Vendi që ka më shumë karikues për vetura elektrike se sa pika karburanti

Kalifornia, një nga tregjet kryesore për automjetet elektrike, ka instaluar 178.549 karikues për vetura elektrike, një numër që e kalon me 48% numrin e pikave të karburantit në shtet (rreth 120.000). Megjithatë, shumica e karikuesve (162.178) janë të nivelit 2, që kërkojnë orë për karikim, ndërsa vetëm 9.5% janë karikues të shpejtë DC.

Investimet në infrastrukturën e karikimit janë të konsiderueshme, me 1.4 miliardë dollarë të dedikuar për rrjetin e stacioneve të karikimit dhe 55 milionë dollarë për karikues të shpejtë në biznese dhe vende publike. Shteti vazhdon të investojë për të përmirësuar përvojën e shoferëve dhe për të bërë automjetet elektrike më të lehta për përdorim, përcjell albinfo.ch.

Ky zhvillim është një hap i rëndësishëm për Kaliforninë, ku 25% e makinave të reja janë automjete me emetim zero.

Një milion përdorues të rinj në vetëm një orë – opsioni i ri i OpenAI që po bën bujë 

OpenAI ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm me veglën e re të gjenerimit të imazheve, e cila ka sjellë një rritje masive të përdoruesve brenda një kohe rekord. Vetëm brenda një ore nga lansimi, platforma ka regjistruar mbi një milion përdorues të rinj, duke e vënë në vështirësi sistemin e krijimit të llogarive të reja, përcjell albinfo.ch.

CEO i OpenAI, Sam Altman, e ka quajtur kërkesën për këtë shërbim si “biblike”, duke reflektuar mbi popullaritetin e jashtëzakonshëm të chatbot-it ChatGPT dhe veçorisë së tij të re për krijimin e imazheve. Fillimisht, OpenAI synonte ta ofronte këtë shërbim për të gjithë përdoruesit, pavarësisht nga niveli i abonimit, por interesi i lartë ka sjellë vonesa në aksesimin e versionit falas.

Tani, kompania ka raportuar vështirësi me regjistrimin e llogarive të reja, pasi serverët e saj po përballen me një fluks të paprecedentë përdoruesish. Kjo tregon për interesin e jashtëzakonshëm që ka ky inovacion, duke e kthyer ChatGPT në një nga veglat më të përdorura të inteligjencës artificiale në botë.

Linjat e trenave të cilët vonohen më shumë në Zvicër

Trenat zviceranë janë të njohur për përpikmërinë e tyre, një reputacion që në shumicën e rasteve është i justifikuar. Megjithatë, disa linja pësojnë vonesa të rregullta, veçanërisht trenat ndërkombëtarë.

Një analizë e CH Media mbi të gjitha linjat e trenave në Zvicër gjatë vitit 2024 tregoi se 5.307 nga 5.584 linjat e studiuara nuk kishin vonesa më të mëdha se tre minuta. Kjo përkthehet në një normë përpikmërie prej rreth 95 për qind. Në destinacionin përfundimtar, gati 98 për qind e trenave arritën në kohë ose më herët, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht përpikmërisë së përgjithshme, disa linja vonohen rregullisht, duke shkaktuar çrregullime në sistemin e koordinuar të transportit.

Trenat ndërkombëtarë

Trenat që vijnë nga jashtë shpesh mbërrijnë në Zvicër me vonesë, duke ndikuar në pjesën zvicerane të udhëtimit.

Treni i natës nga Vjena për në Cyrih arrinte mesatarisht 45 minuta me vonesë në vitin 2024, me rekordin më të madh prej mbi tre orë e gjysmë.

Trenat nga Amsterdami, Hamburgu dhe Graz kishin gjithashtu vonesa kronike.

EuroCity nga Venecia për në Gjenevë, që duhet të mbërrijë në orën 23:21, kishte një vonesë mesatare prej 20 minutash në mbi 75 për qind të rasteve.

Railjet nga Bratislava për në Cyrih dhe EuroCity nga Mynihu shfaqën gjithashtu modele të ngjashme vonesash.

Në total, 277 lidhje hekurudhore kishin vonesa mbi tre minuta në një ose më shumë stacione. Kjo përfshin:

  • 36 trena EuroCity

  • 13 trena TGV dhe ICE

  • 9 trena Railjet – të gjithë nga jashtë Zvicrës

SBB (Hekurudhat Federale Zvicerane) i atribuon këto vonesa kompanive të huaja hekurudhore, veçanërisht për trenat nga Italia që mbërrijnë në Cadenazzo me vonesë.

Trenat zviceranë me vonesa

Edhe pse 95 për qind e trenave janë në kohë, ekziston një 5 për qind që nuk janë.

Linja S9, që nis nga Rafz (ZH) në orën 22:45 dhe mbërrin në Uster (ZH) rreth mesnatës, ka një vonesë mesatare prej 8 minutash që nga nisja.

Treni InterCity nga Bazeli për në Brig (VS), që niset në orën 20:29, kishte një vonesë mesatare prej gati 5 minutash në Spiez (BE).

IC5, që niset nga Rorschach (SG) për në Zvicrën Perëndimore, arriti në Neuchâtel me një vonesë mesatare prej mbi 4 minutash në vitin 2024.

Linja S24 mes Zug dhe Cyrihut zakonisht vonohet në Wollishofen, por arrin në kohë në destinacionin përfundimtar.

Njeriu më i pasur në planet

Lista e re e njerëzve më të pasur nga Forbes për vitin 2025 regjistron 3,028 miliarderë, numri më i madh në 39 vitet e publikimit të renditjes dhe një vlerë totale neto që arrin në 16.1 trilion dollarë.

Lista e re, e miliarderëve të botës e publikuar nga Forbes shënon një rritje të shpejtë të pasurisë globale, e cila këtë vit përmban 3028 emra, një numër rekord që nga publikimi i parë i listës në 1987.

Pasuria e tyre totale arrin në 16.1 trilion dollarë, shuma më e lartë e të gjitha kohërave, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Elon Musk rimerr vendin e parë, duke rrëzuar nga froni manjatin francez të mallrave luksoze Bernard Arnault, pasi pasuria e tij u rrit me 75%, duke arritur në 342 miliardë dollarë. Rritja e vlerës së tij neto është për shkak të vlerësimit të AI, SpaceX, si dhe prirjes rritëse të aksioneve të Tesla gjatë 12 muajve të fundit, pavarësisht rënies së fundit.

Musk bëhet personi i parë që ka kaluar ndonjëherë 300 miliardë dollarë pasuri personale.

Trump dyfishoi pasurinë e tij

Presidenti amerikan Donald Trump ka dyfishuar pasurinë e tij, duke arritur tashmë në 5.1 miliardë dollarë, falë aksioneve të tij në Trump Media & Technology Group dhe të ardhurave të mëdha nga investimet e tij të fundit në kriptomonedha.

“Është një tjetër vit rekord për më të pasurit në botë, pavarësisht pasigurisë ekonomike dhe tensioneve gjeopolitike në rritje”, tha Chase Peterson-Whitehorn, redaktori i pasurisë në Forbes. “Dhe nga Elon Musk te Howard Latnick dhe miliarderët e tjerë që po depërtojnë gjithnjë e më shumë në qeverinë amerikane, ndikimi i tyre po zgjerohet vazhdimisht”.

Zuckerberg, Bezos dhe Ellison në top-listë

Në vendin e dytë pas Musk është Mark Zuckerberg me një pasuri të vlerësuar prej 216 miliardë dollarësh, ndërsa Jeff Bezos pason në vendin e tretë me 215 miliardë dollarë. Në vendin e katërt është themeluesi i Oracle, Larry Ellison me 192 miliardë dollarë dhe në vendin e pestë është Bernard Arnault dhe familja e tij me 178 miliardë dollarë.

Dhjetëshja e parë plotësohet nga:

6: Warren Buffett, një nga investitorët më të suksesshëm të të gjitha kohërave me 154 miliardë,

7: Larry Page, i cili dha dorëheqjen si CEO i Alphabet, kompania mëmë e Google, në 2019, mbetet anëtar i bordit të drejtorëve me 144 miliardë,

8: Sergey Brin, i cili dha dorëheqjen si kryetar i Alphabet, kompania mëmë e Google, në dhjetor 2019, por mbetet anëtar i bordit të drejtorëve me 138 miliardë,

9: Amancio Ortega, themelues dhe pronar i kompanisë shumëkombëshe Inditex, e cila, ndër të tjera, zotëron Zara-n, me 104 miliardë, CE kompania nga viti 2000 deri në vitin 2014 me 118 miliardë lekë

Hyrjet e reja: Nga Springsteen në Schwarzenegger

Lista e 2025 përmban 288 miliarderë të rinj që shfaqen për herë të parë, duke përfshirë muzikantin Bruce Springsteen, themeluesin e Chipotle Steve Ells, CEO i Alphabet/Google, Sundar Pichai, aktorin dhe ish-guvernatorin e Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger dhe 28-vjeçarin, bashkëthemeluesin e Scale AI, Alexander Wang, më i riu i miliardarëve në botë.

Vendet me më shumë miliarderë

Shtetet e Bashkuara ruajnë epërsinë me 902 miliarderë, një numër rekord ky, me një vlerë totale prej 6.75 trilionë dollarë. Kina pason në vendin e dytë me 450 dhe India në të tretën me 205.

“Klubi 100 miliardë” dhe rënia nga lista

Numri i njerëzve me një pasuri prej më shumë se 100 miliardë dollarë arriti gjithashtu një nivel rekord, me 15 persona në mbarë botën – nga 14 që ishin vitin e kaluar dhe asnjë në 2017. Ky “klub” i mbyllur i super të pasurve zotëron një total prej 2.4 trilionë dollarësh ose rreth 15% e pasurisë totale të të gjithë miliarderëve, edhe pse ajo përfaqëson vetëm 0.5% të totalit.

Në të njëjtën kohë, 107 persona ranë nga lista këtë vit, duke përfshirë trashëgimtarin e Hermès, Nicolas Pess dhe pronarin e Hobby Lobby, David Green, ndërsa 32 miliarderë vdiqën gjatë vitit.

Kisha Katolike në Zvicër përballet me krizë besimi – a po largohen besimtarët?

Një sondazh i realizuar nga Instituti Sotomo midis 19 shtatorit dhe 29 tetorit 2024 në Zvicrën gjermanofolëse, me porosi të Kishës Katolike në Cyrih, ka konfirmuar një realitet të hidhur: imazhi i Kishës Katolike është i dobët. Sipas udhëheqësve të saj në Cyrih, kjo nuk është aspak befasuese, pasi rastet e abuzimit seksual brenda Kishës mbeten arsyeja kryesore për këtë perceptim negativ, transmeton albinfo.ch.

Një reputacion në rënie

Sipas sondazhit, 47% e katolikëve në Cyrih dhe 35% e katolikëve të tjerë gjermanofolës e konsiderojnë imazhin e Kishës Katolike si negativ. Në nivelin e përgjithshëm të popullsisë, ky perceptim negativ arrin në 69% në Cyrih dhe 62% në pjesën tjetër të Zvicrës gjermanofolëse. Në të kundërt, Kisha Protestante ka një imazh negativ vetëm për 20% të popullsisë dhe për 5% të protestantëve përtej Sarinës.

Një atmosferë e tensionuar

Vetëm 38% e katolikëve gjermanofolës kanë një imazh pozitiv për Kishën e tyre, një rezultat që politologu Michael Hermann e përshkruan si një “përfundim i qartë”. Ai theksoi gjithashtu se atmosfera është “e ndezur” edhe mes besimtarëve aktivë. Në krahasim, 64% e protestantëve kanë një imazh pozitiv për Kishën e tyre, ndërsa ky perceptim pozitiv qëndron në 37% për popullsinë e përgjithshme.

Kritika ndaj konservatorizmit

Presidenti i Këshillit Sinodal Katolik të Cyrihut, Raphael Meyer, pranoi se këto rezultate nuk janë aspak të këndshme dhe theksoi nevojën për të bashkëpunuar me shtetin për të adresuar skandalet e abuzimeve seksuale. Përveç kësaj, qëndrimet konservatore të Kishës mbi çështjet fetare dhe shoqërore kanë ndikuar negativisht në perceptimin e saj nga jo-katolikët.

Rreth 90% e të anketuarve kritikuan refuzimin e Kishës Katolike për të shuguruar gratë. Po ashtu, një pjesë e madhe e opinioneve negative lidhen me qëndrimet e saj kufizuese mbi abortin dhe homoseksualitetin.

Angazhimi social, një pikë e fortë

Megjithatë, jo gjithçka është negative. Sondazhi tregon se 71% e katolikëve vlerësojnë angazhimin social të Kishës, ndërsa 95% e tyre e konsiderojnë këtë një pjesë të rëndësishme të misionit të saj. Besimtarët vlerësojnë gjithashtu liturgjinë dhe aktivitetet si korin apo shërbimet për të moshuarit.

Për komunitetin e emigrantëve, Kisha ka një rëndësi të veçantë: 80% e tyre e shohin atë si një hapësirë të rëndësishme për jetën e tyre fetare, ndërsa vetëm 35% e katolikëve vendas ndajnë të njëjtin mendim. Po ashtu, 61% e emigrantëve e vlerësojnë miqësinë mes besimtarëve, një ndjenjë që ndajnë vetëm 23% e katolikëve të tjerë.

Ky sondazh pasqyron sfidat e mëdha me të cilat përballet Kisha Katolike në Zvicër dhe nevojën për ndryshime të mëdha për të rikthyer besimin e komunitetit të saj.

Një hormon 500 milionë-vjeçar mund të ndihmojë kundër obezitetit

Një hormon që kontrollon urinën, i quajtur “bombesin”, mund të hapë rrugën për ilaçe të reja kundër obezitetit. Studimi nga Universiteti “Queen Mary” i Londrës, i botuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave, tregon se ky hormon është aktiv në sistemin tretës dhe ka një histori evolucionare prej mbi 500 milionë vjetësh, përcjell albinfo.ch.

Bombesina u zbulua në vitin 1970 nga farmakologu italian Vittorio Erspamer. Kur u injektua te gjitarët, ajo tregoi aftësinë për të zvogëluar oreksin. Hulumtimi i fundit analizoi edhe yjet e detit, duke zbuluar se një variant i bombesinës ndikon në tkurrjen e stomakut të tyre, duke sugjeruar se funksioni i këtij hormoni është shumë i vjetër në evolucion.

Ky studim mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të reja kundër obezitetit, duke shfrytëzuar mekanizmat natyrorë të kontrollit të oreksit.

Transporti Publik i Cyrihut kërkon personel (edhe) në gjuhën shqipe

Dita e Informacionit e Ndërmarrjes së Transportit Publik të Cyrihut (VBZ), e cila mbahet dy herë në vit, shërben për të forcuar imazhin e kompanisë si një punëdhënës tërheqës. Për të promovuar këtë ngjarje, agjencia Ads&Figures zbatoi një fushatë në njëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme, duke përfshirë, përveç gjuhëve të vendit edhe gjuhët si: shqip, maqedonisht, ukrainisht, serbisht dhe polonisht, transmeton albinfo.ch.

Fokusi i kësaj iniciative ishte sfida e adresimit të një target grupi të larmishëm dhe në të njëjtën kohë drejtimi i personelit të kualifikuar drejt faqes së karrierës të VBZ. Nëpërmjet shënjestrimit të saktë në meta platformat dhe faqet specifike për gjuhën, aplikantët e mundshëm duhet të arrihen drejtpërdrejt në gjuhën e tyre amtare, shkruan persönlich.ch.

Një faqe e veçantë me informacion të personalizuar për Ditën e Informacionit është krijuar për secilën nga njëmbëdhjetë gjuhët.

Me një normë klikimesh prej 4.56 për qind dhe më shumë se 11,000 shikime të faqes, iniciativa i tejkaloi ndjeshëm pritjet origjinale, thuhet më tej. Ajo që u dallua veçanërisht ishte shkalla e lartë e angazhimit, e cila reflektonte interesin e grupeve të synuara të adresuara.

Suksesi dixhital mund të matet edhe në botën reale, përcjell albinfo.ch. “Vizitorët në ditën e informacionit ishin shumë mirë të informuar për punët në VBZ në shërbimet e vozitjes dhe ishin shumë të motivuar të fillonin të punonin me ne menjëherë,” citohet të ketë thënë Tobias Gees, Shefi i Rekrutimit dhe Markimit të Punëdhënësve në VBZ. (pd/spo)

Kartoni i gjelbër për qytetarët e Shqipërisë në Maqedoni do të kushtojë 50 Euro

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se duke filluar nga sot, 1 prill 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar prej 50 eurosh.

“Kjo është masa e dytë që ndërmerret në një hark të shkurtër kohor, për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë  drejt vendeve kufitare, pas hyrjes në fuqi më 1 shkurt 2025 të policës së sigurimit “Karton i Gjelbër” 1-vjeçar me Malin e Zi”, thuhet në njoftimin e AMF-së, transmeton albinfo.ch.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, ka bashkëpunuar ngushtë me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), për të lehtësuar lëvizjen e autoveturave me targa shqiptare drejt vendeve kufitare.

Sipas AMF-së, bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve (BSHS), qytetarët shqiptarë mund të pajisen tashmë në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit me policën e sigurimit “Karton i Gjelbër” për autovetura me vlefshmëri 12-mujore, me çmim 50 euro, e cila mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut. Ky vendim mbështet lëvizjen e qytetarëve duke ulur kostot dhe nxitur shkëmbimet ekonomike me fqinjin juglindor.

Shoqëritë e sigurimit do të ofrojnë në të gjitha pikat e shitjes policën e sigurimit “Karton i Gjelbër” për autovetura me afat vlefshmërie 1-vjeçar për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, si dhe do të vijojnë të ofrojnë edhe “Kartonin Jeshil” me afat vlefshmërie 15-ditor me çmim 15 euro.

“Kartoni i Gjelbër” është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.

NATO forcon praninë e saj në Kosovë me trupa shtesë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka dislokuar rreth 270 paqeruajtës shtesë nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia dhe Rumania, si pjesë e rezervave operacionale.

Sipas njoftimit të KFOR-it, trupat e dislokuara do të operojnë në bazë të përkohshme, së bashku me 200 forca rezervë nga brigada italiane “Sassari”, të cilat tashmë janë vendosur në Kosovë.

“Këto përforcime, së bashku me trupat ekzistuese të KFOR-it, forcojnë aftësinë e misionit për të reaguar ndaj çdo ndryshimi të situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit,” theksohet në deklaratën e KFOR-it, transmeton albinfo.ch.

Misioni i NATO-s ka ripërsëritur përkushtimin e tij për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në Kosovë, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Zvicra synon zbutjen e rregullave për eksportin e armëve

Komisioni për Politikën e Sigurisë e Këshillit të Shteteve të Zvicrës (SIK-S) ka propozuar një amendament për Ligjin mbi Materialin e Luftës, duke kërkuar lehtësimin e rregullave për eksportin e armëve. Në bazë të këtij ndryshimi, eksportet drejt vendeve të NATO-s dhe disa shteteve të tjera, si Australia, Japonia dhe Austria, do të lejohen automatikisht, përveç rasteve kur ka arsye të jashtëzakonshme të lidhura me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Vendimi i Këshillit të Shteteve dhe ndryshimi i propozuar

Këshilli i Shteteve pritet të vendosë mbi këtë amendament, i cili do të ndryshojë praktikën e deritanishme ku eksportet në këto vende kërkonin licenca individuale. Me ndryshimin e propozuar, eksportet e materialeve luftarake do të lejohen automatikisht, përveç rasteve ku Këshilli Federal gjen arsye të forta për refuzim.

Qëndrimi i Këshillit Federal dhe debatet politike

Këshilli Federal gjithashtu synon të zbusë rregulloret, por ka propozuar një mekanizëm të posaçëm për përjashtime, duke ruajtur një nivel më të lartë kontrolli mbi eksportet në raste të caktuara. Propozimi i komisionit shkon një hap më tej, duke e bërë procesin e eksportit më të lirë për vendet me sisteme të ngjashme kushtetuese me atë zviceran.

Ky ndryshim është pritur me reagime të kundërta. Industria zvicerane e sigurisë dhe mbrojtjes e ka mirëpritur propozimin, duke argumentuar se pa këto lehtësime, industria ushtarake zvicerane do të përballet me vështirësi serioze. Nga ana tjetër, organizata kundër armëve, si Grupi për një Zvicër pa Ushtri (GSoA), e kanë kritikuar këtë iniciativë, duke e cilësuar si një “çek të bardhë” për eksportet e armëve dhe duke paralajmëruar mundësinë e një referendumi për ta kundërshtuar atë.

Pasojat e mundshme

Nëse propozimi i komisionit miratohet, ai mund të sjellë një rritje të eksporteve të armëve zvicerane dhe një pozicionim më fleksibël të Zvicrës në tregun ndërkombëtar të mbrojtjes. Megjithatë, debati mbi ndikimin etik dhe politik të këtij vendimi mbetet i hapur.

Këshilli i Shteteve do të marrë vendimin përfundimtar në seancën e ardhshme parlamentare.

Bazeli i mërzitur me Cyrihun për mos sigurimin e policisë për Eurovizion

Përpara Konkursit të Këngës në Eurovizion, i cili do të mbahet në Bazel në maj, kantoni po bën thirrje për përforcime policore nga kantonet e tjera, transmeton albinfo.ch.

Të gjithë janë përgjigjur pozitivisht – përveç Cyrihut.

Bazeli thotë se ka nevojë që të gjithë oficerët e tij të angazhohen për sigurinë e qytetit. Ai thekson se shumë pjesëmarrës në Eurovizion do të qëndrojnë në Cyrih – dhe ngjarje me temën e Eurovizionit po zhvillohen gjithashtu në këtë qytet.

Zyrtarët janë gjithashtu të shqetësuar për rrezikun e rritjes së dhunës për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Bazeli është pak i zhgënjyer nga përgjigjja e Cyrihut, duke theksuar se ai dërgon oficerët e vet për të ndihmuar kur kërkohet, në të gjithë vendin.

Megjithatë, qindra oficerë nga mbarë Zvicra do të jenë të pranishëm në Bazel. Rreth 200 do të vijnë nga kantonet frëngjishtfolëse, një numër i ngjashëm nga pjesët lindore dhe qendrore të vendit – madje edhe 30 nga Ticino.

42.000 bileta për eventin u shitën në vetëm 22 minuta.

Rritet vlera e aseteve ruse të ngrira në Zvicër

Vlera e aseteve të ngrira ruse në Zvicër ka arritur në 7.4 miliardë franga zvicerane, sipas një njoftimi të Konfederatës Zvicerane të martën. Kjo përfaqëson një rritje prej 1.6 miliardë frangash krahasuar me një vit më parë, për shkak të identifikimit të pasurive shtesë, të cilat më pas janë ngrirë, sipas Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO).

Sipas SECO-s, pas një hetimi të Këshillit Ekonomik dhe Social Zviceran, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka hapur procedura penale për shkelje të dyshuara të sanksioneve. Aktualisht, janë ngrirë 1.65 miliardë franga si një masë e përkohshme brenda këtij procesi, shkruan RTS.

Ngrirja e aseteve prek gjithsej 1,859 individë dhe 541 kompani ose biznese. Megjithatë, gjatë një shqyrtimi të plotë, SECO ka liruar 60 milionë franga, pasi nuk janë plotësuar kushtet ligjore për ngrirjen e tyre.

Ndryshimet në vlerën e llogarive të ngrira kanë ndikuar në një rritje neto prej 180 milionë frangash vitin e kaluar. Totali i aktiveve të ngrira është prekur gjithashtu nga heqjet (-310 milionë CHF) dhe shtimet (+130 milionë CHF) në listën e sanksioneve, pas rregullimeve të Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

SECO ka sqaruar se duhet bërë dallimi midis aktiveve të ngrira dhe rezervave të Bankës Qendrore të Federatës Ruse të mbajtura në Zvicër, të cilat, me kursin aktual të këmbimit, arrijnë në 7.45 miliardë franga. Transaksionet që lidhen me këto rezerva janë të ndaluara që nga marsi 2022.

Përveç këtyre aseteve financiare, janë ngrirë edhe 14 pasuri të paluajtshme që u përkasin individëve, kompanive ose subjekteve ruse. Këto prona janë të shpërndara në gjashtë kantone, përfshirë Bernën, Gjenevën, Valaisin dhe Cyrihun. Vitin e kaluar, numri i pasurive të ngrira ishte 17, ndërsa ndryshimi lidhet me heqjet nga lista e sanksioneve dhe mungesën e kushteve ligjore për vazhdimin e ngrirjes së disa pronave.

Në Zvicër mbeten të bllokuara edhe mjete të tjera luksoze si makina sportive, avionë, vepra arti, mobilje dhe instrumente, të cilat janë gjithashtu pjesë e sanksioneve të vendosura ndaj individëve dhe kompanive të lidhura me Federatën Ruse, përcjell albinfo.ch.

Nis mbledhja e nënshkrimeve për lejen prindërore prej 18 javësh

Ka nisur mbledhja e firmave për nismën “Kohë me familjen”, e cila synon të sigurojë një leje prindërore të përshtatshme dhe me pagesë për nënat dhe baballarët pas lindjes së fëmijës. Kjo iniciativë e rikthen në vëmendje një kërkesë të njohur për barazinë në shpërndarjen e përgjegjësive familjare, përcjell albinfo.ch.

Sipas propozimit, leja prindërore do të financohet nga skema e zëvendësimit të të ardhurave. Teksti i plotë i nismës është publikuar tashmë në Gazetën Federale, ndërsa nismëtarët kanë afat deri më 1 tetor 2026 për të mbledhur 100 mijë firmat e nevojshme për të çuar përpara këtë projekt. Nëse miratohet nga populli dhe kantonet, masa do të hyjë në fuqi pesë vjet më vonë.

Nisma parashikon që gjatë dhjetë viteve të para, prindërit të kenë të drejtën për 18 javë leje prindërore, të cilat zakonisht duhet të merren në mënyrë të njëpasnjëshme. Sipas rregullave të propozuara, maksimumi një e katërta e kësaj lejeje mund të merret njëkohësisht nga të dy prindërit. Leja prindërore nuk mund të transferohet nga njëri prind te tjetri, ndërsa masa e kompensimit do të bazohet në shumat e përdorura për shërbimin ushtarak dhe civil. Për ata me paga më të ulëta, kompensimi do të arrijë deri në pagën e plotë, shkruan SRF.

Në prezantimin e planeve për nismën në vjeshtën e vitit 2024, Kathrin Bertschy, Këshilltare Kombëtare e Partisë Liberale të Gjelbër (GLP) dhe bashkë-presidente e organizatës ombrellë të grave Aleanca F, theksoi se për të financuar këtë masë do të nevojitej një rritje prej 0,25 pikë përqindje të kontributeve të pagave, duke e çuar atë në 0,75%. Një studim i realizuar nga Ecoplan parashikon kosto vjetore prej rreth një miliard frangash zvicerane.

Iniciativa synon të rrisë barazinë në ndarjen e përkujdesjes dhe punëve familjare që nga momenti i lindjes së fëmijës. Kjo masë synon gjithashtu të ndihmojë nënat të kthehen më shpejt në tregun e punës, duke lehtësuar njëkohësisht ngarkesën e tyre në menaxhimin e jetës profesionale dhe familjare. Nismëtarët e shohin këtë politikë si një mjet për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Ndërkohë, shumë kompani të mëdha tashmë kanë zbatuar skema të avancuara të lejes prindërore për punonjësit e tyre, çka u mundëson të rekrutojnë më lehtë staf të kualifikuar. Megjithatë, bizneset e vogla dhe të mesme në zonat rurale ndodhen në disavantazh për shkak të mungesës së burimeve të nevojshme për të përballuar këto shpenzime. Me këtë nismë, barra e financimit do të ndahej në mënyrë më të drejtë.

Nisma është iniciuar nga Aleanca F, të Gjelbrit, GLP, Travail Suisse dhe Qendra e Grave, të cilët së bashku kanë krijuar organizatën mbështetëse të kësaj iniciative. Ajo ka marrë përkrahjen edhe të Partisë Social Demokratike (PS), EVP dhe organizatave të tjera.

Komiteti nismëtar përfshin anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të parlamentit nga Partia Social Demokratike (PS), të Gjelbërit, Partia Liberale (GLP), Partia e Qendrës dhe EVP. Mes mbështetësve të kësaj nisme janë edhe ish-Këshilltarja Federale Eveline Widmer-Schlumpf dhe muzikantja e njohur Sophie Hunger, përcjell albinfo.ch.

Zvicër: Nuk ka ende numër telefoni për abuzim në familje

Aktivistët kundër dhunës në familje janë të zemëruar me Zyrën Federale të Komunikimit.

Për vite me radhë, ata kanë bërë fushatë për një numër telefoni treshifror, i cili mund të përdoret për të marrë ndihmë.

Pesë vjet më parë, OFCOM, e cila ndan numrat e telefonit, tha se do të siguronte një numër që do të funksiononte në të gjithë vendin – por tani thotë se i duhen edhe gjashtë muaj të tjerë, transmeton tutje albinfo.ch.

Kantoni i Cyrihut është veçanërisht i zemëruar, pasi është duke u përgatitur për numrin e ri. Është trajnuar dhe punësuar staf, i gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjeve.

Të zemëruar janë edhe shumë deputetë. Njëra prej tyre, Tamara Funicello nga Berna, thotë se ka pasur 12 femicidë tashmë këtë vit dhe pyet se çfarë tjetër duhet të ndodhë përpara se të merren masa.

OFCOM thotë se, për shkak se thirrjet duhet të drejtohen në kantonin përkatës, problemi qëndron te ndarja gjeografike e thirrjes hyrëse. Ajo gjithashtu thekson se një numër i ri i shkurtër nuk është krijuar për 20 vjet.

BE-ja paralajmëron kundërpërgjigje ndaj tarifave të Trump: “Kemi një plan të fortë”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të martën se Bashkimi Evropian është i përgatitur të mbrojë interesat e tij ndaj tarifave të reja të importit që pritet të shpallë presidenti amerikan, Donald Trump. Ajo theksoi se, megjithëse Brukseli synon një zgjidhje të negociuar, BE-ja ka një plan të fuqishëm për të reaguar nëse është e nevojshme, përcjell albinfo.ch.

“Evropa nuk e ka nisur këtë konfrontim. Ne nuk duam domosdoshmërisht të hakmerremi, por do të mbrojmë interesat tona, njerëzit tanë dhe kompanitë tona,” u shpreh von der Leyen në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Administrata e Trump ka paralajmëruar një sërë tarifash të reja mbi importet, të cilat ai i ka quajtur si pjesë e “Ditës së Çlirimit” për të korrigjuar, sipas tij, çekuilibrat tregtarë të padrejtë. Një nga masat më të diskutueshme është tarifa 25% mbi automjetet e importuara në SHBA, e cila hyn në fuqi këtë të enjte, ndërsa një tarifë e ngjashme për çelikun dhe aluminin tashmë ka prekur prodhuesit evropianë.

Von der Leyen paralajmëroi se Brukseli do të vlerësojë me kujdes masat e Uashingtonit dhe do të vendosë për kundërmasat e tij deri në mes të prillit. “Të gjitha instrumentet janë në tryezë,” theksoi ajo, duke shtuar se BE-ja ka shumë opsione për reagim, përfshirë fushën e tregtisë, teknologjisë dhe madhësinë e tregut të saj.

Ndërkohë, vendimi i Trump ka shkaktuar pasiguri në tregjet financiare, duke çuar në shitje të gjerë të aksioneve dhe rritur shqetësimet për një recesion të mundshëm. Strategjia e tij tarifore ka përshkallëzuar frikën për një luftë tregtare globale, me rrezikun e hakmarrjeve nga BE-ja, Kina dhe Kanadaja, shkruan DW.

“Kaq shumë evropianë ndihen të dëshpëruar nga ky vendim i Shteteve të Bashkuara,” përfundoi von der Leyen, duke theksuar se do të ishte në interesin e të gjithëve të gjendej një zgjidhje konstruktive për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve tregtare, përcjell albinfo.ch.

Kantoni Uri të premten nis zbatimin e masave për menaxhimin e trafikut

Kantoni i Urit do të nisë zbatimin e masave për menaxhimin e bllokimit të trafikut në autostradën A2, duke filluar nga e premtja, 4 prill, deri në rihapjen e Gotthard Pass në mes të majit. Këto masa synojnë të reduktojnë devijimin e trafikut në rrugët kantonale dhe të përmirësojnë rrjedhshmërinë e qarkullimit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Ndërtimit të kantonit, nëse bllokimi i trafikut arrin tre kilometra, hyrjet në Göschenen dhe Wassen do të mbyllen, duke detyruar shoferët që udhëtojnë drejt jugut të përdorin autostradën. Nëse ndodh ky skenar, hyrja e Göschenen do të hapet katër herë në ditë, nga 15 minuta secila, për vendasit, punëtorët dhe pushuesit: nga ora 6:45 deri në 7:00 të mëngjesit, nga 8:15 deri në 8:30 të mëngjesit, nga ora 17:15 deri në 17:30 dhe nga ora 18:45 deri në 19:00.

Gjithashtu, nëse kolonat e automjeteve arrijnë tetë kilometra, kufiri i shpejtësisë midis Altdorf dhe Amsteg do të reduktohet në 80 km/h, për të ulur rrezikun e aksidenteve. Autoritetet parashikojnë që fluksi më i madh i trafikut të ndodhë rreth datës 16 prill, për shkak të lëvizjeve të Pashkëve,shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Zvicra duhet të luftojë për akademikët amerikanë

Zvicra duhet të ndjekë vendet e tjera evropiane dhe të ofrojë stimuj për akademikët amerikanë që ndihen të ngacmuar në Shtetet e Bashkuara, që të vijnë dhe të vazhdojnë kërkimet e tyre këtu.

Ky është një mocion i paraqitur nga dy senatorë zviceranë – dhe po merr mbështetje të gjerë nga të gjitha palët, duke përfshirë edhe disa parti tradicionalisht kundër imigracionit, si Lëvizja Qytetare e Gjenevës.

Njëri nga senatorët, Baptiste Hurni, thekson se Universiteti francez Aix-Marseille ka ndarë 15 milionë euro për të tërhequr talente nga Shtetet e Bashkuara, transmeton albinfo.ch.

Por nuk është vetëm çështje parash – ideja është gjithashtu të thjeshtohen dhe përshpejtohen procedurat administrative.

Mendohet se pagat tashmë të larta për profesorët në Zvicër do të jenë tërheqëse për studiuesit me bazë në SHBA.

Në cilat shtete jetojnë zviceranët e larguar nga Zvicra?

Sipas të dhënave më të fundit nga Enti Federal i Statistikave (FSO), deri më 31 dhjetor 2024, numri i shtetasve zviceranë që jetojnë jashtë vendit ka arritur në 826,700 persona. Kjo shifër shënon një rritje prej 1.6% krahasuar me vitin 2023, duke reflektuar një tendencë të vazhdueshme të emigracionit zviceran, transmeton albinfo.ch.

Nga numri total i shtetasve zviceranë që jetojnë jashtë vendit, 530,500 ose 64% janë të vendosur në Evropë. Franca mban komunitetin më të madh me 212,100 persona, e ndjekur nga Gjermania (101,000), Italia (52,600), Mbretëria e Bashkuar (40,900) dhe Spanja (27,300). Ndërsa në Spanjë u regjistrua rritja më e madhe prej 3.1%, në Itali rritja ishte më e ulëta me 1.2%.

Portugalia dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë një numër më të vogël zviceranësh (7,600 dhe 1,400 respektivisht), por rritja në këto vende ishte më e larta në Evropë, me 10.2% dhe 13.5%.

Pjesa tjetër e popullsisë zvicerane jashtë vendit është shpërndarë në Amerikën e Veriut (16%), Amerikën Latine dhe Karaibe (7%), Azi (7%), Oqeani (4%) dhe Afrikë (2%). Komuniteti më i madh jashtë Evropës ndodhet në Shtetet e Bashkuara me 84,700 persona, të ndjekur nga Kanadaja (41,700) dhe Australia (26,600). Ndryshe nga trendi i përgjithshëm i rritjes, në Amerikën Latine dhe Karaibe u regjistrua një rënie e lehtë prej -0.1%, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat tregojnë një plakje të popullsisë zvicerane jashtë vendit. 24% e tyre janë mbi 65 vjeç, me rritjen më të lartë në këtë grupmoshë (+4.2% nga viti 2023). Vendet me përqindjen më të lartë të zviceranëve të moshuar janë Tajlanda (43%), Portugalia (36%), Afrika e Jugut (33%) dhe Spanja (33%). Portugalia dhe Tajlanda kanë regjistruar rritjet më të larta në përqindjen e të moshuarve zviceranë, me 15.9% dhe 7.1% respektivisht.

Një tjetër element i rëndësishëm është shtetësia e shumëfishtë. Tre të katërtat e zviceranëve jashtë vendit kanë të paktën një shtetësi shtesë, ndërsa për fëmijët nën 18 vjeç kjo përqindje arrin në 85%. Përqindja më e lartë e shtetasve me kombësi të shumta ndodhet në Amerikën Latine dhe Karaibe (84%), ndërsa më e ulëta regjistrohet në Azi dhe Afrikë (63% dhe 66%). Ndër vendet me komunitete të mëdha zvicerane, Izraeli ka një përqindje të lartë të shtetasve me kombësi të shumta (86%), ndërsa Tajlanda ka përqindjen më të ulët (37%).

Për më tepër, gratë kanë më shumë gjasa të kenë kombësi të shumta se burrat (76% kundrejt 73%).

Të dhënat e fundit nga FSO konfirmojnë se diaspora zvicerane po vazhdon të rritet, duke e bërë atë një pjesë të rëndësishme të identitetit kombëtar të Zvicrës. Me numrin e tyre në rritje, këta shtetas mbeten të lidhur me vendin e tyre përmes ambasadave dhe përfaqësive diplomatike, duke ndikuar në zhvillimet socio-ekonomike të Zvicrës dhe të vendeve ku jetojnë, transmeton albinfo.ch.

 

OBSH shkurton stafin me një email

Një email i brendshëm për stafin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i dërguar të premten, po konfirmon më të keqen për shumë njerëz.

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund financimit për OBSH-në, agjencia thotë se buxheti i saj duhet të shkurtohet me një të pestën, gjë që do të thotë humbje pune.

Kontributet nga SHBA-ja përbëjnë 16% të kostove të saj vjetore prej 7.8 miliardë dollarësh, transmeton albinfo.ch.

Shkurtimet e financimit vijnë në një kohë kur organizata ishte tashmë në vështirësi dhe kishte filluar një regjim të uljes së kostove.

Presidenca e Kosovës: Seanca për konstituimin e Kuvendit mbahet me 15 prill

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, është thirrur seanca konstituive për Legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Mbledhja e parë do të zhvillohet më 15 prill 2025.

Ky vendim vjen pasi më 27 mars u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Me certifikimin e rezultateve ka filluar edhe rrjedha e afatit 30-ditor për mbajtjen e seancës konstituive, ku pritet të formohet legjislatura e re dhe të zgjidhet kryetari i Kuvendit, transmeton albinfo.ch.

Policia e Kosovës fillon dërgesën e gjobave të trafikut në adresë të pronarëve të automjeteve

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga data 3 prill 2025 do të fillojë dërgimin e gjobave të trafikut në adresën e pronarit të automjetit për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve.

Sipas njoftimit zyrtar, gjobat do të dërgohen përmes Postës së Kosovës dhe platformës e-Kosova. Pronarët e automjeteve do të marrin gjobën në adresën e tyre dhe, nëse nuk ishin drejtues të mjetit në momentin e shkeljes, do të jenë të detyruar të sigurojnë të dhënat e shoferit që ka kryer shkeljen, transmeton albinfo.ch.

Policia thekson se mosdorëzimi i këtyre të dhënave mund të sjellë masa ligjore për personat fizikë dhe juridikë.

Ndërkaq, kundërvajtësit do të mund të përfitojnë 50% zbritje në pagesën e gjobës nëse ajo paguhet brenda afatit ligjor. Gjithashtu, qytetarët kanë të drejtën e ankesës në rast se nuk pajtohen me gjobën e vendosur.

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që kanë shitur automjetet e tyre të njoftojnë autoritetet dhe të transferojnë pronësinë, për të shmangur gjoba dhe shqetësime të panevojshme.

Autoritetet e sigurisë rrugore kërkojnë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke theksuar se siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët, transmeton albinfo.ch

Përfundon thirrja e dëshmitarëve nga ZPS në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar thirrjen e dëshmitarëve të saj në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Të martën ishte parashikuar të dëshmonte dëshmitari i fundit, por për shkak të pamundësisë së tij për të qenë i pranishëm, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, vendosi që gjykimi të shtyhet për një kohë të pacaktuar.

“Seanca e radhës nuk do të jetë më 15 prill, apo jo? Sepse disa persona nuk do të jenë të pranishëm. Kështu që do ta bëjmë pas datës 15 prill. Do të bëjmë planifikimin përkatës dhe do t’ju njoftojmë. Më pas, ne do t’i marrim hapat përkatës, duke prezumuar që ju e keni përfunduar lëndën tuaj deri në atë pikë,” deklaroi ai, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, ku janë të akuzuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ishte paraparë të dëshmonte dëshmitari i 126-të. Të katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por ata kanë mohuar fajësinë dhe janë deklaruar të pafajshëm, transmeton albinfo.ch.