Lajme

11 vende të BE-së kërkojnë ndryshimin e rregullave të votimit për politikën e jashtme

Debati për mënyrën e marrjes së vendimeve në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të vëmendjes në Bruksel, pasi 11 shtete anëtare kanë kërkuar shqyrtimin e mundësisë për zëvendësimin e unanimitetit me votimin me shumicë të cilësuar.

Austria, Danimarka, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Rumania, Spanja dhe Suedia i kanë dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, duke argumentuar se parimi i konsensusit duhet të ndihmojë në forcimin e veprimit të përbashkët të unionit dhe jo të shërbejë si pengesë për vendimmarrjen.

Sipas rregullave aktuale, shumica e vendimeve të BE-së në fushën e politikës së jashtme kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare. Kjo i jep secilit shtet mundësinë të bllokojë një qëndrim apo vendim të përbashkët.

Nisma e 11 vendeve vjen pas disa rasteve të përplasjeve të brendshme në BE, ku përdorimi i vetos nga Hungaria e kryeministrit Viktor Orbán ka vështirësuar arritjen e marrëveshjeve. Një prej çështjeve të fundit lidhet me bllokimin e një huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Në letrën drejtuar Kallas, shtetet propozojnë disa masa për ta bërë më efektive politikën e përbashkët të jashtme. Mes tyre përfshihet forcimi i bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërmjet vendeve anëtare, përdorimi më i gjerë i mekanizmit të “abstenimit konstruktiv” dhe shmangia e lidhjes së vendimeve të politikës së jashtme me çështje të tjera që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me to.

Një tjetër kërkesë është shqyrtimi i mundësive që ofrojnë traktatet e BE-së për kalimin nga unanimiteti në shumicë të cilësuar. Një prej mekanizmave të përmendur është e ashtuquajtura klauzolë passerelle, e parashikuar në traktatet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ndryshimi i sistemit përballet me një pengesë të rëndësishme: aktivizimi i këtij mekanizmi kërkon vetë unanimitetin e vendeve anëtare. Për këtë arsye, një reformë e tillë mbetet politikisht e vështirë për t’u realizuar.

Mbështetësit e ndryshimit vlerësojnë se votimi me shumicë të cilësuar do t’i mundësonte BE-së të reagojë më shpejt ndaj krizave dhe zhvillimeve ndërkombëtare. Në anën tjetër, kundërshtarët shqetësohen se një sistem i tillë mund të kufizojë të drejtën e shteteve anëtare, veçanërisht atyre më të vogla, për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare.

Nisma e 11 vendeve vjen në një periudhë kur BE-ja përballet me sfida të rëndësishme gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë dhe konkurrencën në rritje në skenën ndërkombëtare. Debati pritet të rikthejë në fokus çështjen nëse mekanizmi aktual i vendimmarrjes është i përshtatshëm për një Bashkim Evropian që synon të ketë një rol më të fuqishëm në politikën globale.