Tërmet me magnitudë 3.2 pranë Mürren

Toka është dridhur sërish të martën në mbrëmje pranë Mürren, kantoni Bernë, me një magnitudë prej rreth 3.2 sipas shkallës Richter.

Sipas Shërbimit Sizmologjik Zviceran (SED) pranë ETH Cyrih, tërmeti ka ndodhur në orën 17:51 dhe është ndjerë qartë afër epiqendrës. Megjithatë, dëme nuk priten nga një tërmet me këtë magnitudë, transmeton albinfo.ch.

SED regjistron mesatarisht 3-4 tërmete në ditë në Zvicër dhe vendet fqinje, që përkthehet në 1000-1500 tërmete në vit.

Popullsia ndjen realisht rreth 10-20 dridhje në vit me magnitudë mbi 2.5.

Britania vendos sanksione kundër bandave të trafikimit me gomone

Qeveria britanike pritet të publikojë këtë javë emrat e udhëheqësve të bandave dhe kompanive që furnizojnë me gomone dhe varka të vogla për trafikim njerëzish, si pjesë e një pakete të re sanksionesh.

Këto masa, të parat e këtij lloji në botë, synojnë të ndalojnë emigracionin ilegal përmes Kanalit Anglez duke goditur direkt financat dhe asetet e këtyre grupeve kriminale.

Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, tha se sanksionet do t’i shkatërrojnë rrjetet e trafikimit duke i privuar nga burimet e tyre ekonomike kudo që veprojnë.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, mbi 20 mijë persona kanë kaluar ilegalisht Kanalin Anglez, një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shtuar presionin mbi sistemin e azilit dhe sigurinë publike në Mbretërinë e Bashkuar

Xhaka fillon punën si trajner te Dardania Basel

I sapo pensionuar te Baseli, Taulant Xhaka u emëruar trajner në skuadrën shqiptare në Zvicër, Dardania Basel.

Klubi ka njoftuar që sot nisi zyrtarisht punën e re, shkruan albinfo.ch.

“Fillimi i një rrugëtimi të ri!

Sot nisi zyrtarisht sezoni me trajnerin Taulant Xhaka dhe ssistentin Argjend Turkaj, një emër që sjell përvojë, përkushtim dhe vizion të qartë për suksesin.

Me energji pozitive, motivim dhe synime të mëdha, jemi gati të japim maksimumin në çdo seancë, çdo ndeshje, çdo sfidë”, thuhet në njoftim në Facebook.

Xhaka ishte legjendë e Baselit, derisa ka luajtur edhe me Kombëtaren shqiptare, duke marrë pjesë në Euro 2016.

Anulohet “Mërgata Fest” në Skenderaj, kryetari tregon arsyen

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë të ditur se festivali “Mërgata Fest” është anuluar për shkak të vdekjes së papritur të Robert Veliut, ish-basketbollist i njohur dhe njëherësh bashkëqytetar i tyre.

Nura ka shprehur ngushëllime për familjen Veliu, duke thënë:

“Të nderuar qytetarë, pjesëmarrës të festivalit Mërgata Fest dhe bashkatdhetarë, për shkak të ndarjes nga jeta të të riut Robert Veliu, ish-basketbollist profesionist, dhe në shenjë respekti ndaj familjes së pikëlluar, programi muzikor i sotëm anulohet.”

Ai shtoi se e kupton dhimbjen e madhe që ka prekur komunitetin, duke apeluar për mirëkuptim nga të gjithë:

“I shpreh ngushëllimet më të thella familjes Veliu, shokëve dhe miqve të tij. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ne.”, shkroi Nura.

Austri: Arrestohet 18-vjeçari me origjinë nga Maqedonia e Veriut, dyshohet për plane terroriste

Një i ri 18-vjeçar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut është vënë në paraburgim në Austri, nën dyshime për plane terroriste dhe interes për ndërtimin e bombave.

Arrestimi i tij u bë të dielën pranë banesës në Steiermark, menjëherë pasi ai dhe familja e tij ishin kthyer nga Maqedonia e Veriut. Lajmi u bë publik të martën pasdite nga autoritetet austriake, raportojne mediat austriake, transmeton albinfo.ch.

I dyshuari ka lindur në Steiermark dhe banon në rrethin Bruck-Mürzzuschlag, por familja e tij ka origjinë nga Maqedonia e Veriut. Në vitin 2023, ai ishte dënuar për vepra terroriste dhe gjykata e kishte detyruar të ndiqte programe deradikalizimi dhe trajnime kundër dhunës. Megjithatë, ai nuk e kishte vuajtur dënimin me burgim të pjesshëm për shkak të një zanati që po mësonte.

Sipas Prokurorisë së Leoben, 18-vjeçari ishte i fascinuar nga ndërtimi i bombave dhe sulmet terroriste ndaj botës perëndimore. Ai kishte kryer kërkime intensive online për këtë temë. Policia austriake u njoftua nga një burim zyrtar jashtë vendit për planet e mundshme të sulmeve.

Zëdhënësi i policisë, Markus Lamb, tha: “Ai kishte aktivitete përgatitore, kërkime intensive për ndërtimin e bombave dhe informacion mbi sulme të ndryshme në Perëndim.”

Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan pajisje të shumta elektronike, përfshirë telefonin. Hetimet mbi përmbajtjet e tyre po vazhdojnë. Aktualisht nuk ka të dhëna për bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm, përcjell albinfo.ch.

Me urdhër të prokurorisë, 18-vjeçari është dërguar në qendrën e paraburgimit në Leoben dhe do të qëndrojë atje deri në një vendim tjetër.

 

Zvicër: Rritje e numrit të azilkërkuesve në qershor

Midis majit dhe qershorit, aplikimet për azil në Zvicër u rritën me 9% (188), në 2,213. Kjo shifër mund të shënojë fillimin e një rritjeje të kërkesave për mbrojtje të lidhura me muajt e ngrohtë, sipas një deklarate të lëshuar sot nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM). Bazuar në përvojë, numri i aplikimeve pritet të bjerë përsëri në fund të vjeshtës, transmeton albinfo.ch.

Rihapja e tre qendrave

Në pritje të rritjes së kërkesave që ndodh rregullisht çdo vit me ardhjen e verës, në fillim të korrikut SEM kishte vendosur të rihapte si masë paraprake tre qendra federale të azilit (FAC) që ishin mbyllur përkohësisht. Në qershor, vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve ishin Afganistani (456 aplikime), Eritrea (430) dhe Turqia (221), e ndjekur nga Somalia (214) dhe Algjeria (157).

Në muajin nën shqyrtim, SEM lëshoi 2,457 vendime për azil të shkallës së parë, gati një e katërta e të cilave u miratuan (kryesisht nga Afganistani, Turqia dhe Eritrea). 872 persona pa të drejtë qëndrimi në Zvicër u larguan nga vendi nën mbikëqyrjen e autoriteteve, 559 prej tyre në mënyrë të pavarur, ndërsa 313 të tjerë u transferuan nën shoqërimin e policisë në vendin e tyre të origjinës, shtetin kompetent të Dublinit ose në një vend të tretë. Përveç kësaj, u raportuan 971 largime pa mbikëqyrje. Në fund të majit, 5,390 persona po merrnin mbështetje për kthimin e tyre.

Gjermania deporton 43 qytetarë irakianë

Rreth 43 qytetarë irakianë u deportuan të martën nga Gjermania, duke u dërguar me një fluturim çarter drejt Bagdadit. Ministria e Drejtësisë e shtetit lindor të Turingisë bëri të ditur se të gjithë të deportuarit ishin “burra beqarë”, disa prej të cilëve kishin precedentë penalë, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, operacioni i deportimit përfshiu bashkëpunimin e shtatë shteteve federale të Gjermanisë, si dhe policisë federale. Pasagjerët u transportuan deri në aeroplan me automjete policie dhe autobusë aeroporti, ndërsa gjatë hipjes në avion u shoqëruan individualisht nga forcat e sigurisë, raporton agjencia dpa.

Ministrja e Drejtësisë së Turingisë, Beate Meißner, anëtare e Partisë Demokratike Kristiane në pushtet, deklaroi: “Mesazhi ynë është i qartë: kushdo që nuk ka të drejtë qëndrimi duhet të largohet nga vendi ynë.”

Ky operacion vjen pas deportimit të 81 shtetasve afganë të premten e kaluar, fluturimi i parë i kryer nën qeverinë e kancelarit Friedrich Merz, transmeton albinfo.ch.

Austria regjistron mbi 7,600 krime të urrejtjes në vitin 2024

Më shumë se 7,600 raste të krimeve të urrejtjes janë regjistruar në Austri gjatë vitit 2024, sipas raportit vjetor të Ministrisë së Brendshme të publikuar të martën. Raporti evidenton se motivet ideologjike, raciste dhe fetare vazhdojnë të jenë shtysat më të zakonshme për këto vepra penale, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e tyre ka ndodhur në mjediset online, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Në total, janë dokumentuar 7,614 arsye për paragjykime në të gjithë vendin. Krahasuar me popullsinë, numri më i lartë i rasteve është regjistruar në Salzburg, Vjenë dhe Karinthi, ndërsa Burgenlandi ka raportuar numrin më të ulët të incidenteve.

Një e katërta e krimeve me motiv urrejtjeje ndodhi në internet, ku tre të katërtat e tyre përbëjnë shkelje të Ligjit të Ndalimit, i cili ndalon përhapjen e ideologjive ekstremiste, përfshirë glorifikimin e nazizmit. Gjithashtu, një në dy raste me motive raciste u regjistruan në hapësirat online.

Ndër postimet me përmbajtje antifetare, dy të tretat ishin antisemite, ndërsa një e treta antimuslimane.

Sipas të dhënave, motivi më i zakonshëm për krimet e urrejtjes ishte ideologjia apo botëkuptimi politik, me 3,935 raste të dokumentuara – një rritje prej 45% krahasuar me një vit më parë, transmeton albinfo.ch.

Pas saj renditen origjina kombëtare ose etnike (1,581 raste), feja (763 raste), ngjyra e lëkurës (417 raste), orientimi seksual (317 raste, një ulje prej 29% nga viti 2023), gjinia (238 raste), statusi shoqëror (136 raste), aftësitë e kufizuara (125 raste), mosha (102 raste).

Vepra penale më e shpeshtë ishte shkelja e Ligjit të Ndalimit, me 2,952 raste, e ndjekur nga dëmtimi i pronës (1,396 raste), dëmtimet trupore (661 raste), nxitja e urrejtjes (599 raste), kërcënime të rrezikshme (506 raste).

Gjithsej 1,619 persona u identifikuan si viktima të krimeve të dhunshme me motive urrejtjeje, ku 63% ishin burra. Motivi më i zakonshëm ndaj viktimave ishte origjina kombëtare ose etnike.

Raporti tregon se 86% e të dyshuarve për krime të urrejtjes ishin burra, përqindje më e lartë se në rastet e tjera të krimit të përgjithshëm (78%). Po ashtu, numri i të miturve të përfshirë në këto raste ishte më i lartë në raport me grupmoshat e tjera.

Pjesa më e madhe e të dyshuarve ishin shtetas austriakë (74%). Për shembull, në tre nga pesë raste me motive mizogjine, të dyshuarit ishin austriakë. Shtetasit e huaj përbënin vetëm 26% të të dyshuarve në krimet e urrejtjes – më pak sesa në krimin e përgjithshëm (47%).

Austria ka nisur të regjistrojë veçmas krimet e urrejtjes që nga viti 2020, ndërsa raporti vjetor publikohet rregullisht nga viti 2022. Të dhënat përfshijnë vetëm rastet për të cilat janë përfunduar hetimet policore. Sipas Ministrisë së Brendshme, shkalla e sqarimit për krimet e urrejtjes mbetet 67%, e pandryshuar nga vitet e kaluara, transmeton albinfo.ch.

Normat e interesit në llogaritë e kursimit bien ndjeshëm në Zvicër

Faza e normave të larta të interesit në llogaritë e kursimit ka marrë fund. Sipas një studimi të publikuar nga shërbimi i krahasimit online Moneyland, norma mesatare e interesit për kursimtarët në Zvicër ka rënë në vetëm 0.18%, duke shënuar një kthim në nivelet minimale historike, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Analiza përfshiu kushtet e rreth 150 llogarive kursimi të ofruara nga bankat zvicerane. Sipas Moneyland, rënia aktuale vjen pas një periudhe të shkurtër prej afro tre vitesh me norma më të favorshme për konsumatorët. Në pranverën e vitit 2024, norma mesatare kishte arritur kulmin në 0.82%, ndërsa në vjeshtën e vitit 2022 ishte vetëm 0.05%.

“Faza e normave pak më të larta të interesit ka përfunduar”, thuhet në raportin e publikuar të martën nga Moneyland. Sipas përllogaritjeve, për një shumë prej 1,000 frangash në një llogari kursimi, fitimi vjetor për një qytetar ka rënë sërish në më pak se një frangë.

Studimi evidenton gjithashtu se ka dallime të mëdha në normat e interesit mes bankave të ndryshme. Disa prej tyre ofrojnë interesa dy herë më të larta se mesatarja kombëtare, duke krijuar mundësi për ata që kërkojnë të përfitojnë më shumë nga kursimet e tyre.

Megjithatë, ekspertët tërheqin vëmendjen se ofertat me norma më të larta shpesh shoqërohen me kufizime, si kufizime në shumën që përfiton nga norma më e lartë apo qasje të kufizuar në fonde.

Në këto kushte, Moneyland rekomandon që qytetarët të krahasojnë me kujdes ofertat dhe të mos ngurrojnë të zhvendosin kursimet në banka më të leverdishme. Por njëkohësisht, ata duhet të jenë të vëmendshëm ndaj kushteve të fshehura apo kufizimeve që mund të lidhen me interesat më të larta.

Me inflacionin që vazhdon të ndikojë në fuqinë blerëse, ekspertët thonë se është e domosdoshme që kursimtarët të mendojnë për alternativa të tjera afatmesme ose afatgjata, për të siguruar një kthim më të qëndrueshëm dhe efektiv të kursimeve të tyre, transmeton albinfo.ch.

Kriza e subvencioneve në Vaud, 32,000 dosje në pritje

Në kantonin e Vaud-it, kërkesat për subvencione të sigurimeve shëndetësore janë rritur me ritme rekord, duke sjellë mbingarkesë në administratë dhe vonesa të konsiderueshme në përpunimin e dosjeve. Më shumë se 32,000 kërkesa – përfshirë rreth 25,000 për rivlerësim dhe 7,000 aplikime të reja – janë aktualisht në pritje, ndërsa shumë qytetarë përballen me pasiguri financiare, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Rritja e primeve të sigurimit shëndetësor vit pas viti ka detyruar gjithnjë e më shumë njerëz të kërkojnë ndihmë. Në vitin 2021, Vaud regjistroi 9,200 kërkesa të reja. Vitin e kaluar, ky numër u rrit në 16,900 – një rritje prej mbi 80% në vetëm tre vjet. Sot, rreth 310,000 banorë të kantonit, ose 36.9% e popullsisë, marrin një formë subvencioni për sigurimin shëndetësor.

Por ngarkesa në rritje ka sjellë pasoja. Rasti i Alice Kübler, një 24-vjeçare nga Lozana, është tregues i situatës. Ajo ka mbi një vit që pret vendimin për subvencion, për shkak të një situate të pazakontë profesionale – një kombinim mes aktivitetit artistik dhe punës me kohë të pjesshme. “Është frustruese. Fundi i muajit është shumë i vështirë”, tha ajo për RTS.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme për Kohezionin Social (DGCS), koha standarde e përpunimit është rreth katër muaj për aplikimet fillestare dhe shtatë muaj për rastet që kërkojnë rivlerësim. Por në realitet, shumë qytetarë po presin shumë më gjatë, transmeton albinfo.ch.

Për të përshpejtuar proceset, disa kantone – përfshirë Gjenevën, Neuchâtel-in, Juran dhe Valais – kanë futur sisteme automatike vlerësimi, bazuar në të dhënat tatimore. Por kantoni i Vaud, pavarësisht se ofron një nga sistemet më bujare (duke kufizuar primet në maksimum 10% të të ardhurave), ka refuzuar deri më tani automatizimin.

Krahët politikë janë thellësisht të ndarë. E djathta, përfshirë PLR-në, kundërshton masën, duke shprehur frikë se do të përfitojnë edhe persona që nuk kanë nevojë reale, si studentë të mbështetur nga prindërit. “Ka rrezik që automatizimi të mos dallojë rastet individuale”, paralajmëroi deputetja Florence Bettschart.

Ndërkohë, e majta e sheh automatizimin si një domosdoshmëri për ta bërë sistemin më të aksesueshëm dhe më efikas. “Shumë persona nuk aplikojnë fare për shkak të procedurave të ndërlikuara. Një sistem i thjeshtuar do të ulte ndjeshëm kohën e pritjes dhe do të garantonte ndihmë për ata që realisht kanë nevojë,” theksoi deputeti socialist Sébastien Kessler.

Në rast se vendimi për subvencion merret me vonesë, përfituesit kanë të drejtë për pagesë retroaktive, por kjo nuk e zgjidh problemin e përkohshëm financiar që përballen mijëra qytetarë, sidomos në një klimë të shtrenjtimit të kostove të jetesës, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: A po përsëritet vera e vitit 2003?

Pas një qershori jashtëzakonisht të nxehtë dhe me shumë diell, ekspertët e motit po shohin ngjashmëri shqetësuese me verën ekstreme të vitit 2003 – një nga më të nxehtat të regjistruara ndonjëherë në Evropë. Shërbimi privat i motit MeteoNews ka paralajmëruar se kushtet atmosferike aktuale mund të çojnë drejt një gushti rekord, nëse modelet e presionit të lartë vazhdojnë në të njëjtën mënyrë, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Meteorologu Michael Eichmann shkruan në një analizë në blogun e MeteoNews se presioni i lartë mbi Zvicër gjatë qershorit 2025 ka ngjashmëri të dukshme me verën e vitit 2003, kur i njëjti skenar rezultoi në muajin gusht më të nxehtë ndonjëherë. Edhe atëherë, pas një qershori të nxehtë kishte pasuar një rënie e përkohshme e temperaturave, për t’u ndjekur nga një valë përvëluese gjatë gushtit.

“Në vitin 2003, presioni i lartë mbi Ishujt Britanikë bllokoi rrymat e freskëta atlantike, duke çuar në valë të qëndrueshme të nxehti mbi rajonin alpin,” shpjegon Eichmann. “Modelet e këtij viti aktualisht po tregojnë një situatë të ngjashme – me presion të lartë të pritur mbi Britani, gjë që mund të mbajë larg ndikimin freskues të Atlantikut.”

Megjithatë, meteorologët po bëjnë thirrje për kujdes në interpretimin e modeleve afatgjata. Edhe devijimet më të vogla në rrjedhën e presionit ose të masave ajrore mund të sjellin ndryshime të mëdha në terren. Eichmann nënvizon se parashikimet për gushtin mbeten ende të pasigurta, por “të dhënat fillestare tregojnë për një skenar që nuk mund të injorohet.”

Në vitin 2003, vala e të nxehtit pati pasoja të rënda për shëndetin publik dhe sektorin bujqësor në të gjithë Evropën. Në Zvicër, si edhe në vende të tjera, u regjistruan mijëra vdekje shtesë, të lidhura drejtpërdrejt me nxehtësinë ekstreme.

Duke pasur parasysh rrezikun në rritje, autoritetet lokale dhe federale pritet të rishikojnë planet e tyre të reagimit për valët e të nxehtit, përfshirë informimin e publikut, masat për grupet vulnerabël dhe përgatitjen e infrastrukturës shëndetësore.

Në pritje të konfirmimit të mëtejshëm të parashikimeve, qytetarëve u këshillohet të ndjekin me kujdes buletinet meteorologjike dhe të fillojnë të ndërmarrin masa për mbrojtje nga vala e mundshme e të nxehtit në gusht, transmeton albinfo.ch.

Baden: Shqiptari 23-vjeçar ende në arrati

Një burrë shqiptar 23-vjeçar, i cili ishte në paraburgim për vjedhje me thyerje, vijon të jetë në arrati që nga dita e enjte, kur u arratis nga zyra e qarkut në Baden, në kantonin e Aargaut. Burri kishte pranga në duar në momentin e arratisjes dhe nuk është kapur ende, pavarësisht një operacioni të gjerë kërkimi nga Policia e Kantonit të Aargaut, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, i burgosuri arriti të largohej nga godina e distriktit pak para se të transportohej me automjetin e të burgosurve. Arratisja ndodhi në orët e mëngjesit të së enjtes, dhe që nga ajo kohë, policia ka nisur një kërkim intensiv, përfshirë një aksion të madh në zona të gjera pyjore, por pa sukses.

“Të premten ende besohet se ai lëvizte në rajon me pranga në duar”, deklaroi policia, duke shtuar se duket se i arratisuri nuk kishte një plan të qartë për shpëtimin e tij. Ai nuk ka asnjë vendbanim të përhershëm në Zvicër dhe as ndonjë kontakt apo pikë referimi në vend, çka vështirëson ndjeshëm hetimet.

Policia beson se gjatë ditëve në arrati, burri mund të ketë hyrë në ndërtesa, punishte apo bodrume në kërkim të rrobave, ushqimit apo mjeteve për të hequr prangat. Po ashtu, ekziston mundësia që t’u ketë kërkuar qytetarëve ndihmë për të përdorur telefonin, transmeton albinfo.ch.

Gjenevë: Rritet prostitucioni në mesin e të miturve

Një fenomen shqetësues po përhapet me ritme alarmante në Zvicër, veçanërisht në kantonin e Gjenevës: një numër gjithnjë në rritje i vajzave dhe djemve të rinj po përfshihen në prostitucion. Disa prej tyre janë viktima të rrjeteve të organizuara, ndërsa të tjerë veprojnë në mënyrë të pavarur, duke përdorur platformat e mediave sociale për të ofruar shërbime seksuale në këmbim të parave, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Në fillim të majit, autoritetet zbuluan një rrjet prostitucioni në një berberhane në Gjenevë, ku u arrestuan pesë persona dhe disa të mitur u identifikuan si viktima të shfrytëzimit seksual. Sipas raportimeve nga Tribune de Genève dhe 24 Heures, një nga viktimat ishte më pak se 15 vjeç.

Ndërkohë, edhe në rajonet e tjera të Zvicrës frëngjishtfolëse është vërejtur një rritje e rasteve të prostitucionit të të miturve që veprojnë jashtë rrjeteve kriminale. Ata përdorin rrjete si Instagram, Snapchat apo platforma të tjera për të tërhequr klientë. Shpeshherë, qëllimi i tyre është të fitojnë para të shpejta ose të çlirohen nga autoriteti prindëror, sipas një edukatori të Shërbimit të Mbrojtjes së Fëmijëve në Gjenevë.

Sektori i kujdesit për fëmijët dhe organizatat që mbështesin punonjësit e seksit po përballen me sfida të reja. Pénélope Giacardy, drejtoreshë e shoqatës Aspasie, e cila tradicionalisht mbështet punonjëset e seksit të rritura, thekson se situata ka ndryshuar ndjeshëm.

“Ka mungesë trajnimi dhe koordinimi mes shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve. Stafi është i pamjaftueshëm dhe jo gjithmonë i përgatitur për të përballuar këto raste të ndërlikuara,” tha ajo për RTS. Sipas saj, fenomeni i përfshirjes së të miturve në prostitucion nuk është më përjashtim, por një realitet në rritje.

“Aspasie është e përgatitur të mbështesë të rritur që bëjnë zgjedhje të lira dhe të informuara, por tani po përballemi me një realitet të ri. Na duhet të rishikojmë rolin tonë dhe të krijojmë qasje të reja për të mbrojtur këta të rinj,” shtoi Giacardy.

Rritja e këtij fenomeni kërkon masa të menjëhershme dhe të koordinuara nga autoritetet lokale dhe federale. Ekspertët kërkojnë më shumë staf, trajnime specifike dhe strategji të qarta për të parandaluar përfshirjen e të miturve në prostitucion dhe për t’u ofruar atyre mbështetje afatgjatë, transmeton albinfo.ch.

Zbulohet skema e pastrimit të parave të drogës përmes agjencisë së udhëtimit, arrestime në Zvicër e Shqipëri

Një rrjet i gjerë i trafikut të kokainës me lidhje mes Zvicrës dhe Shqipërisë është goditur nga autoritetet gjyqësore në të dyja vendet, pas hetimeve disa mujore që zbuluan një skemë të sofistikuar të pastrimit të parave të drogës, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Klanit ballkanik, që dyshohet se ka shpërndarë kokainë në të gjithë Zvicrën, i janë konfiskuar prova të shumta për një sistem informal të transferimit të parave me qendër në qytetin zviceran të Lucernës. Fitimet nga aktivitetet kriminale dyshohet se janë pastruar përmes një agjencie udhëtimesh me degë në Bazel dhe Kosovë.

Sipas të përditshmes “Aargauer Zeitung”, hetimet kanë çuar në arrestimin e gjashtë personave në Zvicër që nga shtatori i kaluar, përfshirë edhe të ashtuquajturin “shef zviceran” të bandës, i identifikuar si EF, i cili mbetet në paraburgim.

Gjatë fundjavës, Zyra e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) ka kryer arrestimin e dy personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë drejtues të tjerë të klanit. Emrat e tyre nuk janë bërë publik zyrtarisht, por media investigative shqiptare “Prapaskena” ka zbuluar identitetin e tyre, duke përfshirë një bashkëpunëtor të ngushtë të EF, të njohur si PK, një figurë e njohur në rrjetet e kontrabandës.

Sipas SPAK, të dyshuarit EF, BF dhe PK – në bashkëpunim me individë të tjerë nga Lucerna – kanë ngritur dhe operuar një sistem informal të transferimit të parave që përfshinte shuma të mëdha të fituara nga shitja e drogës në Zvicër dhe më tej të dërguara në Shqipëri, transmeton albinfo.ch.

Paratë e drogës dorëzoheshin nga dërguesit në Zvicër te bashkëpunëtorët lokalë, të cilët më pas njoftonin partnerët në Tiranë për shumën dhe marrësin. Në fund, paratë u dorëzoheshin përfituesve në Shqipëri, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të EF, BF dhe PK. Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për transferta në vlerë prej disa miliona eurosh.

Disa nga të arrestuarit, përfshirë pronarin e agjencisë së udhëtimit dhe dy djemtë e tij, kanë paraqitur ankesa kundër paraburgimit. Zyra e Prokurorit Federal në Zvicër nuk ka pranuar të japë detaje të mëtejshme për këtë çështje, duke konfirmuar vetëm bashkëpunimin me autoritetet shqiptare.

Ndërkohë, SPAK njoftoi se hetimet janë ende në zhvillim dhe se do të ketë edhe masa të tjera, transmeton albinfo.ch.

Kosova në alarm nga zjarret, 320 raste vetëm këtë javë

Kosova po përballet me një valë të rrezikshme të të nxehtit ekstrem dhe shpërthimit të zjarreve, me mbi 320 raste të raportuara vetëm gjatë javës së fundit në të gjithë vendin. Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), shtatë zjarre janë ende aktive dhe ekipet zjarrfikëse po punojnë në terren për t’i shuar ato, raporton albinfo.ch.

Në një konferencë për media të mbajtur të martën, drejtori i AME-së, Genc Metaj, e cilësoi situatën si të rëndë dhe alarmante. Ai konfirmoi se dy persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve – një zjarrfikës nga Gjakova dhe një qytetar nga komuna e Klinës. Gjithashtu, dy zjarrfikës janë lënduar gjatë intervenimeve në komunat e Lipjanit dhe Vitisë.

“Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve duke përfshirë zjarre malore, fushore por edhe në objekte. Ky numër i madh dhe pasojat e mëdha që sjellin këto zjarre janë alarmante. Gjendja aktuale është e qëndrueshme, por sfidat janë të mëdha,” deklaroi Metaj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se janë arrestuar nëntë persona për zjarrvënie të qëllimshme. Ai tha se Policia ka ndërmarrë mbi 200 intervenime dhe ka iniciuar hetime për 63 raste të zjarrvënieve dhe rrezikimit të përgjithshëm.

“Policia e Kosovës është përfshirë jo vetëm në hetime, por edhe në operacione aktive me autobotë për ndihmë ndaj AME. Do të veprojmë pa hezitim ndaj çdo personi që shkakton zjarr apo rrezik publik. Deri tani janë iniciuar hetime për 63 raste dhe janë arrestuar nëntë persona,” tha Hoxha.

Në konferencë u theksua se një ndër sfidat kryesore mbetet mungesa e vetëdijes qytetare dhe nevoja për ndërgjegjësim më të madh për të mos ndezur zjarre në mënyrë të pakujdesshme apo të qëllimshme.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vala e të nxehtit do të vazhdojë gjatë gjithë javës, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius në fundjavë, duke rritur rrezikun për shpërthime të reja zjarresh, raporton albinfo.ch.

Presidentja Osmani kërkon interpretim nga Kushtetuesja për moskonstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk arrin të konstituohet brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, që përfundon më 26 korrik, raporton albinfo.ch.

Në një konferencë për media të martën pasdite, Osmani tha se kërkesa ka karakter preventiv dhe synon të parandalojë një krizë të thellë institucionale në vend. Ajo e cilësoi situatën si të paprecedentë në jetën politike të Kosovës dhe theksoi mungesën e konsensusit politik për të dalë nga bllokada aktuale.

“Çdo moszbatim i afateve kushtetuese duhet të ketë pasoja juridike, por deri më tani ato nuk janë sqaruar. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të japë interpretimin e saj lidhur me pasojat që lindin nëse Kuvendi nuk konstituohet në kohë,” tha Osmani.

Presidentja shtoi se kërkesa është një përpjekje për të shmangur “pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues” të vendit dhe për të qartësuar se si duhet të veprojnë institucionet në mungesë të një Kuvendi funksional.

“Qëllimi është të qartësohet se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, por edhe çfarë ndodh nëse ky proces ndodh pas datës 26 korrik,” theksoi ajo.

Përveç kërkesës për interpretim, Presidentja ka kërkuar edhe një masë të përkohshme nga Gjykata, që të pezullohet rrjedhja e afatit 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Kushtetueses i datës 26 qershor.

“Kjo masë do të parandalonte futjen e institucioneve në një bllokadë pa fund, nëse afati skadon pa u gjetur zgjidhje,” deklaroi Osmani.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta konstituojë veten për të 50-tën herë, ndërkohë që vendi ndodhet në një ngërç institucional të thelluar. Me vetëm katër ditë të mbetura deri në përfundimin e afatit kushtetues, nuk ka sinjale për arritje konsensusi ndërmjet grupeve parlamentare, raporton albinfo.ch.

Drejtori i Policisë në Kosovë: Jemi të përgatitur për çdo skenar

Pas kërcënimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me arrestimin e zyrtarit serb Igor Popoviq në Kosovë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se Policia është e përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vend në aspektin e sigurisë, raporton albinfo.ch.

Në një konferencë për media të mbajtur në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Hoxha tha se situata e përgjithshme në vend është e qetë dhe stabile, me përjashtim të veriut të Kosovës, ku siguria mbetet e brishtë për shkak të veprimeve të grupeve kriminale serbe dhe ndërhyrjeve politike nga Beogradi.

“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, nuk është që ndonjëherë kanë qenë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në Kosovë. Situata është e qetë dhe stabile përveç pjesës së Veriut, ku vazhdon të jetë e brishtë për shkak të veprimeve të politikës serbe dhe grupeve ekstremiste e terroriste,” deklaroi Hoxha.

Drejtori shtoi se nuk kishte nevojë të komentonte më shumë mbi kërcënimet e Vuçiqit, pasi, siç u shpreh ai, “qëllimet politike të Serbisë janë të njohura”.

Tensionet u rritën pas arrestimit të Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, i cili u ndalua javën e kaluar në Hoçë të Rahovecit për deklarata nxitëse kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Arrestimi i tij ngjalli reagime të ashpra në Beograd. Presidenti Vuçiq, në një intervistë për televizionin “Pink”, tha se veprimi i institucioneve të Kosovës përfaqësonte një provokim dhe akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po përpiqet të shkaktojë tensione dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor.

“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Kurti e ka humbur plotësisht arsyen dhe dëshiron të shkaktojë incidente. Ne kemi njoftuar partnerët ndërkombëtarë dhe pasojat mund të jenë të paparashikueshme,” deklaroi Vuçiq.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi të hënën duke i cilësuar deklaratat e Vuçiqit si “kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme”, raporton albinfo.ch.

Festivali Sunny Hill mbledh njerëz nga më shumë se 60 vende të botës në Prishtinë

Njerëz nga më shumë se 60 vende të ndryshme të botës tashmë i kanë blerë biletat dhe kanë rezervuar hotelet e bujtinat, për edicionin e ri të Sunny Hill Festival.

Festivali, i organizuar nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, do të mbahet në Prishtinë, nga 1 deri më 3 gusht.

Sunny Hill Festival ka thënë se këtë vit do të shënojë edicionin më të madh në historinë e festivalit.

Me një listë super unike të artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë, festivali ka tërheqë një audiencë masive nga mbarë bota.

Këtë vit, skenat e festivalit do të jenë dukshëm më të mëdha se kurrë më parë.

“Me Main Stage masive dhe Sunny Hill Dance Stage e cila tanimë njihet si C4 Stage, skenë e cila do të jetë disa herë më e madhe dhe me program tejet të veçantë, duke ofruar një hapësirë të re dhe kushtuar një feste me dhjetëra mijëra të pranishëm çdo natë”, njoftuan nga festivali, transmeton albinfo.ch.

Ky zgjerim dhe rritje e Sunny Hill Festival synon të ofrojë një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit, me lineup-in më interesant, më shumë hapësirë, skena më të mëdha dhe produksion të jashtëzakonshëm.

“Line-upi i jashtëzakonshëm i këtij viti përfshin emra të njohur botëror si Dua Lipa, Shawn Mendes, Anyma, Peggy Gou, Mochakk, Fatboy Slim, Headie One, Sienna Spiro, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Edis dhe Cil si dhe artistët më të dashur vendorë”.

Nga festivali njoftuan se aktualisht, bileta për edicionin e ri të Sunny Hill Festival janë shitur në më shumë se 60 vende të ndryshme të botës, ndërsa hotelet në Prishtinë dhe qytetet përreth tashmë janë plotësisht të mbushura me mysafirë të huaj të cilët i kanë bërë rezervimet e tyre.

Sunny Hill Festival për të dytën herë radhazi është nominuar si një ndër Top 10 festivalet më të mira të muzikës në Evropë (ESNS, shoqata evropiane e festivaleve të muzikës) si dhe një ndër Top 25 festivalet më të mira që nuk duhet humbur gjatë vitit.

Inteligjenca Artificiale shkatërron punët në zyrë: “Duart janë më të vështira për t’u zëvendësuar sesa truri”

“Je shumë i shëmtuar për Onlyfans, je shumë budalla për universitetin, atëherë bëhu pastrues fasadash me ne”. Ndërmarrja e vogël dhe e mesme Menzinger “Moosfrei” aktualisht po kërkon njerëz që ndryshojnë karrierën me një slogan provokues në Tiktok, raporton 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Vetëm një video më tej, një dron fluturon pranë një rrokaqielli, duke pastruar dritaret e tij me një rrjedhë uji. “Brezat e ardhshëm vështirë se do ta besojnë se njerëzit vareshin nga rrokaqiejt për të pastruar dritaret”, thotë videoja që u bë virale së fundmi. Konsensusi i përgjithshëm midis shikuesve: Inteligjenca Artificiale dhe robotët herët a vonë do të marrin përsipër të gjitha punët tona. “Jemi të dënuar”, është mendimi mbizotërues.

“Duart janë më të vështira për t’u zëvendësuar sesa truri”

Edhe pse zanatet e kualifikuara vlerësohen shumë në Zvicër, shumë studentë ende zgjedhin të studiojnë. Jo vetëm që pagat janë më të larta me një diplomë universitare, por pozicioni konsiderohet gjithashtu më rezistent ndaj krizave sesa punët si orëndreqës ose çatixhi.

Mendim i gabuar, thotë futurologu Georges T. Roos: “Këto zanate shumë të kualifikuara nuk mund të zëvendësohen nga IA.” IA ka vështirësi në punët që kërkojnë punë fizike dhe ndërveprim me njerëz të tjerë. “Duart dhe fuqia muskulore janë më të vështira për t’u zëvendësuar me IA sesa truri.”

Punët që supozohet se janë “të zgjuara” janë zgjedhja më e keqe

Nga ana tjetër, njerëzit në profesionet akademike po përballen me kohë të trazuara: “IA kupton shumë gjëra që mund të standardizohen më mirë se një njeri”, thotë Roos.

Futurologu thotë se është i shqetësuar sepse shumë të rinj ende mbështeten në karriera që supozohet se janë “të zgjuara”: “Trendi është i qartë; ka gjithnjë e më shumë diploma të shkollës së mesme dhe universitetit.” Në fund të fundit, edhe në punët që janë plotësisht të automatizuara, njerëzit do të jenë ende të nevojshëm për të marrë përgjegjësi për punën në të ardhmen.

Praktikë e orientuar drejt praktikës: një karrierë me të ardhme

Shoqata e Punëdhënësve Zviceranë (SAV) po eksploron gjithashtu intensivisht inteligjencën artificiale, thotë zëdhënësi Stefan Heini. “Sot, duket sikur IA do të jetë kryesisht në gjendje të zëvendësojë aktivitetet rutinë, të standardizueshme dhe të bazuara në të dhëna”, thotë Heini.

Dixhitalizimi po rrit padyshim rëndësinë e trajnimit profesional të dyfishtë. “Sidomos profesionet e kualifikuara, të cilat vështirë se preken nga pushtimi i IA-së”, thotë Heini. “Ata që përfundojnë një praktikë të orientuar drejt praktikës, pra kanë perspektiva të mira për një karrierë me të ardhme.”

Ai gjithashtu ndan mendimin se inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë profesione të tëra. “Njerëzit nuk do të zëvendësohen domosdoshmërisht, por detyrat e tyre do të ndryshojnë”, thotë Heini. Ai shpjegon se aktualisht është e vështirë të parashikohet se cilat detyra mund të jetë në gjendje të marrë përsipër teknologjia brenda pak vitesh: “Inteligjenca artificiale po zhvillohet aq shpejt sa mjete të reja po shfaqen pothuajse çdo ditë”.

Mbërrin në Zvicër sistemi i parë i mbrojtjes ajrore gjermane IRIS-T

Zvicra ka blerë pesë sisteme Iris-T SLM për mbrojtje ajrore me rreze të mesme veprimi me bazë në tokë, përcjell albinfo.ch.

Zyra Federale e Pajisjeve, Teknologjisë së Informacionit dhe Mbështetjes në Shërbimin e Bundeswehr-it dhe prodhuesi Diehl Defence nënshkruan kontratën me Zvicrën.

Zyra Federale për Armatime (Armasuisse) ka dhënë autoritetin për ta bërë këtë.

Armasuisse deklaron më tej se sistemi i ri do t’i mundësojë popullsisë të mbrohet nga kërcënimet ajrore me rreze të mesme. Prokurimi është pjesë e Iniciativës Evropiane të Mburojës së Qiellit (ESSI) dhe përfaqëson një moment të rëndësishëm për mbrojtjen ajrore të integruar të Zvicrës.

Sipas Armasuisse, me pesë sisteme Iris-T SLM, Forcat e Armatosura Zvicerane po mbyllin një boshllëk kyç në aftësi dhe po forcojnë rezistencën e tyre ndaj kërcënimeve moderne ajrore. Sistemi plotëson prokurimin e avionëve luftarakë F-35A dhe sistemit të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë veprimi Patriot me bazë në tokë.

Imazh i ri gjigant i Saype tani edhe në Vaud

Artisti franko-zviceran Saype ka krijuar një pikturë të re gjigante në majën e Grand Chamossaire mbi Villars-sur-Ollon, në kantonin Vaud

Mësohet se artisti franko-zviceran Saype ka krijuar një pikturë të re gjigante në majën e Grand Chamossaire mbi Villars-sur-Ollon, në kantonin Vaud , përcjell albinfo.ch.

Vepra përshkruan një djalë me një çantë shpine mbi shpatulla.

Për më shumë – https://www.srf.ch/kultur/gesellschaft-religion/kulturnews-in-kurzform-neues-riesenbild-von-saype-in-den-waadtlaender-alpen

Xhaka e bën të qartë dëshirën e tij për skuadrën e re

Futbollisti shqiptar, Granit Xhaka i ka komunikuar klubit të tij aktual, Bayer Leverkusen, se dëshiron të transferohet te Sunderland, raporton gazetari i njohur David Ornstein për The Athletic, përcjell albinfo.ch.

Mesfushori kosovar ka arritur tashmë marrëveshje për kushtet personale me klubin e rikthyer në Ligën Premier dhe është i fokusuar vetëm te kalimi në “Stadium of Light”.

Megjithëse ende nuk ka marrëveshje mes klubeve, negociatat po vazhdojnë dhe Xhaka i ka kërkuar drejtuesve të Leverkusenit që të përshpejtojnë transferimin.

Raportimet për interesimin e Sunderlandit për Xhakën u shfaqën javën e kaluar, por në atë kohë thuhej se klube nga Arabia Saudite ishin gjithashtu në garë për të.

Gjithnjë sipas The Athletic, ofertat saudite ishin më të mëdha financiarisht, si për Leverkusenin ashtu edhe për vetë lojtarin, por dëshira e Xhakës është që të rikthehet në Ligën Premier.

Ai ka ende kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2028, çka i jep klubit gjerman një pozicion të fortë negociues për të përfituar nga shitja e tij.

Granit Xhaka kaloi shtatë sezone te Arsenali nga viti 2016 deri më 2023, përpara se të kalonte te Leverkuseni, ku fitoi titullin e Bundesligës sezonin e kaluar. Një rikthim në Angli do të ishte befasues, por i mirëpritur nga shumë tifozë.