Ambasadori Malaj: Nuk kemi çfarë të fshehim

Shumica e madhe e kosovarëve që jetojnë në Zvicër hedhin poshtë akuzat, «duke përfshirë edhe kundërshtarët politikë të Kryeministrit»

Ditëve të fundit, pas shpërthimit të aferës «Marty», ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj është intervistuar nga shumë gazeta zvicerane dhe ka qenë mysafir i emisioneve të televizioneve të këtushme. «Tregtia me organe» ka qenë shprehja më e lakuar në këto intervista dhe paraqitje mediale ku diplomati kosovar ka ngulmuar në mungesën e fakteve nga akuzuesi për një «tregti» të tillë.

 

Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane në gjuhën frënge «Le Temps», ambasadori Malaj, duke folur në emrin e shtetit që përfaqëson, lidhur me akuzat thotë se «ne nuk kemi asgjë për të fshehur», shprehje kjo që është vënë edhe në titullin e intervistës.

«Naim Malaj, ambasador i Kosovës në Bernë, hedh poshtë kategorikisht dyshimet që përmban raporti Marty, rreth implikimit të kryeministrit Thaçi në trafikun e organeve nga fundi i viteve 90-ta. Ai pohon se «shumica e madhe» e 200 mijë kosovarëve që jetojnë në Zvicër hedhin poshtë akuzat, «duke përfshirë edhe kundërshtarët politikë të Kryeministrit». «Ne jemi të gjithë të shokuar, sidomos për faktin që shtypi i ka dhënë përmasa të veçanta kësaj çështjeje» thotë ai për gazetën “Le Temps”.

 

I pyetur se cilat janë provat që qeveria prezanton kundër asaj që Marty e paraqet si provë të tij për tregtinë me organe, ambasadori Malaj e hedh topin te akuzuesi. «I takon akuzuesit t’i dëshmojë faktet dhe jo e kundërta. Dick Marty thotë se ka dëshmitarë; nëse ka prova konkrete, le t’i japë.

 

Gjithë kjo është absurde. Si është e mundur që guerilja e UÇK-së të posedonte mjete të sofistikuara të domosdoshme për të nxjerrë organe». Sipas ambasadorit, asnjë tregues i besueshëm nuk na lejon ta mendojmë që të ketë pasur tregti organesh. «Por t’ia lëmë drejtësisë ndërkombëtare ta provojë që akuza të tilla nuk kanë asnjë arsye të qëndrueshme», ka thënë ai.

Duke folur në vazhdim mbi atë se akuzat e Martyt ngjajnë me ato serbe, të bëra në vazhdimësi kundër shqiptarëve, dhe duke përkujtuar se Marty ka qenë tërë kohën kundër pavarësisë së Kosovës, Malaj thotë: «nuk kemi si mos ta pyesim veten nëse Dick Marty nuk ka rënë pre e manipulimeve serbe».

 

Ai pastaj njofton gazetën me DVD-në e cila tregon agjentë të policisë sekrete serbe në qershor të 2009 të cilët tentojnë të blejnë dëshmitarë të rrejshëm. «Dy agjentë, identiteti i të cilëve është i njohur nga drejtësia, përmendin shuma të parave prej 70 mijë deri në 300 mijë euro, për shqiptarët të cilët do të akuzonin UÇK-në dhe liderët e saj si të implikuar në trafikun e organeve», ka theksuar Malaj. DVD-ja e përmendur nga ambasadori kosovar është shfaqur mbrëmë në një televizion zviceran.

 

Edhe në intervistën dhënë gazetës «Zentral Schweiz am Sonntag», ambasadori Malaj mbron qëndrimin sipas të cilit institucionet kosovare nuk kanë çfarë të fshehin dhe ato janë të gatshme për hetime të pavarura lidhur me aferën «Marty».

 

I pyetur se çfarë pritet të ndodhë pasi që në janar të vitit që vjen Këshilli i Evropës do të diskutojë mbi raportin «Marty», ambasadori Malaj e lë punën në duar të drejtësisë. «Ne duam që drejtësia ndërkombëtare të bëjë punën e saj dhe t`i sqarojë akuzat e rënda që ngre Marty në raportin e tij. Hamendësimet dhe pohimet e padëshmuara të tij duhet të hetohen rrënjësisht dhe të sqarohen. Është në interesin tonë që kjo aferë të marrë fund. Ne ofrojmë bashkëpunimin tonë sepse ne nuk kemi asgjë për të fshehur».

Ndërsa pyetjes se mos përmes raportit të Martyt po prishen marrëdhëniet në mes të Zvicrës dhe Kosovës ambasadori kosovar i përgjigjet duke mohuar. «Ne e dimë se raporti i Martyt nuk pasqyron qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Zvicrës. Këtë e ka bërë të qartë ministrja e jashtme e Zvicrës, Calmy Rey gjatë kësaj jave».

 

Por, ka shtuar Malaj, i goditur rëndë nga kjo aferë është komuniteti kosovar që jeton në Zvicër. Ky komunitet, sipas Malajt është «i zhgënjyer thellë nga qëndrimi i medieve zvicerane. Mediet në fjalë, sipas pikëpamjes së shumë kosovarëve i kanë prezantuar tepër fuqishëm vetëm akuzat dhe, në kundërshtim me atë që kanë bërë mediet ndërkombëtare, pak ose fare nuk kanë hedhur dritë në atë se akuzat janë publikuar pa u ofruar dëshmi për to”.

Lidhur me dyshimet e ngritura nga Del Ponte se hetimet janë penguar në kohën kur janë iniciuar, ambasadori Malaj citon të dërguarin e parë të OKB-së në Kosovë, shefin e UNMIK-ut Bernard Kouchner. ky i fundit i kishte deklaruar BBC-së ditë më parë se ai është skeptik lidhur me raportin e Martyt. Kouchner ka thënë po ashtu se gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në post nuk ka dëgjuar që ndonjëherë të jetë bërë fjalë rreth kësaj çështjeje dhe se për herë të parë për to ka dëgjuar kur ka lexuar librin e del Pontes.

 

Rreth kërkesave që vijnë nga politikanë të ndryshëm zviceranë për tërheqjen e Swisscoy-t nga Kosova, ambasadori Malaj thotë se kjo (afera) «nuk është bazë e mirë për të kërkuar diçka të tillë. Këto trupa po bëjnë punë shumë të mirë në Kosovë. Prania e Zvicrës në Kosovë është ndoshta e vogël por është më shumë se vetëm simbolike. Zvicra ka një nam shumë të mirë në Kosovë.

 

Ndërsa i pyetur se çfarë duhet të bëhet për imazhin jo shumë të mirë të kosovarëve në Zvicër, ambasadori Naim Malaj prezanton themelimin ditë më parë të fondacionit për ndihmë Kosovës, i cili pritet tu mundësojë të rinjve nga Kosova që të studiojnë në universitetet zvicerane.

 

«Në mbrëmjen themeluese ishin të pranishëm rreth njëzet ambasadorë vendesh të ndryshme të akredituar në Bernë. «Potenciali i diasporës kosovare në Zvicër është i fuqishëm dhe ne duam që ta stimulojmë atë më fort për të mirën e të dy vendeve».