Britania njofton 580 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Britania e Madhe ka njoftuar se Ukrainës do t’i ndahen 580 milionë dollarë ndihmë ushtarake, në prag të samitit të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, përcjell albinfo.ch.

Britania tha se, në bashkëpunim me Norvegjinë, këto 580 milionë dollarë do të shpenzohen për të ndihmuar Kievin me qindra mijëra dronë luftarakë, sisteme radarësh dhe mina antitanke, si dhe për kontrata për riparimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve të blinduara të Ukrainës.

Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, John Healey, dhe ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, do ta udhëheqin bashkërisht samitin e 27-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të premten.

Në prag të këtij takimi në Bruksel, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, tha se çështja më me rëndësi është forcimi i mbrojtjes ajrore të vendit të tij.

“Ukraina ka nevojë për një numër të mjaftueshëm sistemesh moderne si ato të tipit Patriot”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

“Nevojitet një vendim politik për furnizimin me këto sisteme, me qëllim mbrojtjen e qyteteve, fshatrave dhe jetës së njerëzve tanë – veçanërisht nga kërcënimi i armëve balistike të Rusisë. Partnerët tanë i kanë këto sisteme në dispozicion”, shtoi Umerov.

Forcat ruse aktualisht kanë përparësi në luftën në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e saj të katërt.

Zyrtarët ukrainas dhe analistët ushtarakë besojnë se Rusia po përgatitet të nisë një ofensivë të re ushtarake në javët në vijim, me qëllim rritjen e trysnisë dhe forcimin e pozicioneve të Kremlinit në bisedimet për armëpushim.

Takimet e Grupit të Kontaktit për Ukrainën kanë qenë të kryesuara nga sekretari amerikan i Mbrojtjes deri në momentin kur Donald Trump mori detyrën si president në janar.

Që nga ajo kohë, Healey e ka marrë përsipër këtë detyrë, duke kryesuar takimin e tij të parë në muajin shkurt.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka bërë të ditur se paketa e re dhe “e madhe” e mbështetjes ushtarake do të dorëzohet nga furnizues britanikë dhe ukrainas për të ndihmuar në përforcimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës në luftën e tyre për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.

Gjermania ndan afër 11 miliardë euro për Ukrainën

Shteti gjerman ka vendosur të ofrojë një mbështetje të konsiderueshme ushtarake për Ukrainën, duke ndarë rreth 11 miliardë euro (afërsisht 9.5 miliardë funte), një shumë që do të përdoret për të mbështetur luftën e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, përcjell albinfo.ch.

Këtë informacion e ka konfirmuar ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili ka theksuar se ky angazhim i Gjermanisë është një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës dhe stabilizimin e situatës në rajon.

Thuhet se financimi do të shpërndahet deri në vitin 2029, duke i mundësuar Ukrainës të modernizojë dhe fuqizojë forcat e saj të armatosura në një periudhë afatgjatë, me qëllim sigurimin e një mbështetjeje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Ky plan financiar është projektuar për të përmbushur nevojat e ndryshme ushtarake dhe mbrojtëse të Ukrainës, si dhe për ta përgatitur atë për sfida të tjera të mundshme në të ardhmen.

Referuar raportimeve nga media gjermane, shumica e pajisjeve të reja që do të dërgohen në Ukrainë përfshijnë sisteme mbrojtëse ajrore të avancuara IRIS-T, të cilat do të forcojnë aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, si dhe 1100 radarë shtesë për mbikëqyrjen e terrenit dhe detektimin e lëvizjeve të forcave armike. Këto pajisje janë të domosdoshme për të siguruar mbrojtje më të fuqishme ndaj sulmeve ajrore dhe për të rritur efektivitetin në fushën e betejës.

Përveç sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore, Gjermania do të sigurojë gjithashtu 120 lëshues MANPADS (sisteme mbrojtëse raketore për ndalimin e aeroplanëve sulmues), 25 automjete luftarake të tipit Marder dhe 14 bateri artilerie, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e aftësive ofensive dhe mbrojtëse të ushtrisë ukrainase. Megjithatë, disa prej këtyre informacioneve ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por janë raportuar nga burime të besueshme.

Ky angazhim i Gjermanisë vjen në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që disa shtete perëndimore po i ofrojnë Ukrainës, duke u bërë mbështetës të fortë financiarë në përpjekjet e saj për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.

Ndërsa Ukraina vazhdon të përballet me agresionin e pandërprerë të Rusisë, Gjermania, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndrojnë ndër partnerët më të rëndësishëm të saj, duke ofruar ndihmë në forma të ndryshme, përfshirë financime, trajnime dhe dërgesa të pajisjeve ushtarake të avancuara.

Plagosje e rëndë, arrestohen dy shqiptarë në Itali

Duket se përshëndetja e një vajze në klubin e natës ‘Utopia’ në Padova ka denigruar në përleshje me thika mes dy grupeve, përcjell albinfo.ch.

Policia italiane arrestoi 2 shqiptarë të dyshuar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë, të moshës 34 dhe 35 vjeç. Urdhrat e arrestit u lëshuan nga Prokuroria.

Akuzat ndaj tyre janë vrasja e mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen e rëndë dhe mbajtja e armëve të ftohta pa leje. I plagosur nga sulmi mbeti një 30-vjeçar moldav, që mori disa goditje në trup, në pistën e vallëzimit të klubit.

Pasoja ishte humbja e një veshke, të cilën mjekët u detyruan që t’ia hiqnin me ndërhyrje kirurgjikale, si dhe një pjesë e zorrës së trashë. I lënduar mbeti edhe një 24-vjeçar rus.

Pas ngjarjes së rëndë, shefi i policisë, Marco Odorisio, mori menjëherë masa administrative, duke pezulluar për 4 muaj aktivitetin e klubit të natës. Krimi, sipas hetuesve, ka motive pasionante.

Autori kryesor i sulmit, një emigrant i paligjshëm në Itali, u kap pas ndjekjes, i fshehur në shtëpinë e të dashurës së tij, në Venecia. Ai u gjet i befasuar dhe tentoi të arratisej, por pa sukses. Kur policia hyri për kontroll në shtëpi, shqiptari ishte duke fjetur.

Gjatë kontrollit u gjetën rrobat që kishte veshur mbrëmjen e sulmit dhe një thikë (kamë) 22 centimetra, e fshehur në jastëkun ku flinte, si dhe një kaçavidë në xhepat e një xhakete.

Po më 7 prill, agjentët zbuluan vendndodhjen e bashkëpunëtorit tjetër, po ashtu shqiptar, me precedentë penalë për emigracion të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje. Edhe ky u kap i fshehur në shtëpinë e partneres, ku iu sekuestrua një tjetër thikë, e cila po analizohet për të vërtetuar nëse është arma e përdorur në krim.

Në banesë u gjetën të fshehura edhe 20 gramë kokainë të ndara në doza, një peshore precize dhe material për ambalazh, si dhe një shumë prej rreth 2 mijë eurosh në para të gatshme, të ardhura të supozuara nga trafiku i drogës. Për këtë arsye, shqiptarit iu ngrit kallëzim për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje.

Policia njoftoi se shkak i sherrit dhe plagosjes në klubin e natës ishte përshëndetja miqësore e moldavit me të dashurën e njërit prej dy sulmuesve. Ai e frekuentonte shpesh klubin dhe e njihte vajzën prej kohësh, informon media italiane.

Dëshmitarët panë që, pas bisedës me vajzën, dy shqiptarët e sulmuan në mënyrë agresive moldavin dhe mund ta kishin vrarë nëse të pranishmit nuk do të kishin ulëritur e dhënë alarmin të frikësuar. Autorët u arratisën nga vendngjarja me makina.

Shënim: Disa imazhe janë marrë nga interneti dhe konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë e tyre, ne do të citojmë autorin ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Deputetët mbështesin mbrojtjen e organizatave ndërkombëtare në Gjenevë

Përballë mungesës së financimit nga SHBA, parlamenti i Gjenevës ka miratuar një rezolutë për të mbrojtur agjencitë e OKB-së dhe OJQ-ve në territorin e saj.

Rezoluta gjithashtu i bën thirrje Bernës të zhvillojë një strategji kombëtare për të promovuar rëndësinë dhe ndikimin e organizatave ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch. 

Ky veprim vjen pas votimit në parlamentin kantonal në shkurt, duke miratuar ndihmën urgjente prej 10 milionë frangash për OJQ-të.

Kjo ishte një përgjigje e menjëhershme ndaj shkurtimeve të konsiderueshme të fondeve të vendosura nga Donald Trump, të cilat kanë një ndikim të rëndë në aktivitetet e Gjenevës Ndërkombëtare, me qindra vende pune të prekura.

Kanë plaçkitur 420.000 sfr nga bankomatët: Kosovarët pranojnë akuzën

Ata kanë thyer disa bankomate në rajon dhe në Zvicrën perëndimore. Në gjykatë kanë pranuar veprën dhe morën një ndalim për shtatë vjet hyrje në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Gjykata penale e Basel-Landschaft në Muttenz ka miratuar të enjten dënime pjesërisht me kusht për tre burra nga Kosova.

Gjendja në qendrën e drejtësisë penale në Muttenz ishte optimiste këtë javë: Tre burrat, të moshës 43, 47 dhe 48 vjeç, nga Kosova morën miratimin për “marrëveshjen” e tyre me zyrën e prokurorit publik Basel-Landschaft të enjten. Në verën e vitit 2022, grupi kishte përdorur presa hidraulike për të thyer disa ATM (bankomate) në të gjithë Zvicrën, duke përfshirë ato në Hofstetten dhe Allschwil.

Ata kishin jetuar në një kasolle në Francë. Bashkëpunimi i policisë zvicerane dhe franceze përfundimisht çoi në arrestimin e tyre. Megjithatë, një pjesätar i katërt i grupit arriti të arratisej dhe ende nuk është kapur, shkruan gazeta Aargauer Zeitung. Në Francë, të tre personat ishin dënuar menjëherë, për krijimin e një organizate kriminale dhe u ekstraduan në Zvicër pas vuajtjes së dënimit.

Batuta dhe atmosferë relaksuese në sallën e gjykimit: “Lëreni atë me ne edhe për një kohë”

Të hënën, dhoma me tre gjyqtarë e Gjykatës Penale të Basel-Landschaft miratoi dënimin e negociuar për vjedhje të kryera nga bandat dhe “vjedhje  komerciale” si dhe dëmtim të rëndë të pronës: Personat morën dënime pjesërisht me kusht nga 34 deri në 36 muaj. Konkretisht, ata duhet të shërbejnë nga 16 deri në 18 muaj secili. Një nga të përfshirët qe ekstraduar në Zvicër në nëntor 2023 dhe tani ka vuajtur dënimin; prandaj ai u lirua të enjten. “Lëreni atë me ne edhe për një kohë,” bënë shaka dy të akuzuarit tjerë në gjykatë.

Megjithatë, “liruar” do të thotë se Zyra e Migracionit e merr përsipër dhe e shoqëron deri në aeroport, ku e hipin në aeroplan për në Prishtinë, trasnmeton albinfo.ch. Të gjithë të dënuarit e kanë të ndaluar hyrjen në Zvicër për shtatë vjet dhe gjykata e bëri të qartë se marrëveshja do të miratohet vetëm nëse ndalimi zbatohet për të gjithë zonën Shengen. “Ne pranojmë çdo vendim,” komentuan tre burrat duke qeshur.

Pavarësisht nga të gjitha batutat që bënë, ata ishin dukshëm të lumtur të enjten që çdo gjë tashmë kishte marrë fund. Njëri prej tyre theksoi se dënimi i tij gati tre vjet burg në Francë i kishte mjaftuar: ai nuk donte të përjetonte më një gjë të tillë.

Gjykata: Delikti i tyre nuk është i krahasueshëm me shpërthimin e bankomatëve

Normalisht, në procedurën e shkurtuar, gjykatat mund të miratojnë ose refuzojnë vetëm marrëveshjen, por ndryshimet e vogla janë të zakonshme në praktikë. Nëse kërkesa refuzohet, ekziston rreziku i procedurave të rregullta që përfshijnë shumë më shumë përpjekje për prokurorin publik dhe gjykatën.

Ajo që ishte gjithashtu vendimtare, ishte se nuk u përdor dhunë ndaj njerëzve gjatë vjedhjeve. “Këto raste nuk janë të krahasueshme me shpërthimet shumë të rrezikshme në ATM,” tha Grange.

Plaçka e personave tashmë të dënuar arrinte në rreth 420.000 franga. Bankat pësuan dëme materiale që kapin vlerën e gati gjysmë milioni frangave.

Presidenti Begaj nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Gjilanit

Presidenti i Shqipërisë, z. Bajram Begaj, gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Gjilanit, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve.

Mirëpritje në Vali Ranch Resort nga z. Fehmi Fetahi

Pas ceremonisë zyrtare, Presidenti Begaj u mirëprit ngrohtësisht në Vali Ranch Resort nga pronari i resortit, z. Fehmi Fetahi, ku u zhvillua një bisedë miqësore në nder të vizitës së tij.

Osmani takon Erdoganin: Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë

Presidentja e Kosovës ka vlerësuar lartë kontributin e presidentit turk për Kosovën.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ai është një mik i madh i Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Presidenti Erdoğan është një lider që i qëndroi gjithmonë pranë Kosovës, në çdo sfidë dhe në çdo sukses. Ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët. Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi – janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, ka shkruar Osmani.

Kosovë, protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Në Kosovë po mbahet protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike me 15 për qind, sa ishte propozuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, përcjell albinfo.ch.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” është mbledhur një numër i madh qytetarësh për të kundërshtuar këtë propozim, i cili sot ishte në rend dite për t’u votuar në mbledhjen e Bordit të ZRrE-së.

Me pankarta në duar si “Mbro familjen tënde – protesto”, “Qytetarët nuk janë bankomat”, “Nuk paguajmë për dështimet tua” etj., protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj kërkesës së kompanive energjetike për rritjen e tarifave të rrymës.

Helikopteri bie në lumë, vdes shefi i Siemens, gruaja e tij dhe 3 fëmijët

Presidenti dhe CEO i Siemens Spanjë, Agustin Escobar, ka humbur jetën tragjikisht së bashku me familjen e tij kur helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua në lumin Hudson në Nju Jork, mbrëmjen e së enjtes, përcjell albinfo.ch.

Një tjetër detaj shton edhe më shumë peshën e tragjedisë që ndodhi në Nju Jork me familjen prej pesë anëtarësh të drejtorit ekzekutiv të Siemens Spanjë, Agustin Escobar, të zhdukur nga rrëzimi i helikopterit me të cilin po udhëtonin, raportojnë mediat spanjolle.

Siç raportohet nga El Diario, Escobar, gruaja e tij dhe tre fëmijët e tyre, 4, 5 dhe 11 vjeç, udhëtuan për në Nju Jork për të festuar ditëlindjen e njërit prej fëmijëve.

https://x.com/PhilHollowayEsq/status/1910450938063794447?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1910450938063794447%7Ctwgr%5E574291e36cf2677934da01d5e65ad2cb4d515897%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2025%2F04%2F11%2Ffluturimi-fatal-i-ceo-se-siemens-dhe-familjes-se-tij-detaje-te-reja-nga-rrezimi-tragjik-i-helikopterit-ne-nju-jork%2F

Familja Escobar kishte mbërritur nga Barcelona në Nju Jork pak orë para fluturimit tragjik, duke zgjedhur të bënte një nga turet ajrore të zgjedhura nga turistët që vizitonin metropolin amerikan, rreth Statujës së Lirisë dhe deri në Urën George Washington.

https://x.com/nexta_tv/status/1910627044469137693?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1910627044469137693%7Ctwgr%5E2a5ca4fc55c52a32a6491e19123e096e4333be29%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftop-channel.tv%2F2025%2F04%2F11%2Ffluturimi-fatal-i-ceo-se-siemens-dhe-familjes-se-tij-detaje-te-reja-nga-rrezimi-tragjik-i-helikopterit-ne-nju-jork%2F

Zvicra do t’i bashkohet programeve të BE-së

Zvicra do t’i bashkohet sërish disa programeve të rëndësishme të Bashkimit Evropian pas arritjes së një marrëveshjeje me Brukselin, transmeton albinfo.ch.

Pas votimit të vitit 2014 që kërkonte kufizimin e imigracionit – në kundërshtim me parimin e Lirisë së Lëvizjes së BE-së – Zvicra ishte pezulluar nga programet si Erasmus, që lehtëson shkëmbimin e studentëve, dhe Horizon, partneriteti shkencor më i madh evropian.

Marrëveshja e re përfshin gjithashtu pjesëmarrjen e Zvicrës në grupin për energjinë atomike, Euratom, në projektin ndërkombëtar për reaktorin eksperimental të shkrirjes ITAR, si dhe në programet Digital Europe dhe EU4Health.

Si pjesë e marrëveshjes, Zvicra do të kontribuojë financiarisht në fondet e BE-së.

Anëtarësimi i plotë në këto programe pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Zvicër: A duhet tatimpaguesit të marrin një zbritje?

Ka thirrje që taksapaguesit të përfitojnë nga një zbritje, pasi shumica e kantoneve në Zvicër kanë raportuar një tepricë tatimore këtë vit, transmeton albinfo.ch.

Gjeneva kryeson listën me mbi gjysmë miliard franga shtesë, ndërsa Zug dhe Lucerni kanë përfituar nga një tepricë prej rreth 300 milionë frangash secili. Po ashtu, Cyrihu dhe Aargau kanë rreth 150 milionë franga të tepërta.

Qendra e mendimit “Avenir Suisse” propozon që këto fonde t’u kthehen qytetarëve në formë zbritjeje. Megjithatë, ata nuk këshillojnë ulje të qëndrueshme të taksave, pasi situata financiare mund të ndryshojë vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Konferenca e Qeverive Kantonale u bën thirrje autoriteteve për kujdes, duke theksuar se këto janë përfitime të papritura dhe se kostot publike po rriten, ndërsa shumë kantone janë ende në borxhe.

Kantonet që ndodhen në vështirësi financiare përfshijnë Vaudin, i cili është “në të kuqe” me 369 milionë franga, Ticinon me 72 milionë franga dhe Sankt Gallenin me një deficit prej 243 milionë frangash.

Léman Express mund të shtrihet në Nantua të Francës

Një studim fizibiliteti është nisur për të shqyrtuar mundësinë e shtrirjes së trenave Léman Express në Bellegarde dhe Nantua, në Francën fqinje.

Studimi po financohet nga 12 bashki franceze, transmeton albinfo.ch.

Treni do të përdorë linjën ekzistuese TGV që lidh Gjenevën me Parisin. Aktualisht ka vetëm 12 shërbime në ditë, duke lënë mjaft hapësirë për një shërbim tjetër.

Kjo do të nënkuptojë që disa stacione të papërdorura do të rihapen, ndërsa do të ndërtohen edhe të reja.

Shpresohet që trenat e rinj të fillojnë të funksionojnë deri në vitin 2035. I gjithë projekti do të financohet nga qeveria franceze.

Zyrtarisht shtrenjtohet energjia elektrike në Kosovë

Mësohet se sot Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar të hyrat maksimale të lejuara për operatorët e energjisë, çka nënkupton edhe një shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, përcjell albinfo.ch.

Referuar vendimit të marrë gjatë mbledhjes publike, shifrat janë të përafërta me ato që ishin parashikuar në propozim. Rritja e çmimit pritet të jetë rreth 15 për qind. Ndërkohë, sipas raportimit të Radios Evropa e Lirë, çmimi i rrymës mund të rritet deri në 16 për qind.

ZRRE-ja ka bërë të ditur se do të dalë me një komunikatë zyrtare në ditët në vijim për të saktësuar përqindjen e saktë të rritjes.

Vrasje e dyfishtë në Zvicër, kosovari dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe më pas veten

Dyshohet se një shtetas i Kosovës ka vrarë bashkëshorten e tij, po ashtu me origjinë nga Kosova, në një fshat të Zvicrës, e më pas ka kryer vetëvrasje, transmeton albinfo.ch.

Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari mësohet të jetë nga Malisheva dhe ka qëlluar me armë zjarri ndaj viktimës, e cila gjithashtu është nga një fshat i Malishevës.

Referuar mediave zvicerane, përkatësisht “La Liberté”, mësohet se fillimisht i dyshuari ka qëlluar me armë edhe jashtë shtëpisë, përpara se të hynte brenda, ku më pas objekti është përfshirë nga zjarri.

Në shtëpi janë gjetur dy trupa të pajetë, dhe dyshohet se njëri prej tyre është i autorit të ngjarjes. Sipas policisë zvicerane, i dyshuari është 42 vjeç, ndërsa viktima është 38 vjeçe. Çifti ka lënë pas katër fëmijë.

Mediat në Zvicër raportojnë se rasti është ende i dyshimtë dhe viktimat nuk janë identifikuar zyrtarisht. Sipas burimeve mediatike, çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme në marrëdhënien e tyre, përfshirë ndarje dhe bashkime të shpeshta.

E ndjera thuhet se e kishte denoncuar më parë bashkëshortin për dhunë në familje, dhe ai kishte qëndruar në paraburgim për një muaj. Sapo kishte dalë nga burgu, dyshohet se ka ndodhur tragjedia.

Sipas raportimit të “La Liberté”, ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes në fshatin Epagny të kantonit Fribourg. Dy persona u gjetën pa shenja jete në rrënojat e një shtëpie që ishte përfshirë nga zjarri. Policia theksoi se njëri nga trupat mund të jetë i autorit të të shtënave.

“Megjithatë, rrethanat e sakta të kësaj ngjarjeje tragjike, në këtë fazë, mbeten të papërcaktuara”, thuhet në deklaratën e policisë kantonale të Fribourgut të enjten mbrëma.

Policia u njoftua për një incident të shtënash rreth orës 09:15, nga një person që ndodhej pranë shtëpisë. Sipas hetimeve paraprake, një burrë, i armatosur me një armë të gjatë, hyri në shtëpi. Më pas, objekti u përfshi nga flakët.

Zjarrfikësit arritën ta vendosnin zjarrin nën kontroll rreth mesditës. Trupi i parë i pajetë u gjet në orët e pasdites, bashkë me një armë zjarri, ndërsa trupi i dytë u zbulua në mbrëmje.

Hetimet po vazhdojnë nga Zyra e Prokurorit Publik të kantonit Fribourg, ndërkohë që identifikimi zyrtar i viktimave është ende në proces dhe shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje.

26 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot mbushen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën e realizoi së bashku me shokët.

Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë Ushtarake – drejtimi i komunikacionit – në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkolla e mesme. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë, mbetën të shpërndara në revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak, dhe në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik. Me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-Armatën Jugosllave, ku punonte si oficer. Në vitin 1998, pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve, përcjell albinfo.ch.

Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani, në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe bashkëshorten.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe i pari që shkuli gurin – piramidën kufitare – në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht, duke mos vdekur kurrë. Njihej me emrin konspirativ “Katana”.

Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan, përpara Teatrit Kombëtar, i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit – Katanës. Ai është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000.

Agimi la pas vetes tre pasardhës: djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.


Osmani me ftesë të Erdoganit merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të homologut të saj turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, përcjell albinfo.ch.

Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon të adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst global të polarizuar, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

Presidentja Osmani, në kuadër të Forumit, do të marrë pjesë në një bashkëbisedim mbi temën qendrore të këtij edicioni – rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se, gjatë punimeve të Forumit, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë që mbledh së bashku liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.


Në Shqipëri sot fillon zyrtarisht fushata zgjedhore

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” mbajnë një tubim në sheshin “Nënë Tereza”. Figura qendrore e kësaj fushate pritet të jetë Chris Lacivita, strateg politik amerikan, i cili do të drejtojë nga afër këtë garë për PD-në.

Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, Partia Socialiste zhvillon sot takime në të 12 qarqet e vendit me gratë – një kategori që PS e konsideron themel të mbështetjes elektorale dhe njëkohësisht pjesë të rëndësishme të përfaqësimit politik. Fushata zyrtare e PS pritet të hapet më 12 prill, në orën 12:00, si simbolikë ndaj 12 yjeve të Bashkimit Evropian – destinacion që socialistët e vendosin në qendër të programit të tyre me sloganin: “Shqipëria 2030 në BE”, përcjell albinfo.ch.

Edhe Lulzim Basha do të çelë fushatën më 12 prill, një orë përpara socialistëve, nën logon e koalicionit euroatlantik, duke synuar të mbajë një profil të pavarur nga fraksioni Berisha.

Në këtë garë, secili koalicion paraqet 186 kandidatë për deputetë, sipas formulës së re zgjedhore: 140 nga lista e hapur dhe 46 nga lista e mbyllur.

Sot ZRRE-ja vendos për çmimin e rrymës, qytetarët protestojnë

Nën moton “Asnjë cent më shumë”, sot mbahet protesta e radhës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, përcjell albinfo.ch.

Protesta fillon nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në të njëjtën ditë kur edhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) pritet të marrë vendimin përfundimtar për çmimin e ri të energjisë elektrike.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj proteste, duke kundërshtuar paralajmërimin për një rritje prej 15% të çmimit të rrymës nga ZRrE.

“Rritja e çmimit të energjisë nuk prek vetëm faturën, por edhe bukën, vajin, qumështin – çdo aspekt të jetës sonë të përditshme,” thuhet në njoftimin e grupit organizues në Facebook.

Kujtojmë se edhe më 5 prill u mbajt një protestë e ngjashme në sheshin “Skënderbeu”, ku morën pjesë qindra qytetarë.

Ndaj këtij vendimi pati reaguar edhe Presidenca, e cila përmes një deklarate kishte theksuar se rritja e çmimit të rrymës do të ketë efekt zinxhir.

Zgjedhjet në Shqipëri: Ka nisur dërgimi i fletëve të votimit në Diasporë

Tashmë dihet se për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, shqiptarët me banim jashtë vendit do të mund të votojnë përmes postës për zgjedhjet parlamentare, përcjell albinfo.ch.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjen e 245,808 zarfeve me fletët e votimit, të cilat do të nisen drejt votuesve shqiptarë në diasporë në 85 shtete të botës.

Procesi i dërgimit të zarfeve ka nisur dhe do të vazhdojë deri më 17 prill, me qëllim që të sigurohet mbërritja në kohë e materialeve zgjedhore te votuesit e regjistruar jashtë vendit.

Përpunimi dhe paketimi i materialeve zgjedhore po realizohet në Parkun Olimpik në Tiranë, ku administrata e KQZ-së është organizuar në grupe pune që po ndjekin me përpikmëri çdo hap të procesit.

Fillimisht bëhet verifikimi i fletëve të votimit, dhe më pas ato vulosen nga KQZ-ja për t’u dhënë fuqinë juridike. Më pas, çdo fletë vendoset në një zarf të posaçëm, së bashku me materialet shoqëruese, dhe dorëzohet te kompania postare që do ta dërgojë në adresën e qytetarëve të regjistruar.

Zarfeve u është kushtuar rëndësi maksimale në aspektin e sigurisë dhe korrektësisë, ndërsa shpërndarja po bëhet në përputhje me qarqet zgjedhore, sipas regjistrimit të votuesve nga diaspora.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mundësuar ndjekjen live të të gjithë procesit të përgatitjes dhe paketimit të fletëve të votimit përmes kanalit zyrtar të KQZ-së në Facebook, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë e këtij procesi historik.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së diasporës në jetën demokratike të vendit, duke u dhënë mundësi mijëra qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese të votës.

Shaqiri me fanellën e Baselit ëndërron të luajë në Ligën e Kampionëve

Nisur nga një kujtim i shkurtër i 14 prillit të vitit 2021, Xherdan Shaqiri ka luajtur për herë të fundit në Ligën e Kampionëve në atë datë. Në ndeshjen e dytë çerekfinale kundër Real Madridit (0:0), si lojtar i Liverpool-it, u aktivizua në minutën e 82-të, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se në total, ish-futbollisti i Zvicrës ka luajtur 36 ndeshje në Ligën e Kampionëve, duke shënuar tre gola dhe dhënë shtatë asistime. Dhe ndoshta do të ketë më shumë ndeshje, gola e asistime.

Futbollisti shqiptar ka fituar dy herë trofeun e Ligës së Kampionëve. Titullin e parë e fitoi me Bayernin në vitin 2013. Me gjigantin gjerman fitoi gjithashtu Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube. Po të njëjtat trofe i fitoi edhe me Liverpool-in në vitin 2019. Me të dy ekipet, Bayernin dhe Liverpool-in, ka fituar edhe titullin e kampionit në kampionatet respektive.

Shaqiri e ka fituar Bundesligën tri herë: në vitet 2013, 2014 dhe 2015, ndërsa Premier Leaguen e fitoi në sezonin 2019/2020.

Trofetë nuk mungojnë as me Baselin. Gjatë viteve të para të karrierës me këtë skuadër, ai fitoi titullin në vitet 2010, 2011 dhe 2012, si dhe dy Kupa të Zvicrës.

33-vjeçari po luan sërish për Baselin – skuadrën ku e nisi karrierën e tij – dhe po dëshmon se ende është në formë. Këtë sezon ai ka luajtur 27 ndeshje në Superligën e Zvicrës, duke shënuar 11 gola dhe dhënë 14 asistime. Pjesërisht falë kontributit të Shaqirit, Baseli është në krye të tabelës pas 31 xhirove, me një epërsi prej katër pikësh ndaj Servette-s dhe pesë pikë më shumë se Young Boys.

“Kemi ende disa pengesa për të kaluar”, ka thënë Shaqiri, i cili nuk dëshiron ende të flasë për titullin. Megjithatë, ëndrrat gjithmonë lejohen – dhe këtë e pohon edhe “Messi i Alpeve”. “Të gjithë ne ëndërrojmë për netët e Ligës së Kampionëve sërish. Dhe po japim gjithçka për ta arritur këtë synim”, ka deklaruar ai për “Blue Sport”.

Pengesa e radhës e Baselit në rrugën drejt titullit është Zurichu. Klasikja e Zvicrës do të zhvillohet në stadiumin “Letzigrund” të shtunën mbrëma.

Konsullata e Kosovës në Mynih mirëpriti Vjosën si akademikja më e re në Gjermani

Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Mynih, Konsulli i Përgjithshëm, Afrim Nura, mirëpriti Dr. Vjosa Blakaj, e cila më 26 mars 2025 u promovua me sukses si Doktore e Shkencave të Matematikës në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM), transmeton albinfo.ch.

Siç ka raportuar albinfo.ch disa ditë më parë, Blakaj ka ndjekur një rrugë të shkëlqyer akademike që nga studimet bachelor në Universitetin e Prishtinës, deri te studimet master dhe doktoratë në Mynih, duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm në një fushë tejet sfiduese, me fokus në teorinë e informacionit kuantik dhe fizikën matematike. Kjo ishte edhe tema e disertacionit të saj: “Transcendental Tools in Quantum Information Theory”.

“Ky sukses është jo vetëm një arritje personale, por edhe një kontribut i çmuar në promovimin e imazhit të Kosovës në botë. Urime të përzemërta Dr. Vjosa Blakaj – shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë shqiptarë në Kosovë dhe diasporë”, tha konsulli Afrim Nura.


Bern: U dëgjuan thirrje kundër Kosovës, UEFA gjobit Zvezdën

Bëhet e ditur se Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s e ka dënuar me 54 mijë e 250 euro klubin Cërvena Zvezda, për shkak të shkeljeve të shumta nga tifozët serbë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve kundër Young Boys-it, e luajtur në Bernë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se këtë ndeshje e fitoi klubi zviceran Young Boys me rezultatin 1:0, ndërsa në stadium është parë edhe flamuri i Serbisë mbi hartën e Kosovës – një simbol që UEFA e konsideron të papranueshëm. Po ashtu, janë dëgjuar thirrje në kor “Serbia, Kosovo” në tribunën ku ishin të vendosur ultrasit e Cërvena Zvezdës, të ashtuquajturit “Delije”.

Për sjellje raciste të tifozëve, UEFA ka ndarë një gjobë prej 20 mijë euro ndaj Cërvena Zvezdës dhe i ka ndaluar klubit serb të shesë bileta për tifozët e tij në ndeshjen e parë në udhëtim në garat e UEFA-s. Gjithashtu, me 6.750 euro është dënuar për ndezjen e fishekzjarrëve, ndërsa me 27 mijë e 500 euro për shfaqjen e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.

Për thirrjet kundër Kosovës dhe incidentet e tjera në stadiume, UEFA ka gjobitur vazhdimisht Federatën e Futbollit të Serbisë dhe klubet serbe.