Qeveria nuk e pranon marrëveshjen

Qeveria e Republikës së Kosovës, e vlerëson të papranueshme draft-marrëveshjen e prezantuar në opinion, e arritur në mes të Gjeneralit të  KFOR-it, Erhard Buhler dhe zyrtarit serb, Stefanoviq, të përmbledhur në tri pika, thuhet në një reagim të Qeverisë të lëshuar para pak kohe.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, duke respektuar në plotësi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur e autonom në vendim marrje, njofton opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar se kjo draftmarrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të respektoj në përpikmëri masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto në përputhje me mandatin që e ka KFOR-i. Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut”, thuhet në fund të reagimit.

KFOR-i ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë, por që mund të implementohet gjatë ditëve në vijim.

Sipas një komunikate të KFOR-it thuhet se “Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Buhler, shefi i ekipit negociator, Borislav Stefanoviq dhe ministri Goran Bogdanoviq, më 3 Gusht në orët e hershme të mbrëmjes kanë shkëmbyer për herë të dytë pikëpamjet mbi situaten e tanishme në veri të Kosovës dhe diskutuan për mënyrën e zgjidhjes së problemeve atje. Takimi u mbajt në kampin e KFOR-it Nothing Hill. Ata zhvilluan dhe hartuan një marrëveshje”.

Në të parashihet:

•  Në portën 1 (vendkalimi kufitar në Jarinje) dhe portën 31 (vendkalimi kufitar në Bernjak) sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të muajit Shtator 2011. Nëse është e nevojshme, kjo kornizë kohore mund të zgjatet. KFOR-i mban komandën dhe kontrollin në kalimet kufitare.

• Veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë.

• Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.

Për bisedimet, Komandanti i KFOR-it ka pasur autoritetin e plotë e të gjitha institucioneve të përfshira.

Kryenegociatori Borislav Stefanoviq dhe Ministri Goran Bogdanoviq do ta koordinojnë marrëveshjen me Presidentin e Serbisë dhe autoritetet tjera të involvuara nga pala Serbe.

Marrëveshja mund të implementohet gjatë ditëve në vijim. Megjithatë nuk theksohet asgjë për hapat mas shtatorit, nëse do të vendosen doganierë apo sërish do të diskutohet pasi të përfundoj marrëveshja që thuhet deri në mes të shtatorit.