Lajme

33 shkolla perëndimore pajisen me libra shqip

Tridhjetë e tri shkolla zvicerane, gjermane, austriake, amerikane dhe suedeze do të pajisen brenda këtij muaji me biblioteka me libra shqip.

Ministria e Diasporës ka siguruar për secilën nga këto biblioteka nga 62 tituj të lekturave shkollore që janë në planprogram të sistemit arsimor të Kosovës si dhe 89 tituj tjerë nga fusha e historisë, etnografisë, gjuhësisë si dhe monografi të ndryshme për t’i vendosur në tri biblioteka të qyteteve në Zvicër, Amerikë dhe Austri, shkruan Zëri.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ka vënë bazat e hartimit të planprogramit dhe botimit të teksteve.

Kurse, Ministria e Diasporës ka identifikuar se gjendja e mësimit të gjuhës amtare në diasporë nuk është në gjendje të mirë dhe krejt kjo si pasojë e neglizhencës së prindërve për t’i dërguar fëmijët në mësim plotësues.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, në shtetin zviceran arrin vetëm deri në pesë për qind vijueshmëria e mësimit plotësues, kurse më e larta shënohet në shtetin suedez me 60 për qind përfshirje të fëmijëve të diasporës. Këtë gjendje, Ministria e Diasporës planifikon ta luftojë me institucionalizimin e mësimit plotësues në diasporë.

Udhëheqësi i divizionit për arsim në diasporë, në Ministrinë e Diasporës, Ymer Avdiu ka thënë për “Zërin” se kjo ministri fillimisht i ka dhënë përparësi identifikimit të nevojave për zbatimin e mësimit në diasporë, strukturimin e shkollës atje dhe në përgjithësi gjendjen e arsimit në diasporë. Është identifikuar se gjendja në arsimin plotësues në diasporë është jo e mirë, si pasojë e prindërve të papërgjegjshëm.

Në Suedi, në mësim plotësues janë të inkuadruar 5000 nxënës prej 9000 sa janë në proces mësimor, ndërsa në Zvicër vetëm deri në 2900 nxënës, që i bie pesë për qind e fëmijëve që jetojnë në këtë shtet si pjesë e diasporës.

“Disa kantone e kanë të rregulluar mësimin plotësues dhe disa jo”, shpjegon Avdiu duke përmendur në këtë rast Zvicrën dhe Gjermaninë ku jeton pjesa më e madhe e diasporës. Megjithëkëtë, ai thekson se nga mërgimtarët për mësim plotësues ka kërkesa prej Italisë, Çekisë, Kroacisë, Sllovenisë.

Avdiu ka theksuar se tashmë janë blerë libra për 33 biblioteka që do të pajisen me lekturë shkollore dhe do të vendosen në kuadër të shkollave të atyre vendeve ku mësojnë fëmijët.

Kjo ministri ka siguruar libra edhe për tri biblioteka të qyteteve që të jenë në dispozicion të studiuesve dhe studentëve me përmbajtje të historisë, etnografisë, gjuhësisë dhe monografisë.

“Këta libra do të vendosen në bibliotekën e Lincit të Austrisë, në Zvicër dhe në Amerikë. Secila bibliotekë e qyteteve do të pajiset edhe me nga 89 tituj në gjuhën shqipe me nga tre ekzemplarë për secilin titull, kurse secila bibliotekë shkollore do të ketë nga 62 tituj me nga pesë ekzemplarë”, tha ai.

Avdiu ka konfirmuar se së shpejti do të mbahet një takim ndërmjet Ministrisë së Diasporës, MASHT-it dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, përfshirë dhe kryetarët e Lidhjes së Prindërve dhe Arsimtarëve Shqiptarë si dhe këshillave tjera në diasporë me qëllim të përparimit të mësimit plotësues në diasporë.

Në këtë aspekt, Ministria e Arsimit ka shprehur gatishmëri për të vazhduar angazhimin në realizimin mësimit plotësues.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se kjo ministri e cila më parë ka pasur gjithë kompetencat për mësimin në diasporë do të vërë në dispozicion gjithë përvojën dhe kapacitetet e veta për Ministrinë e Diasporës dhe do të vazhdojë me hartimin e planprogrameve dhe botimin teksteve të nevojshme për diasporë duke përmbushur kështu obligimin që ka për jetësimin e politikave arsimore që i takojnë MASHT-it.

Në pjesën e parë të vitit 2012 nga Ministria e Diasporës është paraparë dhe mbajtja e një konference ndërkombëtare me temën “Institucionalizimi i arsimit në diasporë”, nga e cila pritet të dalin propozime për ngritjen e mësimit në diasporë./albinfo.ch & Zëri/