Skanerët e trupit, jo më të detyruar

Së shpejti në aeroportet evropiane, mund të refuzoni kontrollin me skanim të plotë të trupit

Në Evropë ka shumë udhëtarë që e refuzojnë këtë teknologji kontrolli, me anë të së cilës mund të dallohen saktësisht konturet e trupit, me arsyetimin se është cenuar privatësia e tyre.

Prej disa kohësh në disa aeroporte evropiane është aplikuar përdorimi i një teknike të tillë, e cila sipas ekspertëve garanton një siguri më të madhe në aeroporte.

Fjala është për të ashtuquajturin skanimi i trupit. Kjo teknikë e re kontrolli, e cila përdoret edhe në SHBA, mbetet temë diskutimi, ngase ka shumë pasagjerë që mendojnë se përmes një skanimi të tillë preken të drejtat personale.

Krahas çështjes, nëse skanerët truporë depërtojnë në një mënyrë të palejueshme në sferën private, kritikët kanë edhe një shqetësim tjetër: nëse rrezet që marrin personat që kontrollohen mund të jenë të dëmshme për shëndetin. Disa sindikata pilotësh mendojnë se skanerët mund të transmetojnë doza të rrezikshme rrezatimi.

Sipas të dhënave nga Komisioni i BE-së të bëra të publike në Bruksel, së shpejti në aeroportet evropiane, ai që nuk do të kontrollohet për armë apo lëndë eksplozive me një skaner të plotë të trupit, mund të kërkojë një lloj tjetër kontrolli.

Rregullorja e re përkatëse për të ashtuquajturin skanimi i trupit do të hyjë në fuqi për disa javë.

Aktualisht kjo teknologji e bazuar në skanimin e trupit përmes imazheve elektromagnetike, e cila të mundëson që të zbulohen objekte metalike dhe jo metalike përdoret kryesisht në Britaninë e Madhe dhe Holandë.

Në të ardhmen në lidhje me përdorimin e skanerëve për trupin do të vendosen standarde të qarta minimale: P.sh. nuk do të lejohet që fotografitë e bëra të ruhen, të kopjohen apo të printohen.

Po ashtu duhet të garantohet se askush nuk ka qasje të paautorizuar në këto pajisje. Përveç kësaj në të ardhmen  ata që merren me vlerësimin dhe analizimin e imazheve që prodhojnë këto lloj skanerësh, duhet të rrinë në një dhomë të ndryshme nga ajo ku gjenden aparatet e skanimit dhe personat e skanuar.

Diskutimi në lidhje me të ashtuquajturit skaner trupi apo të sigurisë kishte filluar në vitin 2009, pasi një terrorist ishte përpjekur për të hedhur në erë një avion që ishte rrugës nga Amsterdami në Detroit. Ai donte ta kryente këtë me eksplozivë plastikë. Pas kësaj ngjarjeje disa vende të BE-së filluan t’i aplikojnë në formë testi skanerët e trupit dhe teknologjinë përkatëse. (DW)