Unia: Të huajt dhe punëtorët e kanë gjithnjë më vështirë

Në seminar, Ruzhdi Ibrahimi ka referuar mbi sigurimin e papunësisës, Osman Osmani mbi pagat minimale dhe Hilmi Gashi mbi ligjin për të huajt

Sindikata Unia, për të informuar anëtarësinë e saj me risitë në ligjet që kanë të bëjnë edhe me të drejtat e punëtorëve, parasheh mbajtjen e seminareve të herëpashershme mbi tema të caktuara. Viteve të fundit këto seminare mbahen edhe në gjuhën shqipe, ndërsa një seminar i tillë u mbajt më 28 dhe 29 maj në Thun.

Në ditën e parë të seminarit, njohësi i të drejtës së punës dhe specialisti i sigurimeve shoqërore, Ruzhdi Ibrahimi ka referuar mbi “risitë në lidhje me sigurimin e papunësisë”, ndërsa Osman Osmani, nga qendra e Unia-s, sektori për migracio,n është marrë me temën rreth pagave minimale.

© albinfo.ch

Ibrahimi  ka sqaruar para pjesëmarrësve të seminarit hollësitë që sjell revidimi më i ri i legjislacionit të  papunësisë, për aq sa ato prekin të drejtat e punëtorëve. Duke iu referuar revidimit të ligjit mbi papunësinë, që ka hyrë në fuqi më 1 prill 2011, referuesi tha se “edhe personat të cilët kanë qenë të papunë para kësaj date, janë të prekur nga shkurtimet, reduktimet e pagës së papunësisë apo të numrit të pagave ditore të papunësisë”. Ai më tutje ka sqaruar se numri i pagave ditore të papunësisë, me të renë varet nga vëllimi i kontributeve që ka paguar i punësuari deri në momentin kur ka mbetur pa punë etj.

Ibrahimi ka ilustruar me shembuj konkretë dallimet në kompensimin e papunësisë para dhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Kështu, nëse deri më 31 mars, një i papunë i cili ka punuar 16 muaj, ka pasur të drejtë për 400 ditë pune të paguara, nga 1 prilli e tutje ai, me po këto kushte, gëzon të drejtën e kompensimit për vetëm  260 ditë pune. “Po ashtu me ndryshimet e fundit, personat deri në moshën 30 vjeçare të mbetur pa punë, duhet që menjëherë të pranojnë çfarëdo pune që u ofrohet, pavarësisht nga kualifikimet dhe shkollimi që kanë mbaruar”, ka shtjelluar më tej Ruzhdi Ibrahimi.

Dikur “politikisht jo korrekte”, sot diskurs normal

Ibrahimi ka informuar pjesëmarrësit edhe lidhur me gjendjen aktuale të marrëveshjes për sigurimet shoqërore Zvicër-Kosovë, të ndërprerë para një viti njëanshmërisht nga pala zvicerane. Me këtë rast, përveç  Zvicrën, ai ka fajësuar edhe institucionet kosovare për mospunë dhe neglizhencë në këtë drejtim.

© albinfo.ch

Ndërsa bashkëkryesuesi  në seksionin e UNIA-s në Oberland të Bernës, Hilmi Gashi në ditën e dytë të seminarit ka referuar mbi risitë aktuale të ligjit për të huajt.

Gashi ka bërë fjalë për periudha të ndryshme të ardhjes, në kushte të ndryshme, të migrantëve në Zvicër. Në vitet pesëdhjetë, ekonomia zvicerane kishte nevojë për fuqi punëtore nga jashtë. Kur erdhën kontingjentet e punëtorëve, fillimisht të atyre nga Italia, një pjesë e shoqërisë zvicerane kishte probleme me pranimin e tyre. Si rezultat doli lëvizja ksenofobe e drejtuar nga politikani Schwerzenbach në fillim të viteve 70, me moton “Anija është mbushur”. Pas kësaj pasoi një periudhë e qetë, ndërsa në gjysmën e viteve 90 me daljen e fuqishme në skenë të SVP-së me kartën e të huajve, kemi sërish një forcim të elementit ksenofob në Zvicër. “Koncepte që deri vonë merreshin si shprehje ksenofobie dhe “politikisht jokorrekte”, sot janë bërë pjesë e pranuar, normale e diskursit politik”, ka vërejtur Gashi.

Ashpërsim në fitimin e qëndrimit dhe shtetësisë

Pastaj Hilmi Gashi ka sqaruar ndryshimet e propozuara nga qeveria Federale për revidimin e fundit të ligjit mbi të huajt. Me këto propozime kemi edhe një kufizim të mëtejmë të të drejtave të të huajve. Nga njëra anë propozohet shkurtimi i kohës (nga 12 vjet në 8 vjet) së qëndrimit në Zvicër si kusht për kërkimin të shtetësisë. Por nga ana tjetër, kjo kushtëzohet me pasjen e vizës C. Dhe kjo, sipas tij është absurde, kur dihet se ka mjaft raste të zvarritjes deri në pafundësi të pajisjes së të huajve me një vizë C. “Ashpërsim parashihet edhe në lidhje me bashkimin e familjes (martesën), si shansi i vetëm që u ka mbetur shqiptarëve nga jashtë Zvicra për të fituar qëndrimin në Zvicër. Sipas propozimit të ligjit, martesat lejohen vetëm për ata që kanë leje qëndrimi në Zvicër” ka thënë Gashi në ligjëratën e tij.

Ndërkaq Osman Osmani, përgjegjës për migracionin në qendrën e Unia-s, në Bernë, thotë se veç seminareve në nivel nacional, sikur ky i fundit, “varësisht nga kërkesat e  seksioneve, organizojmë edhe seminare në nivel regjioni, mbi tema të caktuara”.

Lidhur me seminarin e mbajtur në Thun, Osmani nënvizon se pjesëmarrës ishin aktivistë sindikalistë shqiptarë nga e gjithë Zvicra dhe se kishte edhe përfaqësim të mirë të femrës shqiptare. Ai e sheh pjesëmarrjen në aktivitete të këtilla si një mundësi të mirë participimi në një aktivitet shoqëror të bashkatdhetarëve tanë. 

Nëse deri më 31 mars, një i papunë i cili ka punuar 16 muaj, ka pasur të drejtë për 400 ditë pune të paguara, nga 1 prilli e tutje ai, me po këto kushte, gëzon të drejtën e kompensimit për vetëm  260 ditë pune.