Dje, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë nga Kosova.
Archives
Ndahet nga jeta ikona e kinematografisë, Margarita Xhepa
Margarita Xhepa, lindi më 2 prill 1934, teksa një ditë më parë festoi ditëlindjen. Gjatë karrierës së saj, ajo ka realizuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.
Ikona shqiptare e kinematografisë është konsideruar si një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, që startuan më ’60 dhe vijuan ndër vite.
Në vitin 2003, Xhepa u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, një vlerësim për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë. Ajo gjithashtu mbante titullin “Artiste e Popullit” dhe kishte lënë një ndikim të thellë në çdo brez që ka ndjekur punën e saj.
Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën” etj.
Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit.
Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).
Në një karrierë që përfshinte mbi 7 dekada, Margarita Xhepa mbeti gjithmonë besnike pasionit të saj për teatrin dhe filmin, duke u bërë një shembull për brezat e rinj të artistëve.
Duda Balje nuk ia jep konfirmimin Kurtit nëse do ta mbështesë për mandat të tretë
Pas takimit, Duda Balje nga Bashkimi Social Demokrat (SDU) ka thënë se nuk ia ka dhënë konfirmimin kryeministrit në detyrë Albin Kurti nëse do ta mbështesë për mandat të tretë.
Sipas saj, kryeministri nuk konfirmoi nëse do t’i plotësojë kërkesat e boshnjakëve, përcjell albinfo.ch.
Ajo ka lënë të hapur mundësinë e pajtimit në takimet e ardhshme para seancës konstituive që pritet të mbahet më 15 prill.
“Sot u takova me kryeministrin, i parashtrova kërkesat që kemi si boshnjakë, nuk kemi marrë konfirmim dhe nuk kemi dhënë konfirmim. Është takimi i parë. Jemi në fazën e bisedimeve”, ka thënë ajo të enjten pas takimit me Kurtit.
Kërkesat e Baljes janë krijimi i një komune boshnjake, reforma në arsim dhe tretmani i barabartë me të gjitha partitë e tjera që kanë nga një deputet.
Balje ka konfirmuar se ka biseduar edhe me partitë opozitare. Edhe për to, kërkesat janë të njëjta.
Kurti gjatë ditës së djeshme ka nisur konsultimet me pakicat për formimin e qeverisë së re. Votat pro ia kanë konfirmuar Emilija Rexhepi, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi. Të tre kishin post në qeverinë e kaluar dhe do të përfaqësohen me një deputet, aq sa ka edhe SDU-ja e Baljes.
Itali: Studentët nga universiteti “La Sapienza” bëjnë homazhe për shqiptaren e vrarë
Mësohet se qindra studentë dhe pedagogë iu përgjigjën thirrjes së Rektorës së Universitetit “La Sapienza”, Antonella Polimeni, për të kujtuar Ilaria Sulën, 22 vjeçaren me origjinë shqiptare të vrarë nga ish-i dashuri, përcjell albinfo.ch.
Në një atmosferë prekëse, të rinjtë u mblodhën në kampus, të bashkuar në një “heshtje të zhurmshme”, ndërprerë vetëm nga tingëllimat e çelësave – një simbol që tashmë është bërë pjesë e protestës kundër krimeve të femicidit.
Rektorja Polimeni, së bashku me studentët e Fakultetit të Statistikës, ku studionte Ilaria, vendosi një tufë me lule të bardha nën një pankartë që mbante portretin e saj. Ky gjest simbolik nënvizoi dhimbjen dhe zemërimin e komunitetit akademik për humbjen tragjike të një jete të re dhe të pafajshme.
Ngjarja shënoi jo vetëm një homazh për Ilarian, por edhe një thirrje të fuqishme për drejtësi dhe masa më të forta kundër dhunës ndaj grave.
Për emisionin ” Chi l’ha Visto?” (Kush e pa)? Flamur Sula, babai i Ilaria Sulës, tregoi për ish të dashurin e vajzës së tij, Samson. “Më tha se i vinte keq”, Madje më përqafoi”, shtoi ai.
Trupi i Ilaria Sulës studentes 22-vjeçare me origjinë shqiptare e zhdukur që prej 25 marsit në Romë në zonën Furio Camillo, u gjet mëngjesin e sotëm në një valixhe të mbyllur të hedhur në një shkëmb në rrugën provinciale 45B në shtrirjen midis Capranica dhe Guadagnolo. Kanë qenë disa vizitorë në një zonë pyjore në Poli, në brendësi të kryeqytetit, të cilët e kanë pikasur dhe kanë lajmëruar policinë.
Rrëfimi i Mark Antony Samsonit
Ish-i dashuri Mark Antony Samson, një student 23-vjeçar i Sapienzës nga një familje filipinase, por i lindur në Itali, vrau Ilaria Sulën ndoshta në të njëjtën mbrëmje që vajza u deklarua e zhdukur në shtëpinë e familjes së tij në Via Homs, në lagjen afrikane, ndërsa prindërit e tij ishin të pranishëm në shtëpi. Më pas e fshehu me shpejtësi në një valixhe shumë të vogël për të mbajtur të gjithë trupin e saj dhe e mori 40 km larg, duke e hedhur thikën në një kazan. Megjithatë, ai e ka mbajtur me vete telefonin e viktimës, duke fshirë rrjetet sociale të vajzës, por duke iu përgjigjur thatë disa mesazheve. Kur më në fund e hoqi qafe, duke e hedhur në një puset, shkoi personalisht në shtëpitë e studentëve të tjerë që jetonin me të për t’u bërë sikur e kërkonte. Dhe kur policia arriti tek ai pas një denoncimi nga shokët e dhomës, ai u rrëzua, duke pranuar pothuajse gjithçka: “Kërkoj falje”.
Forbes rendit Mihane Sadikun si sipërmarrëse profesioniste
Mihane Sadiku është një profesioniste e pasurive të paluajtshme me shumë përvojë, me bazë në Bodrum, Turqi. Me mbi një dekadë përvojë në industri, shkruan Forbes, përcjell albinfo.ch.
Ajo e ka vendosur veten si një këshilltare e besuar për blerësit dhe shitësit. Mihane ka njohuri të gjera për tregun vendor të pasurive të paluajtshme, për ligjin e pronave, për menaxhimin e suksesshëm të investimeve në pronë personale dhe të kompanisë, dhe pasioni i saj për të ofruar shërbime të jashtëzakonshme i ka dhënë asaj reputacionin e një prej agjenteve më të mira në rajon.
Ajo është e përgatitur mirë në të gjitha aspektet e transaksioneve të pasurive të paluajtshme, duke përfshirë: vlerësimin e pronës, marketingun, negocimin dhe sigurimin e rezultatit të dëshiruar.
Mihane ndan kohë për të dëgjuar nevojat dhe objektivat e klientëve të saj dhe punon pa u lodhur për t’u siguruar që ato të përmbushen.
Klientët e saj vlerësojnë vëmendjen e saj ndaj detajeve, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin. Ajo është e njohur gjerësisht brenda industrisë për integritetin, ndershmërinë dhe përkushtimin e saj për të arritur qëllimet e klientëve të saj.
Para se të bëhej agjente imobiliare, Mihane ka punuar dhe jetuar në vende të ndryshme të botës dhe është përfshirë në biznese të ndryshme, ku ka zhvilluar aftësitë e saj të jashtëzakonshme. Ajo flet rrjedhshëm disa gjuhë, duke përfshirë anglisht, turqisht dhe shqip, dhe ka punuar me një gamë të ndryshme klientësh shumëkombëtarë.
Formimi i qeverisë, Duda Balje i shkon në zyrë Albin Kurtit
Autorët shqiptarë përfaqësuan denjësisht Kosovën në Panairin e Librit në Leipzig
Biblioteka Kombëtare e Kosovës përfaqësoi vendin në Panairin e Librit në Leipzig (27–30 mars 2025), një nga ngjarjet më të mëdha të botës së librit në Gjermani, këtë vit nën moton “Fjalët lëvizin botët”, përcjell albinfo.ch.
Në kuadër të programit Leipzig Liest, u organizuan disa ngjarje letrare me autorë nga Kosova. Qerim Ondozi dhe Feride Berisha diskutuan mbi letërsinë shqipe dhe sfidat e përkthimit, ndërsa Ag Apolloni prezantoi librin e tij Red Riding Hood: Fairy Tale for Grown-Ups, duke trajtuar rolin e letërsisë në ruajtjen e kujtesës kolektive.
Një tjetër diskutim, i organizuar nga TRADUKI dhe Biblioteka Kombëtare, bëri bashkë Blerina Rogova Gaxhën dhe Jehona Kicajn për të debatuar mbi letërsinë kosovare në sfondin e migrimit dhe traumës së luftës..
Këto aktivitete ngjallën interes të madh te lexuesit dhe botuesit gjermanë, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja dhe prani më të madhe të letërsisë kosovare në skenën ndërkombëtare.
Ardon Jashari shihet si pasardhësi i Granit Xhakës te Zvicra
Sipas medias zvicerane, Ardon Jashari shihet si pasardhësi i Granit Xhakës te Përfaqësuesja e Zvicrës në futboll, përcjell albinfo.ch.
22-vjeçari është organizatori i lojës së skuadrës belge, Club Brugge.
“Mund të thuhet se lojtari 22-vjeçar organizon lojën e ekipit të tij në një mënyrë si Granit Xhaka. Luan fort me këmbën e majtë. Ai gjithashtu ka statistika pak a shumë identike me ato të Xhakës: tre gola dhe gjashtë asistime në sezonin 2024/2025”, shkruan “watson.ch”.
Vlen të theksohet se Jashari është duke u kërkuar nga Bologna, Roma, Manchester Unitedi, Tottenhami dhe Chelsea.
Rritet papunësia në Austri, afro 400,000 të papunë
Ngadalësimi i vazhdueshëm ekonomik po ushtron presion të vazhdueshëm mbi tregun austriak të punës, përcjell albinfo.at.
Sipas shifrave të publikuara sot, rreth 397,100 persona janë regjistruar si të papunë ose në trajnim në Shërbimin Publik të Punësimit (AMS) në fund të muajit mars.
Prej tyre, 316,300 ishin të papunë dhe rreth 80,700 merrnin pjesë në programet e trajnimit të AMS. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, numri i të papunëve dhe të kursantëve është rritur për 7.4 për qind ose 27,400 persona.
Norma e papunësisë në fund të muajit mars u rrit me 0.5 pikë përqindjeje, duke arritur në 7.4 për qind. Megjithatë, drejtori i AMS, Johannes Kopf, vuri në dukje se papunësia “nuk po rritet aq ndjeshëm sa mund të pritej, duke pasur parasysh situatën e tensionuar ekonomike”. Ai shtoi se “sektorët industrialë dhe të shitjes me pakicë vazhdojnë të jenë veçanërisht të prekur nga rënia ekonomike”.
Shifrat e papunësisë në Austri kanë qenë në rritje që nga prilli 2023. Instituti i Kërkimit Ekonomik (Wifo) dhe IHS presin një rimëkëmbje ekonomike duke filluar nga vera, megjithëse shifrat e papunësisë zakonisht përmirësohen vetëm pas një vonese pas një rritjeje.
Shkencëtarët zbulojnë një kombinim të fuqishëm që ul kolesterolin dhe presionin e gjakut
Dietat në zonat blu janë të pasura me ushqime bimore, ndërsa konsumimi i mishit është i kufizuar. Aktiviteti i rregullt fizik dhe lidhjet e forta familjare janë gjithashtu të rëndësishme për jetëgjatësinë.
Arrat dhe Shëndeti
Arrat janë të pasura me yndyrna të shëndetshme dhe lëndë ushqyese që mbështesin shëndetin e zemrës dhe trurit:
Yndyrnat e pangopura mbështesin shëndetin e zemrës.
Bajamet, fëstëkët dhe lajthitë ndihmojnë në rregullimin e kolesterolit.
Arrat braziliane janë të pasura me selen, që lidhet me uljen e rrezikut të kancerit.
Përfitimet Shëndetësore
Arrat përmirësojnë funksionin njohës, forcojnë imunitetin dhe ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit. Konsumimi i rregullt i një përzierje arrash është i lidhur me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe diabetin.
Sasia e Rekomanduar
Sasia e rekomanduar ditore është rreth 30 gram, që përkthehet në dy grushte arrash.
Trump ‘trondit’ Ballkanin, vendos tarifa edhe për Kosovën e vendet tjera të rajonit
Presidenti amerikan Donald Trump shpalli një tarifë 10% për importet nga Kosovën, Shqipërinë e Malin e Zi.
Tarifa janë vendosue dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Serbia e cila është ndëshkuar më së shumti, me 37 për qind, Bosnje dhe Hercegovinës prej 35 për qind, ndërsa Maqedonisë së Veriut 33 për qind, transmeton albinfo.ch.
Në fjalimin e tij, Trump njoftoi gjithashtu tarifa më të larta për vendet me suficit tregtar me SHBA, duke përfshirë Kina dhe Bashkimin Evropian.
Kosova ka pasur një rritje të eksporteve në SHBA, që arritën mbi 131 milionë euro në vitin 2022.
Hoteli në Austri gjobitet për mungesën e regjistrimit të pauzave të punonjësve
Një hotel në Austri është gjobitur me 2,217 euro nga Inspektorati i Punës për shkak të mosregjistrimit të detajuar të pauzave ditore të punëtorëve. Ilona Bugelnig, që drejton hotelin “Landhaus Moserhof” në Gumpoldskirchen që nga viti 2012, është përballur për herë të parë me një masë ndëshkuese, pavarësisht se deri tani nuk ka pasur asnjë problem ligjor, përcjell albinfo.ch.
Puna e punonjësve është fleksibile, ata mund të pushojnë kur të duan, por Inspektorati kërkonte që çdo pauzë, edhe ato më të vogla, të regjistroheshin. Bugelnig shpjegoi për gazetën “Heute” se momentet e pushimit janë private dhe se nuk kërkohet informacion mbi to.
Për t’u përshtatur me rregullat, ajo do të instalojë një sistem elektronik për regjistrimin e kohës dhe do t’i inkurajojë punonjësit të mbajnë shënime për pushimet e tyre, edhe pse kjo mund të jetë e lodhshme për ta.
Pas vendimit të Trump për tarifat doganore, tronditen bursat evropiane
Lajmi për rritjen e tarifave doganore pati ndikim të menjëhershëm në bursat evropiane, të cilat shënuan rënie përpara njoftimit zyrtar të Trump. Parisi humbi 0.22%, Frankfurti 0.66%, Londra 0.30% dhe Milano 0.27%.
Ndërkohë, bursa e Nju Jorkut u mbyll në territor pozitiv, pavarësisht një hapjeje të dobët. Indeksi Dow Jones u rrit me 0.56%, Nasdaq me 0.87%, ndërsa S&P 500 me 0.67%.
Investitorët shpresojnë se masat e reja do të jenë më të moderuara se sa pritej fillimisht.
Musk pritet të largohet nga Shtëpia e Bardhë
Shefi ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk – drejtuesi i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë dhe krahu i djathtë i presidentit Trump – pritet të tërhiqet nga administrata në fund të muajit të ardhshëm, tha sot Shtëpia e Bardhë, sipas “New York Post”.
Rregullat federale thonë se një punonjës i posaçëm i qeverisë (SGE) si Musk mund të jetë në vend vetëm deri në 130 ditë rresht. Në rastin e Musk, kjo do të duket se e bën datën e largimit të tij 30 maj, dita e 130-të që nga ardhja në detyrë e Trump.
Burimet thanë se plani ka qenë gjithmonë që Musk të kthehet në jetën civile pas përfundimit të statusit të tij SGE – dhe vetë Trump së fundmi aludoi se largimi i shefit të X do të ndodhte së shpejti.
Studiuesit paralajmërojnë rritjen e përdorimit të antibiotikëve në bujqësi deri në 2040- ku qëndron Zvicra?
Sipas një studimi të ri nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe Universiteti i Cyrihut (UZH), përdorimi global i antibiotikëve në bujqësi mund të rritet me pothuajse 30% deri në vitin 2040. Megjithatë, në Zvicër nuk pritet një rritje e ndjeshme.
Rreziku i rezistencës ndaj antibiotikëve
Studiuesit paralajmërojnë se kjo rritje mund të përkeqësojë problemin e rezistencës ndaj antibiotikëve. “Bakteret rezistente janë gjithashtu një problem i madh për bujqësinë,” tha bashkëautori i studimit, Thomas Van Boeckel, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, transmeton albinfo.ch.
Nëse trendet aktuale vazhdojnë pa ndërhyrje, përdorimi global i antibiotikëve mund të arrijë në 143,000 tonë në vitin 2040, sipas studimit të publikuar në Nature Communications. Në Evropë, parashikohet një rritje e lehtë prej 0.6% deri në atë vit.
Masa për uljen e përdorimit të antibiotikëve
Studimi gjithashtu vë në dukje se disa masa mund të ndihmojnë në reduktimin e përdorimit të antibiotikëve në bujqësi deri në 57% në skenarin më optimist.
Trump njofton për tarifa reciproke globale
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën nënshkrimin e një urdhri ekzekutiv për vendosjen e “tarifave reciproke” mbi importet, të barabarta me ato që vendosin partnerët tregtarë ndaj mallrave amerikane.
“Në pak minuta do të nënshkruaj një urdhër historik që vendos tarifa reciproke ndaj vendeve të ndryshme të botës,” deklaroi Trump në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë. “Reciproke do të thotë: çfarë na bëjnë ata, ua kthejmë njësoj. Është shumë e thjeshtë,” shtoi ai, duke e cilësuar këtë ditë si “një nga më të rëndësishmet në historinë amerikane”, transmeton albinfo.ch.
Zvicra ashpërson ligjin: Paraburgim për të rinjtë që kryejnë vrasje
Qeveria zvicerane ka vendosur që, duke filluar nga 1 korriku, të rinjtë e moshës 16–18 vjeç që kryejnë vrasje mund të vendosen në paraburgim nëse konsiderohen një rrezik serioz për të përsëritur krimin, transmeton albinfo.ch.
Sipas vendimit, masa do të aplikohet vetëm për ata që, në momentin e vendosjes së paraburgimit, kanë mbushur 18 vjeç. Aktualisht, ligji për të miturit në Zvicër nuk parashikon masa sigurie afatgjata për mbrojtjen e shoqërisë.
Ndryshimet vijnë pas një debati parlamentar, ku u theksua se, mes viteve 2010 dhe 2020, në Zvicër u dënuan 12 të mitur për vrasje, dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre do të prekej nga ky vendim.
Zvicra rrezikon të mbetet jashtë projektit evropian për inteligjencën artificiale
Bashkimi Evropian ka shpallur një iniciativë të madhe për zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), duke investuar miliarda euro për ndërtimin e qendrave të avancuara të të dhënave, të quajtura “gigafabrika të AI-së”. Qëllimi është krijimi i një institucioni të ngjashëm me CERN-in në fushën e fizikës, por i dedikuar kërkimit dhe standardizimit të AI-së.
Megjithatë, ndryshe nga CERN-i, Zvicra mund të mbetet jashtë këtij projekti, pasi ai synon kryesisht vendet anëtare të BE-së. Kjo do të ishte një goditje për Zvicrën, e cila ka investuar ndjeshëm në AI, duke përfshirë superkompjuterin e saj të ri, një nga më të fuqishmit në botë. Vendi gjithashtu ka tërhequr kompani të mëdha si Google, Microsoft dhe OpenAI falë ekspertizës së tij në fushën e AI-së, transmeton albinfo.ch.
Pas dështimit të marrëveshjes kornizë mes Zvicrës dhe BE-së në vitin 2021, pritet një marrëveshje e re këtë pranverë. Nëse marrëdhëniet mes dy palëve nuk përmirësohen, ekziston rreziku që Zvicra të përjashtohet për arsye gjeopolitike, ashtu siç ndodhi me disa projekte të BE-së në fushën e sigurisë kibernetike.
Ekspertët e politikave të AI-së argumentojnë se, për të qenë me të vërtetë efektiv, ky projekt nuk duhet të kufizohet vetëm në BE. Përfshirja e vendeve të tjera, përfshirë Zvicrën, do të ndihmonte në krijimin e standardeve etike për AI-në, një fushë ku SHBA dhe Kina nuk kanë vendosur ende prioritete të qarta.
Pavarësisht sfidave, BE-ja ende e konsideron Zvicrën një partnere të vlefshme shkencore, siç tregohet nga bashkëpunimi në programin Horizon Europe. Për këtë arsye, Zvicra mund të ketë ende mundësinë për të qenë pjesë e kësaj iniciative nëse ndjek një strategji të qartë diplomatike.
Liqenet zvicerane ballafaqohen me thatësira
Një thatësirë e vazhdueshme ka çuar në rënien e ndjeshme të nivelit të ujit në shumë liqene zvicerane, veçanërisht në ato që ndodhen në veri të Alpeve. Sipas të dhënave nga Zyra Federale për Mjedisin (FOEN), kjo situatë mund të shkaktojë probleme të mëdha për bujqësinë nëse reshjet e shiut do të mungojnë edhe në javët në vijim.
Sipas matjeve të fundit, Liqeni i Konstancës po përjeton nivelin më të ulët të ujit në 50 vitet e fundit. Në Untersee, pjesa jugore e liqenit, niveli i ujit ka rënë në një nivel ekstrem, duke arritur vetëm 15 cm mbi rekordin më të ulët të regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit, transmeton albinfo.ch.
Në qytetin Mannenbach, në kantonin e Thurgaut, porti është tharë pothuajse plotësisht, ndërsa varkat ndodhen në tokë të thatë. Situata nuk është aq e rënduar në pjesën e sipërme të liqenit (Obersee), por edhe atje niveli është rreth 40 cm nën mesataren.
Meteorologu Simon Eschle nga SRF konfirmon se mungesa e reshjeve në muajt e fundit është shkaku kryesor i kësaj rënieje drastike. “Shkurti dhe marsi kanë qenë jashtëzakonisht të thatë në pjesën më të madhe të Zvicrës. Në shumë zona ka rënë vetëm gjysma e reshjeve që priten zakonisht në këtë periudhë.”
Eksperti i hidrologjisë në FOEN, Philippe Gyarmati, thekson se aktualisht situata nuk është kritike, por mbetet për t’u monitoruar me kujdes. “Nëse gjatë prillit dhe majit nuk ka reshje të konsiderueshme, atëherë nivelet e ujit do të rriten shumë ngadalë dhe bujqësia do të ndjejë efektet e para të mungesës së ujit.”
Në përgjigje të kësaj situate, për herë të parë, Meteo Zvicra dhe FOEN do të publikojnë paralajmërime për thatësirën, nëse kushtet e tanishme vazhdojnë.
Për momentin, linjat e trageteve në Liqenin e Konstancës, përfshirë ato midis Konstanz dhe Meersburg, si dhe Friedrichshafen dhe Romanshorn, nuk janë prekur nga ulja e nivelit të ujit. Operatorët konfirmojnë se shërbimet e tyre po vazhdojnë sipas orarit të zakonshëm.
Macron reagon për dënimin e Le Pen: Ligji vlen për të gjithë
Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi për herë të parë pas dënimit të lideres së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, për përvetësim të fondeve të BE-së, duke theksuar se “ligji është i njëjtë për të gjithë” dhe duke dënuar kërcënimet ndaj gjyqtarëve.
Sipas zëdhënëses së qeverisë, Sophie Primas, Macron deklaroi gjithashtu se të gjithë të dënuarit kanë të drejtën e apelimit.
Një panel prej tre gjyqtarësh e shpalli Le Pen fajtore dhe e dënoi me katër vjet burg – dy në arrest shtëpie dhe dy të pezulluara – si dhe një gjobë prej 100,000 eurosh. Gjykata e ndaloi gjithashtu atë të kandidojë për poste publike për pesë vjet, duke vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Megjithatë, një vendim përfundimtar do të merret nga Gjykata e Apelit e Parisit, e cila pritet të shqyrtojë çështjen deri në verën e vitit 2026, përcjell albinfo.ch.
Vendimi ka ngjallur reagime të ashpra, veçanërisht nga mbështetësit e Le Pen, të cilët e cilësuan atë si antidemokratik. Disa kundërshtarë të saj kanë vënë në dyshim nëse gjykatat duhet të zbatojnë ndalimet menjëherë, pa pritur përfundimin e apelimit.
Në Francë, shumica e dënimeve rishikohen gjatë këtij procesi. Reagimet publike çuan gjithashtu në kërcënime ndaj gjyqtarëve, duke bërë që një prej tyre të vendoset nën mbrojtjen e policisë.
Shifrat: 8 400 shqiptarë u dëbuan nga vendet e BE-së në vitin 2024
Sipas të dhënave të “Agjencisë Evropiane të Statistikave”, rreth 2,130 shqiptarë janë kthyer pas një urdhri për t’u larguar nga një prej vendeve të Bashkimit Evropian ku ishin vendosur, referuar tremujorit të fundit të vitit 2024. Ndërkohë, për të gjithë vitin 2024 kjo shifër vlerësohet në rreth 8,400 persona.
Përgjatë tre muajve të fundit të vitit 2024, rreth 125 mijë shtetas jo-anëtarë të BE-së u urdhëruan të largoheshin nga një vend i BE-së dhe gati 29 mijë persona u kthyen në vendet e treta pas një urdhri për t’u larguar, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.
Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2024, numri i porosive për t’u larguar u rrit me 11.5%, ndërsa numri i kthimeve në vendet e treta u rrit me 3.3%.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023, numri i shtetasve jashtë BE-së të urdhëruar të largohen u rrit me 16.3%, ndërsa numri i personave të kthyer në vendet e treta u rrit me 24.3%.
Sipas shifrave të “Agjencisë Evropiane të Statistikave”, në mesin e shtetasve jo të BE-së që u urdhëruan të largoheshin nga territori i një vendi të BE-së në këtë periudhë, shumica ishin shtetas algjerianë (11,362), të ndjekur nga shtetas të Sirisë (8,674) dhe Marokut (8,561). Ndër ata që u kthyen në vendet e treta, shumica ishin shtetas të Gjeorgjisë (3,351), të ndjekur nga Turqia (2,492) dhe Shqipëria (1,982).
Sipas Eurostat, kthimet më të mëdha të shtetasve shqiptarë në tremujorin e katërt të vitit aktual janë bërë nga Greqia, Franca, Gjermania dhe Italia.
4 arbitre shqiptare drejtojnë ndeshjen Finlandë – Bjellorusi në UEFA Nations League për vajza
Të premten, më 4 prill, do të zhvillohen ndeshjet e raundit të tretë të ‘UEFA Nations League’ për vajza, ku skuadrat e çdo lige (A, B dhe C) do të përballen në sfidat e tyre përkatëse.
Një delegacion arbitrash nga Shqipëria është caktuar për të drejtuar takimin mes Finlandës dhe Bjellorusisë në Grupin B3 të kësaj kompeticioni prestigjioz.
Emanuela Rusta do të mbajë rolin e arbitres kryesore, e asistuar nga Edjena Kapxhiu dhe Mirjeta Salla si gjyqtare anësore. Kejsi Tafili do të jetë arbitre e katërt në këtë ndeshje, përcjell albinfo.ch.
Takimi Finlandë – Bjellorusi do të luhet në stadiumin “Silvio Piola”, Novara, Itali, të premten, më 4 prill, duke filluar nga ora 17:00.
Pjesëmarrja e arbitreve shqiptare në kompeticione ndërkombëtare është një tjetër dëshmi e progresit të tyre në arenën evropiane dhe e besimit që UEFA ka ndaj gjyqtareve nga Shqipëria.











