Portrete të firmave

Dita e inxhinierëve, me inxhinierët shqiptarë të Zvicrës

Karl Gega e Mira Murati, udhërrëfyes të Albanian Engineering of Switzerland (AES) 

Kështu kanë shënuar ditën e tyre inxhinierët shqiptarë në universitetin prestigjioz të Cyrihut ETH në një takim të organizuar me shoqatën Studenti në Zürich para dhjetëra studentëve shqiptarë të universiteteve të ndryshme të Zvicrës, duke marrë shembullin e arritjeve të inxhinierit me prejardhje shqiptare Karl Gega dhe Mira Murati, si koka e intelegjencës artificiale, e njohur ndryshe ChatGPT.

Fjalimin përshëndetës duke u uruar mirëseardhje e ka hapur përfaqësuesi i shoqatës Studenti, Eleonit Smajli. Ai ka veçuar këtë takim si një mundësi të mirë të studentëve për t’u njohur më afër me inxhinierët shqiptarë, nga të cilët studentët do të mund të përfitonin njohuri të mbledhura nëpër kompani prestigjioze.

Përpjekjet e tyre kanë filluar të marrin formë e të dalin në pah me prurjet e reja të vitit që lamë pas me inxhinierë të rinj e specialistë të fushave të ndryshme – shqiptarë që janë të angazhuar në kompani të prodhimit të trenave, për të cilët albinfo.ch kishte shkruar.

Kështu, Albanian Engineering of Switzerland është rikthyer brenda një viti në një rrjet të fuqishëm organizativ me dhjetëra inxhinierë të rinj e të sukseshëm në kompani të njohura e prestigjioze. «Ne sot numërojnë rreth 120 anëtarë dhe prej tyre 66 janë aktivë që vijnë në numër të konsiderueshëm nga Zvicra gjermanofolëse», njoftoi të pranishmit nënkryetari Kushtrim Ajvazi.

Ai prezantoi para studentëve punën organizative të rrjetit, e cila fokusohet në bashkëpunim aktiv me kompani, institucione, shkolla dhe shoqata. Ajvazi mes tjerash theksoi rëndësinë e shkëmbimit të njohurive me talentë, duke i këshilluar dhe ofruar mentorim për studentët. «Krijojmë, zgjerojmë dhe ruajmë rrjetin e profesionistëve përmes bashkëpunimit, mentorimit dhe shkëmbimit të përvojave», theksoi inxhinieri Ajvazi.

Një nga arritjet e AES-it që vlerësohet është vizita dhe memorandumi i nënshkruar me Qeverinë e Republikës së Kosovës. “Në mars të vitit të kaluar kemi nënshkruar memorandumin 5-vjeçar me Ministrinë e Ekonomisë dhe pranimi i AES-it si institucion profesional në Microsoft», tha kryetari Mentor Ilazi, i cili detyrën e kryetarit e ka marrë në shtator 2023.

«Misioni i AES-it është të krijojmë një paltformë dinamike që nxit një sinergji midis inxhinierëve dhe arkitektëve shqiptarë. Ne synojmë të frymëzojmë përsosmërinë profesionale, të nxisim bashkëpunimin produktiv dhe të lehtësojmë shkëmbimin», tha inxhinieri Arben Shabani para inxhinierëve dhe studentëve shqiptarë në ETH të Zvicrës.
Takimi u mbyll me një aperitiv të shtruar nga shoqata Studenti.

Albanian Engineering of Switzerland fton në këtë Link inxhinierët shqiptarë të bëhen pjesë e projekteve për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe në vendet e prejardhjes.

Bekim Dalipi