Gjimshiti flet shqip në televizionin e Serie A: Arritja më e madhe triumfi në Ligën e Evropë

“Jam Berat Gjimshiti dhe jetoj në Bergamo”

Berat Gjimshiti ishte i ftuari special i televizionit të Serisë A.

Kapiteni i Atalantës meritoi të ishte personazh kryesor pas 10 vitesh të kaluar në futbollin italian.

Me shumë sinqeritet, njeriu kryesor i Kombëtares kuqezi tregon se çfarë mendoi kur mori ofertën nga klubi i Bergamos, ndërsa flet shqip, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Ai flet me shumë respekt për banorët e Bergamos, sidomos për punonjësit.

Gjimshiti cilësohet si njeri me mentalitet kampioni, ashtu si edhe njëri nga sipërmarrësit bergamasë, Sandro Bonomi, që financon sportin dhe jo vetëm futbollin.

Sidoqoftë, fillimi ishte i vështirë. Mbrojtësi tregon se nuk është i njëjti njeri në fushë dhe në familje.

32-vjeçari nuk harron të shkojë në restorantin e preferuar, ku e pret zonja Xhuliana.

Cila ka qenë ëndrra më e bukur në Itali?

“Sigurisht, fitorja e Europa Ligës është gjëja më e rëndësishme që kam arritur në karrierë.”

https://www.instagram.com/reel/DJ3-XtxsrFE/?utm_source=ig_embed&utm_campaign=loading

Shqipëria mes pesë destinacioneve evropiane më mikpritëse për qytetarët amerikanë

Shqipëria renditet mes pesë destinacioneve evropiane më mikpritëse për qytetarët amerikanë jo vetëm për turizëm, por edhe për të jetuar.

Cepee Tabibian, eksperte për lëvizjet jashtë vendit në artikullin e saj publikuar në faqen zyrtare të televizionit amerikan  CNBC e ka renditur Shqipërinë mes Spanjës, Portugalisë, Francës dhe Holandës.

Sipas saj, kjo përzgjedhje bazohet në disa kritere duke nisur nga vizat e përshtatshme për të udhëtuar, koston e ulët të jetesës dhe një klimë sociale të hapur.

Ekspertja amerikane thekson se prania e komuniteteve të huaja dhe njohja e gjuhës angleze ndihmojnë gjithashtu në një integrim më të lehtë për qytetarët amerikanë, faktorë që i bëjnë këto destinacione europiane ideale për një fillim të ri jashtë SHBA-së, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Nëse doni që rifillimi nga e para të duket më pak i mundimshëm, kërkoni vende që plotësojnë shumicën e këtyre kritereve, shton ajo, duke përmendur 5 vendet evropiane mes të cilave edhe Shqipërinë.

“Shqipëria u lejon shtetasve amerikanë të qëndrojnë deri në një vit pa vizë. Me një hyrje të lehtë dhe kosto të ulët jetese, ajo është perfekte për punonjësit në distancë që kanë një buxhet të kufizuar. Shumë amerikanë jetojnë në Tiranë, ku komuniteti i të huajve është i fortë dhe anglishtja flitet gjerësisht. Por Riviera shqiptare nuk duhet anashkaluar; bregdeti i saj përgjatë detit Jon ka disa nga plazhet dhe peizazhet më të bukura në të gjithë Evropën. Shumë amerikanë e përdorin Shqipërinë si një pikënisje duke qëndruar nga një deri në katër vjet përpara se të zhvendosen në destinacionin e tyre të radhës”, thuhet në artikullin e publikuar në televizionin amerikan.

Studimi interesant: Të rinjtë duan botën pa internet

Gati 530.000 ndjekës ka i ashtuquajturi The Offline Club në Instagram. Kjo tingëllon pothuajse ironike, sepse në Offline Club synimi është në fakt që me vetëdije të shkëputesh nga rrjetet sociale,  pra larg edhe nga Instagrami. Të drejtosh këtë llogari, ke një ndijesi të “pazakontë”, thonë në vetprezantimin e tyre tre themeluesit Jordy, Ilya dhe Valentijn. Tre të rinjtë nga Holanda duan që me Offline Club “të rikthejnë njerëzoren në shoqërinë e sotme të izoluar dhe të fiksuar pas ekranit”  sikurse e përshkruajnë ata në anglisht, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Që prej rreth një viti ata organizojnë takime me shumë të tjerë që mendojnë po kështu: Në këto takime nuk ka smartphonë dhe laptop. “Are you ready to ditch your phone?”, thuhet në një reel të postuar. E siç duket gjithnjë e më shumë njerëz janë të gatshëm ta mbyllin ndonjëherë celularin e tyre  të paktën në kuadër të takimit në Offline Clubs. Kryesisht celularin e mbyllin për disa orë, por ndonjëherë edhe për disa ditë rresht. Në vend që të fiksohen vazhdimisht tek smartphone, gjatë takimeve ata lexojnë, luajnë, bëjnë punë dore ose pushojnë. Njësoj si dikur, kur nuk ka pasur smartphone, bën reklamë Offline Club.

Ky koncept nga Holanda brenda vitit është përhapur në të gjithë botën. Amsterdami ishte ndër vendet e para. Por pasuan edhe Londra, Parisi, Milano dhe Kopenhaga. Edhe në Gjermani janë zhvilluar takimet e para të këtij lloji. Po shtohen gjithnjë e më shumë edhe restorantet apo klubet, ku klientëve u kërkohet që t’i lenë celularët në shtëpi.

Vazhdimisht online – me ose pa dëshirë

Me Offline Clubs duket se themeluesit kanë prekur një nerv të kohës. Sepse në radhë të parë të rinjtë shpesh e kanë të vështirë të shkëputen nga celulari  pavarësisht mundësisë për konfigurim të celularit, që mund ta kufizojnë kohën e përdorimit. Edhe pse i mirëpritur në rrjetet sociale kthimi tek celularët me palosje pa aplikacione, në zhargonin gjermanisht të quajtur si “boring phone”, nuk ka mundur të spostojë smartphonët.

Sipas të dhënave të degës gjermane të teknologjisë bitkom nga fundi i vitit 2024 16 deri në 29 vjeçarët kalojnë më shumë se tri orë në ditë me smartphon. Me këtë ata kanë kohëzgjatjen më të lartë të përdorimit krahasuar me grupmoshat e tjera. Por kohëzgjatja e përdorimit të smaprtphonit mund të jetë edhe më e lartë nga sa bëhet e ditur.

Studimi: Gati gjysma dëshiron një botë pa internet

Shumë të rinj e të reja në fakt dëshirojnë të kalojnë sa më pak kohë me smartphone. Sipas një sondazhi të ri të organizatës britanike të shërbimeve publike British Standards Institution (BSI), gati 70 përqind e 16 deri 21 vjeçarëve ndihen më keq, kur e kalojnë të shumtën e kohës në rrjetet sociale. Për këtë arsye gjysma do të preferonin një “bllokim digjital”, që të kufizonte akesin në aplikacione të ndryshme dhe faqe interneti pas orës 22:00. 46 përqind madje thonë, se do të preferonin më shumë të ishin të rinj në një botë pa internet.

Për këtë studim janë pyetur 1293 të rinj. Rezultati përputhet me sondazhe të tjera, si p.sh. anketën e realizuar në fund të 2024 nga instituti amerikan i sondazheve Harris Polls. Në këtë anketë shumë të rinj kanë shprehur dëshirën, që Tiktok, Instagram apo X të mos ishin shpikur fare.

Si mbrohet politika?

Kjo mund të çojë ujë në mullirin e disa politikanëve  edhe pse përpjekjet në sfondin e kërkesave të forta të të rinjve duket sikur janë të çala. Ministri britanik i Teknologjisë Peter Kyle, sipas gazetës “Guardian”, la të kuptohet (20.05.2025), se do të shqyrtojë mundësinë e ndalimeve të detyrueshme të këtyre sistemeve në orë të caktuara. Norvegjia do ta rrisë moshën e lejuar për të përdorur rrjetet sociale nga 13 në 15 vjeç.

Australia kryeson në nivel botëror, me rritjen në fund të vitit 2024 të moshës në 16 vjeç për të lejuar përdorimin e rrjeteve sociale. Vende të tjera si p.sh. Danimarka, e kanë ndryshuar politikën arsimore duke ndaluar thuajse tërësisht tabletat dhe smartphonët në mjediset shkollore.

Depresiv prej celularit?

Përdorimi i tepruar i smartphonëve ndërkohë lidhet me probleme të ndryshme psiqike si depresioni, ndjenja e frikës, stresi, çrregullimet e gjumit dhe varësia. Në një studim të publikuar në fillim të vitit në revistën shkencore BMC Medicine simptomat janë pakësuar me 27 përqind pas reduktimit të kohës së përdorimit të smartphonit. Sipas OECD-së shëndeti mendor i të rinjve në 15 vitet e fundit është përkeqësuar në përmasa dramatike. Një tendencë, që është përforcuar edhe nga pandemia. Në këtë periudhë ka pasur edhe një rritje të jashtëzakonshme të përdorimit të medias. Studimi megjithatë deri tani nuk ka mundur të vërtetojë një kauzalitet të qartë midis këtyre zhvillimeve, thuhet nga OECD.

Presidentja Vjosa Osmani arrin në Zvicër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Zvicër, ku do të zhvillojë një vizitë shtetërore, transmeton albinfo.ch.

Osmani do të pritet me nderime të larta nga Garda Ushtarake dhe protokolli shtetëror.

Në kuadër të kësaj ceremonie, në sheshin e kryeqytetit zviceran, Bernë, është ngritur edhe flamuri i Republikës së Kosovës.

Pjesëmarrëse në këtë pritje është edhe gruaja e heroit Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, e cila, siç tha, po përkujdeset për shfaqjen e një imazhi të mirë të vendit.

Refugjatët dhe migrimi: kritika të ashpra ndaj Gjermanisë

Dy tematikat kryesore, ajo e migrimit në përgjithësi dhe refugjatët, janë më kryesoret që i adresohen qeverisë së re gjermane që të mos veprojë e vetme në nivel kombëtar, përcjell albinfo.ch.

Në vend të kësaj, Gjermania duhet të luajë një rol pionier në Evropë, shkruan DW.

“Politika gjermane ndaj refugjatëve nuk është në lartësinë e sfidave globale”, thotë drejtpërdrejt Benjamin Etzold. Rasti është prezantimi në Berlin i Raportit të tretë Global për Refugjatët. Studiuesi në Qendrën Ndërkombëtare për Studimin e Konflikteve në Bonn (BICC) kujton fushatën zgjedhore parlamentare gjermane.

Kjo u karakterizua kryesisht nga çështja e refugjatëve dhe migrimit.

Debatet u përqendruan kryesisht te Gjermania dhe ishin “të nxehta”, thotë studiuesi i refugjatëve. Sipas mendimit të tij, kjo do të vazhdojë edhe nën qeverinë e re gjermane. Megjithatë, Etzold kritikon faktin se kjo nuk bazohet në fakte dhe përfundime shkencore. Dimensioni global i ikjes dhe zhvendosjes injorohet kryesisht.

Për më shumë detaje rreth kësaj teme – https://l.facebook.com/l.php?u=https%3A%2F%2Fwww.dw.com%2Fsq%2Frefugjat%25C3%25ABt-dhe-migrimi-kritika-t%25C3%25AB-ashpra-ndaj-gjermanis%25C3%25AB%2Fa-72615716%3Ffbclid%3DIwZXh0bgNhZW0CMTEAAR4-eEalw6kG9dsjLNuFRrIyG-NADc2TW-2n-eqb1eIbkxwK6u3jIizN4pNrjw_aem_TKrsvzF3OMHU_moY1fB6lA&h=AT3CipBhf0Pi1wnlJOOexz7k3hdv9jvWHU57oURDNej-2rZtb0Gdhibyo_glx0KkadJJoUBd8sIJJXIzqjWcmSp6IuL0bqyZSE20HuM1ugeQ7BwfaihgfUXd-fKgfR8&s=1

Tjetër vlerësim maksimal për Shaqirin

“Shaqiri është rikthyer”. 33 ndeshje, 18 gola dhe 20 asistime, një rikthim i ëndrrave në Superligën zvicerane, duke udhëhequr Baselin drejt titullit të 21-të, shkruan albinfo.ch.

Tani “EA SPORTS FC” e ka vlerësuar me 96 yllin e Baselit, notën më të lartë nga të gjitha ligat.

Shaqiri merr një tjetër vlerësim pozitiv, pasi ishte lideri i Baselit.

Ai është shënuesi dhe asistuesi më i mirë në Ligë.

https://www.facebook.com/photo/?fbid=1104315801742656&set=a.482745837232992

S’ka konstituim as në tentimin e 19-të

Bëhet e ditur se ka dështuar edhe tentimi i 19-të i Kuvendit të Kosovës për konstituim të legjislaturës së nëntë, përcjell albinfo.ch.

Në Kuvendin e Kosovës nuk pati kuorum për të votuar komisionin për votim të fshehtë.

Pro votuan 54 deputetë, një ishte kundër dhe nuk pati abstenime.

Seanca e ardhshme është caktuar për të mërkurën me fillim prej orës 11:00.

Operacion ndërkombëtar antidrogë, 52 të arrestuar në Itali dhe Shqipëri

Raportohet një operacion i madh kundër trafikut ndërkombëtar të drogës duke arrestuar 52 personave midis Italisë dhe Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Bastisja u krye nga Drejtoria e Hetimit Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë së Tiranës dhe policisë shqiptare, me koordinimin e Eurojust (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.

Gjithashtu sipas asaj që raporton TGCOM24, u sekuestruan pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa milion euro.

Të arrestuarit akuzohen, në shkallë të ndryshme, për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të narkotikëve, pastrim parash dhe shpërdorim të detyrës.

Në Shqipëri operacioni është kryer në disa qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier.

Detaje të mëtejshme mbi operacionin do të ofrohen gjatë një konference për shtyp online në orën 10:30 të mëngjesit, në të cilën do të marrin pjesë Altin Dumani, Prokuror i Posaçëm për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar të Tiranës, Roberto Rossi, Prokuror Publik i Barit, Prokurori i Përgjithshëm Michele Carbone, Drejtor i DIA-s, dhe Gianluca Forlani, Anëtar për Italinë i Eurojust.

Presidentja Osmani e nis sot vizitën shtetërore në Zvicër

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani do të nis sot vizitën shtetërore në Zvicër, me ftesë të Presidentes Karin Kuller-Sutter. Kjo është vizita e parë shtetërore e një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Presidentja Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern.

Bëhet e ditur se në kuadër të agjendës zyrtare, Presidentja Osmani do të mbajë takime me Presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Po ashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

“Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë, në ditën e dytë të vizitës, Osmani dhe PKeller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen ku do ta vizitojnë qendrën inovative SQUARE, transmeton tutje albinfo.ch.

Në Gjenevë, Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër.

“Vizita shtetërore e Presidentes Osmani jo vetëm që ka karakter historik, por edhe simbolik, pasi thekson marrëdhëniet e ngushta, të qëndrueshme dhe shumëdimensionale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ato janë marrëdhënie të ndërtuara mbi historinë e përbashkët, vlerat demokratike dhe një bashkëpunim të ngushtë shtetëror”, thuhet në njoftim.

Zvicra mban shpresat te Xhaka për ta mposhtur Kosovën

Në dy ndeshjet e fundit mes Kosovës dhe Zvicrës, ajo e shtatorit të vitit 2023 e zhvilluar në Kosovë dhe ajo e nëntorit e zhvilluar në Bazel, përfunduan me barazim, transmeton albinfo.ch.

Në dy ndeshjet që u takuan, mesfushori Granit Xhaka u kritikua nga mediumet e Zvicrës se nuk e dha maksimumin.

Zvicra dhe Kosova do të kenë dy përballje të tjera në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Të parën e kanë më 5 shtator. Zvicra pret t’i hapë me fitore kualifikimet për Botërorin 2026.

Për ta shënuar fitoren e parë ndaj Kosovës, te Zvicra presin ndihmën e kapitenit Granit Xhaka.

Ndeshja Zvicër – Kosovë luhet sërish në stadiumin e Baselit.

Drejtori i zyrës për media i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Adrian Arnold, ka thënë se mesfushori Xhaka është lider i Zvicrës brenda dhe jashtë fushës.

“Graniti është kapiteni dhe lideri ynë, brenda dhe jashtë fushës. Ai luan një rol të rëndësishëm në lojën e Zvicrës. Është lider i mesfushës dhe ashtu do të jetë edhe në ndeshjen kundër Kosovës”, ka thënë Arnold.

Zvicra e Kosova kishin luajtur edhe në vitin 2022. Edhe ndeshja miqësore e luajtur më 29 mars të vitit 2022 në Zurich, kishte përfunduar baras, 1:1.

Te Zvicra insistojnë se synojnë fitoren e parë ndaj Kosovës në shtator.

“Ne do të luajmë kundër Kosovës në shtëpi dhe i dimë pikat e forta të kësaj skuadre. Por sigurisht që duam ta fitojmë këtë ndeshje në shtëpi dhe të kemi një fillim të mirë të kualifikimeve”, është shprehur Arnold.

Në Grupin B bashkë me Kosovën e Zvicrën janë edhe Suedia dhe Sllovenia. 

Arnold ka arsyetuar vendimin e Federatës së Futbollit të Zvicrës për t’i zhvilluar dy ndeshjet e para kualifikuese në Basel, shkruan koha.

“Ne duam që ekipi kombëtar të përfaqësohet në të gjitha rajonet e Zvicrës. Nuk kemi luajtur në Bazel që nga nëntori i vitit 2023. Përveç kësaj, St. Jakob Park është stadiumi më i madh në Zvicër, duke e bërë atë ideal për dy ndeshjet hapëse të kualifikueseve të Kupës së Botës kundër Kosovës dhe Sllovenisë. Në fund të fundit, ne po luajmë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës”, është shprehur Arnold.

Në ndeshjen e kaluar në “St. Jakob  Park”, Kosova kishte përkrahje të madhe nga tribunat. “Dardanët” pritet të kenë sërish përkrahje masive në stadiumin që ka kapacitet prej 38 mijë e 512 vendeve.

Por edhe Zvicra është përkrahur shumë nga tifozë shqiptarë. Kjo për shkak të numrit dhe ndikimit të madh të shqiptarëve në përfaqësuesen e futbollit të Zvicrës.

Te Zvicra u janë mirënjohës shqiptarëve për përkrahjen e madhe që kanë pasur në shumë ndeshje.

“Jemi shumë të lumtur për këtë mbështetje dhe e vlerësojmë atë. Ndeshjet midis Zvicrës dhe Kosovës kanë qenë gjithmonë festive dhe korrekte në të kaluarën. Dhe kështu duhet të jetë edhe këtë herë”, thotë Arnold.

Ndikim të madh që shqiptarët kanë përkrahur Zvicrën ka Xherdan Shaqiri. Golat e tij, sidomos ndaj Serbisë, kanë bërë që shumë shqiptarë të mbështesin edhe më shumë Zvicrën.

Shaqiri pas evropianit “Gjermania 2024” u pensionua nga përfaqësuesja helvetike. Në Zvicër po diskutohet nëse Shaqiri duhet të kthehet sërish te Zvicra, por Arnold ka lënë të kuptohet se epoka e Shaqirit te Zvicra ka përfunduar.

“Ishte Shaqiri që zgjodhi të njoftojë largimin e tij nga përfaqësuesja në verën e vitit 2024”, ka thënë shkurt Arnold.

Zvicra dhe Kosova do të dhurojnë të tjera emocione për shqiptarët.

Zvicra i mbyll kualifikimet në Prishtinë më 18 nëntor.

Kololli, më i mirë i javës në Zvicër

Futbollisti nga Kosova, Benjamin Kololli, është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së 37-të të Superligës së Zvicrës në futboll.

Për Kolollin, është hera e parë këtë edicion që shpallet më i miri i javës, sipas faqes zyrtare të Superligës Zvicerane të Futbollit, përcjell albinfo.ch.

Kololli shkëlqeu të shtunën në fitoren 2:1 të Sionit ndaj Grasshopperit. Të dy golat e Sionit i realizoi Kololli.

33-vjeçari Kololli, në 22 ndeshjet e edicionit aktual, ka realizuar dhjetë gola dhe ka bërë katër asistime.

Ai është prej lojtarëve më në formë te Sioni. Kololli te Sioni u transferua në afatin kalimtar të janarit nga Baseli.

 

Sot, për herë të 19-të do të tentohet të konstituohet Kuvendit

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot seancën e 19-të me radhë në përpjekje për t’u konstituuar, tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, përcjell albinfo.ch.

Pavarësisht thirrjeve për zhbllokim institucional, partitë politike ende nuk kanë arritur konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Për disa seanca me radhë nuk ka arritur të kalojë propozimi për formimin e komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të propozojë Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por pa mbështetjen e mjaftueshme nga partitë e tjera.

Seanca e sotme pritet të nisë në ora 10:30.

Ndryshe, të enjten presidentja, Vjosa Osmani ka mbajtur një takim me liderët e partive, ku takimi ka përfunduar pa rezultate konkrete për dalje nga ngërçi politik.

Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.

Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët.

Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

Shqiptari kërkoi azil në Britani si ‘gay’, gjykata refuzon kërkesën, ai është i martuar me një grua

E.D kërkoi leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar, duke pretenduar se ishte ‘gay’ dhe i rrezikuar në Shqipëri për shkak të orientimit të tij seksual, transmeton albinfo.ch.

Por, hetimet gjyqësore zbuluan se në të njëjtën kohë ai ishte në një marrëdhënie me një grua dhe madje kishte ripajtuar marrëdhëniet me familjen, përfshirë babain e tij.

Referuar vendimit të gjykatës, E.D “qëllimisht nuk tregoi se ishte në një lidhje me një grua, sepse besonte se kjo nuk do ta ndihmonte të qëndronte në Britani”. Kjo ishte një përpjekje për të manipuluar sistemin e azilit në bazë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila lejon mbrojtjen e personave të persekutuar për orientimin seksual.

Në përfundim, gjykata rrëzoi kërkesën për azil të E.D, duke theksuar se pretendimet e tij ishin të pabazuara dhe të papajtueshme me faktet.

Gjykata e Lartë e Tribunalit të Azilit dhe Imigracionit e hodhi poshtë apelimin e tij duke e konsideruar atë si një tentativë për të manipuluar situatën.

Ky rast ka shkaktuar shqetësim, pasi tregon për mundësinë e abuzimit të mundshëm të sistemit të azilit dhe përdorimin e informacionit të pasaktë për të fituar privilegje emigracioni.

Sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, njerëzit që mund të persekutohen për shkak të orientimit të tyre seksual mund të kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar.

Një shqiptare në konkursin TCP Europe 2025 për çmimin “People’s Choice”

TCP Europe 2025, është një konkurs ku gra nga e gjithë Europa prezantojnë inteligjencën, bukurinë dhe forcën e tyre si sipërmarrëse, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se për herë të parë një grua shqiptare, Merita Osmani është afër të fitojë çmimin “People’s Choice”

Merita Osmani përveç se zotëron një bukuri, është edhe një sipërmarrëse, praktikuese e mjekësisë estetike, avokate

Klikoni këtu për të votuar për Merita Osmani:

https://tcpeuropepageant.com/participants/merita-osmani/

“Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjitha gratë shqiptare që luftojnë çdo ditë, për vajzat që duan të ndjekin ëndrrat e tyre, për imazhin e Shqipërisë dhe Kosovës në skenën ndërkombëtare”, është shprehur Osmani. /Albinfo.ch

Kompania globale gjermane “Schwarz-Gruppe” në prag të investimit në Kosovë

Së fundmi, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka zhvilluar një takim të rëndësishëm dhe përmbajtësor me Gerd Chrzanowski, Kryetar i Bordit të “Schwarz Gruppe” në selinë qendrore të kompanisë në Neckarsulm, Baden-Württemberg, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të bisedës  ishte interesimi konkret i Schwarz-Gruppe për të investuar në Kosovë.

Kosova ofron një ambient të favorshëm për investime të qëndrueshme  veçanërisht në fushat e prodhimit, digjitalizimit, tregtisë dhe shërbimeve në sektorë me rëndësi strategjike për Schwarz-Gruppe.

Perspektiva e një bashkëpunimi me një kompani globale të këtij kalibri paraqet një hap domethënës drejt avancimit të mëtejshëm ekonomik të Republikës së Kosovës dhe zgjerimit të bashkëpunimit me Gjermaninë.

“Si një nga gjigantët ekonomikë të Gjermanisë, Schwarz-Gruppe përfshin brendet e njohura Lidl in Deutschland, Kaufland, Schwarz Produktion, PreZero Deutschland dhe Schwarz Digits. Me praninë e saj në 32 shtete, mbi 13.900 filiale dhe rreth 600.000 të punësuar në mbarë botën, Schwarz-Gruppe është një ndër korporatat më të mëdha dhe më të suksesshme në Evropë në sektorët e tregtisë dhe digjitalizimit,  së shpejti edhe në Kosovë”, shprehet Ajeti.

OBSH me marrëveshje historike për pandemitë

Pas më shumë se tre vitesh diskutimesh të zgjatura dhe negociatash të tensionuara, në Gjenevë u shënua një moment historik: Organizatës Botërore të Shëndetësisë iu miratua një marrëveshje e re për përgatitjen ndaj pandemive. Ajo vjen si reagim ndaj krizës shkatërruese të Covid-19, që midis viteve 2020 dhe 2022 mori miliona jetë në mbarë botën.

Në një sallë të mbushur plot me delegatë ndërkombëtarë, miratimi i marrëveshjes u shoqërua me duartrokitje – një shenjë e rrallë uniteti në një botë të ndarë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e quajti marrëveshjen “një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”. Por, në sfondin e kësaj arritjeje, qëndron një mungesë e ndjeshme: ajo e Shteteve të Bashkuara.

Për shkak të një vendimi politik të Presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr SHBA-të nga organizata, vendi më i madh kontribues financiar nuk është më palë në këtë marrëveshje. Kjo ka ngritur pikëpyetje serioze mbi fuqinë e zbatimit të saj.

Çfarë sjell marrëveshja?

Në thelb, ajo synon të garantojë që vaksinat, terapitë dhe testet të jenë të qasshme për të gjithë gjatë një pandemie. Prodhuesit që aderojnë në marrëveshje do të detyrohen të dhurojnë 20% të produkteve të tyre drejt OBSH-së për shpërndarje në vendet më të varfra, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, edhe pse asnjë shtet nuk votoi kundër, 11 vende abstenuan  ndër to Polonia, Izraeli, Rusia, Italia, Sllovakia dhe Irani. Skepticizmi nuk mungoi, veçanërisht nga liderë të cilët janë shprehur me dyshime ndaj vaksinimit në të kaluarën.

Një rrugëtim që sapo ka nisur

Përkundër entuziazmit, marrëveshja nuk do të hyjë në fuqi menjëherë. Një aneks i rëndësishëm mbi ndarjen e informacionit për patogjenët mbetet për t’u negociuar, dhe këto bisedime do të fillojnë në korrik. Sipas burimeve diplomatike, mund të duhen edhe dy vite për përfundimin e plotë.

Ekspertët janë të ndarë. Disa e shohin si një hap të guximshëm drejt barazisë globale në shëndetësi. Të tjerë, si Gian Luca Burci, paralajmërojnë se pa zbatim të detajuar, marrëveshja mund të mbetet vetëm një dokument pa ndikim real: “Është një fillim. Por shumëçka varet nga ajo që do të vijë më pas.”

Italia dhe Zvicra bien dakord për taksimin e punonjësve ndërkufitarë

Qeveria italiane ka miratuar marrëveshjen me Zvicrën për taksimin e të ashtuquajturit “teleworking” nga punonjësit ndërkufitarë.

Punonjësit ndërkufitarë do të kenë të drejtë të punojnë nga shtëpia deri në 25 për qind të orarit të tyre të punës pa u taksuar në shtetin ku ndodhen fizikisht, transmeton albinfo.ch.

Sipas një deklarate për shtyp të qeverisë italiane, telepunimi nuk ndikon as në shtetin që takson të ardhurat nga punësimi, as në statusin e punonjësit ndërkufitar.

 

SWISS nuk do të fluturojë drejt Tel Avivit deri më 8 qershor

Kompania ajrore Swiss International Air Lines (SWISS) nuk do të kryejë fluturime drejt Tel Avivit deri më 8 qershor, për shkak të situatës aktuale në Lindjen e Mesme.

Sipas njoftimit për shtyp të publikuar të martën, pasagjerët e prekur do të njoftohen dhe, nëse dëshirojnë, do të rirezervohen në fluturime të tjera. Gjithashtu, SWISS ofron mundësinë e ndryshimit të datës së udhëtimit pa pagesë ose të rimbursimit të plotë të biletës, transmeton albinfo.ch.

Në fillim të majit, një sulm me raketa nga milicia Houthi në Jemen goditi perimetrin e Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion pranë Tel Avivit. Si rrjedhojë, SWISS dhe kompania mëmë Lufthansa njoftuan se për arsye sigurie do të ndërprisnin përkohësisht fluturimet drejt Izraelit, një masë që tashmë është zgjatur dy herë.

Pas rifillimit të sulmeve të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës më 18 mars, milicia Houthi ka vazhduar të lëshojë raketa drejt Izraelit në mbështetje të grupit palestinez Hamas. Sipas faqes zyrtare të grupit Lufthansa, të gjitha fluturimet drejt Tel Avivit janë pezulluar deri më 8 qershor.

Gjithçka që duhet të dini për kontrollet mjekësore falas në Vjenë

Austria ofron një program të kujdesit shëndetësor parandalues për banorët e saj, që përfshin kontrolle mjekësore falas. Ja si mund të caktoni një takim në qendrën e re shëndetësore në Vjenë  dhe çfarë mund të prisni.

Kush ka të drejtë për kontroll?

Programi është i disponueshëm për të gjithë banorët e Austrisë që janë mbi 18 vjeç dhe kanë sigurim shëndetësor të detyrueshëm. Ka kontrolle të veçanta për të rinjtë që punojnë, siç janë praktikantët e siguruar nga ÖGK.

Kontrollet janë falas dhe mund të kryhen një herë në vit. Duhet të sillni kartelën tuaj shëndetësore elektronike (e-card) në çdo takim.

Pse është i rëndësishëm?

Austria ka arritur përmirësime të ndjeshme në jetëgjatësi falë kujdesit shëndetësor parandalues. Kur programi filloi në vitin 1974, jetëgjatësia për gratë ishte 75 vjeç dhe për burrat 67 vjeç. Sot, ato janë rritur në 82 dhe 75 vjeç.

Zbulimi i hershëm i sëmundjeve si sëmundjet kardiovaskulare apo kanceri, ka luajtur rol kyç. Për shembull, rastet fatale nga kanceri i qafës së mitrës janë përgjysmuar në 20 vitet e fundit falë kontrolleve të rregullta. Po ashtu, trajtimi i hershëm i tensionit të lartë ka çuar në një ulje prej 45% të vdekjeve nga goditjet në tru që nga viti 1980, transmeton albinfo.ch.

Si funksionon procesi?

Kontrolli përfshin dy takime për të siguruar një vlerësim të plotë:

Takimi i parë: Mblidhen mostrat e gjakut dhe urinës për analiza që vlerësojnë metabolizmin, funksionin e veshkave dhe mëlçisë, si dhe shenja të mundshme inflamacioni. Gjatë këtij takimi planifikohet edhe vizita e dytë.

Takimi i dytë: Kryhen analiza fizike dhe diagnostike, si testi i dëgjimit (audiometri), elektrokardiograma (EKG), spirometria (kontrolli i mushkërive), matja e tensionit, ekzaminim i përgjithshëm i trupit, si dhe këshillim për stilin e jetesës. Në qendër bëhen edhe teste për shtyllën kurrizore.

Në bazë të rezultateve, mjeku mund të rekomandojë kontrolle të mëtejshme apo vizita te specialistë. Po ashtu, sugjerohet që të bëhen kontrolle vjetore tek gjinekologu, dermatologu ose okulisti  të gjitha të mbuluara nga sigurimi shëndetësor në Austri.

A mund të refuzoj disa analiza?

Po, pjesëmarrja është fleksibël. Mund të zgjidhni të mos bëni ndonjë analizë me të cilën nuk ndiheni rehat. Të dhënat e mbledhura gjatë kontrollit janë konfidenciale dhe të sigurta.

Çfarë ndodh nëse nuk flas gjermanisht?

Edhe pse nuk ka garanci që çdo mjek flet anglisht, shumë prej tyre e bëjnë. Kur caktoni takimin, këshillohet të pyesni paraprakisht për këtë.

Si të caktoj një takim?

Kontrollet bëhen vetëm me takim të caktuar paraprakisht.

Mundësitë për të caktuar takim:

Kontaktoni qendrën shëndetësore të shërbimit të shëndetit publik (MA 15)

Telefononi qendrat shëndetësore që bashkëpunojnë me ÖGK

Vizitoni mjekë privatë me kontratë për kontrollet parandalues

Për të vizituar qendrën në Erdbergstrasse 135, caktoni takim në numrin +43 1 4000-87600 (e hënë – e premte, 08:00–14:00) ose përmes formularit online. Por kini parasysh: shpesh pas dërgimit të formularit, ata do t’ju telefonojnë për të caktuar takimin  kështu që më mirë telefononi direkt.

Takimi i dytë caktohet në vend pas marrjes së mostrës së gjakut.

Gjeneva shpërndan falas ilaç kundër larvave për të luftuar mushkonjën tigër

Lufta kundër mushkonjës tigër po intensifikohet në kantonin e Gjenevës. Kantoni do të hapë një klinikë çdo të premte pasdite për të shpërndarë falas një ilaç biologjik kundër larvave të miratuar si pjesë e një operacioni pilot.

Ky produkt quhet Bacillus Thuringiensis Israelensis (BTI) dhe vjen në formë granulesh prej 50 gramësh, mjaftueshëm për të trajtuar një kopsht, sipas Gottlieb Dändliker, përgjegjësi kantonal për speciet invazive. Janë porositur gjithsej 5000 doza.

Anti-larvat do të shpërndahen falas për banorët që kanë hapësira të jashtme si ballkone, tarraca apo kopshte. Ky produkt miqësor me mjedisin është i lehtë për t’u përdorur dhe ruajtur, dhe është gjithashtu i disponueshëm në dhjetë komuna pjesëmarrëse, transmeton albinfo.ch.

Departamenti i Territorit thekson se produkti është praktik dhe efektiv, dhe mund të luajë një rol kyç në luftën kundër mushkonjës tigër, duke kërkuar angazhim nga qytetarët dhe autoritetet.

 

Zvicra përballet me rritjen e përdorimit të kokainës së tymosur, publikohet një udhëzues për qytetet

Një udhëzues i ri është publikuar për të ndihmuar qytetet zvicerane në përballjen me rritjen e përdorimit të kokainës në formën e crack-ut. Ky botim vjen nga Iniciativa e Qyteteve për Politikë Sociale dhe përmban shembuj konkretë nga qytete të ndryshme të Zvicrës.

Gjatë tre viteve të fundit, shumë qytete zvicerane kanë përjetuar një rritje të ndjeshme të konsumit të produkteve të bazuara në kokainë, veçanërisht në formën e crack-ut ose freebase-it. Si rezultat, ky fenomen është bërë gjithnjë e më i dukshëm në hapësirat publike, thekson Iniciativa e Qyteteve për Politikë Sociale.

“Askush nuk ka një shkop magjik në luftën kundër drogave dhe pasojave të tyre”, theksoi Émilie Moeschler, anëtare e këshillit bashkiak të Lozanës dhe nënkryetare e iniciativës, transmeton albinfo.ch.

Integrimi social përmes punëve të vogla

Udhëzuesi, i publikuar të martën, synon të ndihmojë qytetet dhe komunat në zbatimin e një politike efektive për trajtimin e varësisë nga drogat, e mbështetur mbi katër shtylla: parandalimi, terapia, reduktimi i dëmit dhe zbatimi i ligjit.

Në të përfshihen si bazat e politikës së varësisë dhe qasje të dëshmuara për mbështetjen e përdoruesve të drogave, ashtu edhe shembuj praktikë nga qytetet anëtare të iniciativës.

Në Zvicrën frankofone, disa shembuj përfshijnë hapjen e një qendre konsumi në Fribourg, planin e veprimit të qeverisë së Gjenevës, dhe programet e punës së përkohshme në Lozanë.

Në kryeqytetin e kantonit Vaud, organizata SYSTMD ofron mundësi që përdoruesit që konsumojnë në banjo publike në orët e para të mëngjesit të mbledhin pajisje konsumi në këmbim të një pagese simbolike. Ndërkohë, një program i Fondacionit Mère Sofia përfshin mbledhjen e mbetjeve tri herë në javë. Këto iniciativa nxisin integrimin social dhe krijojnë kontakte me rrjetin social e shëndetësor, thuhet në udhëzues.

Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve

Iniciativa e Qyteteve për Politikë Sociale thekson rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Konfederatës, kantoneve dhe qyteteve. “Qytetet janë detyruar të inovojnë në një kontekst ku kompetencat ligjore janë në duart e kantoneve ose Konfederatës,” kujton Nicolas Galladé, këshilltar bashkiak i Winterthur-it dhe president i iniciativës.

Iniciativa është një seksion i Unionit të Qyteteve Zvicerane dhe përfaqëson interesat socio-politike të rreth gjashtëdhjetë qyteteve në të gjithë vendin.

Normat e ulëta të interesit nxisin ëndrrën zvicerane për pronësinë e shtëpisë

Pavarësisht ndryshimeve ekonomike dhe sociale, shtëpia e shkëputur për një familje mbetet shtëpia e ëndrrave numër një, sipas “Dream Home Study” vjetore nga Helvetia dhe Moneypark.

Për shembull, 48% e të anketuarve do të preferonin këtë lloj shtëpie. Preferenca tek moshat 31 deri në 60 vjeç është më e theksuar se sa tek të rinjtë dhe të moshuarit, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Normat më të ulëta të interesit bazë të Bankës Kombëtare të Zvicrës kanë një efekt të dukshëm në gatishmërinë për të blerë.

Sipas studimit, përqindja e njerëzve të gatshëm për të blerë është rritur sërish për herë të parë që nga viti 2020. Sipas studimit, 20% po planifikojnë të blejnë një pronë në vitet e ardhshme, ndërsa shifra për qiramarrësit është deri në 28%.

“Normat e ulëta apo edhe rënia e normave bazë të interesit mund të nxisin më tej blerjet,” shpjegon Lukas Vogt, CEO i MoneyPark. Çmimet e pronave gjithashtu ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten në përputhje me këtë, tha ai. Këtë e presin 72% e të anketuarve, pavarësisht nëse janë qiramarrës apo tashmë pronarë.