, një talent nga Kosova që po shkëlqen në inovacionin teknologjik në Suedi

Fatoni është pjesë e ekipit të Bibliotekës Mbretërore të Suedisë (KB) që ka zhvilluar të ashtuquajturin “KB-Whisper”, një model i avancuar i inteligjencës artificiale, i trajnuar me 50,000 orë të të folurit suedisht, transmeton albinfo.ch.

Ky projekt inovativ po bën revolucion në transkriptimin e të folurit në tekst, duke përmirësuar qasjen, titrat dhe kërkimet shkencore në Suedi.

Suksesi i Fatonit është një shembull frymëzues i potencialit të madh të të rinjve tanë, të cilët, përmes talentit dhe përkushtimit, po lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Cilat janë ushqimet më të shtrenjta në botë- dëshmi e luksit dhe ekskluzivitetit

Shumë nga këto janë të përgatitura me përbërës të rrallë dhe të pazakontë, që mund të arrijnë çmime që befasojnë shumicën e njerëzve. Ja disa nga ushqimet më të shtrenjta që mund të gjesh në botë. Nga havjari te tartufi, ka një sërë ushqimesh shumë të shtrenjta me të cilat jemi njohur.

Tartufi i bardhë – I gjendur në rajonin e Piemonte të Italisë Veriore, tartufi i bardhë është një delikatesë e shtrenjtë. Në vitin 2007, një pronar kazinoje në Macau pagoi 330,000 dollarë amerikanë për një tartuf 1.5 kg.

Gocat e detit – Mund të gjeni goca deti me çmime të mira në disa pjesë të botës, por ato janë ende mjaft të shtrenjta.

Shafran – I njohur edhe si ‘ari i kuq’, shafrani është erëza më e shtrenjtë në botë. Duhen mijëra lule për të përfituar 1 kg shafran.

“Torta e Krishtlindjes” e Jeong Hong-Yongto – Pastiçerit Jeong Hong-Yongto ju desh një muaj për të krijuar një tortë frutash që përmban 223 diamante. Torta është ekspozuar në Tokio dhe kushton 1.7 milionë dollarë.

Patatet “La Bonnotte” – Këto patate marrin aromën e tyre unike nga algat e detit në tokën ku janë rritur dhe nga klima e ishullit Noirmoutier në Francë. Çmimi është rreth 860 dollarë për kilogram.

Mish viçi “Wagyu” – Një dietë e veçantë, masazhet e përditshme dhe pastrimi me furçë rezultojnë në mish viçi me cilësi të lartë. Çmimi i këtij mishi është rreth 50 dollarë për 100 gram.

Proshutë “Iberico” – Kjo proshutë e pjekur prodhohet vetëm në Spanjë dhe Portugali, me një vlerë rreth 4,500 dollarë amerikanë.

Havjar Almas – Ky havjar i rrallë dhe i shtrenjtë beluga është shitur me 34,500 dollarë amerikanë për kilogram.

Akullorja Black Diamond – Scoopi Cafe në Dubai shet akulloren më të shtrenjtë në botë. 817 dollarë amerikanë është vlera për një akullore me vanilje të mbushur me tartuf, shafran dhe copëza ari e shërbyer në një tas Versace!

Peshku “Tuna blu” – Në vitin 2009, një peshk ton u shit në ankand në një treg të Tokios për 3 milionë dollarë.

 

 

Kur duhet të merrni vitamina?

Në një botë ku ritmi i shpejtë i jetës shpesh lë pak hapësirë ​​për një dietë të ekuilibruar, shumë po i drejtohen suplementeve të vitaminave si një zgjidhje për përmirësimin e shëndetit. Por a kemi vërtet nevojë për to? Dhe kur është koha e duhur për të filluar përdorimin e tyre?

Ekspertët rekomandojnë kujdes, sepse megjithëse vitaminat janë të nevojshme, marrja e tepërt e tyre mund të jetë kundërproduktive.

A ka nevojë të gjithë për vitamina në formë suplementi?

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit të SHBA (NIH), shumica e njerëzve të shëndetshëm marrin mjaftueshëm vitamina dhe minerale përmes një diete të ekuilibruar të pasur me fruta, perime, drithëra dhe proteina. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) gjithashtu thekson se suplementet nuk duhet të jenë zëvendësues për ushqimin e duhur, por më tepër mbështetje në raste specifike.

Megjithatë, ka situata kur marrja e suplementeve është e këshillueshme:

Mungesa e përcaktuar nga mjeku : Nëse mjeku juaj përcakton se keni mungesë të një vitamine ose minerali të caktuar (si hekuri, vitamina D ose B12), atëherë suplementet janë të nevojshme.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji : Gratë shtatzëna shpesh kanë nevojë për suplemente si acidi folik dhe hekuri për zhvillimin e duhur të fetusit. Sipas klinikës Mayo, acidi folik mund të zvogëlojë rrezikun e defekteve të lindjes.

Të rriturit : Me kalimin e moshës, trupi e ka më të vështirë të përthithë disa lëndë ushqyese si kalciumi dhe vitamina B12, kështu që ato mund të kenë nevojë të plotësohen.

Individët me dieta specifike : Dietat vegane dhe vegjetariane shpesh kërkojnë marrjen shtesë të B12, hekurit ose acideve yndyrore omega-3, të cilat janë të pranishme kryesisht në produktet shtazore.

Kushtet shëndetësore : Njerëzit me sëmundje të tilla si çrregullime gastrointestinale (për shembull, sëmundja e Crohn ose sëmundja celiac) mund të mos jenë në gjendje të thithin mjaftueshëm lëndë ushqyese nga ushqimi.

Kur të abstenoni nga suplementet?

Megjithëse vitaminat duken si diçka që është gjithmonë e mirë, marrja e tepërt e tyre mund të çojë në hipervitaminozë (toksicitet vitaminash). Për shembull, marrja e tepërt e vitaminës A mund të shkaktojë probleme me mëlçinë, ndërsa sasia e tepërt e hekurit mund të jetë e rrezikshme, veçanërisht te fëmijët, paralajmëron Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Është gjithashtu e rëndësishme që të konsultoheni me mjekun përpara se të përdorni ndonjë suplement, veçanërisht nëse jeni duke marrë ilaçe, pasi disa vitamina mund të ndikojnë në efektivitetin e tyre.

Bilanci është kyç.

Suplementet e vitaminave mund të jenë të dobishme në situata të caktuara, por ato nuk duhet të përdoren pa arsye. Qasja më e mirë është të përqendroheni në një dietë të shëndetshme dhe të larmishme, dhe të përdorni suplemente si “ndihmues” vetëm kur është vërtet e nevojshme.

 

 

Çfarë planifikon të bëjë Austria e Poshtme kundër të huajve ‘të pavullnetshëm për t’u integruar’? 

Austria e Poshtme po shtrëngon politikat e integrimit me gjoba, kërkesat kulturore në kopshte dhe ndalimin e burkës, duke shkaktuar kritika nga partitë opozitare Qeveria e Austrisë së Poshtme po ecën përpara me masa të reja që synojnë ata që i përshkruan si “refuzues të integrimit”.

Në një konferencë të qeverisë në Tulln, koalicioni shtetëror ÖVP-FPÖ ripohoi qasjen e tij të “tolerancës zero” dhe përshkroi një sërë ndryshimesh politikash që do të hyjnë në fuqi më vonë këtë vit, siç raportohet nga ORF.

Gjobat për prindërit dhe rregullat e reja të kopshtit

Një nga masat kryesore është gjoba deri në 2500 euro për prindërit që “refuzojnë” të marrin pjesë në intervistat e detyrueshme të prindërve në kopshte. Guvernatorja Johanna Mikl-Leitner tha se ndryshimet ligjore do të futen para verës, në mënyrë që ato të mund të hyjnë në fuqi deri në shtator 2025. Ajo deklaroi se qeveria dëshiron “të vendosë prindërit që nuk janë të gatshëm të integrohen në vendin e tyre” dhe të sigurojë zbatim më të rreptë të pritshmërive kulturore dhe gjuhësore në arsimin e hershëm.

Zëvendësguvernatori Udo Landbauer tha se ndëshkimet duhet të zbatohen gjithashtu për prindërit që refuzojnë të flasin me një mësuese femër, duke argumentuar se “ata duhet të kuptojnë se ne nënkuptojmë biznes”. Masat kundër ‘islamit radikal’ Qeveria po ecën përpara gjithashtu me planin e saj të veprimit kundër asaj që ajo e quan “islami radikal”.

Sipas Der Standard, një këshill shtetëror i sigurisë pritet të miratohet në fillim të marsit. Mikl-Leitner tha se iniciativa është e nevojshme për të “kulluar kënetat islamike në vendin tonë”, duke iu referuar incidenteve të dhunshme të fundit si sulmi me thikë në Villach dhe komploti terrorist i dështuar në Westbahnhof të Vjenës. Ajo e përshkroi Austrinë e Poshtme si “shtetin e parë dhe deri më tani të vetëm federal” që e trajton çështjen në mënyrë gjithëpërfshirëse, nga kopshtet dhe shkollat te xhamitë, klubet dhe organizatat. Landbauer shtoi se qeveria duhet “të gjurmojë, të çrrënjosë dhe të shkatërrojë këto rrjete”.

Ndalimi i burkës në shërbimin civil

Koalicioni gjithashtu dëshiron të ndalojë burkën në shërbimin civil shtetëror, edhe pse, siç pranoi Mikl-Leitner, aktualisht nuk ka nëpunës civilë që e mbajnë një të tillë. Ajo tha se ndalimi është i nevojshëm për të “mbyllur një boshllëk në ligj”. Landbauer e cilësoi politikën si pjesë të qëndrimit më të gjerë kulturor të FPÖ, duke thënë se qeveria po i jep përparësi “politikës blu-verdhë në vend të politikës së ylberit” – një referencë ndaj ngjyrave të shtetit të Austrisë së Poshtme dhe një refuzim i politikave progresive.

Ai tha se qeveria “po e vendos normalen para jonormales”. Reformat ekonomike dhe administrative Përtej politikave të saj integruese, qeveria e Austrisë së Poshtme planifikon të rrisë investimet ekonomike dhe të zbatojë një plan me tre pika për të përmirësuar administratën shtetërore. Koalicioni ka njoftuar 4.2 miliardë euro në investime të planifikuara gjatë dy viteve të ardhshme, duke u fokusuar në zgjerimin e kujdesit për fëmijët, strehimin dhe ndërtimin e rrugëve. Qeveria po punon gjithashtu për një sistem të ri për të ulur burokracinë. Plani përfshin koordinim më të mirë të ekspertëve zyrtarë, miratime më të shpejta të lejeve dhe më shumë shërbime online për t’i bërë gjërat më të lehta për bizneset.

Politikat kanë tërhequr kritika nga partitë opozitare. NEOS e përshkroi qeverinë ÖVP-FPÖ si duke ofruar “një vazhdimësi të bllokimit”. Kryetarja e partisë Indra Collini tha se qeverisë i mungon vizioni dhe po dështon të adresojë sfidat reale të Austrisë së Poshtme. Kritikët argumentojnë gjithashtu se fokusi në masat ndëshkuese kundër të huajve ka të bëjë më shumë me mesazhet politike sesa me qeverisjen praktike, duke vënë në dukje se politika si ndalimi i burkës duket se janë kryesisht simbolike.

 

Shqipëria me nivelin më të lartë të papunësisë, të huajt zënë vendet e punës

Filipinet, Afrika, India, janë disa nga shumë shtete, që qytetarët e tyre po plotësojnë mungesën e fuqisë punëtore, në Shqipëri. Shifrat kanë ardhur në rritje, në vitin 2023 ishin 9825 të huaj të pajsur me leje pune, ndërsa në 2024 u regjistruan 13 mijë punonjës.

“Kemi 50 veta staf, nga vende si Turqia, Uganda, Filipinet, të ndarë sipas departamenteve. Pjesë e kontratës akomodimi, ushqimi 3 vakte, paga e deklaruar, siguroacionet dhe lavanderia. Ka shef kuzhine që ka pagë 2500-3000 euro, është housekeeping që nis nga 500 euro e sipër”, tha Albulen Ndrepepaj, Drejtor Hotelerie.

Agjensitë e punësimit janë ndërmjetësit, të cilët në bashkëpunim me bizneset bëjnë të mundur plotësimit e krahut të punës në Shqipëri.

“Mijëra punonjës kërkohen edhe këtë vit, në 2024 kemi rritje me 25% më shumë kërkesë për punonjës të huaj. Kryesisht janë ishujt Filipine, Afrika dhe India. Është rritur kërkesa për punonjës me eksperiencë. Hoteleria ka bumin më të madh, ka kërkesë në ndërtim dhe fasoneri”, tha Suzana Aga e cila punon në një kompani punësimi.

Ambros është një 26-vjeçar nga Uganda e Afrikës. Ky është sezoni i dytë që ai punon në Shqipëri dhe me gjasë nuk do të jetë i fundit.

“Erdha në Shqipëri, për 2 arsyje, një për të ekspozuar veten në një mjedis të ri dhe e dyta të fitoj eksperienca të reja. Në vendin tim punoja si elektriçist, këtu merrem me menaxhimin e plazhit dhe pishinave. Kam në plan të qëndroj për më shumë”, tha Ambros Nuëamanya, vrojtues plazhi.

Kontratat e punonjësve të huaj, janë 1 vjeçare, më pas mund të rinovohen nëse të dyja palët janë dakort. Një pjesë e emigrantëve kontratën e punës të përfituar në Shqipëri, e shfyrtëzojnë si një mënyrë për të përmbushur qëllimin e tyre, për të shkuar drejt vende të Bashkimit Europian.

“Ka punonjës shumë të mirë, ka dhe nga ata që del diçka tjetër që vijnë dhe vazhdojnë punën. Në të tilla raste bëjmë kontratë paraprake që është në provë 1-3 muaj. Ka pasur punonjës që janë larguar para se të mbaronin kontratën, ne kemi bërë kallëzimim që X person është larguar dhe i ndërpritet në moment pjesa e lejes së qëndrimit në Shqipëri”, shtoi Albulen Ndrepepaj.

Shqipëria ka nivelin më të lartë të papunësisë në rajon për vitin 2024. Anketa e Barometrit të Ballkanit 2024 nxori të dhëna se nga 1 mijë qytetarë të anketuar në vendin tonë, 20 për qind e tyre ishin të papunë, ndërsa mesatarja e papunësisë në rajon është 11%.

Sipërmarrësit u bëjnë thirrje të rinjve shqiptarë që të marrin në konsideratë oferat e punës në Shqipëri dhe të mos shkojnë të punojnë jashtë, pasi ndryshimet në sektorin e punësimit, janë thuajse të njëjta.

Drejtori i Hotelerisë, Ndrepepaj tha se: “Kemi nevojë për profesionsitë dhe pagat janë shumë më të larta”./Euronews

 

 

Sa rrezikojnë realisht shpendët të shkaktojnë aksidente ajrore

Më 29 dhjetor 2024, një Boeing 737-800 që udhëtonte nga Bangkok në Muan, Koreja e Jugut, u rrëzua gjatë uljes, duke vrarë 179 persona dhe duke plagosur 2 persona, shkruan focus.it.

Sipas rikonstruksioneve fillestare, ndër shkaqet e mundshme të aksidentit është hipoteza e goditjes së shpendëve, pra përplasja e një tufe zogjsh ndaj njërit prej motorëve.

Përplasjet e këtij lloji kanë ndodhur që kur njerëzit mësuan të fluturonin, duke pushtuar një hapësirë ​​që më parë ishte domeni ekskluziv i zogjve. Ato zakonisht ndodhin gjatë ngritjes ose uljes dhe për këtë arsye në ose afër aeroporteve.

Siç thuhet në raportin më të fundit mbi këtë temë, zogjtë përgjithësisht fluturojnë nën 500 ft (152 metra) lartësi kur nuk migrojnë në mënyrë aktive. Fenomeni është në rritje kryesisht për shkak të rritjes masive të trafikut ajror, por edhe për shkak të rritjes së disa popullatave të shpendëve.

Avionët janë projektuar për të përballuar këtë lloj përplasjeje. Megjithatë, kur një zog dhe një aeroplan përplasen, për shkak të shpejtësive dhe masave të mëdha të përfshira, ndikimi mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme, duke e bërë aeroplanin të paaftë për të fluturuar ose duke krijuar një situatë emergjente.

Thjesht mendoni se goditja e një zogu 5 kg me 240 km/h shpejtësi tek një avion në ulje, është e barabartë me një peshë gjysmë ton të rënë nga një lartësi prej 3 metrash.

Zakonisht, megjithatë, është zogu që ka fatin më të keq: kur përfundon i thithur në një motor, zakonisht shpërbëhet dhe në shumë raste pilotët e vërejnë aksidentin pas uljes, kur kontrollojnë motorët.

Megjithatë, mund të ndodhë – veçanërisht nëse goditni një tufë – që një pjesë e motorit të përkulet ose të dëmtohet, duke shkaktuar humbje të fuqisë dhe duke vënë në rrezik sigurinë e fluturimit.

Për fat të mirë, aeroplanët janë projektuar që të mund të ulen vetëm me një motor.

 

 

Pse AfD është kaq e suksesshme në Gjermani? 

Alternativa për Gjermaninë (AfD) fitoi më shumë se 20% të votave në zgjedhjet rajonale të Gjermanisë këtë fundjavë. Ky është rezultati më i mirë për një parti të ekstremit të djathtë në vend që nga Lufta e Dytë Botërore.

Si mund të shpjegohet ky sukses dhe cilat janë pasojat e tij?

AfD doli e dyta në zgjedhjet rajonale të Gjermanisë këtë fundjavë, menjëherë pas partisë konservatore CDU. Sipas Martin Baloge, studiues i shkencave politike në Universitetin Katolik të Lilës dhe autor i librit “Politika në Gjermani” (botuar nga La Découverte), disa faktorë e shpjegojnë këtë rezultat.

“Ka një lodhje të disa votuesve në lidhje me partitë kryesore të qeverisë,” analizon ai. Partia e fokusoi fushatën e saj në çështjet e migracionit dhe sigurisë, në një kontekst recesioni ekonomik. AfD po përfiton nga një ndjenjë zhvlerësimi që ndjejnë votuesit e zhgënjyer

“Është një fitore historike, 20.8% e votave, është kolosale, është një e pesta e elektoratit gjerman”, nënvizon Martin Baloge pedagog dhe studiues i shkencave politike në Universitetin Katolik të Lille.

Por pavarësisht këtij rezultati, AfD nuk pritet të qeverisë për shkak të “kordonit sanitar” të vendosur nga partitë e tjera, duke filluar nga konservatorët e CDU-së që fituan zgjedhjet.