Lajme

Për heqjen e lapidarit reagon Tirana e Prishtina

Heqja e lapidarit, sipas Tiranës zyrtare, ka shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Në Prishtinë thonë se ky akt ka rrezikuar vazhdimin e dialogut

Heqja e dhunshme e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, nga ana e xhandarmërisë serbe, ka nxituar reagime në gjithë opinionit shqiptar. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, të cilët këtë veprim e konsiderojnë si gjencodial.

Sipas këtyre dy qeverive, heqja me dhunë e lapidarit të dëshmorëve tregon më së mirë se në Serbi po vazhdon politika e Millosheviqit, me urrejtje dhe albanofobi.

“Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barabar të Millosheviçit”, thuhet në reagim.

Qeveria shqiptare, siç thuhet më tej, e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që “dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Millosheviqit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit”.

Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit, sipas Tiranës zyrtare, kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës…, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t”i zbatojë.

“Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në reagim.

Qeveria shqiptare po ashtu u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.

Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatën e saj të thellë për veprimin e shëmtuar të heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit”, thuhet në kumtesën për media.

Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit, sipas Qeverisë në Prishtinë, tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët.

“Ky veprim jocivilizues i Qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar”, thuhet më tej në reagim.

Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë.

“Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë, sipas tyre, e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë.

Kundër heqjes me dhunë të lapidarit në Preshevë, ka reaguar edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. “Kjo është edhe një dëshmi se Beogradi vazhdon të jetë prodhues i destabilitetit në rajon, nxitës i konflikteve dhe urrejtjeve ndërmjet kombeve, thuhet në deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës”, thotë ai.

Veprimet e tilla, sipas Krasniqit, nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, e as procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Rrënimi i përmendoreve dhe ndalimi i shpalosjes së vlerave kulturore dhe i kujtesës historike të popujve”, shton më tej Krasniqi, i cili po ashtu bën thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që “shqiptarët e kësaj treve të mos bien pre e provokimeve të Beogradit, sado të dhimbshme qofshin ato”.