Shqipëria

Caritas-i austriak do të hapë furrë në Shqipëri

Për të hapur furrë në Tiranë, kryeqytet me rreth 420,000 banorë, Caritas mbështetet në donacione

Caritas nga St. Pölteni i Austrisë, dëshiron të hapë një furrë buke në kryeqytetin shqiptar të Tiranës. Me ndihmën e furrave austriake dhe operatorëve të kafeneve, parashikohet që të rinjtë të trajnohen atje dhe të kenë një punë të sigurt, shkruajnë mediat austriake, përcjell Albinfo.ch.

“Qëllimi është që të rinjtë shqiptarë sa më shpejt të arrijnë pavarësinë ekonomike, të sigurojnë një vend pune të drejtë dhe të realizojnë transferimin e njohurive në trajnim”, tha të mërkurën në një konferencë shtypi në St Pölten kreu i sferës së solidaritetit, komunikimit dhe çështjeve sociale të Caritasit në St. Pölten, Christoph Riedl-Daser.

Për të hapur furrë në Tiranë, kryeqytet me rreth 420,000 banorë, Caritas mbështetet në donacione. Për momentin janë të nevojshme 40,000 euro për një furrë të veçantë, e cila duhet të jetë veçanërisht kursimtare me energjinë.

“Furra punon pa teknologji. Kjo do të thotë që ne do t`i djegim mbeturinat organike dhe në këtë mënyrë do t`i zvogëlojmë pothuajse përgjysmë shpenzimet e energjisë”, pohon mjeshtri bukëpjekës austriak, Helmut Gragger, përcjell Albinfo.ch.

Ai e zbuloi furrën e veçantë që do të përdoret në Tiranë. Në mënyrë që Caritas-i të mund të financojë plotësisht furrën, atij do t`i ndihmojnë pesë kafene që do të marrin pjesë deri në fund të marsit në St. Pölten në iniciativën “coffee2help”. “Kur të porositni kafe tek ne, ju thjesht mund të thoni: Një kapuçino, për të ndihmuar. 20 cent automatikisht shkojnë në projektin e Caritas-it “, thotë menaxhuesi i kafenesë.

Në konferencën për shtyp, ka qenë i pranishëm edhe trajnuesi i ardhshëm shqiptar, Gazmir Feruku. Ai tha: “Me këtë trajnim, një dëshirë e imja bëhet realitet. Më pëlqen të gatuaj. Përveç kësaj, unë do të doja të mbështesja familjen time”. Menaxhimin e furrës do ta marrë mbi vete Zamira Muca, përcjell Albinfo.ch.

Muca ka punuar ngushtë me Caritasîn në Shqipëri në të kaluarën. Ekonomia e Shqipërisë, me rreth 2.6 milion banorë që jetojnë në vend, është një nga më të dobëtat në Europë. Të ardhurat mesatare mujore janë vetëm 319 euro. Rreth një e treta e të rinjve janë të papunë, përcjell Albinfo.ch.

Caritas-i nga St. Pölten gjithashtu drejton një qendër për fëmijë në Shqipëri. Sipas informacionit të tyre, rreth 150 fëmijë dhe adoleshentë janë të kujdesur dhe të shoqëruar atje pas përfundimit të mësimit.