Kosova
Me kandidatët nga diaspora që kanë mësyrë ulësen e deputetit në Kosovë
Për albinfo.ch flasin kandidate/ët: Qibrije Hoxha (LDK), Dimal Basha (VV), Pranvera Ejupi – Hajzeraj (AAK) dhe Bekim Brestovci (Nisma)

Diaspora nuk është e përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës. Por në kuadër të listave zgjedhore të disa partive gjejnë vend herë pas here disa aktivistë nga diaspora. Albinfo.ch ka biseduar me katër prej tyre: Qibrije Hoxha (LDK), Dimal Basha (VV), Pranvera Ejupi – Hajzeraj (AAK) dhe Bekim Brestovci (Nisma).
Qibrije Hoxha (LDK): Do të jem zëri i mërgimtarëve në Kuvend
Qibrije Hoxha ka vendosur që ta lë Suedinë, pasi ka ndarë mendjen që t’i hyjë garës për deputete në Kosovë si kandidate nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ajo ishte për shumë vite aktiviste në Suedi, së fundi kryetare e degës atje. Hoxha thotë se kjo parti e shpërbleu pasi ishte për disa vite bashkëpunëtore e ngushtë e Presidentit Ibrahim Rugova. Inxhinierja e teknologjisë që ka jetuar në Suedi që nga viti 1989, shprehet se këtë vendim e mori pasi synon që të jetë zëri i mërgimtarëve në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e ardhshme.
“Vendosa që në këtë periudhë të jetës sime të angazhohem për demokratizimin e Kosovës, përvojë të cilën e kam fituar tash e 30 vite nga politikanë dhe institucione në Suedi. Veprimtaria ime në Suedi është fokusuar në sensibilizim e çështjes së Kosovës, kontaktet e vazhdueshme me politikanë dhe qeveritarë suedez si dhe me organizimin e bashkatdhetarëve në shoqata, komisione të 3%, në Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë në Suedi dhe forma të tjera të organizimit”, thotë Hoxha.
Mërgimtarja nga Suedia thotë se do të jetë zëri i mërgimtarëve në Kuvend nëse zgjidhet deputete në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.
“Do ta bëj këtë sepse unë i njoh mirë nevojat, problemet dhe pritjet e mërgimtarëve tanë. I njoh lidhjet emocionale të tyre me Kosovën. E njoh potencialin e tyre dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar në ndërtimin e Kosovës. Mërgimtarët tanë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk kanë pasur një përfaqësues i cili denjësisht do t`i mbronte interesat e tyre. Kjo ka qenë një mangësi e cila i ka dëshpëruar dhe i ka izoluar mërgimtarët tanë nga atdheu i tyre dhe që në të njëjtën kohë e ka dëmtuar zhvillimin e Kosovës”, potencon Hoxha.
Sipas Hoxhës, problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen mërgimtarët janë pamundësia për të zhvilluar veprimtarinë e tyre biznesore e cila sipas saj do të krijonte vende të reja të punës dhe do të ndikonte drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Hoxha thotë se do të kontribuojë në Kuvendin e Kosovës në plotësimin e ligjeve të cilat mund t`ua lehtësojnë mërgimtarëve mundësinë për të ardhur dhe për ta ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme.
“Kjo po ndodh për shkak të mosfunksionimit të sistemit legjislativ në Kosovë, si rrjedhojë e krimit dhe korrupsionit dhe shtetit të kapur. Përveç kësaj ka shumë mërgimtarë të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë me përvojën e tyre në fushën e edukimit të cilën e kanë marrë në vendet demokratike ku jetojnë ata. Ka profile të ndryshme të ekspertëve të cilët kanë bërë emër në fusha të ndryshme, në shëndetësi, në kulturë, në shkencë e të tjera fusha, por të cilëve nuk u jepet mundësia që të kontribuojnë dhe ta zhvillojnë vendlindjen e tyre”, potencon Hoxha.
Dimal Basha (VV): Diaspora, me ekspertizën e saj, vlerë e shtuar për vendin
Pos mërgimtarëve nga Evropa, garës për deputetë i ka hyrë edhe një bashkatdhetar nga SHBA. Ai është Dimal Basha, i cili përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje.
Ja si e përshkruan ai vendimin e tij për të garuar: “E para, sikur një shumicë e qytetarëve të këtij vendi kam qenë shumë i dëshpruar për degradimin që i është bërë këtij vendi, me pushtetarë të këqij dhe me njerëz të pandershëm. Unë besoj se shkollimi im në Nju Jork, si dhe përvoja e punës ne Gjykatën Federale ne SHBA si dhe në zyrën e kongresmenit Eliot Engel, do të ndihmojë në hartimin e politikave zhvillimore dhe në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Të dyja këto janë objektiva që synojnë një qeverisje të ndershme, dhe këto synime sigurisht arrihen vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje, që mbetet subjekti i vetëm i cili e ka dëshmuar me vite se qëndron kundër krimit dhe ka planprogram për zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve”, thekson Basha.
Ai shton se përvojën e tij në SHBA dëshiron ta ofrojë në vendlindje dhe se është i bindur që secili deputet i Vetëvendosjes do të jetë zëri i diasporës.
“Pas përfundimit të studimeve dhe një përvoje të punës në SHBA, e kam parë si obligim kombëtar që të jap kontributin tim për vendin. Sigurisht se nuk ka qenë e lehtë, mirëpo kur e kam menduar sakrificën e gjithë atyre burrave dhe grave nga diaspora për të ndihmuar luftën, atëherë kthimi im në paqe ka qenë shumë më i lehtë. E kam parë si detyrim të jap kontributin tim në kohën kur Kosova ende po ballafaqohet me një armik tjetër, si krimi dhe korrupsioni, i mbjellë tashmë 20 vjet dhe që ka ngulfatur ekonominë, zhvillimin dhe shpresën e të rinjve që jetojnë në këtë vend”, thekson Basha.
Basha mendon se pushteti deri më tani i ka neglizhuar mërgimtarët.
“Pagesat e tyre nëpër kufij përbëjnë një problem që e ka dëmtuar padrejtësisht mërgatën tonë. Pastaj neglizhenca duke mos angazhuar profesionistët, që besoj, me përvojën dhe ekspertizën e tyre mund të jenë një vlerë e shtuar e këtij vendi. Gjithashtu mungesa e kanalizimit të kapaciteteve financiare nga mërgata etj. Me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, të gjitha këto do të tejkalohen. Me këtë, arrihet që mërgimtarët të mos jenë vetëm turistë, por të gëzojnë privilegje dhe lehtësira për të qenë investitorë në vendin tonë”, shton Basha.
Pranvera Ejupi – Hajzeraj (AAK): Diasporës t`i krijohen lehtësira për investim
Qibrja nuk është kandidatja e vetme nga diaspora që po synon ulësen e deputetes në Kosovës.
Një të tillë do ta synojë edhe Pranvera Ejupi-Hajzeraj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që është kthyer nga Gjermania për të jetuar në Kosovë. Specializantja për politikat e BE-së, Hajzeraj ,beson se do të kontribuojë më shumë në proceset e shtetndërtimit dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.
“Ne që jemi rritur jashtë Kosovës, kemi një atdhedashuri, që të gjithë potencialin tonë qe e kemi dhe bagazhin profesional por edhe material ta ofrojmë në të mirë të shtetit. Një theks të veçantë do ta ketë diaspora shqiptare, të cilën do të mundohem ta përfaqësoj në mënyrë dinjitoze dhe të jem zëri i saj në Kosove. Njerëzit që jetojnë në perëndim janë të përkushtuar për Kosovën janë edhe të gatshëm të investojnë këtu, por duhet t`u ofrohen mundësitë e sigurisë se kapitalit të tyre por duhet të ketë edhe sa më pak burokraci. Bashkatdhetarët tanë janë ndërmarrës të suksesshëm në shume fusha, por duhet krijuar lehtësira që për ta të bëhet atraktive të investojnë në Kosove”, thotë Hajzeraj.
Ajo po ashtu thekson se do të punojë shumë për të bindur diasporën për të investuar në Kosovë.
“Unë i ftoj të gjithë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre per votë, qoftë nga atje apo edhe të vijnë në Kosovë për votim. Ne si AAK kemi njerëz dhe kuadro te profileve të ndryshme me shkollim të lartë, jashtë dhe brenda vendit. Mendoj që përmes Aleancës mundemi më së miri të kontribuojmë për proceset shtetndërtuese”, potencon Hajzeraj.
Bekim Brestovci (Nisma): Një profil i ri i politikanit nga diaspora
Edhe një biznesmen nga Gjermania do të provojë të bëhet deputet në Kuvendin e Kosovës. Është ky Bekim Brestovci i cili premton krijimin e një parku të bizneseve të diasporës në Malishevë.
“Vendimi im për tu kthyer në Kosovë ishte vendim personal por me kthimin tim, fillimisht jam marrë me avancimin e projekteve zhvillimore përmes Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, siç është krijimi i parkut të bizneseve të Diasporës shqiptare në një hapësirë prej 40 hektarëve në Malishevë. Po kështu, krijimi i një shoqërie aksionare me afaristë nga diaspora me një kapital bazë prej 100 milionë eurove si dhe projekti për mësim dual: profesional të të rinjve nga Kosova. Diaspora duhet të këtë më tepër hapësirë në të gjitha nivelet publike në Kosovë por njeherësh Qeveria e Kosovës duhet ta rrisë buxhetin për diasporën e sidomos ta mbështesë në ngritjen e kapaciteteve për mësim të gjuhës shqipe”, shton Brestovci.
Veprimtaria e tij e deritanishme thotë se është garancë e madhe për pjesëtarët e diasporës që angazhimi i tij politik do të jetë në drejtim të avancimit të projekteve të lidhura me diasporën. Njëkohësisht përvoja e tij e krijuar në diasporë thotë Brestovci do t`i sjellë skenës politike një profil të një politikani shumë më ndryshe.
“Vendimin e kam marrë me plot vullnet dhe jam shumë i gatshëm për përgjegjësitë që më presin”, përfundon Brestovci.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Artisti Sislej Xhafa, sjell ekspozitë të veçantë në Alpet e Zvicrës Ekspozita e tij e veçantë, ringjall solidaritetin e Zvicrës në kohë lufte në shtetin e Kosovës...
-
Gjermani: Shoqatat shqiptare prezantojnë kulturën dhe traditat
-
Britani: Bie pema mbi pesë fëmijë, humb jetën 7 vjeçarja shqiptare
-
Arti diplomon në fushën e Financave në Universitetin NOVA në Portugali
-
FDP kandidon Përparim Avdilin për kryebashkiak të Cyrihut
Jeta në Austri
-
Këta emigrantë përfitojnë më së shumti nga “AMS” në Austri Shifrat nga Shërbimi Publik i Punësimit (AMS) tregojnë se 364,419 persona janë aktualisht të papunë, 43...
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri