Shkurt.ch

Aborti do të financohet nga sigurimi shëndetësor

Ka dështuar në kantone nisma: “Financimi i abortit është çështje private" që kërkonte të mos mbulohen abortet nga sigurimi bazë shëndetësor

Aborti  do të vazhdojë të financohet nga sigurimi shëndetësor. Sipas rezultateve nga gfs.berne, 70 për qind e votuesve të Zvicrës janë deklaruar kundër iniciativës në fjalë.

Me votimin e sotëm zviceranët nuk kanë ndryshuar rregullimin aktual të kësaj çështjeje që ishte miratuar në vitin 2002 me referendum nga populli.

Synim i vendimit të marrë atëherë që përcaktonte afatin e lejimit të abortit ka qenë që të harmonizohen ligji dhe realiteti.

Nga ajo kohë, një ndërprerje e shtatzënisë (abortim) mund të bëhet pa u dënuar vetëm brenda 12 javëve të para të shtatzënisë, në rast se shtatzëna e bën të besueshme gjendjen e saj të rëndë.

Propozuesit e nismës nga ana tjetër kishin argumentuar se sigurimi bazë do të lirohet me një normë vjetore prej 8 deri 20 milionë frangash zvicerane nëse abortet duhet të paguhen privatisht.

Iniciativa sipas tyre kishte për synim luftimin e fenomenit të abortimit, i cili sipas tyre “nuk është sëmundje”

Iniciativa kishte për synim luftimin e fenomenit të  abortimit. Ata kishin thënë se aborti mund të mbështetet nga sigurimi shëndetësor përjashtimisht vetëm në rastet kur shtatzënia është si pasojë e përdhunimit dhe kur rrezikohet jeta e gruas. 

Në të kundërtën  Qeveria e Zvicrës dëshiron që edhe në të ardhmen “kriteret morale, religjioze ose sociale e etike dhe jo ato financiare të jenë vendimtare në rastet e vendimit për abortim”