Shkurt.ch

Zvicra, vendi me aftësinë më të madhe konkurruese në botë

Vendi i dytë më konkurrues në botë pas Zvicrës është Singapuri. Pas tij vjen Finlanda, Gjermania dhe SHBA

Zvicra vazhdon kryesimin në ranglistën e vendeve më konkurruese në botë. Kjo del nga raporti më i ri i WEF (Forumi Ekonomik Botëror) i publikuar të mërkurën.

Pikat e forta që e bëjnë Zvicrën vendin më kompetitiv në botë janë, sipas raportit, fuqia inovative, sistemi arsimor dhe hulumtimi. Mirëpo sipas WEF-it, Zvicra duhet t`ua lehtësojë të rinjve qasjen në universitete ndërsa po ashtu duhet të bëjë më shumë për forcimin e pozitës së grave në ekonomi. Në këto dy aspekte Zvicra mbetet mbrapa disa vendeve tjera, që, në plasmanin e përgjithshëm janë më poshtë se ajo. Më tutje Zvicrës i shihet për të madhe se  ka një bujqësi së tepërmi të subvencionuar nga shteti

Por, nga ana tjetër Zvicra disponon një nga administratat më efektive dhe më transparente në botë, një infrastrukturë të jashtëzakonshme dhe tregje të financave dhe të punës që funksionojnë mirë.

Ambienti makroekonomik i Zvicrës është njëri ndër më stabilët në botë, në një kohë që shumë vende fqinje të saj po përballen me vështirësi, vazhdon raporti. Ai lavdëron më tutje produktet zvicerane si dhe shumëllojshmërinë e shërbimeve që ofrohen në Zvicër.

Sektori i financave dhe bankave kontribuojnë po ashtu që Zvicra të ketë vendin e parë në këtë ranglistë.

Vendi i dytë më konkurrues në botë pas Zvicrës është Singapuri. Pas tij vjen Finlanda, Gjermania dhe SHBA. Këto dy të fundit janë ngritur në listë për nga dy vende në krahasim me një vit më parë.

Ndërkohë vende tjera të BE-së si Italia Spanja, Portugalia e Greqia kane mbetur në pjesën e poshtme të ranglistës. Kështu Spanja është e 35-a, Italia e 49-a, Portugalia e 51-ta ndërsa Greqia e 91-ta në listë për aftësi konkurruese në botë.