Lajme

Nis jetësimi i marrëveshjes për “mësimin shqip në diasporë”

Në Prishtinë po mbahet takimi  i grupeve të punës për jetësimin e marrëveshjes Kosovë-Shqipëri për organizimin e mësimit shqip në diasporë 

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të Shqipërisë i kanë bashkuar forcat për të jetësuar mësimin plotësues për shqiptarët që jetojnë në diasporë. Për t’i caktuar kurrikulat dhe për t’i shqyrtuar modalitetet, përfshirë edhe financimin, sot në Prishtinë filloi takimi i grupeve të punës për zbatimin e marrëveshjes Kosovë –Shqipëri për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

Në takimin e parë të këtyre grupeve ishin të pranishëm ministri i Diasporës, Valon Murati; Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë;  Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë i  Republikës së Kosovës; Osman Shahini, sekretar i MeD-së dhe përfaqësues të ministrive përkatëse dhe anëtarët e grupeve punuese.

Takimin e hapi ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili foli për rëndësinë që ka marrëveshja e përbashkët për organizimin e mësimit shqip në diasporë

“Ka ardhur koha që edhe institucionet tona të bëjnë diçka për diasporën tonë, dhe kjo më së miri mund të bëhet përmes organizimit të përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe. Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët tanë në diasporë është një aset i jashtëzakonshëm, sepse mban lidhjet me vendin, me trevat shqiptare”, tha Murati.

Mësimi i shqipes, sipas tij, mund të jetë me përfitim të dyanshëm, sepse mbanë lidhjet e këtyre njerëzve me vendin e po ashtu krijojnë ura komunikimi midis vendit ku jetojnë dhe vendit tonë, qoftë në fushën e arsimit, qoftë në fushën e shkencës, në atë të kulturës apo në fushën e investimeve.

“Marrëveshja Kosovë-Shqipëri parasheh shumë çështje që duhet të trajtohen, që nga kurrikulat, tekstet mësimore, rekrutimi i arsimtarëve, financimi i programeve, unifikimi i metodologjisë së punës, që përmes futjes së metodologjive të reja në mësimin e gjuhës shqipe ta bëjmë atë më atraktiv, të gjejmë mënyra që t’u qasemi më lehtë nxënësve shqiptarë kudo në diasporë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij ministri Murati.

Ai foli edhe për përkrahjen institucionale që ofrojnë disa shtete, si p.sh. Suedia, duke thënë se duhet të punohet edhe më shumë për ta përkrahur mësimin shqip, sepse jo të gjitha shtetet ofrojnë mbështetje institucionale për arsimin shqip.

Po ashtu, ministri Murati tha se në këtë proces pune duhet të involvohet edhe diaspora, që edhe ajo të jetë pjesë e këtyre grupeve punuese, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MeD.

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, ndërkaq jka folur për punën që është bërë që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive, për mësimin që zhvillohet në diasporë etj.

“Ne jemi këtu jo vetëm për të thënë që e mbështesim politikisht, por sepse është detyra e çdo qeverie të kontribuojë për identitetin kombëtar, gjuhën e kulturën shqiptare. Edhe pse sot është takimi i parë kur grupet e punës fillojnë t’i bashkërendojnë  aktivitetet, gjatë këtij tetëmujori, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët mes dy qeverive shqiptare, Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka ecur në këtë drejtim, duke iu qasur secilës prej dymbëdhjetë neneve të marrëveshjes. Në Shqipëri e kemi filluar punën me reformën e teksteve shkollore, duke mundësuar një dokument  të përbashkët të vlerësimit të këtyre teksteve”, tha ministrja Nikolla.

Ajo theksoi se duhet të jemi përkrah mësuesve shqiptarë në diasporë, duke i ndihmuar që të performojnë më mirë, të jenë  në lartësinë e detyrës, në lartësinë e kërkesave që ka edhe kjo marrëveshje e përbashkët e tri ministrive.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami tha se plotësisht e mbështet intensifikimin e punës së grupeve teknike, meqë marrëveshja siç tha ai, që është firmosur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ka qenë një marrëveshje për mësimin unik të shqiptarëve në diasporë.

“Duhet t’u ofrojmë një mësimdhënie cilësore në kushtet që ata mund ta marrin këtë mësimdhënie, në kushtet e akomodimit brenda sistemeve juridike të qeverive të ndryshme. Dëshiroj që në emër të MAShT-it të kërkoj një dinamizim të punës, të shohim një plan konkret të punës, në mënyrë që të fillojmë t’i sendërtojmë përcaktimet e marrëveshjes ndërshtetërore”, tha Bajrami.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori  i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili në fjalën e tij tha se ndihet shumë i nderuar që merr pjesë në këtë takim që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve për t’u bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët.

“Të ndërgjegjësohet i gjithë faktori shqiptar, intelektual për të pasur një gjuhë të përbashkët, një standardizim të gjuhës shqipe në diasporë”, theksoi ambasadori shqiptar Minxhozi.  Takimi me grupet e punës do t’i vazhdojë punimet edhe nesër, kur do të dilet edhe me konkluzione dhe rekomandime.