Kosova

Vera e vonuar e diasporës kosovare

Një rrëfim i ilustruar me pamje nga udhëtimi me aeroplan në relacionin Cyrih - Prishtinë, pak ditë pas heqjes së Kosovës nga “Lista e karantinës” e Zvicrës

Jo shumë kohë më parë njerëzit me maska nuk janë parë me simpati. Sot kemi një situatë krejtësisht të kundërt, sa që kush nuk mban maskë, sidomos në transportin publik, në aeroporte e aeroplanë, jo që nuk shihet me simpati, por gjobitet.

Maska na garanton sot siguri për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, pa pasur frikë se mund të infektohemi nga virusi Covid-19. Askund nuk mund të shkosh pa vendosur maskën. Roli i saj është kthyer aktualisht në dobi të shoqërisë.

Kisha vendosur maskën dhe po merrja trenin e parë të mëngjesit në drejtim të aeroportit të Cyrihut. Rrugës po vëreja sa e bezdisshme ishte bartja e maskës, veçmas për ata që mbajnë syze. Ato avulloheshin vazhdimisht dhe unë nuk po arrija të lexoja lajmet e ditës.

Aeroportin e Cyrihut nuk e kisha parë kurrë më të qetë e me më pak njerëz se në mëngjesin e hershëm të 8 tetorit. Të vetmit pasagjerë që po shihja duke dorëzuar bagazhin në terminalin B në ato çaste, ishin ata të kompanisë Chair të Air Prishtinës. Gjithashtu ata ishin të vetmit që po kalonin kontrollin e sigurisë pa pritur fare në radhë. Diçka jo e zakonshme për aeroportin e Cyrihut. Shumë dyqane e restorante nuk ishin hapur fare dhe ata pak klientë që pinin kafe aty këtu në ndonjë restorant, vërehej qartë se ishin shqiptarë që po prisnin të hipnin në aeroplan për të shkuar në Kosovë.

Kisha prerë biletën tri ditë më parë me kompaninë Air Prishtina dhe po shkoja në Kosovë pas dhjetë muajve, me shumë pikëpyetje rreth gjendjes aktuale të menaxhimit të pandemisë; rreziku për infektim; infrastruktura e dobët e trajtimit të rasteve dhe kriza e thellë politike e sociale që kur i shton edhe rrezikun e pandemisë, Kosova nuk duket ndryshe pos e vendosur për teke të politikanëve në modusin „Standby“.

E dija që Kosova kishte ulur ndjeshëm numrin e rasteve të infektimit dhe mbajtja e maskës ishte masë e Qeverisë që duhej zbatuar në tërë vendin.

Qeveria zvicerane kishte hequr Kosovën nga lista e vendeve për karantinim pas një sërë lajmesh pozitive që vinin nga Kosova për uljen e rasteve të infektimit.

Duke iu referuar statistikave që kohë pas kohe kishte pasqyruar Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, nga fillimi i muajit e deri më 8 tetor, në Kosovë kishin hyrë rreth 30 mijë mërgimtarë nga diaspora, respektivisht nga Zvicra. Përveç aeroportit të Prishtinës, edhe stacionet e autobusëve për dhjetë ditë me radhë patën mijëra udhëtarë nga Zvicra, pothuajse në të gjithë stacionet e autobusëve.

Gjithashtu, në ditën që po udhëtonim ne, ishin disa aeroplanë të kompanive të ndryshme që do të fluturonin dy e tri herë në ditë, të mbushur me plot udhëtarë në drejtim të aeroportit të Prishtinës.

„Kosova s’mundet pa ne, veç as na s’mundemi pa të”

Kishim kaluar të gjitha kontrollet dhe i vetmi rast kur na është kërkuar ta ulim për pak sekonda maskën, ishte momenti përballë doganierit që bënte verifikimin e pasaportës.

David Domgjoni

Pas disa tentativave për të biseduar me udhetarë që kishim të njëjtin aeroplan, takoj David Domgjonin, një djalë nga qyteti St. Gallen, që po shkonte në Kosovë pas më shumë se një viti. Ai po shkonte te gruaja dhe fëmijët që kishin shkuar një javë para tij në Kosovë. “Jam mërzitë, ka kaluar kohë e gjatë pa shkuar dhe mezi po pres të shkoj t`i shoh të afërmit e mi”, shfryen ai dhe shikon orën e nisjes.

“Kosova ka nevojë për ne, sidomos këtë vit që korona e ka shkatërruar ekonominë. Duhet të shkojmë të gjithë e t`i dërgojmë paret atje, thotë ai dhe vazhdon, „por ama dorën në zemër, edhe ne kemi nevojë për Kosovën“, vazhdon Davidi duke kërkuar miratimin tim.

„Kam më shumë se një vit që s’kam qenë, pasi që verës u mbyll kufiri dhe du mu tranu, disi na ngreh ky vend e s’bën pa të. Ata s’munden pa ne, veç as na s’mundemi pa ta” shprehet me tone mallëngjyese 38 vjeçari nga Gjakova që kishte lënë punët e firmës së tij për t’ju bashkuar familjes në Gjakovë.

S’do mend që Kosova po e vuan shumë mungesën e bashkatdhetarëve, sidomos sektori i gastronomisë, dasmat e shumta të anuluara dhe biznese të tjera që sivjet regjistrojnë shumë më pak të hyra se viteve të tjera. Kjo pasi që në muajt e verës, diaspora e fuqishme kosovare ka kaluar pushimet pjesërisht në bregdetin shqiptar dhe më tepër në Kroaci e Itali e vende të tjera dhe tani, me heqjen e Kosovës nga lista e karantinës, është momenti për ta përmirësuar sadopak bilancin negativ të të hyrave në vend.

Fluksi i bashkatdhetarëve që kanë shkuar e vazhdojnë të shkojnë në Kosovë, është mbresëlënës, por ende larg atyre shifrave që mund t`i shohim në kohë vere. Megjithatë, nëse Kosova ia del të ruajë numrin e ulët të të infektuarve, ky vit mund të shpetohet gjatë pushimeve të fundvitit.

Boshnjaku me dy pasaporta, por që përdor vetëm të Kosovës

Gruaja joshqiptare që po shkonte për herë të parë në Kosovë me burrin e saj shqiptar, ishte disponuar, megjithëse nuk e kishte idenë çfarë e pret dhe si është Kosova. “Po shkojmë ta vizitojmë familjen e burrit”, më përgjigjet e hutuar që po e pyes, përderisa i shpjegoj burrit të saj që më afrohet me një shikim dyshues se bisedën po e zhvilloj në kuadër të një reportazhi që do të realizoj për pushimet vjeshtore në Kosovë.

“Amo neve mos na përmend vëlla, nuk bën”, më thotë prerë burri i cili preferon të mbetet anonim. “Në Kosovë po shkojmë pas një mungese të gjatë. Kjo që i fole është gruaja ime dhe nuk ka qenë hala asnjëherë në Kosovë. Atje do të njihet për herë të parë me familjen time dhe unë nuk dua të dalim në gazetë”, me flet burri rreth të dyzetave me një rrahje shpine dhe largohet në drejtim të gruas së tij, e cila po mundohej të kuptonte nga ato pak fjalë që dinte në gjuhën shqipe, se çfarë flisnim për të.

Në ulësen time të rendit të dytë, i flas “fqiut” tim të parë në gjuhën shqipe por ai ma kthen gjermanisht. Po vazhdoja t`i flisja shqip, i bindur se është shqiptar, duke menduar se më ka ngatërruar për ndonjë të huaj dhe me flet gjermanisht. Ai ishte një boshnjak i Kosovës, nga rajoni i Prizrenit që ndonëse kishte mbi njëzet vite që jeton në Zvicër, nuk ishte shkëputur kurrë nga Kosova. Shqipen nuk e fliste, por kjo nuk paraqiste problem diskutimi për ne që mund të diskutonim edhe gjermanisht. “Po shkoj me gruan dhe djalin pasi verës nuk ishte e mundur për shkak të pandemisë”, më flet ai në gjermanishte me kushtin që të mbetët anonim.

“Atje kam tërë familjen time dhe unë e ndjej veten kosovar, ani pse kam edhe pasaportë të Bosnjës. Në Zvicër e kudo jam i regjistruar si kosovar dhe udhëtoj vetëm me pasaportë të Kosovës”, tregon burrri rreth të pesëdhjetave, për të cilin  Kosova ishte dhe mbetej shtëpia e parë.

Nga e majta: Trinidad Otero Alberto & Dreja Robin

Stjuardi që ka lidhur miqësi të shumta me shqiptarë në aeroplanin e aviokompanisë Chair

Drejtuesi i ekipit të stjuardëve në aeroplan, thotë të jetë me fat që tani Kosova është hequr nga lista e karantinës. “Avioni është përplot me udhëtarë dhe ne vërejmë gëzimin në fytyrat e tyre. Kemi përjetuar një fazë të vështirë me ndalimin e fluturimeve dhe edhe më vështirë ishin fluturimet pa ose me shumë pak pasagjerë, të cilët merrnin mbi supe karantinimin duke fluturuar nga Cyrihu në Prishtinë dhe anasjelltas”, kujton Robin Dreja kohën e vështirë të punës nën kushte të karantinimit.

“Ajo çfarë na mungon tani është kontakti me pasagjerët. Përveç një shisheje me ujë që e vendosim në secilën ulëse, ne nuk servojmë ushqim dhe shmangim sa më shumë që të mundim kontaktin me pasagjerë, thotë Robin Dreja, i cili ka dhjetë vite që punon si stjuard dhe ka krijuar një lidhje emocionale me Kosovën, tokën e së cilës e shkel për çdo ditë dhe më shumë se çdo mërgimtar tjetër që jeton në Zvicër.

„Duke qenë për çdo ditë në kontakt me pasagjerë shqiptarë të linjës Cyrih-Prishtinë të kompanisë Air Prishtina, ai përmes punës ka krijuar miqësi të reja me shumë shqiptarë. Madje ndonëse nuk e flet gjuhën shqipe, thotë që e kupton relativisht mirë, pasi që e dëgjon dhe është vazhdimisht në kontakt me njerëz që flasin shqip“, tregon me një mirësjellje të admirueshme shefi i grupit të stjuardëve në avionin Chair të kompanisë Air Prishtina, i cili ju flet dhe i informon udhëtarëve edhe në gjuhën shqipe.

Dy pilotët e linjes Zürich Prishtinë të aviokompanisë Chair

I gjithë shërbimi në aeroplan, një shishe me ujë

“Ajo çfarë na mungon tani është kontakti me pasagjerët. Përveç një shisheje me ujë që e vendosim në secilën ulëse, ne nuk servojmë ushqim dhe shmangim sa më shumë që të mundim kontaktin me pasagjerë, thotë Robin Dreja, i cili ka dhjetë vjet që punon si stjuard dhe ka krijuar një lidhje emocionale me Kosovën, tokën e së cilës e shkel për çdo ditë dhe më shumë se çdo mërgimtar tjetër që jeton në Zvicër.

Kosovarët, të vetmit që  “e popullonin” aeroportin e Cyrihut

Aeroportin e Cyrihut nuk e kisha parë kurrë më të qetë e me më pak njerëz se në mëngjesin e hershëm të 8 tetorit. Të vetmit pasagjerë që po shihja duke dorëzuar bagazhin në terminalin B në ato çaste, ishin ata të kompanisë Chair të Air Prishtinës. Gjithashtu ata ishin të vetmit që po kalonin kontrollin e sigurisë pa pritur fare në radhë. Diçka jo e zakonshme për aeroportin e Cyrihut.

  • Reportazhi është shkruar në fillim të tetorit, për numrin aktual të revistës albinfo.ch.