Portrete të firmave

AES fuqizon rolin e diasporës në teknologji dhe siguri

Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë në Zvicër (Albanian Engineers of Switzerland – AES) njoftoi në këtë event për partneritetin strategjik me kompaninë Zürich: Generalagentur Alex Pfister AG, me qëllim ofrimin e zgjidhjeve të avancuara për menaxhimin e rreziqeve kibernetike për anëtarët e Shoqatës, përmes një modeli bashkëpunimi kolektiv (Flottenrabatt).

Shoqata e Inxhinierëve Shqiptarë në Zvicër (Albanian Engineers of Switzerland – AES) organizoi me sukses ngjarjen e saj vjetore “Cybersecurity & Networking Night 2025”, duke thelluar rolin e saj si një platformë udhëheqëse në fushën e teknologjisë dhe sigurisë digjitale për diasporën shqiptare në Zvicër.

Ngjarja u zhvillua në Cyrih dhe mblodhi me dhjetëra profesionistë të teknologjisë, inxhinierë, ekspertë të fushave të ndërlidhura, përfaqësues të industrisë së sigurimeve dhe partnerë strategjikë, duke dëshmuar fuqinë e AES si një rrjet që ndërton ura reale bashkëpunimi profesional në një kohë sfidash të mëdha teknologjike.

 

Kryetari i Shoqatës AES, z. Mentor Ilazi

Në fjalën e tij, kryetari i Shoqatës AES, z. Mentor Ilazi, vuri theksin te rëndësia e ndërtimit të një komuniteti të fortë inxhinierësh shqiptarë, të aftë për të ndarë përvoja, për të mentoruar brezin e ri dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut teknologjik zviceran:

“AES është një rrjet funksional dhe me vizion të qartë. Në një epokë ku siguria kibernetike po bëhet shtyllë e stabilitetit ekonomik dhe shoqëror, inxhinierët shqiptarë në Zvicër kanë detyrën dhe mundësinë për të qenë faktor aktiv në ndërtimin e së ardhmes.”

Programi teknik i ngjarjes përfshiu diskutime të specializuara mbi sfidat emergjente të sigurisë kibernetike dhe ndikimin e teknologjive të reja në sektorë kyç si Insurtech dhe infrastruktura digjitale.

Samela Bajraktari, profesioniste në fushën e sigurisë së teknologjisë së informacionit, solli një analizë gjithëpërfshirëse mbi sfidat që hasin kompanitë dhe individët në këtë fushë. Ajo u ndal specifikisht në sektorin e sigurimeve, duke përmendur disa nga teknikat më të zakonshme të sulmeve kibernetike, sfidat që vijnë sidomos me zhvillimin e inteligjencës artificiale, si edhe strategjitë e mbrojtjes.

“AES po krijon një platformë profesionale që jo vetëm nxit shkëmbimin e njohurive, por edhe ndërton ndërgjegjësim mbi sfidat kibernetike që ndikojnë jo vetëm individët, por të gjithë sistemet ekonomike. Kjo është një hapësirë me ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin tonë si profesionistë në Zvicër dhe më gjerë.”

Urim Mehmedi, drejtues i domainit të IT në AES, prezantoi zhvillimin e një platforme teknologjike të dedikuar për rrjetëzimin profesional ndërmjet studentëve, profesionistëve dhe industrisë. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të një “ekosistemi bashkëpunimi që i jep formë aktive rolit të diasporës në inovacion.”

 

Në vijim, anëtari i nderit të AES Isak Alimi prezantoi Çmimin për Ekselencë Akademike, i cili do të mbështesë financiarisht studentët shqiptarë në Zvicër që shquhen në studimet Bachelor, Master dhe PhD. Ky çmim, mbështetur nga donatorë privatë, synon të nxisë arritjet akademike dhe t’u japë formë lidershipit të ri intelektual në komunitet. “Qëllimi ynë është të krijojmë një kulturë të vazhdueshme të ekselencës dhe të investojmë në ata që nesër do të jenë bartës të zhvillimit teknologjik dhe shoqëror – brenda dhe përtej diasporës shqiptare”, u shpreh Alimi gjatë fjalës së tij.

Në një tjetër moment i rëndësishëm AES njoftoi partneritetin strategjik me kompaninë Zürich: Generalagentur Alex Pfister AG, me qëllim ofrimin e zgjidhjeve të avancuara për menaxhimin e rreziqeve kibernetike për anëtarët e Shoqatës, përmes një modeli bashkëpunimi kolektiv (Flottenrabatt).

Eksperti i sigurisë kibernetike, z. Sylvain Luiset

Eksperti i sigurisë kibernetike, z. Sylvain Luiset, dhe Bekim Dalipi, këshilltar privat dhe për bizneset në sektorin e sigurimeve në Kompaninë “ Zürich”, sollën perspektiva konkrete mbi ndërlidhjen mes sektorit të teknologjisë dhe atij financiar, duke vënë në dukje rëndësinë e integrimit të profesionistëve shqiptarë në këto bashkëpunime të reja.

Nënkryetar i AES-it dhe organizator i eventit Kushtrim Ajvazi

Nënkryetari i AES-it dhe organizator i eventit Kushtrim Ajvazi, theksoi: “Qëllimi ynë ishte të krijojmë një hapësirë rrjetëzimi ku inxhinierët shqiptarë jo vetëm shkëmbejnë dije, por edhe ndërtojnë bashkëpunime afatgjata në sektorë strategjikë si siguria digjitale. Kjo është një temë që kërkon ndërgjegjësim kolektiv dhe përgjegjësi të përbashkët.”

Ngjarja gëzoi mbështetjen zyrtare të Albinfo.ch si partner medial, duke siguruar shpërndarje të gjerë në rrjetet informuese të diasporës.

Dimensoni diplomatik dhe kulturor

Ambasadori i Republikës së Kosovës në  Bernë, Mentor Latifi

Ngjarja u nderua nga prania e figurave të rëndësishme institucionale. Ambasadori i Republikës së Kosovës në  Bernë Shkëlqesia e Tij Mentor Latifi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi: Jam thellësisht mirënjohës ndaj AES-it dhe komunitetit të inxhinierëve shqiptarë në Zvicër, të cilët i konsideroj si ajkën e shoqërisë sonë. Që nga ardhja ime si ambasador, kam ndier mbështetje të sinqertë nga ky rrjet dhe kënaqësi të ndaj bashkërisht rezultatet institucionale AES po dëshmon se integrimi profesional është një formë e lartë e përfaqësimit kombëtar.”

Valon Gashi, Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë

Valon Gashi, Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, AES, përfaqëson jo vetëm profesionalizmin shqiptar nga të gjitha trevat, por edhe vlerat e bashkëpunimit, dijes dhe inovacionit. Iniciativa të tilla e rrisin kredibilitetin dhe kontributin e diasporës shqiptare në shoqërinë zvicerane.

Të pranishëm si mysafirë nderi ishin edhe z. Vigan Berisha, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Cyrih, z. Arben Shabani nga Swissalbs, Dr. Fadil Çitaku nga IPAK, z. Rexhep Gashi, ish-kryetar i AES-it, z. Sevdail Tahiri, drejtor i Albinfo.ch, Dr. Fatime Berisha-Imeri, kryetare e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare, Dr. Mentor Bilali nga Lidhja e Mjekëve Shqiptarë, dhe Dr. Gazmend Haliti nga CH-APEN, si dhe personalitete të tjera të fushës së inxhinierisë, fusha të tjera veprimi dhe jetës publike të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke i dhënë ngjarjes një profil të lartë institucional, ndërsektorial dhe shoqëror.

albinfo.ch 

Mbrëmja përfundoi me një darkë të organizuar dhe një program kulturor të përzgjedhur, ku performuan këngëtarja e mirënjohur Miranda Hashani dhe muzikanti Ilir Dërbaçi – një përmbyllje e natyrshme që solli në një skenë të vetme dijen, rrjetëzimin dhe identitetin kulturor shqiptar jashtë vendlindjes.

Dr. Fadil Çitaku – IPAK dhe z.Rexhep Gashi,  ish-kryetar i AES-it

“Cybersecurity & Networking Night 2025” konfirmoi se AES nuk është vetëm një shoqatë profesionale – por një pikë referimi për diasporën shqiptare në epokën digjitale.

Lexoni po ashtu:

Bëhu pjesë e elitës akademike shqiptare të inxhinierisë në Zvicër – Apliko tani!