Lajme

Zvicra vazhdon mbështetjen për Kosovën

Ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për përkrahjen e madhe që populli dhe shteti zviceran po japin për Kosovën, në të gjitha aspektet

Shteti i Zvicrës do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës në tëp gjitha fushat e zhvillimit, deklaroi ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang. Këto komente ajo i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me ministri kosovar të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Ky i fundit, ndërkaq e ka njoftuar ambasadoren Lang për proceset në Kosovë, forcimin e  vazhdueshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që populli dhe shteti zviceran po japin për Kosovën, në të gjitha aspektet.

Ndërsa ambasadorja helvetike, Lang ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të shtetit zviceran për Republikën e Kosovës.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadorja Lang kanë biseduar edhe për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy shteteve, duke shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në shumë fusha ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.