Lajme

Brenda vitit 2015, në Kosovë e Diasporë lindën 31 mijë foshnje

Nga kjo shifër, sipas Agjencisë së Statistikave, kanë lindur 712 bineq dhe 18 treneq

Brenda vitit 2015, në Kosovë dhe diasporë, kanë lindur 31433 foshnje, duke treguar kështu se nataliteti tek kosovarët vazhdon të mbetet i lartë. Sipas statistikave që ka nxjerr sot Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për numrin e lindjeve për vitin 2015, thuhet se koeficienti i vitalitetit është 2.9 promil.

Të dhënat në këtë publikim janë paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave administrative nga zyrat e gjendjeve civile.

“Janë grumbulluar gjithsej 31 433 fleta statistikore për lindje DEM-1. Këto të dhëna tregojnë se 24 716 janë lindje, që kanë ndodhur në Kosovë, prej tyre lindje të gjalla janë 24 594, kurse 122 janë lindje të vdekura. Kurse, lindjet që kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar 6 717, prej tyre janë 6 715 lindje të gjalla dhe 2 lindje të vdekura”, thuhet në raport.

Koeficienti i maskulinitetit, sipas ASK-së, është 110.1. Koeficienti i lindjeve të vdekura – vdekjeve fetale në 1000 lindje ishte 4.9 promil, ndërsa në institucione mjekësore kanë ndodhur 99.8 për qind lindje, ndërsa pjesa tjetër ka ndodhur në vend tjetër.

Numri më i madh i nënave që kanë lindur fëmijë, sipas statistikave të ASK-së, është i grupmoshave 25-29 vjeç me 35.0 për qind i grupmoshat 30-34 vjeç me 24.5 për qind.

Mosha mesatare e femrave që kanë lindur fëmijë në vitin 2015 është 28.2 vjeç. Sipas peshës së fëmijës së lindur në institucione shëndetësore, numri më i madh i foshnjave është me peshë 3 000 – 3 499 gr.

“Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë nënat me shkollë të mesme me 39.3 për qind, shkollë fillore e kryer me 32.3 për qind, me shkollë të lartë dhe fakultet marrin pjesë 19.5 për qind”, thuhet në statsitikë.

Emri me frekuencë më të madhe (më i shpeshtë) për vitin 2015 për vajza ishte Alea, ose 223 foshnje, Erina 146 foshnje, ndërsa për djem emri më i shpeshtë ishte Diar 214 foshnje, Ajan 205 foshnje. Bineq, sipas ASSK-së, u lindën 712 foshnje, ndërsa treneq e më shumë u lindën 18 foshnje, raporton Albinfo.Ch.

Ndryshe, edhe pse numri i lindjeve në Kosovë po bije vazhdimisht, ai krahasuar me shtete tjera është më i lartë. Por, nëse bëhet një krahasim me fundin e viteve ’80  numri i lindjeve ka rënë dukshëm. Vitin e kaluar numri i lindjeve nuk e ka arritur shifrën 25 mijë në Kosovës, në vitin 1988-89 kanë lindur afër 56.000 foshnje.