Kosova
Mbi pozitën e gruas shqiptare, dhunën në familje dhe diversitetin
Theksime nga debati mbi dhunën në familje, që ka organizuar ditë më parë në Cyrih, Kuvendi Shqiptar në Zvicër

Me organizim nga Kuvendi Shqiptar në Zvicër, më 20 qershor është mbajtur në Cyrih një debat publik mbi dhunën në familje dhe një ligjëratë mbi martesën dhe etnicitetin ndër shqiptarët e Zvicrës. Ligjëratën e ka mbajtur doktorantja Bubulinë Syla nga Kosova, e cila ndodhet në Zvicër, ku po punon temën e saj të doktoratës, në Universitetin e Cyrihut.
Në debat kanë marrë pjesë: Arbnora Aliu, ligjëruese për didaktikë gjithëpërfshirëse dhe heterogjenitet në Shkollën e Lartë Profesionale të Zvicrës Veriperëndimore (FHNW), Kaltërina Latifi, eseiste dhe studiuese e letërsisë, docente private në Institutin e Gjermanistikës, Universiteti i Bernës dhe Hamit Zeqiri, udhëheqës i Qendrës së Kompetencës për Migracion, Lucern.
Aktivitetin e ka hapur kryetari i KSHZ, Orhan Spahiu ndërsa debatin, me mjaft kompetencë dhe njohje të thellë të problematikes që trajtonte, e ka drejtuar Gzim Hasanaj nga KSHZ.
I pranishëm ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Shkëlqesia e Tij, Mentor Latifi.
Frymën e debatit e kanë përcaktuar qëndrimet e Kaltërina Latifit, e njohur nga shkrimet dhe esetë e mprehta që ajo boton në mediat zvicerane, kryesisht në “Das Magazine” të gazetës Tages Anzeiger. Ajo trajton pabarazinë e gruas në shoqërinë shqiptare dhe ballkanike, por edhe tema të tjera identitare mbi shqiptarët në Zvicër, integrimin e tyre në vendin e ri etj. Latifi edhe kësaj radhe ka mbrojtur qëndrimin e saj të njohur mbi problemet që kultura shqiptare dhe ballkanike ka me barazinë e gruas, mbi maçoizmin e burrave nga kjo kulturë etj. Një pjesë e mirë e debatit është zhvilluar rreth një artikulli të zonjës Latifi, mbi të njëjtën temë, i cili kishte ngjallur reagime, pos tjerash edhe nga 90 gra, të cilat i ishin drejtuar me shkrim gazetës ku artikulli ishte botuar. Autorja edhe në këtë debat është shprehur se problemi i prekur, patriarkalizmi, dhuna ndaj gruas etj., nga ajo ekziston sot e gjithë ditën në shoqërinë dhe kulturën shqiptare. Së këndejmi, më shumë se reagimi ndaj konstatimit të saj, kësaj shoqërie i nevojitet ngritja kundër një mentaliteti të tillë. Shkurt, shoqërisë shqiptare i nevojitet një “revolucion” nëse dëshiron të tejkalojë gjendjen në të cilën ndodhet, sa i përket të drejtave që ajo “i rezervon” gruas.
E përballur me vërejtjet e Hamit Zeqirit që të mos përgjithësohen gjërat, pasi, sipas tij, gruaja në shoqërinë tonë ka shënuar arritje të konsiderueshme, Latifi ka thënë se edhe zhvillimet pozitive nga aspekti formal juridik, që janë evidente, nuk e kanë përmirësuar dukshëm pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare. Për më tepër, kjo gjendje që po stagnon në Kosovë, Shqipëri etj., reflektohet edhe ndër shqiptarët që jetojnë në vende të përparuara, si në Zvicër e gjetiu. Edhe këtu, roli i gruas identifikohet në radhë të parë me martesën e saj, pasjen e burrit dhe të fëmijëve, gjë që tregon për një mentalitet të prapambetur dhe jo të përshtatur me atë në vendin ku jetojmë.
Zeqiri ka vënë në pah se, sidomos nga përfundimi i luftës, viti 1999 e tutje, shoqëria shqiptare ka pasur një zhvillim të hovshëm sa i takon vendit dhe rolit të gruas në këtë shoqëri. Prandaj, ka thënë ai, çështja e pozitës së gruas shqiptare duhet të shikohet me më shumë diferencim sepse ajo nuk është aq bardh-zi por ka një diversitet më të madh.
Arbnora Aliu ka folur për një ballafaqim të shpeshtë të gruas shqiptare me dhunën në ambientin ku jeton, pra në shoqërinë shqiptare. Ky është një realitet dhe nuk kemi përse ta fshehim ose zbukurojmë. Kjo dhe është arsyeja që pllakatet që institucionet ose organizatat zvicerane i shpërndajnë kundër dhunës mbi gratë, përkthehen edhe në gjuhën shqipe. Ajo ka theksuar po ashtu se shoqërisë shqiptare i duhet një shkëputje e qartë nga mentaliteti patriarkal që vazhdon ta karakterizojë dhe, për ta arritur këtë, na nevojitet në radhë të parë emancipimi i burrit.
Ndërsa në ligjëratën e saj mbi martesën dhe etnicitetin ndër shqiptarët e Zvicrës, doktorantja Bubulinë Syla ka sjellë para publikut gjetjet që ajo ka bërë gjatë realizimit të temës së doktoratës, që do ta mbrojë në Cyrih.
Ajo ka prezantuar tipe dhe mënyra se si perceptohet martesa në shtresa dhe kontekste të ndryshme të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Identifikimi i fortë me vendin e prejardhjes, përjashtimi i një lidhjeje martesore me persona jashtë rrethit shqiptar, vazhdojnë të jenë përcaktues për një pjesë të konsiderueshme të prindërve në raport me jetën martesore të fëmijëve të tyre. Kjo shpesh çon edhe në konflikte, kur vajza ose djali nuk u pranojnë me vullnet të lirë vendime ose pretendime të tilla të prindërve të tyre. Edhe sjellja në Zvicër e “dhëndrit” ose “nuses” nga Kosova, Maqedonia ose Shqipëria përbën burim mospajtimesh dhe konfliktesh në familjet shqiptare në Zvicër. Kjo ndodh veç tjerash për faktin se nusja nga Kosova dhe dhëndri nga Zvicra kanë formim të ndryshëm kulturor e mental, sjellje, zakone dhe mentalitet të ndryshëm dhe e gjithë kjo prish ekuilibrat e formuar në shoqëritë dhe familjet përkatëse, ka konstatuar veç tjerash Bubulinë Syla në ligjëratën e saj.
Albinfo.ch ishte partner medial i aktivitetit.
Fotot: Genti Mersinaj
E-Diaspora
-
Shkencëtari Ardian Jusufi zbulon se një lloj i “ketrave fluturues” mund të përdoren në robotikë Gjetjet e ekipit të drejtuar nga Prof. Dr. Ardian Jusufi një ditë mund të mundësojnë prodhimin...
-
Mësojmë Shqip në Diasporë me “Metodë praktike për mësimin e gjuhës shqipe”
-
Artisti Sislej Xhafa, sjell ekspozitë të veçantë në Alpet e Zvicrës
-
Gjermani: Shoqatat shqiptare prezantojnë kulturën dhe traditat
-
Britani: Bie pema mbi pesë fëmijë, humb jetën 7 vjeçarja shqiptare
Jeta në Austri
-
Kreditë për shtëpi në Vjenë konsumojnë 53% të të ardhurave Blerja e një shtëpie mbetet e papërballueshme për shumë familje. Sipas llogaritjeve të publikuara të mërkurën...
-
Këta emigrantë përfitojnë më së shumti nga “AMS” në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz