Shqipëria përfshihet nga disa zjarre

Raportohet se 24 orëve të fundit janë evidentuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 13 vatra janë ende aktive dhe 6 vatra janë në monitorim, përcjell albinfo.ch.

247 efektivë të Forcave të Armatosura janë anagazhuar në mision në të gjithë vendin. Janë në gatishmëri 31 mjete të ushtrisë dhe emergjencave civile, shërbimet zjarrëfikëse dhe autoambulanca, 4 helikopterë në gatishmëri për ndërhyrje nga ajri në çdo kohë.

Angazhim i strukturave lokale dhe atyre qendrore në monitorimin e situatës.

Ministria e Mbrojtjes shpreh angazhimin për ndërhyrjet e nevojshme, me prioritet zonat e banuara

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Delvinë, Selenicë, Elbasan, Peqin, Dimal, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec, Tiranë, Fier e Kukës.

Aktualisht mbeten aktive këto vatra zjarri, ku është përqendruar edhe puna e forcave operacionale:

– Qarku Vlorë. Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat. Në perimetrin e djegur ka prezencë të vogël tymi, pasi digjen trungje brenda tij dhe kjo vatër mbahet në monitorim. Sot po vazhdon puna për shuarjen e plotë të zjarrit nga 7 efektivë të MZSH Vlorë dhe 4 forca të pyjores.

– Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, njësia administrative Vergo, bashkia Delvinë, ka vazhduar puna për zjarrin e rënë në kullota. Ditën e djeshme ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 60 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së dhe gjithashtu janë asistuar nga helikopterë të FA-së dhe ata Hungarez.Gjatë operacionit pati djegie Shefi Komisariatit Delvinë, Agim Troci, si dhe 5 persona patën probleme nga asfiksia. Zjarri vazhdon të jetë aktiv dhe janë përshkuar 10 banesa. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

– Mbi fshatin Ploç, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë vazhdon aktiv zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurredhe ndodhet në një vijë të gjatë shtrirje të përhapur në kodrat në afërsi të fshatrave Velc – Ramic – Verbas – Matogjin të njësisë administrative Brataj. Ka prezencë të forcave operacionale, por për shkak të terrenit nuk mund të ndërhyjnë. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

– Qarku Gjirokastër. Zjarri i rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, njësia administrative Cepo, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, për shkak se ishte në lartësi të madhe, forcat operacionale nuk mundën të ndërhyjnë ditën e djeshme dhe e mbajtën situatën në monitorim. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale, pasi zjarri është afruar pranë tunelit të Skërficës.

– Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Zjarri ka përshkuar mbi 350 ha sipërfaqe. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

– Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit . Në terren operuan 16 forca vendore dhe 30 efektivë nga FA, mbështetur edhe nga 2 helikopterët Hungarez H225M. Ditën e sotme zjarri zhvillohet në një perimetër me një shtrirje mbi 13 km, me zhvillime në tre kahe. Në njërin kah po zhvillohet nga Masdeja, ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje. Në njërin kah në vendin e quajtur Qafa e Tolle, ku rrezikohet një banesë, si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe, ku rrezikohen tre banesa. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

– Në fshatin Ulëz, vatra e zjarrit është në monitorim dhe drejt izolimit të plotë. Sot janë angazhuar mbi 15 forca operacionale, të cilat po punojnë që të mos lejohet zhvillimi i zjarrit në vatra të ndezura brenda vatrës.

– Vazhdon aktive, por me zhvillime të pakta, vatra e zjarrit të rënë në Livadhet e Peladhisë, e cila ka kaluar mbi fshatin Krajkë të bashkisë Bulqizë. Zjarri ka përshkuar mbi 40 ha sipërfaqe. Ditën e djeshme janë angazhuar në operacion 16 forca të bashkisë Bulqizë dhe zjarri është mbajtur nën monitorim për të ndaluar përhapjen e mëtejshme. Sot kjo vatër po vendoset nën kontroll nga 10 forca të bashkisë.

– Qarku Elbasan. Nëz onën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë. Në terren u angazhuan rreth 50 forca, ku nga këta 20 janë forca ushtarake të FA-së dhe 30 forca janë të MZSH Elbasan, forca bashkiake dhe forca të pyjores. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

– Qarku Lezhë. Në zonën e Shkopetit. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth. Ditën e djeshme janë angazhuar 39 forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë dhe 50 forca ushtarake të ndihmuar edhe nga 2 helikopterët Hungarez H225M. Nuk ka rrezik për banesat. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

– Qarku Korçë. Në fshatin Dishnicë. Vatra e zjarrit mbetet aktive, por me intensitet të ulët. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

– Zjarri në vendi i quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku është kjo vatër zjarri është i veshur me barishte e shkurre. Në vendngjarje ndodhen forcat operacionale, që po punojnë për neutralizimin e saj

– Vatra në fshatin Strelcë, bashkia Maliq vijon në drejtim të Veriut. Vatrat e tjera janë të neutralizuara dhe po mbahen në monitorim për të mos lejuar riaktivizim.

– Po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Kriçkovë, njësia administrative Proptisht, bashkia Pogradec.

– Qarku Berat. Në fshatin Muzhakë. Terreni është malor, pyll lisi dhe bimësi të dendur dhe vështirëson ndërhyrjen e punonjësve të zjarrfikëses, por situata është nën kontroll.

– Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal. Zjarri është në kufi të dy bashkive Dimal dhe Berat (në fshatin Mbreshtan dhe Galinë). Gjatë natës zjarri ka përparuar në drejtim të fshatrave Mbjeshovë, dhe Bistrovicë. Dje është ndërhyrë edhe me 1 helikopter Hungarez H225M. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

– Në fshatin Zgërbon, bashkia Poliçan po vijon puna për shuarjen e flakëve nga forcat operacionale.

– Qarku Kukës, në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë. Për shkak të terrenit të vështirë dhe largësisë, punonjësit e AdZM-së nuk kanë mundur të izolojnë vatrën e zjarrit. Ditën e sotme janë angazhuar 7 punonjës të AdZM Kukës, për shuarjen e zjarrit.

– Në Malin me Gropa, saktësisht në vendin e quajtur Fusha e Stanëve, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një terren me barishte të buta. Sipërfaqja e djegur e raportuar është më shumë se 10 ha. Sot kjo vatër zjarri vazhdon të jetë aktive dhe po punohet me 30 forca operacionale MZSH dhe 11 forca AdZM.

Në total nga zjarret janë djegur mbi 450 hektarë sipërfaqe me bimësi, rrënjë ullinj e pemë.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 45 automjete zjarrfikëse dhe 485 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 140 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura e 2 helikopterë hungarezë.

Nga parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), sot nuk priten reshje shiu.

Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në të gjitha qarqet. Ndërsa temperaturat maksimale pritet të shkojnë deri në 43 gradë celsius në zonat e ulëta.

Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angahzuara në të gjithë territorin e vendit, në ndjekje të situatës së krijuar nga zjarret. Në këto ditë me temperatura ekstreme, ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast të konstatimit të vatrave të zjarrit.

Kurti bëri homazhe pranë varrit të Heroit, Afrim Bunjaku dhe vizitoi familjen e tij

Në kuadër të aktiviteteve në shënim të Ditës Përkujtimore të Policëve të Rënë në Detyrë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bënë homazhe te varri i rreshterit policor, Heroit të Kosovës, Afrim Bujnaku, në fshatin Samadrexhë, në Vushtrri.

“Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës, por sot ai ka gradën Hero i Kosovës. Grada Hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës dhe një zyrtar i shtetit. Njëkohësisht është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Prandaj, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit, në nderim e në kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit”, u shpreh Kurti.

Pas homazheve, ai së bashku me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe Drejtorin e Policisë u mirëpritën nga familja Bunjaku në shtëpinë e tyre.

Bunjaku ra në krye të detyrës më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, në ballafaqim me grupet paramilitare dhe terroriste të Serbisë, në mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë, sigurisë dhe paqes.

“Lavdi Afrimit dhe gjithë policëve të rënë në detyrë!”, tha Kurti.

Pritje te Dheu i Bardhë, kjo është gjendja në pikat kufitare

Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht përditëson kohën e pritjes nëpër pikat kufitare që lidhin Kosovën me shtetet përreth, përcjell albinfo.ch.

Momentalisht, mërgimtarët po përballen me pritje deri në 1 orë për të hyrë në Kosovë në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.

Ndërkohë, në pikën kufitare të Muçibabës, pritjet arrijnë deri në 40 minuta.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në pikat e tjera kufitare pritjet janë dukshëm më të shkurtra, duke variuar nga 10 deri në 15 minuta.

NZZ shkruan për ambasadorin e Kosovës në Bern, Mentor Latifin

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, ka qenë në fokus të gazetës së njohur zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), një prej mediave më me ndikim në hapësirën gjermanofolëse dhe në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Në një artikull të publikuar së fundmi, NZZ i ka kushtuar vëmendje veçantë ambasadorit Latifi, duke e portretizuar atë si një figurë aktive dhe përfaqësuese të denjë të shtetit të Kosovës në Zvicër. Artikulli trajton rolin e tij diplomatik, angazhimin me diasporën dhe përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Bernës dhe Prishtinës.

Artikulli i plotë:

Zvicerani nga Prishtina, Mentor Latifi u largua si adoleshent nga Ballkani, sot është ambasadori i Kosovës në Bernë.

Mentor Latifi është një ambasador i pazakontë në Zvicër. Ai ka pasaportë zvicerane dhe flet për mrekulli dialektin zviceran të gjermanishtes. Që nga viti 2024 është kthyer në Bernë si ambasadori i katërt i Republikës së Kosovës.

Në murin e zyrës së tij është një fanellë futbolli e kornizuar, e nënshkruar nga Xherdan Shaqiri. Latifi buzëqesh kur i përmendet ylli shumëvjeçar i kombëtares zvicerane. “Ai është një nga ambasadorët më të rëndësishëm të vendit tonë. Ai lidhet me të dy vendet dhe është një talent i madh.” Ashtu si Shaqiri, edhe Latifi u largua si refugjat bashkë me familjen në vitet ’90 për në Zvicër.

Në atë kohë, situata në atdhe ishte përkeqësuar shumë. Serbia dëboi shqiptarët: ata u dëbuan nga pothuajse të gjitha institucionet dhe shkollat u mbyllën. Familja Latifi kërkoi azil në Aargau. “Isha adoleshent dhe për mua ishte jashtëzakonisht e vështirë,” kujton Mentor Latifi. Thotë se kishte lutur prindërit ta linin të kthehej vetëm në shtëpi. Pak më vonë u ul në një shkollë kantonale, ku filloi të mësonte gjermanisht nga e para. Situatën e vendit të tij, 1800 kilometra larg, nuk e kishte harruar kurrë.

Studimet në Bazel

Në atë kohë, babai i tij themeloi degën zvicerane të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia e parë jo-komuniste pas ndryshimeve. Ata organizuan rezistencën paqësore në Kosovë. Shumë të moshuar në mërgatë ende e njohin babanë e tij, thotë Latifi. “Ai asokohe ishte si ambasador, organizonte ngjarje dhe mobilizonte njerëzit për vendin.” Edhe Latifi vetë u lidh shpejt me shqiptarët e Kosovës në Zvicër, jo së paku falë babait.

Në fund të viteve ’90, kur Latifi studionte ekonomi në Bazel, Kosova përjetoi periudhën më të errët të historisë së saj të re. Gati gjysma e popullsisë u dëbua nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Zvicra u përball me një valë të madhe refugjatësh. Latifi punonte gjatë studimeve si përkthyes në qendrën e pranimit në Bazel.

Aty u njoh nga afër me historitë e bashkatdhetarëve: “Për mua, ishte përmbushëse, ndihesha i dobishëm.” Kujton një grua të traumatizuar që i rrëfeu sesi ishte dhunuar. Një prift e kishte ndihmuar të largohej nga vendi. Fati i saj e preku thellë. Por nëpunësja e migracionit nuk u tregua e prekur: “A keni diçka tjetër?”, e kishte pyetur ajo. Kërkesa e saj për azil u pranua më vonë.

Lufta bashkoi popullin e Kosovës në një mënyrë që të tjerët vështirë se mund ta kuptojnë, thotë Latifi. “Po, ishte keq. Por shumë nga ata që sot kthehen pas, shohin edhe anë pozitive.” Solidariteti, vullneti për të mbijetuar, shpresa, ai nuk e humbi kurrë. Gjithmonë besoi se gjithçka do të përfundonte mirë dhe se vendi i tij do të fitonte lirinë.

Kthimi në atdhe

Sot, Latifi sheh shumë paralelizma me Ukrainën. “Ne shqiptarët e Kosovës admirojmë guximin dhe trimërinë e ukrainasve,” thotë ai. Sepse ata e dinë çfarë do të thotë të luftosh për vendin tënd. Për të, është e qartë: Evropa duhet të bëjë më shumë. Ukraina nuk kërkon shumë, thekson ai: “Ata nuk duan ushtarë të huaj që të luftojnë për ta, por vetëm armë që të mbrojnë veten.” Vendi nuk e ka zgjedhur luftën, andaj ka nevojë për një përgjigje të fortë evropiane, ashtu si në vitin 1999 kur ndërhyri NATO për të parandaluar gjenocidin në Kosovë. “Disa diktatorë kuptojnë vetëm gjuhën e forcës,” thekson Latifi.

Në vitin 2003, ai dhe familja morën pasaportën zvicerane. Për të, ishte një hap i natyrshëm, jo kundër Kosovës, por për Zvicrën. ” Nuk mund të mbetesh gjithmonë refugjat,” thotë ai. Gjatë pushimeve, udhëtonte gjithmonë drejt atdheut. Veçanërisht i rëndësishëm për të ishte kryeqyteti, Prishtina. Edhe pse nuk ka qenë kurrë një qytet shumë i bukur, Prishtina ishte gjithmonë plot energji. Zvicra funksionon ndryshe: “Aty njerëzit kanë kohë të ndërtojnë gjithçka në mënyrë perfekte, në detaje të vogla, si me copa lego. Kosova është improvizim, pas së cilës qëndron vullneti i secilit për të ecur përpara.” 

Latifi shfrytëzonte çdo verë për të udhëtuar drejt Kosovës. Pikërisht atje u njoh dhe u dashurua me gruan e tij të sotme. Pa u menduar gjatë, dha dorëheqje nga banesa dhe puna në Bazel, dhe u shpërngul në Prishtinë. Fillimisht punoi për një bankë kosovare, pastaj për Roche Kosova që sapo ishte themeluar. ” Çdo migrant mendon një ditë të kthehet në atdhe. Për mua, ai moment erdhi kur u dashurova me gruan time.” Që ai nuk deshi të ndërtonte karrierë në Zvicër, asnjëherë nuk u kuptua nga të tjerët, as nga rrethi i tij privat. Pozicioni në Roche në Prishtinë ishte fat i madh për të. “Dy botët e mia u bashkuan.” Zvicra ishte kthyer në destinacion pushimesh dhe dukej se do të mbetej e tillë.

Gati dy dekada më vonë, Latifi ishte ulur për kafe me një të njohur, i cili punonte në zyrën e presidentes dhe kërkonte pasardhës për postin e ambasadorit në Bernë. Për të, Latifi ishte kandidati ideal. Por Latifi hezitonte. “Nuk isha i sigurt nëse doja të merrja këtë përgjegjësi. Isha i lumtur me jetën time.” Ndërkohë kishte tre vajza dhe kujtonte mirë mallin për atdheun kur ishte adoleshent. Por familja ra dakord dhe ata zhvendosën qendrën e jetës së tyre për katër vjet në Bernë.

Vizita e parë shtetërore zyrtare

Si ambasador, ai e sheh detyrën kryesore të tij që ta bëjë Kosovën tërheqëse për kompanitë zvicerane si vend prodhimi. Që nga janari, ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra. Latifi mbështetet edhe në një rrjet të gjerë: shqiptarët e Kosovës menaxhojnë mbi 6000 ndërmarrje në Zvicër. Në tërësi, diaspora është një shtyllë e rëndësishme për këtë shtet të vogël të Ballkanit, i cili shpalli pavarësinë në vitin 2008. “Kam mbi 200,000 bashkëatdhetarë këtu, të interesuar të bëjnë diçka për vendin e tyre.”

Në maj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, u prit për herë të parë në një vizitë shtetërore në Zvicër. Një akt simbolik me peshë të madhe, thekson Latifi. “Diaspora u mblodh në Bundesplatz. Të gjithë i falënderuan presidentes federale Karin Keller-Sutter për mundësinë që iu dha.” Lidhja mes dy kombeve ndihet edhe në Kosovë: “Tani, kur dikush martohet atje, shpesh ka edhe zviceranë që marrin pjesë.”

Për pushimet verore, Latifi gjithmonë kthehet me familjen në Ballkan. Pas katër vjetësh në postin e ambasadorit në Bernë, është i bindur: ” E shoh veten që sërish do të kthehem në Kosovë.” 

https://www.nzz.ch/schweiz/der-schweizer-aus-pristina-wie-aus-einem-balkan-fluechtling-der-kosovarische-botschafter-wurde-ld.1893025?fbclid=IwQ0xDSwLxbuJleHRuA2FlbQIxMQABHrFfjndxqxUUGOfn8yq5cueKjejB6-8I8mBtkTLQiwBdfOEJJgG004DWKl99_aem_zGWigCq6ONc9g0twp3AW2Q

 

Kujdes bashkatdhetarë: Shkeljet në trafik në Kosovë mund t’ju kushtojnë edhe në Zvicër

Policia e Kosovës ka nisur të aplikojë masa më rigoroze për mërgimtarët që shkelin rregullat e trafikut rrugor gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje, shkruan albinfo.ch.

Çdo kundërvajtje në trafik nga automjete me targa të Zvicrës, të identifikuara me numër serik, nuk do të mbetet vetëm brenda territorit të Kosovës. Nëse bëhet fjalë për shkelje të rëndë, do të njoftohen autoritetet zvicerane për veprime të tilla të rrezikshme.

“Çdo veprim jo normal në komunikacion, që konsiderohet jashtë çdo rregulle, do t’i raportohet edhe organeve policore të trafikut në Zvicër”.

Kjo praktikë bazohet në një marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe Zvicrës, e cila parasheh bashkëpunim në trajtimin e kundërvajtjeve nga shtetasit e secilit vend, pavarësisht se ku janë kryer shkeljet.

Në secilin rast, çdo shkelje e rëndë në komunikacion, dokumentacioni i plotë, përfshirë gjobën, fotot dhe videot, i përcillen autoriteteve zvicerane për ndëshkim të mëtejshëm.

Ky veprim synon të ndalë sjelljet e rrezikshme në trafik, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur shumë mërgimtarë kthehen në Kosovë me vetura të regjistruara në shtete të tjera.

Rasti i fundit që shkaktoi bujë: Vetura me targa zvicerane vozit në trotuar

Një rast i tillë ndodhi së fundmi në një qytet të Kosovës, ku një veturë Audi A6 me targa të Zvicrës u kap duke tejkaluar kolonën dhe duke vozitur në trotuar një veprim që u filmua nga qytetarët dhe u publikua në rrjetet sociale.

Mediumi zviceran Blick.ch e raportoi rastin si “një manovër të rrezikshme nga një Audi me targa zvicerane që po shkakton bujë në Kosovë”.

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia e Kosovës lëshoi këtë deklaratë zyrtare:

“Ky veprim është dokumentuar edhe përmes pamjeve (videos) të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale, të cilët kanë xhiruar momentin e tejkalimit. Njësiti rajonal i komunikacionit rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke identifikuar vozitësin ndaj të cilit ka shqiptuar gjobë, sipas legjislacionit në fuqi.”

Më tej, Policia thekson se:

“Duke u bazuar në marrëveshjen ndërmjet Shtetit të Kosovës dhe Shtetit Zviceran, lidhur me bashkëpunimin për trajtimin e kundërvajtjeve të kryera nga shtetasit e secilit shtet në territorin e tjetrit, gjoba e shqiptuar do t’i përcillet autoriteteve përkatëse zvicerane për trajtim të mëtejmë.”

Ky është një paralajmërim serioz për të gjithë bashkatdhetarët, që t’i përmbahen rregullave të qarkullimit në Kosovë, pasi pasojat e shkeljeve mund të ndihen edhe në vendet ku jetojnë dhe punojnë. /Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/p/19SfSnPaQJ/?mibextid=wwXIfr

 

Kosovë: Mërgimtari që voziti trotuarit bëhet viral edhe në Zvicër

Një manovër e rrezikshme nga një veturë me targa zvicerane po shkakton reagime të shumta në Kosovë dhe Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Rasti është raportuar fillimisht nga një qytetar kosovar, ku përmes një videoje të publikuar, shihet një veturë e tipit Audi, e cila, në vend që të ndalojë në kolonë, del nga rruga dhe ecën mbi trotuar, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e këmbësorëve.

Ngjarja ka ndodhur në një qytet të Kosovës, ndërsa shoferi dyshohet të jetë një mërgimtar nga Zvicra.

Lajmi është pasqyruar edhe nga mediumi zviceran Blick.ch, i cili e përshkruan këtë veprim si “një manovër të rrezikshme nga një Audi me targa zvicerane që po shkakton bujë në Kosovë:.

Pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke ngjallur debat për sjelljen e shoferëve dhe rrezikun që paraqesin veprime të tilla në rrugët publike.

Ndërkohë për rastin ka reaguar zyrtarisht Policia e Kosovës, duke konfirmuar se është identifikuar shoferi dhe është ndërmarrë masa ndaj tij.

“Njësiti rajonal i komunikacionit rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke identifikuar vozitësin, ndaj të cilit ka shqiptuar gjobë, sipas legjislacionit në fuqi,”  thuhet në njoftimin e policisë.

Policia sqaroi se pamjet e publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjete sociale ndihmuan në dokumentimin e shkeljes.

Autoritetet kosovare kanë njoftuar edhe shtetin e Zvicrës për këtë kundërvajtje.

“Duke u bazuar në marrëveshjen ndërmjet Shtetit të Kosovës dhe Shtetit Zviceran, lidhur me bashkëpunimin për trajtimin e kundërvajtjeve të kryera nga shtetasit e secilit shtet në territorin e tjetrit, gjoba e shqiptuar do t’i përcillet autoriteteve përkatëse zvicerane për trajtim të mëtejmë,” njoftoi Policia e Kosovës.

Rasti ka nxitur reagime për kulturën e vozitjes gjatë sezonit të verës, kur shumë bashkatdhetarë vizitojnë Kosovën. Përfaqësues të sigurisë rrugore kanë theksuar nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rrezikun që sjellin sjelljet e papërgjegjshme në trafik. /Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/p/19SfSnPaQJ/?mibextid=wwXIfr

 

DokuNights 2025 shpalos programin e plotë

Për edicionin e 24-të, DokuNights rikthehet jo vetëm si program muzikor, por si një përvojë e pandashme e DokuFest-it,  një ritëm që pulson përtej natës, përtej muzikës.

Çdo mbrëmje në skenën Sonar, në kalanë e Prizrenit, shndërrohet në një udhëtim mes gurëve të lashtë dhe tingujve modernë, duke shënuar një magji të përbashkët që zgjat deri në lindje të diellit, transmeton albinfo.ch.

Kuruar nga Nita Deda dhe Leart Rama, programi i këtij viti përfshin një spektër të gjerë artistësh  nga këngë ceremoniale shekullore, te tinguj bashkëkohorë që shtyjnë kufijtë e muzikës dhe ndjesisë.

Mes artistëve të ftuar janë Byron Yeates, dyshja australiane IN2STELLAR, kuarteti ukrainas Dakha Brakha, dhe emra të tjerë të skenës ndërkombëtare si Cinna Peyghamy, YAAND, urbau dhe upsammy me performancën e saj audio-vizuale “Strange Meridians”.

Në skenë ngjiten edhe artistë vendorë që e ndriçojnë kalanë me shpirtin e vendit: Ylli Limani me balada që bashkojnë brezat, Shkodra Elektronike me tingujt retro-futuristë të këngëve tradicionale, si dhe një rikthim i veçantë nga Ibadet Ramadani, që prezanton albumin e saj të ri në vendlindje.

Festivali kulmon me performancën e Orkestrës së Beratit, që sjell tingujt e pasur të muzikës tradicionale shqiptare, ndërsa nata vazhdon me një festë të pafund në kalanë e Prizrenit për të shënuar 10-vjetorin e Sound Metaphors dhe mbylljen e DokuFest 2025 me një udhëtim muzikor nga Sleep D dhe i vetmi Genc Elezaj.

Tri shtigje, një destinacion. Një andërr kolektive që na bashkon çdo natë, deri sa dritat të ndizen sërish për edicionin e 25-të.

Doni në garë për çmimin prestigjioz “XY” nga Qeveria gjermane për trimëri qytetare

Mësohet se Doni Merovci është nominuar për çmimin prestigjioz “XY-Preis”, një çmim që ndahet nga Qeveria Gjermane për trimëri qytetare dhe shpëtim jete, transmeton albinfo.ch.

Veprimi i tij i guximshëm është filmuar dhe do të transmetohet në emisionin e njohur gjerman “Aktenzeichen XY… ungelöst”, më 30 korrik 2025, në ora 20:15, në kanalin ZDF.

Për më shumë detaje: https://www.cnv-medien.de/stadt-cuxhaven/doni-merovci-verhindert-in-cuxhaven-eine-messerattacke.html  

 

Gzim Hasani, në mesin 20 CEO-ve më me ndikim në Zvicër sipas Handelszeitung

Gzim Hasani, CEO i smzh ag, është përzgjedhur në mesin e 20 CEO-ve më të rëndësishëm në Zvicër, në edicionin special të Handelszeitung “20 CEOs. 20 Meinungen. Ein gemeinsames Ziel: Verantwortung übernehmen”.

Në këtë botim prestigjioz janë përfshirë edhe disa nga figurat më të rëndësishme të ekonomisë zvicerane, si: Christoph Aeschlimann, CEO i Swisscom, Urs Baumann, CEO i Zürcher Kantonalbank, Mathias Imbach, CEO i Sygnum Bank, Andrea Rytz, CEO i Schulthess Klinik, Bettina Junker, drejtoreshë e Unicef Zvicër & Lihtenshtajn

Në mesazhin e tij, Hasani thekson se pavarësia e vërtetë në këshillimin e pasurisë arrihet vetëm kur zgjidhjet janë po aq individuale sa vetë njerëzit që i kërkojnë ato.

Ky vlerësim e pozicionon Gzim Hasanin dhe smzh ag si shembull të lidershipit modern në sektorin e këshillimit financiar në Zvicër, duke i dhënë zë nevojës për vizion, përgjegjësi dhe guxim për të ndjekur rrugë të reja dhe sfiduese.

Edicionin sspecial të Handelszeitung mund ta shfletoni në vijim:

Përditësohen të dhënat, kaq po presin mërgimtarët për të hyrë në Kosovë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se pritjet më të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë vijojnë deri në 15 minuta,  ndërkohë që në shumicen e pikave pritjet jane 5-10 minuta, shkruan albinfo.ch.

Me rritjen e ardhjeve të mërgimtarëve, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi, për të shmangur pritjet e gjata gjatë ditëve në vijim.

Kujdes me suveniret e pushimeve, çantat e falsifikuara ndalohen në Zvicër

Udhëtarët që kthehen në Zvicër me suvenire nga vendet e pushimeve duhet të jenë të kujdesshëm. Një çantë e falsifikuar, edhe nëse blihet vetëm për përdorim personal, nuk lejohet të futet në territorin zviceran, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Ky është paralajmërimi që vjen nga autoritetet doganore dhe ekspertët ligjorë, të cilët rikujtojnë se shkelja e ligjeve për pronësinë intelektuale mund të sjellë pasoja serioze.

Sipas doganës zvicerane, çdo produkt që bie ndesh me të drejtat e markës ose të dizajnit, qoftë çantë, orë apo veshje me logo të markave të njohura, mund të konfiskohet menjëherë dhe të shkatërrohet, pavarësisht nëse është blerë për shitje apo për vete.

“Shumë qytetarë mendojnë se, nëse e sjellin për përdorim personal, nuk ka problem, por ligji është i qartë: produktet e falsifikuara janë të ndaluara në çdo rast,” deklarojnë autoritetet zvicerane.

Për më tepër, nëse dogana dyshon për një produkt të falsifikuar, ajo ka të drejtë të njoftojë kompaninë që mban të drejtën e markës. Kjo kompani mund të kërkojë dëmshpërblim financiar, i cili në disa raste arrin qindra apo mijëra franga zvicerane. Ndaj, individi rrezikon jo vetëm konfiskimin e sendit, por edhe një faturë të majme ligjore.

Nëse qytetari beson se produkti është origjinal, ai mund të paraqesë ankesë brenda 10 ditëve, por procedura mund të jetë e kushtueshme dhe pa garanci për sukses, transmeton albinfo.ch.

Gjermania, Franca dhe Britania bëjnë thirrje për ndihmë humanitare në Gaza

Udhëheqësit e tre fuqive evropiane, Emmanuel Macron, Keir Starmer dhe Friedrich Merz, i kanë bërë thirrje Izraelit të lejojë kalimin e ndihmave humanitare në Gaza, duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm për të shmangur një krizë të thellë humanitare, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Pas një telefonate të përbashkët, ata paralajmëruan për “katastrofën humanitare” në zonë dhe shprehën gatishmërinë për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm politikë dhe diplomatikë, pa dhënë detaje për veprimet konkrete.

Ndërkohë, njoftimi i Presidentit francez për njohjen e një shteti palestinez ka nxitur debat mes vendeve të E3, ku Franca shfaqet më e vendosur, ndërsa Gjermania dhe Britania ende nuk e kanë përqafuar këtë hap zyrtar.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një grup prej 221 deputetësh ka nënshkruar një letër që kërkon njohjen e shtetit palestinez, transmeton albinfo.ch.

Meta ndalon reklamat politike në BE nga tetori

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Meta, njoftoi të premten se do të ndalojë reklamat politike në platformat e saj, përfshirë Facebook dhe Instagram, në gjithë Bashkimin Evropian duke filluar nga tetori 2025, për shkak të rregullave të reja që kompania i cilëson si “jopraktike”, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

“Ky është një vendim i vështirë,” tha Meta në një deklaratë, duke theksuar se ndalimi përfshin reklamat politike, zgjedhore dhe të çështjeve sociale. Kompania e Mark Zuckerberg shprehet se rregullorja evropiane për Transparencën dhe Synimin e Reklamimit Politik (TTPA) sjell “sfida të rëndësishme operacionale” dhe “pasiguri ligjore” që e bëjnë të pamundur zbatimin.

Ligji i ri i BE-së, i miratuar në vitin 2024 dhe që hyn plotësisht në fuqi në tetor 2025, synon të rrisë transparencën në reklamat politike dhe të mbrojë proceset zgjedhore nga ndërhyrjet e huaja. Ai kërkon që platformat të tregojnë qartë se cilat janë reklama politike, kush qëndron pas tyre dhe si janë synuar përdoruesit. Ndalohet gjithashtu profilizimi i votuesve bazuar në të dhëna personale si etnia, feja apo orientimi seksual, dhe ndalohet përdorimi i të dhënave të të miturve, transmeton albinfo.ch.

Meta kujtoi se nuk është kompania e parë që ndalon reklamat politike në BE. Google e bëri këtë në fund të vitit 2024.

Në deklaratën e saj, Meta shton se vendimi është i kufizuar vetëm për BE-në dhe nuk prek praktikat në vendet e tjera. “Vazhdojmë të besojmë se reklamat politike online janë një element thelbësor i politikës moderne,” thuhet më tej.

Rregullorja TTPA u hartua si reagim ndaj skandalit të vitit 2018 me kompaninë britanike Cambridge Analytica, që përvetësoi të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook-ut për fushata politike, përfshirë zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe referendumin për Brexit, transmeton albinfo.ch.

Pronarja e vetme e Liqenit Mondsee në Austri ndërpret kontratat e qirasë

Liqeni Mondsee, një prej perlave natyrore në rajonin Salzkammergut, është pronë private e një gruaje të vetme, Anna Matyl, e cila ka vendosur të ndërpresë të gjitha kontratat ekzistuese të qirasë në liqen. Kjo ka prekur më shumë se 150 shalë, si dhe qindra skela dhe kasolle për varka të ankoruara në liqen, duke shkaktuar shqetësim te qiramarrësit, shkruan Oberösterreichische Nachrichten, transmeton albinfo.ch.

Të prekurit janë njoftuar me postë të regjistruar, ku Matyl shpjegon se ka përdorur një të drejtë statutore për ndërprerjen e kontratave dhe kërkon të menaxhojë liqenin në mënyrë të qëndrueshme në të ardhmen. Ajo ndalon përdorimin pa leje të liqenit për qëllime private apo komerciale dhe ofron mundësinë e negociatave për kontrata të reja përmes Administratës së Liqenit Mondsee.

Anna Matyl është trashëgimtarja e pronës që i përkiste familjes së saj që nga viti 1809, kur Napoleon Bonaparti ia dhuroi ish-Manastirin Mondsee dhe liqenin Marshallit bavarez Carl Philipp von Wrede. Familja ka zotëruar këtë pronë që atëherë, ndërsa titujt fisnikë janë ndaluar në Austri pas vitit 1918, transmeton albinfo.ch.

Sipas kryetarit të bashkisë, Josef Wendtner, numri i përgjithshëm i qirave të prekura është në nivele treshifrore. Në rast të mosmarrëveshjeve, shalët dhe strukturat e ankorimit mund të detyrohen të hiqen nga liqeni.

Çmimet e qirasë në Mondsee deri më tani kanë qenë dukshëm më të ulëta se në liqene të tjera të ngjashme, si Wolfgangsee, ku për një shalë paguhen rreth 486 euro në vit, ndërsa në Mondsee rreth një e katërta e kësaj shume. Pritet që çmimet të rriten pas rregullimeve të reja.

Në lidhje me aksesin publik, noti dhe lundrimi mbeten të lejuara sipas ligjit. Gjithsesi, mënyra dhe niveli i rritjes së çmimeve të qirasë mbetet i paqartë, pasi pronarja nuk ka dhënë ende komente të detajuara, duke qenë aktualisht në pushime, transmeton albinfo.ch.

Finlanda përjeton valën më të gjatë të të nxehtit në më shumë se 50 vjet

Finlanda po përballet me një valë të pazakontë të të nxehtit, duke regjistruar temperatura mbi 30 gradë Celsius për 14 ditë rresht, periudha më e gjatë e tillë që nga fillimi i matjeve zyrtare në vitin 1961, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Instituti Meteorologjik Finlandez bëri të ditur të premten se temperatura arriti në 30.3°C në komunën e Parikkalës, në pjesën lindore të vendit, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 1972, kur vala e të nxehtit kishte zgjatur 13 ditë.

“Kjo është periudha më e gjatë me temperatura mbi 30 gradë në historinë e regjistrimeve,” thuhet në një postim të institutit në platformën X.

Meteorologët e përshkruajnë këtë si një valë “jashtëzakonisht të gjatë” të të nxehtit për një vend nordik, i cili tradicionalisht karakterizohet nga verëra të freskëta.

Eksperti i klimës Ville Siiskonen nga Instituti Meteorologjik paralajmëroi se vala aktuale është në përputhje me pritjet për shkak të ngrohjes globale. “Valët e të nxehtit do të zgjasin më shumë dhe do të jenë më të shpeshta në të ardhmen,” tha ai për agjencinë franceze të lajmeve AFP, duke shtuar se kërkohen analiza të mëtejshme për të përcaktuar shkaqet specifike të kësaj vale të tanishme, transmeton albinfo.ch.

Rritje drastike e qirave pas rinovimeve në Lucernë

Një rast i fundit në qytetin e Lucernës ka ngjallur reagime lidhur me rritjen e ndjeshme të qirave pas rinovimeve të ndërtesave. Në një objekt banimi të njohur si “Pallati Cervelat”, pranë stacionit të trenit të Lucernës, qiraja për një apartament me 3.5 dhoma është rritur nga 1,400 në 2,600 franga zvicerane në muaj, pas një rinovimi të plotë. Rritja prej 80 për qind është bërë e ditur nga gazeta Luzerner Zeitung, transmeton albinfo.ch.

Kjo rritje e ndjeshme vjen në një kohë kur qiratë në Zvicër kanë shënuar rritje më të madhe në vitin 2024 sesa në vitet e mëparshme, veçanërisht në kantonet qendrore si Schwyz, Nidwalden dhe Lucern.

Mario Stübi, president i Shoqatës së Qiramarrësve të Lucernës, Urit, Obwalden dhe Nidwalden, ka reaguar duke e quajtur rritjen e çmimit “të çmendur”. Sipas tij, ky është vetëm një shembull i tendencës që po dominon tregun e banesave në Zvicër, ku pronat po trajtohen gjithnjë e më shumë si investime financiare, duke shtyrë qiratë në nivele të papërballueshme.

“Rekomandojmë që qiramarrësit që përballen me rritje të ngjashme të çmimeve të kontaktojnë bordin e arbitrazhit,” ka thënë Stübi. Ky organ shtetëror shqyrton nëse rritjet e qirave janë të ligjshme dhe ndërmjetëson mes palëve në raste të kontestuara, shkruan SRF.

Nga ana tjetër, Fondacioni i Investimeve i Zurichut, i cili zotëron 40 apartamentet në ndërtesën e përmendur, ka deklaruar se rritja e qirasë është e justifikuar. Sipas tyre, pas rinovimeve të plota sipas standardeve ekologjike Minergie, përmirësimeve strukturore për mbrojtje ndaj tërmeteve dhe instalimit të një sistemi fotovoltaik, çmimet e reja janë në përputhje me qiratë mbizotëruese në zonë dhe për këtë arsye janë të ligjshme, transmeton albinfo.ch.

“Swiyu”, emri që kushtoi 62 mijë franga, për ҫfarë bëhet fjalë?

“Swiyu”, një emër që tingëllon si pija koreane “Soju”, por në të vërtetë është aplikacioni i ri për identitetin elektronik (e-ID) të Zvicrës. Ai synon ta bëjë identifikimin digjital më të thjeshtë dhe më të shpejtë për qytetarët, me vetëm një klikim në celular. Megjithatë, pas këtij emri fshihet një histori e gjatë zhvillimi dhe një faturë e majme për taksapaguesit, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Sipas një hetimi të mediave zvicerane, qeveria federale ka shpenzuar 62,300 franga zvicerane për procesin e emërtimit të aplikacionit, duke përfshirë angazhimin e dy shkrimtarëve tekstesh dhe një agjencie të specializuar në markim nga Këlni, Gjermani. Nga mbi 150 emra të propozuar gjatë viteve 2023 dhe 2024, “Swiyu” u përzgjodh në një listë të ngushtë prej tre alternativash dhe përfundimisht u shpall fitues.

Zyra Federale e Drejtësisë ka dokumentuar se emri duhej të ishte miqësor, i drejtpërdrejtë, energjik, gjithëpërfshirës, bindës dhe i besueshëm, si dhe të ngjallte ndjesinë e një “Zvicre të bashkuar” apo të “suitës tuaj dixhitale zvicerane”. Për më tepër, ai duhej të ishte i shqiptueshëm dhe kuptimplotë në të gjitha katër gjuhët kombëtare.

Projekti për identitetin elektronik vjen pas një përpjekjeje të mëparshme të dështuar. Në vitin 2021, votuesit zviceranë e refuzuan e-ID-në pasi ajo do të lëshohej nga kompani private. Këtë herë, e-ID do të jetë publike, e lëshuar dhe e administruar nga vetë qeveria federale, transmeton albinfo.ch.

Qëllimi kryesor është thjeshtimi i proceseve online, si verifikimi i moshës për blerje alkooli, aplikime për dokumente apo qasje në të dhëna kriminale në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar. Përdorimi do të jetë vullnetar.

Megjithëse projekti ka marrë mbështetjen e shumicës së Parlamentit dhe Këshillit Federal, kundërshtimi nuk ka munguar. Një koalicion mes Partisë Pirate dhe SVP-së së re ka iniciuar një referendum kundër ligjit të ri për e-ID. Prandaj, më 28 shtator 2025, qytetarët zviceranë do të kenë mundësinë të vendosin përfundimisht për të ardhmen e këtij projekti, transmeton albinfo.ch.

Fëmijët e vegjël në Zvicër shikojnë në ekrane 20 minuta në ditë

Edhe pse fëmijët zviceranë nën dy vjeç kalojnë mesatarisht 20 minuta në ditë para ekranit, ekspertët nuk e shohin këtë si shqetësim, nëse përdorimi është nën mbikëqyrje dhe përmbajtja është e përshtatshme, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Laurent Sedano, studiues në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Zyrih dhe ekspert i mediave digjitale për fëmijë, thekson se nuk është vetëm kohëzgjatja që ka rëndësi, por cilësia dhe konteksti i përmbajtjes.

“A është përmbajtja e përshtatshme për moshën? A është fëmija nën mbikëqyrje? A ka kuptim në përditshmërinë e tij? Nëse këto janë të përmbushura, 20 minuta para ekranit nuk janë shqetësuese,” thotë ai.

Sipas tij, dëgjimi i tregimeve audio apo muzikës është edhe më i favorshëm për zhvillimin e fëmijëve, në krahasim me shikimin pasiv të videove të shpejta.

Një studim i fundit tregon se 45 përqind e prindërve lejojnë përmbajtje audiovizuale për fëmijët e tyre dhe se 55 përqind lejojnë dëgjimin e muzikës, radios apo tregimeve audio.

Autorët e studimit arrijnë në përfundimin se prindërit zviceranë, në përgjithësi, veprojnë me intuitë të mirë dhe përdorimi i mediave nga fëmijët është në kufij të moderuar dhe të përshtatshëm për moshën, transmeton albinfo.ch.

Stuhitë rikthehen në Zvicër këtë fundjavë

Një mot i ashpër pritet të përfshijë Zvicrën gjatë fundjavës, duke detyruar autoritetet meteorologjike të lëshojnë paralajmërime të nivelit të lartë për disa rajone të vendit, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Sipas MeteoSwiss dhe shërbimeve të tjera meteorologjike, vendi do të përballet me stuhira intensive, reshje të dendura, erëra të forta dhe mundësi për breshër.

Paralajmërimet për mot të keq vlejnë kryesisht për zonat perëndimore dhe qendrore të Zvicrës, përfshirë Gjenevën, Neuchâtel-in, Biel/Bienne, Fribourg-un, Luzernin dhe pjesë të Bernës. Në disa prej këtyre rajoneve, alarmi është ngritur në nivel portokalli e madje edhe të kuq, që do të thotë rrezik i konsiderueshëm për përmbytje dhe rrëshqitje dheu.

Sipas autoriteteve, rreziku më i madh pritet gjatë pasdites dhe në orët e mbrëmjes, kur stuhitë e forta do të shoqërohen me reshje të rrëmbyeshme dhe mund të shkaktojnë dëme në infrastrukturë, përfshirë përmbytje lokale, bllokim rrugësh dhe vonesa në trafikun rrugor e hekurudhor.

Qytetarët këshillohen të ndjekin me kujdes përditësimet e motit, të shmangin udhëtimet e panevojshme në zonat më të prekura dhe të qëndrojnë larg pemëve të larta dhe lumenjve. Rekomandohet gjithashtu që automjetet të mos parkohen në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të breshërit.

Shërbimet emergjente janë vënë në gatishmëri dhe autoritetet lokale kanë kërkuar nga qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat alpine dhe ato me terren të ndjeshëm ndaj rrëshqitjeve, transmeton albinfo.ch.

Ndërprerje e trafikut hekurudhor midis Cyrihut dhe Aaraut

Trafiku hekurudhor midis Spreitenbach dhe Mägenwil në kantonin Aargau është ndërprerë të premten në mbrëmje për shkak të një aksidenti personal, ka njoftuar kompania hekurudhore SBB, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ka ndikuar ndjeshëm në linjat lindje-perëndim që lidhin Aarau me Stacionin Qendror të Cyrihut, duke shkaktuar vonesa, anulime dhe devijime në itineraret e shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sipas njoftimit zyrtar të SBB, në mesin e linjave të prekura janë edhe trenat Intercity, Interregio, si dhe TGV për në Paris. Autoritetet hekurudhore presin që ndërprerja të zgjasë deri rreth orës 22:00, ndërkohë që ekipet janë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të rikthyer qarkullimin normal sa më parë, transmeton albinfo.ch.

Kosovë: Klina dhe Han i Elezit thyejnë rekordet me mbi 42 gradë

E premtja ka shënuar një ditë përvëluese për Kosovën, me temperatura ekstreme që kanë kapur nivele rekorde në disa qytete të vendit. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se vala e të nxehtit ka përfshirë gjithë territorin, duke sjellë temperatura të paprecedenta, raporton albinfo.ch.

Sipas IHMK-së, Klinë ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë të matur në këtë komunë, plot 42.5 gradë Celsius, ndërsa Hani i Elezit ka ndjekur me 41.1 gradë Celsius, po ashtu një rekord për qytetin kufitar.

Pas këtyre dy komunave, më të nxehtat kanë qenë: Gjakova me 40.7 gradë Celsius, Suhareka me 40.4 gradë, Prizreni me 40.3 gradë dhe Rahoveci me 40.2 gradë Celsius.

Në pjesën tjetër të Kosovës, temperaturat kanë kaluar 37 gradë Celsius, duke krijuar kushte të vështira për qytetarët, veçanërisht në orët e mesditës dhe pasdites.

Ekspertët e IHMK-së paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të vazhdojë edhe në ditët në vijim dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet gjatë pikës maksimale të ditës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje, raporton albinfo.ch.

Ambasada zvicerane në Shqipëri feston Ditën Kombëtare të Zvicrës

Ambasadorja zvicerane Ruth Huber mirëpriti të ftuarit për festimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, disa ditë para datës zyrtare të 1 gushtit.

Përfaqësues nga komuniteti diplomatik, qeveria dhe bashkitë, si dhe shoqëria civile dhe media iu bashkuan pritjes në Rezidencën Zvicerane. Këtë vit eventi përfshinte një performancë në alphorn,  një instrument tradicional zviceran, degustimin e raclette-s dhe ëmbëlsirave zvicerane të ofruara nga Shkolla e Hotelerisë dhe Turizmit në Tiranë, e mbështetur nga Shkolla e Hotelerisë EHL e Lozanës.

Ambasadorja Huber theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis Zvicrës dhe Shqipërisë, të cilat këtë vit shënojnë 55 vjet.

“Zvicra ka qenë dhe do të mbetet një partner i palëkundur në udhëtimin e Shqipërisë drejt zhvillimit. Edhe pse financimi nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC do të përfundojë gradualisht brenda pak vitesh, programi i bashkëpunimit zviceran, me financim nga SECO, Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike, do të vazhdojë në fushën e zhvillimit ekonomik”, tha Ambasadorja Huber.

“Këto aktivitete synojnë të promovojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në më shumë vende pune dhe në një shoqëri të begatë. Fushat e mbështetura përfshijnë promovimin e financave publike të besueshme dhe tregjeve financiare të qëndrueshme për të rritur qëndrueshmërinë dhe konfidencën ekonomike”, vazhdoi Ambasadori Huber.

Gjatë vitit të kaluar, Presidentja Zvicerane Karin Keller-Sutter, si dhe ish-Presidenti Zviceran Alain Berset, kanë vizituar Shqipërinë me rastin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian dhe aktiviteteve të tjera. “Shpresojmë të ndërtojmë mbi këto lidhje të forta me vizita të mëtejshme dypalëshe”, tha Ambasadorja Huber.

Zvicra feston ditën e saj kombëtare më 1 gusht, një datë që shënon paktin e Rütlit në gusht të vitit 1291, kur tre kantone zvicerane krijuan për herë të parë atë që më vonë do të bëhej Konfederata Zvicerane.