Sveçla kërkon nga IPK-ja të jetë edhe më e vendosur në “pastrimin” e Policisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me arrestimin e në koloneli të Policisë së Kosovë në Prizren, përcjell albinfo.ch.

Ai ka thënë se “kriminelët nuk kanë vend në radhët e Policisë”.

“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla ka thënë se mbështetë dhe insiston në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend.

“Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë dhe në asnjë rrethanë çerdhe banimi e mburojë e veprimtarive kriminale”, ka shkruar tutje ai.

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar katër persona, në mesin e tyre një kolonel Policie, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi.

E përditshmja suedeze: Dua Lipa i bën jehonë Kosovës

Gazeta prestigjioze suedeze “Svenska Dagbladet”, një nga të përditshmet më të njohura në Skandinavi, i ka kushtuar një artikull këngëtares me famë botërore Dua Lipa, duke vënë në fokus marrjen e nënshtetësisë së Kosovës dhe angazhimin e saj për vendin e origjinës, transmeton albinfo.ch.

Artikulli e portretizon Dua Lipën si një figurë që mishëron krenarinë e Kosovës, jo vetëm për suksesin ndërkombëtar në muzikë, por edhe për kontributin e saj të vazhdueshëm përmes fondacionit “Sunny Hill”, i cili synon të fuqizojë të rinjtë dhe të promovojë artin dhe kulturën në Kosovë.

“Dua Lipa është më shumë se një yll i muzikës pop, ajo është një ambasadore kulturore e një vendi të vogël me zemër të madhe”, thekson gazeta, duke nënvizuar ndikimin që ajo ka në përforcimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Përmes festivalit Sunny Hill, që mbahet në Prishtinë, këngëtarja ka sjellë artistë ndërkombëtarë në zemër të Ballkanit, duke e kthyer Kosovën në një pikë takimi për artin, rininë dhe kreativitetin.

https://www.facebook.com/share/p/16UcXzAK9c/?mibextid=wwXIfr

Festa shqiptare ngjall gjallëri në zemër të Gjenevës

Një mbrëmje e mbushur me emocione, ritme e krenari kulturore shqiptare u zhvillua në selinë e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), në kuadër të Asamblesë së 66-të të Përgjithshme të kësaj organizate, transmeton albinfo.ch.

Shqipëria u prezantua me një ekspozitë zyrtare dhe një program të pasur artistik, duke sjellë frymën dhe trashëgiminë e saj të veçantë kulturore përballë një audience ndërkombëtare.

Në qendër të kësaj mbrëmjeje qëndroi Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili mahniti të pranishmit me një performancë autentike të muzikës dhe valleve tradicionale shqiptare.

Ritmet e gjalla dhe kostumet shumëngjyrëshe krijuan një atmosferë festive, duke promovuar jo vetëm artin shqiptar, por edhe vlerat që e bëjnë këtë kulturë unike në Ballkan dhe më gjerë. Aktiviteti u mirëprit nga përfaqësues të shteteve anëtare të WIPO-s, diplomatë, personalitete ndërkombëtare dhe dashamirës të kulturës.

Ky prezantim ishte një dëshmi e fuqishme se kultura dhe identiteti kombëtar shqiptar mbeten burim krenarie dhe frymëzimi, kudo në botë.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

 

 

Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Të turpëruar nga thirrjet anti-shqiptare në Kumanovë

Në një deklaratë, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka thënë se populli maqedonas është i turpëruar nga thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve, nga tifozët në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë në fundjavë në qytetin e Kumanovës, përcjell albinfo.ch.

“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për të kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë  por në fakt, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Siljanovska Davkova ka thënë se Maqedonia nuk do të lejojë më që arenat sportive të kthehen në “arena tifozësh gladiatorësh”. Sipas presidentes maqedonase, mësimi i parë se “si të brohorasësh” mësohet në shtëpi e më pas në shkolla. Ajo ka thënë se shteti duhet t’u kundërvihet urrejtjes së tifozëve dhe të mësojë se si të brohorasin. Sipas saj, Maqedonia e Veriut ka nevojë për “një alfabet të brohoritjes si kënaqësi sportive”.

“Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, janë disa nga parullat e kënduara nga tifozët vendas, thirrje të lidhura me retorikën naziste të shfarosjes. Thirrjet u bënë në praninë e kryeministrit maqedonas e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Reagime ndaj këtyre thirrjeve pati edhe në Kosovë e në Shqipëri. 

Ndërkohë Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë i ka nisur hetime lidhur me elementet e një vepre të mundshme penale, që lidhet me thirrje që përmbajnë gjuhë të urrejtjes.

Ishte duke u kthyer nga Gjermania, arrestohet kosovari

Raportohet se Behar Preniqi, derisa po kthehej nga Gjermania është arrestuar nga autoritetet serbe, në pikën kufitare Bajakovo, që ndodhet mes Kroacisë dhe Serbisë, përcjell albinfo.ch.

Arrestimi i tij u bë me pretendimet se ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Lajmi u konfirmua për Klan Kosova edhe nga familjarët.

Por, se Behari ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare u mohua nga një familjare e tij.

“Po, është e vërtetë. Është ndaluar pa arsye”, u shpreh ajo.

“Nuk kemi info, e as nuk kemi kontakt ku të pyesim. Behari e ka gruan në Gjermani. Ka udhëtuar disa herë atje me liberalizim. Behari s’ka dokumente të Gjermanisë”, theksoi ajo.

“Ai ka qenë duke u kthyer nga Gjermania me veturë me një shok të tij që jeton në Angli. Shokun e kanë liruar, Beharin jo. Në bazë të vitit të lindjes pretendimet janë false. Fëmijë ka qenë gjatë luftës. Behari se ka thyer kurrë ligjin, as probleme nuk ka bërë. As në stacion të policisë nuk ka qenë kurrë”, tha ajo 

“Agjentët” sekretë që zbulojnë origjinën e picave italiane

Ndërsa pica po fiton popullaritet në mbarë botën, një grup agjentësh të fshehtë po udhëtojnë nëpër vende të ndryshme për të zbuluar se cila është pica “e vërtetë”, njofton BBC.

Në një ditë të nxehtë me diell në jug të Italisë, një grup vizitorësh ndërkombëtarë janë mbledhur pranë katakombeve të San Gennaro në Napoli, emëruar sipas shenjtorit mbrojtës të qytetit.

Por ata nuk janë aty për të nderuar shenjtorin, por për një mision tjetër të rëndësishëm për identitetin e Napolit.

Këta udhëtarë, nga Belgjika, Franca, Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili, janë aspirantë për t’u bërë pizzaioli – mjeshtra të prodhimit tradicional të picave italiane, dhe janë gati të kalojnë testin më të vështirë të karrierës së tyre.

Trajnimi zhvillohet në selinë e Associazione Verace Pizza Napoletana (AVPN), e themeluar në vitin 1984, e cila punon për të mbrojtur dhe promovuar traditën autentike të picave napolitane. Kjo organizatë ka ndihmuar që arti i përgatitjes së picave napolitane të regjistrohet si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit nga UNESCO.

Nga rrënjët e saj si ushqim i rrugës në fund të shekullit të 19-të, pica është kthyer në një nga ushqimet më të njohura dhe të dashura në botë.

Ndër llojet tradicionale janë dy picat napolitane klasike: “Margherita” me salcë domatesh, mocarela dhe borzilok të freskët; dhe “Marinara” me rigon dhe hudhër, pa djathë. Megjithatë, në dekadat e fundit, janë zhvilluar shumë variante moderne me përbërës nga djathë të ndryshëm e deri tek përzierje speciale si “crisommola del vesuvio” nga shefi i njohur Franco Pepe.

Sipas AVPN, është e rëndësishme që pica të ruajë lidhjen e fortë me traditën napolitane dhe të mos devijojë nga origjina e saj autentike.

“Pica është pjesë e shpirtit të Napolit,” thotë Massimo Di Porzio, nënkryetar i AVPN.

Me programet e trajnimit, konkurset, panairet dhe statujën e madhe të picës pranë selisë, AVPN është bërë simbol i besnikërisë ndaj traditës së picave të vërteta.

Rregullat për përgatitjen janë të rrepta: brumi duhet të jetë rrethor dhe i erëzuar, kora duhet të jetë e fryrë me skaj të lartë maksimum 1-2 cm, pa flluska të mëdha ose njolla të djegura. Pica duhet të jetë e butë, elastike dhe e palosshme, dhe gatimi nuk duhet të zgjatë më shumë se 90 sekonda. Pica duhet konsumuar brenda 10 minutave pasi del nga furra.

Në ditën finale të kursit të gjatë të AVPN, studentët e huaj do të testojnë aftësitë e tyre dhe njohuritë e fituara, duke përfshirë teknikën e majasë së brumit, hidratimin, përzgjedhjen e përbërësve dhe pjekjen e përsosur të picës.

 

Kafshët shtëpiake pa “pasaportë” nuk do të lejohen në këto vende

Udhëtimi nëpër botë së bashku me një kafshë shtëpiake mund të jetë një eksperiencë e paharrueshme. Por, përpara se të nisesh me kafshën tënde në avion, është e domosdoshme të njihesh me rregullat dhe kërkesat që vendet e ndryshme vendosin.

Në shumë vende, përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, është e nevojshme të kesh dokumentacion të posaçëm për kafshët, të njohur si “pasaportat e kafshëve shtëpiake”. Këto dokumente përmbajnë informacion për vaksinimet dhe gjendjen shëndetësore të kafshës.

Udhëtimi brenda SHBA-së

Edhe brenda Shteteve të Bashkuara, lëvizja me kafshë shtëpiake nga një shtet në tjetrin mund të kërkojë certifikata shëndetësore nga veterinari. Edhe pse nuk është një kërkesë universale për “pasaportë kafshësh”, disa shtete kërkojnë certifikata të vlefshme që tregojnë se kafsha është e shëndetshme.

Udhëtimi me kafshë shtëpiake drejt Evropës

Sipas Komisionit Evropian, kafshët që udhëtojnë nga SHBA në vende të BE-së, si Franca apo Italia, duhet të kenë dokumente që dëshmojnë vaksinimin kundër tërbimit dhe sëmundjeve të tjera. Certifikata duhet të jetë e vlefshme dhe të jetë lëshuar jo më shumë se 10 ditë para hyrjes në BE dhe ka një afat vlefshmërie prej katër muajsh.

Gjithashtu, nevojitet një deklaratë që vërteton se hyrja e kafshës është për qëllime jo komerciale, pra jo për shitje apo ndonjë aktivitet tregtar.

Udhëtimi me linja ajrore

Shumë kompani ajrore kanë politika dhe procedura specifike për udhëtimin me kafshë shtëpiake. Ato mund të kërkojnë dokumente të ndryshme që dëshmojnë shëndetin, sjelljen dhe trajnimin e kafshës përpara se të pranojnë kafshën në bord.

Jashari drejt Milanit, arrihet marrëveshja me Club Brugge

Raportimet nga Belgjika dhe Italia konfirmojnë se është finalizuar marrëveshja mes Club Brugge dhe AC Milan për transferimin e mesfushorit Ardon Jashari. Palët u takuan sërish të hënën dhe ranë dakord që Milani do të paguajë 33.5 milionë euro, plus 4.5 milionë euro bonuse për shërbimet e 23-vjeçarit.

Jashari pritet të firmosë një kontratë pesëvjeçare me Milanin, ku trajner është Massimiliano Allegri. Mesfushori kishte refuzuar oferta nga klube të tjera të mëdha, duke shprehur dëshirën e tij për t’u bashkuar vetëm me “kuqezinjtë”. Ai bëri një sezon shumë të mirë me Brugge-n në edicionin e kaluar.

Plastika, një kërcënim i heshtur për shëndetin: Ekspertët kërkojnë veprim global

Ndotja nga plastika po shihet gjithnjë e më shumë si një kërcënim serioz, por i nënvlerësuar për shëndetin e njeriut. Një grup shkencëtarësh dhe mjekësh ndërkombëtarë ka ngritur alarmin përpara një konference të Kombeve të Bashkuara ku do të diskutohet një marrëveshje globale për menaxhimin e plastikës.

Në një analizë të publikuar në revistën prestigjioze The Lancet, 27 ekspertë paralajmërojnë se plastika dëmton shëndetin e njeriut në çdo fazë të ciklit të saj – nga prodhimi, përdorimi, deri te shpërbërja. Më të prekurit janë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, që janë më të ndjeshëm ndaj substancave të dëmshme.

“Plastika ka vepruar si një rrezik i padukshëm, në hije të krizës klimatike dhe ndotjes së ajrit. Por provat e reja tregojnë se ndikimi i saj është shumë më i madh sesa mendohej,” tha Dr. Philip Landrigan, autori kryesor i raportit dhe drejtues i Observatorit Global për Shëndetin e Planetit në Boston College.

Këto deklarata vijnë në prag të një raundi të ri negociatash që do të zhvillohen në Gjenevë, ku delegatë nga 170 shtete do të diskutojnë një marrëveshje ndërkombëtare për reduktimin e plastikës. Raundi i mëparshëm në Korenë e Jugut dështoi për shkak të kundërshtimeve nga vendet që varen nga karburantet fosile, të cilat refuzuan të mbështesin kufizimet për prodhimin e plastikës.

Raporti nënvizon një lidhje të qartë mes ekspozimit ndaj plastikës dhe disa sëmundjeve të rënda kronike, përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës, diabetin, problemet respiratore dhe dobësimin e sistemit imunitar. Megjithatë, një vlerësim i plotë i ndikimit të përgjithshëm në shëndetin global ende mungon.

Vetëm tre nga përbërësit kimikë më të përdorur në prodhimin e plastikës, përfshirë bisphenol A (BPA), shkaktojnë dëme që vlerësohen në rreth 1.5 trilionë dollarë çdo vit në 38 vende. BPA lidhet me mbi 237 mijë vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe 194 mijë vdekje nga goditjet në tru.

Për të monitoruar këtë çështje me më shumë kujdes, është krijuar një mekanizëm i ri i pavarur: Lancet Countdown on Health and Plastics, që do të vëzhgojë ndikimin e plastikës në shëndetin publik në nivel global.

Dr. Landrigan theksoi se nuk bëhet fjalë për ndalimin total të plastikës, por për reduktimin e përdorimit të saj të panevojshëm. “Duhet të dallojmë mes përdorimeve thelbësore dhe atyre të dëmshme  si plastika njëpërdorimshe, e cila përbën afro 40% të prodhimit botëror,” theksoi ai.

Ndërkohë që SHBA, të ndikuara nga politika e ish-presidentit Trump, vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjet mjedisore ndërkombëtare, ekspertët mbeten skeptikë për rezultatet e negociatave në Gjenevë. Megjithatë, disa vende si Brazili po marrin rolin udhëheqës dhe po shtyjnë për eliminimin gradual të plastikës më të rrezikshme.

Konfliktet ushtarake po riformësojnë rrjetin global të aviacionit

Rritja e tensioneve ushtarake në disa rajone të botës ka sjellë ndikime të drejtpërdrejta në industrinë e aviacionit civil, duke ndryshuar rrënjësisht rrugët ajrore dhe duke ndikuar në sigurinë, ekonominë dhe mjedisin, përcjell albinfo.ch.

Në vend të itinerareve të drejtëpërdrejtë, fluturimet ndërkombëtare sot ndjekin korridore të mbipopulluara ose shmangin zona të mëdha të hapësirës ajrore për shkak të rrezikut nga konfliktet. Nga Lindja e Mesme te Rusia dhe Afrika Sub-Sahariane, aviacioni përballet me kufizime të shumta që po e komplikojnë funksionimin normal.

Situata në Rusi

Në fillim të korrikut 2025, hapësira ajrore ruse u prek rëndë nga sulme me dronë të Ukrainës, çka çoi në anulimin ose shtyrjen e mbi 2 000 fluturimeve gjatë një fundjave të vetme. Aeroporti “Sheremetjevo” i Moskës dhe terminale të tjera kryesore u mbingarkuan, ndërsa pasagjerët mbetën të bllokuar për orë të tëra.

Autoritetet ruse raportuan rrëzimin e mbi 100 dronëve dhe e justifikuan mbylljen e përsëritur të hapësirës ajrore me “ndërhyrje të jashtme”. Që prej vitit 2022, Rusia ka mbyllur përkohësisht hapësirat e saj ajrore më shumë se 600 herë.

Ndikimet rajonale dhe globale

Përplasjet në Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Evropën Lindore kanë detyruar linjat ajrore të devijojnë itineraret. Në qershor 2025, një fluturim i “Qantas” nga Australia në Paris qëndroi për 15 orë në ajër pas mbylljes së papritur të hapësirës ajrore në Lindjen e Mesme. Po ashtu, tensionet mes Indisë dhe Pakistanit në maj çuan në ndryshime të konsiderueshme në fluturimet midis Evropës dhe Azisë Juglindore.

Sipas të dhënave nga “Flightradar24”, këto devijime kanë krijuar korridore ajrore të mbingarkuara, duke rritur ndjeshëm kompleksitetin dhe rrezikun e menaxhimit të trafikut ajror.

Kosto mjedisore dhe financiare

Sipas një studimi nga Universiteti i Reading dhe Instituti Pierre-Simon Laplace, shmangia e hapësirës ajrore ruse ka rritur emetimet globale të CO₂ me mbi 8 milionë ton në vitin e fundit. Konsumi i karburantit është rritur me rreth 13%, veçanërisht në fluturimet mes Evropës dhe Azisë.

Një tjetër hulumtim tregon se kompanitë ajrore po përballen me rritje deri në 39% të kostove për karburant dhe deri në 40% më shumë emetime karbonike në rrugët e devijuara.

Ndikimi në linjat ajrore

Kompani si “British Airways”, “Finnair” dhe “United Airlines” janë detyruar të ndryshojnë ose anulojnë disa itinerare për shkak të kufizimeve ajrore. Ndërkohë, linjat ajrore kineze kanë përfituar nga akses i pandërprerë në hapësirën ajrore ruse, duke ofruar udhëtime më të shkurtëra dhe më pak të kushtueshme.

Rreziku në rritje

Në zonat afër konflikteve, fluturimet civile ndajnë qiejt me operacione ushtarake. Në disa raste, janë raportuar incidente të rrezikshme. Në shkurt 2025, Kina zhvilloi stërvitje ushtarake pa paralajmërim në Detin Tasman, duke shkaktuar devijime të menjëhershme. Në një rast tjetër, në dhjetor 2024, një fluturim i linjës “AZAL” nga Azerbajxhani u rrëzua aksidentalisht nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore, duke shkaktuar viktima.

 

Zbulohet skenë makabre në Lipjan, trupi i një personi të raportuar si i zhdukur gjendet i groposur mes misrit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Baicë të Lipjanit dhe më gjerë. Pas një dite të tërë kërkimesh, familjarët dhe banorët e zonës zbuluan trupin pa jetë të E. Bajraktarit, i cili ishte raportuar si i zhdukur.

Ai u gjet i varrosur në një arë të mbjellë me misër, disa metra nën tokë, ku mbi vendin e fshehjes ishin vendosur edhe dërrasa – si tentim për ta maskuar. Sipas burimeve të afërta me hetimin, trupi u zbulua pasi një nga ekipet e kërkimit ndoqi gjurmët që tregonin se ai ishte tërhequr zvarrë deri te vendi ku ishte groposur.

Rasti ka hapur hetime nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit, të cilat po merren me zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vdekjeje misterioze. Deri tani, familjarët kanë deklaruar se personi nuk kishte pasur asnjë problem apo konflikt të njohur me dikë.

Vdekja e tij është konfirmuar nga ekipi mjekësor, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, që pritet të japë më shumë përgjigje mbi shkaqet dhe kohën e vdekjes.

Ngjarja ka lënë të tronditur jo vetëm familjen, por edhe të gjithë komunitetin lokal, teksa hetimet po vazhdojnë me intensitet për të zbuluar të vërtetën.

Evropa Veriore përfshihet nga një valë e pazakontë të nxehti

Vendet nordike po përballen me një valë të jashtëzakonshme të nxehti që nuk është parë më parë në këtë përmasë.

Sipas “The Guardian”, një stacion meteorologjik në Arktikun norvegjez ka regjistruar temperatura mbi 30°C për 13 ditë radhazi gjatë korrikut. Ndërkohë, në Finlandë, temperaturat mbi këtë kufi kanë zgjatur për tre javë.

Shkencëtarët theksojnë se kjo është periudha më e gjatë e temperaturave të larta që nga viti 1961, rreth 50% më shumë sesa rekordi i mëparshëm.

“Kjo valë e të nxehtit është ende në kulm, me temperatura që arrijnë deri në 32–33°C,” deklaroi klimatologu Mika Rantanen nga Instituti Meteorologjik i Finlandës në rrjetet sociale.

Ai shtoi se edhe zonat e Arktikut kanë përjetuar mbi tre javë me temperatura mbi 25°C, çka mund të barazohet me rekordet historike të gushtit.

Edhe motorët elektrikë mund të dështojnë, ja sa kushton zëvendësimi i tyre

Veturat elektrike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në rrugët tona. Edhe pse konsiderohen më të lehta për mirëmbajtje dhe teorikisht më të qëndrueshme se makinat me motor SUS (me djegie të brendshme), ato nuk janë të paprekshme ndaj prishjeve.

Tradicionalisht, zgjedhja e një veture varej kryesisht nga tipi i karburantit  benzinë ose naftë. Sot, përveç makinave hibride, kemi edhe alternativa elektrike që operojnë me sisteme shumë më të thjeshta dhe më pak pjesë lëvizëse. Për shembull, një motor me djegie të brendshme ka rreth 100 komponentë lëvizës, ndërsa një motor elektrik ka vetëm katër.

Për këtë arsye, besohet se veturat elektrike janë më pak të prira ndaj defekteve. Shumica e shqetësimeve të përdoruesve përqendrohen tek bateria, e cila mund të përfaqësojë deri në 40% të çmimit të veturës.

Por, një tjetër komponent kyç, motori elektrik, nuk mbulohet gjithmonë nga garancitë afatgjata – dhe po, edhe ai mund të dështojë.

Gjatë periudhës së garancisë, mirëmbajtja është minimale  zakonisht ndërrimi i filtrit të ajrit të kondicionerit çdo dy vjet dhe një kontroll vizual. Megjithatë, nëse ndodh defekt në motorin elektrik, situata bëhet shumë më e ndërlikuar dhe e kushtueshme.

Motorët elektrikë funksionojnë me tension të lartë, mbi 600 volt, dhe gjatë punës gjenerojnë shumë nxehtësi, çka mund të shkaktojë dëmtime. Një nga pjesët më të ndjeshme është boshti i rotorit  nëse ai prishet, vetura mund të ketë dridhje ose humbje të fuqisë.

Zëvendësimi i motorit është i kushtueshëm. Për shembull:

Në Volkswagen ID.4, çmimi për një motor të ri varion nga 4,000 deri në 8,000 euro, pa llogaritur punën.

Në një Tesla Model 3, çmimi është nga 2,500 deri në 6,000 euro për një motor të vetëm.

Pra, edhe pse veturat elektrike kanë më pak pjesë që mund të prishen, kur një komponent i rëndësishëm dështon, kostoja nuk është aspak e vogël.

Ushtria gjermane po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj

Në një kontekst gjeopolitik të tensionuar, ushtria gjermane (Bundeswehr) po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj. Numri i vullnetarëve ka ardhur në rritje muajt e fundit, edhe pse Gjermania mbetet thellësisht e shënuar nga trashëgimia e saj pacifiste.

Që nga fillimi i vitit 2025, Bundeswehr ka regjistruar 13.750 rekrutë të rinj, që përfaqëson një rritje prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Disa prej këtyre të rinjve synojnë një karrierë afatgjatë në ushtri, përtej shërbimit të zakonshëm ushtarak, ndërsa të tjerë, një numër në rritje me +15% këtë vit, dëshirojnë të angazhohen vetëm për një shërbim të vetëm ushtarak, transmeton albinfo.ch.

Sipas Bundeswehr-it, kjo rritje shpjegohet nga dy faktorë kryesorë:

Fushatat e shumta të komunikimit të ndërmarra vitet e fundit, që e paraqesin ushtrinë si një institucion modern, tërheqës dhe plot aventura.

Sipas një sondazhi të fundit të realizuar nga Instituti Forsa, 27% e popullsisë gjermane beson se Gjermania do të përballet me një sulm ushtarak brenda pesë viteve të ardhshme.

Megjithatë, përkundër këtyre shqetësimeve, Bundeswehr ende përballet me vështirësi për të mobilizuar më gjerë: vetëm 16% e të anketuarve janë të gatshëm të marrin armët për të mbrojtur vendin.

Serbi që sulmoi KFOR-in e Policinë e Kosovës në veri pranon fajësinë, dënohet me gati 5 vjet burg

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se i akuzuari M.A ka pranuar fajësinë për përfshirje në dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë protestës së zhvilluar më 29 maj 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, ndaj M.A janë ngritur akuza për disa vepra penale, përfshirë:

Sulm ndaj personit zyrtar

Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale (huliganizëm)

Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike dhe psikotropike

Posedim i paautorizuar i armëve

Pas ngritjes së aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndërmjet Prokurorisë dhe të pandehurit. Si rezultat, M.A është dënuar me 4 vjet e 11 muaj burgim efektiv dhe një gjobë prej 20 mijë eurosh.

Dua Lipa me reagim emocionues pas përfundimit të Festivalit Sunny Hill

Pas një fundjave plot energji, muzikë dhe emocione të paharrueshme, Dua Lipa ka ndarë emocionet e saj pas mbylljes së edicionit të këtij viti të Festivalit Sunny Hill.

Në një postim në rrjetet sociale, këngëtarja me famë botërore shprehu thellësisht mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuan në suksesin e festivalit, që nga artistët, ekipi organizues, miqtë dhe deri te fansat.

“Çfarë mënyre magjike për ta përmbyllur edicionin e sivjetshëm të @sunnyhillfestival! Zemra më është mbushur me dashuri dhe falënderime për familjen time të jashtëzakonshme dhe ekipin që punoi pa u lodhur për ta sjellë këtë përvojë të paharrueshme në jetë,” shkroi ajo.

Dua nuk i kurseu falënderimet për të gjithë artistët që performuan, për ekipet e tyre dhe për fansat që e mbushën atmosferën me energji të papërshkrueshme, përcjell albinfo.ch.

“Faleminderit që ndatë energjinë tuaj dhe që ndriçuat çdo moment. Prishtina shkëlqeu edhe më shumë falë jush,” shtoi ajo.

Por veçanërisht, Dua u emocionua nga publiku:

“Dhe për fansat tanë të mrekullueshëm, WOW WOW WOW, sollët dashurinë, gëzimin, shpirtin. Kërcyet, kënduat, festuat me ne dhe e bëtë këtë edicion vërtet të paharrueshëm. Ju falënderojmë nga zemra. Ju duam pafund. Deri vitin tjetër…”

Dua Lipa jo vetëm që ishte pjesë e organizimit, por edhe performoi si artistja kryesore në natën e parë të festivalit. Kjo vizitë kishte një domethënie të veçantë për të, pasi këtë vit ajo mori zyrtarisht shtetësinë e Kosovës, duke shtuar kështu një përkatësi tjetër përkrah asaj britanike dhe shqiptare.

Kontraceptivët amerikanë të destinuar për shkatërrim në Francë, nxiten polemika të forta

Në mes të korrikut, autoritetet amerikane njoftuan synimin për të shkatërruar  ndoshta në Francë  një sasi të madhe kontraceptivësh për gratë, të blerë për programe shëndetësore humanitare. Vendimi, i denoncuar si ideologjik dhe anti-femëror, ka shkaktuar zemërim në rritje nga organizatat ndërkombëtare dhe aktorë politikë evropianë.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kontraceptivët (implante hormonale dhe aparate intrauterine – IUD) ishin blerë gjatë presidencës së Joe Biden për përdorim në programe të shëndetit riprodhues, kryesisht në Afrikë. Megjithatë, pas reduktimeve drastike të ndihmës humanitare nga administrata Trump dhe mbylljes së USAID-it, këto produkte janë konsideruar të “panevojshme”.

Vlerë prej 10 milionë dollarësh

Stoku, që vlerësohet në rreth 10 milionë dollarë dhe me afat skadence deri në vitin 2031, është depozituar prej muajsh në Geel, Belgjikë. Sipas burimeve amerikane, kontraceptivët ishin planifikuar për incinerim në Francë në fund të korrikut, ndonëse vendndodhja aktuale dhe nëse janë djegur ende nuk është konfirmuar.

Belgjika ka deklaruar se ka ndërmarrë hapa diplomatikë me ambasadën amerikane për të ndaluar shkatërrimin e tyre, përfshirë opsionet për zhvendosje të përkohshme.

Në Francë, megjithëse Ministria e Shëndetësisë pohon se nuk ka informacion mbi praninë e kontraceptivëve në territorin e saj, disa burime flasin për lëvizje të mundshme drejt vendit. Presidentja e organizatës “Planning Familial”, Sarah Durocher, thotë se një proces i transportimit ka filluar, por ende nuk dihet nëse kontraceptivët kanë mbërritur.

“Pa bazë ligjore” për të vepruar

Qeveria franceze, e pyetur nga organizatat feministe dhe e majta politike, deklaroi se “nuk ka mjete ligjore” për të sekuestruar produktet. Ministria e Shëndetësisë tha se ” nuk ekziston një bazë juridike që i lejon një autoriteti evropian, apo agjencisë ANSM, të ndërhyjë”.

Ndërkohë, kompanitë që përfliten si përgjegjëse për incinerimin  si Veolia dhe Suez  mohojnë çdo përfshirje.

Peticion dhe reagim publik

Një peticion i nisur nga një kolektiv franko-belg më 30 korrik ka mbledhur mbi 21,000 firma në pesë ditë. Ai u bën thirrje presidentit Emmanuel Macron dhe kryeministrit François Bayrou të ndërhyjnë për të ndaluar incinerimin dhe për të shpërndarë produktet përmes OJQ-ve si Médecins sans frontières.

Ndër nënshkruesit është edhe Charles Dallara, nipi i deputetit Lucien Neuwirth, i cili legalizoi pilulën kontraceptive në Francë në vitet ’60. Ai i bën thirrje Macron të mbrojë trashëgiminë franceze në të drejtat riprodhuese.

“Një përgjegjësi morale” për Francën

Marine Tondelier, udhëheqëse e ekologjistëve francezë, deklaroi: “Nuk shoh kush në Francë mund ta pranojë këtë.” Partia Socialiste e quajti vendimin një “katastrofë shëndetësore dhe politike”, ndërsa “La France Insoumise” njoftoi se do të paraqesë një rezolutë në Kuvend për të kërkuar sekuestrimin e stokut.

Planning Familial theksoi se Franca, që nga viti 2024, ka përfshirë të drejtën për abort në Kushtetutë dhe për këtë arsye “ka një përgjegjësi morale për të vepruar”.

Ideologji dhe jo logjistikë, sipas OJQ-ve

Sipas disa organizatave ndërkombëtare, propozimet për të blerë ose riamballuar produktet janë refuzuar nga autoritetet amerikane. Zyrtarisht, shkatërrimi i tyre justifikohet si çështje “logjistike”, për shkak të mbylljes së USAID-it.

Por për OJQ-të, arsyeja është ideologjike: me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, janë shkurtuar miliarda në ndihmë humanitare dhe më shumë se 90% e stafit të USAID është pushuar. Tani programet mbetëse menaxhohen nga Departamenti i Shtetit, nën drejtimin e konservatorit të njohur pro-life Marco Rubio. Në këtë kontekst, të drejtat riprodhuese nuk janë më prioritet për administratën amerikane.

Birrat pa alkool po bëhen gjithnjë e më të njohura në Zvicër

Birrat pa alkool po zënë gjithnjë e më shumë gota, jo vetëm në Zvicër, por edhe në Gjermani. Sipas Shoqatës Zvicerane të Birrarive, 7% e birrave të konsumuara në vend janë pa alkool. Ky është sektori më premtues aktualisht, deklaroi të hënën një profesionist i industrisë për emisionin La Matinale në RTS, duke përshkruar zhvillimin e teknikave të reja të fermentimit, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa tregu i përgjithshëm i birrës po bie, ai i birrës pa alkool  e cila mund të përmbajë deri në 0.5% alkool  është në rritje. Arthur Viaud, pronari i birrarisë La Nébuleuse në kantonin Vaud, bëri të ditur se prodhimi i birrës pa alkool është rritur me 60% në gjysmën e parë të vitit 2025, në krahasim me një vit më parë.

Kjo tendencë shihet edhe tek Migros, zinxhiri i njohur i supermarketeve që nuk shet alkool. “Gama e birrave pa alkool është zgjeruar me 80% në tre vitet e fundit dhe do të vazhdojë të zgjerohet,” deklaroi zëdhënësi Tristan Cerf në edicionin e lajmeve të orës 19:30 në majin e kaluar.

Arsyet e kësaj rritjeje mund të jenë të ndryshme: tërheqja më e ulët ndaj pijeve me alkool, rritja e larmisë së produkteve, por edhe përmirësimi i shijes përmes teknikave të reja të fermentimit.

Ruajtja e aromave

“Historikisht, për prodhimin e birrave pa alkool përdorej teknika e zierjes, ku alkooli largohet përmes zierjes së lëngut. Por në këtë proces humbeshin edhe shumë nga aromat, dhe produkti përfundimtar nuk ishte shumë cilësor,” shpjegon Arthur Viaud.

“Sot kemi mundësinë të përdorim maja të veçanta që lejojnë fermentimin pa prodhuar shumë alkool. Kështu ruajmë aromat dhe mund të eksperimentojmë me stile të ndryshme birrash. Produkti që marrim është i pakrahasueshëm në cilësi,” shton ai.

Edhe në Gjermani

Tregu i birrave pa alkool është në rritje edhe në Gjermani. Në vitin 2024, prodhimi arriti në gati 579 milionë litra, sipas Zyrës Gjermane të Statistikave  gati dyfishi i prodhimit dhjetë vjet më parë. Ndërkohë, konsumi i birrave me alkool në vend ka rënë ndjeshëm. Nga janari deri në qershor, gjermanët konsumuan 3.9 miliardë litra birrë, me një rënie prej 6.3% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është hera e parë që nga viti 1993 që konsumi gjashtëmujor bie nën katër miliardë litra.

Shqetësime nga specialistët e varësisë

Megjithëse birrat pa alkool përfaqësojnë një alternativë më të shëndetshme, ekspertët e varësisë paralajmërojnë për efektet e mundshme. “Produkte që duken si alkool, kanë të njëjtën paketim dhe sugjerojnë të njëjtin efekt, mund të jenë tërheqëse për personat me varësi,” shpjegoi Sylvie Vuez, përgjegjëse e Njësisë së Çrregullimeve të Varësisë në klinikën La Métairie në Nyon.

Skandal në Kumanovë: Thirrje raciste kundër shqiptarëve në prani të qeverisë, kërkohen veprime institucionale

Një ngjarje me tone të nxitjes së urrejtjes është regjistruar të shtunën mbrëma në sallën e sporteve të Kumanovës, gjatë një ndeshjeje kualifikuese në basketboll midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Disa pjesëtarë të tifogrupit “Kumani” thuhet se lëshuan thirrje me përmbajtje raciste kundër shqiptarëve, të tilla si: “Maqedoni e pastër” dhe “Shqiptarët e mallkuar le ta kuptojnë…”.

Ngjarja ndodhi në prani të disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit, përfshirë Kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Ivan Stoillkoviq dhe ministrin e brendshëm Pançe Toshkovski. Pamjet u transmetuan drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të FIBA-s.

Ky incident ka shkaktuar reagime të forta nga përfaqësues politikë dhe institucionalë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, si dhe nga diaspora shqiptare.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti e cilësoi ngjarjen si një sulm ndaj bashkëjetesës ndëretnike, ndërsa kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se rasti është goditje ndaj vlerave të barazisë.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, vuri në dukje se këto thirrje u bënë në prani të udhëheqjes shtetërore dhe kërkoi përgjegjësi nga autoritetet. Ndërkohë, BDI ka kërkuar dorëheqjen e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që nuk u distancuan qartë nga ngjarja.

Nga Kosova, Presidentja Vjosa Osmani e dënoi ashpër gjuhën e urrejtjes, duke e cilësuar si një cenim të rëndë të frymës së bashkëjetesës. Ajo kërkoi që autoritetet në Shkup të ndërmarrin hapa të qartë për të luftuar intolerancën etnike.

Reagime të ashpra erdhën edhe nga liderët e tjerë politikë, si Memli Krasniqi dhe Daut Haradinaj, të cilët kritikuan heshtjen e zyrtarëve shtetërorë dhe kërkuan veprime konkrete. Deputetja Dorasa Kica-Xhelili e përshkroi këtë incident si shprehje të një mendësie primitive dhe të rrezikshme për shoqërinë.

Edhe autoritetet në Shqipëri kanë ndërhyrë duke reaguar ndaj thirrjeve të tilla. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vlerësoi reagimet institucionale të RMV-së, por theksoi nevojën për masa më të forta dhe një kulturë zero tolerance ndaj gjuhës së urrejtjes.

Ambasadori Denion Meidani kërkoi që autoritetet të përballen seriozisht me incidentin, duke theksuar se bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm dhe respekt të ndërsjellë.

Nga diaspora, Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) e cilësoi incidentin si një alarm për demokracinë dhe barazinë në rajon, duke kërkuar ndëshkimin e autorëve dhe përgjegjësinë e zyrtarëve që heshtën përballë urrejtjes.

Prokuroria Themelore në Kumanovë ka nisur hetimet për rastin, duke kërkuar identifikimin e individëve që nxitën gjuhën e urrejtjes gjatë ndeshjes.

Presidenti rus nuk përjashton mundësinë e bisedimeve direkte me homologun e tij ukrainas

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa është shprehur se beson që një takim i tillë nuk është ende gati të zhvillohet.

“E gjithë puna përgatitore për një takim të tillë [midis Putinit dhe Zelenskyt] nuk është bërë ende. Dua t’ju kujtoj se Putini nuk e përjashton mundësinë e mbajtjes së bisedimeve të tilla pasi të përfundojnë punimet e nevojshme në nivel ekspertësh dhe të bëhet përparimi i duhur”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Presidenti ukrainas ka deklaruar se vendi i tij është i hapur për një samit udhëheqësish nëse Rusia është vërtet e përkushtuar për t’i dhënë fund luftës dhe për të vendosur paqe të qëndrueshme.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më 14 korrik lëshoi një ultimatum 50-ditor që synonte të bënte presion mbi Rusinë për paqe, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, më 28 korrik, ai e shkurtoi afatin e tij kohor në 10–12 ditë, duke thënë se nuk dëshironte më të takohej ose të fliste me Putinin.

Ndryshe, raundi i fundit i negociatave ukrainaso-ruse u zhvillua në Stamboll më 23 korrik.

Kosovë: Institucionet e pavarura mbeten peng i Kuvendit

Dhjetëra institucione dhe agjenci të pavarura të Kosovës, organet kolegjiale dhe individuale të të cilave emërohen nga Kuvendi i Kosovës, janë jofunksionale ose funksionojnë me mungesa për shkak të mosveprimit të legjislativit.

Institucioni i Avokatit të Popullit, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komisioni i Pavarur i Mediave janë në listën e këtyre institucioneve, të cilës pritet t’i shtohet edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kuvendi është përgjegjës për emërimet e drejtuesve dhe anëtarëve të bordeve, komisioneve dhe agjencive të ndryshme, si dhe mbikëqyrjen e punës së tyre.

Për shkak të mospajtimeve politike të subjekteve parlamentare, deputetët e legjislaturës së nëntë, e cila doli nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin që nga 15 prilli e deri më tash.

Më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme, që nënkupton se nga 27 korriku deri më 8 gusht deputetët nuk duhet të veprojnë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në shkurt të këtij viti dhe çfarë duhet të ndodhë tutje.

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, thotë se një numër i madh i institucioneve dhe agjencive që varen nga emërimet nga Kuvendi, mbeten peng i moskonstituimit të tij.

“E vendos në dyshim dhe në një situatë tepër të vështirë funksionimin demokratik të krejt institucioneve në Kosovë. Në anën tjetër, pasojat direkte të kësaj papërgjegjësie politike dhe institucionale i bart qytetari i Kosovës”, thekson Qelaj.

Në Institucionin e Avokatit të Popullit, katër zëvendësavokatëve u ka përfunduar mandati më 14 qershor. Ndërkaq, vetë Avokatit i përfundon mandati në muajin shtator.

Megjithëse ligjërisht ata e vazhdojnë punën e tyre deri në emërimet e reja nga Kuvendi, Qelaj shton se pasojat janë të pashmangshme në funksionimin e institucionit, në aspektin e planifikimit, dërgimit të rekomandimeve te institucionet tjera, si dhe në punët e përditshme.

AKP-ja së shpejti në listën e subjekteve me funksionalitet të kufizuar

Institucioni i Avokatit të Popullit është vetëm njëri nga institucionet që funksionon me mungesë të anëtarëve me mandat të rregullt.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në fillim të korrikut, publikoi një raport, në të cilin listoi 17 institucione, agjenci, komisione e borde që funksionojnë me mungesa, por edhe që janë krejtësisht jofunksionale.

IKD-ja e bën përgjegjës kryesor për këtë situatë shumicën parlamentare të legjislaturës së kaluar, e cila, sipas këtij instituti, “ndonëse kishte fuqinë për t’i realizuar këto emërime, zgjodhi të mos veprojë, duke lënë pas dore dhe neglizhuar obligimet kushtetuese dhe ligjore”.

“Kjo situatë çon në vonesa në ofrimin e shërbimeve publike, ndërprerje të mbikëqyrjes institucionale dhe dobësim të llogaridhënies në sektorët më të ndjeshëm për qytetarët”, është thënë në raportin e IKD-së.

Ky institut bëri thirrje për konstituimin e menjëhershëm dhe pa vonesa të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të fillojë përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për emërimin e anëtarëve në institucionet e pavarura.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është në mesin e institucioneve, të cilat pritet të hyjnë në fazën e funksionimit me mungesë.

Mentor Hyseni, kryesues i Bordit të AKP-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda katër vjetësh, 80 për qind të aseteve të saj janë kategorizuar për transformim në interes publik.

Planifikimet aktuale janë që edhe 5 për qind e aseteve të përgatiten për transformim në interesin publik, por Bordi i kësaj agjencie, që nga 6 gushti do të mbetet pa gjashtë anëtarë, të cilëve u përfundon mandati.

Pa emërimet e anëtarëve të rinj të Bordit nga Kuvendi, sipas tij, kuorumi për vendimmarrje do të mungojë dhe puna do të ngecë.

“Në këtë 5 përqindëshin e aseteve, neve na pengon [mos]konstituimi i Kuvendit. Unë jam kryesues i Bordit dhe i kam edhe dy vjet [mandat], bashkë me kryesuesin e Komitetit të auditimit, por nuk kemi kuorum për t’i shtyrë këto procese”, thekson Hyseni.

Ai shton se megjithatë, puna në përgatitjen e lëndëve do të vazhdojë. Por, për finalizimin e tyre, duhet pritur emërimet e reja në bordin e agjencisë.

Jofunksionaliteti i institucioneve “prek interesin e qytetarëve”

Pamundësia për të nisur procesin e emërimeve në institucionet dhe agjencitë e pavarura dhe ato që janë nën mbikëqyrje të Kuvendit, për shkak të moskonstituimit të legjislativit, do t’i mbajë ato pjesërisht funksionale ose jofunksionale fare, deri në fund të vitit, vlerësojnë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara -GAP.

Bekim Salihu nga ky institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se konstituimi i Kuvendit ende nuk duket në horizont, në mënyrë që më pas t’u qaset emërimeve në institucione dhe agjenci të pavarura.

Pasojat apo efektet e mundshme, sipas tij, do të jenë të drejtpërdrejta te qytetarët, për shkak se këto institucione ofrojnë shërbime që ndërlidhen me interesat e qytetarëve.

“Për shembull: Organi Shqyrtues i Prokurimit, në momentin që mbetet jofunksional, e që aktualisht është i tillë, atëherë nënkupton që të gjitha kontratat që janë lidhur në fushën e investimeve kapitale, që kanë të bëjnë me qytete, me lagje, me fshatra, me vendbanime, lokalitete etj., të gjitha këto kontrata mbesin të bllokuara”, thotë Salihu.

Ai shton se kontratat e tilla nuk mund të ekzekutohen nga autoriteti kontraktues, qoftë nga komuna apo instancat tjera.

Efektet e moskonstituimit të Kuvendit, siç thekson Salihu, përveç që po cenojnë qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve, buxhetin për to, janë duke ekspozuar mundësinë e cenimit të të drejtave të njeriut.

Në këtë kontekst, ai e sheh edhe jofunksionalitetin e Komisionit të Pavarur të Mediave, për shkak të mungesës së pesë anëtarëve të bordit të tij, mbetet jofunksional.

“Është një organ shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e qytetarëve nga cenimet që mund të vijnë nga media të caktuara, por edhe për mbrojtjen e mediave nga vetë pronarët dhe bartësit e këtyre subjekteve”, thekson Salihu.

Ditë më parë, organizatat që merren me të drejtat e gazetarëve, por edhe institucione të tjera ndërkombëtare, kanë ngritur shqetësimin se punëtorët e transmetuesit publik të Radio Televizionit të Kosovës,  do të mbesin pa paga për muajin korrik.

“Vetë puna e këtij institucioni rrezikohet për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mungesës së themelimit të Komisionit parlamentar për buxhet”, ka paralajmëruar transmetuesi publik, më 24 korrik.

Shqetësimet lidhur me situatën financiare të transmetuesit publik i ka shprehur edhe Avokati i Popullit, Qelaj, i cili thotë se ky transmetues duhet të mbetet i pavarur dhe të funksionojë pa ndërprerje  edhe në kohë krizash politike e institucionale.

Qelaj thekson se me situata të ngjashme mund të përballen edhe institucione të tjera, të pavarura apo edhe të mbikëqyrura nga Kuvendi, për shkak të moskonstituimit të tij.

“Unë e kam parë këtë situatë, jo vetëm problematike në raport me funksionimin kushtetues të institucioneve, por edhe si një rast kur cenohet i tërë funksionimi demokratik në vend”, thekson Qelaj.

Nga Instituti GAP vlerësojnë se gjasat që Kuvendi i Kosovës të konstituohet së shpejti janë të pasigurta, ndërkohë që edhe në rast se kjo ndodh shpejt, emërimet në bordet e institucioneve dhe agjencive, si dhe miratimi i tyre nga Kuvendi, marrin kohë për disa muaj.

Kosova, sipas GAP-it, jo vetëm që rrezikon të futet në vitin 2026 me një listë prej rreth 20 institucionesh dhe agjencish që funksionojnë me mungesa ose që nuk funksionojnë fare, por lista pritet të zgjerohet edhe më shumë./REL