Lajme

E shtuna e rëndomtë

Ende nuk më besohet se paraditja e një të shtuneje të rëndomtë do të më thellonte aq tepër në disa çështje të natyrës linguistike-gjeografike-ushqimore. Madje, kjo i tejkalon edhe përmbajtjen e bisedave që bëj me berberin tim portugez, me të cilin bisedojmë tema të ndërlikuara me një esperanto tonën, të përbërë prej frëngjishtes, italishtes, gjermanishtes, spanjishtes dhe shpeshherë edhe të shqipes. Por, t`i kthehem unë paradites së të shtunës së rëndomtë.

Plot gëzim që rroga ka arritur një ditë më parë, familjarisht vendosim të shkojmë në supermarketin e “Aldit” që ta blejmë harxhin e muajit. Përgatitemi, thuajse jemi duke u nisur në ndonjë ekskursion familjar. Me të arritur atje, shohim se nuk ishim të vetmit me këso planesh ditore familjare. Dhe, ashtu, pjesërisht duke ngarkuar karrocën me produkte ushqimore dhe pjesërisht duke e qortuar djalin tim se megjithatë gjendet në shitore, e jo në kopsht fëmijësh, ku mund të luajë symbyllazi, arrij te vendi im i preferuar. Aty jam pranë një zgjedhjeje të madhe të djathërave të ndryshme. Nuk mund të them se jam njohës i madh i djathërave, por jam në gjendje të bëj dallim mes atij të Gryjerit (Le Gryer) dhe atij të Emmantalit (Emmentaler).

Nga përvoja ime personale e di që edhe një numër i konsiderueshëm i politikanëve shqiptarë në Maqedoni kanë njohuri të mira për llojet e djathërave, sidomos atyre zviceranë. Nëse njohja e djathërave dikur mund të rezultojë me ndonjë karrierë politike, kam frikë se do të duhet të ndërpres zgjerimin e diturisë sime në këtë sferë. Megjithatë, lë ato ëndërrime irrealiste dhe hulumtoj ofertën e djathërave. Shpeshherë është çmimi dhe ambalazhi faktori përcaktues i përzgjedhjes sime, mirëpo këtë herë ishte përmbajtja tekstuale e emrit të një djathi – “Deutscher Emmentaler” (Djathë Emmentaler gjerman).

Nuk ka nevojë njeriu të jetojë gjatë në Zvicër për të ditur se Emmentali është një vend në Zvicër ku prodhohet ky lloj i djathit (Emmentaler) dhe se ndërlidhja me Gjermaninë është pak sa e paqartë. Falë parapagimit për internet që kam me operatorin Sunrise, nuk hezitoj që me anën e celularit tim të kërkoj që mos, eventualisht, edhe në Gjermani ka ndonjë vend me po të njëjtin emër Emmental, prej ku edhe ky djathë (“Deutscher Emmentaler”) e ka marrë emrin. Miku im virtual, Google, nuk gjeti vend gjeografik me emrin Emmental në Gjermani! E gjithë kjo huti gjeografike-ushqimore nuk më pengoi që, megjithatë, unë të blej nja 400 gram të këtij djathi, identitetin e të cilit do të përpiqesha ta zbuloj përderisa e konsumoja.

Atmosfera e zbërthimit të prejardhjes së ushqimeve më përcolli edhe gjatë pasdites së kësaj të shtune të rëndomtë. Ishte menyja e drekës, e cila kontribuoi në këtë. Për fat timin, për drekë kishim “Tavë Elbasanase” me mish qengji që ka kullotur nëpër livadhet zvicerane. Kjo menu më ktheu disa vjet më parë, kur në televizion jepej një program për përgatitjen e specialiteteve. Më saktësisht, Radio Televizioni Maqedonas, të cilin ne shqiptarët e Maqedonisë patetikisht e riemërojmë në Radio Televizioni i Maqedonisë, filloi ta emitojë këtë program me qëllim të afirmimit të kuzhinës maqedonase (e jo të Maqedonisë).

Gjithçka ndoshta do të ishte në rregull nëse në njërin prej emisioneve, “Tava e Elbasanit”, të mos shndërrohej në specialitet tipik maqedonas! Edhe pse plan-programi i gjeografisë gjatë kohës kur kam vijuar shkollën fillore nuk fokusohej aspak në fqinjin perëndimor të Maqedonisë, prapëseprapë isha shumë i bindur se vend me emrin Elbasan në Maqedoni nuk ka. Megjithatë, duke qenë i këshilluar vazhdimisht që mendimi i tjetrit duhet respektuar, unë përsëri vendosa të konsultoj mikun tim virtual, kjo për hir të dëshirës patetike të iluzionit multietnik që helbete mos kam mangësi në njohjen e gjeografisë. Elbasan, si vend gjeografik, kishte vetëm përbrenda kufijve të asaj që sot quhet Shqipëri. Dhe, pikë.

Në fund të ditës, kur mendova se më në fund mbaroi parodia e zbërthimit të prejardhjes së ushqimeve, vendos që të pij një kafe. Momentin që e marr xhezven, filloj të mendoj mbi zbërthimin e prejardhjes së kafes, e cila mes nesh njihet si turke, por e cila shumë shpejt ndërron “kombësinë” dhe shndërrohet në greke, bullgare, maqedonase, shqiptare dhe, kohët e fundit, edhe kosovare. Me dëshirë që të mos çaj kokë më me këtë temë, vendos të pij një kafe zvicerane. E vendos kapsulën e Nesspressos në automat dhe kështu e përfundoj këtë të shtunë të rëndomtë.