“Ditët e Kulturës Kosovare” zbarkuan në Zvicër
Aktiviteti i Ministrisë së Diasporës, "Ditët e Kulturës Kosovare" ka filluar mbrëmë paralelisht në Cyrih, Gjenevë dhe Winterthur
Manifestimi „Ditët e Kulturës Kosovare në diasporë”, i filluar javën e kaluar në Belgjikë, ka vazhduar mbrëmë edhe në Zvicër. Në mënyrë paralele në Cyrih dhe në Winterthur janë mbajtur dy mbrëmje me përmbajtje artistike. Në Cyrih, në ambientet e bibliotekës “Pestalozi” në një mbrëmje kollazh janë prezantuar me krijimet e tyre letrare, krijues shqiptarë nga Zvicra, është shfaqur monodrama e Mentor Zymberajt “Ëndrra e fundit” në realizim të “Teatrit Alternativ” nga Prishtina dhe ka dhënë koncert Ansambli Internacional “Sheki Band” po nga Prishtina.
Po kështu, në Gjenevë, mbrëmjen e të hënës programi i “Diteve…” ka filluar me një mbrëmje të filmit dokumentar të Kosovës.
Pas vonesës “obligative” prej rreth një ore, programi, i drejtuar nga aktori nga Prishtina, Nëntor Fetiu, ka filluar me përshëndetjen e organizatorit, Mustafë Xhemaili, drejtor i politikave të diasporës në Ministrinë e Diasporës. Xhemaili me këtë rast ka shprehur synimin e kësaj ministrie për të qenë sa më afër mërgatës dhe në shërbim të saj. Si njëra nga format për ta bërë këtë, sipas tij janë edhe “Ditët e Kulturës Kosovare në Diasporë”. Ai ka folur edhe për potencialin që ka diaspora jo vetëm në rrafshin ekonomik por edhe në atë kulturor, intelektual, potencial ky të cilin Ministria e Diasporës synon ta nxisë për të mirën e Kosovës.
Me një përshëndetje rasti është paraqitur ministrja këshilltare në Ambasadën e Kosovës në Bernë, Artana Bardhi. Ajo, po kështu ka përgëzuar organizatorët për projektin e “Ditëve të Kulturës…” si shprehje të respektit dhe të afërsisë së Kosovës me mërgatën e saj.
Leximi letrar, i drejtuar nga Bujar Salihu, ka filluar me prezantimin e poezive të Shaip Beqirit dhe ka vazhduar me ato të Vaxhid Xhelilit, Gani Bytyçit dhe vetë Bujar Salihut si dhe me një fragment proze të Muharrem Blakajt. U lexuan poezi të zgjedhura dhe kryesisht me nivel, por pritjet e publikut ishin për më shumë autorë dhe larushi leximesh.
Monodrama “Ëndrra e fundit” e Mentor Zymberajt, e shfaqur në vazhdim, në të njëjtën sallë, plotësoi atë që la mangut leximi poetik. I vendosur në ambientin e varfër të një qelie burgu, shfaqja, edhe në saje të lojës mjeshtërore të Zymberajt arriti të komunikonte shumë mirë me publikun. Tema, e afërt për shumicën e të pranishmëve, mbajtja në burgje dhe zhdukja e shqiptarëve gjatë luftës së fundit por edhe më parë, e bëri për vete publikun.
Të mbash gjallë interesimin e publikut përgjatë rreth një ore monologu, me vetëm pak ndërhyrje zërash nga prapaskena, është gjë mjaft e vështirë. Dhe këtë e ka arritur Mentor Zymberaj, si autor komplet i monodramës. Ndonëse bëhej fjalë për monodramë, në skenë është paraqitur herë pas here edhe vogëlushi Jon Mulliqi me pelerinë të bardhë, duke simbolizuar shpirtrat e vdekur të shokëve të kryepersonazhit.
Ansambli Internacional “Shekiband” nga Prishtina, i udhëhequr nga kompozitori dhe kitaristi i njohur veteran Shefqet Hoxha është kujdesur për atmosferën relaksuese në përmbyllje të mbrëmjes. Me një përbërje prej instrumentistësh të rryer dhe asish më të rinj, “Shekiband” ka ofruar për publikun melodi dhe këngë të melosit tonë popullor të përpunuara në stilin etnoxhaz. Muzika e prezantuar me këtë rast ka qenë njëkohësisht edhe prezantim i albumit “Kosova Blues” të këtij grupi.
Ndërkohë që niveli i performimit të “Shekiband” nuk diskutohet, mund të bëhet vërejtje konceptimit që i është bërë programit. Prezantimi i grupit përjetohej më shumë si një “kulisë muzikore” e gjithë aktivitetit të mbrëmjes, ndërsa mund të jepej si koncert i veçantë.
Gjatë të njëjtës kohë deri sa po mbahej mbrëmja artistike në Cyrih, jo më larg se 30 kilometra më tutje, në qytetin Winterthur Ansambli “Shota” nga Prishtina ka mbajtur koncert së bashku me Shoqërinë Kulturore Artistike të këtij qyteti, “Dardania”. Programit të pasur artistik të këtyre dy shoqërive i ka paraprirë përshëndetja e zëvendëskonsullit të Kosovës në Cyrih, Sali Sefa dhe këshilltarit të ministrit të diasporës në Qeverinë e Kosovës, Adem Zhitopotoku, të cilët kanë shprehur fjalë falënderimi për rolin e mërgatës gjatë të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë dhjetëvjetëshave të fundit.
Moderimin e mbrëmjes e ka bërë aktori nga Prishtina, Basri Lushtaku.
Mbrëmë, paralelisht me programin në Cyrih e në Winterthur, një pjesë e trupës së ardhur nga Prishtina ka qenë e angazhuar në Gjenevë, ku programi i “Diteve…” ka filluar me një mbrëmje të filmit dokumentar të Kosovës.
Sonte, në Schlieren të Cyrihut Ansambli “Shota” nga Prishtina mban koncert së bashku me Shkollën e Vallëzimit “Shota” nga Arau, ndërsa në Gjenevë jepet monodrama “Ëdrra e fundit” e mentor Zymberajt dhe mbrëmja e dytë e filmit dokumentar të Kosovës.
E-Diaspora
-
Kurti: Diaspora dhe bashkëpunimi me Gjermaninë, çelës për zhvillim ekonomik Kurti: Përtej granteve financiare nga Gjermania, Kosova ka nevojë për qasje në treg ... -
Zvicër
“Një gjuhë për dhimbjen”, historia e një familjeje kosovare nominohet për çmimin prestigjioz të gazetarisë në Zvicër -
Olso
Sukses akademik, Fikri Hajdari fiton doktoraturën në Norvegji -
Londër
Besa Sharrah emërohet anëtare e Komisionit për Evropën Lindore në Ohio -
Mbi 50 mijë aplikime nga diaspora për votim, prijnë votuesit nga Gjermania dhe Zvicra
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten













