Lajme

Kërkohet modeli zviceran për Maqedoninë

Zvicra është model shembullor i përdorimit zyrtar të gjuhës në tërë territorin edhe pse shumica e flasin gjermanishten, tha prefekti i Strugës, Ziadin Sela

Modeli zviceran për përdorimin e gjuhëve mund të jetë një shembull i mirë edhe për Maqedoninë. Kështu konsideruan përfaqësuesit vendorë por edhe ndërkombëtarët gjatë një tribune mbajtur në Strugë, organizuar nga Shoqata e gjuhëtarëve frankofon të kësaj komune.

Besnik Lena është drejtor i kësaj shoqate, ndërsa temë boshte e tribunës shkencore ishte gjuhët e mjedisit dhe përdorimi i tyre zyrtar dhe praktik.

Gazetari Michael Bruner, duke elaboruar këtë problematikë në shumë aspekte, mes tjerash përmendi se krahas gjuhëve të përhershme në Zvicër, tashmë ka filluar përdorimi gjithnjë e më i madh i gjuhëve të huaja, të atyre të huajve që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, siç është për shembull gjuha shqipe.

Pas një analize të thuktë për përdorimin praktik të gjuhës në Zvicër, Michael Bruner, duke sjellë një konkluzion edhe për Strugën e Maqedoninë.

“Por çka do të thotë kjo për situatën në Strugë? Sipas mendimit tim, situatat në dy vendet (Zvicër e Maqedoni) janë të ndryshme. Në Zvicër; gjermanët nuk duan të jenë vetëm gjerman, frankofonët nuk duan të jenë vetëm francez, italianët nuk duan të jenë vetëm Italian. Për të gjitha grupet është më e rëndësishmja të jenë zviceran. Prandaj edhe del konstatimi se Zvicra është një komb i lirë”, ka theksuar Bruner, raporton INA.

Sipas tij, Maqedonia mund të shfrytëzoj përvojën e Zvicrës. “Prandaj ju ftoj që të reflektoni për këtë model, sepse jeni ju ata që e njihni më së miri situatën këtu. Jeni ju ata që merrni vendime për vendin tuaj, për qytetin tuaj”, ka nënvizuar Michael Bruner.

Në këtë tribunë i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës Ziadin Sela, i cili foli për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare krahas asaj maqedonase, duke elaboruar edhe debatet në Parlamentin e Maqedonisë lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit.

“Sipas logjikës së praktikumit dhe aplikimit të gjuhës në Maqedoni, vendi duhet të ketë dy kushtetuta; një për pjesën lindore dhe tjetrën për pjesën perëndimore, ku edhe dokumentet personale në një pjesë jepen vetëm në një gjuhë, ndërsa në pjesën tjetër në dy gjuhë”, ka thënë Sela.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit nuk e ka definuar si e sa duhet përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

“Pikërisht për këto arsye komuna e Strugës është akoma pa statut që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhëve zyrtare. Në Strugë, mund të vërehet se firmat e shqiptarëve shkruhen në dy gjuhë; maqedonisht dhe shqip, ndërsa ato maqedonase shkruhen vetëm maqedonisht dhe shkrimin cirilik”, tha Sela.

Zvicra, sipas tij, është model shembullor i përdorimit zyrtar të gjuhës në tërë territorin edhe pse shumica e flasin gjermanishten.